Britania tenton të deportojë një shqiptar të dënuar për trafik droge, por pa sukses

Mësohet se autoritetet britanike po përpiqen të deportojnë për herë të tretë një shtetas shqiptar, Ronaldo Zani, i cili është dënuar disa herë për trafik droge dhe ka hyrë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar pas dy dëbimeve të mëparshme, shkruan “The Telegraph”, përcjell albinfo.ch.

26 vjeçari u deportua për herë të parë në vitin 2019 pasi u kap duke shitur kokainë. Vetëm disa muaj më pas, u kthye sërish në Britani dhe klientëve të tij u tha: “Jam kthyer në punë”.

Policia më vonë e arrestoi me 24 gram kokainë, mbi 4 mijë funte para të gatshme, telefona, pajisje për peshim dhe një kartë identiteti të rreme greke. Ai deklaroi se po merrej me shpërndarje droge për të shlyer një borxh prej 15 mijë franga ndaj një bande që e kishte ndihmuar të hynte ilegalisht në vend.

Zani u burgos dhe më pas u deportua për herë të dytë në maj të vitit 2021. 

Por më 13 shkurt të këtij viti, ai u pikas sërish nga një oficer policie teksa ngiste një Mercedes në Bournemouth. Gjatë kontrollit, policia gjeti rreth 1,935 mijë funte para të gatshme dhe 24.75 gram kokainë me një vlerë të mundshme deri në 2500 funte.

Në deklaratën para autoriteteve, Zani ka thënë se kishte hyrë ilegalisht në Britani “disa muaj më parë” duke u fshehur në një kamion. Fillimisht kishte punuar në ndërtim, por për shkak të të ardhurave të pamjaftueshme, ishte kthyer sërish në shpërndarës të drogës.

Megjithatë, gjykatësi i çështjes deklaroi se “nuk kishte asnjë simpati” për të, pasi Zani ishte plotësisht i vetëdijshëm për pasojat e rikthimit të tij ilegal dhe përfshirjes së përsëritur në krim. Ai tashmë përballet me dëbim të tretë nga territori britanik.

I riu shqiptar që la mërgimin për Kosovën

Lirim Shala, pavarësisht moshës së re, është një nga fermerët që pa dyshim mund të quhet një histori suksesi në vendlindje, transmeton albinfo.ch.

Lirimi, nga Lipjani, ka jetuar më parë në Zvicër dhe Itali, por puna atje nuk i dha aq sa Kosova.

Pasi u kthye në vendlindje, ai filloi të merret me bujqësi dhe blegtori, dhe sot fiton mbi 7,000 euro në muaj nga lopët dhe delet.

Njëkohësisht, Lirimi merret edhe me kultivimin e bletëve dhe  shprehet se, me punën e tij, fiton më shumë se në çdo vend tjetër të Evropës.

Evropa përfshihet nga një thatësirë e parakohshme pranverore, Gjermania më e goditura

Evropa po përballet me një thatësirë të pazakontë për këtë periudhë të vitit, duke rrezikuar seriozisht bujqësinë, industrinë dhe zinxhirët e furnizimit. Vendet më të prekura përfshijnë Gjermaninë, Poloninë, Ukrainën dhe Spanjën, ndërsa alarmet janë ndezur nga Observatori Evropian i Thatësirës, përcjell albinfo.ch.

Muaji mars shënoi temperaturat më të larta ndonjëherë të regjistruara, ndërsa reshjet munguan në pjesën më të madhe të kontinentit. Ekspertët paralajmërojnë se situata ngjan me vitin 2018, kur Evropa u godit nga një valë e madhe thatësire.

Në Gjermani, më shumë se gjysma e vendit është prekur rëndë, me tokën bujqësore në gjendje alarmante. Lumi Rhine ka rënë në nivele tipike të verës, duke penguar transportin dhe rritur kostot e logjistikës.

Polonia dhe Ukraina, dy nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit, janë në rrezik të humbjes së prodhimit. Kjo mund të ndikojë tregun global të ushqimit dhe të nxisë rritje të çmimeve.

Ndërkohë, Belgjika po përjeton reshje jashtëzakonisht të ulëta, ndërsa në Ukrainë zjarret në pyje dhe fusha po përkeqësohen për shkak të kushteve të thata dhe sulmeve ushtarake.

Në kontrast, ishulli Lanzarote në Kanarie është përmbytur nga shirat, duke theksuar ekstremet klimatike që po prekin kontinentin.

Komisioni Evropian është nën presion për të ndërmarrë masa konkrete në kuadër të strategjisë së re për menaxhimin e ujit, që pritet të prezantohet në qershor. Evropës po i kërkohet të përgatitet për një të ardhme me reshje gjithnjë e më të paparashikueshme.

Ndryshumet klimatike shtojnë numrin e personave që vuajnë nga alergjitë

Personat që vuajnë nga alergjitë sezonale po përballen me më shumë polen dhe për periudha më të gjata, për shkak të ngrohjes globale. Por, ekspertët paralajmërojnë se kjo krizë klimatike po shkakton edhe ngjarje ekstreme të alergjive, duke përfshirë edhe ato që rrezikojnë jetën, ka raportuar BBC.

Më 21 nëntor të vitit 2016, në Melbourne të Australisë, rreth orës 18:00, ajri u bë i rrezikshëm për jetën. Njerëz, që nuk kishin pasur më herët probleme me frymëmarrjen, përfunduan në spital. Ambulancat nuk arrinin t’i shërbenin të gjithë pacientëve, ndërsa 10 vetë humbën jetën. Një studente 20-vjeçare vdiq në oborrin e shtëpisë, ndërsa prindërit përpiqeshin ta shpëtonin.

Ngjarja u identifikua si “astma nga stuhitë”, një fenomen kur grimcat e polenit shpërbëhen nga stuhitë me shi dhe shtrihen në ajër në formë të imët, duke hyrë në mushkëritë e njerëzve dhe duke shkaktuar reaksione të forta alergjike.

“Ka qenë një ngjarje masive. E paprecedentë. Katastrofale”, ka treguar profesori Paul Beggs nga Macquarie University, i cili e ka studiuar këtë fenomen në detaje.

Po pse po ndodh kjo më shpesh tani?

Sipas shkencëtarëve, ndryshimet klimatike po e zgjerojnë sezonin e polenit dhe po rrisin intensitetin e tij. “Ngrohja e dimrave, fillimi i hershëm i pranverës dhe zgjatja e vjeshtës po bëjnë që njerëzit të jenë të ekspozuar ndaj polenit për më gjatë”, ka thënë Elaine Fuertes, studiuese në Imperial College në Londër.

Sidomos një bimë është kthyer në “armikun numër 1” për alergjitë: ambrozia (ragweed). Një bimë e vetme mund të lëshojë një miliard grimca poleni. Në SHBA, mbi 50 milionë njerëz vuajnë nga alergjia ndaj saj. Fuertes paralajmëron se “sezoni do të nisë më herët, do të zgjasë më shumë dhe do të jetë më intensiv për ata që kanë simptoma, ndërsa do të rritet rreziku për sensibilizim të njerëzve që më parë nuk kishin alergji”.

 

 

Studimi që tregon nëse kanceri në tru ndërlidhet me përdorimin e telefonit

Një rishikim i 63 studimeve ndërkombëtare ka konkluduar se nuk ka lidhje të dukshme mes përdorimit të telefonave celularë dhe zhvillimit të kancerit të trurit. Studimi, i drejtuar nga ekspertët e Agjencisë Australiane të Mbrojtjes nga Rrezatimi, përfshiu hulumtime nga 22 shtete dhe shqyrtoi ndikimin e frekuencave të radio-valëve që përdoren nga celularët dhe teknologji të tjera.

Profesor Mark Elwood, bashkëautor i studimit, theksoi se, pas analizës së të dhënave mbi një periudhë prej më shumë se 10 vitesh, nuk u gjet asnjë rritje të rrezikut nga ekspozimi ndaj telefonave celularë. Madje, ai shtoi se teknologjitë më të reja të celularëve, si 3G dhe 4G, emetojnë nivele më të ulëta të rrezatimit krahasuar me rrjetet më të vjetra, përcjell albinfo.ch.

Studimi gjithashtu analizoi mundësinë e rrezikut për leuçemi dhe kanceret e trurit tek fëmijët dhe përdorimin e transmetuesve të radios, duke arritur në përfundimin se as këto fakte nuk mbështesin teoritë e rrezikut të shtuar. Në lidhje me rrjetet 5G, të cilat shpesh janë përballur me shqetësime publike, studiuesit pohojnë se nuk ka prova të mjaftueshme që të sugjerojnë ndonjë rrezik të ri.

Ky hulumtim, i botuar në revistën “Environment International”, përfundoi pas katër vjetësh analizë dhe sjell një konfirmim të mëtejshëm që ekspozimi ndaj fushave elektromagnetike të celularëve nuk rrit ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të kancerit.

Trotinetët elektrikë në Zvicër: Një mjet modern, por i rrezikshëm në rrugë

Aksidentet me trotinetë elektrikë shpesh përfundojnë me lëndime në kokë, fytyrë ose pjesën e sipërme të trupit, ka paralajmëruar Këshilli Zviceran për Parandalimin e Aksidenteve (BFU). Përdoruesit shpesh nuk mbajnë helmetë dhe shkaku më i shpeshtë i aksidenteve është konsumimi i alkoolit.

Sipas BFU, mes viteve 2019 dhe 2023, 400 përdorues të trotinetave elektrike u plagosën rëndë dhe shtatë humbën jetën në Zvicër. Tre të katërtat e aksidenteve përfshinin individë që udhëtonin vetëm.

Shumica e përplasjeve ndodhnin për shkak të mosdhënies përparësi. Në pothuajse gjysmën e rasteve, përdoruesi i trotinetës nuk respektoi rregullat zvicerane të përparësisë.

Më shumë se 77% e viktimave të aksidenteve të rënda ishin burra. Trotinetat përdoren kryesisht nga të rinjtë dhe burrat, sipas BFU.

Alkooli dhe shpejtësia

Organizata për sigurinë rrugore i bën thirrje përdoruesve të trotinetave që të mos konsumojnë alkool para përdorimit. Edhe një sasi e vogël e alkoolit mjafton për të dëmtuar aftësinë për drejtim.

Sipas një studimi të BFU, konsumimi i alkoolit është shkaku i 39% të aksidenteve personale. Më pas vijnë “mungesa e vëmendjes dhe shpërqendrimi” (20%) dhe “shpejtësia” (9%), transmeton albinfo.ch.

Sa më e lartë të jetë shpejtësia, aq më i madh është rreziku për rrëzim dhe lëndime serioze. Trotinetat elektrike të lejuara në rrugët zvicerane mund të arrijnë deri në 20 km/h.

BFU gjithashtu thekson se trotinetat elektrike i nënshtrohen të njëjtave rregulla si biçikletat elektrike të ngadalta: duhet të kenë drita ndezur edhe ditën, të përdorin korsitë e biçikletave dhe nuk lejohet përdorimi i trotuareve, përveç nëse ato janë të lejuara për biçikleta.

 

Gjermania drejt pagës minimale prej 15 eurosh në orë?

Koalicioni i ri qeveritar në Gjermani, i përbërë nga CDU/CSU dhe SPD, ka përfshirë në marrëveshjen e tij një synim për të rritur pagën minimale në 15 euro në orë deri në vitin 2026. Aktualisht, paga minimale është 12.82 euro. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse kjo do të realizohet në praktikë.

Marrëveshja e koalicionit thotë se Komisioni i Pagës Minimale do të marrë në konsideratë zhvillimet në marrëveshjet kolektive dhe 60% të pagës bruto mesatare të punonjësve me kohë të plotë. Kjo, sipas SPD-së, e bën të arritshme shifrën prej 15 eurosh. Por udhëheqësi i CDU-së, Friedrich Merz, ka sqaruar se vendimi përfundimtar i takon Komisionit dhe se marrëveshja me SPD-në është thjesht një “supozim i përbashkët”, transmeton albinfo.ch

Ministri i Punës Hubertus Heil (SPD) ka insistuar se nëse Komisioni ndjek procedurat e veta, rritja në 15 euro është e mundur dhe e domosdoshme për të mbështetur të ardhurat e ulëta dhe të mesme.

Ndërkohë, të rinjtë e SPD-së, Jusos, kanë shprehur pakënaqësi ndaj deklaratave të Merz dhe janë kritikuar edhe disa pika të tjera të marrëveshjes, si heqja e kufirit maksimal prej tetë orësh pune në ditë dhe dobësimi i mëtejshëm i sistemit të mirëqenies sociale.

Gjithsesi, pritet që shumica e anëtarëve të SPD-së ta miratojnë marrëveshjen deri më 29 prill, ndërsa Merz do të emërohet kancelar më 6 maj. Vëmendja më pas do të përqendrohet tek vendimi i Komisionit për Pagën Minimale.

Që nga krijimi në vitin 2015, Komisioni ka rekomanduar rregullisht rritjen e pagës minimale, duke marrë parasysh situatën ekonomike dhe ndikimin në tregun e punës. Vetëm një herë, në vitin 2022, qeveria e ka anashkaluar vendimin e Komisionit duke vendosur rritje të njëanshme në 12 euro.

Në këtë mandat të ri, edhe pse qeveria ka të drejtën të zbatojë ose jo rekomandimin e Komisionit, nuk mund të vendosë një shumë të ndryshme nga ajo e rekomanduar. Nëse Komisioni nuk rekomandon rritje në 15 euro, paga minimale mund të rritet më pak se sa shpreson SPD.

Kultura ka një çmim: Vjena propozon taksë të re për turistët

Në kushtet e një rritjeje rekord të numrit të turistëve dhe në prag të zgjedhjeve komunale, qyteti i Vjenës po shqyrton vendosjen e një takse të re për vizitorët, të njohur si “euroja e kulturës”. Kjo taksë do të aplikohet për çdo qëndrim të natës në hotele apo struktura të tjera akomoduese dhe do të përdoret ekskluzivisht për mbështetjen e jetës kulturore në qytet.

Sipas Këshillares për Kulturën, Veronica Kaup-Hasler, Vjena po përjeton një “bum turistik të paprecedentë”, me kulturën si atraksionin kryesor. Vizitorët tërhiqen nga opera, ekspozitat artistike dhe koncertet në ambient të hapur, ndaj ideja e një tarife të vogël shtesë për të ndihmuar financimin e këtyre aktiviteteve duket e arsyeshme, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe nga taksa ekzistuese për turizmin, e cila përdoret për infrastrukturën në përgjithësi, “euroja e kulturës” do të shkojë direkt për muzetë, artistët lokalë, restaurimin e monumenteve dhe programet kulturore në zonat periferike të qytetit.

Propozimi është avancuar nga Partia Socialdemokrate (SPÖ), e cila aktualisht qeveris qytetin dhe po kandidon për të qëndruar në pushtet në zgjedhjet e 27 prillit. Kaup-Hasler thekson se kjo nismë do të ndihmonte në ruajtjen dhe zgjerimin e ofertës kulturore të Vjenës pa ngarkuar më tej buxhetin publik.

Megjithatë, ka edhe pikëpyetje, sidomos nga operatorët turistikë që frikësohen se mund të trembin vizitorët me buxhet të kufizuar. Ideja është ende në fazë diskutimi dhe jo një propozim zyrtar, por ka gjasa të marrë më shumë vëmendje pas zgjedhjeve, sidomos nëse trendi i rritjes së turizmit vijon.

Shpenzimet në Zvicër në ngritje – as tarifat e Trump nuk i ndalin konsumatorët

Pavarësisht pasigurive globale financiare dhe ndikimeve të mundshme nga tarifat tregtare të shpallura nga Presidenti amerikan Donald Trump, konsumatorët zviceranë nuk e kanë ndryshuar sjelljen e tyre të shpenzimeve. Sipas treguesit të konsumit nga PostFinance, shpenzimet konsumatore në Zvicër janë rritur me 1.5% në muajin mars krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, transmeton albinfo.ch.

Rritja e marsit vjen pas një tendence pozitive të fillimit të vitit, ku në janar shpenzimet u rritën me 1.2% dhe në shkurt me 1.1%. Këto të dhëna tregojnë për një qëndrueshmëri të konsumit në vend, pavarësisht tensioneve ndërkombëtare.

Në një deklaratë për media, PostFinance thekson se ndonëse shqetësimet e konsumatorëve janë rritur dhe pritshmëritë për zhvillimin ekonomik të vendit janë përkeqësuar, kjo nuk është reflektuar ende në sjelljen konkrete të konsumatorëve.

PostFinance analizon çdo muaj transaksionet e pagesave të 2.4 milionë klientëve të saj në mënyrë të anonimizuar. Treguesi i konsumit që rezulton nga kjo analizë merr parasysh efektet e ditëve të shitjes dhe festave zyrtare dhe krahasohet me të dhënat e një viti më parë, si dhe me muajin pararendës, në mënyrë të rregulluar sezonalisht.

Shpenzimet për kohën e lirë dhe restorantet mbeten të larta

Analiza e fundit tregon se shpenzimet për aktivitete të kohës së lirë, sidomos për ngrënie në restorante, kanë mbetur në nivele të larta. Po ashtu, konsumi për pushime dhe udhëtime mbetet i qëndrueshëm. Nga ana tjetër, shpenzimet për produkte dhe shërbime të lidhura me bukurinë dhe mirëqenien kanë shënuar një rënie të lehtë në mars.

Ky zhvillim vjen në një moment kur Zvicra po analizon ndikimin që mund të kenë tarifat ndëshkuese të SHBA-së në ekonominë vendase, ndërsa bizneset dhe politika po përpiqen të përshtaten me situatën e re globale.

Britania ndalon përkohësisht hyrjen e mishit dhe qumështit nga Evropa

Qeveria britanike ka vendosur ndalime të përkohshme për udhëtarët nga vendet evropiane, duke i ndaluar të sjellin me vete produkte mishi dhe qumështi, madje edhe në formën e sanduiçëve apo produkteve të paketuara.

Që prej datës 12 prill, hyrja në Britani nga vendet e BE-së dhe EFTA-s (Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni) me mish viçi, derri, qengji, dhi apo produkte qumështi për përdorim personal është rreptësisht e ndaluar. Ky rregull vlen për të gjitha format – të freskëta, të përpunuara apo të blera në duty-free.

Në rast të shkeljes, produktet do të konfiskohen dhe shkatërrohen, ndërsa personat përgjegjës mund të përballen me gjoba deri në 5,000 £ (rreth 5,845 €). Ndalimi nuk zbatohet për Irlandën e Veriut, Ishujt Channel dhe Ishullin e Manit, përcjell albinfo.ch.

Ky vendim vjen pas një rritjeje të rasteve të sëmundjes ngjitëse “këmbë-dhe-gojë” në disa vende të Evropës, përfshirë Gjermaninë, Hungarinë, Sllovakinë dhe Austrinë. Ndërsa Britania mbetet e paprekur, autoritetet po marrin masa parandaluese për të mbrojtur bujqësinë vendase dhe sigurinë ushqimore.

Ministri britanik i Bujqësisë, Daniel Zeichner, deklaroi: “Do të ndërmarrim çdo hap të nevojshëm për të mbrojtur fermerët tanë. Kjo është arsyeja pse kemi forcuar më tej masat mbrojtëse përmes ndalimit të importeve personale të mishit dhe qumështit.”

Disa përjashtime vlejnë për produkte të caktuara si ushqimet për foshnje, ushqimet mjekësore, çokollata, pasta, biskotat dhe buka.

Masat janë pjesë e përpjekjeve për të shmangur një përsëritje të krizave të mëparshme – si ajo e vitit 2001, që i kushtoi Britanisë mbi 8 miliardë £, apo e vitit 2007, kur u asgjësuan mbi 2,000 kafshë për të frenuar përhapjen.

Hungaria ndryshon Kushtetutën, goditje e re për komunitetin LGBT+ dhe shtetasit me nënshtetësi të dyfishtë

Parlamenti hungarez ka miratuar të hënën një amendament të ri kushtetues që kufizon më tej të drejtat e komunitetit LGBT+ dhe vë në shënjestër shtetasit me nënshtetësi të dyfishtë. Ndryshimet përfshijnë sanksionimin në Kushtetutë të ekzistencës së vetëm dy gjinive – mashkull dhe femër – si dhe vendosjen e përparësisë absolute të të drejtave të fëmijëve ndaj të gjitha të drejtave të tjera.

Ky veprim vjen si pjesë e një fushate të re të udhëhequr nga kryeministri nacionalist Viktor Orban, i cili në mars kishte premtuar një “pastrim të madh të Pashkëve” ndaj kundërshtarëve të tij politikë, të cilët i ka cilësuar si “insekte”. Brenda kësaj fushate, përfshihet edhe një projektligj që synon shtetasit me nënshtetësi të dyfishtë, të cilët Orban i ka quajtur “tradhtarë të kombit”.

Protesta brenda dhe jashtë Parlamentit

Amendamenti u miratua me 140 vota pro dhe vetëm 21 kundër, pavarësisht protestave të disa dhjetëra qytetarëve që u përpoqën të bllokonin hyrjen në Parlament, por u shpërndanë menjëherë nga forcat e shumta të policisë. Brenda sallës plenare, deputetët e opozitës shpalosën një pankartë në shenjë proteste, ndërsa jashtë, demonstruesit brohorisnin: “Nuk do të lejojmë që Hungaria të kthehet në Rusinë e Putinit., transmeton albinfo.ch.

Deputetja e opozitës Timea Szabo komentoi: “Kur tentuam të ndalnim reformën e parë kushtetuese në vitin 2011, nuk mendonim se do të ishim ende këtu pas 14 vitesh.”

“O burrë, o grua”

Ndryshimet e reja e përcaktojnë në mënyrë eksplicite në Kushtetutë se një person është “ose burrë ose grua”, në një ton që i ngjan një urdhri ekzekutiv të mëparshëm të nënshkruar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Gjithashtu, Parlamenti votoi edhe një tekst tjetër që thekson se “e drejta e fëmijëve për zhvillim fizik, mendor dhe moral të duhur ka përparësi ndaj të gjitha të drejtave të tjera.” Qeveria e përdor këtë argument për të ndaluar paradat e krenarisë (Pride), në emër të “mbrojtjes së fëmijëve.”

Që nga miratimi i ligjit në mes të marsit, Budapesti është tronditur nga protesta të përjavshme, me mijëra njerëz që bllokojnë urat për orë të tëra. Protestuesit veshin gri për të simbolizuar “uniformitetin” që, sipas tyre, Orban kërkon t’i imponojë shoqërisë.

Në shënjestër edhe shtetasit me nënshtetësi të dyfishtë

Amendamenti i ri shënjestron gjithashtu ata shtetas me pasaporta të dyfishta që, sipas autoriteteve, “ndërhyjnë në punët e brendshme përmes OJQ-ve dhe mediave që pretendojnë të jenë të pavarura.”

Ligji parashikon se një shtetas hungarez me nënshtetësi të dyfishtë mund të humbasë përkohësisht shtetësinë hungareze – për një periudhë deri në dhjetë vjet – dhe në disa raste mund të përballet edhe me dëbim, me përjashtim të shtetasve nga vendet e BE-së dhe disa vendeve të tjera evropiane.

Kritikët besojnë se masa është drejtuar edhe kundër financierit dhe filantropit George Soros, 94 vjeç, i lindur në Budapest dhe me shtetësi amerikane, një prej kritikëve më të zëshëm të Orbanit.

Rreth tridhjetë juristë kanë denoncuar ligjin si një masë “pa precedent në të drejtën ndërkombëtare,” që mund të përbëjë “një formë dëbimi dhe trajtim çnjerëzor.”

Pse ndodhin kaq shumë përmbytje në Evropë

Mbi 400 mijë njerëz u prekën nga përmbytjet dhe stuhitë që goditën Evropën gjatë vitit 2024, sipas një raporti të publikuar të martën nga Shërbimi i BE-së për Ndryshimet Klimatike Copernicus dhe Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).

Ky vit rezultoi të ishte më i nxehti në historinë e kontinentit, me pasoja shkatërruese për mjedisin dhe jetën e qytetarëve.

Pamje dramatike të rrugëve të përmbytura, makinave të mbuluara nga uji dhe urave të rrënuara u regjistruan në shumë vende të Evropës.

Sipas raportit, përmbytje të mëdha u shënuan në 30% të rrjetit të lumenjve evropianë, ndërsa 12% e tyre kaluan nivelin “e rëndë” të përmbytjeve, shkruan Guardian, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

Dy nga ngjarjet më të rënda ndodhën në Europën Qendrore në shtator dhe në Spanjën Lindore në tetor, ku humbën jetën më shumë se 250 nga gjithsej 335 viktima të përmbytjeve në të gjithë kontinentin gjatë vitit 2024.

Ekspertët theksojnë se ngrohja globale ka intensifikuar fatkeqësitë natyrore, duke rritur probabilitetin dhe ashpërsinë e tyre. Temperaturat më të larta bëjnë që retë të çlirojnë më shumë reshje, duke shkaktuar përmbytje më të forta.

“Çdo fraksion i një shkalle rritjeje në temperaturë ka rëndësi”, tha Celeste Saulo, drejtoreshë e përgjithshme e WMO. “Duhet të veprojmë më shpejt dhe të ecim përpara së bashku për t’u përshtatur me realitetin e një bote më të nxehtë.”

Raporti zbulon gjithashtu se numri i ditëve me nxehtësi të fortë, shumë të fortë dhe me “stres të nxehtësisë ekstreme” ishte ndër më të lartët e regjistruar ndonjëherë.

Evropa Juglindore përjetoi valën më të gjatë të të nxehtit në histori në korrik 2024, me temperatura ekstreme për 13 ditë rresht, që prekën më shumë se gjysmën e rajonit. Nxehtësia kontribuoi gjithashtu në përhapjen e zjarreve masive, të cilat ndikuan në jetën e 42,000 njerëzve.

Rreth një e katërta e sipërfaqes së djegur në Evropë gjatë vitit të kaluar u shkaktua nga zjarret në Portugali në shtator, ku u shkatërruan rreth 110,000 hektarë pyje në vetëm një javë.

Dështojnë negociatat mes siguruesve suplementarë dhe mjekëve në Gjenevë – pacientët ende pa rimbursim

Shpresat për një zgjidhje mes mjekëve privatë në kantonin e Gjenevës dhe kompanive të sigurimeve suplementare janë shuar sërish. Negociatat e fundit për të arritur një marrëveshje mbi modelin e tarifimit përfunduan pa sukses, duke lënë mijëra pacientë pa mundësi rimbursimi për trajtimet në klinikat private.

Afati i vendosur nga Ministri i Shëndetësisë së Gjenevës, Pierre Maudet, për siguruesit suplementarë që të pranonin modelin e tarifimit të propozuar nga Shoqata e Mjekëve të Kantonit të Gjenevës (AMGe), skadoi të martën. Megjithatë, përgjigjja e Shoqatës Zvicerane të Sigurimeve (SIA) ishte negative, transmeton albinfo.ch.

Refuzim për shkak të mos përputhjes me kërkesat ligjore

Në përgjigjen e saj, SIA deklaroi se nuk do të pranonte përkohësisht modelin e tarifimit të AMGe, pasi ky nuk përputhet me kërkesat e Autoritetit të Mbikëqyrjes së Tregut Financiar në Zvicër (FINMA).

“Çdo angazhim potencial i një siguruesi ndaj një zgjidhjeje të përkohshme varet nga sinjalet që FINMA jep nëse do të marrë apo jo masa mbikëqyrëse më vonë. Deri më sot, nuk kemi marrë asnjë sinjal të tillë”, thuhet në letrën që RTS ka mundur të konsultojë.

Ministri Maudet kishte kërkuar nga FINMA një autorizim të përkohshëm për të lejuar siguruesit të zbatojnë modelin e Gjenevës, por FINMA nuk miraton kurrë modele kontraktuale individuale. Për më tepër, institucioni ka vënë në dukje mungesën e qartësisë në faturimin e disa mjekëve në Gjenevë dhe Vaud, gjë që e ka forcuar qëndrimin refuzues të siguruesve.

Situatë e pandryshuar për pacientët

Aktualisht, vetëm 40% e pacientëve në Gjenevë marrin rimbursim të rregullt nga sigurimet suplementare. Këta janë pacientët e kompanive Assura, Groupe Mutuel dhe Swica, të cilat kanë pranuar modelin e AMGe. Ndërsa për pjesën tjetër – 60% të të siguruarve – çdo ndërhyrje mjekësore duhet negociuar individualisht me siguruesin, përndryshe pacientët detyrohen të paguajnë vetë ose të kërkojnë trajtim në spitale publike apo jashtë kantonit.

Që nga fillimi i vitit, qindra pacientë kanë shtyrë ndërhyrjet e planifikuara për shkak të kësaj situate. Veçanërisht të prekurat janë gratë shtatzëna dhe pacientët që kishin planifikuar ndërhyrje kirurgjikale në klinikat private.

Pasojat ekonomike dhe shëndetësore

Konflikti ka shkaktuar edhe pasoja ekonomike. Spitali privat La Tour në Meyrin ka paralajmëruar shkurtim të stafit si pasojë e mungesës së rimbursimeve nga disa sigurues, si Helsana, e cila ka ndërprerë pagesat për qëndrimet në repartet private dhe gjysmë-private.

Ndërkohë, grupime të mjekëve nga Zvicra frankofone e kanë quajtur situatën të “papranueshme”, duke akuzuar siguruesit se po i mbajnë pacientët “peng”.

Ndërkohë që palët vazhdojnë qëndrimet e tyre të ngurta, pacientët e Gjenevës mbeten viktimat e një ngërçi që nuk po gjen zgjidhje.

 

Alarmi në Zvicër: Mungesat në punë për arsye mendore po rriten ndjeshëm

Sëmundjet mendore po shfaqen gjithnjë e më shumë si një rrezik i vërtetë për shëndetin në punë, me një numër në rritje të pensioneve për paaftësi që lidhen pikërisht me to. Si pasojë, autoritetet, sindikatat dhe shoqatat e punëdhënësve në Zvicër po shtojnë përpjekjet për të parandaluar mungesat e gjata në vendin e punës, transmeton albinfo.ch.

Edith Siegenthaler nga organizata ombrellë e sindikatave Travail Suisse thekson se çështjet mendore nuk mund të trajtohen me masa të thjeshta sigurie: “Nuk është si në ndërtim, ku një helmetë mund të shërbejë si mbrojtje. Rreziqet psikologjike janë shumë më komplekse.” Ajo thekson se duhet më shumë ndërgjegjësim për të kuptuar ndikimin e këtyre sëmundjeve në vendin e punës.

Në bashkëpunim me qeverinë federale, Travail Suisse po informon punonjësit për mundësinë e këshillimit apo mbështetjes që ofrohet nga zyrat kantonale të sigurimit për paaftësi (IV), në mënyrë që të shmangen mungesat në punë për arsye psikologjike.

Edhe punëdhënësit janë të përfshirë

Mungesat në punë nuk prekin vetëm individët, por kanë pasoja edhe për kompanitë dhe kolegët që duhet të mbulojnë vendet bosh. Prandaj, Shoqata e Punëdhënësve në Zvicër po merr gjithashtu një rol aktiv.

“Çdo mungesë kushton para, dhe çdo rotacion i stafit ka kosto,” shprehet Barbara Zimmermann-Gerster, përfaqësuese e shoqatës. “Punëdhënësit kanë interes të ruajnë shëndetin e punonjësve të tyre.”

Shoqata është duke zhvilluar programe për të ndihmuar kompanitë që të riintegrojnë më lehtë punonjësit që janë larguar për arsye shëndetësore. Së bashku me mjekë, punonjës dhe punëdhënës, shqyrtohet çfarë pune mund të kryhet ende – me fokus te aftësitë dhe jo paaftësitë.

Sigurimi për paaftësi është për integrim, jo vetëm për pensione

Thomas Pfiffner, nënkryetar i Shoqatës së Zyrave Kantonale të Sigurimeve për Paaftësi, thekson rolin aktiv që ka ky institucion: “Kur flasim për sigurim për paaftësi, shumë njerëz mendojnë vetëm për pensione. Dhe kjo është e gabuar. Ky sigurim ka si mision integrimin profesional.”

Pfiffner shton se ka ende një mungesë të madhe informacioni për këtë funksion integrues të sistemit IV – një boshllëk që institucionet synojnë ta mbushin, sidomos duke marrë parasysh se më shumë se gjysma e pensioneve të reja për paaftësi lidhen me sëmundjet mendore.

Konsumi i vezëve në Zvicër arrin kulmin – kërkesa më e lartë se kurrë më parë

Konsumi i vezëve në Zvicër ka shënuar një rekord të ri në vitin 2024, duke arritur një rritje prej 5.7% krahasuar me vitin paraprak. Sipas Zyrës Federale për Bujqësinë (FOAG), qytetarët zviceranë kanë konsumuar gjithsej 1.797 miliardë vezë – një shifër që tejkalon edhe periudhën e pandemisë, kur kërkesa për vezë ishte veçanërisht e lartë.

Sipas FOAG, mesatarisht çdo banor i Zvicrës konsumoi 197.7 vezë gjatë vitit 2024. Kjo rritje shpjegohet pjesërisht nga rritja e popullsisë, por faktori kryesor mbetet konsumimi më i lartë për frymë, që është rritur me 4.7% krahasuar me një vit më parë, transmeton albinfo.ch.

Prodhimi vendas nuk mjafton

Prodhimi vendas i vezëve është rritur me 2.8% në krahasim me vitin 2023, me një total prej 1.124 miliardë vezësh nga pulat vendase. Megjithatë, kjo rritje nuk ka qenë e mjaftueshme për të përmbushur kërkesën në rritje. Si rezultat, shkalla e vetë-furnizimit ka rënë në 62.5%.

Për të mbuluar këtë hendek, importet e vezëve janë rritur me 10.8%, duke arritur në 674 milionë njësi. Pjesa më e madhe e vezëve të importuara vijnë nga Holanda, Italia, Gjermania dhe Franca.

Pritet mungesë në Pashkë

Zyra Federale paralajmëron se, ndonëse pritet të ketë sasi të mjaftueshme vezësh për Pashkën e vitit 2025, konsumatorët duhet të jenë të përgatitur për një zgjedhje të kufizuar. Kjo periudhë është tradicionalisht e ngarkuar për tregun e vezëve, si për lojën e zakonshme të goditjes së vezëve në Pashkë, ashtu edhe për përgatitjet e ëmbëlsirave në Krishtlindje.

 

 

Neuchâtel me thirrje për vullnetarë për të shpëtuar jetë

Kantoni Neuchâtel po u bën thirrje më shumë njerëzve për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve.

Aktualisht, në këtë kanton janë mbi 1.000 vullnetarë të trajnuar për të ofruar ndihmën e parë kritike përpara se të mbërrijnë ekipet profesionale.

Autoritetet synojnë ta dyfishojnë këtë numër deri në fund të vitit 2026, transmeton albinfo.ch.

Çdo ditë në Zvicër ndodhin afro njëzet arrestime kardiake, me një shkallë mbijetese prej vetëm 5%. Çdo minutë ka rëndësi.

Për këtë arsye, Kantoni i Neuchâtel, përmes Shërbimit Kantonal të Shëndetit Publik (SCSP), po nis këtë muaj një fushatë informuese për të nxjerrë në pah rolin jetik të përgjigjes së parë në zinxhirin e ndihmës së shpejtë. Fushata do të përfshijë një film edukativ frymëzues dhe dëshmi emocionuese nga katër vullnetarë vendas që janë përballur me situata emergjente.

Për t’u bërë një reagues i parë, duhet të jeni mbi 18 vjeç, të keni përfunduar një trajnim të njohur, të shkarkoni dhe regjistroheni në aplikacionin First Responder Neuchâtel dhe të jeni të gatshëm për të ndërhyrë në rast urgjence.

 

 

Zvicër: Më pak borë, më pak vdekje në male

Dhjetë persona humbën jetën në Zvicër gjatë këtij dimri si pasojë e ortekëve, sipas bilancit të fundit të publikuar nga Instituti Zviceran për Kërkimin e Borës dhe Ortekut (SLF) në Davos. Ky numër është dukshëm më i ulët se mesatarja e 20 viteve të fundit, e cila kap shifrën e 19 viktimave në sezon, shkruan RTS.

SLF njoftoi të martën se nga 1 tetori 2024 deri më 14 prill 2025, janë regjistruar gjithsej 216 persona të prekur nga ortekët – një rritje e lehtë krahasuar me mesataren shumëvjeçare prej 205 personash. Megjithatë, numri i viktimave mbeti relativisht i ulët. Nëntë ortekë shkaktuan këto dhjetë viktima: pesë në kantonin Graubünden, katër në Valais dhe një në Obwalden, transmeton albinfo.ch.

Sipas SLF, faktorët që ndikuan në këtë bilanc më të lehtë janë ortekët më të hollë e më pak të rrezikshëm krahasuar me vitet e tjera, mungesa e ngjarjeve me shumë viktima, si dhe ndërhyrjet efektive të ekipeve të shpëtimit. “Ishim shumë me fat këtë vit,” thuhet në raport.

Gjatë periudhës së raportuar, u regjistruan 172 ortekë që shkaktuan dëme në njerëz ose pronë. Nga këto, 156 u shkaktuan nga vetë njerëzit – një tregues i rëndësishëm për nevojën e vazhdueshme për ndërgjegjësim dhe kujdes në zonat malore, shkruan RTS.

Vetëm 21 ortekë shkaktuan dëme materiale deri më 14 prill, shumë më pak se mesatarja prej 84 rasteve të raportuara zakonisht deri në fund të shtatorit. Vlerësimi përfundimtar për këtë pikë do të bëhet në fund të shtatorit 2025.

Dimri 2024/2025 u karakterizua gjithashtu nga mungesa e borës dhe temperaturat e larta. SLF e rendit këtë dimër ndër 10 më të butët që nga fillimi i matjeve në vitin 1864. Më së shumti u prekën Alpet lindore të Zvicrës, ku reshjet ishin veçanërisht të pakta mes nëntorit 2024 dhe prillit 2025.

Edhe pse sezoni nisi me reshje bore në tetor në lartësitë mbi 3000 metra dhe një episod të jashtëzakonshëm bore në fund të nëntorit që solli “Krishtlindje të bardhë”, dimri në tërësi solli reshje “shumë nën mesatare”. Për shembull, në Weissfluhjoch mbi Davos, në mes të prillit u regjistruan vetëm 121 centimetra borë – më pak se gjysma e normales prej 218 centimetrash. Sipas SLF, kjo është sasia më e ulët që nga prilli i vitit 1972, transmeton albinfo.ch.

 

Kuvendi Qytetar mbështet taksën kundër sheqerit

Vendosja e një “takse për sheqerin” mbi ushqimet dhe pijet me përmbajtje të lartë sheqeri është ndër masat kryesore të mbështetura nga Kuvendi Qytetar i Zvicrës, i përbërë nga 100 anëtarë të zgjedhur rastësisht. Kjo është një nga gjashtë propozimet për reforma shëndetësore të miratuara nga ky organ konsultativ, që synojnë përmirësimin e shëndetit publik dhe uljen e kostove të kujdesit shëndetësor në planin afatgjatë, shkruan RTS.

Paketa përfshin gjithashtu rritjen e taksave ekzistuese mbi alkoolin dhe duhanin – masa që synojnë të dekurajojnë konsumin e produkteve të dëmshme përmes çmimeve më pak tërheqëse. “Taksat stimuluese” pritet të ndikojnë në zgjedhjet konsumatore, duke i orientuar ato drejt zakoneve më të shëndetshme, thuhet në komunikatën për media të Kuvendit të publikuar të martën, transmeton albinfo.ch.

Propozimi që mori më shumë mbështetje ishte “forcimi i shkrim-leximit shëndetësor gjatë gjithë jetëgjatësisë”. Qëllimi është të fuqizohen individët për të marrë vendime të informuara mbi dietën, aktivitetin fizik dhe shëndetin mendor, përmes arsimimit dhe trajnimeve të përmirësuara për profesionistët e shëndetit.

Kuvendi Qytetar gjithashtu rekomandon hartimin e një ligji kombëtar për shëndetin dhe krijimin e një qendre kombëtare të specializuar në promovimin dhe parandalimin shëndetësor. Fushata të mëdha informuese dhe sensibilizuese për çështje të shëndetit publik janë gjithashtu pjesë e paketës së masave.

“Shqyrtuam disa mënyra për të përfshirë edukimin mbi ushqimin dhe aftësinë për të lexuar siç duhet etiketat e produkteve në jetën e përditshme,” shpjegoi Mégane Favaretto, një nga pjesëmarrëset e Kuvendit, gjatë një interviste për edicionin informativ të orës 12:30 në RTS.

Një tjetër propozim i rëndësishëm është kufizimi më i rreptë i reklamave për produktet që përmbajnë nikotinë dhe alkool. Përveç ndalimeve, përfshihen edhe stimuj financiarë që favorizojnë zgjedhje më të shëndetshme për konsumatorët.

Nga dhjetë propozime të shqyrtuara, gjashtë morën mbështetjen e shumicës. Katër prej tyre, përfshirë eliminimin e subvencioneve për prodhimin e alkoolit dhe duhanit, nuk arritën të sigurojnë konsensus, transmeton albinfo.ch.

Raporti përfundimtar i Kuvendit do t’i dorëzohet Këshilltares Federale Elisabeth Baume-Schneider më 20 maj. Ai do të shërbejë si bazë për diskutime të mëtejshme në nivelin politik dhe institucional, me synimin që propozimet të dëgjohen dhe të merren në konsideratë nga autoritetet vendimmarrëse.

Projekti është udhëhequr nga Universitetet e Gjenevës dhe Cyrihut dhe i koordinuar nga Qendra Aarau për Studime të Demokracisë (ZDA). Sipas Daniel Kübler nga Universiteti i Cyrihut, ky eksperiment demokratik “tregon se qytetarë me prejardhje të ndryshme janë të aftë të përballen me çështje komplekse dhe të arrijnë zgjidhje përmes dialogut dhe respektit të ndërsjellë”, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

 

Fabrika zvicerane e këpucëve gjen një blerës, shpëtohen vendet e punës në Shqipëri

Pesëdhjetë hapa larg rrugës reprezentative të Cyrihut, Bahnhofstrasse, nën hijen e kishës Fraumünster, “Künzli”, marka ikonë zvicerane e këpucëve, po hap një dyqan të ri model, transmeton albinfo.ch.

Njeriu pas këtij hapi të guximshëm është Roberto Martullo, sipërmarrës i njohur dhe njëherësh bashkëshorti i deputetes federale të SVP-së, Magdalena Martullo-Blocher. Ai e bleu kompaninë dhe i shpëtoi punonjësit nga shkarkimi në momentin e fundit.

Fabrika e kompanisë në Shqipëri vazhdon të prodhojë pa ndërprerje atletet e njohura me pesë vija “Künzli” dhe këpucë speciale për mundësit.

Në fazën fillestare, edhe vetë Martullo është përfshirë në operacione. Ai ka vizituar fabrikën në Shqipëri, ka lançuar modele të reja dhe dëshiron të rrisë shitjet – edhe përmes dyqanit të ri model në Cyrih. Në Poststrasse 8, shumë pranë sheshit Paradeplatz, mjeshtrit janë aktualisht të zënë me përgatitjen e ambientit.

Martullo planifikon të hapë dyqanin pas pushimeve, sa më shpejt, por jo më vonë se në javën e parë të majit. Ai është ende në kërkim të stafit për shitje. Ka shumë shpresa për këtë dyqan të ri, të cilin tashmë po e reklamon në TikTok. “Dyqani ndodhet në një vend me qarkullim të madh, ku kalojnë shumë turistë, por edhe vendas”, tha ai për Handelszeitung. Dhe ai është i sigurt: “Atletet e reja po priten mirë – sidomos tani që cilësia zvicerane është sërish e kërkuar për shkak të të gjitha detyrimeve doganore.”

Deri vonë, “Künzli” ishte në një gjendje të vështirë. Në vjeshtë, prodhuesi ikonë i këpucëve nga Windisch AG ishte në prag të kolapsit. Pas 98 vjetësh, kompania do të mbyllej. Pronarja Barbara Artmann nuk kishte gjetur një pasardhës dhe e shpalli mbylljen në një deklaratë për shtyp.

“Të mbyllesh tani është më se e hidhur,” tha ajo, duke theksuar se kompania ishte e shëndetshme dhe në rritje, përcjell albinfo.ch. Njëmbëdhjetë punonjësit në Aargau do të pushoheshin nga puna, ndërsa po kërkohej një zgjidhje për fabrikën në Shqipëri.

Por gjithçka ndryshoi. Interesi për “Künzli” ishte i madh – shumë palë qëndronin në radhë për ta marrë përsipër kompaninë. Claudio Minder, CEO i Kybun dhe ish-Mister Switzerland, donte ta zhvillonte më tej kompaninë. Flavio Agosti nga prodhuesi i atleteve luksoze Rubirosa në Gossau SG gjithashtu shprehu interesim për “Künzli”. Megjithatë, Roberto Martullo, një i panjohur për industrinë, fitoi garën.

“Künzli”, që nga themelimi në vitin 1927, i ka qëndruar përcaktimit që vendi i prodhimit të mbetet Zvicra. Por, ndryshimi i kërkesave të konsumatorëve, zhvillimet teknologjike në prodhim dhe shitje, si dhe presioni në rritje për çmime konkurruese, kanë kërkuar përshtatje të domosdoshme në proceset e saj, shkruan albinfo.ch. Si rezultat, në vitin 2018, një pjesë e madhe e prodhimit u transferua në Shqipëri, në periferi të Tiranës.

Ku është më e lirë dhe më e shtrenjtë, birra

Numbeo, platforma e njohur e të dhënave krahasuese, ka publikuar së fundmi informacion në lidhje me çmimin e birrës së importuar për disa shtete të Evropës. Sipas këtyre të dhënave, Shqipëria renditet e 23-ta mes 40 shteteve të përfshira në studim.

Në Shqipëri, çmimi mesatar i një shisheje birre prej 0.33 litrash është rreth 2.05 dollarë, çka e vendos vendin tonë në një nivel mesatar krahasuar me shtetet e tjera evropiane. Kjo e pozicionon Shqipërinë mbi mesataren e rajonit.

Në krye të listës, me çmimet më të larta të birrës, renditen vendet e Evropës Veriore. Norvegjia mban vendin e parë, ku një shishe birre importi prej 0.33 litrash kushton 3.95 dollarë. Pas saj vijnë shtete të tjera të pasura si Finlanda (3.68 $), Irlanda (3.61 $) dhe Mbretëria e Bashkuar (3.20 $), shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, Shqipëria ka çmimin më të lartë të birrës në Ballkan. Mali i Zi renditet i 31-ti, me një çmim prej 1.71 dollarë për shishe. Pas tij vijnë Serbia (1.64 $) dhe Kosova (1.43 $), ku çmimi është dukshëm më i ulët se në Shqipëri.

Në fund të listës, për sa i përket rajonit dhe Evropës, gjenden Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina, të cilat kanë çmimet më të ulëta për birrën e importuar: 1.38 dollarë dhe 1.20 dollarë për 0.33 litra, përkatësisht.

Një fakt interesant është se Shqipëria ka një çmim më të lartë se disa shtete shumë të zhvilluara. Kjo tregon se, ndonëse renditet mes vendeve me çmime mesatare të birrës, ajo ndodhet në një nivel më të lartë krahasuar me shtete të tjera të Evropës, si Gjermania (1.63 $), Polonia (1.65 $) dhe Çekia (1.95 $), të cilat janë të njohura për traditën dhe konsumin e lartë të birrës.

Rusia me ushtarë kinezë për Ukrainë?

Në një reklamë të publikuar në rrjetin social kinez, Weibo, burrat shihen duke lënë vendet e tyre të punës për të luftuar për Rusinë në Ukrainë.

Kjo video – që është shoqëruar me titrim në gjuhën ruse dhe kineze – përfundon me thirrjen për veprim duke thënë “Ti je burrë. Bëhu burrë”, duke shtuar se rekrutët mund të marrin bonuse nga 7 000 deri në 21 000 dollarë dhe të ardhura mujore prej rreth 2 400 dollarësh, shkruan Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

Kjo video mori mijëra shikime dhe është vetëm një nga shumë reklama që qarkullojnë online në Kinë, përmes së cilave tentohet që të dërgohen luftëtarë në fushëbetejën në Ukrainë.

Reklama të tilla janë në qendër të vëmendjes pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, njoftoi më 8 prill se Kievi kishte kapur dy mercenarë kinezë që po luftonin për Rusinë.

Që atëherë, ai ka akuzuar Rusinë se po kryen një “fushatë sistematike” për rekrutimin e ushtarëve kinezë dhe ka pretenduar se dy burrat e kapur ishin në mesin e të paktën 155 shtetasve të tjerë kinezë që po luftonin për ushtrinë e Rusisë.

Ndonëse dëshmitë për shtetas kinezë që luftojnë si për Ukrainën, ashtu edhe për Rusinë, kanë qarkulluar që nga ditët e para të nisjes së luftës në shkallë të plotë, komentet e bëra së voni nga Zelensky kanë nxitur një vëmendje më të madhe mbi mënyrën se si Rusia i ka rekrutuar ata.

Deklaratat e Zelenskyt iu shtohen raportimeve lidhur me mercenarët e huaj në Ukrainë – përfshirë të dhëna ekskluzive të hospitalizimeve që i ka siguruar Radio Evropa e Lirë, të cilat tregojnë shkallën e vërtet të viktimave të luftës së Rusisë. Kjo bazë e të dhënave përfshin edhe një burrë kinez, dhe në mesazhet e këmbyera me Radion Evropa e Lirë ai konfirmoi se ishte shtetas kinez që kishte luftuar me forcat ruse, por refuzoi që të jepte detaje të tjera.

Pse shtetasit kinezë po rekrutohen për të luftuar për Rusinë?

Motivi më i madh duket se është ai financiar. Reklamat e postuara në rrjetet sociale kineze vënë në pah se pagesat tejkalojnë të ardhurat mesatare mujore jashtë qyteteve të mëdha në Kinë – dhe në seksionin e komenteve të këtyre reklamave për rekrutim shpesh bëhen pyetje për pagesat, të pasuara nga pyetje lidhur me nivelin e kërkuar të njohjes së gjuhës ruse.

Megjithatë, nuk ka asnjë tregues se këta ushtarë po dërgohen si pjesë e një nisme të sponsorizuar nga shteti kinez. Shumë nga rekrutët nuk kanë asnjë përvojë ushtarake.

Në një video të publikuar më 9 prill në kanalet e Zelenskyt në rrjetet sociale, një nga kinezët e kapur thotë se nuk kishte qenë kurrë më parë në ushtri dhe kurrë nuk kishte mbajtur armë deri kur udhëtoi në Rusi për trajnim.

Të tjerët se janë regjistruar për rekrutim duke dashur që të fitojnë përvojë në fushëbetejë.

Në një intervistë të publikuar muajin e kaluar në YouTube, gazetarja kineze, Chai Jing, bisedoi me një shtetas kinezë, teksa ai ndodhej në vijën e frontit me forcat ruse.

Mercenari u prezantua me nofkën e tij ushtarake, duke shpjeguar se si ishte rekrutuar. Ai tha se iu ishte bashkuar forcave ruse në fund të vitit 2023, pasi fluturoi për në Rusi me një vizë turistike. Ai përshkroi veten si pjesë e një “skuadre sulmuese” pranë vijës së frontit në lindje të Ukrainës dhe ndau video që duket se e shfaqnin atë në Bahmut gjatë betejave të përgjakshme që e lanë të shkatërruar qytetin.

Ai gjithashtu përshkroi vështirësitë me të cilat ishte përballur ai dhe ushtarë të tjerë të huaj brenda njësive ruse, përfshirë pengesat gjuhësore dhe racizmin.

Luftëtari tha se më parë kishte shërbyer në ushtrinë kineze dhe se paratë kishin ndikuar në vendimin e tij për t’iu bashkuar forcave ruse, por shtoi se gjithashtu ishte shtyrë nga dëshira për të përjetuar luftën.

Që atëherë, ai ka dokumentuar kohën e tij në luftë në Ukrainë, duke publikuar në platformat kineze të rrjeteve sociale. “E kuptova se mund të vdes këtu një ditë, prandaj vendosa të ndaj disa përvoja të vërteta, pasi populli i Kinës nuk ka përjetuar luftë për një kohë të gjatë”, tha ai.

Cili është reagimi i Pekinit për mercenarët kinezë në Ukrainë?

Kina është partnerja më e ngushtë e Rusisë dhe zyrtarët perëndimorë thonë se ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen ekonomike të Rusisë gjatë luftës.

Por, Kina është përmbajtur dhe nuk i ka dërguar ndihmë ushtarake Rusisë. Ministria e Jashtme e Kinës po ashtu ka deklaruar se u thotë shtetasve të saj të qëndrojnë larg luftës dhe se ideja që një numër i madh kinezësh po luftojnë është “plotësisht e pabazë”.

Vetë Zelensky nuk ka shkuar aq larg sa të thotë se Qeveria kineze ka autorizuar përfshirjen e mercenarëve në Ukrainë, por ai ka akuzuar Pekinin për mbylljen e syve ndaj rekrutimit të shtetasve të tij nga Rusia.

Ka disa tregues që autoritetet kineze nuk kanë bërë një përpjekje të koordinuar për t’i ndaluar ata që t’i bashkohen Rusisë në luftime.

Interneti kinez është i censuruar shumë dhe rrjetet sociale janë të monitoruara dhe të kontrolluara, megjithatë shumë nga këto postime për rekrutim – disa prej të cilave janë publikuar muaj më parë – janë ende online dhe po shpërndahen, shkruan REL.

Ligji kundër abuzimit të fuqisë në treg, mbyllen dy hetime

Dy vite pas hyrjes në fuqi të ligjit për fuqinë relative të tregut, Komisioni i Konkurrencës (Comco) ka përmbyllur vetëm dy hetime në këtë fushë gjatë vitit 2024, ndërsa vala e shumëpritur e ankesave nuk u konkretizua. Kështu bën të ditur Comco në raportin e saj vjetor, të publikuar të martën.

Ligji i ri, që synon të luftojë fenomenin e “ishullit të çmimeve të larta” në Zvicër, është një kundërpropozim ndaj nismës popullore për çmime të ndershme, e cila u tërhoq më herët. Synimi kryesor i tij është të ndalojë praktikat e padrejta të importuesve që vendosin çmime të fryra për konsumatorët zviceranë, transmeton albinfo.ch.

Pavarësisht debatit të zjarrtë në Parlament në momentin e miratimit të ligjit dhe pritshmërisë për një fluks të madh ankesash, në vitin 2024 Comco mori vetëm tre formularë për abuzim të mundshëm të fuqisë relative të tregut – më pak se gjysma e vitit paraprak. Po ashtu, pesë qytetarë paraqitën pyetje apo ankesa në këtë drejtim, gjithashtu një numër në rënie krahasuar me dhjetë në vitin 2023. Asnjë nga këto nuk çoi në hetime të reja.

Sipas Comco, shumica e ankesave nuk kishin prova të mjaftueshme ose u zgjodhën rrugë civile në vend të procedurave administrative. Në disa raste, kompanitë nuk vazhduan më tej me procesin.

Hetimi ndaj Payot ekspozon praktikat abuzive të një botuesi francez

Një nga rastet më të spikatura të trajtuara nga Comco ka të bëjë me librashitësin zviceran Payot. Komisioni zbuloi se grupi botues francez Madrigall aplikonte çmime dukshëm më të larta për librat e tij në Zvicër sesa në Francë. Meqenëse Payot nuk kishte burime të tjera të përshtatshme për të zëvendësuar këtë furnizues, Comco vlerësoi se Madrigall po abuzonte me fuqinë e tij relative në treg.

Vendimi është aktualisht i apeluar nga Madrigall në Gjykatën Administrative Federale, shkruan RTS.

Hetimi i dytë dhe rasti i hapur ndaj BMW

Në hetimin e dytë të përfunduar, që përfshinte kompaninë zvicerane Galexis dhe furnizuesin gjerman Fresenius Kabi, Comco nuk konstatoi abuzim të fuqisë në treg, pasi nuk u identifikua varësi strukturore midis palëve.

Aktualisht, Komisioni po zhvillon një hetim të tretë ndaj prodhuesit gjerman të automjeteve BMW, i cili dyshohet se ka përdorur pozitën e tij për të detyruar një garazh të investonte miliona franga përpara se të përfundonte bashkëpunimin pa një marrëveshje kalimtare. Përfundimet e këtij rasti priten gjatë verës, transmeton albinfo.ch.

Rregullimi i tarifave të kartave të pagesës

Comco po merret gjithashtu me tarifat e shkëmbimit për kartat e kreditit dhe debitit. Është arritur një marrëveshje me Mastercard për uljen e këtyre tarifave në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke ndihmuar në uljen e kostove për tregtarët dhe përdoruesit e kartave në Zvicër. Diskutimet me Visa janë ende në vazhdim.

Pavarësisht fillimit të ngadaltë të zbatimit të ligjit të ri, presidentja e Comco, Laura Melusine Baudenbacher, mbetet optimiste dhe pret që numri i rasteve të rritet në të ardhmen, ndërsa bizneset dhe konsumatorët njihen më mirë me të drejtat e tyre, shkruan RTS.