SPD miraton koalicionin me CDU/CSU

Partia Social-Demokrate e Gjermanisë (SPD) ka miratuar me shumicë dërrmuese marrëveshjen e koalicionit me bllokun konservator CDU/CSU, duke i hapur rrugë formimit të qeverisë së re federale të udhëhequr nga kancelari i ardhshëm Friedrich Merz, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Sipas rezultateve zyrtare, 84.6 % e anëtarëve të SPD-së votuan në favor të hyrjes në koalicion me kristiandemokratët, duke e përmbyllur kështu një fazë të rëndësishme të negociatave pas zgjedhjeve federale, ku SPD-ja pësoi humbje të mëdha.

Kryetari i SPD-së, Lars Klingbeil, do të marrë postin e zëvendëskancelarit dhe ministrit të Financave në qeverinë e re, një vendim që u mbështet unanimisht nga presidiumi i partisë. Klingbeil pritet të udhëheqë ekipin qeveritar të social-demokratëve dhe ka paralajmëruar se lista e plotë e ministrave të SPD-së do të prezantohet deri të hënën. Partia do të ketë gjithsej shtatë ministra në kabinetin e ardhshëm qeveritar.

Me këtë votim, SPD-ja ka hapur rrugën për qeverinë e re CDU/CSU–SPD, ndërsa zgjedhja dhe betimi i Friedrich Merz-it si kancelar i Gjermanisë është planifikuar për të martën e ardhshme në Bundestag, transmeton albinfo.ch.

Ambasadori gjerman shpreh shqetësim për vonesat në formimin e institucioneve në Kosovë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka shprehur hapur shqetësimin e tij lidhur me vonesat e gjata në formimin e institucioneve të reja shtetërore, pothuajse tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, shkruan albinfo.ch.

Në një reagim të bërë të mërkurën përmes rrjetit social Bluesky, Rohde tha se i ka përcjellë këtë shqetësim presidentes së vendit, Vjosa Osmani, duke theksuar se kriza politike dhe mungesa e institucioneve funksionale po dëmton rëndë imazhin dhe stabilitetin e Kosovës.

“Partitë politike duhet të veprojnë shpejt për formimin e institucioneve dhe t’i vendosin interesat shtetërore para atyre partiake,” theksoi ambasadori gjerman. Ai shtoi se, në një peisazh global që po ndryshon me shpejtësi, vendimmarrja e shpejtë dhe koordinimi institucional janë thelbësore për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit, transmeton albinfo.ch.

Qeveria maqedonase e gatshme të intervenojë sërish për rritjen e çmimeve

Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për kufizimin e marzhave bruto të fitimit dhe për ngrirjen e çmimeve të një pjesë të produkteve zyrtarisht përfundon sot, transmeton TV21.

Vendimi për kufizimin e marzhave bruto të fitimit hyri në fuqi në shkurt me qëllim parandalimin e rritjes së çmimeve, transmeton albinfo.ch.

Ministri i Ekonomisë dhe Punës në Maqedoninë e Veriut, Besar Durmishi, masat për ngrirjen e çmimeve i vlerësoi të suksesshme, duke theksuar se, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, deflacioni prej 1.3% u regjistrua në segmentin e ushqimit dhe pijeve në mars. Trendi i uljes së çmimeve, sipas tij, vazhdoi edhe në prill.

Megjithatë, pasi masa të hiqet, institucionet kompetente do të jenë në terren. Inspektorati Shtetëror i Tregut do të fillojë kontrolle të intensifikuara nesër (1 maj) për të monitoruar çdo rritje të mundshme drastike të çmimeve.

Nëse vërtetohet se tregtarët po i rrisin çmimet në mënyrë të tepruar, Durmishi njoftoi se Qeveria është e gatshme të reagojë me masa të reja, edhe më të rrepta.

Si rekrutohet stafi infermieror nga Kosova, në Bavari

Republika e Kosovës trajnon staf infermieror shumë më tepër në numër se nevojat e veta ndërsa nevoja e spitaleve dhe azileve të pleqve në Bavari për një staf të tillë është shmë e madhe. Si u vendos një grua e re kosovare në Trostberg në Bavarinë e Epërme.

DEKRA është shkruar me shkronja të mëdha në fasadën e një ndërtese të re në mes të një lagjeje të frekuentuar të Prishtinës. DEKRA (Shoqata Gjermane e Inspektimit të Automjeteve) inspekton makinat në Gjermani dhe lëshon afishe TÜV, transmeton albinfo.ch .

Në Ballkan, kompania e përmendur, e madhe gjermane ofron kurse të gjermanishtes në nivele të ndryshme, administron provimet dhe më pas përgatit kontaktin midis stafit të infermierisë dhe punëdhënësve gjermanë, deri në nënshkrimin e kontratës.

Kurset gjermanishtes janë falas për stafin e infermierisë

Jonida Bushi, profesoreshë e gjermanishtes në Universitetin e Tiranës në Shqipëri, gjithashtu koordinon punën në Kosovë, në Prishtinë, shkruan br.de. Bushi e përshkruan kështu punën e saj: “Ne fillojmë me mësimet e gjermanishtes fillimisht, pastaj fillojmë procesin e njohjes dhe intervistat me punëdhënësit”.

Edhe personat që nuk kanë fare njohuri të gjermanishtes mund të marrin pjesë në kurset e gjuhës. Mesatarisht, në klasa ka 20 vajza dhe djem, të moshës 17 deri në 21 vjeç. E veçanta është se mësimet janë falas për ta.

Ezana hasi rastësisht ofertën e DEKRA-s

Kështu filloi gjithçka për Ezana Morinën. Pesë herë në javë, ajo udhëtonte 18 kilometra deri në Prishtinë për të mësuar gjuhën gjermane në DEKRA. Pasi kaloi nivelin A1, ajo vazhdoi të studionte, arriti nivelin A2 dhe B1 dhe më në fund nivelin B2, i cili kërkohet për një punë në Gjermani.

Më parë, Ezana kishte ndjekur shkollën e mesme mjekësore dhe ishte trajnuar si infermiere, përcjell albinfo.ch. Ajo e kishte hasur ofertën nga DEKRA rastësisht dhe kishte zgjedhur mundësinë për të punuar jashtë vendit dhe për të fituar para të mira si qëllimin e saj parësor. Sepse në Kosovë shanset ishin dhe janë mjaft të pakta.

Kosova trajnon më shumë infermierë/e se sa i duhen

Vendi i vogël ka popullsinë më të re në të gjithë Evropën. Rreth 3,000 të diplomuar dalin nga shkollat ​​shtetërore të infermierisë çdo vit. Por në vetë Kosovën, nevojiten vetëm mesatarisht 600.

Nga ana tjetër, në Gjermani, me një popullsi gjithnjë e më të plakur, kërkesa për punonjës të kualifikuar të kujdesit shëndetësor po rritet me shpejtësi. Sipas parashikimeve, deri në vitin 2030 në këtë vend do të nevojiten 300,000 gra dhe burra në këtë fushë.

Kjo është arsyeja pse Anna-Sophie Schrott e konsideron veten me fat që mund të rekrutojë staf infermieror nga Kosova për rrjetin spitalor të Bavarisë Juglindore nëpërmjet DEKRA-s. E diplomuar në infermieri është drejtuese e Departamentit të Përfshirjes. Ajo po përpiqet të frymëzojë njerëz në mbarë botën që të punojnë në infermieri në Bavarinë juglindore, transmeton albinfo.ch. Schrott organizon rekrutimin, kujdeset për vizat dhe planifikon hyrjen. Në shumë vende, por jo në të gjitha, agjencitë tani ofrojnë përpunim profesional. Por gjithçka filloi me DEKRA-n.

Ezana ka zgjedhur klinikën në Trostberg

Më 6 nëntor të vitit të kaluar, nxënësja e zellshme e gjermanishtes Ezana Morina fluturoi nga Prishtina për në Mynih, dhe të nesërmen filloi punën e saj në spitalin në Trostberg në rrethin e Bavarisë së Epërme të Traunstein-it. E reja tani 18-vjeçare ishte i përgatitur mirë. Një muaj para nisjes së saj, thotë ajo sot, e kishte marrë tashmë listën e detyrave për tre muajt e parë, me email.

Ezana duket shumë e kënaqur kur përshkruan rutinën e saj të përditshme dhe mjedisin e saj profesional: “Unë punoj me kohë të plotë në repartin e geriatrisë akute, i cili është një qendër rehabilitimi për të moshuarit mbi 65 vjeç. Ata qëndrojnë atje për rreth tre javë.”

DEKRA merr tri paga bruto mujore, në emër të ndërmjetësimit

Ajo zgjodhi Trostbergun sepse është një qytet i qetë dhe i vogël, me pak më pak se 11,500 banorë. Veç kësaj, është vetëm 30 kilometra larg Alpeve Chiemgau: “I dua malet”, thotë Ezana, duke buzëqeshur. Pra, është një situatë fitimprurëse për të dhe spitalin.

DEKRA gjithashtu bën biznes të mirë nga kjo: për çdo punësim të suksesshëm, kompania merr tri paga bruto mujore.

Shtetet e BE-së lëshuan mbi 45 mijë leje qëndrimi për shtetasit e Kosovës, prin Gjermania

Vendet e zhvilluara të Evropës po i intensifikojnë përpjekjet për të tërhequr fuqi punëtore nga jashtë, si përgjigje ndaj mungesës së theksuar të punëtorëve që rrjedh nga plakja e popullsisë dhe nataliteti i ulët.

Ky trend po ndikon drejtpërdrejt në tregun e punës në Kosovë, duke e privuar atë nga punëtorë të kualifikuar dhe të rinj që luajnë rol kyç në ekonominë vendore, thuhet në raportin e Institutit GAP, shkruan albinfo.ch.

Sipas të dhënave të Eurostat, vetëm në vitin 2023, shtetet e Bashkimit Evropian kanë lëshuar gjithsej 45,650 leje qëndrimi për herë të parë për qytetarë të Kosovës. Kjo shifër tregon një rritje të vazhdueshme të migrimit për qëllime punësimi, sidomos drejt Gjermanisë, e cila ka lëshuar 50% të këtyre lejeve, duke u pozicionuar si destinacioni më i preferuar për kosovarët.

Pas Gjermanisë, numri më i madh i lejeve është lëshuar nga Sllovenia (14%), Kroacia (9%), Italia (8%), dhe Zvicra (4%), ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në vende të tjera të BE-së, transmeton albinfo.ch.

Nga 5 maji nga Kosova në Izrael pa viza

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka njoftuar se për kosovarët që mbajnë një pasaportë valide të Republikës së Kosovës dhe që duan ta vizitojnë Izraelin për turizëm, do t’u duhet të pajisen me një leje për hyrje nga Shteti i Izraelit.

Para se të udhëtojnë drejt Izraelit, të gjithë shtetasit e Kosovës janë të detyruar të pajisen me ETA-IL (Autorizim Elektronik për Udhëtim) për të hyrë në Shtetin e Izraelit, transmeton albinfo.ch.

Ambasadorja Ziv sqaron se të gjithë shtetasit e Kosovës që planifikojnë të vizitojnë Izraelin duhet të aplikojnë për ETA-IL të paktën 72 orë para mbërritjes:

“Një ETA-IL e miratuar tregon se ju lejohet të udhëtoni në Izrael dhe të qëndroni deri në 90 ditë për çdo vizitë. Të gjithë udhëtarët drejt Izraelit duhet të kenë një vizë të vlefshme ose një miratim ETA-IL përpara se të nisin udhëtimin e tyre. Marrja e një ETA-IL është një proces i thjeshtë dhe i shpejtë, nëse i plotësoni kushtet”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, më 18 qershor 2024, Izraeli ka hequr vizat për kosovarët.

Procesi i aplikimit për ETA-IL është i thjeshtë dhe mund të kryhet në mënyrë elektronike përmes faqes zyrtare të autoriteteve izraelite.

: https://israel-entry.piba.gov.il/learn-about/

Diaspora po voton, më shumë vota kanë ardhur nga Italia, SHBA dhe Greqia

Bëhet e ditur se mbi 85 000 shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë e kanë zgjedhur preferencën politike. Zarfet me fletët e tyre të votimit kanë mbërritur në Parkun Olimpik. Ato do të qëndrojnë të grupuara sipas qarqeve dhe do të hapen më 11 maj, në të njëjtën kohë kur nis edhe numërimi për fletët brenda vendit, përcjell albinfo.ch.

Mirëpo, kur na ndajnë vetëm 11 ditë nga zgjedhjet, 29 358 zarfe ende nuk janë tërhequr nga zgjedhësit, kryesisht në Greqi. Për këtë arsye, edhe ambasada shqiptare në shtetin fqinj ka njoftuar se pikat e kompanisë postare në Athinë dhe Pire do të punojnë me orë të zgjatura.

Nga ana e tyre, edhe partitë politike kanë shprehur shqetësime lidhur me problematikat që po hasin emigrantët në marrjen apo dërgimin e fletëve të votimit, kryesisht në Greqi dhe Itali.

Vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se ka ende kohë për dërgimin e fletëve të votimit në kohë, në mënyrë që edhe kthimi i tyre të jetë brenda procedurave ligjore të parashikuara. Një ditë më parë, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se pagesa e kompanisë do të bëhet pas shërbimit, ndaj nuk duhet që raste sporadike të cënojnë procesin që, siç tha ai, po ecen me ritme të kënaqshme.

Referuar të dhënave të deritanishme, në Greqi janë dërguar mbi 68 000 zarfe dhe kanë mbërritur vetëm 7 826, kurse në Itali janë shpërndarë mbi 91 000 fletë votimi dhe kanë ardhur 38 947. Ndërsa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë mbërritur 8 846 fletë nga mbi 20 000 që janë shpërndarë.

Fletët e votimit me preferencat e diasporës duhet të mbërrijnë në territorin shqiptar brenda orës 19:00 të dielës, 11 maj, pasi çdo votë që vjen pas kësaj ore nuk do të numërohet.

Zvicra mund të thyejë rekordin e eksportit këtë vit

Eksportet mund të arrijnë një nivel rekord gjatë gjithë vitit 2025. përcjell albinfo.ch.

Në muajt e fundit, eksportet e mallrave janë rritur nga një rekord në tjetrin. Në tre muajt e parë të vitit, ajo ishte 74.1 miliardë franga, ndërsa në të njëjtën kohë u importuan mallra me vlerë 60.5 miliardë, sipas shifrave të Zyrës Federale për Dogan dhe Sigurinë Kufitare.

Kjo rezulton në një suficit tregtar prej 13.6 miliardë CHF. Arsyeja është e thjeshtë: “Për shkak të frikës nga tarifat amerikane, kompanitë i dërguan produktet e tyre në sasi të mëdha sa më shpejt të ishte e mundur”, thotë Tim Reinicke (31) nga Instituti Ekonomik Zviceran në ETH Zurich (KOF).

Kompanitë kimike dhe farmaceutike në veçanti kanë rritur eksportet në nivele rekord dhe kanë mbushur plotësisht depot e tyre në SHBA. Por eksportet e orëve u rritën gjithashtu pak në tre muajt e parë pavarësisht dobësimit të kërkesës. Në përgjithësi, eksportet drejt SHBA-së u rritën përsëri me 17.4 përqind pas një tremujori të mëparshëm, tashmë të jashtëzakonshëm.

Një fëmijë dëmtoi një pikturë e cila vlerësohej 50 milionë euro

Për pikturën e dëmtuar, nuk është e qartë se kush duhet të jetë përgjegjës, shkruan SRF, përcjell albinfo.ch.

Një fëmijë dëmtoi një pikturë të artistit amerikan Mark Rothko (1903–1970) në Muzeun Boijmans Van Beuningen në Roterdam, e cila vlerësohej në 50 milionë euro.

E prekur është vepra e Rothkos “Gray, Portokalli mbi Gështenjë të Kafe, Nr. 8”, e cila u gërvisht në një “moment pakujdesie”, siç i tha një zëdhënës i muzeut gazetës holandeze Algemeen Dagblad javën e kaluar.

Zëdhënësi i muzeut i tha BBC-së se dëmi ishte “sipërfaqësor”, duke shtuar: “Gërvishtje të vogla janë të dukshme në shtresën e palyer të bojës në pjesën e poshtme të pikturës.” Muzeu nuk komentoi se kush do të mbahej përgjegjës për dëmtimin e pikturës. Thuhet se nuk është vepra e parë e Rothkos që pëson dëmtime: që në vitin 2012, vepra “Black on Maroon” e Rothkos u shkatërrua qëllimisht në Galerinë Tate Modern të Londrës.

359 mijë persona janë larguar nga Kosova deri në vitin 2023

Instituti GAP të mërkurën ka publikuar raportin e ri “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive”, i cili hedh dritë mbi sfidat e mëdha që po përballet tregu i punës në vend.

Sipas raportit, deri në vitin 2023 rreth 359 000 persona janë larguar nga Kosova drejt vendeve të ndryshme të botës, ndërsa 99 000 janë kthyer ose janë të huaj që jetojnë në Kosovë, shkruajnë mediat vendore, përcjell albinfo.ch.

“Ky bilanc negativ i migrimit ka ndikuar ndjeshëm në mungesën e fuqisë punëtore në tregun vendor. Sipas të dhënave, nga rreth 1.1 milion persona në moshë pune, vetëm 43 % janë ekonomikisht aktivë, ndërsa 57 % janë joaktivë. Nga këta të fundit, 66 % janë gra dhe 34 % burra, duke theksuar pjesëmarrjen e ulët të grave në tregun e punës”, thuhet në të dhënat e GAP-it.

Raporti rekomandon disa masa për të adresuar këtë situatë, duke përfshirë trajnime të përshtatura me kërkesat reale të tregut të punës; politika që ndihmojnë gratë të hyjnë në tregun e punës; riorientim profesional për të rinjtë që nuk janë të angazhuar në arsim, punë apo trajnim (NEET); bashkëpunim të ngushtë mes arsimit dhe sektorit privat për përgatitje më të mirë profesionale; stimuj për punëdhënësit që punësojnë persona që kanë qenë jashtë tregut të punës për një kohë të gjatë; mbështetje për teknologjitë inovative; dhe avancim shkathtësish në fushën e energjisë së pastër.

Instituti GAP ka theksuar se rritja e përfshirjes në treg e personave që aktualisht janë joaktivë është zgjidhja më e qëndrueshme për të adresuar mungesën e fuqisë punëtore në Kosovë.

“Kjo kërkon angazhim të përbashkët nga institucionet publike, sektori privat dhe shoqëria civile për të krijuar një mjedis të favorshëm për punësim dhe zhvillim ekonomik”, vijon raporti.

Raporti

https://www.institutigap.org/documents/65083_Emigrimi%20dhe%20tregu%20i%20punes.pdf

Lajm i madh, Lara Colturi do të vazhdojnë për Shqipërinë

Skiatorja me origjinë italiane do të jetë pjesë e ekipit shqiptar në Lojërat Olimpike Milano–Cortina 2026, duke i dhënë Shqipërisë mundësinë historike për të garuar me katër skiatore në këtë ngjarje madhore.

Ky vendim u arrit pas këmbënguljes së ASF-së dhe mirëkuptimit të familjes Colturi, dhe tashmë të dyja palët po punojnë intensivisht për finalizimin e detajeve financiare dhe teknike të kontratës, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

“Një lajm i mirë për Shqipërinë dhe Federatën Shqiptare të Skive. Është arritur një marrëveshje që atletja Lara Colturi të vazhdojë të garojë për Shqipërinë edhe për sezonin 2025–2026.

Po punohet intensivisht për detajet e kontratës. I urojmë Larës suksese në shkollë këto ditë; përveç sportit, Lara mbyll këtë vit studimet e shkollës së mesme. Suksese Larës dhe Shqipërisë në Lojërat Olimpike,” shkruhet në njoftimin e Federatës së Skive.

Ajo në edicionin e fundit zuri tri herë vend në podium në garat e Kupës së Botës në skijim alpin.

Zvicra do të importoj numër të lartë të vezëve për shkak të mungesave

Konsumi i vezëve në Zvicër është rritur ndjeshëm, përcjell albinfo.ch.

Vetëm midis viteve 2023 dhe 2024, u konsumuan 198 vezë në vit për frymë — një rritje prej gati 5 përqind, krahasuar me vitet e mëparshme, tha qeveria në një njoftim për shtyp të mërkurën.

Në të njëjtën kohë, prodhimi zviceran i vezëve është rritur vetëm me 2.8 përqind — jo mjaftueshëm për të përmbushur kërkesën në rritje të konsumatorëve.

Kjo është arsyeja pse, nga 1 qershori 2025 dhe deri në fund të vitit, qeveria po jep dritën jeshile importit të deri në 10 000 tonë vezësh shtesë me tarifa doganore të reduktuara.

“Këshilli Federal e rriti kuotën për vezët me 48 përqind, në 31 000 tonë”, sipas njoftimit për shtyp. “Kjo masë do të lejojë importimin e afërsisht 158 milionë vezëve shtesë, me një normë të reduktuar të taksave doganore deri në fund të vitit, dhe do të sigurojë furnizimin e vendit me vezë gjatë vitit aktual.”

Si çdo gjë tjetër në Zvicrën e organizuar, vezët e importuara do të shpërndahen në mënyrë të rregullt: vëllimi shtesë do të ndahet në dy grupe — njëra do të shitet nga 1 qershori dhe tjetra nga shtatori — për të garantuar furnizimin me vezë për sezonin e Krishtlindjeve, “gjë që gjeneron qarkullim të konsiderueshëm.”

Prandaj, nga 1 qershori, “Zyra Federale e Doganave dhe Sigurisë Kufitare do të nxjerrë në ankand grupin e parë prej 6 500 tonësh në faqen e saj të internetit, ndërsa e dyta, që arrin 3 500 tonë, do të jetë e disponueshme nga 1 shtatori. Si zakonisht, kuota do të ndahet sipas rendit në të cilin pranohen deklaratat doganore.”

Qeveria nuk ka specifikuar se nga do të importohen këto grupe.

Shqipëria me eksodin me te lartë të njerëzve të arsimuar

Pse Shqipëria renditet një nga shtetet me numrin më të lartë të ikjeve:

  • 1.2 milionë shqiptarë jetojnë tani jashtë vendit (44 %)

  • 70 % e emigrantëve janë nën 34 vjeç

  • 47 % e emigrantëve në 4 vitet e fundit kanë diploma universitare

  • 3 500 mjekë janë larguar vetëm për në Gjermani!

  • 91.4 % e studentëve planifikojnë të largohen pas diplomimit, edhe të mos kthehen më

  • Shqipëria, së bashku me 9 vende të tjera afrikane, renditet në 10 vendet e para në botë me eksodin më të lartë të njerëzve të arsimuar

Ndryshe nga valët e mëparshme të emigrimit që ishin të nxitura nga varfëria, eksodi i sotëm përfshin mendjet më të arsimuara dhe ambicioze të Shqipërisë: mjekë, inxhinierë, studiues dhe zhvillues softuerësh.

Shqipëria ka shkallën më të lartë të emigrimit të njerëzve me arsim të lartë në Ballkanin Perëndimor, dhe 47 % e emigrantëve të sotëm kanë një diplomë universitare.

Shqipëria po përjeton jo vetëm një kolaps historik demografik, por edhe një kolaps intelektual.

Vetëm në 5 vitet e fundit, mbi gjysmë milioni shqiptarë kanë kërkuar azil, leje pune ose qëndrim në BE, duke e zbrazur vendin si nga të rinjtë ashtu edhe nga ekspertiza.

Anketat tregojnë se kjo nuk është vetëm ikje ekonomike, por është një braktisje morale. Korrupsioni është rrënjosur, normalizuar dhe shpesh lavdëruar. Meritokracia është një mit. Nepotizmi është rregull.

SBB teston konvertimin e “trenave që dridhen” me modele të reja

Së bashku me prodhuesin Alstom, SBB po përpiqet të stabilizojë trenat e saj me dy kate FV-Dosto, të njohur për dridhjet që përjetojnë pasagjerët në çdo drejtim gjatë ndërrimit të marshit.

Treni i parë do të transferohet këtë javë nga Cyrihu në Velim, në Republikën Çeke, ku do të pajiset me shasi të modifikuara të vendosura nën secilin vagon, për të parë nëse kjo do të siguronte një udhëtim më të qetë dhe pa dridhje.

Treni është planifikuar të kthehet në Zvicër në verën e vitit 2025, ku do të kryhen teste të ndryshme për të vlerësuar nëse ky “konvertim” është efektiv.

SBB, më pas në vjeshtë, do të vendosë nëse të gjithë trenat FV-Dosto duhet të modifikohen gjithashtu.

Cyrihu ul qiranë për apartamentet komunale

Akomodimet me çmime të përballueshme në Cyrih po bëhen realitet, përcjell albinfo.ch.

Por, rreth 10,000 qiramarrës të apartamenteve në pronësi të qytetit do të kenë fat: qiratë e tyre do të bëhen më të lira, njoftuan autoritetet komunale të martën.

Kjo për shkak të uljes së normës së interesit referues, nga 1.75 % në 1.5 %, më 3 mars.

Qiraja më e ulët do të hyjë në fuqi nga 1 korriku, varësisht nga marrëveshja e qirasë.

Trump krenohet me 100 ditëshin e tij në krye të SHBA-së

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shënoi 100 ditët e tij në detyrë me një tubim në stilin e fushatës në Michigan.

Trump e përshëndeti fillimin e mandatit të tij të dytë si “100 ditët më të suksesshme të çdo administrate në historinë e vendit tonë”.

Ai përsëriti shumë nga pikat e tij të forta, duke lavdëruar politikat e tij të ashpra për imigracionin, duke përsëritur pretendimet e rreme se ai fitoi zgjedhjet e vitit 2020 dhe duke kritikuar ish-presidentin Joe Biden, gjyqtarët radikalë të majtë dhe median.

Ai gjithashtu vlerësoi angazhimin e administratës së tij ndaj çështjeve sociale, duke përfshirë njohjen vetëm të dy gjinive dhe ndalimin e atletëve transgjinorë nga sportet e grave, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

“I kam dhënë fund të gjitha marrëzive të paligjshme në lidhje me të ashtuquajturin diversitet, barazi dhe përfshirje, si në qeverinë federale ashtu edhe në sektorin privat,” theksoi Trump.

“Dhe e bëra politikë zyrtare të qeverisë së Shteteve të Bashkuara që të ketë vetëm dy gjini, mashkull dhe femër. Dhe zgjidhja më e thjeshtë, kjo ishte më e thjeshta që pata, ua ndalova burrave të garonin në sportet e grave,” shtoi ai.

Trump është zotuar të miratojë uljet më të mëdha të taksave në historinë amerikane në muajt e ardhshëm.

“Kjo do të përfshijë taksën mbi të ardhurat, taksën mbi Sigurimet Shoqërore dhe taksën mbi orët shtesë. Jemi vetëm në fillim. Nuk keni parë asgjë akoma,” shtoi ai.

Ndërprerja që solli kaos, sulm apo defekt

Një ndërprerje masive goditi Spanjën dhe Portugalinë në mesditë të hënën, duke e bllokuar Gadishullin Iberik. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez shpalli gjendje të jashtëzakonshme ndërsa afrohej mesnata dhe vetëm gjysma e energjisë elektrike të vendit ishte rikthyer.

Homologu i tij portugez, Luis Montenegro, tha se autoritetet po hetonin ndërprerjen. Megjithatë, nuk kishte asnjë shenjë të një sulmi kibernetik.

Skena kaotike treguan familje të ulura në shtëpitë e tyre, të ndriçuara nga drita e qirinjve, ndërsa trafiku ishte ndërprerë, mijëra njerëz mbetën të bllokuar në tunelet e metrosë, bizneset u mbyllën dhe njerëzit nuk ishin në gjendje të bënin thirrje në rrjetet celulare ose të paguanin pa para në dorë, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Qëndroni me ne ndërsa ju sjellim përditësimet e drejtpërdrejta ndërsa energjia elektrike po kthehet ngadalë në komunitete dhe autoritetet fillojnë të bashkojnë pjesët se çfarë mund të kishte shkaktuar ndërprerjen e përhapur.

Pothuajse e gjithë energjia elektrike është rikthyer në Spanjën kontinentale, sipas Red Electrica.

Operatori thotë se 99.16% e energjisë elektrike është rikthyer në të gjithë vendin. “Të gjitha nënstacionet në rrjetin e transmetimit janë funksionale. Ne vazhdojmë me punën e restaurimit”, thotë operatori.

Në Portugali, shumë njerëz janë ende të bllokuar të martën në mëngjes në Aeroportin e Faros në rajonin popullor të Algarves. Dhjetëra fluturime u anuluan të hënën, duke lënë qindra njerëz të kalojnë një natë të mjerueshme në aeroport.

Në Lisbonë, fluturimet në Aeroportin e Lisbonës janë rikthyer në normalitet pasi aeroporti u mbyll përkohësisht për më shumë se nëntë orë të hënën. Operatori shtetëror i trenave i Portugalisë, Comboios de Portugal, ka rivendosur faqen e tij të internetit, por ende nuk ka njoftuar ndonjë ndërprerje të shërbimit për të martën.

Rrjeti i metrosë në qytetin e Portos rifilloi operacionet në orën 6:00 të mëngjesit CET, sipas një postimi në mediat e tij sociale. Carris Metropolitana, rrjeti i autobusëve publikë që shërben Zonën Metropolitane të Lisbonës, nuk ka përditësime në faqen e tij të internetit në lidhje me operacionet, dhe metroja e Lisbonës vazhdon të ketë disa linja të mbyllura.

Më shumë nga Valencia, në bregun lindor të Gadishullit Iberik, ku Presidenti i komunitetit Carlos Mazón ka kërkuar përforcimin e forcave të sigurisë së komunitetit për të shmangur incidentet pas ndërprerjeve të energjisë. “Ne u kemi drejtuar këshillave të qytetit në mënyrë që policia lokale dhe policia rajonale të përforcohen në maksimum”, shkruan Mazón në X.

Ai njoftoi se qendrat shëndetësore, azilet e pleqve dhe qendrat sociale do të hapen si zakonisht. Më parë, raportuam se shkollat ​​do të jenë të hapura, por pa mësim, pasi shumë mësues po përpiqen të shkojnë në punë. Dje komuniteti i Valencias, i cili ka një popullsi prej mbi 5 milionë banorësh, përjetoi një humbje të plotë të energjisë elektrike.

Të gjitha komunat e Komunitetit të Madridit kanë rikuperuar energjinë elektrike, njoftoi qeveria rajonale rreth orës 9:00 të mëngjesit CET. Pjesa e fundit e rajonit mori energji rreth orës 3:00 të mëngjesit, thanë autoritetet. Pak pas mesnatës, 129 nga 179 komuna kishin energji elektrike.

Amazon kundër rritjes së çmimeve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zhvilluar një telefonatë me themeluesin e Amazonit, Jeff Bezos, pas raportimeve se kompania planifikonte të njoftonte klientët për ndikimin e tarifave të reja tregtare mbi çmimet.

Pak orë më vonë, Amazon deklaroi se nuk do ta ndjekë më këtë plan.

Sipas një zëdhënësi të kompanisë, ideja ishte shqyrtuar vetëm për platformën Amazon Haul, një faqe me çmime të ulëta, e lançuar për të konkurruar me gjigantët kinezë Shein dhe Temu, por asnjëherë nuk ishte planifikuar për aplikim të gjerë.

“Kjo nuk u miratua kurrë dhe nuk do të ndodhë,” tha zëdhënësi Tim Doyle në një deklaratë për BBC-në, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

Deklaratat vijnë pas raportimit të Punchbowl News, që citonte burime të brendshme, sipas të cilave Amazon kishte planifikuar të specifikonte tarifat e importit për produktet me origjinë nga Kina — lëvizje që mund të ndikonte ndjeshëm në opinionin publik për politikat tregtare të administratës Trump.

Në një konferencë për shtyp, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e quajti idenë e Amazonit “akt politik”.

Presidenti Trump e konfirmoi telefonatën me Bezos, duke theksuar se “Jeff ishte shumë i sjellshëm dhe e zgjidhi problemin shumë shpejt. Ai bëri gjënë e duhur.”

Amazon, një nga kompanitë më të mëdha të shitjeve me pakicë në botë, ka një pjesë të konsiderueshme të shitësve nga Kina. Me tarifat e reja që kapin 145% për disa produkte kineze dhe fundin e përjashtimit për dërgesat nën 800 dollarë, rritja e çmimeve është thuajse e pashmangshme, sipas analistëve.

Kosovë: Për 1 Maj nuk do të festohet, por do të protestohet

Mësohet se në Kosovë do të organizohet një marsh kundër padrejtësive ekonomike e shoqërore. Sindikata të punëtorëve në Kosovë, aktivistë e organizata të ndryshme do të protestojnë më 1 Maj – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorit. Protesta është thirrur me fillim prej orës 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në qendër të Prishtinës, përcjell albinfo.ch.

Nexhat Llumnica, nga Sindikata e Re e KEK-ut, ka thënë se kërkesa kryesore e tyre është ngritja e pagave konform shtrenjtimit të çmimeve të produkteve bazike dhe të rrymës.

“Çmimet po ngrihen, pagat po ulen në raport me inflacionin, dhe kërkesa jonë kryesore është rritja e pagave në bazë të inflacionit e të shtrenjtimit të rrymës e të tregut të punës”, ka thënë ai.

Për kushtet e punës është ankuar edhe Ibrahim Jonuzi, nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve: “Ta shënojmë 1 Majin duke shprehur pakënaqësitë tona dhe duke bërë thirrje për të drejtat tona”.

Protesta do të organizohet edhe nga grupi protestues kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike “Asnjë cent ma shumë”. “Kauzat janë të ndërthurura. Varfërimi i klasës punëtore ka shkuar bashkë me inflacionin dhe rritjen e çmimit të energjisë”, ka thënë një prej anëtarëve të këtij grupi.

“Siç nisi 1 Maji si revoltë e klasës punëtore, edhe ne organizohemi kundër sistemit kapitalist që shtyp punëtorët dhe ka primare profitin para punëtorit. Si pasojë e këtij sistemi po shohim lëndime, vdekje e shtypje që po ndodhin punëtorëve çdo ditë”, ka thënë një aktiviste nga Blloku Anti-Kapitalist, të cilin e prezantoi si strukturë organizative e grupeve të ndryshme.

Ndërkaq, në një komunikatë për media nga Kolektivi Feminist është thënë se “gjendja për punëtorët e punëtoret në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e rëndë”.

“Janë të paktë ata/ato që paga ua mbulon shpenzimet mujore; shumë prej nesh paguhemi nën pagën minimale, nuk mund të marrim pushimin vjetor dhe punojmë më shumë se 40 orë në javë. Për punëtoret gra, që bëjnë punë të dyfishtë në shtëpi e në treg, marrëdhënia e punës së paguar mbetet armiqësore, ngacmuese dhe e dhunshme. Për grupet e ‘racializuara’ si romët, personat me aftësi të kufizuara e personat queer, tregu është edhe më shtypës. Për shumicën, puna e paguar mbetet hapësirë e pasigurtë, ku disa gjejnë edhe vdekjen. Viti 2025 shënon rekord me gjithësej nëntë të vdekur deri tash, pa kushte minimale të sigurisë dhe me trajtim çnjerëzor”, thuhet në komunikatë.

Ky kolektiv ka theksuar rastin e grave greviste në Kuvend, që u larguan nga puna për shkak të grevës. Aty po ashtu është vënë theksi te pozita e rëndë e pensionistëve.

“Këtë 1 Maj ne kumtojmë se këtyre shtypjeve mund t’i bëjmë ballë vetëm duke u organizuar politikisht, duke qëndruar në solidaritet me punëtorë e punëtore dhe kategori shoqërore të cënuara, dhe duke qenë të zëshëm në revoltën tonë. Bashkë denoncojmë sistemin që i ndëshkoi punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës për grevën e tyre, që na varfëron çdo ditë e më shumë e na i vjedh punën, jetën dhe dinjitetin për t’i pasuruar pronarët. Duke insistuar në nevojën për organizim ndërsektorial të punëtorëve/ëve me apo pa pagë, të vetëpunësuarve/ave, të papunësuarve/ave, pensionistëve/ëve e studentëve/ëve, thërrasim që 1 Majin ta manifestojmë këmbëngulësisht, me revoltë, shpresë e vendosmëri për ta mbrojtur dinjitetin tonë, jetën dhe për të bërë drejtësinë e barazinë parim të organizimit tonë shoqëror.”

Nga nesër zyrtarisht hiqen kontrollet kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës

Nesër rikthehet marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila parashikon lehtësimin e procedurave kufitare për veturat me targa të dy shteteve, përcjell albinfo.ch.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, për automjetet kosovare dhe shqiptare nuk do të kryhen kontrolle kufitare, duke mundësuar lëvizje të shpejtë e të pakufizuar.

Marrëveshja e lëvizjes së lirë, e nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë në pranverën e vitit të kaluar, shmangu trafikun dhe lehtësoi lëvizjen kufitare gjatë sezonit veror.

Kurti: Fillimisht kuvendi, pastaj qeveria

Së fundmi, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit do të ndodhë, megjithatë pa dhënë një datë të saktë se kur.

Deklarata e tij u dha gjatë një vizite në Istog, me rastin e vendosjes së gurthemelit për projektin e banimit të përballueshëm e social në këtë komunë.

“Fillimisht Kuvendi, pastaj qeveria,” u shpreh Kurti në një prononcim për mediat lokale.

Përveç tij, në këtë ngjarje morën pjesë edhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, si edhe zëvendësministri Jeton Raka.

Një adoleshent, i dyshuari kryesor për sulmin që la tre të vdekur në Suedi

Raportohet se policia suedeze ka arrestuar një adoleshent pas një sulmi me armë zjarri që ka lënë tre të vdekur në qytetin Uppsala të martën, përcjell albinfo.ch.

Sulmuesi thuhet se iku me një skuter pas sulmit në një sallon flokësh në qendër të qytetit, raporton BBC.

Policia ka konfirmuar të mërkurën se personi i arrestuar për të shtënat është nën moshën 18-vjeçare.

Ndërkohë, të tri viktimat janë të moshës midis 15 dhe 20 vjeç, ka thënë policia suedeze në një konferencë shtypi.

Policia po heton mundësinë që vdekjet të kenë lidhje me krimin e bandës, raportojnë mediat suedeze.

Një nga të vrarët në sallonin e flokëve thuhet se është i njohur për policinë, kanë raportuar mediat lokale.

Referuar raportimeve, viktima ishte përfshirë në një hetim policor për një sulm të planifikuar kundër një të afërmi të kreut të bandës Ismail Abdo. Personi nuk është akuzuar kurrë.

Abdo, i mbiquajtur ‘jordgubben’ ose ‘luleshtrydhe’, është një drejtues i njohur bande.

Një kapitull i ri, i dhunshëm në luftërat e bandave të Suedisë ka filluar kur nëna e Abdos është vrarë në vitin 2023 në shtëpinë e saj në Uppsala, në veri të Stokholmit.

Suedia është përballur me një valë të krimit të bandave të adoleshentëve në vitet e fundit, me të dyshuar të akuzuar për një sërë veprash, nga vandalizmi e deri në vrasje.

Qeveria suedeze ka propozuar një legjislacion të ri që do të lejojë policinë të përgjojë fëmijët nën moshën 15 vjeç në një përpjekje për të luftuar me këtë problem.

Në një konferencë shtypi të planifikuar paraprakisht mbi dhunën e bandave të mërkurën, ministri i Drejtësisë, Gunnar Strömmer, ka thënë se policia nuk do të kishte nevojë për prova konkrete për të kryer përgjimet.

Qeveria ka thënë gjithashtu se dëshiron të forcojë ligjet e vendit për armët.

Sulmi ka ndodhur në prag të festivalit të pranverës Walpurgis, kur turma të mëdha pritet të dalin në rrugët e Uppsala, një qytet universitar në veri të Stokholmit.