Turizmi në Kosovë: Zviceranët dhe gjermanët në krye të listës

Bëhet e ditur se në mars të këtij viti, Kosova regjistroi një rritje të dukshme të numrit të vizitorëve në hotele, me 40.239 vizitorë, një rritje prej 2.2% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), prej këtyre vizitorëve, 37.4% ishin vendorë, ndërsa 62.5% ishin të huaj, duke theksuar një prirje të vazhdueshme të rritjes së turizmit ndërkombëtar në vend, përcjell albinfo.ch.

Në total, numri i net-qëndrimeve në hotele ka arritur në 84.462, me 39.7% të këtyre qëndrimeve nga vizitorët vendorë dhe 60.2% nga të huajt. Kjo ndihmon në formimin e një panorame më të qartë për sektorin e turizmit në vend, duke demonstruar një preferencë të fortë të vizitorëve ndërkombëtarë për destinacionet kosovare.

Për sa i përket rajoneve, Prishtina është përfaqësuar më së shumti nga vizitorët e brendshëm, me 4.931 vizitorë, ndërkohë që rajoni i Pejës është përparuar më shumë në numrin e net-qëndrimeve, duke arritur në 14.562 net-qëndrime. Ky fenomen reflekton një ndarje të qartë mes preferencave të brendshme dhe atyre të huaja për hotelet e Kosovës.

Vizitorët e jashtëm: Shqipëria, Turqia, Gjermania dhe Zvicra në krye të listës

Vizitorët ndërkombëtarë kanë pasur një rritje të ndjeshme prej 4.7% krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Në këtë grup, Kosova ka tërhequr 25.173 vizitorë të huaj, me numrin më të madh të ardhur nga Shqipëria, Turqia, Gjermania dhe Zvicra, duke theksuar lidhjet e ngushta kulturore dhe ekonomike me këto shtete.

Raporti i ASK-së vë theksin në një periudhë të suksesshme për turizmin kosovar, duke treguar një zhvillim të qëndrueshëm në sektorin e mikpritjes dhe një rritje të interesit ndërkombëtar për destinacionet e Kosovës. /Albinfo.ch

Gjenevë: Anjeza Maqani diplomon me dy tituj në Universitetin Webster

Anjeza Maqani nga Prishtina ka arritur një sukses akademik duke u diplomuar me rezultate të larta në Universitetin WEBSTER në Gjenevë, një nga institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Ajo ka përfunduar me sukses dy drejtime studimi paralelisht dhe ka marrë dy tituj akademikë në drejtimin “Science in Business Administration” dhe “Arts in Business Management”.

Universiteti Webster Geneva, i themeluar në vitin 1978, përfaqëson një model unik të arsimit amerikan në zemër të Evropës, duke kombinuar qasjen ndërdisiplinare dhe globale me cilësinë dhe standardin e lartë që ofron Zvicra si një nga vendet më të përparuara në arsim.

Kjo arritje e Anjezës është jo vetëm dëshmi e përkushtimit të saj akademik, por edhe frymëzim për të rinjtë shqiptarë që synojnë edukimin ndërkombëtar dhe suksesin profesional në arenën globale. /Albinfo.ch

Apple pritet të rrisë çmimet për iPhone, modelet e reja mund të kushtojnë më shumë

Apple po shqyrton rritjen e çmimeve për linjën e re të iPhone që do të prezantohet këtë vjeshtë, raportoi Wall Street Journal. Megjithatë, kompania do të shmangë lidhjen e kësaj rritjeje me tarifat amerikane ndaj produkteve të importuara nga Kina, vendi ku prodhohet pjesa më e madhe e pajisjeve të saj.

Sipas burimeve, edhe pse SHBA dhe Kina kanë rënë dakord për një ulje të përkohshme të tarifave, një taksë prej 30% ende aplikohet për shumë produkte. Apple është ndër kompanitë më të prekura nga këto zhvillime tregtare.

Rritja e çmimit mund të shërbejë si një mënyrë për të përballuar koston shtesë, ndërkohë që Apple po zhvendos një pjesë të prodhimit në Indi. Vetë kompania nuk ka komentuar publikisht mbi këto raporte, por më herët ka paralajmëruar se tarifat mund t’i kushtojnë rreth 900 milionë dollarë në tremujorin prill-qershor, transmeton albinfo.ch.

Sipas parashikimeve nga Rosenblatt Securities, çmimi i modelit bazë iPhone 16 mund të rritet deri në 1,142 dollarë, nga 799 dollarë që është aktualisht. Apple thuhet se planifikon të prezantojë ndryshime të rëndësishme në dizajn, përfshirë një trup më të hollë, që mund të ndihmojë në justifikimin e çmimit më të lartë.

Megjithatë, analistët paralajmërojnë se ngritja e çmimit mund të ndikojë negativisht në shitje, veçanërisht përballë konkurrencës së fortë nga Samsung dhe marka të tjera që po përqendrohen te veçoritë e inteligjencës artificiale.

Kosovë: Testimi i urës së Ibrit raportohet se do të bëhet nga ekspertë të BE-së

Një ekip i ekspertëve të Bashkimit Evropian pritet të vijë në Kosovë për të bërë matje, testime dhe inspektime të urës së Ibrit në Mitrovicë.

Lajmin e ka konfirmuar për Klan Kosovën një burim i afërt me misionin e Unionit në Kosovë. Ekipi pritet të nisë punën te ura e Ibrit diku kah mesi i majit.

Ata pritet të kryejnë inspektime për të parë nëse ura është mjaftueshëm stabile në çdo aspekt, përfshirë përballjen me ujëra të shtuara e të rrëmbyeshme.

Po ashtu, ekspertët do të testojnë edhe strukturat përreth urës.

Ky inspektim jo domosdoshmërisht nënkupton që ura mund të hapet edhe për kalim të automjeteve.

Matje e inspektime këtu janë bërë edhe vitin e kaluar nga autoritetet e qeverisë shtetërore në Kosovë.

Ekspozita “Gjergji në Art”, nderim artistik për 620-vjetorin e lindjes së Skënderbeut

Albinfo.ch është sponsor medial i ekspozitës “Gjergji në Art”. Në nder të 620-vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Shoqata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Zvicër organizon ekspozitën artistike “Gjergji në Art”, një ngjarje që bashkon historinë, artin dhe ndjenjën e identitetit shqiptar në një përjetim të rrallë kulturor. Albinfo.ch mbështet me krenari këtë aktivitet si sponsor medial, duke qëndruar afër nismave që forcojnë vetëdijen kombëtare përmes artit.

Ekspozita do të mbahet të dielën, më 18 maj 2025, në Grampenweg 5, 8180 Bülach, me pritjen e mysafirëve që fillon në ora 11:00, ndërsa programi artistik nis në ora 13:00.
Hyrja është e lirë dhe kontributet financiare mbeten sipas dëshirës së pjesëmarrësve.

Ngjarja do të prezantojë një përzgjedhje të pasur veprash nga artistë shqiptarë: piktura, skulptura, grafikë, vizatime dhe fotografi, të gjitha të frymëzuara nga figura dhe trashëgimia madhështore e Skënderbeut.

“Me këtë ekspozitë dëshirojmë të nderojmë jo vetëm historinë, por edhe krijimtarinë shqiptare si dëshmi e gjallë e lidhjes tonë me rrënjët”, deklaron Agim Pepaj, organizator dhe kryetar i shoqatës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

Shoqata “Gjergj Kastrioti” fton të gjithë artdashësit, shqiptarët në Zvicër dhe miqtë e kulturës të marrin pjesë në këtë ngjarje të rrallë për të ndarë bashkë një moment reflektimi, krenarie dhe frymëzimi artistik kombëtar.


neoFILMS publikon teaser-in e “Minibeast” – një animacion magjik, drejt skenës globale

Studioja e njohur kosovare neoFILMS ka prezantuar teaser-in e parë për filmin e saj të dytë të metrazhit të gjatë animuar, “Minibeast”. Me një buxhet prej 10 milionë euro, ky projekt i realizuar me teknologjinë më të fundit CGI sjell në ekran një botë të mbushur me aventurë, magji dhe sfida kozmike.

Filmi rrëfen historinë e Minibeast, një dhelpre e re që niset për të shpëtuar prindërit e tij të rrëmbyer nga një univers tjetër. Udhëtimi e çon përmes shtatë botëve të panjohura, ku përballet me krijesa misterioze dhe sekrete të lashta.

“Minibeast” Prishtinë, 2025 neoFILMS, Shtepia Filmike e njohur për prodhimin e animacioneve të avancuara CGI, ka prezantuar teaser-in e parë për filmin e ardhshëm “Minibeast”, një projekt ambicioz me buxhet prej 10 milionë eurosh, që pritet të shfaqet së shpejti në skenën ndërkombëtare të filmit. Dy projekte gjigande në zhvillim Aktualisht, neoFILMS po punon në dy projekte të metrazhit të gjatë animacioni, “ZHAK” dhe “Minibeast”, të dyja të krijuara në teknologjinë më të fundit të animacionit full CGI. “ZHAK”, me një buxhet prej rreth 20 milionë euro, është në fazën përfundimtare dhe pritet të lançohet së shpejti.

Ndërsa “Minibeast”, me një buxhet prej 10 milionë euro, është projektuar për të sjellë në ekran një botë të pasur me aventura, magji dhe mistere. Të dy projektet do të prezantohen këtë vit në një nga ngjarjet më prestigjioze të industrisë filmike, Marketine Festivalit të Filmit në Cannes, Francë, duke sinjalizuar përgatitjen për shfaqje në mbarë botën, me premiera në Los Angeles.

Sinopsisi i shkurtër për “Minibeast”

Kur prindërit e tij rrëmbehen nga krijesa të çuditshme nga një univers tjetër, Minibeast, një dhelpër e guximshme dhe aventuriere, duhet të ndjekë gjurmët e prindërve të tij përmes shtatë universesh të panjohura, secili më i çuditshëm dhe më sfidues se tjetri. Me ndihmën e një rrote magjike të ndërtuar dikur nga prindërit e tij. Minibeast përballet me krijesa të frikshme, sekrete të lashta dhe sfida të pabesueshme, ndërsa kërkon të zbulojë të vërtetën dhe të shpëtojë familjen e tij.

Krijimi dhe vizioni i neoFILMS Filmat “ZHAK” dhe “Minibeast” janë konceptuar dhe realizuar nga Dalip Gashi dhe Ilirjana Bejta, të dy bashkëskenaristë dhe bashkëregjisorë, të cilët kanë sjellë në jetë dy histori unike me potencial të jashtëzakonshëm për tregun ndërkombëtar.

Rreth neoFILMS

neoFILMS është një studio inovative me bazë në Prishtinë, e specializuar në krijimin e filmave të animuar full CGI dhe efekteve vizuale. Me një fokus të veçantë në teknologjinë më të fundit dhe tregjet ndërkombëtare, neoFILMS ka ngritur reputacionin e saj si një nga studiot më premtuese në industrinë e animacionit në Kosovë dhe më gjerë. Me projekte filmike të metrazhit të gjatë si “ZHAK” dhe “Minibeast”, studio synon të sjellë zërin dhe vizionin e krijuesve nga Kosova në skenën globale të filmit.

Teaserin mund ta gjeni këtu: https://www.youtube.com/watch?v=neOzikPwfkc

 

Koha e ndarjes falas të llogarive po merr fund

Një epokë që për shumëkënd ishte sinonim i komoditetit dhe kursimit po shkon drejt përfundimit. Praktika e ndarjes së fjalëkalimeve për platformat e transmetimit, e cila për vite me radhë ka qenë një rrugë e hapur drejt përmbajtjes falas për miq dhe familjarë, tani po goditet me masa të reja kufizuese. Dhe rezultatet po ndihen.

Në Shtetet e Bashkuara, platformat kryesore kanë nisur një ofensivë të koordinuar për të ndaluar këtë dukuri. Disney ka shënuar sukses të papritur në tremujorin e parë të vitit 2025, duke shtuar 2.5 milionë abonentë të rinj në Disney+ dhe Hulu. Ky sukses, sipas CEO-s Bob Iger, i atribuohet futjes së modelit “ndarje me pagesë”, që lejon përdoruesit të paguajnë një tarifë mujore shtesë prej 6.50 deri në 9.30 euro për t’i dhënë akses edhe personave jashtë familjes.

Netflix, si gjithmonë një hap përpara, ishte pionieri i këtij modeli. Dhe, pavarësisht ankesave fillestare nga përdoruesit, kompania përfitoi ndjeshëm, duke shënuar rritje historike të abonimeve.

Warner Bros. Discovery ndoqi shembullin në fund të prillit, duke e aplikuar këtë politikë në platformën Max, ndërsa NBCUniversal po forcon rregullat në Peacock, me sinjale të qarta se kufizimet do të zbatohen gjithnjë e më shumë.

Disa, si Paramount, Amazon dhe Apple, ende hezitojnë të ndërmarrin hapa të tillë, por peizazhi i tregut tregon qartë se ndryshimet janë çështje kohe.

Megjithatë, jo gjithçka është lajm i keq për konsumatorët. Për të shmangur humbjen e audiencës, platformat po ofrojnë alternativa më të lira me reklama, të cilat po fitojnë gjithnjë e më shumë popullaritet, madje edhe në mesin e përdoruesve që më parë nuk pranonin të paguanin.

Një kapitull po mbyllet dhe një tjetër po hapet në mënyrën se si konsumojmë përmbajtje digjitale. Dhe, si gjithmonë, përdoruesit janë ata që duhet të përshtaten.

Shqipëri: Nga 70% e votave të numêruara PS prin bindshëm duke thelluar fitoren me 82 mandate

Numërimi i votave në Shqipëri po hyn në fazën e tij përmbyllëse. Deri në pasditen e sotme janë përpunuar 3704 nga 5225 qendra votimi, që përfaqësojnë rreth 70% të totalit. Të dhënat paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe projeksionet e deritanishme japin një tablo të qartë të rezultatit.

Partia Socialiste e Shqipërisë vijon të udhëheqë me një rezultat të thellë: 52.49% e votave të vlefshme në rang kombëtar, që përkthehet në mbi gjysmë milioni vota, konkretisht 506 129.

Në vend të dytë qëndron Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM), me 34.11% të votave ose 328 932 vota të fituara deri në këtë pikë të numërimit. Diferenca e konsiderueshme nga PS-ja e pozicionon koalicionin si forca kryesore opozitare, përcjell albinfo.ch.

Partia Socialdemokrate (PSD) mban vendin e tretë me 3.62% të votave, përkatësisht 34 931. Fare pranë, në vendin e katërt, renditet Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” me 3.53% ose 34 066 vota.

Partia Mundësia ka grumbulluar 2.87% të votave (27 716 vota), ndërsa Lëvizja Bashkë ka marrë 1.33% (12 855 vota) dhe Koalicioni Euroatlantik (KEA) ka siguruar 1.24% (12 001 vota). Subjektet e tjera politike ndodhen nën kufirin 1%.

Sa i takon ndarjes së mandateve në Kuvendin e ardhshëm, PS projektohet të sigurojë 82 mandate, duke siguruar shumicën për të qeverisur e vetme. Koalicioni PD-ASHM pritet të ketë 52 mandate.

Nga 6 mandatet e mbetura, tre shkojnë për PSD-në, ndërsa nga një pritet të fitojnë Partia Mundësia, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë.

Abuzim me azilin për përfitim në shërbimet shëndetësore në Zvicër, nis fushatë informuese

Duke dorëzuar kërkesa të rreme për azil, 26 shtetas gjeorgjianë kanë tentuar të përfitojnë nga shërbimet mjekësore, si trajtime dentare. Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) kishte raportuar raste të abuzimit që në vitin 2024, të gjitha nga shtetas gjeorgjianë. Sipas SEM, këto raste shkaktuan një kosto prej 10 000 frangash për person, transmeton albinfo.ch.

Rreth një vit më parë pati reagime të forta në politikën zvicerane. Arsyeja: raste mashtrimi në sistemin e azilit. Persona kishin dorëzuar kërkesa të pashpresa për të përfituar trajtime shëndetësore, si ato dentare apo për terapitë e kancerit, dhe të gjitha kërkesat vinin nga qytetarë gjeorgjianë.

Vetëm në vitin 2024 u regjistruan rreth një duzinë rastesh, ndërsa tani SEM raporton 26 raste. Kostoja mesatare për person ka qenë mbi 10 000 franga. Ambasada e Gjeorgjisë në Bernë ka komentuar për herë të parë pas një kërkese nga portali 20 Minuten.

Kërkesat për azil dhe shëndetësia si çështje kyçe

“Kërkesat për azil të lidhura me trajtimet mjekësore janë ndër çështjet më të rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe mes Gjeorgjisë dhe Zvicrës,” deklaron Ekaterine Dadiani, zëdhënëse e Ambasadës. Ata tashmë bashkëpunojnë ngushtë me qeverinë zvicerane.

Politikanët zviceranë kërkojnë masa

Kërkesat për azil që kanë për qëllim vetëm përfitimin e trajtimeve shëndetësore duhet të parandalohen në mënyrë më efikase. Këtë e kërkoi së fundmi edhe deputetja Jaqueline de Quattro në një mocion parlamentar. Ajo kërkon që qeveria federale të marrë masa kombëtare dhe ndërkombëtare për të ndalur abuzimet. Propozimi i saj u mbështet nga Këshilli Federal dhe u miratua javën e kaluar nga Këshilli Kombëtar me 128 vota pro dhe 62 kundër.

Që nga viti 2022 ekziston një marrëveshje partneriteti migracioni mes dy vendeve, e cila fokusohet edhe në aspektet shëndetësore.

Kthime në bazë të shkëmbimit të informacionit

Në kuadër të partneritetit janë zhvilluar takime të shumta ekspertësh dhe përfaqësuesish të të dy vendeve. Autoritetet përkatëse po bashkëpunojnë ngushtë për kthimin me dinjitet të kërkesave të refuzuara për azil. Mes viteve 2024 dhe 2025, 200 shtetas gjeorgjianë janë kthyer në këtë mënyrë, sipas Dadianit.

Fushatë informimi për të ngritur vetëdijen

Si pjesë e marrëveshjes, planifikohet një takim i ekspertëve në Gjeorgji vitin e ardhshëm. “Si masë parandaluese, planifikojmë një fushatë informuese me Zvicrën për të sqaruar pritshmëritë e pashpresa ndaj kujdesit mjekësor në Zvicër.” Njëkohësisht do të promovohet vetëdija për kujdesin mjekësor në Gjeorgji dhe mundësitë ekzistuese atje.

Ambasada e Gjeorgjisë shpreh besim

Sipas ambasadës, njohja e Gjeorgjisë si një “vend i sigurt” në vitin 2019 ka çuar në një ulje të ndjeshme të kërkesave për azil. Në vitet e fundit, asnjë shtetas gjeorgjian nuk ka marrë azil në Zvicër. “Këto janë shifra që tregojnë rezultatet e bashkëpunimit tonë të ngushtë me Zvicrën dhe ne mbetemi të përkushtuar për të ardhmen.”

Premtimi i Trump për uljen e çmimeve të barnave trondit aksionet farmaceutike zvicerane

Aksionet në sektorin farmaceutik kanë rënë ndjeshëm në të gjithë botën për shkak të shqetësimeve mbi fitimprurjen në tregun amerikan. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shpallur planet për të ulur çmimet e barnave me recetë në SHBA, duke vënë kështu në shënjestër të gjithë industrinë farmaceutike.

Trump njoftoi në platformën e tij online Truth Social se do të nënshkruajë një nga “urdhrat më me ndikim” në historinë e SHBA-së, që synon uljen e çmimeve të barnave, shumë prej të cilave janë tejet të shtrenjta. Ai kishte paralajmëruar një njoftim “tronditës” edhe javën e kaluar dhe mediat amerikane kishin spekuluar se do të kishte të bënte me çmimet e ilaçeve, transmeton albinfo.ch.

Ky njoftim ka ndikuar menjëherë në tregjet financiare ndërkombëtare, ku aksionet farmaceutike pësuan rënie. Në tregjet evropiane të së hënës, Sanofi dhe Novo Nordisk pësuan humbje gati 6%. Aksionet e AstraZeneca dhe GSK ranë deri në 4% në Londër. Në Cyrih, Roche dhe Novartis humbën deri në 3%, ndërsa Pfizer ra me 2.3% në tregtimin para hapjes në New York.

Trump dëshiron të detyrojë kompanitë farmaceutike të pranojnë çmime që janë të krahasueshme ndërkombëtarisht. Ai e sheh vendin e tij në disavantazh për shkak të çmimeve të larta. Në SHBA nuk ekziston një rregullim qendror i çmimeve për të gjitha barnat dhe industria farmaceutike ka një ndikim shumë të madh në përcaktimin e çmimeve. Ndikimi qeveritar është i kufizuar. Kjo shpesh sjell çmime tejet të larta në krahasim me vendet e tjera.

“Bota pyet pse barnat me recetë janë shumë më të shtrenjta në SHBA sesa në vendet e tjera, edhe pse prodhohen në të njëjtin laborator nga e njëjta kompani”, shkroi Trump. Ai premtoi se çmimet e barnave në SHBA do të ulen me 30 deri në 80% “pothuajse menjëherë”.

Presidentja e Kosovës nderohet në Austri me “Çmimin për Evropën”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet në Austri në kuadër të një vizite zyrtare, ku sot është nderuar me “Çmimin për Evropën” nga Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi.

Ky çmim prestigjioz vlerëson kontributin e saj të qëndrueshëm për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe përkushtimin ndaj rrugës euroatlantike të Kosovës.

Në të kaluarën këtë çmim e kanë marrë edhe figura të njohura ndërkombëtare si presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, presidenti amerikan Ronald Reagan dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, transmeton albinfo.ch.

Sipas fondacionit, Osmani u zgjodh për rolin e saj kyç në avancimin e vlerave evropiane në Kosovë dhe ndërtimin e marrëdhënieve të ngushta me partnerët ndërkombëtarë.

NZZ: Edi Rama, ky “jokonformist” i përjetshëm dhe dritëhijet e tij

Zgjedhjet parlamentare të mbajtura dje në Shqipëri dhe fitorja e pritshme e PS-së së Edi Ramës nuk ka kaluar pa u komentuar nga mediat nëgjuhën gjermane. Në shumicën e lajmeve dhe komenteve flitet për arritjen e mandatit të katërt të partisë si për një fakt të mirëqenë dhe që i faturohet kryesisht kryetarit të saj, Edi Ramës, shkruan albinfo.ch. Në këtë kontekst, krahas suksesit evident, nënvizohet edhe karakteri me tendenca autoritarizmi, i Ramës si dhe dritëhijet e portretit të tij, që bien në pah me praktikat klienteliste dhe në raport me korrupsionin në vend,

Gazeta e madhe zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) i kushton Ramës një portret, të titulluar “Edi Rama bëhet kreu i qeverisë së Shqipërisë për herë të katërt – një portret i jokonformistit të përjetshëm”. Ish korrespondenti i gazetës për Ballkanin, gazetari Andreas Ernst flet këtu për Edi Ramën si një person antikonformist në paraqitjet  etij të para, me prirje artisti dhe për kontroversat e tij në zhvillimin e mëtejmë si politikan tipik për Ballkanin, që përqendron gjithë forcën e shtetit në duart e veta.

“Në vitin 2000 ai u bë i njohur ndërkombëtarisht si kryetar bashkie i Tiranës. Ai pëlqente të vishte çorape të kuqe nën pantallonat e kostumit, gjë që i magjepste shumë gazetarë. Autoportretizimi i tij si artist-politikan e solli vëmendjen mbi Tiranën, e cila në atë kohë ishte ende mjaft e rrënuar.

Të dielën, 60-vjeçari Edi Rama fitoi zgjedhjet parlamentare për herë të katërt (sipas rezultateve fillestare), duke e bërë atë një nga sundimtarët afatgjatë në Ballkan (Milo Gjukanoviç, Aleksandar Vuçiç, Milorad Dodik), të cilët janë shfaqur më shpesh që nga luftërat jugosllave.

Në atë kohë, si kryetar bashkie, një nga veprimet e para zyrtare të Ramës së ri ishte lyerja e qindra blloqeve të apartamenteve gri me modele shumëngjyrëshe që i kishte dizenjuar vetë. Qendra e qytetit mori një pamje të re. Ai shpjegoi se zbukurimi nuk ndikon vetëm në fasada: estetika ndryshon njerëzit dhe ndërveprimin e tyre me hapësirën publike si qytetarë. Kjo i emocionote edhe shumë gazetarë të huaj.

Kryeqyteti ka ndryshuar në mënyrë mbresëlënëse që nga vitet e para të Ramës. Dhjetëra ndërtesa të larta janë ngritur në qiell në qendër: rrokaqiej të shkëlqyeshëm, kulla banimi origjinale të përdredhura dhe qendra të mëdha tregtare…

Por me kalimin e kohës, ky bum ndërtimesh dëmtoi edhe reputacionin e Ramës si reformator. Zhvillimi urban është një bashkim i gjithçkaje tjetër që po shkon keq në Shqipëri: nepotizmi u jep leje ndërtimi miqve të ngushtë dhe dhënia e kontratave varet nga lidhjet politike, fondet e fshehta dhe bizneset e dyshimta.

Në qendër të këtij rrjeti janë partitë qeverisëse dhe kompanitë e lidhura me to. Suksesi i ripërtërirë i socialistëve të Ramës vjen kryesisht për shkak të këtij sistemi klientelist. Në vitin 2013, ai e mundi armikun e tij të betuar, Sali Berishën, për herë të parë në zgjedhjet parlamentare dhe u bë kreu i qeverisë. Rama konsiderohet se do ta mbajë postin për katër vjet të tjera dhe më pas do të jetë në pushtet për gjashtëmbëdhjetë vjet.

Ajo që është e kalbur në shtet u bë e qartë në shkurt kur Erion Veliaj, president i kryeqytetit dhe një mik i ngushtë i Ramës, u arrestua së bashku me gruan e tij nga Zyra e Prokurorit të Posaçëm për Korrupsion (SPAK), transmeton albinfo.ch. Akuzohen se të dy kanë ndërtuar një sistem të sofistikuar të pasurimit personal së bashku me kompanitë e ndërtimit dhe OJQ-të miqësore.

Rama u tërbua, thirri tubime proteste dhe sulmoi gjyqtarët hetues. Duke vepruar kështu, ai po dëmton një reformë që ai vetë e nisi në vitin 2017. Duke pasur parasysh anëtarësimin në BE, gjyqësori i dobët duhet të bëhet i pavarur dhe efektiv. Që atëherë, më shumë se gjysma e gjyqtarëve janë zëvendësuar dhe janë krijuar institucione të reja për të luftuar korrupsionin. Aktakuza dhe arrestimi i Veliajt tregojnë se ato ja kanë vlejtur.

Sistemi klientelor i mirëorganizuar i Ramës është një shpjegim për suksesin zgjedhor të socialistëve. Shpjegimi tjetër është kundërshtari i tij, 81-vjeçari Sali Berisha. Ndryshe nga Rama, ai është një autokrat tradicional, jo origjinal, i sofistikuar apo simpatik. Ai ishte presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Shqipërisë dhe më pas dy herë kryeministër.

Edhe pse ai (Berisha) angazhoi një këshilltar të Trumpit i cili provoi një version të zbutur të sloganit MAGA (“Për Shqipërinë Madhështore”), Berisha nuk përbënte kërcënim për kryeministrin në detyrë. Nëse jokonformisti i përjetshëm u acaron nervat shumë shqiptarëve, atëherë plaku i kotë dhe i idhnak i acaron ato edhe më shumë. Kjo shpjegoi rënien e pjesëmarrjes së votuesve në rreth 40 për qind.

Në vazhdim gazeta merret me biografinë e Ramës si ish basketbollist pastaj piktor derisa “gjeti rrugën” në politikë, transmeton albinfo.ch gazetën zvicerane.

Më së voni në vitin 2005, kur ai mori pushtetin në Partinë Socialiste, u bë e qartë se ai ishte, mbi të gjitha, një njeri i ashpër pushteti që njihte vetëm miq dhe armiq në politikë. Prandaj, ai e pati të vështirë të pranonte humbjen e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

Në vitin 2013, hakmarrja pati sukses dhe Rama ndërtoi një aparat pushteti të ngjashëm me atë që shihet në shumë vende të rajonit: Ai është kreu i një partie që kontrollon administratën, gjykatat dhe shumë media. Në të njëjtën kohë, ai e rekomandon veten te BE-ja si garantues i stabilitetit. Nëse kjo nuk mund të thuhet për ligjin dhe rendin, atëherë të paktën qëndron për qetësinë dhe rendin.

 

“The Irish Times”: Shqipëria, më shumë se thjesht “Maldivet e Evropës”

Gazeta prestigjioze irlandeze “The Irish Times” i ka kushtuar një artikull të gjatë Shqipërisë, duke e përshkruar si një destinacion magjepsës që ofron shumë më tepër se bregdeti i Ksamilit, tashmë i njohur në rrjetet sociale si “Maldivet e Evropës”.

Në reportazhin e saj, gazetarja Aoife McElwain rrëfen përvojën personale në qytetin e Krujës, Tiranë dhe zonat turistike jugore e veriore të vendit, duke vënë në pah historinë e pasur, mikpritjen shqiptare, ushqimin tradicional dhe peizazhet mahnitëse, transmeton albinfo.ch.

Shkrimi veçon Pazarin e Vjetër të Krujës, ku autorja përshkruan tregtarë të sjellshëm dhe punime artizanale me çmime të përballueshme. Tirana përmendet për ndërthurjen e saj mes historisë komuniste dhe jetës moderne, me destinacione si Bunk’Art, Dajti Ekspres dhe kafenetë e stilit evropian.

Shqipëria përshkruhet si një vend me trashëgimi të thellë historike, që ka kaluar nga izolimi komunist në një demokraci të re, me njerëz të hapur dhe një kulturë që e reflekton këtë transformim. Po ashtu, artikulli përshkruan bukuritë natyrore të Alpeve Shqiptare, rezervuarin e Bovillës, qytetin e Beratit, dhe plazhet e pastërta të Dhërmiut.

Në fund, autorja sugjeron Shqipërinë si një destinacion për këdo që kërkon përzierjen e aventurës, ushqimit të mirë, mikpritjes dhe historisë unike të Ballkanit.

Një në tri gra në Zvicër lindin me prerje cezariane

Sipas të dhënave të Zyrës Federale të Statistikave (BFS), një në tri gra në Zvicër ka lindur me prerje cezariane gjatë vitit 2023. Numri i lindjeve me këtë metodë është rritur lehtë që nga viti 2019.

Ekzistojnë dallime të dukshme mes kantoneve. Në Schaffhausen, Cyrih dhe Zug, rreth 40 për qind e lindjeve u realizuan me prerje cezariane. Ndërsa në Thurgau, Appenzell Ausserrhoden dhe në të gjithë kantonet e Zvicrës perëndimore, ky përqind u ul nën 30 për qind, transmeton albinfo.ch.

Nga gjithsej 79 200 lindje në vitin 2023, mbi 14 600 u kryen me prerje cezariane të planifikuar – një shifër që është 55 për qind më e lartë sesa ajo e prerjeve cezariane emergjente.

Kantonet me përqindjen më të lartë të lindjeve me prerje cezariane (2023):

Schaffhausen: 41%

Cyrih & Zug: 40%

Zvicra perëndimore dhe Thurgau: nën 29%

Vaud: rënie prej 6.1 pikë përqindjeje në dhjetë vitet e fundit (27%)

Gjenevë: rënie prej 4.2 pikë përqindjeje (29%)

Zvicra, me 34 % lindje cezariane, renditet ndër vendet evropiane me normat më të larta, krahas Italisë dhe Gjermanisë. Ndërkohë, në vende si Spanja, Franca dhe ato të Evropës veriore, këto lindje janë dukshëm më të rralla.

Lindjet e stimuluara më të zakonshme në Zvicrën perëndimore

Në kundërshtim me prerjet cezariane, lindjet e stimuluara artificialisht janë më të përhapura në kantonet perëndimore dhe në Ticino. Këto arrijnë kulmin në kantonin e Gjenevës me 50 %. Në kantonet qendrore si Nidwalden, Obwalden, Schwyz dhe Graubünden, stimujt artificialë ndodhin në më pak se 22 % të lindjeve.

Në përgjithësi, një e treta e lindjeve pa cezariane të planifikuar ishin të stimuluara. Para dhjetë vitesh, kjo shifër ishte rreth një e katërta. Lindjet e pa stimuluara ndodhnin më shpesh në mënyrë natyrale dhe pa ndihmë instrumentale.

Barnat për fëmijë mungojnë në Zvicër, Qeveria prezanton rregull të ri

Sipas rregullit të ri, mjekët specialistë mund të porosisin barna për fëmijë edhe nëse ato ende nuk janë të destinuara për ndonjë pacient të caktuar. Kjo do të thotë se medikamentet mund të jenë të gatshme për përdorim në rast emergjence, duke reduktuar ndjeshëm kohën e pritjes për pacientët.

“Tani mund të furnizohemi me barna që nevojiten në raste emergjente dhe t’ua japim menjëherë pacientëve”, thotë Philipp Jenny, president i Shoqatës së Pediatrisë në Zvicër dhe pediatër në Altstätten, St. Gallen.

Ndihmë për klinikat e vogla

Masat pritet të ndihmojnë veçanërisht praktikat më të vogla pediatrike, të cilat nuk kanë kapacitet për të prodhuar barna vetë. Deri më tani, në raste urgjente duhej të bëhej një kërkesë me shkrim te Swissmedic për secilin medikament, një proces i ngadaltë dhe burokratik. Tani, mjekët kanë më shumë fleksibilitet.

“Për shembull, mund të porosis kortizon nga Austria dhe ta mbaj në rezervë, që të jem i përgatitur për ndonjë krizë astmatike gjatë natës”, shton Jenny.

Problemi i vërtetë: mungesa strukturore e barnave

Sidoqoftë, Jenny thekson se kjo është vetëm një zgjidhje afatshkurtër. Problemi më i madh është mungesa e përgjithshme e barnave pediatrike në Zvicër, krahasuar me vendet e tjera. Arsyeja është se prodhuesit duhet të aplikojnë për miratim të veçantë në Zvicër, një proces i kushtueshëm dhe jo gjithmonë i leverdishëm, veçanërisht për barnat që shiten në sasi të vogla.

Zgjidhje alternative: prodhimi në farmaci spitalore

Angela Caduff, kryefarmaciste në Spitalin e Fëmijëve në Cyrih, sugjeron një zgjidhje tjetër: përgatitjen e barnave brenda farmacive spitalore përmes ashtuquajturave “formula magistrale”, përgatitje të bëra sipas recetave të veçanta. Por kjo është e pamundur për shumicën e praktikave të vogla, të cilat nuk kanë farmaci të brendshme.

Java e Krenarisë në Kosovë rikthehet me moton “Asnjë hap mbrapa”

Java e Krenarisë në Kosovë do të mbahet nga data 9 deri më 14 qershor, duke shënuar edicionin e saj të nëntë nën moton domethënëse “Asnjë hap mbrapa”.

Organizatorët e ngjarjes theksojnë se ky slogan përfaqëson përkushtimin e komunitetit dhe aleatëve të tij për të qëndruar të palëkundur përballë sfidave që vijnë si nga lëvizjet lokale ashtu edhe ato globale, të cilat rrezikojnë të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe dinjitetin e çdo individi.

“‘Asnjë hap mbrapa’ është thirrja jonë për unitet, rezistencë dhe progres,” thuhet në njoftimin për media, transmeton albinfo.ch.

Java e Krenarisë në Kosovë ka kontribuar ndër vite në ndërtimin e një hapësire më gjithëpërfshirëse dhe të sigurt për komunitetin LGBTI+ dhe për të gjithë ata që mbështesin barazinë dhe të drejtat e njeriut.

E konfirmuar: Dua Lipa rikthehet në Sunny Hill Festival 2025

Këngëtarja me famë botërore Dua Lipa do të rikthehet këtë verë në Prishtinë, si pjesë e line-up-it të Sunny Hill Festival 2025. Lajmi është konfirmuar zyrtarisht nga organizatorët e festivalit, të cilët njoftuan se artistja do të performojë në edicionin që do të mbahet nga data 1 deri më 3 gusht.

Kjo performancë është pjesë e turneut ndërkombëtar të Duas, “Radical Optimism”, dhe Prishtina do të jetë ndalesa e vetme në Evropën Juglindore. Me këtë rast, qyteti pritet të kthehet në një pikë kyçe të skenës ndërkombëtare të muzikës gjatë verës.

Pas sukseseve të njëpasnjëshme në skenat më të njohura botërore, përfshirë Glastonbury dhe Royal Albert Hall, si dhe paraqitjeve të fundit në qytete si Melbourne dhe Madrid, Dua Lipa premton një mbrëmje të paharrueshme për adhuruesit e muzikës, transmeton albinfo.ch.

Përveç Dua Lipës, festivali ka konfirmuar edhe performancën e DJ-së së njohur ndërkombëtare Peggy Gou, e renditur si DJ nr. 1 në botë nga DJ Mag në vitin 2023. Ajo pritet të elektrizojë skenën C4 me hitin e saj “(It Goes Like) Nanana”.

Shitja e biletave “Early Bird” ka nisur tashmë dhe interesimi i madh pritet të tejkalojë kapacitetet e viteve të mëparshme. Organizatorët paralajmërojnë një edicion spektakolar, me emra të tjerë të mëdhenj të cilët do të zbulohen në ditët në vijim.

Nuk ka ndërtim: Pamundësia për të blerë prona në Zvicër

Në shumë vende, blerja e një shtëpie po rrëshqet edhe më shumë nga të rinjtë. Zvicra nuk bën përjashtim. Ne hedhim një vështrim më të afërt në tregun e pafalshëm të pronave të vendit dhe çfarë do të thotë ai për gjeneratën e ardhshme.

“Thjesht nuk e deshe aq keq.” Çifti i ri ende mendon për fjalët e shitësit – i cili trashëgoi pronën. Ata kishin bërë ofertë për një shtëpi gjysmë të izoluar në një qytet të mesëm zviceran, një shtëpi rreth 100 vjeçare që nuk ishte rinovuar për gjysmë shekulli.

Edhe pse banka e kishte vlerësuar pronën në jo më shumë se 1.49 milionë CHF (1.8 milionë dollarë), çifti ofroi 1.7 milionë CHF.

Shumë çifte dhe familje në Zvicër kanë pasur një përvojë të ngjashme. Mungesa e tokës, normat e ulëta të interesit dhe fluksi i vazhdueshëm i punëtorëve nga vendet fqinje evropiane kanë vazhduar të rrisin kërkesën për prona.

Çmimet e shtëpive dhe apartamenteve janë rritur në qiell vitet e fundit. Vetëm midis 2017 dhe 2024, çmimet e pronave zvicerane panë një rritje mesatare prej 30%.

Pas pandemisë Covid, çmimet e banesave pësuan një “rritje të jashtëzakonshme”, thotë Ursina Kubli, drejtuese e kërkimit të pasurive të paluajtshme në Zürcher Kantonalbank (ZKB). Që atëherë, vendet kryesore janë bërë dukshëm më të shtrenjta, madje edhe në zonat e largëta çmimet janë rritur. “Një valë në rritje ngre të gjitha varkat,” thotë ajo, transmeton albinfo.ch.

Këtë vit, ZKB pret që çmimet e pronave në kantonin e Cyrihut të rriten me 4.5%, dhe me të njëjtën shumë përsëri në vitin 2026. Kjo shton një rritje të çmimeve prej më shumë se 140,000 CHF për një shtëpi mesatare për një familje në kantonin më të populluar të Zvicrës brenda vetëm dy viteve, shkruan swissinfo.

Kursimet e fituesve të zakonshëm nuk mund të vazhdojnë më, që do të thotë se ëndrra e pronësisë së shtëpisë po rrëshqet më tej nga shtresa e mesme e Zvicrës.

Sipas ZKB, vetëm 9% e çifteve të moshës 30-40 vjeç mund të përballonin një shtëpi mesatare për një familje në kantonin e Cyrihut në vitin 2024 – krahasuar me 13% më pak se pesë vjet më parë.

Shkalla e pronësisë së banesave në të gjitha llojet e pronave, grupmoshat dhe rajonet e Zvicrës qëndron në 36%. “Ky numër ka rënë në vitet e fundit,” thotë Robert Weinert, kryeanalist në firmën konsulente Wüest Partner.

Wüest Partner krahasoi pagat dhe çmimet e pronave në të gjithë Zvicrën dhe rezultatet janë kthjelluese. Rreth 58% e familjeve zvicerane me dy fitues nuk janë në gjendje të përballojnë një apartament, ndërsa blerja e një shtëpie për një familje është bërë e pamundur për 79%.

“Shpërndarja e pabarabartë e të ardhurave dhe pasurisë do të thotë që vetëm pak njerëz kanë shumë para, por ende të mjaftueshme për të rritur çmimet”, thotë Weinert. Kjo është veçanërisht e vërtetë për shtëpitë e një familjeje pasi tregu vazhdon të tkurret, të paktën në vendet qendrore ku shtëpitë për një familje janë shkatërruar dhe zëvendësuar nga ndërtimet e apartamenteve.

Claudio Saputelli, kreu i analizës së pronave në bankën zvicerane UBS, është dakord me Weinert. Ai shton se krahasimi i të ardhurave mesatare me çmimet aktuale jep perspektivë të gabuar në treg. “Nëse shikoni vetëm ata që mund të përballojnë blerjen e një shtëpie, tendenca duket më pak dramatike,” thotë ai, duke shpjeguar se pagat e të ardhurave më të larta kanë arritur të vazhdojnë me tregun e pasurive të paluajtshme.

Rritja e zhgënjimit të publikut për rritjen e çmimeve të pronave është bërë e dukshme në komentet në mediat sociale. Në Reddit, për shembull, dikush komentoi për blerjen e një shtëpie në Zvicër. “Ku doni të blini? Nëse jeni duke kërkuar në Cyrih, harroni atë … Asgjë nuk është e mbiçmuar për momentin, vetëm se paratë tuaja nuk vlejnë më asgjë.”

Një titull i kohëve të fundit në gazetën Tages-Anzeiger lexoi, “Edhe ata me një pagë prej 200,000 CHF nuk mund të përballojnë më të blejnë një lidhje të jashtme në shtëpi”. Në vendet anglishtfolëse kjo situatë shpesh quhet “krizë e përballueshmërisë së banesave” ose thjesht si “krizë e strehimit”. MB, SHBA dhe Australia, për të përmendur vetëm disa, kanë përjetuar një zhvillim të ngjashëm.

“Kriza po ngre një pykë në strukturën e shoqërisë,” thotë ekonomisti Christian Hilber, i specializuar në pasuri të paluajtshme dhe leksione si në Shkollën Ekonomike të Londrës ashtu edhe në Universitetin e Cyrihut.

Krahasuar me Mbretërinë e Bashkuar, kriza e strehimit e ka goditur Zvicrën mjaft vonë, sipas Hilber. Të rregulluara për inflacionin, çmimet e pronave në Britani janë rritur me 405% që nga vitet 1970 (TM1 1970 deri në TM4 2024), ndërsa në Zvicër rritja ka qenë më e përmbajtur dhe ka qëndruar në “vetëm” 106% gjatë së njëjtës periudhë.

Hilberi drejton gishtin drejt kufizimeve strikte të planifikimit hapësinor në Britani, të cilat kanë ngadalësuar prej kohësh ndërtimin. Në të kundërt, Zvicra mbajti rregullore mjaft fleksibël të planifikimit hapësinor deri në fillim të viteve 2010, me shumicën e rritjeve të mëdha të çmimeve që ndodhën që atëherë.

Kjo prirje pasqyrohet gjithashtu në një grafik të fundit nga Wüest Partner që krahason zhvillimet relative të çmimeve të pronës në vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) gjatë të kaluarës.

Kjo prirje pasqyrohet gjithashtu në një grafik të fundit nga Wüest Partner që krahason zhvillimet relative të çmimeve të pronës në vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) gjatë dekadës së kaluar.

Shpërndarja e pabarabartë e pasurisë

Në SHBA, ku kriza e strehimit ka qenë duke u djegur prej vitesh, tre të katërtat e popullsisë tani e përshkruajnë përballueshmërinë e banesave si një problem në rritje Lidhje e jashtme.

Sarah Dickerson nga Instituti Kenan i Ndërmarrjeve Private, i cili i përket shkollës së biznesit të Universitetit të Karolinës së Veriut, ka vërejtur një ndjenjë në rritje të dorëheqjes në mesin e brezit të ri. “Unë mendoj se ekziston ende një ndjenjë që pronësia e shtëpisë përbën një pjesë jetike të ëndrrës amerikane, por ekziston gjithashtu një njohje se kjo ëndërr nuk është më e arritshme për shumë amerikanë.”

Dickerson e sheh zgjerimin e hendekut midis të varfërve dhe të pasurve si një problem madhor. Në SHBA, pronësia e shtëpive dikur ishte një mënyrë për shumë njerëz për të ndërtuar pasuri, por kjo derë tani është e mbyllur për shumë njerëz. Vetëm ata me prindër të pasur ende mund të përballojnë të blejnë – një trend që Dickerson mendon se do të thellojë ndarjen sociale në afat të gjatë.

Shumë zviceranë gjithashtu kanë fituar pasurinë e tyre përmes pronësisë së pronave. Por për shkak të sistemeve të forta të pensioneve dhe të kujdesit shëndetësor të vendit, pronësia e shtëpive ka më pak peshë sociale sesa në vendet e tjera.

Kjo është e dukshme në shkallën e pronësisë së banesave në Zvicër, e cila ka qenë gjithmonë e ulët sipas standardeve ndërkombëtare. Ndërsa një e treta e popullsisë zvicerane zotëron shtëpitë ku jetojnë, dy të tretat e popullsisë në Britani dhe SHBA i kanë. Në vendet me skema të dobëta pensionesh, si Rumania, më shumë se 95% e popullsisë zotërojnë shtëpitë e tyre.

Strategjitë e blerjes

Në Zvicër, familjet e reja të klasës së mesme shpesh nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të ulin pritshmëritë e tyre, siç është zgjerimi i rrezes së kërkimit për prona. Kjo zhvendosje është reflektuar në të dhënat nga platformat e pasurive të paluajtshme, thotë ekspertja e pasurive të paluajtshme të ZKB, Ursina Kubli.

Një rrugë tjetër e zakonshme është mbajtja e pronës në familje, gjë që ndodh shpesh. “Rreth gjysma e të gjitha shtëpive kalojnë brenda familjeve,” shpjegon Kubli.

Një strategji e zbatueshme, e cila është e zakonshme në Britaninë e Madhe, por e rrallë në Zvicër, është të blini gjithçka që mund të përballoni, edhe nëse është larg shtëpisë tuaj të ëndrrave – vetëm për të ngritur këmbën në shkallët e pronës. Ideja është që të shesësh sërish më vonë dhe të blesh diçka që të pëlqen më shumë.

Shanset që gjërat të ndryshojnë në Zvicër janë të pakta. Me emigracionin e vazhdueshëm nga vendet e BE-së dhe një shkallë të vendeve të lira që kërcënon të bjerë nën 1%, kriza zvicerane e strehimit ka të ngjarë të përkeqësohet.

Normat e ulëta të interesit dhe pasiguritë në tregjet financiare e kanë bërë edhe më tërheqëse “blerjet me qira”, veçanërisht kur bëhet fjalë për apartamente të reja. Ideja është që të blini pronë jo për të jetuar, por për të dhënë me qira për fitim. Si pasojë, kur blejnë një pronë në një bllok apartamentesh, familjet e reja shpesh e gjejnë veten duke konkurruar me bebe të pasura financiarisht që kërkojnë mundësi të sigurta investimi.

Pothuajse të gjithë ekspertët e intervistuar nga SWI swissinfo.ch pajtohen se një rënie e çmimeve nuk është në horizont.

Për Saputelli nga UBS, i vetmi skenar për një rënie të çmimeve është një recesion i zgjatur, i cili nuk është një perspektivë tërheqëse për familjet e klasës së mesme.

PDK, LDK dhe AAK konfirmojnë pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga presidentja e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar në takim liderët e partive politike në Kosovë për të diskutuar rreth situatës së krijuar pas dështimit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Në ftesë, Osmani ka propozuar që takimi të mbahet të enjten, me fillim nga ora 13:00.

Partia Demokratike e Kosovës ka qenë e para që ka njoftuar se kryetari Memli Krasniqi do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese.

“Po, kryetari Memli Krasniqi ka pranuar ftesën për takim nga presidentja Vjosa Osmani. Na vjen mirë që, ashtu siç ka propozuar PDK, po ndërmerren hapa institucionalë që shpresojmë se mund të jenë ndihmues për të dalë nga kriza politike dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja”, ka thënë zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu.

Pjesëmarrjen në këtë takim e ka konfirmuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përkatësisht zëdhënësi Kushtrim Xhemaili.

Më pas, zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, ka deklaruar se ky subjekt politik i është përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentes Vjosa Osmani për takim konsultativ.

“Po, e kemi pranuar ftesën dhe kryetari Abdixhiku do të marrë pjesë në takim”, ka thënë Mustafa.

Shqipëri: Numërohen 54.9% e kutive, PS prin me mbi 52%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri në përditësimin e fundit, para pak minutave ka njoftuar se ka përfunduar numërimi i 2871 kutive të votimit nga 5225 sa janë gjithsej.

Pas numërimit të 54.9%, Partia Socialiste e Shqipërisë, me në krye Edi Ramën prin me 52.72% ose 392 mijë e 284 vota.

Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, me në krye Sali Berishën ka 33.93% ose 252 mijë e 447, transmeton albinfo.ch.

PS-ja ka 83 mandate të siguruara, teksa PD-ja 51.

Kurti takohet me ambasadorët e vendeve të QUINT-it

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve të QUINT-it, si dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se temë kryesore e takimit ishte procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Kryeministri Kurti u shpreh se Kosova tashmë i ka përmbushur kriteret ligjore dhe institucionale për t’u bërë pjesë e kësaj organizate, siç është vlerësuar edhe nga Asambleja Parlamentare dhe raportuesja për anëtarësimin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Tutje, sipas njoftimit, Kurti paralajmëroi se vonesat e mëtejshme në anëtarësim po ua mohojnë qytetarëve të Kosovës të drejtën për qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, transmeton albinfo.ch.

Bëhet e ditur se, ndër të tjera, është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit politike në vend.

A mund të punojë një shtetas jashtë BE-së si punëtor ndërkufitar në Zvicër?

Shumica dërrmuese e udhëtarëve ndërkufitarë në Zvicër janë shtetas të shteteve fqinje të Bashkimit Evropian ku ata banojnë. Por cilat janë rregullat për shtetasit e vendeve të treta që jetojnë në vendet fqinje?

Zvicra mbështetet në udhëtarët ndërkufitarë për punë që nuk mund të plotësohen me fuqi punëtore rezidente, qoftë shtetas zviceranë, qoftë nga BE apo EFTA (Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni), veçanërisht, por jo vetëm, në sektorë si kujdesi shëndetësor dhe industria e shërbimeve.

Kjo është një situatë e favorshme për ekonominë zvicerane dhe për udhëtarët ndërkufitarë njësoj, me të dyja palët që përfitojnë nga kjo marrëveshje.

Për industritë zvicerane, mijëra vende pune që ka të ngjarë të mbeten vakante janë plotësuar. Për udhëtarët ndërkufitarë (mbajtësit e lejes G), të punosh në Zvicër do të thotë paga më të larta dhe taksa më të ulëta sesa do të kishin në vendet e tyre të banimit.

Një avantazh tjetër, ndonëse i lidhur ngushtë, është se pagat më të larta zvicerane u lejojnë atyre të jetojnë shumë më mirë në vendet e tyre të origjinës (më të lira) sesa do të ishin në gjendje ndryshe.

Kjo është arsyeja që një numër në rritje i këtyre punëtorëve kalojnë çdo ditë kufijtë e tyre përkatës. Në tre muajt e parë të vitit 2025, mbi 400 000 mbajtës të lejes G kanë punuar në vend, një numër më i lartë se në vitet e mëparshme.

Kush mund të marrë lejen G dhe kush jo?

Sipas Sekretariatit Shtetëror për Migracionin (SEM), “udhëtarët ndërkufitarë janë shtetas të huaj që banojnë në një zonë kufitare të huaj dhe janë të punësuar me fitim brenda zonës kufitare fqinje të Zvicrës”.

Termi “zonë kufitare” përshkruan rajonet që janë përcaktuar në traktatet ndërkufitare të lidhura midis Zvicrës dhe vendeve fqinje të saj, domethënë njerëzit që jetojnë në afërsi të një kufiri zviceran në Francë, Gjermani, Itali, Austri dhe Lihtenshtajn.

Udhëtarët ndërkufitarë duhet të kthehen në vendbanimin e tyre kryesor jashtë vendit të paktën një herë në javë, por zakonisht çdo ditë, transmeton albinfo.ch.

Po shtetasit jo-BE që jetojnë në zonat kufitare të vendeve fqinje?

Nëse jeni shtetas i EFTA-s (siç përshkruhet më sipër) që jetoni në Francë, Gjermani, Itali, Austri ose Lihtenshtajn, mund të merrni një leje G, shkruan The Local. Gjithashtu, nuk ka kufizime nëse ndodh që jeni shtetas i dyfishtë i një vendi të tretë dhe i një shteti të BE-së ose EFTA, për sa kohë që aplikoni për një leje G me pasaportën tuaj BE/EFTA.

Dhe çfarë rregullash zbatohen për ata shtetas të shtetit të tretë që nuk kanë një shtetësi të dytë?

Përsëri sipas SEM, “shtetasve të vendeve të treta do t’u jepet një leje G për udhëtarët ndërkufitarë vetëm nëse ata kanë një leje qëndrimi të përhershme në një vend fqinj”.

Pra, një punëtor britanik që banon ligjërisht në Francë mund të punojë përtej kufirit në Zvicër.

Por ka kushte: ata duhet të kenë jetuar me këtë leje në zonën kufitare të vendit fqinj për të paktën gjashtë muaj dhe të plotësojnë kërkesat e tregut të punës, që do të thotë të kenë një punëdhënës të gatshëm t’i punësojë në anën zvicerane.

Ekziston edhe një dallim tjetër midis tyre dhe shtetasve të BE-së. Ndërsa lejet G të këtyre të fundit janë të vlefshme deri në pesë vjet dhe u japin të drejtën për të ndryshuar vendin e punës brenda të njëjtës zonë kufitare, lejet e qytetarëve të shtetit të tretë janë zakonisht të vlefshme për një vit dhe janë të kufizuara në zonën kufitare të kantonit lëshues.

Gjithashtu, udhëtarët ndërkufitarë nga vendet e treta duhet të kenë lejen e kantonit për të ndryshuar punëdhënësin ose profesionin.

Si mund të aplikoni për një leje G?

Kompania që dëshiron t’ju punësojë do të kërkojë një leje nga zyra kantonale e imigracionit duke paraqitur një kontratë pune, të shoqëruar me dokumentin tuaj të identitetit ose pasaportën e vlefshme.