“Zvicra nuk më mungon”, Shani Kadrijaj, fermeri që zgjodhi Kosovën

Pas 13 vjetësh qëndrimi në Zvicër, Shani Kadrijaj vendosi të rikthehej në vendlindje, në fshatin Rastavicë të Deçanit. Sot, ai është një prej shembujve të suksesit në bujqësi dhe blegtori në Kosovë, duke jetuar një jetë të thjeshtë, por të qëndrueshme, bashkë me familjen e tij, shkruan Koha, transmeton albinfo.ch.

Kadrijaj tregon se kishte emigruar në Zvicër për arsye sigurie dhe ekonomike, si shumë bashkatdhetarë të tjerë. Ai dhe familja ishin pajisur me dokumente qëndrimi, por gjendja shëndetësore e rënduar e prindërve dhe malli për atdheun bënë që ai të merrte një vendim të madh: rikthimin në Kosovë.

“Jam kthyer vullnetarisht dhe jam shumë i kënaqur me këtë vendim. Edhe nëse më ofrohet mundësia të rikthehem në Zvicër, nuk do ta pranoja. E kam gjetur vetën këtu”, thotë Kadrijaj, për KOHA.

Me ndihmën e bashkëshortes dhe fëmijëve, ai ka ngritur një ekonomi familjare të qëndrueshme përmes punës në bujqësi dhe blegtori. Kujdeset për 22 krerë lopë, nga të cilat siguron rreth 200 litra qumësht në ditë. Qumështi dorëzohet në pikën grumbulluese në Isniq, ndërsa të ardhurat nga kjo veprimtari i kanë mundësuar shkollimin e gjashtë fëmijëve të tij, transmeton albinfo.ch.

“Vajza e madhe ka përfunduar dy fakultete, njëra në infermieri dhe tjetra në kriminalistikë. Tjetra ka mbaruar infermierinë. Djali ka ndjekur studimet e mjekësisë në Prishtinë dhe tani vazhdon në Berlin. Djali tjetër është hendbollist i kombëtares së Kosovës. Dy binjakët janë ende në shkollë fillore. Me punë të ndershme, gjithçka është e mundur”, rrëfen ai.

Për punët e përditshme, Kadrijaj thotë se dita nis herët dhe mbaron vonë. Ai dhe bashkëshortja zgjojnë rreth orës 5:00 të mëngjesit, për të nisur punën në stallë dhe më pas në tokat bujqësore. Aktualisht, punon rreth 7 hektarë tokë ku kultivon misër, pasul dhe livadhe.

“Jeta në fshat është e mirë për ata që duan të punojnë. Pa ndihmën e familjes, nuk do të mund të arrinim këtë që kemi sot”, shprehet Kadrijaj, transmeton albinfo.ch.

Shani është përfitues edhe i një lope nga organizata humanitare “Mështjerra”, në bashkëpunim me Komunën e Deçanit. Kjo organizatë, me mbështetje nga donatorë irlandezë, ka ndihmuar 100 familje në dy vitet e fundit me nga një lopë për përmirësimin e jetesës në zonat rurale.

“Organizata jonë merret me dhurimin e mështjerrave për fermerët në Kosovë. Bashkëpunimi me komunën ka qenë i suksesshëm dhe kemi arritur të ndihmojmë shumë familje”, tha Florentina Kida  Gërguri, përfaqësuese e organizatës.

Ndërkohë, Komuna e Deçanit luan një rol aktiv në mbështetjen e blegtorëve lokalë. Drejtori i Bujqësisë, Rifat Stojkaj, thotë se Deçani është ndër komunat me prodhimtarinë dhe cilësinë më të lartë të qumështit në Kosovë.

Aktualisht, rreth 300 fermerë merren me blegtori në këtë komunë, ndërsa Ministria e Bujqësisë subvencionon 90 euro për çdo krerë lope.

Rasti i Shani Kadrijajt dëshmon se me përkushtim dhe punë të ndershme, jeta në Kosovë mund të jetë e qëndrueshme dhe e suksesshme  madje edhe më e pasur në vlera sesa ajo jashtë kufijve, transmeton albinfo.ch.

 

Xhaka, në ekipin e vitit në Gjermani nga “Livescore”

Granit Xhaka e kaloi një tjetër edicion të jashtëzakonshëm në Gjermani, shkruan albinfo.ch.

Ai ishte motori i Bayer Leverkusenit edhe në edicionin 2024/25, ku u renditën në vendin e dytë pas Bayern Munichut.

Për këtë, “Opta” e ka përfshirë kapitenin e Zvicrës në “Ekipin e Vitit”, të cilin e publikoi sot “Livescore”.

Ish-futbollisti i Baselit, Borussia Monchengladbachut dhe Arsenalit e gjen veten në mesfushë përkrah yjeve si Kimmich dhe Wirtz në mesfushën me tre, ndërsa përpara tyre gjenden Olise, Kane dhe Schick.

Mbrojtja përbëhet nga katërshja: Ryerson, Tah, Upamecano dhe Davies, kurse në portë është vendosur Dahmen.

 

Zvicër: Trafik i ngarkuar pritet gjatë festave të majit dhe qershorit

Zyra Federale e Rrugëve (Astra) në Zvicër ka paralajmëruar për trafik të rënduar dhe bllokime të mundshme gjatë fundjavave të gjata që lidhen me festat zyrtare: Wochenenden über Auffahrt (29 maj – 1 qershor), Pfingsten (7 – 9 qershor) dhe Fronleichnam (19 – 22 qershor), shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit, akset më të prekura nga trafiku do të jenë rrugët veri-jug, sidomos A2 (Gotthard) dhe A13 (San Bernardino), por edhe shumë segmente të tjera autostradash dhe rrugësh kryesore në të gjithë vendin.

Segmentet me më shumë trafik të pritshëm:

A1: nga Gjeneva (Bardonnex) deri në Birrfeld, përfshirë Kirchberg – Schönbühl, Härkingen – Wangen aA, Aarau-West.

A2 / A3: nga Bazeli (kufijtë me Francën e Gjermaninë), përmes Tunelit Belchen e deri në Biasca (Tuneli Gotthard), Lugano – Mendrisio.

A13: nga Sarganserland deri në Mesocco.

A8, A9, A12, A14, A15, A16 dhe rrugë të tjera në rajonet e Lozanës, Lucernit, Winterthurit, dhe Graubünden.

Kufijtë: Vallorbe (A9), Chiasso-Brogeda (A2), Gaggiolo (A24).

Pikat problematike për rrugët kryesore:

Spiez – Kandersteg

Bellinzona – Locarno

Raron – Brig

Göschenen – Andermatt

Rruga Axenstrasse (Brunnen – Flüelen)

Disa rrugë në Bernese Oberland, Graubünden dhe luginat e Valais.

Rruga e Gotthard është e hapur që nga 16 maji 2025 në të dy drejtimet. Një korsi speciale “Cupra” në Airolo do të jetë aktive në ditët me trafik të rënduar, duke mundësuar dalje të shpejtë drejt qafës pa lënë autostradën, transmeton albinfo.ch.

Ngarkimi i makinave me tren

Tuneli Simplon: për shkak të punimeve, trenat qarkullojnë çdo 2 orë në vend të çdo 1.5 orësh.

Pritje të mundshme nga ora 08:00 – 16:00 në drejtim të jugut në:

Realp (Furka)

Kandersteg (Lötschberg)

Klosters-Selfranga (Vereina)

Pritje nga ora 11:00 – 18:00 në drejtim të veriut në:

Oberwald (Furka)

Goppenstein (Lötschberg)

Lavin-Sagliains (Vereina)

Udhëtarëve u këshillohet të mos devijojnë nga autostrada, edhe në rast bllokimesh, për të shmangur mbingarkimin në fshatra dhe qytete të vogla. Devijimi shpesh rezulton në vonesa më të mëdha dhe bllokime në rrugë lokale, transmeton albinfo.ch.

Të dielën nis “Defender Europe 25” në Shqipëri dhe Kosovë

Më 25 maj pritet të nisë një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake shumëkombëshe në rajon, “Defender Europe 25”, nën drejtimin e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USEUCOM). Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, përmes një postimi në Facebook, transmeton albinfo.ch.

Sipas Vengut, kjo stërvitje do të përfshijë forcat e NATO-s dhe partnere, të cilat do të angazhohen në ushtrime të përbashkëta në Shqipëri dhe Kosovë. Ai theksoi se objektivi i stërvitjes përfshin mbrojtjen e objekteve kritike, operacione sulmuese dhe mbrojtëse, si dhe sigurimin e pikave kyçe të dislokimit.

“Një test i ndërveprueshmërisë dhe një mesazh i qartë: NATO është e bashkuar”, shkroi ministri Vengu.

Ndërkohë, edhe ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar pjesëmarrjen e vendit në këtë stërvitje. Ai ka deklaruar se përgatitjet në Kosovë po zhvillohen sipas planit dhe në bashkëpunim të ngushtë me aleatët.

Stërvitja “Defender Europe 25” synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe ndërveprueshmërisë mes forcave aleate në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, transmeton albinfo.ch.

Emigrantët janë të mbingarkuar nga sistemi zviceran i riciklimit

Të paktën, kjo është sipas një raporti në platformën e lajmeve Nau, përcjell albinfo.ch.

Platforma ka mbledhur komente nga faqet e mediave sociale që pasqyrojnë se si ndihen banorët e huaj për kulturën e riciklimit në Zvicër. Mund të përmblidhet kështu: “Ata janë të mbingarkuar me të gjitha kontejnerët dhe qeset e mbeturinave të ndryshme”.

https://www.nau.ch/news/schweiz/recycling-expats-sind-uberfordert-mit-schweizer-system-66977969

“Ka grumbuj të vegjël mbeturinash të grumbulluar në të gjithë shtëpinë që duhen çuar në vende të ndryshme”, tha një person.

Një tjetër shtoi: “A bëni ndonjë gjë tjetër [përveç riciklimit], apo është kjo një punë me kohë të plotë?”

Sipas Nau, “postimet vijnë nga emigrantët, njerëz që jetojnë në Zvicër, por që nuk janë rritur me kulturën zvicerane”.

Zvicra do të ketë një monedhë të re që i ngjan euros

Më 22 maj, Swissmint do të lëshojë një monedhë që përkujton 150-vjetorin e Gjykatës Federale, autoritetit më të lartë gjyqësor të vendit, përcjell albinfo.ch.

“Lëshimi i monedhës [10-frangëshe] i bën homazh një sistemi drejtësie të pavarur dhe të paanshëm që është karakteristikë e sundimit të ligjit, duke theksuar njëkohësisht rëndësinë e tij për qytetarët zviceranë”, tha Swissmint në një njoftim për shtyp të hënën.

“Me dy ngjyra, bronz alumini dhe bakër-pronikël, ajo ka një diametër prej 33 mm dhe peshon 15 g. Ana e përparme e monedhës përshkruan Justitia-n, mishërimin e drejtësisë. Ajo mban një shpatë dhe peshore në duar, duke simbolizuar fuqinë dhe autoritetin e ligjit.”

Ja si duket monedha:

Ndryshe nga monedhat standarde, kjo e re paraqet katër gjuhët zyrtare në anën e përparme, “duke dëshmuar për diversitetin gjuhësor dhe kulturor të Zvicrës”, shtoi  Swissmint.

Në prag të vizitës së Presidentes Osmani: Si i sheh Zvicra marrëdhëniet me Kosovën

Me rastin e vizitës së nivelit më të lartë që do të zhvillojë nesër në Zvicër Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, agejnsia shtetëroree e lajmeve SDA ka publikuar artikuj lidhur me marrëdhëniet miqësore në mes të Kosovës dhe Zvicrës. Në njërin prej tyre, të titulluar “Si është e lidhur Zvicra me Kosovën”, bëhet fjalë për fillet  ekëtyre marrëdhënieve që datojnë së paku nga vitet `60 të shekullit të kaluar. Artikulli tjetër merret me marrëdhëniet ekonomike në mes të dy vendeve

Në vazhdim, albinfo.ch jep thekse nga këta dy artikuj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, do të pritet nga Këshilli Federal të mërkurën për një vizitë shtetërore dy-ditore. Kjo është vizita e parë (shtetërore) e një kryetari shteti të Kosovës në Zvicër. Siç tregon një vështrim i shkurtër historik, marrëdhëniet midis dy vendeve janë të larmishme.

Sipas qeverisë federale, që në vitet 1960, punëtorët nga ish-provinca e atëhershme jugosllave e Kosovës emigruan në Zvicër. Që nga viti 1981 e tutje, sipas Fjalorit Historik Zviceran (HLS), i cili financohet nga qeveria federale, lëvizja politike kosovare ishte formuar kryesisht edhe në Zvicër. Anëtarë kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë qëndruar gjithashtu në Zvicër, deri në vitin 2001.

Pas Luftës së Kosovës në fund të viteve 1990, numri i emigrantëve nga Kosova u rrit ndjeshëm. Në fillim të shekullit të 21-të, rreth 200,000 shqiptarë të Kosovës jetonin në Zvicër  kjo korrespondonte me rreth një të dhjetën e popullsisë së përgjithshme të Kosovës në atë kohë.

Në Kosovë, Zvicra gjithashtu pati ofruar ndihmë humanitare gjatë konfliktit nga viti 1998 deri në vitin 1999 dhe pati zbatuar programe për kthimin dhe riintegrimin e refugjatëve dhe personave të zhvendosur, thuhet nga Ministria e Jashtme Zvicerane mbi marrëdhëniet dypalëshe me vendin.

Programet e rindërtimit dhe zhvillimit pasuan më vonë. Që në vitin 2005, Këshilli Federal votoi në favor të pavarësisë formale për Kosovën.

Gjatë një udhëtimi në territorin, i cili që nga viti 1999 ka qenë nën administrimin e OKB-së, Ministrja e Jashtme e atëhershme Micheline Calmy-Rey pati përsëritur kërkesën zvicerane për pavarësi, në gusht të atij viti (2005). Calmy-Rey shprehu me atë rast bindjen e saj se një kthim i Kosovës nën kontrollin serb nuk ishte as i dëshirueshëm dhe as realist.

Rreth tre vjet më vonë, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj nga Serbia. Në Bernë dhe Cyrih, disa mijëra njerëz u mblodhën për të festuar në sheshe publike.

Më 27 shkurt, Zvicra u bë shteti i 19-të anëtar i OKB-së dhe vendosi marrëdhënie diplomatike dhe konsullore me Kosovën.

Sipas shifrave federale, aktualisht ka rreth 160,000 njerëz në diasporën kosovare (me shtetësi të Kosovës) në Zvicër. Dhe po ashtu shumë kosovarë po natyralizohen në këtë vend: Sipas shifrave nga Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM),  2,255 persona nga Kosova janë natyralizuar vetëm në vitin 2024.

Që nga viti 1999 e deri më sot, Ushtria Zvicerane është e përfshirë me Swisscoy në misionin ndërkombëtar paqeruajtës të NATO-s, Forca e Kosovës (KFOR). Kontributi zviceran në KFOR është kontingjenti i parë i armatosur i Zvicrës jashtë vendit dhe angazhimi më i madh i Forcave të Armatosura Zvicerane për ndërtimin e paqes deri më sot.

Zvicra mbështet procesin e reformave në Kosovë, i cili synon të kontribuojë në integrimin më të fortë rajonal dhe evropian të vendit, thotë më tutje Ministria e Jashtme mbi marrëdhëniet dypalëshe.

Marrëdhëniet tregtare në mes të dy vendeve

Tregtia dypalëshe e mallrave midis Zvicrës dhe Kosovës është rritur vitet e fundit. Organizata e promovimit të eksporteve sheh potencial të mëtejshëm në këtë pikë.

Sipas Agjencisë Zvicerane për Promovimin e Eksportit, Kosova aktualisht ka pak rëndësi ekonomike për Zvicrën. Megjithatë, sipas Switzerland Global Enterprise, ekziston potencial për të rritur tregtinë dypalëshe, edhe për shkak të diasporës së madhe kosovare në këtë vend.

Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA) gjithashtu e përshkruan tregtinë midis Zvicrës dhe shtetit ende të ri ballkanik të Kosovës si “modeste”. Pavarësisht vëllimit relativisht të vogël, tregtia dypalëshe e mallrave midis Zvicrës dhe Kosovës ka vazhduar të rritet vitet e fundit, sipas raportit ekonomik të Ambasadës Zvicerane në Prishtinë.

Sipas Zyrës Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (FOCA), mallra me vlerë 83 milionë CHF u importuan nga Kosova në vitin 2024. Kjo korrespondon me 0.04 përqind të vëllimit të përgjithshëm të importit zviceran.

Sipas FDFA-së, Zvicra aktualisht renditet e gjashta midis destinacioneve të eksportit për mallrat kosovare, transmeton albinfo.ch. Mallrat e gatshme përbëjnë më shumë se 50 për qind të eksporteve në Zvicër, duke përfshirë kryesisht produktet plastike dhe të gomës, si dhe mobiljet.

Investitor në Kosovë

Zvicra është madje destinacioni kryesor i eksportit për shërbimet kosovare në fushat e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) dhe outsourcing-ut të proceseve të biznesit (BPO). Në vitin 2023, 4.7 përqind (41.6 milionë CHF) e të gjitha investimeve të huaja kosovare u bënë në Zvicër. Zvicra ishte kështu vendi i gjashtë më i rëndësishëm i destinacionit për investimet direkte kosovare.

Sipas raportit ekonomik të Ambasadës Zvicerane, produktet më të rëndësishme që Zvicra eksporton në Kosovë vazhdojnë të jenë automjetet, duke përbërë mbi 40 për qind. Eksportet nga industritë kimike dhe farmaceutike gjithashtu u rritën pak, ndërsa eksportet nga sektori i bujqësisë kanë rënë ndjeshëm kohët e fundit.

Sipas Zyrës Federale për Çështje Ekonomike dhe Energji (BAZG), eksportet zvicerane të mallrave në Kosovë arritën në 74 milionë CHF në vitin 2024, dhjetë milionë më shumë se në vitin 2023.

Sipas shifrave nga raporti ekonomik i Ambasadës Zvicerane në Prishtinë, Zvicra është gjithashtu investitori i dytë më i madh i huaj në Kosovë pas Gjermanisë, me një vëllim total prej gati një miliard frangash zvicerane midis viteve 2008 dhe 2023. Kjo korrespondon me afërsisht 20 përqind të të gjitha investimeve të huaja direkte (IHD) në Kosovë.

Sipas FDFA-së, Kosova është zhvilluar në një destinacion nearshore (zhvendosja e aktiviteteve operative në një vend fqinj) për kompanitë zvicerane vitet e fundit, përcjell albinfo.ch. Investitori më i madh zviceran është “Mabetex Group”, i regjistruar në Lugano TI, i cili zotëron, ndër të tjera, një bankë në Kosovë.

Këshilli Federal synon të thellojë më tej marrëdhëniet tregtare midis dy vendeve: Në janar 2025, Shoqata e Tregtisë së Lirë (EFTA), së cilës i përket Zvicra, nënshkroi një marrëveshje gjithëpërfshirëse të tregtisë së lirë me shtetin ballkanik në Davos të Greqisë. Marrëveshja do të çojë në një ulje të tarifave për mallrat dhe shërbimet, është shprehur Ministri i Ekonomisë Guy Parmelin në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos.

Selektorja e Zvicrës pret performancë të mirë nga Riola Xhemaili

Riola Xhemaili është kthyer në përfaqësuesen e Zvicrës në futboll për ndeshjet me Francën dhe Norvegjinë, që janë të fundit të Ligës së Kombeve.

Kthimi i Riolës është i rëndësishëm pasi ajo ka rastin të dëshmohet dhe ta fitojë vendin për Evropianin që mbahet pikërisht në Zvicër në verë.

Xhemaili nuk ishte ftuar nga dhjetori, ndërsa ka shkëlqyer te PSV Eindhoveni në Holandë.
Selektorja e Zvicrës, Pia Sundhage, ka treguar se çka pret nga Xhemaili.

“Nëse shikojmë ndeshjet që i kemi luajtur, është e qartë që nuk kemi një golashënuese klasike. I kemi ndoshta dhjetë lojtare me nga dy gola. Kështu që është një mundësi për Riolën që të vijë dhe të bëjë dallimin. Ajo është e fortë në ajër dhe ka shënuar shumë gola. Kjo është mundësia e saj që të dëshmohet,” ka thënë Sundhage për “bluewin”.

Nesër tentativa e 19-të për konstituim, Kuvendi njofton për vazhdimin e seancës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër (e mërkurë) në ora 11:00 në tentativën e 19-të për konstituimin e Kuvendit.

Kuvendi ka njoftuar zyrtarisht se seanca do të nisë në ora 11:00, përcjell albinfo.ch.

Kujtojmë se për të 18-tën herë, dje në Kuvendin e Kosovës ka dështuar konstituimi i përbërjes parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.

Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, mbi një muaj më parë. Bllokada tashmë ka hyrë në muajin e dytë. 

Nga Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë dhënë sinjale se do të heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për këtë pozitë. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.

Në seancën e së shtunës, VV-ja madje propozoi që seancat të mbahen një herë në javë, e jo çdo 48 orë. Por, kjo u refuzua kategorikisht nga PDK e LDK duke thënë se kërkesa e VV-së është në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, e cila parasheh që seanca të thirret brenda 48 orëve.

Ndërkohë, javën e kaluar presidentja e vendit, Vjosa Osmani pati një takim me krerët e partive politike pas dështimeve të njëpasnjëshme për konstituuim të Kuvendit. Në takimin e ftuar nga Osmani morën pjesë Albin Kurti (LVV), Memli Krasniqi (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK).

Po ashtu, Presidentja pati një takim të ndarë me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.

Ky takim ka përfunduar pa ndonjë rezultat. Liderët partiakë thanë nuk është gjetur rrugëdalje për ngërçin e krijuar tash e një muaj. Ndërkohë presidentja Osmani tha se “ekziston një disponim minimal”, për të cilin tha është e bindur se do të rritet me kalimin e kohës.

Osmani po ashtu tha se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, por se aktualisht do të presin. Ajo tha se këtë e ka përmendur edhe në takim dhe se s’ka pasur kundërshtim për këtë.

Tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA

Kuvendi në Maqedoni konstatoi dorëheqjet e Taravarit, Bexhetit dhe Ismailit

Raportohet se Arben Taravari edhe formalisht nuk është më ministër i Shëndetësisë. Në seancën e sotme, Kuvendi konstatoi dorëheqjen e tij dhe dorëheqjet e paraqitura nga zëvendësministrat e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Flakron Bexheti dhe të Mbrojtjes, Elfete Ismaili nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, përcjell albinfo.ch.

As Taravari dhe as dy zëvendësministrat nuk ishin të pranishëm në seancën e sotme parlamentare për të ushtruar të drejtën e tyre për të shpjeguar dorëheqjen e tyre. Prandaj, nënkryetarja e Parlamentit, Vesna Bendevska, e cila kryesoi seancën,  konstatoi dorëheqjet e tre zyrtarëve.

Dorëheqjet e zëvendësministrave të bujqësisë dhe mbrojtjes pasuan dorëheqjen nga detyra të paraqitur nga Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, pasi Aleanca për Shqiptarët vendosi të largohej nga koalicioni qeveritar dhe të kalonte në opozitë.

Nga ana tjetër, sot Koordinatori Nacional për Implementimin e Teknologjive të Reja, Blerant Ramadani, ka dorëzuar dorëheqjen e tij të parevokueshme nga kjo detyrë.

“Sot kam vendosur të dorëzoj detyrën si Koordinator Nacional për Implementimin e Teknologjive të Reja,  një përgjegjësi që e kam ushtruar me përkushtim, integritet dhe vizion për zhvillimin e vendit. Falënderoj Aleancën për Shqiptarët për besimin, Kryeministrin për mundësinë, si dhe të gjithë bashkëpunëtorët institucionalë e partnerët për mbështetjen dhe profesionalizmin. Kjo dorëheqje nuk është fund, por një hap reflektimi dhe përgatitje për sfida të reja. Mbetem i përkushtuar të kontribuoj aty ku angazhimi im mund të sjellë vlerë”, njoftoi Ramadani.

Ndryshe, sektori i shëndetësisë është pa ministër që kur Arben Taravari dha zyrtarisht dorëheqjen javën e kaluar, pas vendimit të partisë së tij për t’u larguar nga Qeveria.

Lidhur me atë se kush do ta pasojë Taravarin, kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, tha se shumë gjëra në skenën politike do të jenë më të qarta këtë javë.

Kujtojmë se turbulencat në koalicionin VLEN dhe në Qeveri u shkaktuan nga krahu i Aleancës për Shqiptarët në partnerin qeveritar VLEN, kur kjo e fundit vendosi të dilte me listat e veta të këshilltarëve në zgjedhjet lokale në tetor.
Kjo nuk u pranua nga partnerët e tij të koalicionit në VLEN. Kjo u pasua nga largimi i Taravarit nga koalicioni VLEN, dhe në publik lindën spekulime se ai po negocionte me kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti.

Britania vendos 100 sanksione të reja ndaj Rusisë

Edhe Britania e Madhe ka prezantuar 100 sanksione të reja kundër Rusisë, duke synuar institucionet ushtarake, të energjisë dhe ato financiare, njoftoi Sekretari i Jashtëm David Lammy, përcjell albinfo.ch.

Në një deklaratë, ai e quajti Presidentin rus Vladimir Putin një “nxitës lufte”, duke theksuar sulmet e fundit ruse në të gjithë Ukrainën.

“Ne i bëjmë thirrje atij që të bjerë menjëherë dakord për një armëpushim të plotë dhe pa kushte, për të hapur rrugën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Lammy kur prezantoi sanksionet.

Çfarë përfshijnë sanksionet e fundit?

Sanksionet zbatohen për:

  • prokurimi dhe prodhimi i armëve, duke përfshirë sisteme të tilla si raketat Iskander, të cilat janë përdorur në sulme pa dallim ndaj Ukrainës,
  • 14 anëtarë të Agjencisë së Dizajnit Social (SDA), një organizatë dezinformuese e financuar nga Kremlini – udhëheqësit e së cilës tashmë janë sanksionuar,
  • 46 institucione financiare që ndihmojnë Rusinë të anashkalojë sanksionet,
  • Bursa e Valutave të Shën Petersburgut dhe Agjencia Ruse e Sigurimit të Depozitave, të cilat tani janë gjithashtu nën sanksione.

Flota në Hije dhe Kufiri i Çmimit për Naftën Ruse

Masat e reja përfshijnë gjithashtu 18 anije shtesë nga “flota në hije” – një sistem anijesh cisternë që ndihmojnë Rusinë të eksportojë naftë përtej kufizimeve perëndimore.

Në fillim të muajit, kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi 110 sanksione të tjera që lidhen me flotën në hije.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar gjithashtu se po punon për të shtrënguar të ashtuquajturin Kufiri i Çmimit të Naftës,  një mekanizëm që e pengon Rusinë të shesë naftë mbi një çmim të caktuar nëse përdor shërbime nga vendet e G7.

Ky mekanizëm u prezantua në dhjetor 2022 dhe aktualisht ndalon tregtinë e naftës ruse më të shtrenjtë se 60 dollarë për fuçi nëse transportohet përmes kompanive të G7.

Megjithatë, qeveria britanike tani po shqyrton uljen e mëtejshme të pragut të çmimit, me qëllim uljen e mëtejshme të të ardhurave nga eksporti i naftës ruse.

BE-ja miraton sanksionet e reja kundër Rusisë

Bëhet e ditur se Bashkimi Evropian (BE) e ka miratuar të martën një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, duke goditur “flotën në hije” të cisternave të naftës së Moskës, përcjell albinfo.ch.

Sanksionet kanë të bëjnë gjithashtu edhe me shkeljet e të drejtave të njeriut dhe kërcënimet hibride nga Moska, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

“BE-ja ka miratuar paketën e saj të 17-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke shënjestruar pothuajse 200 anije të flotës në hije”, shkroi Kallas në X.

“Po përgatiten edhe më shumë sanksione kundër Rusisë. Sa më shumë të zgjasë lufta e Rusisë, aq më e ashpër do të jetë përgjigjja jonë”, paralajmëroi ajo.

Përfundon procesi i numërimit të votave të diasporës në të gjitha qarqet

Bëhet e ditur se tani ka përfunduar plotësisht procesi i numërimit të votave të diasporës në të gjitha qarqet, si për partitë ashtu edhe për kandidatët në listat e hapura, përcjell albinfo.ch.

Elbasani ishte qarku i fundit, për të cilin u firmosën edhe procesverbalët e fundit që shënojnë në këtë mënyrë përfundimin e procesit të numërimit në Shqipëri.

Partia Socialiste fitoi 83 mandate në zgjedhjet e 11 majit, ndërsa Partia Demokratike 50.

Pjesa tjetër u nda mes PSD-së, që mori 3 mandate, Partisë Mundësia me 2 mandate dhe Nismës Shqipëria Bëhet e Lëvizjes Bashkë me nga 1 mandat secila.

Në zgjedhjet e 11 majit morën pjesë mbi 1.6 milionë votues, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Gjenevë: Pranimet sociale në spital pengojnë operacionet

Spitali Universitar i Gjenevës “po tensionohet” nën presionin e pranimeve sociale, pasi nuk ka hapësira për t’u kujdesur për fëmijët e cenueshëm në kanton.

Janë 17 fëmijë që kujdesen nga stafi për momentin, pasi ata janë larguar nga familjet e tyre për sigurinë e tyre, por nuk ka hapësira në shtëpitë e kujdesit për ta.

Spitali përcakton një fëmijë si çdo person nën 17 vjeç, por shumica e pranimeve janë fëmijë shumë të vegjël, rreth 3 vjeç, transmeton albinfo.ch.

Numri i madh i fëmijëve që kujdesen nga spitali po ndikon në punën e tij. Operacionet jo urgjente po anulohen, por theksohet se kujdesi urgjent po ecën normalisht.

Faturat e tyre spitalore po paguhen nga Departamenti i Arsimit.

Tuneli Mont Blanc do të mbyllet për vjeshtë

Tuneli Mont Blanc do të mbyllet këtë vjeshtë për rinovim të madh.

Do të mbyllet nga 1 shtatori deri më 12 dhjetor, përcjell  albinfo.ch.

Kjo do të lejojë që të punohet pothuajse 300 metra e tunelit, pasi pajisjet jetike të sigurisë duhet të zëvendësohen.

Vjeshta u zgjodh për shkak të fluksit zakonisht më të ulët të automjeteve.

Automjetet e mallrave të rënda do të ridrejtohen përmes tunelit Fréjus, ndërsa makinat mund të përdorin kalimet alpine si St Bernardi i Madh.

Bien aplikimet e shqiptarëve për azil në vendet e BE-së

Aplikimet e shtetasve shqiptarë për mbrojtje të përkohshme në shtetet e Bashkimit Evropian (BE), kanë vijuar tendencën rënëse të fortë edhe në dy muajt e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të Eurostat, në janar-shkurt u shënuan gjithsej 980 apkikime për azil në një nga vendet e BE-së, duke shënuar një rënie prej 19.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Ky është niveli më i ulët i aplikimeve që nga 2021-i, kur shifrat ishin minimale për shkak të kufizimeve të lëvizjes si rrjedhojë e pandemisë.

Që prej vitit 2022, kur arritën një kulm të ri, aplikimet për azil shënuan një rënie të vazhdueshme në vitet në vijim, si një tregues i ngadalësimit të fenomenit të emigracionit.

Gjithsesi, ky tregues mbetet i pamatshëm, teksa një pjesë e madhe e atyre që emigrojnë po largohen me kontrata pune, apo përmes bashkimit familjar.

Franca vijon të jetë desinacioni kryesor i azilantëve, e ndjekur nga Gjermania, me të dy këto shtete që kanë parë rënie të fluksit në dy muajt e parë të vitit.

Në muajin shkurt 2025, rreth 59 mijë qytetarë jo të BE-së kërkuan për herë të parë mbrojtje ndërkombëtare në vendet e Bashkimit Evropian.

Kjo përfaqëson një rënie të ndjeshme prej 23%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 12% më pak krahasuar me janarin 2025.

Përveç tyre, u regjistruan edhe 7 630 aplikime të përsëritura, një rritje modeste prej 6% nga viti i kaluar, por në rënie krahasuar me muajin janar.

Për të disatin muaj me radhë, Venezuelianët përbëjnë grupin më të madh të kërkuesve të azilit, me mbi 8 300 aplikime të reja në shkurt.

Pas tyre renditen afganët (5 610) dhe sirianët (4 630), dy prej grupeve që tradicionalisht kanë dominuar statistikat e migrimit.

Spanja, Gjermania, Franca dhe Italia, vazhdojnë të jenë vendet që përballen me pjesën më të madhe të fluksit.

Vetëm këto katër vende kanë pranuar 77% të kërkesave për azil, me Spanjën në krye të listës (12 805 aplikime).

Në raport me popullsinë, Greqia rezulton me numrin më të lartë të aplikimeve për çdo 100 mijë banorë (40.2), e ndjekur nga Spanja (26.3) dhe Luksemburgu (25.6).

Në shkurt, 1 720 të mitur të pashoqëruar kanë kërkuar për herë të parë azil në BE. Shumica vijnë nga Siria, Afganistani dhe Egjipti, fëmijë që shpesh udhëtojnë vetëm dhe në kushte të rrezikshme, në kërkim të sigurisë dhe një të ardhmeje më të mirë.

Gjermania ka regjistruar numrin më të lartë të kërkesave nga të miturit e pashoqëruar (575), e ndjekur nga Spanja (330) dhe Greqia (245).

Edi Rama: Diaspora, pjesë e trenit të fitores

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në prag të përfundimit të votave të diasporës, e nisi mëngjesin me falënderime, përcjell albinfo.ch.

Përmes një videoje të publikuar në Facebook, ai thotë se Grqia, Italia, Amerika dhe çdo ane e Evropës dhe botës, iu bashkuan trenit të fitores duke e bërë atë edhe më domethënës.

“Mirëmëngjes, dhe me një FALENDERIM krejt të posaçëm, për shqiptarët që nga Greqia, Italia, Amerika, e çdo anë e Europës dhe botës iu bashkuan trenit të fitores duke e bërë atë edhe më domethënëse, jo thjesht për nga numrat po në radhë të parë për nga mesazhi i fuqishëm i shumicës së tyre dërrmuese, i cili do të na bëjë edhe më të përkushtuar për  SHQIPËRINË 2030 në BE, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama i cili doli fitues në zgjedhjet e 11 majit.

https://m.facebook.com/ediramaal/videos/700353712392744/?ref=embed_video

Ekspozita “Gjergji në Art” një mozaik identiteti, arti dhe kujtese kombëtare

Me rastin e 620-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, një ndër figurat më madhore të historisë shqiptare dhe simbol i qëndresës evropiane, në qytetin e Bülach-ut u organizua ekspozita “Gjergji në Art”. Aktiviteti u kthye në një ngjarje të rëndësishme kulturore për komunitetin shqiptar në Zvicër dhe më gjerë, duke ofruar një hapësirë për reflektim artistik, bashkim shpirtëror dhe dialog ndër breza përmes fuqisë shprehëse të artit pamor.

E organizuar nga Shoqata “Gjergj Kastrioti”  Zvicër, me pjesëmarrjen e institucioneve diplomatike shqiptare dhe personaliteteve të njohura të artit dhe historisë, ekspozita kaloi përtej përmasave përkujtimore dhe u shndërrua në një tribunë të gjallë ku historia, arti dhe identiteti u ndërlidhën në mënyrë të natyrshme dhe frymëzuese.

Skënderbeu në penelin e artistit bashkëkohor

Ekspozita solli në qendër të saj më shumë se 50 vepra të realizuara nga 33 artistë shqiptarë me prejardhje nga të gjitha viset shqiptare dhe nga diaspora, një spektër i gjerë krijues që dëshmonte jo vetëm larmishmërinë stilistike, por edhe thellësinë e përkushtimit ndaj figurës së Skënderbeut.

Piktura, mozaik, grafikë dhe skulptura  të gjitha të konceptuara në mënyrë të pavarur  sillnin një lexim të ri, të freskët dhe emocional mbi heroin kombëtar. Një Skënderbe i ribërë në forma moderne, që flet me tone të reja për një publik të ri. Që nuk qëndron vetëm si statujë historike, por si figurë që kërkon të kuptohet thellë dhe të përjetohet ndryshe në secilin kontekst kohor.

Kuratori i ekspozitës, z. Ilir Muharremi, përmes një fjalimi të ngjeshur dhe të reflektuar, theksoi rolin e artistit si interpretues i heshtjeve të historisë:

“Artisti i shekullit XXI nuk ka për detyrë ta kopjojë figurën e Skënderbeut, por ta kuptojë atë nga brenda. Ta zbërthejë jo si hero mitik, por si njeri që udhëhiqte në kohë të trazuara. Figura e tij kërkon një lexim bashkëkohor që na fton të reflektojmë për vlerat që na mbajnë bashkë edhe sot.”

Ky vizion ishte i pranishëm në të gjitha veprat, që nga brushat ekspresive të Visar Kryeziut, tek kompozimet simbolike të Gjergj Kolës, nga forca skulpturale e Agim Ramadanit, deri tek ndërthurjet mozaike të Florim Shaqirit. Çdo krijim, një ftesë për të dialoguar me të kaluarën.

Institucionet diplomatike: Arti si përbashkues i komuniteteve

Pjesëmarrja e institucioneve diplomatike shqiptare në Zvicër e ngriti më tej peshën e kësaj ngjarjeje. Në përshëndetjen e saj, znj. Shukrije Ramadani, zëvendësambasadore e Republikës së Kosovës në Bern, në emër të ambasadave të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, theksoi rolin e artit si instrument bashkues për shqiptarët në mërgatë:

“Kur bashkohemi përmes artit, nuk jemi thjesht spektatorë të kujtesës. Ne jemi bartës të saj. Kjo ekspozitë është një akt i gjallë i kujtesës kolektive dhe një shprehje konkrete e unitetit kulturor shqiptar në diasporë. Kjo është forca jonë si komunitet.”

Ndërsa z. Valon Gashi, sekretar i parë në Ambasadën e Shqipërisë në Bernë, i dha ngjarjes një theks edukativ dhe përbashkues:

“Në këtë përkushtim artistik lexojmë një amanet të qartë: të rinjtë shqiptarë të rritur në mërgatë nuk duhet ta shohin Skënderbeun vetëm si një figurë nga librat e historisë, por si një pjesë të gjallë të identitetit të tyre.”

Kultura që jeton përmes artit, tingullit dhe fjalës

Mbrëmja artistike shoqëruese e ekspozitës shtoi dimensionin shpirtëror të ngjarjes. Këngëtarja Fjolla Berisha solli me zë të ngrohtë një interpretim që zgjoi emocione të forta tek publiku. Vallet e Ansamblit “Vatra” ndezën skenën me lëvizjet e tyre tradicionale, ndërsa pianistë dhe interpretuesi si Leutrim Aliji dhe Oliver Dushi sollën nota klasike, moderne dhe tradicionale njëkohësisht që pasqyronin thellësinë e përjetimeve.

Moderimi i aktorit Arben Rexhepi e shoqëroi me dinjitet dhe ndjeshmëri ngjarjen, duke krijuar ura mes pjesëve të programit.

Studiuesi i mirënjohur Paulin Zefi, në një ligjëratë të gjatë, vuri në qendër Skënderbeun jo vetëm si figurë shqiptare, por edhe si pjesë të identitetit evropian:

“Figura e Skënderbeut është më shumë se një kapitull historie. Ajo është një pasqyrë ku shohim veten si pjesë e Evropës. Dhe përmes artit që po shohim sot, kuptojmë se rrënjët tona nuk janë të kalbura, por të gjalla. Dhe se mund të rritemi me to.”

Art që ndërton ura në diasporë

Ekspozita u bë vendtakimi i dhjetëra artistëve shqiptarë nga viset dhe qytetet më të largëta, të cilët sollën një gamë të gjerë teknikash: nga piktura në vaj dhe akrilik, tek mozaikët monumentalë, skulpturat në dru dhe gips, grafikë të zeza dhe të bardha  të gjitha të përshkruara nga një përpjekje për të dhënë zë e formë dinjitetit kombëtar.

Artistët pjesëmarrës ishin: Agim Ramadani, Augustin Pergega, Gjergj Kola, Refki Gollopeni, Jeton Lleshi, Gëzim Muriqi, Visar Kryeziu, Valerijana Krasniqi, Fatmir Dragusha, Sak Muji, Pren Berisha, Rexhep Leci, Dorina Ukgjini, Jacqueline Bislimi, Florim Shaqiri, Irfan Grajçevci, Irena Toma, Gabriela Memaj Thaçi, Bujar Vani & Evisi Kabilo, Butrint Morina, Daors Hoxha, Mond Balaj, Nagip Tashi dhe të tjerë. Secili prej tyre përfaqësonte një copëz të shpirtit kolektiv shqiptar.

Për piktorin Refki Gollopeni, pjesëmarrja në ekspozitën “Gjergji në Art” ishte një mënyrë për të shprehur përmes ngjyrës dhe formës atë që Skënderbeu përfaqëson për shqiptarët: një kujtesë e gjallë dhe një frymë që i flet edhe brezave të sotëm.

“Skënderbeu nuk është thjesht një figurë historike. Ai është një ndjenjë që na bashkon. Në artin tim kam kërkuar të kap thelbin e asaj energjie  jo vetëm për ta përkujtuar, por për ta jetuar sot,” shprehet Gollopeni për Albinfo.ch

Në veprën e tij, historia bëhet urë për dialog ndërkohor, ndërsa diaspora, një vend ku identiteti nuk ruhet thjesht  por rritet me vetëdije.

Nga historia drejt së ardhmes

Në fund të ngjarjes, u ndanë mirënjohje për artistët pjesëmarrës, kuratorin, përfaqësuesit diplomatikë, mediat dhe platformën Albinfo.ch për ndihmesën në promovimin e aktivitetit.

Agim Pepaj, kryetar i Shoqatës “Gjergj Kastriot Skenderbeu” në fjalën përmbyllëse të tij, theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kulturore përmes artit: “Skënderbeu nuk është vetëm një figurë historike që na mbush me krenari. Ai është një urë drejt asaj çka duhet të jemi si shoqëri: të bashkuar, të vetëdijshëm, dhe të frymëzuar. Përmes artit, ne e mbajmë gjallë këtë ideal  dhe i mësojmë brezave se përkatësia nuk është barrë, por dhuratë. Kultura nuk është një kujtim. Është një akt jetësor që duhet përditësuar çdo ditë.”

Ekspozita “Gjergji në Art” dëshmoi se me një organizim të mirëfilltë dhe të përkushtuar kultura nuk rrënjoset vetëm në truall, por mbi të gjitha në zemër. Në një kohë migrimesh dhe sfidash identitare, ajo që ndodh në galeritë e vogla të qyteteve të Zvicrës është po aq e rëndësishme sa çdo akt shtetëror: është dëshmi se historia, arti dhe kujtesa kombëtare nuk janë relike të së shkuarës, por themele për të ardhmen.

 

 

Kosova ndalon importin e mishit të pulës nga Brazili

Bëhet e ditur se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar se nga e marta e 20 majit ndalon përkohësisht importin e mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve nga Brazili, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se ky vendim është marrë si pasojë e shpërthimit të gripit të shpendëve në një fermë komerciale në shtetin Rio Grande të Brazilit, i konfirmuar më 16 maj 2025 nga autoritetet braziliane.

Po ashtu ky vendim thuhet se synon të mbrojë shëndetin publik dhe të parandalojë përhapjen e mundshme të sëmundjes në territorin e Kosovës.

“Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe, në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit. Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve. Ky vendim është në përputhje me praktikat ndërkombëtare dhe veprimet e ndërmarra nga vende të tjera, përfshirë Bashkimin Evropian, Kinën dhe vende të tjera, të cilat kanë pezulluar importet e mishit të pulës nga Brazili pas konfirmimit të shpërthimit,” thuhet në njoftimin e AUV-it.

Ndalimi do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, bazuar në situatën epidemiologjike në Brazil dhe rivlerësimit të rrezikut nga AUV-i.

Liridon Lekaj fitoi një ulëse në Asamblenë komunale të Medulinit në Kroaci

Mësohet se dje në Kroaci janë zhvilluar zgjedhjet komunale, në të cilat komuniteti shqiptar që jeton në Komunën e Medulit, në regjionin e Istres, ka fituar një vend në Asamblenë komunale, transmeton albinfo.ch.

Është Liridon Lekaj ai i cili fitoi një ulëse në Asamblenë komunale të Medulinit në Kroaci.

Ndërkohë, edhe Pal Lekaj ka bërë të ditur këtë përmes një postimi në Facebook, ndërsa thotë se shqiptarët e bashkuar gjithmonë dalin fitues.

“Jam shumë i lumtur për fitoren e listës së Shqiptarëve të Medulinit në Kroaci, të cilët do të përfaqësohen në Asamblenë Komunale nga Liridon Lekaj. Shqiptarët e bashkuar gjithmonë dalin fitues,” ka shkruar ai. /Albinfo.ch

199.824 vota nga Diaspora, vazhdon numrimi

Në një deklaratë për media, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat nga Parku Olimpik, bëri me dije se procesi i numërimit të votave nga diaspora vijon me intensitet, ndërsa ka ende një pjesë të konsiderueshme për t’u përfunduar, përcjell albinfo.ch.

Sipas tij, kanë mbetur për numërim edhe 50 mijë fletë votimi dhe rreth 400 kuti. Deri tani, kompania postare DHL ka dorëzuar mbi 201 mijë zarfe, prej të cilave 199.824 fletë votimi janë konsideruar të vlefshme, ndërsa 1.971 janë shpallur të pavlefshme.

Celibashi sqaroi gjithashtu se 353 shtetas kanë kthyer mbrapsht zarfin, por jo nëpërmjet DHL-së. Nga këto, 107 janë shqyrtuar nga KQZ-ja për vlerësim. Deri më tani, janë vlerësuar gjithsej 202.063 materiale të ardhura nga jashtë vendit.

Aktualisht, po vlerësohen votat për kandidatët individualë, një proces që do të jetë vendimtar për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në listat e hapura.

“Janë dhe 50 mijë vota për t’u numëruar. Kanë mbetur edhe 400 kuti për t’u numëruar. Mbi 201 mijë zarfe me fletën e votimit na ka dorëzuar DHL. Zgjedhës që e kanë kthyer mbrapsht zarfin janë 353,” tha Celibashi

Humb jetën shqiptari në Itali, u shtyp nga kamioni në një kantier ndërtimi

Bëhet e ditur se në komunën Vernio pranë Pratos, në Itali, një shqiptar ka humbur jetën në vendin e punës, transmeton albinfo.ch.

Thuhet se ngjarja ndodhi paraditen e sotme, rreth orës 11:00, në zonën via del Bisenzio, në fshatin Mercatale.

Viktima është një 56-vjeçar me origjinë nga Shqipëria, i cili po punonte në shkarkimin e materialeve ndërtimore nga një kamion i ndalur në një shpat. Për shkak të humbjes së tërheqjes në asfalt, mjeti është lëvizur papritur, duke e shtypur punëtorin dhe më pas ka përfunduar në një kanal anës rrugës.

Referuar autoriteteve italiane, punëtori ishte i punësuar nga një kompani që kryente aktivitete për llogari të Hekurudhave Shtetërore. Ambulanca e emergjencës 118 mbërriti menjëherë në vendngjarje, por mjekët nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar, duke konstatuar vdekjen e tij të menjëhershme.

Në vendin e ngjarjes ndërhynë gjithashtu zjarrfikësit, karabinierët, policia bashkiake dhe inspektorët e Departamentit të Parandalimit të ASL Centro, të cilët po hetojnë mbi rrethanat e aksidentit dhe masat e sigurisë në kantier.