Tërmet me magnitudë 3.2 goditi Shqipërinë, është ndjerë edhe në vend RMV

Një tërmet me magnitudë 3.2 ballë sipas shkallës Rihter është regjistruar mëngjesin e sotëm në Shqipëri, informon Qendra Sizmologjike Mesdhetare Evropiane (EMSC).

Epiqendra e tërmetit ishte rreth 35 kilometra nga Elbasani, përcjell albinfo.ch.

Deri më tani, nuk ka konfirmim për dëme materiale të shkaktuara.

Lëkundjet janë ndjerë edhe në viset jugperëndimore të vendit, veçanërisht në rajonin e Ohrit-Strugës.

Katër vrasje në tre ditë në Kosovë, reagon Albin Kurti

Katër jetë janë marrë në vetëm tre ditë, çka ka bërë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të flasë në mbledhjen e sotme të Qeverisë mbi ngjarjet.

Kurti ka kërkuar nga organet e ligjit angazhim maksimal, ndërsa tha se duhet të ketë analizë profesionale, veprim institucional dhe reflektim shoqëror mbi gjithçka ka ndodhur në javën e fundit.

“Dua të ndaj brengën e njëjtë me të gjithë ju në lidhje me katër vrasjet e regjistruara në tri ditët e fundit. Ftoj organet e rendit, hetuesisë, që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve, në mënyrë që edhe të vihet drejtësi, edhe të parandalohen akte të tilla. Vrasja është akti më i rëndë njeriu-njeriut, ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet. Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut, por edhe e shoqërisë në të cilën ai bënte pjesë, pra shoqërisë sonë. Gjithë vendi është tronditur dhe lënduar nga kjo seri e vrasjeve, që duhet të ndalohet, ndalet, dënohet. Duhet, natyrisht, analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional, reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne. Edhe për faktin që këto vrasje ndodhën pikërisht në javën kur shënojmë 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë për ta ndalur gjenocidin e Serbisë dhe përkujtojmë masakrat e njëpasnjëshme të aparatit shtetëror të Serbisë, që synonte shfarosjen e popullit shqiptar,” tha ai.

Austria zbulon celulën e inteligjencës ruse që drejtonte një fushatë për përhapjen e dezinformatave për Ukrainën

Autoritetet austriake kanë zbuluar një fushatë të udhëhequr nga Rusia për përhapjen e dezinformatave për Ukrainën, pasi një grua bullgare e akuzuar për spiunim për Rusinë u arrestua në dhjetor, përcjell albinfo.ch.

Shërbimi i brendshëm austriak i inteligjencës zbuloi prova të këtij operacioni gjatë analizës së pajisjeve të gjetura gjatë kontrollit në banesën e gruas, tha Ministria e Brendshme në një deklaratë. Hetimi zbuloi se, disa javë pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, u krijua një qelizë që punonte për shërbimin sekret rus për të planifikuar një fushatë dezinformimi në shkallë të gjerë në vendet gjermanishtfolëse, veçanërisht në Austri.

Grupi ishte aktiv në internet, por përdori gjithashtu ngjitëse dhe grafite me simbole të së djathtës ekstreme dhe deklarata nacionaliste, për të krijuar përshtypjen se aktivistët pro-ukrainas ishin përgjegjës, sipas Ministrisë së Brendshme.

E dyshuara bullgare, emri i së cilës nuk u bë i ditur, thuhet se ka luajtur një rol kyç në përpjekje dhe ka vepruar si një kontakt i inteligjencës, tha ministria, duke shtuar se ajo pranoi se punonte për celulën, veçanërisht në vitin 2022. Një vit më parë, skandali më i madh i spiunazhit në dekada shpërtheu me arrestimin e një ish-agjenti të inteligjencës austriake. Ai u akuzua, ndër të tjera, për përcjelljen e të dhënave të telefonave celularë të ish-zyrtarëve të lartë austriakë në shërbimin sekret rus dhe se kishte ndihmuar në planifikimin e një depërtimi në banesën e një gazetari të njohur.

Ish-zyrtari, i cili më pas u lirua nga paraburgimi, dyshohet se i ka transmetuar informacione të ndjeshme Jan Marsalekut. Marsalek është një koleg austriak i arratisur, i cili ka qenë i kërkuar nën dyshimin për mashtrim që nga kolapsi i kompanisë gjermane të pagesave Wirecard në vitin 2020, ku ai shërbeu si Drejtor Kryesor Operativ. Në urdhër-arrestin ndaj tij thuhet se mesazhet e bisedave, të ofruara nga autoritetet britanike, e lidhin drejtpërdrejt Marsalekun me shërbimin sekret rus FSB.

Në qiellin e Luganos, u shfaq një spirale misterioze

Mediat zvicerane i kanë kushtuar vëmendje një fenomeni në Lugano, të publikuar nga një përdorues i Instagramit i quajtur Anthony Svettini, përcjell albinfo.ch.

Mediat shkruajnë se, në bazë të fotos, shihet një vorbull e ndritshme në qiell. Kjo është ajo që mund të vërehej për disa minuta këtë mbrëmje, rreth orës 21:10, në qiejt e gjysmës së Evropës: raportet vijnë nga Italia Veriore, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Këta nuk janë alienë apo fenomene të tjera misterioze: siç raportohet nga faqja e internetit e astrofizikës Chpdb, ajo që u vu re është një efekt i krijuar nga një SpaceX Falcon 9, e cila lëshoi karburantin e saj të mbetur.

Misioni NROL-69 u nis në orën 18:48 nga Kepi Canaveral, Florida. Në orbitën e saj të radhës, raketa fluturoi mbi kontinentin evropian dhe, falë mbulesës së pakët të reve, spiralja e pazakontë ishte e dukshme për shumë njerëz.

Fenomeni nuk është i ri për entuziastët dhe shërben për t’u përgatitur për rihyrjen atmosferike të raketës në Paqësorin Jugor.

Tenori i njohur shqiptar emërohet drejtor i Filharmonisë në Maqedoni

Bëhet e ditur se tenori Mustafa Imeri është emëruar sot drejtor i Filharmonisë në Maqedoninë e Veriut, duke u bërë shqiptari i parë që është vënë në krye të këtij institucioni prestigjioz kulturor, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se emërimi i tij si drejtor i institucionit më të lartë të muzikës është cilësuar si moment historik për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pasi deri tani qytetarët e etnitetit shqiptar kanë pasur dyer të mbyllura në Institucionin e Filharmonisë.

Vlen të theksohet se Mustafa Imeri njihet si një profesionist i vërtetë me një karierë të gjatë si artistike, të vlerësuar brenda dhe jashtë vendit.

Ambasada Amerikane ka një njoftim lidhur me vizat për kosovarët

Së fundmi, Ambasada Amerikane në Kosovë ka njoftuar se kontrolli i vizave nuk ndalet pas lëshimit të tyre, përcjell albinfo.ch.

Ajo ka bërë të ditur se SHBA-ja i kontrollon vazhdimisht mbajtësit e vizave dhe ka paralajmëruar për revokim të tyre për ata që nuk zbatojnë ligjet dhe rregullat e emigracionit të SHBA-së.

“Kontrolli i vizave në SHBA nuk ndalet pas lëshimit të vizës. Ne i kontrollojmë vazhdimisht mbajtësit e vizave për t’u siguruar që ata zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat e emigracionit të SHBA-së – dhe ne do t’ua revokojmë vizat dhe do t’i dëbojmë nëse nuk e bëjnë këtë”, ka shkruar Ambasada.

Kaq mjekë braktisën Kosovën për dy muaj

Gjatë muajit janar e shkurt, të vitit 2025 nga Kosova janë larguar 11 mjekë, përcjell albinfo.ch.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.

“Gjatë këtyre dy muajve, janar dhe shkurt janë larguar 11 mjekë të rinj”, ka thënë ai.

Ai ka treguar se trendi i ikjes së mjekëve e përcjell gjendjen ekonomike në vend.

“Ky është një trend që e përcjell gjendjen ekonomike në përgjithësi në Kosovë. Në momentin që keqësohet gjendja ekonomike apo kushtet e jetesës ne e shohim një rritje të tyre”, ka deklaruar Sejdiu. Ndërsa, gjatë vitit 2024 nga Kosova janë larguar gjithsej 111 mjekë”, ka thënë ai. /Albinfo.ch

Dodik largohet nga Bosnjë-Hercegovina, nisin hetimet nga policia kufitare

Një delegacion, i udhëhequr nga Milorad Dodik, president i entitetit serb në Bosnjë-Hercegovinë, i cili aktualisht është nën hetim, ka mbërritur ditën e martë në aeroportin Ben Gurion në Tel-Aviv të Izraelit. Sipas raportimeve të “Oslobođenje”, avioni që transportonte Qeverinë e Republikës Srpska ishte nisur nga Banjalluka, kishte kaluar nëpër Beograd dhe më pas kishte vazhduar udhëtimin drejt Izraelit.

Kjo lëvizje e Dodikut ka shkaktuar shqetësim te Policia Kufitare e Bosnjë-Hercegovinës, e cila, nën udhëheqjen e drejtorit Mirko Kupresakoviq, ka nisur një hetim për të zbuluar mënyrën se si ai ka kaluar kufirin shtetëror. Policia ka njoftuar se do të ndërmarrë të gjitha masat e duhura për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e kufijve, përcjell albinfo.ch.

Arsyeja e vizitës së Dodikut në Izrael lidhet me pjesëmarrjen e tij në një konferencë ndërkombëtare kundër antisemitizmit, që do të zhvillohet në Jerusalem më 26 dhe 27 mars.

Gabimi i administratës amerikane shtyn rrjetin Signal të forcojë sigurinë

CEO-ja e Signal, Meredith Whitaker, theksoi përfitimet e sigurisë së aplikacionit pas një gabimi të administratës amerikane, ku një gazetar u përfshi gabimisht në një dritare bisede të koduar.

Edhe pse nuk e komentoi drejtpërdrejt ngjarjen, Whitaker e quajti Signal “standardi i artë” në komunikimet private, duke e krahasuar atë me WhatsApp për shkak të nivelit të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes së privatësisë.

Signal, sipas Whitaker, është me burim të hapur dhe jofitimprurës, duke përdorur kriptimin nga fundi në fund dhe mbrojtjen e të dhënave. Shkarkimet e aplikacionit janë rritur ndjeshëm, duke e bërë atë një alternativë të popullarizuar në SHBA dhe Evropë.

Tifozët Kuq e Zi i reagojnë sêrish FSHF-së për kampionatin Shqipëri-Serbi

Grupi i tifozëve Kuq e Zi ka vazhduar qëndrimin kundër organizimit të Kampionatit Evropian U21 mes Shqipërisë dhe Serbisë. Në një akt simbolik, ata vendosën një pankartë para selisë së Federatës Shqiptare të Futbollit, me mesazhin: “Djemtë e zgjedhur të Arbërisë, kundër pazareve në emër të Shqipnisë.”

Në një reagim publik, Tifozat Kuq e Zi i kanë akuzuar drejtuesit e FSHF-së për mungesë transparence dhe përfaqësim të interesave personale, duke theksuar se ata nuk janë në shërbim të tifozëve, por vetëm të interesave të ngushta, përcjell albinfo.ch.

“Mjaft më me pazaret e errëta! Ju nuk përfaqësoni zërin e tifozëve, por interesat tuaja. Ne kërkojmë futboll të pastër, jo ‘modern’; kërkojmë transparencë. Ju nuk jeni më lart se flamuri, populli dhe ne. Zëri ynë do të vazhdojë të dëgjohet përballë padrejtësive… Shqipëria kurrë nuk do të shitet!”, është shprehur grupi në deklaratë.

Kosovë: Gjuajtje me armë zjarri në Prishtinë, raportohet për 1 të plagosur

Një gjuajtje me armê zjarri raportohet të ketë ndodhur pak minuta më parë në Prishtinë, e ku dyshohet se të paktën 1 person ka mbetur i plagosur.

Mediat raportojnë se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Bajram Kelmendi”, ndërsa në vendngjarje janë parë edhe forca të Policisë së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Deri më tani nuk ka asnjë të dhënë zyrtare.

 

 

Maqedoni: Arrestohen gruaja dhe vajza e pronarit të diskotekës ku ndodhi tragjedia

Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar bashkëshorten dhe vajzën e Dejan Jovanov Deko, pronarit të diskotekës “Puls”, aty ku ditë më parë ndodhi një prej tragjedive më të mëdha.

Po ashtu, gjatë bastisjeve janë konfiskuar pesë telefona të të dyshuarve. Autoritetet kanë kryer kontrolle edhe në një tjetër pronë të Jovanovit dhe kanë bastisur zyrat e Inspektoratit Shtetëror të Tregut në Koçan.

Ndërkohë, pronari i diskotekës “Puls” ndodhet i shtruar në një spital në Lituani, si një nga katër pacientët që po marrin trajtim atje.

Numri i të dyshuarve lidhur me zjarrin që shkaktoi tragjedinë në diskotekën “Puls” ka arritur në 34, ndërkohë që për 27 individë dhe tre persona juridikë është hapur një procedurë hetimore. Hetimet kanë përfshirë gjithashtu shtatë punonjës policorë nga SPB Shtip dhe Koçan, përcjell albinfo.ch.

Aktualisht, akuzat janë të lidhura me veprat penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Hetimi për këtë rast po zhvillohet nga 11 prokurorë të Shkupit, Koçanit dhe Shtipit.

Studiuesit tregojnë pse duhet evituar konsumimi i tepërt i bukës

Buka, e njohur për shijen e saj të këndshme dhe aromën e ngrohtë, mund të mos jetë aq e shëndetshme sa mendojmë. Studiuesit sugjerojnë se një nga ndryshimet e para që duhet të bëni për të humbur në peshë është të zvogëloni konsumimin e bukës, veçanërisht asaj të bardhë. Përdorimi i tepruar i bukës mund të sjellë pasoja negative për shëndetin tuaj, përcjell albinfo.ch.

4 arsye për të kufizuar konsumimin e bukës

1. Rritja e urisë
Kur bëhet fjalë për urinë, lloji i bukës që konsumoni ka ndikim të madh. Buka, dhe veçanërisht buka e bardhë, përmban karbohidrate të thjeshta që shkaktojnë rritjen e nivelit të glicemisë. Kjo mund të nxisë ndjesinë e urisë dhe të çojë në konsumim të tepërt të ushqimeve.

2. Rritja e nivelit të sheqerit në gjak
Konsumimi i një sasie të madhe buke mund të shkaktojë një rritje të papritur të nivelit të sheqerit në gjak, duke e bërë më të vështirë menaxhimin e tij. Ky fenomen mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2.

3. Shtim në peshë
Buka e bardhë, për shkak të përmbajtjes së ulët të fibrave dhe ushqyesve, nuk ofron ndjesinë e ngopjes për një periudhë të gjatë. Si pasojë, mund të konsumoni më shumë ushqim dhe të merrni kalori shtesë, që çon në shtim të peshës.

4. Probleme me tretjen
Konsumimi i bukës me përmbajtje të ulët fibrash mund të shkaktojë probleme me tretjen dhe konstipacion. Për më tepër, buka e bardhë mund të ketë nivele të larta të kripës, e cila mund të shkaktojë fryrje dhe shqetësime të tjera të sistemit tretës.

Çfarë duhet të hani?

Ekspertët rekomandojnë të kufizoni bukën e bardhë dhe të zgjidhni alternativa më të shëndetshme, si buka me drithëra të plota. Kjo lloj buke përmban më shumë fibra dhe ushqyes, që ndihmojnë në tretje dhe mbajnë nivelet e energjisë stabile gjatë gjithë ditës.

Rritje historike e besimit të qytetarëve evropianë në BE

Sondazhi i fundit i Eurobarometrit, i kryer nga Parlamenti Evropian, tregon një rritje historike të besimit të qytetarëve evropianë në BE. Dy të tretat e evropianëve dëshirojnë që Bashkimi Evropian të luajë një rol më të madh në mbrojtjen e tyre, veçanërisht përballë krizave globale dhe rreziqeve të sigurisë. Në këtë kuadër, presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, theksoi se Evropa duhet të bëhet më e fortë për t’u përballur me kërcënimet, transmeton albinfo.ch.

Sipas sondazhit, 74% e qytetarëve të BE-së mendojnë se vendi i tyre ka përfituar nga anëtarësimi në BE, me fokus të veçantë në ruajtjen e paqes dhe forcimin e sigurisë. Pothuajse 90% e të anketuarve kërkojnë më shumë bashkëpunim mes shteteve anëtare për të adresuar sfidat globale.

Çështjet e sigurisë dhe konkurrencës mbeten prioritetet kryesore për qytetarët, me 36% që kërkojnë më shumë fokus në mbrojtje dhe siguri. Gjithashtu, inflacioni dhe kostoja e jetesës mbeten shqetësime të rëndësishme, veçanërisht në vende si Portugalia dhe Franca.

Paqja, demokracia dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut janë vlerat që evropianët duan të mbrohen më shumë nga Parlamenti Evropian, me 62% që mbështesin një rol më të madh të tij.

Austri: Arrestohet shqiptari 20-vjeçar me dy patenta shoferi false

Më 24 mars, policia u informua se një patrullë doganore në Haid (Austri) kishte ndaluar një shtetas të dyshuar shqiptar dhe se patenta shqiptare e shoferit e treguar nga ai me siguri ishte një falsifikim total. Pas kësaj, policia ka kontrolluar personin në fjalë dhe e ka arrestuar, transmeton albinfo.at.

Gjatë kontrollit nga komisariati i autostradës Haid, tek ai është gjetur edhe një tjetër patentë shoferi, kësaj here patent polak, gjithashtu i falsifikuar dhe që kishte për bartës një person tjetër. Shoferi, një shtetas shqiptar 20 vjeç, nuk ka mundur të tregojë asnjë dokument identifikimi të vlefshëm dhe është arrestuar përkohësisht, shkruan meinbezirck.at.

Pas marrjes në pyetje dhe kontrollit nga policia nacionale – me ndihmën e atasheut përgjegjës në Shqipëri – u arrit të sqarohej identiteti i tij në masë pothuajse të plotë.

Personi në fjalë nuk ishte në gjendje të identifikohej me ndonjë dokument të vërtetë, të vlefshëm, dhe për këtë arsye  u arrestua përkohësisht në përputhje me dispozitat e Aktit të Policisë së të Huajve dhe u dorëzua në Policinë e të Huajve të Welsit.

Ai do të raportohet në prokurorinë publike të Linzit dhe në administratën e qarkut Linz-Land.

Shqipëria tërheq shumë turistë edhe gjatë dimrit, rritje në janar dhe shkurt

Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë të huaj, edhe gjatë dimrit. Sipas INSTAT, në shkurt hynë mbi 516 mijë shtetas të huaj, me një rritje prej 7,4% krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar. Gjatë dy muajve të parë të vitit, më shumë se 1 milion shtetas të huaj vizituan vendin, kryesisht për turizëm, përcjell albinfo.ch.

INSTAT raporton se 96% e vizitorëve janë nga Evropa, ku dominon Evropa Jugore me 83%. Për më tepër, 97% e hyrjeve ishin për pushime ose vizita familjare. Hyrjet për biznes dhe punë kanë pësuar një rritje prej 29,6% krahasuar me vitin e kaluar.

 

Nënshkruhet memorandumi ndërshtetëror Shqipëri–Kosovë dhe Zvicër–Lihtenstein në Prishtinë

Në kuadër të Samitit Ndërkombëtar Rotary Pathways, i mbajtur në Prishtinë, u nënshkrua zyrtarisht memorandumi i marrëveshjes ndërshtetërore mes Shqipërisë, Kosovës, Zvicrës dhe Lihtensteinit, nën ombrellën e Komitetit Ndërkombëtar të Kontaktit (ICC).

Ky memorandum synon të promovojë paqen, mirëkuptimin ndërkombëtar, angazhimin e diversitetit dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve dhe shteteve, transmeton albinfo.ch.

“Është një urë lidhëse në përforcimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit në mes shteteve. Kam nderin dhe kënaqësinë të përfaqësoj si kryetar i këtij Komiteti Shqipërinë dhe Kosovën,” shkruan Agron Abrashi.

 

 

Gjykata e Lartë e Cyrihut dënon 80-vjeçarin serb me 19 vite burg dhe ndalim hyrje në Zvicër

Të martën, Gjykata e Lartë e Cyrihut shpalli fajtor për vrasje një 80-vjeçar nga Serbia. Pensionisti u dënua me 19 vjet burg dhe me ndalim hyrjeje në Zvicër për 15 vjet.

Ngjarja ndodhi në shkurt të vitit 2021, kur i moshuari hyri në Zvicër me një revole dhe vizitoi pa paralajmërim nusen e nipit të tij në Winterthur. Pasi ajo i shërbeu kafe, ai e mbylli derën dhe e qëlloi me armë nënën e tre fëmijëve. Në dhomë ndodhej edhe stërmbesa e tij, e cila ishte vetëm 19 muajshe në atë kohë.

Sipas aktakuzës, arsyeja e krimit ishte dëshira e gruas për t’u divorcuar nga nipi i tij. Kjo, sipas tij dhe familjes, kishte njollosur nderin e familjes dhe të fshatit, transmeton albinfo.ch.

I moshuari, i cili vuan nga çrregullime mendore, aktualisht ndodhet në një qendër kujdesi, i liruar përkohësisht nga burgu. Gjatë gjyqit, ai kishte nevojë për ndihmën e një kujdestari. Avokati i tij deklaroi se klienti i tij nuk ishte më në gjendje të dëshmonte në mënyrë të arsyeshme për të mbrojtur veten

Çfarë do të përfitojë Zvicra nga pakti i BE-së për migracionin?

Pakti i Migracionit i BE-së u miratua në vitin 2024, pas vite negociatash mes shteteve anëtare. Të premten e kaluar, Këshilli Federal njoftoi synimin e tij për të marrë pjesë në këtë reformim të sistemit Shengen/Dublin. Sipas Këshillit Federal, ky rregull i ri pritet të ulë imigracionin e parregullt në Zvicër dhe do të sjellë përfitime për kantonet dhe Konfederatën.

Filtrimi i kërkesave

Ky sistem premton të jetë më i shpejtë dhe më efikas falë qendrave të seleksionimit në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian. Kjo procedurë do të mundësojë kontrollin dhe përpunimin e shpejtë të kërkesave për azil në portat e Evropës. Nëse kandidatët i përmbushin kriteret për azil, ata do të mund të bëjnë një kërkesë; përndryshe, mund të riatdhesohen menjëherë pas një periudhe prej 12 javësh, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet kompetente do të duhet të kryejnë kontrollin e identitetit, kontrollin e sigurisë dhe një ekzaminim shëndetësor për personat në fjalë. Ky ekzaminim do të zbatohet edhe për migrantët që kanë arritur të kalojnë kufijtë ilegalisht.

Sipas Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), Zvicra nuk do të paguajë për këto qendra, por do të përfitojë drejtpërdrejt prej tyre. “Zvicra do të lehtësohet, sepse do të ketë më shumë procedura në kufijtë e jashtëm dhe më pak brenda Evropës,” tha drejtori i SEM-it, Vincenzo Mascioli, në emisionin La Matinale të RTS. “Kjo do të sjellë ndryshime të mëdha, pasi deri tani kemi parë shumë imigracion të parregullt në Evropë.”

Pjesëmarrja në Eurodac

Ndërsa kjo reformë e azilit përshëndetet përgjithësisht nga qendristët dhe PLR, aderimi në Paktin e Migracionit ka nxitur kritika nga mbrojtësit e azilit, të Gjelbrit dhe partia SVP, për arsye të ndryshme. Mbrojtësit e azilit kundërshtojnë pjesëmarrjen në Eurodac, bazën evropiane të të dhënave ku regjistrohen kërkuesit e azilit.

Rregullorja e rishikuar, e detyrueshme edhe për Zvicrën, përfshin të dhëna më të detajuara se më parë. Tani do të përfshihen imazhet e fytyrës dhe gjurmët e gishtave për këdo nga mosha 6 vjeç, në vend të 14 vjeç, si dhe kategori të reja individësh.

OJQ-të, në artikujt e tyre për Le Courrier dhe La Liberté të martën, shprehën keqardhje që asnjë nga kërkesat e tyre thelbësore gjatë konsultimeve nuk është përfshirë në projektligj. Ato gjithashtu shprehën shqetësim për një “zgjerim masiv” të bazës së të dhënave Eurodac dhe i kërkuan Zvicrës të kufizojë mbledhjen e të dhënave, duke përjashtuar regjistrimin e fëmijëve.

Deputetja e të Gjelbërve nga Gjeneva, Delphine Klopfenstein Broggini, kritikoi përpunimin e migrantëve dhe ashpërsimin e rregullave të Dublinit në edicionin e lajmeve të orës 19:30 në RTS. “Të ndërtojmë një kështjellë rreth Evropës nuk është mënyra më e mirë për të menaxhuar flukset që gjithmonë kanë ekzistuar,” tha ajo. “Detyra jonë është të mbrojmë njerëzit që kanë nevojë për mbrojtje.”

Mekanizmi i solidaritetit

Nga ana tjetër, partia SVP është kritike ndaj mekanizmit të solidaritetit që do të vendoset. Vendet evropiane ku mbërrijnë numrat më të mëdhenj të migrantëve, si Greqia dhe Italia, do të marrin mbështetje. Shtetet e tjera anëtare do të duhet ose të pranojnë një pjesë të refugjatëve, ose të kontribuojnë me fonde.

Këshilli Federal dëshiron që Zvicra të marrë pjesë në këtë mekanizëm solidariteti, nëse situata e lejon, por SVP e kundërshton këtë, duke besuar se marrëveshja do të ketë pak efekt. “Sot, Bashkimi Evropian tashmë nuk i respekton marrëveshjet e Dublinit,” thotë deputeti nacional Didier Calame (SVP/NE). “Prandaj, mendoj se Zvicra duhet të luftojë për të rikthyer kontrollet kufitare.”

Parlamenti do të shqyrtojë reformën e Dublinit këtë verë. Pjesëmarrja e Zvicrës në mekanizmin e solidaritetit do të diskutohet nga deputetët më vonë. Nuk përjashtohet mundësia e një referendumi.

 

 

 

 

Lara Gut-Behrami shënon fitoren e tretë këtë dimër

Lara Gut-Behrami e përfundoi sezonin e saj me stil. Skiatorja nga Tichino fitoi garën e sllallomit të madh në Finalet e Kupës së Botës në Sun Valley, duke shënuar kështu fitoren e saj të tretë këtë dimër. Italianja Federica Brignone (vendi i dytë) fitoi titullin botëror.

Duke udhëhequr pas raundit të parë, Lara Gut-Behrami (33 vjeçe) arriti të mbajë pozicionin e saj, pavarësisht përkeqësimit të pistës për shkak të temperaturave të larta. Ajo arriti të ruajë një epërsi prej 0.14 sekondash ndaj Federica Brignone, e cila ishte më e shpejta në raundin e dytë.

Në këtë mënyrë, italianja fitoi globin e artë në këtë disiplinë, duke përfituar nga eliminimi në raundin e parë i rivales së saj të vetme, Zelandeses së Re, Alice Robinson. Brignone dominoi vërtet këtë dimër, pasi fitoi gjithashtu klasifikimin e përgjithshëm dhe atë të garës së zbritjes.

Podiumi i 100-të

Me këtë fitore, të tretën për këtë sezon dhe të 48-ën në karrierë, Lara Gut-Behrami arriti për herë të 100-të në podium, transmeton albinfo.ch. Nga ana e zviceranëve, vetëm Vreni Schneider ka bërë më mirë, me 101 paraqitje në vendet e para.

Skiatorja nga Tichino fitoi gjithashtu për herë të dhjetë në karrierë në disiplinën e sllallomit të madh. Ajo është skiatorja e parë që ka fituar të paktën dhjetë herë në tri disiplina të ndryshme: me 13 fitore në zbritje dhe 24 në super-G.

Nga ana e saj, Wendy Holdener arriti rezultatin më të mirë të sezonit në sllallom të madh, duke u renditur në vendin e shtatë. Camille Rast u eliminua në raundin final. Podiumi i kësaj gare u plotësua nga suedezja Sara Hector, e cila përfundoi 0.80 sekonda pas fitueses.

 

 

Aeroporti i Gjenevës regjistron rritje në të ardhura në 2024

Aeroporti i Gjenevës ka shënuar një rritje të ndjeshme në të ardhura dhe fitim gjatë vitit 2024, duke u rikuperuar pothuajse plotësisht nga ndikimi i pandemisë së Covid-19. Sipas raportit të operatorit të aeroportit, të martën, qarkullimi i përgjithshëm u rrit me rreth 9%, duke arritur në 533.7 milionë CHF (600 milionë dollarë), ndërsa fitimi neto u rrit me pothuajse 25%, duke arritur në 110.4 milionë CHF, shkruan swissinfo.ch.

Kjo rritje ka ardhur si pasojë e vëllimeve më të larta të pasagjerëve dhe trafikut, si dhe rregullimeve të tarifave. Aeroporti gjithashtu ka arritur të kontrollojë kostot, duke ndihmuar në përmirësimin e rezultateve financiare. Si në vitet e mëparshme, aeroporti do të transferojë gjysmën e fitimit të tij neto në kantonin e Gjenevës.

Numri i pasagjerëve u rrit me më pak se 8%, duke arritur në 17.8 milionë – pothuajse në nivelet para pandemisë, me një rënie prej vetëm 0.9% krahasuar me vitin 2019. Ndërkohë, ngarkesat e mallrave shënuan një rritje të fortë, me një rritje prej 39%, duke arritur në 92,615 ton. Linjat ajrore kryesore mbetën easyJet, që mbajti një pjesë të trafikut prej 47%, dhe SWISS me 12%.

Pesë destinacionet kryesore nga Gjeneva ishin Londra, Porto, Lisbona, Parisi dhe Amsterdami, ndërsa destinacioni i parë jashtë Evropës ishte Dubai, që renditet në vendin e 14-të, transmeton albinfo.ch.