FMN: Maqedonia e Veriut do të ketë rritje të ekonomisë për 3,2%

Së fundmi, Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit parashikon rritje prej 3,2 për qind të ekonomisë së Maqedonisë për këtë vit dhe vitin 2026. Norma e inflacionit, sipas FMN-së, këtë vit do të jetë 3,4 për qind dhe vitin e ardhshëm 2,2 për qind, përcjell albinfo.ch.

Në rajonin e Shqipërisë pritet të rritet 3,8 për qind, Kosovës 4 për qind, Malit të Zi 3,2 për qind dhe BeH-së 2,8 për qind.

FMN në raportin e tij të fundit uli parashikimet e rritjes ekonomike për vitin 2025, duke vënë në dukje se rritja e tarifave dhe pasiguria e përgjithshme do të çojnë në një “ngadalësim të ndjeshëm”.

Parashikimi i fundit global thotë se ekonomia botërore do të rritet për 2,8 për qind këtë vit, që është më pak se vlerësimi i mëparshëm prej 3,3 për qind.

Në SHBA, rritja pritet të jetë 1,8 për qind, nga një vlerësim i mëparshëm prej 2,7 për qind. Parashikimi i rritjes për Mbretërinë e Bashkuar është ulur gjithashtu nga 1,6 në 1,1 për qind.

Kjo është pasuria e kryeministrit Kurti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar 300 euro më shumë në bankë në krahasim me një vit më herët, bazuar në dokumentet e deklarimit të pasurisë për vitin 2025, të publikuara në uebfaqen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, përcjell albinfo.ch.

Kurti edhe më 2025 ka deklaruar se jeton me qira 250 euro në muaj.

Në bazë të të ardhurave, ai deklaruar pagë neto 20 mijë e 278 euro në vit për vete, ndërsa për bashkëshorten 44 mijë.

Te pronat e paluajtshme ai ka deklaruar banesën 67 metra katrorë në emër të bashkëshortes. Sipas tij, vlera e kësaj prone është 400 mijë euro. Sipas deklarimit, kjo banesë është marrë me kredi, e cila zgjat deri më 2052.

E para të gatshme ai ka deklaruar 300 euro më shumë se një vit më parë. Sipas deklarimit, Kuti ka në bankë 1800 euro, ndërsa një vit më herët kishte 1500.

Para të gatshme në emër të gruas ai ka deklaruar 15 mijë euro.  

Deklarimi i pasurisë – Albin Kurti

BQK: Ekonomia e Kosovës pritet të rritet 4.2 për qind

Së fundmi, Banka Qendrore e Republikës së Kosovë ka njoftuar se sipas projeksioneve të saj, ekonomia pritet të rritet me 4.2 përqind gjatë vitit 2025, me kontribuues kryesor konsumin, investimet dhe eksportin e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa importi i mallrave dhe shërbimeve pritet të ketë ndikim negativ.

Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje reale prej 4.4 përqind në vitin 2024, e nxitur kryesisht nga konsumi dhe investimet, ndërsa eksportet neto ndikuan negativisht.

OBSH me seli në Gjenevë njofton shkurtimin e vendeve të punës

Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha të martën se operacionet dhe vendet e punës do të shkurtohen, pasi shkurtimet e fondeve të SHBA-së e kishin lënë agjencinë e OKB-së me një vrimë buxheti prej disa qindra milionë dollarësh, përcjell albinfo.ch.

“Rënia e papritur e të ardhurave na ka lënë me një hendek të madh pagash dhe nuk ka zgjidhje tjetër veçse të zvogëlojmë shkallën e punës dhe fuqisë sonë punëtore,” u tha kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, vendeve anëtare, sipas një transkripti të vërejtjeve të tij.

Fundi i poshtëm i këtij spektri “përfaqëson rreth 25 përqind të kostove të stafit” aktualisht, tha ai, duke theksuar megjithatë se “nuk do të thotë domosdoshmërish një ulje prej 25 për qind të numrit të pozicioneve”.

Shtrirja e plotë e humbjeve të vendeve të punës, megjithatë, nuk dihet ende. (AFP)

Pasuria e Osmanit: Mori mbi 11 mijë euro mëditje për udhëtimet jashtë vendit

Ajo ka deklaruar bashkë me bashkëshortin një banesë të blerë mbi 59 mijë euro, një garazh 6,000 euro, një shtëpi 170 mijë euro, tokë 35 mijë euro, dy banime në varg – njëra e përbashkët në vlerë 190 mijë euro dhe tjetra 510 mijë euro, e blerë në Australi. Në emrin e saj, Osmani ka deklaruar një tokë të cilën e ka blerë për 35 mijë euro në vitin 2016, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë në deklarimin që e ka bërë të ditur Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit të mërkurën, në blerjen e pronës prej mbi gjysmë milion eurosh në Australi, Osmani ka arsyetuar se ajo është blerë me para nga “shitja e shtepisë në Australi në pronësi të bashkëshortit, shitja e shtëpisë së prindërve të tij (vlera e trashëgimisë), kursime, hua familjare”.

Ajo ka deklaruar po ashtu një veturë në vlerë 10 mijë euro në pronësi të bashkëshortit. Ndërsa, edhe dy kredi, një 40 mijë euro dhe tjetra 16 mijë euro.

Paga neto vjetore e saj është 33,104 euro, ndërsa nga mëditjet në udhëtimet zyrtare jashtë vendit ka përfituar mbi 11,500 euro. Bashkëshorti i saj ka pasur pagë vjetore 11,068 euro, ndërsa të hyrat nga qiraja në shtëpinë në Australi i ka pasur 12,500 euro. Mbi 19 mijë euro, bashkëshorti i Osmanit i ka përfituar edhe nga një vendim gjyqësor në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nga kjo Ministri, Prindon Sadriu ka marrë afro 2,800 euro mëditje për udhëtimet jashtë vendit.

Distira Krasniqi përballë italianes Giuffrida në finalen e madhe të Evropianit

Bëhet e ditur se Distria Krasniqi do të përballet me italianen Odette Giuffrida në finalen e madhe të Kampionatit Evropian të xhudos, përcjell albinfo.ch.

Evropiani po mbahet në Podgoricë, ndërsa Krasniqi është kualifikuar në finale të kategorisë deri në 52 kilogramë.

Distria është bartëse e parë dhe nuk ka pasur telashe për të siguruar luftën për të artën. Ka shënuar tri fitore: fillimisht e mposhti serben Milica Nikoliq, më pas holandezen Naomi van Krevel, e në gjysmëfinale spanjollen Ariane Toro Soler.

Giuffrida është njëra prej legjendave të kategorisë deri në 52 kilogramë. Pak javë më parë ajo mori pjesë në një kamp në Pejë, por nuk zhvilloi asnjë luftë me Distrinë — diçka që nuk e bën asnjëherë.

Distria dhe Giuffrida janë përballur plot 11 herë. Xhudistja kosovare ka shtatë fitore, ndërsa italiania katër. Distria, në fakt, kishte humbur tri luftërat e para me Giuffridan, e cila është kampione bote në fuqi. Më pas e mposhti tri herë rresht, pësoi një humbje dhe tani ndodhet në seri prej tri fitoreve.

Distria ndaj Giuffridas fitoi në finalen e Evropianit të kaluar, po ashtu edhe në gjysmëfinalen e Lojërave Olimpike në Paris, si dhe në gjysmëfinalen e Evropianit 2023.

Lufta pritet të jetë e fortë.

Zvicër: Tuneli i Shën Bernardit mbetet i mbyllur deri në një njoftim të dytë

Reshjet e dendura të borës që mbuluan pjesën më të madhe të kantonit zviceran të Valais para Pashkëve ende po ndikojnë në rajon, duke penguar të gjithë trafikun në tunelin e Madh të Shën‐Bernardit, përcjell albinfo.ch.

Orteku që ra më 17 prill pranë tunelit Toules, në anën zvicerane të rrugës Grand‐Saint‐Bernard, vazhdon të ndikojë në trafikun veri–jug. Shkëmbinjtë dhe pemët e rrëzuara nga orteku dëmtuan tunelin mbi një gjatësi prej rreth 300 metrash.

Sipas kompanisë që menaxhon tunelin, “ende nuk është caktuar një datë për rihapjen e tij.”

Duke qenë se kalimi është gjithashtu i mbyllur, aktualisht nuk është e mundur të arrihet në Itali nëpërmjet Bourg‐Saint‐Pierre.

Kufizimet për këmbësorët mbeten në fuqi.

Rreth 15 rrugë kantonale mbeten të mbyllura në Valais Qendrore të Epërme.

Për shumicën e tyre është krijuar një rrugë alternative.

Dy seksione janë prekur nga rrëshqitjet e dheut — përkatësisht midis Staldenit dhe Embdit, dhe midis Vercorinit dhe Itraversit.

E mbyllur është edhe rruga Ayer–Zinal për shkak të rrezikut nga orteku.

Për të gjashtën herë radhazi, Cyrihu zuri vendin e parë në ‘Indeksin e Qyteteve të zgjuar’

Për të gjashtën herë radhazi që nga fillimi i sondazhit në vitin 2020, Cyrihu zuri vendin e parë në ‘Indeksin e Qytetit të zgjuar’ të vitit 2025, i cili kryhet çdo vit nga Instituti i Biznesit IMD në Lozanë, transmeton albinfo.ch.

Nga 146 qytetet e anketuara, Cyrihu shënoi pikën më të lartë.

Më pas janë Gjeneva (vendi i tretë) dhe Lozana (e 10-ta).

Gjetjet e IMD-së përcaktohen nga “përqendrimi i balancuar në aspektet ekonomike dhe teknologjike të qyteteve nga njëra anë, dhe “dimensionet njerëzore” (cilësia e jetës, mjedisi dhe gjithëpërfshirja) nga ana tjetër”.

Shaqiri, lojtari i javës në Zvicër

Mediat zvicerane kanë pushtuar ballinat me yllin e futbollit shqiptar, Xherdan Shaqiri.

Ai në ndeshjen e fundit shënoi një gol dhe bëri tri asistime, shkruan albinfo.ch.

Pa dyshim ishte lojtari më i mirë i javës në Superligën Zvicerane për xhiron e 33-të dhe tashmë ka ardhur edhe konfirmimi nga faqja zyrtare e Superligës zvicerane.

Shaqiri në moshën 33 vjeçare po e udhëheq Baselin drejt titullit.

Xherdani ka 14 gola e 17 asistime. Ai po prin te shënuesit dhe asistuesit e Ligës.

Osmani ndan dekoratë për ushtrinë finlandeze si shenjë falënderimi për shërbimin në Kosovë

Sot, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Finlandë, ka mbajtur një konferencë të përbashkët për media me presidentin finlandez, Alexander Stubb, ku shprehu mirënjohje të thellë për përkrahjen historike dhe të vazhdueshme të këtij vendi ndaj Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“Jam posaçërisht e nderuar që të jem në Finlandë, vendlindjen e të ndjerit Ahtisaari që është figurë madhore e paqes, lidershipi i të cilit e ka ndihmuar shtrimin e rrugës për liri e pavarësi të Kosovës. Trashëgimia e tij mbetet gjithsesi e ndërthur në vet indin e Republikës sonë të sotme”, u shpreh presidentja Osmani në fillim të fjalës së saj.

Duke nënvizuar lidhjen e fortë mes dy vendeve, presidentja theksoi se populli i Kosovës do ta ruajë gjithmonë në zemër mirënjohjen për atë që Ahtisaari dhe Finlanda kanë bërë për Kosovën. Ajo veçoi miqësinë si një lidhje që nuk i takon vetëm së kaluarës, por është e gjallë, në rritje dhe e përqendruar në të ardhmen.

“Jemi krenar që t’ju quajmë një prej partnerëve tanë më të afërt dhe gjithsesi përkrahja finlandeze ka qenë afatgjatë edhe përmes kontributit në misionin e KFOR-it. Mbi 7 mijë ushtarë finlandezë, burra e gra kanë ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, shtoi ajo, duke theksuar se do ta ketë nderin t’ia ndajë Medaljen Presidenciale Ushtarake Forcave të Armatosura të Finlandës, si një vlerësim të lartë për të gjithë përkrahjen në misionin e KFOR-it.

Presidentja Osmani bëri të ditur se me homologun e saj finlandez patën një diskutim të frytshëm mbi ndërtimin e marrëdhënieve edhe më të afërta mes popujve dhe shteteve tona. Ajo e lidhi këtë me historitë e ngjashme të të dy vendeve përballë shtypjes dhe luftës për liri.

“Si dy vende që kemi pasur vështirësi historike kundër shtypjes e dimë shumë mirë çmimin e lirisë dhe mu për këtë Kosova dhe Finlanda kanë qëndruar të palëkundura me Ukrainën që nga dita e parë e pushimit rus. Pra, vendet tona duhet të vazhdojnë të ngritin zërin kundër ambicieve territoriale të Rusisë dhe mendësisë imperialiste të saj, duke stabilizuar kështu edhe arritjet tona institucionale”, tha Osmani.

Në vijim, e para e shtetit u ndal te proceset integruese euroatlantike të Kosovës, duke theksuar përkushtimin ndaj vlerave demokratike dhe respektimit të ligjit.

“Kosova sot ka nivelin më të lartë të demokracisë, sundimit të ligjit dhe është midis ekonomive me arritjen më të shpejtë në rajonin tonë”, tha ajo, duke rikujtuar se përkundër përputhshmërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, anëtarësimi në Këshillin e Evropës ende është në shqyrtim.

“Nuk duam ndere, nuk duam shkurtesa, thjesht duam procese meritore, integrim dhe përputhshmëri me vlerat evropiane, për të cilën gjë kemi pasur përkrahje nga Finlanda nga dita e parë,” theksoi Osmani, duke përgëzuar gjithashtu Finlandën për anëtarësimin historik në NATO, që sipas saj e ka bërë Evropën më të sigurt.

Në kuadër të thellimit të bashkëpunimit të sigurisë, presidentja Osmani bëri me dije se sot i ka propozuar homologut të saj finlandez një marrëveshje më gjithëpërfshirëse ushtarake dhe të mbrojtjes mes dy vendeve. “Do të ishte hap i natyrshëm, kur demokracitë tona duhet të qëndrojnë krah për krah dhe do ta pasqyronte bashkëpunimin bilateral”, shtoi ajo.

Duke folur për raportet me Serbinë, presidentja Osmani theksoi se Kosova ka zgjedhur dialogun si mjetin e vetëm për të zgjidhur çështjet e mbetura, duke potencuar rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit.

“Fqinji ynë nuk beson në këto parime, por i kemi zgjatur dorën tonë të bashkëpunimit, pasi duam të sigurohemi që fëmijët tanë, gjenerata e parë që ka njohur vetëm paqe e jo luftë, të mos kalojë më asnjëherë ato që i kemi kaluar ne”, nënvizoi Osmani.

Në përmbyllje të adresimit të saj presidentja Osmani falënderoi Finlandën për mikpritjen dhe për përfshirjen e suksesshme të diasporës së Kosovës, duke rikonfirmuar përkushtimin e Republikës së Kosovës si një shtet i pavarur, krenar për identitetin, historinë dhe potencialin e vet – rininë brilante për të ofruar mundësi të reja bashkëpunimi.

 

Distria Krasniqi në çerekfinale të Evropianit pas fitores ndaj xhudistes serbe

Distria Krasniqi e ka mposhtur serben Milica Nikoliq në 1/8 e finales së Evropianit të xhudos që po mbahet në Podgoricë.

Krasniqi dominoi përballjen në kategorinë deri në 52 kilogramë, ndërsa Nikoliq mori në fund kartonin e kuq për shkak të një lëvizjeje të gabuar.

Deri në momentin e asaj lëvizjeje, Nikoliq kishte marrë dy kartonë të verdhë.

Në çerekfinale, Krasniqi do të përballet me holandezen Naomi van Krevel, transmeton albinfo.ch.

Në Evropian garoi edhe Laurine Gashi, e cila u eliminua në rrethin e parë.

Tërmeti 6.2 ballë në Stamboll

Raportohet se Stambolli u trondit paraditen e sotme nga tërmete të njëpasnjëshme, pas atij me magnitudë 6.2, përcjell albinfo.ch.

AFAD bëri të ditur magnitudën e tërmetit me qendër në Silivri në orën 12:49 me magnitudë 6.2 ballë.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme Ali Yerlikaya bëri një deklaratë duke thënë: AFAD dhe institucionet tona përkatëse kanë filluar skanimin me të gjitha ekipet e tyre.

Sipas medias turke Sabah, eksperti i tërmeteve Şükrü Ersoy bëri deklarata të rëndësishme ndërsa tha se edhe në vitin 2019 në po të njëitn vend ka pasur sërish një tërmet të fortë.

“Kur po komentonim 3.9, thamë se vendndodhja e tij ishte kritike. Po kështu, një tërmet me magnitudë 5.8 ka ndodhur në të njëjtin vend në vitin 2019. Pra, thamë se mund të jemi të shqetësuar sepse mund të jetë pikënisja e tërmetit të ardhshëm të Marmarasë. Kjo madhësi është shumë e rëndësishme. Mund të ketë një tjrtër tërmet në vijim edhe më i fortë”, tha ai.

“Është e dobishme të jesh vigjilent. Një pikë ku mund të pritet një tërmet më i madh, pasi vetë tërmeti mund të shkaktojë dëme. Nëse qëndrojmë jashtë, duhet të qëndrojmë në një zonë të hapur, jo aty ku ka shtëpi”, shtoi ai.

Pas tërmetit ka reaguar edhe Presidenti Recep Tayyip Erdoğan.
“Ne po ndjekim zhvillimet, i uroj kombit tonë një shërim të shpejtë”, tha ai.

Vazhdon rritja e çmimit të vezëve

Pas ndikimit të gripit të shpendëve në industrinë e vezëve në SHBA, çmimi global i vezëve është bërë një pikë qendrore për konsumatorët, veçanërisht në internet.

Çmimi mesatar i vezëve në BE u rrit me 6.7% në mars 2025, krahasuar me mars 2024, sipas shifrave të fundit nga Eurostat.

Republika Çeke përjetoi normën vjetore më të lartë të inflacionit për vezët, me 46.0%, e ndjekur nga Sllovakia me 29.8% dhe Hungaria me 26.1%. Shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Në të kundërt, Holanda regjistroi uljen më të madhe të çmimeve të vezëve, me një rënie prej 3.6%, e ndjekur nga Luksemburgu me 3.2% dhe Greqia, ku çmimet ranë me 2.0%.

Deri më tani, në vitin 2025, çmimet e vezëve kanë vazhduar të rriten, me +3.4% në janar dhe +4.1% në shkurt, krahasuar me të njëjtët muaj të 2024.

Viti 2024 shënoi norma negative ndryshimi në 10 nga 12 muaj, krahasuar me vitin 2023.

Megjithatë, rritjet në 2025 kanë qenë më të vogla se ato të vërejtura në 2022 dhe 2023, kur çdo muaj midis prillit 2022 dhe shtatorit 2023 shënoi rritje dyshifrore. Më e madhja ishte +31.2% në shkurt 2023, krahasuar me shkurtin 2022.

Në vitin 2024, Franca ishte prodhuesi kryesor i vezëve, me 942 000 tonë, e ndjekur nga Gjermania me 900 000 ton, Spanja me 902 000 ton dhe Italia me 763 000 ton.

 

Kosovarja denoncon burrin për dhunë, dënohet vetë për raportim të rremë

Një grua 35-vjeçare ka akuzuar të shoqin se e ka kapur me dhunë për krahu, e ka ngufatur dhe e ka goditur me grusht në kokë. Ajo ka shtuar se ka ushtruar dhunë edhe vjehrra e cila, sipas saj, e ka mbajtur nga të dy krahët dhe e ka penguar të dalë nga banesa, transmeton albinfo.ch. Gruaja i tha policisë se edhe burri i saj e kishte rrahur disa herë në të kaluarën.

Gruaja nga Kosova ka bërë kallëzim penal si ndaj bashkëshortit ashtu edhe ndaj vjehrrës së saj, me shpresën për t’i ndjekur penalisht të dy. Më pas kundër të dyve është zhvilluar një procedurë penale, siç thuhet në urdhrin penal të lëshuar nga zyra e prokurorit publik të Kantonit të Bernës.

Gjashtë muaj më vonë, megjithatë, ndodhi një kthesë: 35-vjeçarja deklaroi se deklaratat e saj në lidhje me përdorimin e dhunës ishin të sajuara dhe gënjeshtra.

Kosovarja tashmë është shpallur fajtore për akuzë të rreme me urdhër penal, shkruan 20minuten.ch. Ajo dënohet me një gjobë me kusht prej 60 tarifash ditore prej 30 franga secila. Ajo, duhet ta paguajë këtë shumë vetëm nëse kryen një krim tjetër brenda dy viteve të ardhshme.

Gjithashtu, duhet të mbulohen tarifat dhe shpenzimet në shumën 1599,20 CHF, të cilat duhet t’i paguajë 35 vjeçarja.

Akuzat e rreme janë një çështje sociale gjithnjë e më e rëndësishme që, sipas studimeve, prek kryesisht meshkujt.

Akuzat e rreme shpesh nënvlerësohen në përgjithësi, edhe pse ato kanë pasoja të thella ligjore dhe psikologjike dhe raportohen rrallë, siç shpjegon psikiatri mjekoligjor Frank Urbaniok në një podcast, pe¨rcjell albinfo.ch. Të prekurit shpesh vuajnë nga stresi psikologjik afatgjatë si ankthi, depresioni dhe izolimi social.

Zvicër: Kërkohen ligje më të ashpra për ndërhyrjen në zgjedhje

Ka thirrje në Parlamentin e Bernës për ligje më të ashpra zgjedhore, në mënyrë që donacionet e huaja të mos ndikojnë në rezultatet.

Një deputet, Jean Tschopp, thotë se ligji aktual është i vjetëruar dhe parashikon një gjobë deri në 40 000 CHF.

Ai ka paraqitur një mocion që kërkon ndëshkime më të rrepta për politikanët që pranojnë para nga jashtë vendit, transmeton albinfo.ch.

Tschopp thekson se BE-ja po shqyrton një gjobë prej një miliardë eurosh ndaj platformës së mediave sociale “X” për ndërhyrje në fushata.

Mocioni ka mbështetje nga disa deputetë të tjerë, të cilët paralajmërojnë se rreziku nuk është vetëm te financimet e huaja, por edhe te përdorimi i mediave sociale për të ndikuar në vendime.

Krimet e të huajve në Angli: Prijnë shqiptarët

Mësohet se qeveria laburiste në Britaninë e Madhe pritet të ndërmarrë një hap të rëndësishëm në lidhje me transparencën e të dhënave për krimet nga shtetas të huaj, përcjell albinfo.ch.

Gazeta britanike raporton se, për herë të parë, do të publikohet një tabelë zyrtare që rendit kombësitë e migrantëve me përfshirjen më të lartë në vepra penale në territorin britanik – një nismë që nuk u realizua nga qeveria konservatore.

Referuar gazetës, në tri vendet e para të kësaj renditjeje pritet të jenë shqiptarët, rumunët dhe polakët, të cilët rezultojnë të përfshirë në krime si dhunë, grabitje, vjedhje dhe trafik droge.

Yvette Cooper, Sekretarja e Brendshme e qeverisë laburiste, ka urdhëruar zyrtarët që të përgatisin dhe publikojnë një ndarje të detajuar të këtyre të dhënave deri në fund të vitit.

Kjo ndodh përkundër pretendimeve të mëparshme të Ministrisë së Brendshme se sigurimi i këtyre statistikave ishte i pamundur për shkak të mungesës së të dhënave cilësore.

Presion politik dhe synime zgjedhore

Ky veprim vjen në prag të zgjedhjeve lokale të muajit të ardhshëm dhe shihet si një përpjekje për të adresuar presionin nga e djathta e Partisë Konservatore dhe për të neutralizuar retorikën kundër emigracionit të Nigel Farage dhe partisë Reform UK, sidomos në bastionet tradicionale laburiste.

Një burim nga Partia Laburiste tha për The Telegraph:

“Jo vetëm që po deportojmë kriminelë të huaj me një ritëm të paprecedent, por gjithashtu do të ofrojmë më shumë transparencë sesa qeveritë konservatore ndonjëherë kanë bërë.”

Precedente ndërkombëtare dhe synime të reja

Praktika të ngjashme ekzistojnë tashmë në disa shtete të SHBA-së dhe në Danimarkë, ku statistikat për krimet nga migrantët publikohen rregullisht. Në Danimarkë, në disa raste, përqindja e krimeve nga të huajt ka qenë më e lartë se ajo e qytetarëve vendas.

Zyrtarët britanikë besojnë se këto të dhëna mund të përdoren edhe në negociatat për marrëveshje deportimi me vende të tjera, siç është rasti i marrëveshjes me Shqipërinë për kthimin e përshpejtuar të kriminelëve dhe të dënuarve.

Statistikat e deritanishme dhe shqetësimet në rritje

Sipas të dhënave të The Telegraph, të mbledhura përmes kërkesave për liri informacioni, gjatë periudhës 2021–2023, rumunët kryesonin me 15,701 dënime, të ndjekur nga polakët me 13,333 dhe shqiptarët me 7,653.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme britanike konfirmon se në fund të vitit 2024, në Mbretërinë e Bashkuar ndodheshin 19,244 shtetas të huaj me rekorde kriminale në pritje të deportimit. Ky numër ka ardhur në rritje krahasuar me vitin 2022, kur u raportuan 14,640 raste pas rishikimeve të të dhënave – një rritje me 30%.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme ka theksuar se:

“Çdo i huaj që abuzon me mikpritjen e Britanisë dhe kryen krime të rënda duhet të jetë i përgatitur të përballet me forcën e plotë të ligjit dhe të largohet nga vendi sa më parë.”

Mbyllen struktura paralele në Leposaviq

Së fundmi, Policia e Kosovës, me kërkesë të kryetarit të Komunës së Leposaviqit, ka ndërmarrë të mërkurën aksion për lirimin e hapësirave publike të uzurpuara në këtë komunë, përcjell albinfo.ch.

Referuar njoftimit të Policisë, këto hapësira ishin në pronësi të Komunës së Leposaviqit dhe ishin zënë në mënyrë të jashtëligjshme nga institucione paralele të Serbisë, të cilat vepronin në kundërshtim me rendin juridik të Republikës së Kosovës.

Thuhet se janë mbyllur disa zyra të institucioneve paralele, përfshirë të ashtuquajturat “Zyra për Punësim”, “Zyra e Pensioneve” dhe “Ndërmarrja hoteliere Kopaonik”, ku operonin disa njësi të tjera brenda këtyre objekteve.

Autoritetet thanë se ky veprim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt sundimit të ligjit dhe integrimit të plotë institucional në gjithë territorin e vendit.

“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet përkatëse, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.

Më herët gjatë ditës së sotme, autoritetet kanë ndërmarrë veprime për mbylljen e një kompanie paralele të Serbisë që vepronte në komunën e Shtërpcës.

Shkipe Bunjaku, një shqiptare në ushtrinë suedeze

Të kesh gradën “nëntogerë” në ushtrinë suedeze është përgjegjësi e lartë. Duhet etikë pune dhe angazhim individual për t’ia dalë mbanë. Këto janë disa nga cilësitë kryesore të Shkipës që i shërbyen për të qenë sot një veterane e respektuar në shtetin suedez.

Ajo, mes shumë mundësive, kishte zgjedhur të ushtrojë profesionin si ushtare—profesion i bukur, por i vështirë. Megjithatë, nga vullneti dhe motivi që ajo zotëron, ishte një bekim që i ishte dhënë.

Jeta në Suedi me një shoqëri dhe kulturë tjetër

Shkipja ka një biografi interesante. Është me origjinë nga Kaçaniku; babai i saj kishte jetuar në Shkup për disa vite, pastaj në Stamboll, për t’u vendosur përfundimisht në Suedi në vitin 1968.

Edhe pse ka lindur në Stokholm, Shkipja ka ruajtur gjuhën shqipe, traditat dhe kulturën shqiptare. Në moshën 12-vjeçare, ajo dhe familja u vendosën në Malmö, ku kishte edhe më shumë shqiptarë. Pikërisht në Malmö, Shkipja kreu mësimet e para, më pas edhe shkollën e mesme.

Sa i përket jetës dhe shoqërisë suedeze, ajo thotë se ambientimi nuk ishte aspak i lehtë dhe nuk ndjehej e barabartë, edhe pse fliste e shkruante rrjedhshëm suedishten:

“Pavarësisht se dija suedishten rrjedhshëm, unë dhe fëmijët e tjerë shqiptarë përjetuam padrejtësi dhe dallime, nisur nga emri im, i pazakontë në Suedi. Kam qenë e detyruar të luftoj më shumë, në përditshmërinë time dhe në shkollë, duke balancuar kulturën shqiptare që më mësonin prindërit dhe atë suedeze,” tregon ajo për revistën Albinfo.ch.

Shkipja u frymëzua që e vogël nga babai i saj, se me kulturë dhe shkollim arrihet gjithçka. Sakrificat e babait ia shpërbleu me sukses akademik dhe arritje profesionale.

Shkollimi dhe jeta profesionale

Pas shkollës së mesme, Shkipja ndoqi studimet në Shenandoah University në Washington, D.C., ku kreu dy drejtime paralele: “International Journalism” dhe “International Relations, Diplomacy”.

“Pas studimeve në Amerikë, vazhdova në Universitetin e Stokholmit, Departamenti i Drejtësisë, pasi synimi im ishte të bëhesha avokate e popullit, nisur nga padrejtësitë që kam përjetuar,” shpjegon ajo.

Rrugëtimi si ushtare në Suedi

Gjatë studimeve dhe përmes kurseve, loboi për Kosovën në organizata e takime me politikanë e gjeneralë suedezë. Kjo i shtoi dëshirën për t’u bërë ushtare.

“Kursi mbi historinë nordike dhe Bashkimin Evropian më bëri të interesohesha për Suedinë në BE; më pas u inkuadrova në çështjet e Ballkanit, duke parë rrezikun nga regjimi jugosllav. Organizova një “Riksdag” për të rinj, me Kofi Annan në hapje, që më frymëzoi.”

Punë me OKB-në dhe NATO-n

Pasi loboi në OKB-në në Gjenevë dhe në selitë e BE-së e NATO-s, u njoh me gjeneralin suedez Carl Bildt, negociator i Daytonit. Ai e pyeti pse nuk bashkohej në ushtri:

“Kjo frazë më vlerësoi dhe më motivoi. Aplikoja si pilote ushtarake, por mosha (24 vjeç) më pengoi. U zgjodha ushtare; pas testimeve zyrtare, në kohën e luftës në Kosovë, mora ftesën për misionin KFOR (1999–2001).”

“Që nga Kosova e shkrumbtë e luftës, te Parlamenti i parë në Prishtinë, unë isha aty! Ndihem me fat dhe krenare. Kur sot shoh ngritjen e Ushtrisë së Kosovës, ndihem pjesë e krijimit.”

Për fund, Shkipja thotë:
“Edhe pse kam lindur në Stokholm dhe jam ushtare e Mbretit Suedez, zemra më mbetet shqiptare—bijë e Kaçanikut dhe e Stokholmit njëkohësisht.”

Abdixhiku, Krasniqi e Haradinaj: LVV ka vendosur ta mbajë peng shtetin

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas ndërprerjes së punimeve të seancës konstituive, është shprehur se: “Është për keqardhje dhe ne po rrëshqasim në një fazë që asnjëherë nuk e ka pasur Kosova. Kanë kaluar 47 ditë që kur janë certifikuar zgjedhjet, dhe ne ende nuk kemi institucione të themeluara, sepse LVV të cilës i takon ta propozojë kryetarin e Kuvendit, ka vendosur ta mbajë peng shtetin për shkak të tekeve të tyre për një emër të përveçëm”.

“Nëse LVV i ka votat, atëherë mund ta zgjedhin kënd të dëshirojnë, por nuk mund ta imponojnë emrin siç po kërkojnë. Mentaliteti për marrjen e votës me zor”.

Nga ana tjetër, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij nuk do ta mbështesë kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit.

“Jemi të qartë, bindjet tona janë se partia e parë duhet ta ofrojë një kandidat që përfaqëson Kuvendin, jo një kandidat që lexon skriptet e partisë. Ne jemi në opozitë dhe synojmë të jemi në opozitë”, tha Abdixhiku.

Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj procesit të zgjedhjes së kryeparlamentarit, duke e cilësuar atë si jo serioze dhe të vonuar.

Haradinaj u shpreh se AAK-ja ka ofruar qëndrimin e saj për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje, duke propozuar edhe dy emra si opsion për një kandidat unifikues, si Saranda Bogujevcin apo Shqipe Selimin.

“Shpresoj ta votojnë kryeparlamentarin. Kemi dhënë opsionin tonë, por nuk kemi informata të tjera. Kemi thënë se nëse ka kandidat unifikues, do ja japim votën”, deklaroi ai para nisjes së seancës së sotme.

Ai theksoi se posti i kryeparlamentarit nuk duhet të trajtohet si çështje politike dhe nuk do të duhej të ishte pengesë për konstituimin e Kuvendit. /Albinfo.ch

Seanca konstituive vazhdon të premten në ora 10:00

Mësohet se, për të tretën herë radhazi, Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur në propozim emrin e deputetes Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, përcjell albinfo.ch.

Edhe sot, për të tretën herë radhazi, ka dështuar votimi i Haxhiut për të drejtuar Kuvendin e Kosovës.

Njësoj si herët e kaluara, Haxhiu mori vetëm 57 vota “për”.

Ani pse Glauk Konjufca nga Vetëvendosje luti deputetët të mbështesin Haxhiun, deputetja dështoi sërish të mbledhë numrin e nevojshëm të votave.

Rezultati i votimit ishte: 57 vota për, 46 kundër dhe 3 abstenime.

Pas dështimit të votimit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se seanca e sotme ndërpritet:

“Seanca ndërpritet; vazhdojmë të premten në orën 10:00.”

Dështon sërish zgjedhja e Haxhiut si kryeparlamentare

Ka dështuar edhe përpjekja e pestë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë sërish vetëm 57 vota në kandidaturën për kryeparlamentare. Seanca do të shkojë në përpjekjen e gjashtë për të konstituar Kuvendin. Ajo do të mbahet të premten. Gjithçka që ndodh rreth kësaj seance, mund ta përcillni këtu.

Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka marrë shumicën e votave as në votimin e tretë për kryeparlamentare.

Ajo ka marrë 57 vota për, 46 kundër dhe 3 abstenime.

Seanca është shtyrë për të premten, me fillim prej orës 10:00.

Përpjekja e pestë për konstituim të Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dorë nga emri i Albulena Haxhiut si propozim për postin e kryeparlamentares. Këtë e ka konfirmuar vetë Haxhiu, por edhe deputetë të tjerë të LVV-së që kanë folur para përpjekjes së pestë të Kuvendit për konstituim, përcjell albinfo.ch.

“Ne vazhdojmë ta mbajmë qëndrimin e njëjtë”, ka thënë Haxhiu para hyrjes në Kuvend të martën.

Ajo ka paralajmëruar takim konsultativ me partitë tjera, por ka përsëritur se e mbajnë qëndrimin e njëjtë.

E deputetja Saranda Bogujevci, për të cilën AAK-ja ka thënë se do ta votonte po të propozohej për kryeparlamentare, ka thënë se “nuk mundet një grup individësh nga subjekte të tjera të caktojë personin që VV-ja e ka si propozim”.

“Haxhiu është ndër gratë jo më të votuara në vendin tonë, por të njëjtën kohë ka përvojë të gjatë jo vetëm si ministre por edhe si deputete. Nëse dikush me të vërtetë e meriton dhe ka mbështetjen e gjithësecilit prej nesh në këtë rrugëtim është Albulena Haxhiu. S’mundet grup individësh nga subjektet tjera politike me determinu atë ose personin që ne e kemi si propozim. Pse duhet të propozohen emra të tjerë? A më ka pyetur mua dikush? Pse e marrin atë të drejtë të bëjnë propozime të tilla. Pse duhet të jem unë e pse jo Albulena Haxhiu”, ka thënë ajo.

Në dy herë që u votua për propozimin e VV-së që Albulena Haxhiu të jetë kryeparlamentare, ajo mori 57 vota pro. Në seancën pasuese, VV-ja kërkoi “kohë shtesë”.

E ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se shpreson që opozita ka reflektuar. 

“Konstituimi i Kuvendit nuk është vetëm detyrë e partisë fituese por e të gjithë deputetëve”, tha Murati.