Presidentja Osmani pranon letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Bullgarisë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski, përcjell albinfo.ch.

E para e vendit uroi Kraevskin për detyrën e tij të re dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës, veçanërisht në fuqizimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe integrimit euroatlantik të vendit.

Sipas njoftimin të Presidencës, në këtë takim, Osmani falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e palëkundur në proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe inkurajoi vazhdimin e avokimit bullgar për fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Presidentja Osmani, në takim me ambasadorin e ri të Bullgarisë shtroi nevojën për heqjen e menjëhershme të masave të padrejta të BE-së, të cilat po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Në këtë kuadër, Presidentja Osmani vlerësoi angazhimin e Bullgarisë për sigurinë rajonale dhe globale si dhe angazhimin e homologut të saj, Presidentit bullgar Rumen Radev, që ta mbështesë vazhdimisht Kosovën në këtë drejtim”, thuhet tutje në njoftim.

“Presidentja Osmani dhe Ambasadori Kraevski diskutuan edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në ekonomi, arsim, kulturë, turizëm e fusha të tjera”.

Ambasadori Rohde: Jam i frustruar për moslargimin e masave të BE-së ndaj Kosovës

Së fundmi, në një emision televiziv, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka kërkuar që masat e BE-së ndaj Kosovës të hiqen, teksa ka shprehur frustrimin se një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Po ashtu, Rohde ka kritikuar edhe qasjen e Serbisë pas njohjes që Kosova mori nga Kenia.

“Për masat, mund të përsëris vetëm se Gjermania avokon vazhdimisht heqjen e menjëhershme të masave, si shumica e vendeve. Më duhet të pranoj se jam gjithashtu pak i frustruar që nuk ka ndodhur ende, sepse krijon një çekuilibër dhe efekte konkrete”, ka thënë ai në një intervistë në “Interaktiv”.

Kosovës i janë vënë masat ndëshkuese në qershorin e vitit 2023 dhe ato nuk janë hequr, edhe pse ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në fund të vitit të shkuar rekomandoi një gjë të tillë.

E ambasadori gjerman ka kritikuar edhe Serbinë pas reagimeve të zyrtarëve të saj për njohjen e fundit që Kosova mori nga Kenia.

“Është vërtet e mirëseardhur që Kenia e njohu Kosovën. Shpresoj që shumë vende të tjera ta bëjnë të njëjtën gjë. Dhe sigurisht që reagimi i Serbisë është shkelje e rëndë e nenit të katërt të marrëveshjeve të Brukselit për të mos bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, u shpreh Rohde.

Ambasadori Rohde, në intervistë, ka folur edhe për marrëveshjen ushtarake të arritur mes Kosovës, Kroacisë e Shqipërisë, për Planin e Rritjes të BE-së, si dhe për ndikimin dhe qasjen që mund të ketë qeveria e re gjermane në raport me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Bizneset kosovare prezantohen në aktivitetin “Match-Maker Albania 2025” në Tiranë

MINT/KIESA, bashkë me biznese kosovare, po merr pjesë në aktivitetin biznesor “Match-Maker Albania 2025”, që po mbahet në Tiranë. Ky aktivitet, i organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), ka sjellë së bashku biznese dhe institucione nga shtete të ndryshme të botës, përcjell albinfo.ch.

Fokusi i këtij aktiviteti janë takimet B2B (business-to-business) dhe B2G (business-to-government), të cilat mundësojnë rrjetëzimin dhe bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe institucioneve pjesëmarrëse.

Përfaqësuesit e bizneseve nga Kosova po zhvillojnë takime B2B me kompani nga Shqipëria dhe vende të tjera që po marrin pjesë në këtë ngjarje, me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimit dhe rritjes së mundësive për zhvillimin e aktiviteteve të tyre biznesore.

Në kuadër të aktivitetit, u organizua edhe një panel diskutimi me temë “Investing and Expanding in the Balkans”. Gjatë këtij paneli, z. Zef Dedaj, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s, prezantoi mundësitë që Kosova ofron për investitorët e huaj, si dhe potencialin e bizneseve vendore për zgjerim në tregjet ndërkombëtare. Ai gjithashtu theksoi shërbimet që KIESA ofron për investitorët dhe rëndësinë e zhvillimit të ekosistemit inovativ përmes mekanizmave të ndryshëm mbështetës.

Poloni: Ansambli ‘Shota’ përfaqëson Kosovën në festivalin ndërkombëtar të folklorit

Bëhet e ditur se Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Kosova do të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit “Święto Pod Kyczerą” në Poloni, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se ky festival prestigjioz, i cili zhvillohet rregullisht që nga viti 1996, do të mbledhë mbi 300 artistë nga mbarë bota, për të kremtuar trashëgiminë kulturore dhe artistike të popujve të ndryshëm.

Vlen të theksohet se pjesëmarrja e Ansamblit “Shota” në këtë festival u mundësua falë një bashkëpunimi të ngushtë me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Varshavë dhe organizatën “Kosova in Poland”. Kryetari i Shoqatës Poloni–Kosovë, gjatë një vizite pune në Qendrën e Kulturës në Legnica, u takua me drejtorin e festivalit, Jerzy Starzyński, ku u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërkulturor dhe u inicua pjesëmarrja e ansamblit kosovar në këtë aktivitet.

Përmes projektit zviceran, vaji i ullirit nga Shqipëria tani në tregun botëror

Bëhet e ditur se vaji i ullirit ‘Valmi’ nga zona e Elbasanit bëhet produkti i parë shqiptar i regjistruar si Tregues Gjeografik nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), përcjell albinfo.ch.

Kjo do të thotë njohje ndërkombëtare, dhe Ambasada e Zvicrës në Shqipëri e konsideron një arritje të rëndësishme në tregun botëror.

“Jemi krenarë që projekti ynë Shqiptaro-Zviceran i Pronësisë Intelektuale ALSIP bëri të mundur procesin e regjistrimit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”.

https://www.facebook.com/share/p/1AWcLCfGTb/?mibextid=wwXIfr

Dea Kamberi shpallet ‘Distinguished Young Woman of Massachusetts’, e para studente nga Worcester-i me këtë titull

Shqiptarja Dea Kamberi është maturante në Doherty Memorial High School dhe është shpallur “Distinguished Young Woman of Massachusetts 2025”, duke u bërë e para studente nga shkollat publike të Worcester që merr këtë titull prestigjioz, transmeton albinfo.ch.

Thuhet se ky vlerësim i rëndësishëm njeh arritjet e jashtëzakonshme të Deas në pesë fusha kryesore: rezultate akademike, intervistë, talent, aftësi fizike dhe vetë-shprehje, dhe ajo do të përfaqësojë shtetin e Massachusetts në garën kombëtare.

https://www.facebook.com/share/1YtL8Xcs4k/?mibextid=wwXIfr

Kosova në Panairin e Librit në Leipzig

Republika e Kosovës është sërish pjesë e Panairit të Librit në Leipzig, duke dëshmuar angazhimin tonë në diplomacinë kulturore dhe promovimin e autorëve e veprave letrare nga Kosova, përcjell albinfo.ch.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, bashkë me Blerina Rogova Gaxha, drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, takuan përfaqësues nga shtete të ndryshme evropiane, duke theksuar rëndësinë e letërsisë dhe kulturës shqiptare në skenën ndërkombëtare.

Përkthimi dhe shpërndarja e veprave të autorëve tanë në gjuhë të huaja po rritet gjithnjë e më shumë, duke hapur horizonte të reja për letërsinë e Kosovës nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Ora e verës: Një orë dritë më shumë, efektet e ndryshimit

Me ardhjen e pranverës, një tjetër ndryshim i rëndësishëm ndodh: kalimi në orën e verës. Në natën mes të shtunës dhe të dielës, më 30 mars, ora do të kthehet një orë përpara, duke kaluar nga 02:00 në 03:00. Ky ndryshim do të thotë një orë më pak gjumë, por gjithashtu një orë më shumë dritë gjatë mbrëmjes.

Kjo është periudha kur ora verore vjen në jetë, duke na ofruar më shumë dritë natyrore gjatë pasdites dhe duke rritur orët me diell gjatë ditës. Ndryshimi i orës ka një qëllim të qartë: optimizimin e përdorimit të energjisë diellore dhe uljen e konsumit të energjisë elektrike, një iniciativë që e ndan e gjithë Europa, përcjell albinfo.ch.

Nga fundi i marsit deri në tetor, shtetet evropiane përshtaten me orën verore, një masë që është bërë e detyrueshme që nga viti 1981, si pjesë e përpjekjeve për të kursyer energjinë. Megjithatë, edhe pse është diskutuar vazhdimisht rreth mundësisë për të hequr dorë nga ky ndryshim, për momentin, praktika vazhdon.

 

Rutina e mbrëmjes që qetëson trupin dhe mendjen – yoga për çdo ditë

Pas një dite të gjatë në punë ose shkollë, trupi dhe mendja shpesh kërkojnë qetësi dhe çlirim nga stresi. Një rutinë e thjeshtë yoga, që zgjat vetëm disa minuta në mbrëmje, mund të bëjë diferencën në cilësinë e gjumit dhe mirëqenien e përgjithshme, përcjell albinfo.ch.

Lëvizjet e buta dhe ushtrimet e frymëmarrjes janë çelësi për të kaluar nga ritmi i shpejtë i ditës në një gjendje më të qetë fizike dhe emocionale. Ekspertët e yoga-s rekomandojnë një seri ushtrimesh të thjeshta si pozicioni “child’s pose”, shtrirja me këmbë të ngritura kundër murit, apo edhe një rotacion i lehtë i shtyllës kurrizore në shtrat.

Këto lëvizje mund të bëhen pa pajisje shtesë, pa tapet profesional dhe nuk kërkojnë përvojë të mëparshme në yoga. Mjafton vetëm një vend i qetë dhe disa minuta për t’u lidhur me trupin dhe frymëmarrjen.

Rregullsia në këtë praktikë e vogël sjell përfitime të mëdha: reduktim të stresit, përmirësim të gjumit dhe ndjenjë më të mirë trupore e mendore. Edhe ata që mendojnë se janë “shumë të ngurtë” për yoga, mund ta përdorin këtë rutinë si një mënyrë për të filluar.

 

https://www.nytimes.com/2025/03/24/well/move/evening-yoga-routine.html

Shteti evropian që pezullon të drejtën e emigrantëve për të kërkuar azil

Polonia ka vendosur të pezullojë përkohësisht të drejtën e emigrantëve që arrijnë përmes kufirit të saj me Bjellorusinë për të aplikuar për azil. Vendimi u njoftua nga Kryeministri polak, Donald Tusk, dhe pas miratimit të projektligjit të diskutueshëm, që i mundëson autoriteteve polake të ndalojnë aplikimet për azil deri në 60 ditë, presidenti Andrzej Duda e nënshkroi atë në ligj.

Tusk theksoi se ligji do të miratohej “pa vonesë”, duke shtuar se ndryshimet ishin të nevojshme për të forcuar sigurinë në kufijtë e vendit. Ndërkohë, presidenti Duda theksoi nevojën për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, përcjell albinfo.ch.

Ky ligj ka nxitur kritika të ashpra nga organizatat e të drejtave të njeriut, përfshirë “Human Rights Watch”. Grupi ka kërkuar që Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapa ligjorë kundër Polonisë nëse ligji zbatohet. Human Rights Watch argumenton se ky projektligj i bie kundër detyrimeve ndërkombëtare të Polonisë dhe mund të çojë në mbylljen e plotë të kufirit Poloni-Bjellorusi, ku autoritetet polake janë akuzuar për kthimin e emigrantëve në mënyrë të paligjshme dhe abuzive.

Qeveria polake ka sqaruar se pezullimi i të drejtës për azil do të aplikohet vetëm përkohësisht dhe vetëm për ata individë që përbëjnë kërcënim për sigurinë e shtetit, siç janë grupet e emigrantëve agresivë që përpiqen të sulmojnë kufirin.

Sipas projektligjit, përjashtime do të bëhen për të miturit e pashoqëruar, gratë shtatzëna, të moshuarit, të sëmurët, dhe ata që janë në rrezik të shkeljes së të drejtave të tyre, si dhe për shtetasit e vendeve të akuzuara për instrumentalizimin e migracionit, si Bjellorusia.

Kryeministri Tusk ka hedhur poshtë kritikat nga grupet e të drejtave të njeriut, duke theksuar se ky ligj nuk është një shkelje e të drejtave të njeriut. Ai theksoi se ligji ka për qëllim ndalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit nga emigrantët që vijnë në grupe të organizuara nga regjimi i Lukashenkos në Bjellorusi.

Qeveria e ardhshme gjermane mund ta bëjë më të lehtë heqjen e shtetësisë për shtetasit me dy kombësi

Qeveria e ardhshme gjermane mund të krijojë mundësi më të lehta për të hequr shtetësinë nga shtetasit me dy kombësi që mbajnë pikëpamje ekstreme ose antisemitike.

Një koalicion i mundshëm i CDU/CSU dhe SPD po shqyrton mundësinë e revokimit të shtetësisë për ata që mbështesin terrorizmin ose e kundërshtojnë rendin demokratik.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për pasojat e mundshme të krijimit të një sistemi me dy klasa shtetësie, duke ndikuar negativisht në shtetasit me dy kombësi, transmeton albinfo.ch. Gjithashtu, përdorimi i këtyre mundësive mund të hapë mundësi për abuzime dhe përdorim politik të shtetësisë për qëllime të tjera.

Kjo përballet me barrierat ligjore, pasi ligji gjerman e mbron shtetësinë kundër revokimit të pajustifikuar.

Nëna dhe motrat e Krushës së Vogël, të paharruara edhe në prag të Bajramit

Në prag të festës së Bajramit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Krushën e Vogël për të bashkëbiseduar me nënat, motrat dhe gratë e kësaj ane, të cilat kanë përjetuar plagët më të rënda të luftës,përcjell albinfo.ch.

Në këtë vizitë simbolike, presidentja u shoqërua nga përfaqësues të komunitetit shqiptar nga Philadelphia, SHBA, të cilët sollën dhurata të mbledhura me përkushtim nga vëllezërit Osmanollaj dhe modelja e njohur Emina Cunmulaj. Këto dhurata janë fryt i një ngjarjeje të organizuar më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me qëllim mbështetjen e grave të Krushës.

Presidentja Osmani u shpreh mirënjohëse ndaj bashkatdhetarëve për zemërgjerësinë dhe kujdesin e vazhdueshëm: “Isha e lumtur që, edhe pse pak më herët, arritëm t’ju gjendemi pranë nënave të Krushës për të ndarë solidaritet, dashuri dhe kujdes në prag të festës së Bajramit.”

 

Operatori gjerman i hekurudhave, Deutsche Bahn, raporton një humbje të madhe tjetër

Deutsche Bahn, operatori shtetëror i hekurudhave në Gjermani, raportoi një humbje neto prej 1.8 miliardë eurosh për vitin 2024, duke treguar një përmirësim nga humbja prej 2.7 miliardë eurosh në vitin 2023. Megjithatë, kompania ende është e ngarkuar me një borxh prej 32 miliardë eurosh,përcjell albinfo.ch.

Kryetari i Deutsche Bahn, Richard Lutz, e cilësoi situatën si krizën më të rëndë që nga reformat e mëdha të hekurudhave në vitet 1990. Problemet përfshijnë kushte të këqija infrastrukturore, greva dhe dobësinë e ekonomisë gjermane, që ka hyrë në recesion për dy vitet e fundit. Vonesat në trena janë gjithashtu rritur, me vetëm 62.5% të shërbimeve të largëta që mbërritën në kohë në vitin 2024.

Lutz theksoi se janë bërë investime të mëdha në infrastrukturë dhe se ka një plan reformimi që përfshin reduktimin e vendeve të punës. Ai shprehu optimizëm për vitin 2025, duke parashikuar rritje të shitjeve dhe ulje të borxheve.

Qeveria gjermane ka miratuar një fond prej 500 miliardë eurosh për rinovimin e infrastrukturës, i cili do të shpenzohet gjatë 12 viteve të ardhshme. Ky fond do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të transportit hekurudhor dhe në krijimin e sigurisë ekonomike për industrinë.

Përpjekjet për reformimin e hekurudhave janë duke u diskutuar në kuadër të formimit të qeverisë së re, ndërsa planifikohen investime të mëdha në vitet në vijim.

 

Si do të zbatohet vendimi për ndalimin e telefonave në shkollat austriake?

Austria do të zbatojë një ndalim kombëtar për telefonat celularë dhe orët inteligjente në shkolla nga 1 maji, për nxënësit deri në klasën e tetë. Ky ndalim do të jetë në fuqi gjatë gjithë ditës shkollore dhe për ngjarjet shkollore.

Megjithatë, rregulloret ofrojnë disa përjashtime, duke lejuar shkollat të përshtatin politikën sipas nevojave të tyre.

Nxënësve u ndalohet të përdorin pajisje elektronike gjatë orëve, pushimeve dhe aktiviteteve shkollore. Ministri i Arsimit, Christoph Wiederkehr, tha se synimi është të stimulohet ndërveprimi ballë për ballë dhe përmirësimi i aftësive sociale dhe koncentrimit, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, mund të ketë përjashtime për qëllime edukative, aktivitete shkollore të gjata ose për arsye shëndetësore.

Në raste të shkeljeve të përsëritura, pajisjet mund t’u konfiskohen nxënësve dhe t’u dorëzohen prindërve.

 

Çfarë rezerva ushqimore duhet të kenë banorët e Zvicrës në rast krize?

Shumë njerëz kanë rezerva ushqimore në shtëpi, por shpesh ato nuk janë të mjaftueshme për të përballuar një situatë emergjente. Për këtë arsye, Zyra Federale për Furnizimin Kombëtar (FONES) ka nisur një fushatë informuese për të inkurajuar popullsinë që të krijojë një rezervë të domosdoshme për raste krizash, transmeton albinfo.ch.

Çfarë rekomandon qeveria?

Sipas FONES, çdo familje duhet të ketë rezerva të mjaftueshme për një javë, duke përfshirë:

  • 9 litra ujë për person

  • Ushqime me afat të gjatë përdorimi: oriz, makarona, vaj, produkte të konservuara, kripë, sheqer, kafe, çaj, fruta të thata, çokollatë, qumësht UHT, djathë dhe mish të thatë

  • Pajisje ndihmëse: radio me bateri, elektrik dore, bateri rezervë, qirinj, shkrepëse ose çakmak

  • Artikuj higjienikë dhe mjekësorë: 50 maska për person, dezinfektues, ilaçe personale, mjete higjiene të përdorimit të përditshëm

  • Para të gatshme dhe ushqim për kafshët shtëpiake

Si të krijoni një listë të personalizuar?

FONES ka krijuar një kalkulator online që ndihmon banorët të përshtatin listën sipas numrit të anëtarëve të familjes, zakoneve ushqimore dhe nevojave specifike.

 

 

Rekord tragjik: 28 viktima në aksidentet e skiatorëve në Zvicër dimrin e kaluar

Dimrin e kaluar, 28 persona humbën jetën në aksidente gjatë tureve të skive në Zvicër, shifra më e lartë e pesë viteve të fundit.

Sipas statistikave të emergjencave malore të Klubit Alpin Zviceran (SAC), numri i emergjencave në Alpet Zvicerane gjithashtu shënoi një rritje të lehtë.

Dimri 2023/24 u karakterizua nga një sasi mbi mesataren e borës në lartësi të mëdha, ndërsa rajonet më të ulëta kishin pak borë për shkak të motit të ngrohtë. Kushtet më të mira të borës, krahasuar me një vit më parë, çuan në një aktivitet më të madh në sportet e dëborës, duke rritur edhe numrin e emergjencave, raportoi SAC të enjten. Në veçanti, skiatorët që bënin ture dhe ata jashtë pistave të shënuara ishin më të prekurit, transmeton albinfo.ch.

Në total, 3.570 persona u gjendën në situata emergjente në malet zvicerane gjatë vitit të kaluar. Edhe pse ky numër ishte pak më i lartë se ai i vitit të kaluar, ai mbeti më i ulët se shifrat e viteve 2021 dhe 2022.

Në sportet malore në kuptimin më të ngushtë, 111 persona humbën jetën në 93 aksidente, sipas raportit. Përqindja e viktimave të huaja ra krahasuar me vitin e kaluar, por mbeti e lartë – rreth 50%.

Ndërkohë, gjatë verës së kaluar, 36 persona humbën jetën gjatë ecjeve malore, shifra më e ulët në dhjetë vitet e fundit. Megjithatë, alpinistët dhe ecësit malorë u desh të shpëtoheshin më shpesh për shkak të bllokimeve ose rraskapitjes.

Sulm në qendër të Amsterdamit: Pesë të plagosur, autori arrestohet

Një incident i rëndë ka ndodhur sot në sheshin “Dam” të Amsterdamit, ku një person ende i paidentifikuar ka sulmuar kalimtarët, duke lënë të plagosur pesë persona.

Forcat e policisë ndërhynë me shpejtësi dhe arrestuan autorin e sulmit, ndërsa motivet e tij mbeten ende të paqarta. Pamjet nga vendngjarja tregojnë një situatë kaotike, me qytetarë të shqetësuar, forca të shumta policore dhe ekipe emergjence që mbërritën menjëherë, përfshirë ambulanca dhe një helikopter mjekësor, përcjell albinfo.ch.

Hetimet për ngjarjen janë në vijim, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonën për shkak të hetimeve në terren.

 

 

Trump eliminon 10,000 vende pune në ristrukturimin e Departamentit të Shëndetësisë

Departamenti Amerikan i Shëndetësisë ka njoftuar të enjten shkurtimin e rreth 10,000 vendeve të punës si pjesë e një “ristrukturimi madhor”, lëvizja më e fundit nën administratën e Presidentit Donald Trump.

Në bazë të këtij riorganizimi, numri i të punësuarve me kohë të plotë në Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Humane (HHS) do të bjerë nga 82,000 në 62,000, përmes shkurtimit të vendeve të punës dhe masave të tjera si largimet vullnetare apo daljet në pension të parakohshëm, thuhet në një deklaratë për shtyp.

Shkurtimet prekin disa departamente dhe agjenci të mbikëqyrura nga HHS, përfshirë ato që merren me reagimin ndaj epidemive dhe miratimin e barnave të reja.

“Ky riorganizim do të jetë një zgjidhje e favorshme për taksapaguesit,” deklaroi Sekretari i Shëndetësisë, Robert Kennedy Jr., transmeton albinfo.ch.

Ish-avokati mjedisor mori detyrën në mes të shkurtit, duke premtuar të luftojë institucionet që, sipas tij, “vjedhin shëndetin” e amerikanëve. Emërimi i tij u kundërshtua ashpër nga shumë profesionistë të shëndetësisë dhe shkencëtarë, veçanërisht për shkak të qëndrimeve të tij kundër vaksinave.

“Riorientim” i politikave

“Nuk po reduktojmë vetëm burokracinë, por po e riorientojmë organizatën drejt misionit të saj thelbësor dhe prioriteteve tona të reja për të frenuar epideminë e sëmundjeve kronike,” premtoi RFK Jr.

Plani përfshin reduktimin e numrit të departamenteve brenda ministrisë nga 28 në 15 dhe përgjysmimin e degëve rajonale.

Që nga kthimi i tij në pushtet, Donald Trump ka ndërmarrë shkurtime masive në qeverinë federale, masa që janë sfiduar edhe ligjërisht.

 

 

Gjykata anulon kufirin e kufizimit 30 km/h në Gjenevë, triumfon ankesa e një polici

Gjykatat nuk i kanë lejuar kantonit të Gjenevës të përgjithësojë kufirin e shpejtësisë prej 30 km/h në rrugët e tij. Në një vendim të dhënë të mërkurën, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë anuloi dekretin e tetorit 2022, i rishikuar në dhjetor 2023.

“Gjykata nuk është në gjendje të përcaktojë nëse uljet e shpejtësisë në pothuajse 280 seksionet e përfshira në urdhëresë janë proporcionale,” shkruan Gjykata Administrative e Shkallës së Parë (TAPI), sipas raportimeve të Léman Bleu dhe Tribune de Genève. Arsyeja është se Departamenti i Shëndetësisë dhe Mobilitetit (DSM) nuk ka kryer vlerësimet e kërkuara nga Ligji Federal për Trafikun Rrugor, transmeton albinfo.ch.

Vendimi në favor të një polici

Gjykata vendosi në favor të një polici që vazhdoi betejën ligjore, pasi apelimet e tjera kundër dekretit të vitit 2022 u tërhoqën. Ky dekret synonte të luftonte ndotjen akustike nga trafiku duke ulur shpejtësinë maksimale të lejuar në 456 seksione rrugore. Këshilltari Shtetëror Pierre Maudet, i cili mori në dorë çështjen, kishte arritur një marrëveshje me katër shoqatat apelante.

Dekreti i ri, i publikuar në fund të vitit 2023, mbajti kufirin e shpejtësisë prej 50 km/h në disa rrugë që fillimisht do të reduktoheshin në 30 km/h gjatë natës. Gjithashtu, disa rrugë të tjera, që fillimisht do të kishin kufizime të shpejtësisë si ditën ashtu edhe natën, u përjashtuan nga ky rregullim. TAPI thekson se kufizimet e shpejtësisë tani prekin rreth 280 seksione rrugore.

Ekspertizat e nevojshme

Sipas DSM, ishin kryer dy vlerësime ekspertësh për bulevardet Pont-d’Arve dhe Tour. Megjithatë, TAPI vëren se shumë nga seksionet e përfshira në dekret nuk kanë të njëjtat karakteristika. Për më tepër, ajo thekson se praktika gjyqësore kërkon qartë që për çdo seksion rrugor të ketë një vlerësim të veçantë para se të vendoset për një ulje të shpejtësisë.

Ndërkohë, edhe pse mbrojtja e shëndetit të popullatës nga ndotja akustike e trafikut është e rëndësishme, ajo nuk mund të përjashtojë domosdoshmërinë e këtyre vlerësimeve, siç kishte sugjeruar DSM. TAPI kujton gjithashtu se vendosja e një shtrese rrugore me pak zhurmë është një nga masat kryesore për reduktimin e ndotjes akustike. Megjithatë, afati për kryerjen e matjeve të izolimit akustik të rrugëve ka skaduar në mars 2018.

Apelimi i mundshëm

“Ky është një vendim që zbaton ligjin dhe praktikën e qartë gjyqësore, dhe kjo është një gjë e mirë,” deklaroi Romain Jordan, avokati i policit, së bashku me Stéphane Grodecki. Sipas tij, Serge Dal Busco që drejtonte departamentin, “së pari miratoi dekretin dhe më pas e rishqyrtoi atë. Në një shtet të së drejtës, nuk mund të qeverisësh në këtë mënyrë.”

DSM e pranon vendimin e TAPI dhe nuk do të bëjë apel, me qëllim që të “distancohet nga gjyqësorizimi i politikës së transportit.” Ai angazhohet të mbledhë së shpejti të gjitha palët e interesuara për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për përmirësimin e qarkullimit. Synimi është të ruhet cilësia e jetës së banorëve të Gjenevës, si në aspektin e shëndetit publik, ashtu edhe në mobilitet.

Ndërkohë, koalicioni i shoqatave të përfshira në proces po shqyrton mundësinë e apelimit. “Është e padrejtë që një person i vetëm të detyrojë kantonin të tërhiqet. Legjitimiteti i tij për të vepruar është i diskutueshëm,” komentoi Thibault Schneeberger, koordinatori i Actif-trafic. Ai i bën thirrje kantonit të marrë përgjegjësinë për mijëra persona që vuajnë nga ndotja akustike e trafikut.

 

 

Cilat profesione janë të ‘paprekshme’ nga IA?

Me avancimin e Inteligjencës Artificiale (IA), shqetësimet për ndikimin e saj në tregun e punës po rriten. Ndërsa shumë profesione mund të zhduken ose të transformohen, sipas miliarderit Bill Gates, disa fusha pritet të mbeten të paprekura nga automatizimi.

Në një deklaratë të fundit, Gates theksoi se përparimi i IA-së nuk do ta shndërrojë domosdoshmërisht botën në një skenar distopik të filmave fantastiko-shkencorë, përcjell albinfo.ch. Megjithatë, ai paralajmëroi se shumë punë tradicionale mund të bëhen të panevojshme. Por cilat janë profesionet që, sipas tij, do të mbeten të sigurta?

1. Programuesit

Edhe pse IA ka filluar të gjenerojë kod, ajo është ende larg të qenit e përsosur. Programuesit do të vazhdojnë të jenë të domosdoshëm për të mbikëqyrur sistemet, për të korrigjuar gabimet dhe për të zhvilluar teknologji më të avancuara.

2. Ekspertët e Energjisë

Gates vlerëson se sektori i energjisë është tepër kompleks për t’u menaxhuar plotësisht nga IA në këtë fazë. Industria e naftës, energjisë bërthamore dhe burimeve të rinovueshme kërkon një strategji të detajuar dhe ekspertizë të specializuar, duke e bërë të pamundur një automatizim të plotë.

3. Biologët

Në fushën e shkencave natyrore, IA mund të ndihmojë në analizimin e të dhënave dhe diagnostikimin e sëmundjeve, por nuk mund të zëvendësojë kreativitetin njerëzor të nevojshëm për zbulime të reja. Prandaj, biologët do të vazhdojnë të kenë një rol kyç në kërkimet shkencore.

Pavarësisht parashikimeve, Gates pranon se e ardhmja e IA-së mbetet e pasigurt dhe mund të riformojë jetën tonë në mënyra të papritura, ashtu si Revolucioni Industrial dhe zhvillimi i internetit. Nëse teknologjia dështon të përmbushë pritshmëritë, atëherë historia mund ta konsiderojë si një tjetër trend kalimtar.

 

 

 

Kosovarin e ‘shpëton’ vajza nga dëbimi nga Britania

Një kosovar i dyshuar për shitje të kokainës në Britani ka shmangur dëbimin, pasi gjykata vendosi se vajza e tij ishte shumë e vogël për të mbajtur kontakt me të përmes teknologjisë.

Sipas The Telegraph, Andi Shoshari, 34 vjeç, me 12 dënime, fitoi apelimin duke argumentuar se dëbimi do të dëmtonte rëndë fëmijën e tij njëvjeçar. Gjykata vendosi se ndarja fizike do të shkelte të drejtën e tij për jetë familjare.

Zyra e Brendshme kundërshtoi, duke sugjeruar se ai mund të komunikonte me të bijën virtualisht, por kjo u refuzua. Partnerja e tij britanike, shtatzënë me fëmijën e dytë, e konsideroi të pamundur zhvendosjen në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Shoshari, i cili jeton në Britani që nga fëmijëria, ka vuajtur dënime për 18 vepra penale, përfshirë furnizimin me kokainë. Gjykata vlerësoi se dëbimi do të ishte “tepër i ashpër” për familjen e tij dhe se rrethanat justifikonin përjashtimin nga dëbimi.

 

 

Zvicra do të shoh eklipsin e pjesshëm të diellit të shtunën

Qiejt e Zvicrës do të dëshmojnë një spektakël shumë të veçantë të shtunën: një eklips të pjesshëm të diellit.

Rreth orës 11:20, hëna do të fillojë të lëvizë para diellit. Megjithatë, ajo nuk do ta fshehë plotësisht diellin.

Eklipsi do të fillojë pak më herët në perëndim të Zvicrës sesa në lindje. Ndërsa një pjesë e diskut diellor do të mbulohet nga hëna e re nga ora 11:14 në Gjenevë, eklipsi nuk do të fillojë deri në orën 11:22 në Chur, transmeton albinfo.ch.

Në Bernë, dielli do të mbulohet nga ora 11:17, në Bazel nga ora 11:18 dhe në Cyrih nga ora 11:20, shkruan thelocal.

Vetëm pak minuta pas kontaktit të parë me diskun hënor, do të duket sikur dikush ka kafshuar diellin në këndin e sipërm të djathtë. Në varësi të vendndodhjes, errësira maksimale do të arrihet ndërmjet orës 12:02 dhe 12:07 pasdite. Rreth një e gjashta e diellit do të mbulohet.

Hëna më pas do të tërhiqet drejt majës së diskut diellor. Rreth 90 minuta pas fillimit të ngjarjes, eklipsi i pjesshëm do të përfundojë, shkruan swissinfo.

Mos shikoni direkt diellin

Astronomët po bëjnë thirrje për kujdes: kushdo që dëshiron të vëzhgojë spektaklin nuk duhet të shikojë kurrë drejtpërdrejt diellin pa mbrojtje, shkruan Shoqëria Astronomike Zvicerane (SAG).

Ka rreth dy deri në pesë eklipse në vit në botë, por ato janë të dukshme vetëm nga një pjesë e vogël e globit. Do të duhet të presim edhe pak përpara se të mund të vëzhgojmë një eklips total nga Zvicra.

Eklipsi i radhës do të ndodhë më 3 shtator 2081. Eklipsi i pjesshëm i së shtunës do të jetë i 17-ti i shekullit të 21-të dhe i pari këtë vit.