Dardanët vazhdojnë përgatitjet për dy miqësoret, flasin Raçi dhe Rrudhani

Kosova ka zhvilluar sot stërvitjen e tretë në kuadër të përgatitjeve për dy ndeshjet miqësore të muajit qershor kundër Armenisë dhe Komoreve.

Edhe kjo seancë është mbajtur në Kampin Nacional në Hajvali dhe është karakterizuar me intensitet të lartë dhe përkushtim maksimal nga të gjithë futbollistët, transmeton albinfo.ch.

Përzgjedhësi Franco Foda kishte në dispozicion të gjithë futbollistët, përfshirë edhe ata që munguan në seancat paraprake, dhe ka vazhduar të punojë me ekipin në ndërtimin e filozofisë së lojës që do të aplikohet në këto dy miqësore. Stafi teknik është përqendruar në aspektet taktike dhe organizimin e lojës në të dy fazat, si në mbrojtje edhe sulm.

Pas përfundimit të stërvitjes, futbollisti Ron Raçi, i cili për herë të parë është ftuar nga Foda u shpreh i lumtur që është pjesë e Kombëtares së Kosovës.

“Jam mjaft i lumtur. Ta përfaqësosh vendin tënd është një ndjenjë shumë e mirë dhe jam krenar që jam në mesin e këtyre djemve. Do ta jap maksimumin për Kombëtaren e Kosovës. Jam duke u munduar të përshtatem me ekipin dhe taktikat e trajnerit. Stërvitjet që po i bëjmë janë me intensitet mjaft të lartë dhe shpresoj të jap më të mirën nga vetja. Të dyja miqësoret që na presin duhet t’i fitojmë, në mënyrë që të jemi më të motivuar për kualifikimet e Botërorit që na presin nga shtatori”, tha Raçi.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Donat Rrudhani, i cili theksoi rëndësinë e këtyre dy përballjeve si pjesë e përgatitjeve për ciklin kualifikues të Botërorit.

“E dimë që janë dy miqësore shumë të rëndësishme dhe duhet t’u qasemi me shumë seriozitet, duke u përgatitur maksimalisht si individë, por edhe si grup. Lojtarët e rinj i kemi pritur shumë mirë dhe besoj që janë ambientuar. Shpresoj që edhe ata do të tregojnë potencialin e tyre në këto miqësore”, tha ai.

Kosova do të përballet me Armeninë më 6 qershor dhe me Komoret më 9 qershor, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me të dyja ndeshjet që nisin në orën 19:00. Këto sfida do të shërbejnë si test i rëndësishëm për Dardanët, në prag të nisjes së kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, ku janë në grup me Zvicrën, Suedinë dhe Slloveninë.

Seanca e radhës stërvitore është paraparë të mbahet të mërkurën, në orën 17:00, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Kosovë: Arrestohen 22 persona për trafik narkotikësh dhe krim kibernetik

Një operacion i gjerë policor i koduar “Qielli i Thyer” ka rezultuar me arrestimin e 22 personave të dyshuar për përfshirje në trafik ndërkombëtar të narkotikëve dhe krim kibernetik. Aksioni u zhvillua të martën në rajonet e Prishtinës, Pejës, Prizrenit dhe Gjilanit, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), raporton albinfo.ch.

Policia dhe Prokuroria kanë bërë të ditur se gjatë operacionit janë bastisur gjithsej 47 lokacione, ku janë sekuestruar sasi të konsiderueshme të provave materiale. Në mesin e tyre përfshihen lëndë narkotike, 129 vetura, 134.900 euro para të gatshme, 20.040 franga zvicerane, 490 dollarë amerikanë, 13.000 euro para false, 9 orë dore luksoze, 36 armë të ndryshme zjarri, 1.569 fishekë, 1.292 copë municione, një prerëse për paketim të heroinës dhe kokainës, si dhe pajisje elektronike si laptopë, telefona dhe USB.

Po ashtu, autoritetet kanë ngrirë mjete financiare në llogari bankare në vlerë prej 500.000 eurosh dhe kanë vënë nën urdhër ndalues pasuri të paluajtshme që i përkasin të dyshuarve.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet ndërkombëtare, përfshirë ato të Belgjikës, Francës, Holandës dhe Europol-it, të cilat kanë kontribuar në shkëmbimin e të dhënave dhe koordinimin ndërkombëtar të hetimeve. Operacioni është drejtuar nga një prokuror i PSRK-së, i cili ishte i pranishëm gjatë zbatimit të urdhrave të kontrollit.

“Ky është rezultat i një hetimi të gjatë kundër grupeve të krimit të organizuar që kanë qenë të përfshirë në trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve, pastrimin e parave dhe forma të tjera të krimit të organizuar. Prokurorët dhe hetuesit kanë punuar në mënyrë të vazhdueshme për shkatërrimin e këtij grupi kriminal,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës, raporton albinfo.ch.

Kosova demonstron gatishmërinë për NATO përmes ushtrimit “Defender Europe 2025”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë deklaruar se pjesëmarrja dhe organizimi i ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe 2025” në territorin e Kosovës është dëshmi e qartë e gatishmërisë së vendit për anëtarësim në NATO, raporton albinfo.ch.

Gjatë vizitës së tyre në zonën stërvitore në Babaj të Bokës, Osmani theksoi se Kosova është e përgatitur të kontribuojë në misione ndërkombëtare, në cilësinë e një shteti të barabartë dhe anëtar të NATO-s.

“Jemi të gatshëm jo vetëm të kontribuojmë në operacione të tilla, por njëkohësisht të jemi shtet i barabartë dhe shtet anëtar i NATO-s. Dua t’i falënderoj gjeneralët e SHBA-së që janë jo vetëm sot, por që janë një kohë të gjatë me ushtarët tanë në trajnime e përgatitje”, deklaroi presidentja Osmani.

Ajo e cilësoi ushtrimin “Defender 25” si një dëshmi të fuqishme të aleancës së qëndrueshme mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ky ushtrim ndërkombëtar konfirmon aftësinë operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe vullnetin për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale.

 

“Në këtë rast konkretisht, Republika e Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, bashkë me ne, kemi arritur të tregojmë dhe demonstrojmë fuqinë tonë për veprueshmërinë që e kemi me NATO-n. Në këtë mënyrë e forcojmë kauzën tonë se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është vetëm për dobi të vendit tonë, por edhe për kontributin që jemi në gjendje të japim”, u shpreh Kurti.

Ai njoftoi gjithashtu se në këtë ushtrim kanë marrë pjesë 29 shtete, ndërsa për zhvillimin e tij janë shpronësuar rreth 4000 hektarë tokë, të cilat tashmë janë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.

“Defender Europe 2025” konsiderohet si një ndër stërvitjet më të mëdha ushtarake të mbajtura ndonjëherë në Kosovë, duke përforcuar pozitën e vendit në partneritetin me aleatët ndërkombëtarë dhe duke theksuar aspiratat e saj për integrim të plotë në strukturat euroatlantike, transmeton albinfo.ch.

Panairi i 25-të i librit “Prishtina 2025”

Kryengjarja e librit në Kosovë, Panairi mbarëkombëtar i librit “Prishtina 2025” mbahet më 11-15 qershor 2025, përcjell albinfo.ch.

Me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri” vjen edicioni i 25-të i Panairit të librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, mbështetur nga Ministria e Kulturës.

Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 9:00-21:00, ndërsa do të mbyllet më 15 qershor në orën 19:00.

Marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.

Numri i titujve të rinj: rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit: rreth 6000.

Përvjetorët që shënohen në Panairin e 25-të të librit janë:

– 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt

– 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës

– 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës

– 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit

Mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair, ku spikasin:

Panairin pritet ta vizitojnë rreth 30000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate. Do të ketë të ftuar specialë, shkrimtarë nga Franca, etj.

Tarifat amerikane do të kenë efekt destabilizues për vitin 2026 në ekonominë zvicerane

Në fakt, parashikime pozitive për ekonominë e Zvicrës do të ketë në vitin 2025, mirëpo për vitin 2026 nuk do të jenë aq pozitive, përcjell albinfo.ch.

Ekonomistët e UBS parashikojnë një rritje të PBB-së zvicerane prej 1.3 për qind në vitin 2025  nga 1 për qind.

Megjithatë, ata janë më pesimistë për vitin 2026, për shkak të kërcënimit të tarifave amerikane dhe efektit të tyre destabilizues në ekonomi.

“Në tremujorët e ardhshëm, tarifat amerikane pritet të kenë një ndikim negativ në eksporte dhe për këtë arsye PBB pritet të ngecë”, thanë ekonomistët.

Si pasojë, rritja e PBB-së pritet të ngadalësohet në rreth 1 për qind.

Në Gjenevë, trafiku po “shndërrohet në një makth”, thonë banorët

Ndërsa kantieret e ndërtimit po shumohen në të gjithë qytetin, rrugët e Gjenevës janë vazhdimisht të mbingarkuara, me banorët dhe bizneset lokale që ankohen për këtë “situatë të padurueshme”, sipas raportit të transmetuesit publik RTS, përcjell albinfo.ch.

Dhe ky problem nuk do të zgjidhet së shpejti, sepse projekti më i madh nga Shërbimet Industriale të Gjenevës (SIG), për të instaluar një sistem të ri ngrohjeje, pritet të zgjasë të paktën deri në vitin 2045.

“Duhet të presim vite të vështira përpara”, tha politikani i Gjenevës, Pierre Maudet.

Megjithatë, ai shtoi se mbingarkesa mund të lehtësohet të paktën pjesërisht nga një koordinim më i mirë i kantiereve të ndërtimit, si dhe nga rritja e përdorimit të përbashkët të makinave nga banorët.

Pse kanë shumë aksidente tramvajët në Cyrih?

Aksidentet që përfshijnë tramvajet janë një dukuri e rregullt në trafikun e qytetit të Cyrihut, përcjell albinfo.ch.

Ato jo vetëm që përplasen me automjete të tjera, por edhe përplasen me njëri-tjetrin, me pasoja ndonjëherë tragjike.

Vetëm në vitin 2024, gjashtë persona vdiqën në aksidente që përfshijnë tramvaje.

Një nga arsyet, sipas dëshmitarëve okularë të cituar në media, është se “shpejtësia me të cilën tramvajet gjarpërojnë nëpër trafikun tashmë të dendur të qytetit është shumë e lartë”.

Zyrtarët, megjithatë, e mohojnë këtë pretendim.

“Ne po vëzhgojmë gjithnjë e më shumë se si trafiku i përditshëm po bëhet gjithnjë e më kaotik”, thanë kompania e transportit të Cyrihut VBZ dhe autoritetet komunale në një deklaratë të përbashkët.

Kjo do të thotë që tramvajet duhet të ndajnë “hapësirën e kufizuar të trafikut me forma të tjera të lëvizshmërisë”.

Një faktor tjetër: e drejta e kalimit të tramvajit “shpesh injorohet” nga automjetet e tjera. Kjo është e rrezikshme, sepse tramvajet “kanë një distancë frenimi tre herë më të gjatë se një makinë”.

Tregu i zi “mbushet” me bileta për Shqipëri – Serbi

FSHF-ja ka njoftuar të martën se deri të mërkurën nuk do të shpërndahen të gjitha biletat për ndeshjen e së shtunës Shqipëri – Serbi, përcjell albinfo.ch.

 

Por Federata Shqiptare e Futbollit tashmë ka shpërndarë një pjesë të biletave dhe procesi po vazhdon.

Ndërkohë në tregun e zi, përkatësisht në faqe të ndryshme të shitblerjes në internet, tashmë ofrohen bileta për ndeshjen.

Çmimi i këtyre biletave është prej qindra eurove.

Interesimi për ndeshjen e së shtunës është shumë i madh, sidomos në Kosovë.

Nati mbërrin në SHBA, gati për dy ndeshjet testuese

Ekipi i trajnerit Murat Yakin do të qëndrojë në Salt Lake City për një javë dhe do të përballet me Meksikën të shtunën (ora 22:00 sipas kohës zvicerane). ” Të gjithë lojtarët janë këtu dhe shumë të motivuar. Atmosfera është shumë e mirë. Nuk na është dashur të bindnim askënd për të marrë pjesë në këtë turne “, tha Yakin në një konferencë për shtyp gjatë fluturimit nga Cyrihu në Salt Lake City, raporton SRF, transmeton albinfo.ch.

Delegacioni zviceran zbarkoi në Salt Lake City në orën 17:00, ose 1:00 të mëngjesit sipas kohës zvicerane, të martën. Ekipi do të stërvitet në kampusin e Universitetit të Utah të martën përpara se të përballet me Meksikën në stadiumin Rice-Eccles të Universitetit.

“Jemi të lumtur që arritëm të organizojmë një udhëtim të tillë. Nuk ndodh çdo ditë që luajmë kundër Meksikës dhe SHBA-së”, tha Yakin.

Ndeshja kundër SHBA-së do të zhvillohet të martën e ardhshme në Nashville, Tennessee. Ky turne eksplorues, një vit para Kupës së Botës në kontinentin e Amerikës së Veriut, u bë i mundur nga fakti që Zvicra nuk i fillon kualifikimet e Kupës së Botës deri në shtator. Kundërshtarët e tyre do të jenë Kosova, Suedia dhe Sllovenia.

“Këto dy ndeshje miqësore janë shumë motivuese. Është gjithashtu një mundësi për lojtarët që të njihen me atmosferën dhe stadiumet, si dhe të nxisin oreksin e tyre për t’u rikthyer në Kupën e Botës vitin e ardhshëm”, shtoi Yakin.

Trajneri i kombëtares mund të mbështetet te pothuajse të gjithë lojtarët e tij kryesorë. Mungon vetëm Ruben Vargas. Sulmuesi duhej të humbiste udhëtimin për në SHBA për shkak të një dëmtimi në kofshë.

“Harmonia brenda ekipit është e shkëlqyer, mund ta shihni. Jam jashtëzakonisht i lumtur që të gjithë janë të përfshirë”, tha Yakin.

https://www.srf.ch/sport/fussball/nationalmannschaft/vor-den-zwei-testspielen-nati-in-den-usa-angekommen-das-soll-lust-auf-wm-wecken

 

 

Besa Shahini ka shpallur kandidaturën e saj për kryetare të Prishtinës

Shahini e cila është pjesë e Partisë Socialdemokrate, ka njoftuar zyrtarisht për kandidimin e saj në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vjeshtë, përcjell albinfo.ch.

“Një përpjekje e re, për Prishtinën që e dua fort. Para katër viteve jam kthyer të jetoj nga Tirana në një qytet që ka potencial të jashtëzakonshëm, por që ka marrë një kahje të gabuar në zhvillim e vet. Është një qytet krejtësisht i mbuluar me beton, pa hapësira të mjaftueshme të gjelbërta, kryesisht i papastër”, ka pohuar Shahini.

Sipas saj, Prishtinës i duhet një ndryshim radikal në kahun e zhvillimit.

“Ju ftoj të më bashkoheni që keni sadopak energji në përpjekjen për ndryshim”, ka thënë Shahini në një videoadresim.

Më parë, Besa shërbeu si ministre dhe zëvendësministre në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë në Republikën e Shqipërisë.

Po ashtu, Besa fokusoi kërkimin dhe avokimin e saj në çështjet e arsimit dhe integrimit në BE në Ballkanin Perëndimor dhe Kaukazin Jugor.

SHBA-ja dënon kosovarin me 10 vjet burgim për këtë arsye

Bëhet e ditur se një gjykatë federale në Uashington e ka dënuar me 10 vjet burgim kosovarin me shtetësi amerikane, Lirim Sylejmani, pasi është trajnuar ushtarakisht me organizatën terroriste (ISIS) dhe për përfshirje në grup të armatosur kundër forcave të koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja, përcjell albinfo.ch.

Gjykata ka njoftuar se Sylejmani, i njohur si Abu Sulayman al-Kosovi, ishte deklaruar fajtor në dhjetorin e 2024-s për pjesëmarrje në trajnime ushtarake.

Gjykatësi Rudolph Contreras ka thënë se pos dënimit me burgim, Sylejmani pas përfundimit të dënimit do të përcillet nga autoritetet amerikane.

Siç ka njoftuar gjykata amerikane, nga nëntori i 2015-s deri në shkurtin e 2019-s, Sylejmani ishte trajnuar nga ISIS-i në Siri, derisa në 2019 ishte kapur nga Forcat Demokratike Siriane. Ai kishte udhëtuar për në Siri me familjen e tij, ku e kishte ndërruar emrin.

Sylejmani kishte kryer trajnime mbi përdorimin e pushkëve automatike dhe përdorimin e granatave. Në majin e 2016-s, sipas gjykatës, ishte dërguar në vijën e parë të frontit.

Kosovë: Goditet rrjeti i drogës dhe krimeve kibernetike

Së fundmi, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në koordinim me Prokurorinë Speciale, është duke zhvilluar një aksion në gjithë vendin, ku cak janë personat e përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, përcjell albinfo.ch.

Nga Policia është konfirmuar se operacioni u krye në tri rajone, ku janë bastisur një numër i konsiderueshëm lokacionesh kundër trafikimit me narkotikë dhe krimeve kibernetike.

“Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, ku për informacione shtesë mund të informoheni pas përfundimit dhe kompletimit të operacionit.”

Siç mëson ekskluzivisht Klankosova.tv, deri më tani janë arrestuar 10 persona, ndërsa në pranga pritet të përfundojnë edhe të dyshuar të tjerë që ishin objekt i hetimit.

Njoftimi nga FSHF për biletat e ndeshjes Shqipëri-Serbi

Federata Shqiptare e Futbollit informon të gjithë tifozët dhe publikun e interesuar se procesi i shortit elektronik për përzgjedhjen e atyre që kanë fituar të drejtën për të blerë bileta për ndeshjen Shqipëri-Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, do të vijojë deri më datat 3-4 qershor.

Kjo zgjatje është bërë e domosdoshme për shkak të numrit shumë të lartë të aplikimeve të regjistruara në sistem dhe ngarkesës së platformës, çka e bën të nevojshëm një proces më të kujdesshëm, transparent dhe të drejtë për të gjithë aplikuesit, njofton FSHF, transmeton albinfo.ch.

Procesi i shpërndarjes së biletave ka nisur, dhe një pjesë e aplikuesve që janë përzgjedhur si fitues nga shorti elektronik janë tashmë pajisur me bileta përmes platformës së dedikuar.

FSHF i bën thirrje të gjithë personave që kanë aplikuar për bileta të kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme adresat e tyre të emailit (si në Inbox ashtu edhe në Spam), për të parë nëse kanë marrë njoftim nga kompania T-Ticket, e cila menaxhon procesin zyrtar të shitjes së biletave.

Vetëm ata që do të përzgjidhen përmes shortit elektronik do të marrin një link të personalizuar për blerjen e biletave.

Nëse pas datës 4 qershor nuk merrni një email konfirmimi, kjo do të thotë që nuk jeni përzgjedhur nga shorti elektronik. Nuk do të dërgohet njoftim për ata që nuk janë përzgjedhur.

FSHF falënderon të gjithë tifozët për interesin dhe durimin, duke garantuar se çdo hap i këtij procesi po realizohet me transparencë të plotë dhe barazi për të gjithë aplikuesit.

Rritja e çmimeve të vezëve në Evropë: Turqia e para, Shqipëria e pesta

Shqipëria u rendit e pesta në mesin e 41 vendeve të Evropës për rritjen e madhe të çmimeve të qumështit, djathit dhe vezëve më 2024, sipas të dhënave të reja të Eurostat, të azhurnuara këto ditë për ndryshimet vjetore të çmimeve në Evropë.

Në krye të listës qëndron Turqia, me një rritje të çmimeve të qumështit, djathit dhe vezëve prej 38.6%.

Turqia, tre vitet e fundit, po përjeton një hiperinflacion që vjen i kombinuar nga problemet strukturore të ekonomisë turke dhe politikës monetare, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.

Pas saj vijnë Malta me rritje 6.7%, Norvegjia me 5.9% dhe Islanda 4%. Shqipëria ndjek këtë renditje me një rritje prej 3.9%, duke e tejkaluar ndjeshëm mesataren e BE-së dhe të rajonit.

Islanda dhe Malta janë vende ishullore me kapacitete të ulëta prodhimi dhe kosto të larta të transportit, teksa Shqipëria nuk është e krahasueshme me këto vende.

Rritjet më të lehta të bulmetrave dhe vezëve u vunë re në vende si Portugalia me 1.8%, Maqedonia e Veriut me 1.8%, Serbia me 1.5% dhe Mali i Zi me 1.1%. Ndonëse presionet inflacioniste po zbuten në shumë ekonomi evropiane, Shqipëria ende përballet me sfida që e bëjnë tregun e ushqimeve ndër më të shtrenjtët në Evropë.

Ndërkohë, shumë vende të Bashkimit Evropian kanë përjetuar ulje të çmimeve për këtë grup produktesh, veçanërisht Çekia me -6%, Hungaria -4.4%, Finlanda -2.4% dhe Gjermania -1.7%.

Zona euro në tërësi ka shënuar një rënie mesatare vjetore prej -0.4% deri në -0.5% të çmimeve të bulmetit dhe vezëve më 2024, duke reflektuar stabilizim ose lehtësim të presionit të çmimeve, pas rritjeve të ndjeshme në vitet e mëparshme, pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë.

Rritja me 3.9% e çmimeve për produktet bazë në vendin tonë, si qumështi, djathi dhe vezët, është pasojë e kostove të larta të prodhimit dhe importit, si dhe mungesës së subvencioneve të qëndrueshme për bujqësinë.

Numri i kafshëve në ferma është përgjysmuar dekadën e fundit, duke ulur ofertën në treg, teksa nga ana tjetër, ardhja e turistëve ka rritur kërkesën për bulmet dhe vezë në muaj të caktuar, duke ndikuar më tej në rritjen e çmimeve.

Në një kohë kur vendet e BE-së po përfitojnë nga stabilizimi i tregjeve dhe reduktimi i çmimeve bazë, Shqipëria vijon të përjetojë rritje që ndikon drejtpërdrejt në kostot e jetesës, veçanërisht për shtresat në nevojë.

Me një popullsi në plakje, me ulje të popullsisë në fshat, me mungesë të theksuar të subvencioneve për bujqësinë dhe me kontrolle joeficiente në zinxhirin e furnizimit, Shqipëria rrezikon të vijojë trendin rritës të çmimeve edhe në të ardhmen.

Stërvitja e parë e kuqezinjve para ndeshjes me Serbinë

Kombëtarja shqiptare ka nisur zyrtarisht përgatitjet në kuadër të ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin Botëror 2026 ndaj Serbisë dhe Letonisë.

Dje, ekipi i drejtuar nga trajneri Silvinjo mbajti seancën e parë stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, ku u vëzhgua gjendja fizike e lojtarëve dhe u provuan skema të ndryshme taktike.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ekipi u stërvit i plotë me të gjithë lojtarët që kanë mbërritur në Shqipëri.

Seanca stërvitore e radhës do të zhvillohet sot pasdite dhe do të jetë e hapur për 15 minutat e para për mediat.

Osmani fton partitë për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale

Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar subjektet politike për takim të mërkurën, më 4 qershor, për konsultime për të caktuar datën e zgjedhjeve lokale, përcjell albinfo.ch.

Lajmi u bë i ditur nga këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina. Ai ka thënë se menjëherë pas konsultimeve, presidentja do ta caktojë datën e zgjedhjeve.

“Në bazë të kompetencave kushtetuese, Presidentja Osmani ka ftuar subjektet politike në takim të mërkurën, më 4 qershor 2025, për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve lokale. Menjeherë pas konsultimeve, Presidentja do të caktojë datën e zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Zgjedhjet e shkuara lokale ishin mbajtur në tetor të vitit 2021.

Marta Kos: Rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes dialogut e jo hapave të njëanshëm

Në një deklaratë, komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka thënë të martën në një debat në Komisionin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian se Komisioni është i gatshëm të përpilojë mendimin për kërkesën e anëtarësimit të Kosovës në BE kur Këshilli të kërkojë një gjë të tillë. Por ka nënvizuar nevojën që Kosova të formojë sa më shpejtë institucionet e saja dhe të ketë parasysh se përparimi drejt BE-së lidhet me dialogun me Serbinë, përcjell albinfo.ch.

“Në Kosovë, pas zgjedhjeve të shkurtit, është esenciale që shpejt të formohen institucionet dhe të lëvizet përpara me reformat kyçe në drejtësi, media dhe administratën publike. Një qeveri funksionale dhe një Kuvend janë të domosdoshëm në mënyrë që Kosova të përfitojë nga plani i reformave dhe rritjes”, ka thënë kjo komisionere e BE-së.”

“Komisioni mbetet i gatshëm të përgatisë mendimin për anëtarësimin e Kosovës në BE kur të marrë një kërkesë të tillë nga Këshilli. Por, më lejoni të jem e qartë, rruga e Kosovës drejt BE-së shkon përmes normalizimit të raporteve me Beogradin e jo përmes veprimeve në njëanshme”, ka thënë Kos.

Kosova qysh në dhjetor të vitit 2022 kishte dorëzuar formalisht kërkesën për anëtarësim në BE, por ajo kërkesë asnjëherë nuk është shqyrtuar nga ana e Këshillit. Sipas procedurave në BE, vendet anëtare në Këshill duhet të mandatojnë Komisionin Evropian për të përpiluar mendimin nëse Kosova i përmbush apo jo kushtet për status kandidati. Pastaj vendimet në bazë të atij mendimi i merr Këshilli duke vepruar njëzëri nga të gjitha vendet anëtare. Dhe këtu është pengesa kryesore për Kosovën pasi akoma nuk njihet nga 5 vendet anëtare.

Disa vende anëtare thonë se përparimi në dialog me Serbinë do t’i ndihmonte Kosovës që të lëvizte nga pozicioni që ka në procesin e zgjerimit.

Kosova është i vetmi vend në Evropë i cili ka kërkuar anëtarësim në BE dhe nuk ka status kandidati.

Danina Rexhepi për të dytin vit radhazi shpallet Kampione e Ballkanit në grupmoshën e saj

Karateistja e re nga Prishtina, Danina Rexhepi është shpallur kampione ballkanike në garat e mbajtura në Stamboll në kategorinë deri në 54 kilogramë, transmeton albinfo.ch.

Danina Rexhepi është një tjetër sportiste luftarake që ka nisur shkëlqimin në ‘tapetet’ evropiane.

Ajo shkëlqeu në Kampionatin Ballkanit apo “Balkan Championships For Children”, që u mbajt në Tivar, Mali i Zi nga data 29 maj deri më 1 qershor.

Në një konkurrencën të fortë, Rexhepi u shpall kampione ballkanike në këtë turne të madh në kategorinë deri në 54kg.

Kosova mori pjesë me 60 sportist (meshkuj dhe femra) në disiplinat Kata dhe Kumite në mesin e 13 shteteve pjesëmarrëse me 1895 garues.

Garuesit kosovarë i sollën Kosovës 6 medalje dhe shumë plasmane.

1. Danina Rexhepi- 🥇Kumite Female -54kg, për herë të dytë radhazi 🇽🇰

2. Shkëmb Malokaj – 🥈Kumite Male  -55kg

3. Amar Daku – 🥉Kumite Male -40kg

4. Yll Selimi -🥉Kumite Male -55kg

5. Leart Sadiku -🥉 Kumite Male +52kg

6. Reina Rama-🥉Kumite Female -35kg

Erin Makolli -Vendi i 5-të Male Kumite -50kg

Art Tmava-Vendi i 5-të Male Kumite -45kg

Ylli Malokaj – Vendi 5-të Male Kumite -50kg

Studentët e arkitekturës së UP-së fitojnë vendin e parë në “Inspireli Awards”

Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin “Hasan Prishtina”, ka njoftuar se studentët e këtij departamenti kanë arritur që ta fitojnë vendin e parë ditë më parë në edicionin e 9-të të Inspireli Awards, konkursit ndërkombëtar më prestigjioz për studentë të arkitekturës dhe dizajnit, përcjell albinfo.ch.

“Projekti “Sustainable Village  ECOUNITY”, i realizuar nga Sibora Ramadani, Eron Shala, Bleranda Hykosmoni dhe Albina Zenunaj, nën mentorimin e Prof. Asst. Rozafa Basha, ka bërë që Fakulteti i Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës të renditet në Top 10 në botë  një arritje e jashtëzakonshme dhe historike për institucionin tonë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, ata patën mundësi që të marrin pjesë në hapjen solemne të Muzeut të Schindler-it  një ngjarje me rëndësi të thellë historike dhe kulturore, që përfaqëson kujtesën, humanizmin dhe fuqinë e brezit të ri për të ndikuar pozitivisht në shoqëri. /Albinfo.ch

Mira Murati, krijuesja e Chat Gbt, Open AI dhe Thinking Machines Lab, peshon 5 milionë dollarë

Shqiptarja nga Vlora, Mira Murati qe krijoi aplikacionin CHATGPT dhe ndryshoi botën, tani peshon 5 milionë dollarë, transmeton albinfo.ch.

Mira Murati, pas punës në ChatGbt dhe Open AI, ka themeluar një kompani misterioze, Thinking Machines Lab.

Murati po përpiqet të sigurojë mbi 100 milionë dollarë financim për startup-in e saj, megjithëse kjo shumë ende nuk është finalizuar.

Murati u largua nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare për të studiuar në Kanada dhe më pas u diplomua për inxhinieri në Kolegjin Dartmouth në SHBA. Ajo e filloi karrierën e saj në Tesla, në zhvillimin e Model X, dhe në vitin 2018 u transferua në OpenAI

Mira Murati, e lindur më 16 dhjetor 1988 në Vlorë të Shqipërisë, konsiderohet si një nga femrat më të fuqishme në botën e teknologjisë. Si ish-zyrtare kryesore e teknologjisë e OpenAI, ajo ishte një figurë kyçe në zhvillimin e mjeteve më të famshme të AI sot: ChatGPT, DALL-E dhe GPT-4.

Sot, pasuria e saj vlerësohet në 5 milionë dollarë, dhe startup-i i saj i ri tashmë vlen 9 miliardë dollarë.

Vlera Hasani pas studimeve në Britani, Paris, Kanada dhe SHBA, merr edhe një vlersim tjetër

Platforma mediale Albinfo.ch ju sjell një tjetër profil suksesi në fushën akademike nga diaspora.

Bëhet fjalë për Vlera Hasanin, shqiptarja nga Kosova e cila pas studimeve në Kanada,SHBA, Oksford dhe Paris, së fundmi është dekoruar edhe me titullin “Summa Cum Laude” në Middlebury College.

Ajo ka arritur të diplomohet me këtë titull në bazë të rezultateve (notave) me 10-A pas studimeve në disa Institucione prestigjioze të përmendura si më lartë.

Në fakt kjo është dëshmi e një rruge të ndërtuar me pasion dhe ekselencë drejt dijës dhe profesionalitetit. /Albinfo.ch

Valon Behrami kthehet në Angli në rolin e drejtorit sportiv

Pas tetë vjetësh, rrugët e Valon Behramit dhe Watfordit do të kryqëzohen sërish, përcjell albinfo.ch.

Ai nuk do të jetë në Premier League, siç ishte në kohën si lojtar, por në Championship.

40-vjeçari do të jetë drejtor i ri sportiv i Watfordit, ka raportuar gazetari italian ¡ “DAZN”, Horace Accomando.

Siç është bërë e ditur, bisedimet janë drejt perfundimit.

Klubi anglez perfundoi sezonin në një pozitë zhgënjyese. Perfundoi në pozitën e 14-të, ndersa për herë të fundit në Premier League ishte në edicionin 2021/2022.

Për ish-mesfushorin e Zvicrës, do të ishte roli i parë si drejtues që nga pensionimi i tij nga futbolli aktiv në verën e vitit 2022.

Behrami ka bërë karrierë te madhe si futbollist.

Për Watfordin luajti nga viti 2015 deri në vitin 2017. Ka luajtur edhe për klube te ndryshme në Itali, Gjermani dhe Zvicër./Albinfo.ch