Pas BE-së, edhe Zvicra miraton një vaksinë kundër viruseve të frymëmarrjes

Duke ndjekur shembullin e Agjencisë Evropiane të Barnave, organi rregullator i barnave i Zvicrës, Swissmedic, ka dhënë dritën jeshile një vaksine kundër sëmundjeve të traktit të poshtëm respirator që përfshijnë mushkëritë—të tilla si bronkiti dhe pneumonia, përcjell albinfo.ch.

Vaksina mRESVIA rekomandohet për të rriturit e moshës 60 vjeç e lart për të parandaluar virusin sezonal shumë ngjitës RSV, i cili mund të ketë pasoja serioze për të moshuarit.

Ambasada gjermane: Raporti për lirinë e medias, tregues për hapat që duhet t’i bëjë qeveria e re

Në një raport, Ambasada gjermane në Kosovë ka thënë se raporti i Reporterëve pa Kufij, ku Kosova renditet e 99-a për lirinë e shtypit, është tregues për qeverinë e re për hapat që duhet të ndërmerren për të pasur liri të shtypit, përcjell albinfo.ch.

“Kosova ka rënë për 24 vende më poshtë në indeksin e ri të Reporterëve pa Kufij, duke e vënë në fund në raport me rajonin – madje edhe pas Serbisë. Ky raport është si tregues për qeverinë e re, që përshkruan qartë hapat e nevojshëm për të pasur liri të shtypit, i cili është thelbësor për çdo demokraci të gjallë dhe të qëndrueshme”, thuhet në reagim.

Është viti i dytë radhazi që në këtë indeks Kosova shënon rënie, ku në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në vendin e 75-të. Në indeks, Kosova renditet më së keqi në raport me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shqipëria renditet e 80-a, Mali i Zi i 37-i, Maqedonia e Veriut e 42-ta, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-a.

Në raport thuhet se liria e medias kërcënohet nga rregullimi i politizuar, qasja e pamjaftueshme në informacionin publik dhe rreziqet serioze për sigurinë e gazetarëve. Thuhet tutje se gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike.

Osmani dekoron kryeministrin e Malajzisë me Urdhrin e Pavarësisë

Presidentja Osmani e dekoroi kryeministrin Anwar Ibrahim me Urdhrin e Pavarësisë, përcjell albinfo.ch.

“Në shenjë mirënjohjeje për njohjen dhe kontributin e shtetit të Malajzisë për pavarësinë e Kosovës, procesin e shtetndërtimit dhe përkushtimin e tij për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, Presidentja Osmani e dekoroi kryeministrin Anwar Ibrahim me Urdhrin e Pavarësisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Po ashtu, Osmani e falënderoi kryeministrin Anwar për mbështetjen e palëkundur që Malajzia i ka dhënë Republikës së Kosovës, duke theksuar se ai ishte ndër shtetet e para në botë që e njohu pavarësinë e Kosovës më 2008.

Osmani e falënderoi Anwarin edhe për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, “duke theksuar se ky vendim do të hapë mundësi të reja për forcimin e lidhjeve ndërmjet qytetarëve të të dy shteteve, por edhe në bashkëpunimin në sfera të interesit të përbashkët”.

Gjatë takimit, thuhet se u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, tregtisë, inovacionit, turizmit dhe në sfera të tjera të interesit të dyanshëm.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani shtroi nevojën për mbajtjen e një forumi ekonomik Kosovë–Malajzi. Ajo e ftoi kryeministrin Anwar për një vizitë zyrtare në Kosovë, si dëshmi e vullnetit të përbashkët për ta avancuar më tej këtë partneritet”, përfundon njoftimi.

Kosova do të jetë pjesë në Javën Evropiane të Kulturës në Gjermani

Për herë të parë, Republika e Kosovës merr pjesë në Javën Evropiane të Kulturës në Chemnitz – qyteti që mban titullin Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2025, transmeton Albinfo.ch.

Në kuadër të aktiviteteve tona të diplomacisë kulturore dhe me qëllim promovimin e kulturës dhe vlerave tona kombëtare, Kosova është përzgjedhur mes shumë shteteve evropiane për të marrë pjesë në këtë ngjarje madhore, e cila pritet të jetë qendër e vëmendjes turistike e kulturore për mijëra vizitorë nga e gjithë Evropa.

Në programin “Europe Sounds – Muzika bashkon Evropën në Chemnitz”, vendi ynë do të përfaqësohet nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota”, duke sjellë tingujt, ritmet dhe shpirtin artistik të Kosovës, krah grupeve muzikore nga Gjermania, Spanja, Franca, Rumania, Portugalia, Belgjika, Sllovenia dhe Armenia.

Kjo pjesëmarrje shënon një hap domethënës në promovimin ndërkombëtar të kulturës sonë dhe në forcimin e lidhjeve kulturore me vendet e tjera evropiane.

Ju mirëpresim më 7 maj në sheshin Neumarkt në Chemnitz (Am Markt 1, 09111 Chemnitz), për të festuar së bashku Evropën përmes muzikës!

Për më shumë informacione klikoni në linkun në vijim: https://chemnitz2025.de/veranstaltung/termin/europe-sounds-musik-verbindet-europa-in-chemnitz/

Vetëm 7 votues nga diaspora kanë denoncuar se s’kanë marrë fletën e votimit

Pas takimit me ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka folur lidhur me problematikat e hasura gjatë procesit të votimit nga diaspora. Celibashi tha se në KQZ deri më tani kanë mbërritur vetëm 7 denoncime nga votues që nuk kanë arritur të marrin fletën, ndërsa në total për procesin janë regjistruar 156 raste problematike. Ai gjithashtu u shpreh se në postën DHL “ka detyrimin të mbajë në zyrat e saj zarfet që ka mundur t’u dërgojë votuesve apo që votuesit nuk kanë arritur t’i marrin, deri më 8 maj”.

Celibashi:
“Që prej 2001, kur jam angazhuar me zgjedhjet, kam vlerësuar reputacionin dhe integritetin e ODIHR-it. Çdo gjë që ata thonë, për mua qëndron.

“Nuk e di sesi janë votuesit që ankohen për procesin e votimit nga jashtë. Nëse dikush ka shqetësime, ka vetëm një mënyrë për ta adresuar: ta depozitojë në KQZ përmes llogarisë që ka në PER. Në KQZ janë vetëm 7 votues që kanë deklaruar se nuk kanë marrë fletën e votimit, ndërsa numri total i atyre që kanë pasur problematika është 156.

“DHL ka detyrimin të mbajë në zyrat e saj zarfet që ka mundur t’i dërgojë votuesve apo që votuesit nuk kanë arritur t’i marrin, deri më 8 maj.”

Cyrihu dhe Bazeli qytetet më pak miqësore për emigrantët

Referuar një ankete të re të renditjes së qyteteve nga platforma e komunitetit të emigrantëve InterNations, doli se Cyrihu dhe Bazeli janë disa nga qytetet më pak miqësore për emigrantët në botë. Përcjell albinfo.ch.

Cyrihu u rendit në pozicionin e 49-të – i dyti nga fundi – me Bazelin që zuri vendin e 47-të në anketën e vitit 2024, e cila anketoi mbi 12 000 emigrantë në të gjithë botën. Ky është një rënie e konsiderueshme nga viti 2023, kur Cyrihu zuri vendin e 37-të. Mynihu në Gjermani u rendit i fundit në listë, ndërsa Malaga në Spanjë zuri vendin e parë.

Të tre qytetet janë të njohura për çmimet e larta, dhe barrierat gjuhësore mund t’i pengojnë emigrantët të ndihen si në shtëpi në qytetin e tyre të zgjedhur.

Të dy qytetet performuan dobët në aspektin e krijimit të miqësive dhe kontakteve shoqërore. Ato renditeshin në fund të listës për krijimin e miqësive në nivel lokal – Cyrihu në vendin e fundit dhe Bazeli i dyti nga fundi.

65 % e të anketuarve në Cyrih thanë se janë kryesisht miq me emigrantë të tjerë, krahasuar me 58 % në Basel. Mesatarja globale është 37 %.

Të anketuarit theksuan gjithashtu vështirësinë me përshtatjen në kulturën lokale – vetëm 33 % e tyre në Cyrih thanë se ishin në gjendje të përshtateshin lehtësisht me jetën atje, krahasuar me 51 % në vitin 2023.

U gjet e pajetë e lidhur pas pemës, detaje nga vdekja e shqiptares në Itali

Albinfo.ch para pak ditësh ka raportuar lidhur me hunbjen e jetës së shqiptares nga Italia.

Ndërkohë, detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë e ndodhur në Itali, ku 27-vjeçarja shqiptare Ermela Mahmutaj u gjet e pajetë, e lidhur pas një peme.

Sipas mediave italiane, 27-vjeçarja i kishte shkruar avokatit të saj mëngjesin e 28 prillit për të caktuar një takim në lidhje me ndarjen nga bashkëshorti i saj, me të cilin nuk kishte jetuar prej disa muajsh.

“A mund të takohemi në studio sot?”- ishte  mesazhi që Ermela i kishte dërguar herët në mëngjes avokatit të saj, i cili e kishte ndjekur atë dhe bashkëshortin e saj në procedurat e divorcit për njëfarë kohe.

Pasi mësoi se avokati ndodhej jashtë shtetit, Ermela këmbënguli që të mund të takonte të paktën një anëtar të firmës ligjore. Takimi ishte caktuar për pasdite, por 27-vjeçarja në atë firmë avokatie nuk u shfaq kurrë.

Ky është një nga elementët që ka dalë në pah në orët e fundit, i cili hedh hije të reja mbi hipotezën e vetëvrasjes. Përpjekja për të ndërmarrë veprime ligjore, dëshira për diskutim, kërkimi i një dialogu të strukturuar me referencat e veta profesionale dhe madje edhe nxitimi për të takuar një avokat duken të papajtueshme me një gjest kaq të dëshpëruar dhe të planifikuar.

Osmani do të hapë sot zyrtarisht Ambasadën e Kosovës në Malajzi

Hapja e ambasadës do të bëhet nga Presidentja Vjosa Osmani, e cila po qëndron atje për vizitë zyrtare, përcjell albinfo.ch.

Ky është cilësuar si hap i rëndësishëm për forcimin e pranisë diplomatike të vendit në rajonin e Azisë Juglindore.

“Presidentja Osmani, në prezencë të korit diplomatik dhe të ftuarve të tjerë, do ta hapë zyrtarisht Ambasadën e Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, një hap i rëndësishëm në forcimin e pranisë diplomatike të Kosovës në rajonin e Azisë Juglindore”, ka njoftuar dje Presidenca.

Për hapjen e ambasadës ka shkruar sot edhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Për këtë, ajo ia ka lënë meritat vetes:

“Një moment i veçantë dhe një tjetër hap i suksesshëm në angazhimin tonë për të forcuar lidhjet me vendet e Azisë Juglindore dhe për të zgjeruar praninë tonë diplomatike në një nga rajonet më dinamike dhe me zhvillim më të shpejtë në botë. Malajzia ka qenë një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës, dhe hapja e ambasadës sonë në zemër të Kuala Lumpurit është një dëshmi e përkushtimit të përbashkët dhe e punës intensive që kemi investuar me vite për të thelluar këtë miqësi të ndërtuar me respekt e mirëkuptim mes dy vendeve tona”, thuhet në postimin e saj.

Turisti amerikan në gjendje të dehur vret me thikë bashkëshorten në Shkodër

Raportohet se një vrasje me thikë ka ndodhur paraditen e sotme në lagjen Gjuhadol të qytetit të Shkodrës, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se një turist i huaj, dyshohet amerikan, ka vrarë me thikë gruan dhe më pas ka plagosur edhe veten. Burri është transportuar në spital.

Sipas policisë turisti ndodhej në gjendje të dehur kur ka kryer aktin e rëndë. Ai ka marrë dëmtime të lehta, në duar pasi tentoi t’i jepte fund jetës.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rreth orës 10:15, në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se është vrarë me mjet prerës, shtetasja amerikane, S. S.

Në banesë u gjet bashkëjetuesi i saj, shtetas amerikan, i cili dyshohet se është autori i vrasjes. Ky shtetas u shoqërua në spital për ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se është në gjendje të dehur dhe ka dëmtime të lehta, në duar, me mjete prerëse.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të rastit.

Presidentja e Kosovës pritet me nderime të larta në Malajzi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur me nderime të larta në Malajzi, përcjell albinfo.ch.

Osmani, në një postim në Facebook, ka ndarë fotografi nga ceremonia e pritjes atje:

“Pritja me nderime të larta shtetërore në Kompleksin Qeveritar Perdana Putra në Putrajaya, Malajzi. Faleminderit, Kryeministër Anwar Ibrahim, për mikpritjen!”, shkruan Osmani.

Prishtinë: Arrestohen dy persona, iu gjetën flamuj me mbishkrime arabe që përdoren nga organizata terroriste

Në raportin 24 orësh, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Prishtinë, pas komtrollimit në shtëpinë e dy të dyshuarve në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Si prova materiale janë sekuestruar disa pajisje elektronike, flamuj me mbishkrime arabe që përdoren nga organizata terroriste.

Organet e rendit njoftojnë se dy të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Nxitje e përçarjes dhe mos durimit” dhe pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.

Pse shqiptarët po japin kontribut të madh në klubet zvicerane?

Gazeta zvicerane “Sport” ka publikuar listën e 15 lojtarëve që kanë dhënë kontributin më të madh për skuadrat e tyre në elitën e futbollit helvetik. Tre prej tyre janë shqiptarë, përcjell albinfo.ch.

Tutje thuhet se Baseli, që është i pari në Superligën e Zvicrës me 61 pikë, aktualisht e ka sulmin më të mirë, me 72 gola të shënuar. 33-vjeçari Xherdan Shaqiri ka qenë i përfshirë direkt në 31 prej këtyre golave. Kontributi i tij është 43.1 për qind, për shkak të 14 golave dhe 17 asistimeve në 29 ndeshje.

Vendin e 12-të në këtë listë e zë reprezentuesi i Kosovës, Donat Rrudhani.

Rrudhani ka kontribut në 23 për qind të golave të shënuar për skuadrën e Luzernit, që zë vendin e katërt, me 51 pikë.

25-vjeçari Rrudhani ka nëntë gola e pesë asistime në 26 paraqitje në Superligë.

Bledian Krasniqi, që aktivizohet te Zurichu, ka pesë gola e po aq asistime në 29 ndeshje të luajtura në Superligë. Përfshirja e mesfushorit 23-vjeçar në 44 golat e Zurichut është 22.7 për qind.

Përkeqësohet liria e medias, Kosova radhitet 24 vende më poshtë nga viti i kaluar

Bëhet e ditur se Kosova ka shënuar rënien më të madhe në 15 vitet e fundit në Indeksin e Lirisë së Shtypit nga Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të nga 180 shtete, përcjell albinfo.ch.

Raporti thekson presionin politik ndaj mediave, bojkotet qeveritare dhe sulmet ndaj gazetarëve. AGK e ka cilësuar këtë renditje si alarmuese dhe pasojë e një klime armiqësore ndaj lirisë së medias.

Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Raporti gjeti se në Kosovë, Sllovaki, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi, mediat janë duke u përballur me krizë ekzistenciale për shkak të shkurtimeve buxhetore dhe kontrollit politik.

Verën e kaluar, me gjithë kritikat e mëdha, Kuvendi i Kosovës e miratoi një ligj për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili, veç tjerash, parashihte licencimin e mediave online, mbikëqyrjen e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Këtë javë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi këtë ligj, pasi gjeti se disa nene të ligjit nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Sa i përket ligjit për KPM-në – tashmë i shfuqizuar – nga Reporterët pa Kufij ai u cilësua si kundërthënës që “rrezikon edhe më tej të pengojë pavarësinë” e KPM-së.

Ndërkohë, në fillim të këtij viti, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, u kritikua për bojkotimin e mediave.

Në janar, organizata joqeveritare ndërkombëtare e vendore i kërkuan Vetëvendosjes të hiqte dorë nga bojkotimi i disa mediave të caktuara.

Vetëvendosje kishte thënë se nuk po bojkotonte mediat, por po “përjashtonte” tri kanale specifike dhe se një vendim i tillë “nuk cenonte peizazhin e pasur dhe të larmishëm mediatik të Kosovës”.

Ajo nuk përmendi emra, por në reagimet e mëhershme të organizatave mediatike thuhej se bëhej fjalë për disa nga televizionet e mëdha në vend, sikurse Klan Kosova, TV Dukagjini dhe T7.

“Para zgjedhjeve të përgjithshme, disa media private u bojkotuan nga Qeveria, e cila gjithashtu kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK. Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim sa i përket qasjes në informacione publike, veçmas në gjuhën e tyre”, u tha në raportin e Reporterëve pa Kufij.

Vetëm gjatë vitit 2024, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës i regjistroi 24 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve. Më 2023, numri ishte më i lartë, 53 raste të sulmeve apo kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Reporterët pa Kufij thanë se gazetarët shpesh janë cak i fyerjeve dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale. Ata, sipas raportit, “akuzohen padrejtësisht për ‘bashkëpunim me armikun’, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare”.

“Në vitet e fundit, shumë gazetarë kanë qenë subjekt i kërcënimeve dhe sulmeve fizike nga rrjete kriminale dhe po ashtu për shkak të tensioneve politike mes Prishtinës dhe Beogradit. Disa gazetarë kanë qenë cak i përgjimeve. Edhe pse sulmet hetohen nga policia dhe prokuroria, ato rrallë rezultojnë me ndjekje penale”, u tha në raport.

AGK: Rënie e re alarmuese e Kosovës në raportin e Reporterëve pa Kufij

Për këtë raport, ka shprehur shqetësime të mëdha edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

AGK është alarmuar nga kjo rënie të re, drastike të Kosovës në renditjen e re të Indeksit Vjetor të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufij.

“Nga vendi i 75 ku kishte zbritur vitin e kaluar, kjo organizatë për vitin 2025 e renditë Kosovën në vendin e 99, nga gjithsej 180 shtete, për të cilat e bën matjen. Raporti vë në pah se gazetarët në Kosovë janë shënjestër e vazhdueshme e sulmeve politike dhe quhen pa të drejtë “bashkëpunëtorë të armikut”. Gjithashtu, kritikohet miratimi i Ligjit për KPM-në që e politizonte këtë organ të pavarur”.

‘Edhe pse media ka qenë e suksesshme për të mbajtur politikanët përgjegjës, gazetarët kanë vazhduar të jenë target i sulmeve politike. Rregullatori medial joefektiv, Komisioni i Pavarur i Medieve (KPM), ishte subjekt i një reforme ligjore kundërthënesë, që rrezikon edhe më shumë ta pengojë pavarësinë e këtij organi. Para zgjedhjeve 2025, disa media prívate u targetuan për t’u bojkotuar nga qeveria, e cila gjithashtu e kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK. Edhe pse gazetarët gëzojnë besimin e shoqërisë, mediet e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë target shumë shpesh i fyerjeve dhe lajmeve të rrejshme në mediat sociale. Ata akuzohen pa të drejtë si “bashkëpunëtorë të armikut”, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe religjioze”, thotë raporti në pjesën kryesore.

Aty përmenden edhe shtimi i padive SLAPP kundër gazetarëve, vështirësitë për qasje në dokumente publike, vëzhgimi i gazetarëve dhe kërcënimet për sigurinë e tyre fizike.

AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulta për një dekadë, që prej vitit 2015. Megjithatë, e sheh si reflektim të një politike të vazhdueshme aktive armiqësore ndaj mediave, në dy vitet e fundit nga Qeveria e udhëhequr nga partia politike, Vetëvendosje.

AGK-ja i fton të gjithë akterët institucionalë e të shoqërisë civile për punë të përbashkët, duke përfshirë hartimin e një ligji të ri të KPM-së, në mënyrë që vendi të përmirësojë renditjen katastrofale në indeksin e lirisë së mediave.

Ndërkohë, Shqipëria renditet në vendin e 80-të, duke shënuar ngritje krahasuar me vitin 2024, kur u vlerësua me pozitën e 99-të.

Raporti gjeti se peizazhi mediatik në Shqipëri – ashtu si në Greqi e cila renditet e 89-ta – përshkruhet nga konfliktet e interesit.

Nga vendet e tjera të Ballkanit, Mali i Zi renditet më së miri, në vendin e 37-të, pastaj Maqedonia e Veriut në vendin e 42-të, Bosnje e Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-ta.

Raporti thekson gjithashtu se media të pavarura në Evropë dhe në Azinë Qendrore po përballen me një krizë ekonomike të paparë, e përkeqësuar nga ndalimi i menjëhershëm i ndihmës amerikane dhe ndikimi gjithnjë e më i madh i propagandës ruse.

Raporti përmend, ndër të tjera, edhe përpjekjet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për pezullimin e financimit të Radios Evropa e Lirë.

“Shkurtime të buxhetit gjatë administratës Trump – veçanërisht pezullimi i financimit për Radion Evropa e Lirë dhe Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar [USAID] – kanë dobësuar rëndë një sektor tashmë të brishtë, veçanërisht në vendet që përballen me regjime autoritare, korrupsion dhe luftë”, thuhet në raport.

Parmelin: Zvicra në politikën ndërkombëtare duhet të jetë e fokusuar vetëm në interesa

Pas një vizite disa­ditore në Washington, kreu i Departamentit Federal të Çështjeve Ekonomike, Guy Parmelin, ishte në Uashington javën e kaluar për të mbrojtur çështjen e kompanive zvicerane me administratën Trump, pasi presidenti amerikan fillimisht – dhe më pas ngriu – detyrimet e importit.

Së fundmi, ai ishte i intervistuar nga programi i RTS-së La Matinale; ai duket i kujdesshëm, por optimist. Për të bindur Shtetet e Bashkuara të ulin ose të heqin dorë nga tarifat doganore prej 31 % të shpallura në fillim të prillit kundër Zvicrës, Konfederata ka shumëfishuar kontaktet e saj. Por, pas tronditjes së njoftimit, fokusi tani është te dialogu dhe jo te negociatat formale. Me kthimin e tyre nga Uashingtoni, Karin Keller-Sutter dhe Guy Parmelin informuan pjesën tjetër të Këshillit Federal të mërkurën, i cili tani duhet të përcaktojë temat prioritare për një “deklaratë qëllimi” në mënyrë që të vazhdojë diskutimet.

Për Këshilltarin Federal përgjegjës për çështjet ekonomike, ky udhëtim në Amerikë doli i dobishëm. “Qëllimi ishte gjithashtu të kuptonim se çfarë donte administrata Trump. Na u desh të sqaronim disa pika dhe të identifikonim se cilët ishin bashkëbiseduesit thelbësorë. Për shembull, ne arritëm të biem dakord që të kishim një pikë-hyrjeje në Departamentin e Thesarit”, shpjegon ai në mikrofonin e RTS. “Në politikë, kur diskuton me partnerë, nuk ka kurrë miq; gjithmonë ka interesa”, vazhdon ai. “Por atmosfera ishte konstruktive, e këndshme dhe aspak agresive. Tani duhet të identifikojmë fushat e mundshme në të cilat mund të kërkojmë një marrëveshje. Kjo është tema e kësaj letre të famshme ‘qëllimi’. Disa aspekte ende duhen sqaruar.” Ndërsa tarifat prej 31 % janë pezulluar për momentin deri në fund të qershorit, dhe Zvicra “tatohet” me 10 % për eksportet e saj, Ministri i Ekonomisë deklaron objektivin e “kthimit në status-quo-në e mëparshme”. “Me këtë letër qëllimi, shpresojmë që afati i fundit të mos bjerë më 1 korrik. Kjo do të thotë se do të kemi gjetur një mënyrë për të diskutuar”, thotë ai, duke shtuar se norma prej 10 % është tashmë “jashtëzakonisht e rëndë” për kompanitë eksportuese.

Detyrat, biseda midis Keller-Sutter dhe Bessent – Bujqësia, një “temë për diskutim”
Sipas Guy Parmelin, qëllimi i Shtëpisë së Bardhë është të “trajtohet njësoj si të tjerët, si Bashkimi Evropian, që të mos ketë pengesa specifike për të tregtuar me ta”. Megjithatë, në disa sektorë, sfidat janë të vështira, pranon ai, veçanërisht në bujqësi. “Ne kemi tarifa të larta; ata e dinë këtë. Është një sektor strategjik i mbrojtjes kombëtare. Është një gjuhë që ata e kuptojnë.” Dhe nëse amerikanët nuk kanë “kërkuar posaçërisht të ulin taksat bujqësore”, Parmelin beson se kjo është një “temë e mundshme diskutimi” mbi të cilën do të jetë e nevojshme të “vlerësohet hapësira për manovrim”. Kjo ngre veçanërisht çështjen e derregullimit të mundshëm të mallrave që nuk prodhohen drejtpërdrejt në Zvicër.

Zgjatja e papunësisë së pjesshme
Këshilltari Federal i UDC-së dëshiron gjithashtu ta çojë gjuhën “dhëmb dhëmbi”: Zvicra nuk përfiton nga trajtimi preferencial nga Uashingtoni. “Ata thjesht vendosën që 15 vendet me të cilat kishin deficitin më të madh në bilancin e tyre tregtar ishin përparësi. Ne jemi në këtë grup të parë dhe kjo është një gjë e mirë” në perspektivën se situata do të përcaktohet sa më shpejt të jetë e mundur. Megjithatë, “aktualisht ne nuk po negociojmë zyrtarisht. Për të negociuar, na duhej një mandat nga Parlamenti”, specifikon Guy Parmelin. Gjithashtu siguron se, çfarëdo që të ndodhë, do të konsultohen komisionet parlamentare. Së fundmi, i pyetur për shqetësimet e botës së punës në Zvicër, Parmelin thotë se po e ndjek nga afër situatën me Sekretariatin Shtetëror për Çështjet Ekonomike. “Këshilli Federal shumë shpejt do ta zgjasë skemën e papunësisë së pjesshme, e cila përfundoi më 31 korrik, për 18 muaj. Këshilli Federal do të bëjë gjithçka të mundur për të zbutur tronditjen. Dhe, nëse situata përkeqësohet, është gjithmonë i gatshëm të analizojë masa të tjera.”

Sulmohet drejtori sportiv, Milosh Malenoviq nga tifozët e Cyrihut

Bëhet e ditur se tifozët e Cyrihut janë ende duke reaguar për mbetjen e skuadrës së tyre jashtë grupit ku luftohet për titull të kampionit. Dhe fajin për këtë ia lënë drejtorit sportiv, Milosh Malenoviq, që është me prejardhje nga Serbia, përcjell albinfo.ch.

Referuar statistikave, pas 33 xhirove të stinorit të rregullt, në Superligën e Zvicrës gjashtë skuadrat e para luftojnë për titull, ndërsa gjashtë tjerat për mbetje në elitë. Zurichu është në grupin e dytë dhe kjo po vlerësohet e papranueshme.

Përmes rrjeteve sociale kritikat e fyerjet ndaj Malenoviqit janë të shumta.

Blick ka shkruar se Malenoviq është sulmuar direkt edhe në stadiumin “Letzigrund”, fundjavën e kaluar. Kjo, sipas gazetës, ndodhi në ndeshjen e ekipit U21 të Zurichut ndaj Luzernit. Tifozët e kanë pritur keq praninë e Malenoviqit në stadium.

“Tifozët e sulmuan verbalisht dhe e fyen shumë drejtorin sportiv që ishte në tribuna. U desh të ndërhynte presidenti i Zurichut, Ancillo Canepa, për të qetësuar situatën”, ka shkruar “Blick”.

Malenoviq kritikohet për shumë vendime, ndër të tjera për mbetjen jashtë planeve të skuadrës së mbrojtësit Mirlind Kryeziu. Por ai e ka përkrahjen e drejtuesve të klubit.

Tirana në mesin e qyteteve më të lira dhe më me stil në Evropë për këtë verë

Escape, faqja online australiane ka zbuluar destinacionet më pak të njohura që ofrojnë stil, kulturë dhe përvoja të pasura – pa ju kushtuar shumë, përcjell albinfo.ch.

Pa dyshim se në Evropë, ia vlen të jeni strategjik. Ndërsa është e vështirë të gjeni oferta të lira në destinacione të mbipopulluara si Parisi apo Venecia, një pushim në disa qytete mund të jetë ende i përballueshëm.

Nga destinacione më pak të vizituara si Tirana, Riga apo Lille, deri te qytete që ofrojnë çmime shumë më të arsyeshme si Athina dhe Porto – këto janë zgjedhjet që ofrojnë maksimumin e kënaqësisë me minimumin e shpenzimeve, shkruan Escape, faqja online australiane dedikuar udhëtimeve dhe turizmit.

Kryeqyteti shqiptar renditet në vendin  dytë si një nga qytetet më të lira dhe më me stil në Evropë për këtë verë.

“Shqipëria po shndërrohet në destinacionin e radhës për pushime bregdetare në Evropë, dhe kryeqyteti i saj kompakt, Tirana, ofron vlera të shkëlqyera dhe atraksione interesante. Me një ndërthurje të arkitekturës osmane, sovjetike dhe moderne – përfshirë muzeun Bunk’Art 1, një bunker i Luftës së Ftohtë i shndërruar në hapësirë arti bashkëkohor – Tirana ka një horizont urban që të befasojnë.

Kur vjen puna te ushqimi, qyteti ofron shumë mundësi ekonomike: një vakt kushton rreth 20 dollarë, një gotë birrë rreth 4 dollarë, dhe skena e verës është në rritje – vera e kuqe Kallmet është një rekomandim i fortë. Një mbrëmje në baret e lagjes së njohur Blloku është gjithmonë argëtuese. Merrni teleferikun për në malin e Dajtit për pamje të mrekullueshme dhe bëni një ekskursion në Durrës, vetëm 40 km larg, në bregdetin me ujëra blu të Shqipërisë”.

Porto në Portugali kryeson listën.

“Në Portugali, paratë tuaja zgjasin më shumë se në Spanjë – dhe në Porto, edhe më tej.

Ky qytet mahnitës buzë lumit Douro është i lehtë për t’u eksploruar në këmbë, veçanërisht qendra historike e mbrojtur nga UNESCO, me rrugicat e saj plot jetë, bare dhe kafene.

Mund të bëni një udhëtim me varkë, të vizitoni tregun në qiell të hapur dhe të provoni verën e famshme Porto.

Ushqimi dhe pijet janë të përballueshme – një darkë e thjeshtë kushton rreth 18 dollarë, një birrë rreth 5 dollarë dhe ëmbëlsirat tradicionale portugeze me krem (pastéis de nata) vetëm 2 dollarë copa”.

3.Vilnius, Lituani
Një tjetër qytet që ka dalë nga e kaluara komuniste është kryeqyteti i Lituanisë, Vilniusi. I mbuluar me murale dhe art rrugësh, qyteti i vjetër është një përzierje e mrekullueshme mes historisë dhe atmosferës bohemiane.

Rrugicat me kalldrëm të rrethuara nga godina gotike, renesanciste dhe baroke ofrojnë një shëtitje të paharrueshme. Vizitoni edhe lagjen “Glass Quarter” dhe Kullën e Gediminas për pamje panoramike të qytetit.

Adhuruesit e kulturës do të gjejnë mjaft muze për të eksploruar, përfshirë hapësirën moderne të artit MO. Vilniusi ofron gjithashtu restorante plot gjallëri me çmime të arsyeshme – një birrë kushton rreth 8 dollarë dhe një vakt bazik nën 20 dollarë.

Provojeni supën freskuese me panxhar (chilled beetroot soup) dhe specialitetin lokal, cepelinai – petë me mish dhe patate.

4.Athinë, Greqi

Athina është ende një opsion më e mirë se qytetet e tjera të mëdha europiane, nëse shmangni verën kur vapa dhe çmimet rriten.

Gjatë sezonit të ndërmjetëm[i], turneu në vendet antike si Akropoli, Agora dhe Tempulli i Zeusit Olimpik është një kënaqësi e pakualifikuar.

Teleferiku deri në malin Lycabettus (rreth 20 dollarë kthim) ofron pamje të bujshme në majë.

Në zonat miqësore për këmbësorët si Monastiraki dhe Plaka, mund të porosisni një birrë për rreth 8 dollarë dhe një drekë të shpejtë për 25 dollarë – një suvlaki mund të kushtojë 10 dollarë.

5.Bukuresht, Rumani
Dikur i njohur si “Parisi i Lindjes”, Bukureshti ofron një përvojë urbane elegante me një kosto shumë më të ulët se kryeqyteti francez.

Qyteti është një përzierje bulevardesh të gjera dhe ndërtesash të stiluara – që nga kishat ortodokse dhe pallatet Art Nouveau, deri te arkitektura komuniste me elementë ekstravagantë.

Një ndalesë interesante është Casa Ceaușescu, ish-rezidenca e diktatorit Nicolae Ceaușescu, që të mahnit me luksi të tejskajshëm. Shëtisni nga kishat me afreske te furrat e bukës që shesin byrekë me djathë deleje.

Qyteti i Vjetër, Lipscani, gumëzhin nga jeta, me kafene dhe restorante të stilit Belle Époque ku mund të shijoni gatime të bollshme rumune për rreth 20 dollarë dhe një birrë për vetëm 5 dollarë.

6.Sofje, Bullgari
Një tjetër destinacion ende pak i njohur, Sofja ofron çmime të përballueshme dhe pasuri të mëdha kulturore.

E rrethuar nga male, kryeqyteti bullgar është një qytet kompakt dhe i përkryer për t’u eksploruar në këmbë.

Kjo ju lejon të shijoni më mirë arkitekturën mbresëlënëse, si Katedralja me kube të arta Alexander Nevsky, Pallati Mbretëror dhe rrënojat romake, të vendosura përballë ndërtesave brutaliste të epokës komuniste.

Bullgaria ka një traditë të pasur në ushqim dhe verë, dhe specialitetet vendase janë të lira – përfshirë byrekët me djathë banitsa dhe lakrat e mbushura me mish. Një gotë raki (pije tradicionale me bazë frutash) është gjithashtu një përvojë që ia vlen.

7.Lille, Francë

Nëse Parisi është Qyteti i Dritës, Lille është vendi ku mund të largoheni lehtë për sa i përket shpenzimeve.

Qyteti, në Francën veriore, ka të gjithë dhuntinë galike, ëmbëlsirat joshëse dhe rrugët me kalldrëm të kryeqytetit pa turmat e tij.

Vizitoni ndërtesa të shkëlqyera si Vieille Bourse, ish Bursa, shikoni koleksionin luksoz në Palais des Beaux-Arts dhe shëtisni rrugicave të qytetit të tij të bukur të vjetër, Vieux-Lille.

Një darkë e thjeshtë mund të kushtojë rreth 25 dollarë dhe një birrë 8 dollarë – ose të kombinoni djathin dhe birrë në një Uells au Maroilles.

8.Riga, Letoni
Perla e vërtetë e Letonisë, Riga është një bukuri baltike që ofron shumë edhe për udhëtarët me buxhet të kufizuar.

Qyteti kombinon mjeshtërisht qytetin e vjetër mesjetar, arkitekturën Art Nouveau dhe tregje plot gjallëri.

Godinat me stil përrallor janë të përsosura për Instagram, ndërsa restorantet e qytetit shërbejnë ushqime të shijshme dhe me çmime të arsyeshme – si petët e bëra në shtëpi dhe birrat artizanale.

Ndalesat kryesore përfshijnë katedralen mesjetare, galeritë dhe muzetë e shumtë, si dhe Riga Central Market, ku mund të gjeni edhe veshje të vjetra unike.

9.Budapest, Hungari
Kryeqyteti i Hungarisë është një qytet i ndarë në dy pjesë – Buda dhe Pest – të ndara nga lumi Danub, që së bashku formojnë një nga destinacionet më tërheqëse dhe me raportin më të mirë cilësi/çmim në Europë. Budapest është i pasur me muze, galeri, kafene dhe jetë nate që ofrojnë përvoja të shkëlqyera me kosto të përballueshme.

Vizitoni atraksionet më të njohura si Bazilika e Shën Stefanit, Kalaja e Budës dhe Ura e Zinxhirit. Bëni një udhëtim me varkë apo relaksohuni në një nga banjat termale ikonike të qytetit. Një nga mënyrat më të bukura për të eksploruar është me tramvaj përgjatë Danubit – një biletë 90-minutëshe kushton vetëm disa dollarë. Një darkë fillon nga 17 dollarë dhe një birrë nga 4 dollarë./ Escape/

A do të kthehet papati në duar të Italisë?

Pas një periudhe të gjatë dominimi të papëve italianë, Kisha Katolike përballet me një pyetje të madhe: A do të kthehet papati në duar të Italisë pas tre papëve të huaj radhazi? Historia e papëve italianë ka zgjatur për mbi 450 vjet, nga vdekja e hollandezit Adrian VI në vitin 1523 deri në zgjedhjen e papës polak, Ioan Pali II, në vitin 1978. Italianët kanë pasur kontroll të plotë mbi papatin për shumicën e historisë së Kishës, duke formuar rreth 80% të papëve që kanë udhëhequr Kishën Katolike.

Pas papës Ioan Pali II, papati kaloi në duar të papëve të huaj, duke filluar me Papa Benediktin, një gjerman, dhe më pas me Papa Françeskun, një argjentinas dhe i pari papë nga Amerika. Pas vdekjes së Papës Françesku më 21 prill 2025, kardinalët do të mblidhen në një konklavë më 7 maj për të zgjedhur papën e ri.

Një nga kandidatët kryesorë italianë është kardinali Pietro Parolin, i cili ka shërbyer si sekretar i Shtetit të Vatikanit për shumicën e papatit të Françeskut. Parolin, një diplomat veteran, ka shërbyer në ambasadat e Vatikanit nëpër botë dhe flet anglisht, frëngjisht, spanjisht dhe italisht, gjuhën e punës në Vatikan.

Përveç Parolit, emra të tjerë italianë që po përfliten janë kardinalët Matteo Zuppi, kryepeshkop i Bolonjës, dhe Pierbattista Pizzaballa, i cili është zyrtari kryesor katolik në Jerusalem. Me një grup të ndarë të kardinalëve italianë, ku përfshihen rreth 19 veta, konklava mund të jetë një proces i ndërlikuar. Pritet që 133 kardinalë të marrin pjesë në zgjedhjen e papës së ri, shkruan Reuters, përcjell albinfo.ch.

Pavarësisht nga emrat e mundshëm, një çështje e ndjeshme ka ngjallur debat. Kardinali italian Angelo Becciu, i cili u shkarkua nga Papa Françesku në 2020 dhe u dënua për shpërdorim të parave dhe mashtrim nga gjykata e Vatikanit, mund të ndikojë në dinamikën e konklavës. Ai ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në konklavë, për të shmangur ndikimin negativ për Kishën.

Në përfundim, edhe pse Italia ka ende një ndikim të madh në Vatikan dhe shumë nga kardinalët italianë kanë shërbyer jashtë shtetit, diskutimet dhe ndarjet brenda grupit italian mund të ndikojnë në mundësinë që Italia të kthehet sërish në papë pas një periudhe të gjatë me papë të huaj.

McDonald’s pëson rënie shitjesh për herë të parë pas pandemisë

McDonald’s (MCD.N) ka publikuar një rënie të papritur në shitjet globale për tremujorin e parë të vitit 2025, duke shfaqur ndikimin e pasigurisë ekonomike dhe tarifave të ndryshueshme që kanë shkaktuar një rënie të kërkesës nga konsumatorët në SHBA dhe Evropë. Kompania ka përjetuar një rënie të shërbimeve, pasi klientët me të ardhura të ulëta dhe mesatare janë reduktuar ndjeshëm, një tendencë që është rritur nga pasiguritë që kanë pasuar pas ndryshimeve të politikave tarifore.

Kryetari i kompanisë, Chris Kempczinski, theksoi se McDonald’s po kalon “në kushte të jashtëzakonshme tregu”, duke përmendur se vizitat nga konsumatorët me të ardhura të ulëta kanë rënë me shifra dyshifrore krahasuar me vitin e kaluar. Ky ndikim është pasqyruar edhe në sektorë të tjerë të industrisë, me operatorë restorantesh si Domino’s Pizza, Chipotle Mexican Grill dhe Starbucks që raportojnë gjithashtu një rënie të konsumit të jashtëm si pasojë e inflacionit dhe një pamjeje të zymtë të ekonomisë.

Këto ndryshime kanë ardhur pas lëvizjeve të administratës Trump që kanë shkaktuar pasiguri në treg dhe kanë pasur një ndikim të madh në çmimet e konsumit dhe zinxhirët e furnizimit. Sipas të dhënave të fundit, ekonomia e SHBA-së është kontraktuar për herë të parë në tre vjet gjatë tremujorit të parë, duke rritur mundësitë për një recesion gjatë vitit 2025.

Analistët e industrisë theksuan se konsumatorët më të varfër janë më të ndjeshëm ndaj inflacionit dhe shpesh janë ata që reduktojnë shpenzimet për ushqim jashtë shtëpisë si një masë kursimi. Pavarësisht nga këto vështirësi, McDonald’s ka mundur të ofrojë oferta të tilla si “mëngjesi për 5 dollarë”, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë vitit 2025, për të nxitur kërkesën, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, shitjet globale të McDonald’s ranë me 1% në tremujorin e parë, ndërsa analistët kishin parashikuar një rritje të vogël prej 0.95%. Në SHBA, tregu më i madh i kompanisë, shitjet ranë me 3.6%, një rënie më e madhe se ajo që pritej, duke shënuar rënien më të madhe që nga pandemia e vitit 2020.

Në anën tjetër, segmente të tjera të biznesit të McDonald’s, veçanërisht ato ku restorantet drejtohen nga partnerë lokalë, shënuan një rritje prej 3.5%, kryesisht për shkak të rikuperimit të shitjeve në Lindjen e Mesme dhe Japoni. Po ashtu, kërkesa në Lindjen e Mesme po rikuperohet pas bojkoteve të përhapura të ushqimeve perëndimore vitin e kaluar, të cilat ishin të lidhura me qëndrimet e pasigurta ndaj Izraelit gjatë konfliktit në Gaza.

Përkundër rënies së përgjithshme, McDonald’s ka arritur të fitojë 2.67 dollarë për aksion, një cent më shumë se parashikimet, duke treguar që përpjekjet për të menaxhuar kostot dhe për të ofruar vlera konkurruese mund të ndihmojnë në mbajtjen e stabilitetit në këtë periudhë të pasigurt.

Ekskluzive: OBSH mbështet përdorimin e ilaçeve për humbje peshe për të rriturit në nivel global

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) planifikon të mbështesë zyrtarisht përdorimin e ilaçeve për humbje peshe për trajtimin e obezitetit tek të rriturit për herë të parë, sipas një memorandumi të siguruat nga Reuters të enjten, duke shënuar një ndryshim në qasjen e saj ndaj trajtimit të këtij problemi global të shëndetit.

Agjencia e OKB-së gjithashtu ka kërkuar strategji për të përmirësuar aksesin në trajtim në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, transmeton albinfo.ch.

Më shumë se një miliard njerëz tani vuajnë nga obeziteti në mbarë botën, sipas OBSH-së, dhe rreth 70% e tyre jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, sipas një vlerësimi nga Banka Botërore.

Cilat janë ilaçet e njohura për trajtimin e obezitetit?

Ilaçet shumë të njohura për obezitetin – Wegovy, të zhvilluara nga Novo Nordisk dhe Zepbound nga Eli Lilly – janë njohur si agonistë të receptorëve GLP-1, të cilët imitojnë aktivitetin e një hormoni që ngadalëson tretjen dhe ndihmon njerëzit të ndihen të ngopur për një periudhë më të gjatë. Në provat klinike, njerëzit humbën 15% deri 20% të peshës së trupit, varësisht nga ilaçi.

Këto ilaçe janë lancuar në Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera me të ardhura të larta, si Gjermania dhe Britania.

Por ato mund të kushtojnë më shumë se 1,000 dollarë në muaj, dhe studimet sugjerojnë se njerëzit mund të duhet t’i marrin ilaçet për gjithë jetën për të mbajtur peshën poshtë.

Plani i OBSH-së dhe shqetësimet mbi kostot

“OBSH ka punuar mbi një set rekomandimesh të reja për parandalimin, kujdesin dhe trajtimin e obezitetit në grupe të ndryshme moshash – fëmijë, adoleshentë dhe të rritur, që nga viti 2022,” tha një përfaqësues i OBSH-së në një email. Rekomandimet për këto ilaçe, të cilat do të finalizohen deri në gusht ose shtator të këtij viti, do të përfshijnë “se si dhe kur mund të integrohet kjo kategori e medikamenteve si një komponent i një modeli trajtimi kronik që përfshin ndërhyrje klinike dhe të jetesës.”

Eli Lilly dhe Novo Nordisk nuk ishin menjëherë të disponueshëm për komente.

Shqyrtimi për përfshirjen në listën e ilaçeve thelbësore të OBSH-së

Përveç kësaj, ekspertët e OBSH-së do të mblidhen javën e ardhshme për të vendosur nëse do të përfshijnë ilaçet GLP-1 në listën e ilaçeve thelbësore të agjencisë – për trajtimin e obezitetit dhe diabetit tip 2.

Lista e ilaçeve thelbësore të OBSH-së është një katalog i ilaçeve që duhet të jenë të disponueshme në të gjitha sistemet shëndetësore funksionale dhe mund të ndihmojë në rritjen e aksesit të ilaçeve në vendet më të varfra, siç thonë ekspertët që ndodhi në vitin 2002 kur ilaçet për HIV u përfshinë.

Në vitin 2023, ekspertët vendosën të mos përfshijnë ilaçet për obezitetin në listë, duke thënë se nevojiten më shumë prova për përfitimin e tyre afatgjatë klinik.

Megjithatë, në memorandumin e ri që rekomandon përdorimin e ilaçeve, agjencia thotë se mbështet përfshirjen e tyre këtë herë në listën e ilaçeve thelbësore.

Megjithatë, OBSH ngre shqetësime mbi kostot e ilaçeve dhe kërkon studime afatgjata për efektivitetin e kostos “në të gjitha ambientet, duke përfshirë vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.”

“Përpjekjet që përdoren në programet masive të aksesit në mjekim mund të duhet të adoptohen,” thotë OBSH, duke përfshirë çmimin e shkallëzuar ose blerjen e përbashkët, përcjell albinfo.ch.

Por ajo gjithashtu thekson se përbërësi aktiv i njërit prej ilaçeve më të reja, semaglutidi – që përdoret në Wegovy të Novo – do të dalë nga patenti në disa tregje vitin e ardhshëm.

K several kompani planifikojnë të lansojnë versione më të lira të gjenerikëve të ilaçeve atëherë. Liraglutidi, përbërësi aktiv i ilaçeve të brezit të mëparshëm, është tashmë në dispozicion si një ilaç më i lartë në çmim, me produkte të miratuara në SHBA dhe Evropë, sipas memorandumit.

10 linjat ajrore më ndotëse në Evropë, kërkohet rishikimi i tregut të karbonit

Një raport i ri bën thirrje për zgjerimin e legjislacionit të BE-së për tregun e karbonit, duke theksuar se kjo mund të ulë ndjeshëm ndotjen nga aviacioni dhe të gjenerojë miliarda euro për tranzicionin e gjelbër.

Sipas një analize nga organizata Transport & Environment (T&E), fluturimet nga aeroportet evropiane në vitin 2024 arritën në 8.4 milionë, duke gjeneruar 187.6 milionë ton CO₂ – shifër që përbën 98% të niveleve të ndotjes para pandemisë, transmeton albinfo.ch

Megjithatë, për shkak të përjashtimeve të shumta në sistemin aktual të tregtimit të emetimeve, linjat ajrore kanë paguar vetëm për 30% të ndotjes që shkaktuan.

Linjat ajrore më ndotëse në Evropë për 2024

Vetëm 10 kompani ajrore ishin përgjegjëse për 40% të të gjitha emetimeve të aviacionit në Evropë vitin e kaluar:

1. Ryanair – 16.2 Mt CO₂

2. Lufthansa – 10 Mt CO₂

3. British Airways – 8.9 Mt CO₂

4. Air France – 8.2 Mt CO₂ (ulje 1% nga 2023)

5. easyJet

6. Emirates

7. KLM

8. Wizz Air

9. Iberia – rritja më e madhe me 10%

10. United Airlines

Raporti vëren gjithashtu se linjat ajrore me kosto të ulët vazhdojnë të zgjerojnë aktivitetin në tregun evropian, shpesh duke konkurruar me kompanitë kombëtare.

Rrugët ajrore më ndotëse

Rrugët ndërkontinentale janë më ndotëset, por nuk përfshihen në skemën aktuale të BE-së. Rrugët me më shumë emetime për fluturimet në largim nga Evropa në 2024 ishin:

Londër – Nju Jork: 1.4 Mt CO₂

Londër – Dubai: 1.2 Mt

Londër – Singapor: 1.1 Mt

Frankfurt – Shanghai: 0.8 Mt

Ndërsa rruga Barcelona – Londër, një nga të vetmet që përfshihet në skemën e BE-së, gjeneroi vetëm 0.15 Mt CO₂, duke u renditur e 135-ta.

Çfarë kërkohet nga BE-ja?

T&E kërkon që BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar të zgjerojnë sistemin e tyre të tregtimit të karbonit për të përfshirë të gjitha fluturimet në largim nga Evropa. Sipas organizatës, kjo do të kishte gjeneruar 7.5 miliardë euro shtesë vetëm në vitin 2024, fonde që mund të përdoreshin për zhvillimin e teknologjive të gjelbra si karburantet e qëndrueshme dhe avionët elektrikë.

Megjithatë, përballë këtij propozimi qëndrojnë drejtuesit e disa prej linjave ajrore më të mëdha, përfshirë Ryanair dhe Air France, të cilët po i bëjnë presion BE-së për të dobësuar rregullat ekzistuese të çmimit të karbonit.

Aeroporti i Stambollit më i ngarkuari në Evropë

Sipas të dhënave të publikuara nga EUROCONTROL, Aeroporti i Stambollit është shpallur si më i ngarkuari në Evropë për periudhën 21–27 prill, me një mesatare mbresëlënëse prej 1,482 fluturimesh në ditë, përcjell albinfo.ch.

Ky vëllim i lartë i lëvizjeve ajrore përfaqëson një rritje prej 4% krahasuar me vitin e kaluar dhe një kapërcim prej 24% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në listën e ngushtë të ndjekësve, renditen aeroportet kryesore si Amsterdam Schiphol (1,419 fluturime), Londra Heathrow (1,357), Parisi Charles de Gaulle (1,344) dhe Frankfurti (1,314).

Një ndër arsyet e këtij suksesi është edhe investimi strategjik i bërë më 17 prill, kur Aeroporti i Stambollit nisi operimin e njëkohshëm në tri pista – duke u bërë i pari i këtij lloji në Evropë dhe i dyti në botë, pas SHBA-së.

Gjatë vitit 2024, ky aeroport mirëpriti rreth 80 milionë pasagjerë, duke e konsoliduar statusin e tij si më i madhi në kontinent. Por jo vetëm për pasagjerët – edhe për ngarkesat ajrore, Aeroporti i Stambollit u pozicionua si qendra më e rëndësishme në Evropë, sipas të dhënave të ACI Europe.

Mbrojtja e Krasniqit: Prokuroria po synon dënimin e ish-krerëve të UÇK-së

Avokatja e Jakup Krasniqit ka reaguar ndaj qëndrimit të Prokurorisë së Hagës për vazhdimin e paraburgimit, duke e quajtur këtë një paralajmërim të dënimit të ish-krerëve të UÇK-së. Sipas saj, pas përfundimit të dëshmive dhe dorëzimit të provave, nuk ka më arsye për ndalim të mëtejmë.

Ajo argumenton se paraburgimi i gjatë bie ndesh me prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat e njeriut, duke e quajtur atë një dënim të heshtur. Gjithashtu, përmend sfidat shëndetësore dhe personale të Krasniqit, i cili tashmë është 74 vjeç dhe ka qëndruar në paraburgim për katër vjet e gjysmë, transmeton albinfo.ch.

Mbrojtja ka propozuar shtatë masa të sigurta për mundësinë e lirimit me arrest shtëpiak. Qëndrim të ngjashëm kanë mbajtur edhe ekipet mbrojtëse të Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, duke kritikuar Prokurorinë se po abuzon me të drejtën për ndalim, pa pasur fakte për rrezik arratisjeje apo ndikim në proces.