Disa marka duan të rikthejnë shpërndarjen falas të qeseve plastike të njëpërdorshme

Pagesa e disa centëve për një qese plastike në kasë mund të mos jetë më e detyrueshme së shpejti. Sipas gazetës Sonntagszeitung, Federata Zvicerane e Tregtarëve me Pakicë, që përfshin Manor, Aldi, Lidl, Landi dhe Volg, po mendon të përfundojë marrëveshjen në fund të vitit.

Në vitin 2016, qeset plastike u bënë me pagesë, duke shkaktuar një rënie prej thuajse 90% në përdorimin e tyre. Organizata përfaqësuese e tregtarëve beson se objektivat për reduktim janë arritur dhe se kjo, sipas tyre, do të hiqte barrën administrative që lidhet me këtë rregullore, transmeton albinfo.ch.

Ideja është të mbështeten në angazhimin vullnetar të tregtarëve për të vazhduar kufizimin e shpërndarjes së qeseve. Coop dhe Migros nuk ndajnë këtë mendim dhe dëshirojnë të mbajnë tatimin. Zyra Federale e Mjedisit thekson për Sonntagszeitung se nëse konsumi i qeseve plastike do të rritej përsëri, Këshilli Federal mund të konsiderojë ndalim të plotë.

Gjermania ka nevojë për tre vjet për të riorganizuar ushtrinë e saj

Në përpjekje për të përmirësuar gatishmërinë ushtarake dhe për t’iu përmbajtur angazhimeve ndaj NATO-s, Gjermania ka vendosur që deri në vitin 2028 të përfundojë modernizimin dhe forcimin e ushtrisë së saj. Annette Lehnigk-Emden, drejtuesja e Zyrës së Prokurimit Ushtarak, tha se të gjitha pajisjet e nevojshme për mbrojtjen e vendit duhet të jenë blerë dhe në funksion brenda këtij afati. Ky plan është pjesë e strategjisë më të gjerë “Zeitenwende”, e nisur pas sulmit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022.

Qeveria gjermane ka alokuar qindra miliarda euro për këtë qëllim. Prioritet do të kenë pajisjet e rënda, përfshirë tanket kundërajrore “Skyranger” dhe përditësimin e sistemeve ekzistuese. Gjithashtu, është planifikuar blerja e 105 tankeve Leopard 2A8, të cilat do t’i bashkëngjiten Brigadës së 45-të të tankeve që vepron në Lituani, për të mbrojtur krahun lindor të NATO-s. Përveç kësaj, janë parashikuar edhe blerje dhe modernizime të sistemeve të mbrojtjes ajrore, si Brimstone dhe Stinger.

Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se do të jenë të nevojshëm 50,000 deri në 60,000 ushtarë të rinj për të përmbushur kërkesat e NATO-s. Aktualisht, ushtria ka mbi 180,000 anëtarë dhe synon të arrijë në 203,000 deri në vitin 2031. Megjithatë, rekrutimi i mjaftueshëm mbetet sfidë, duke shtyrë diskutime për rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm, i pezulluar që nga viti 2011, transmeton albinfo.ch.

Gjermania po udhëheq gjithashtu iniciativën “European Sky Shield”, që synon të forcojë mbrojtjen ajrore të Evropës përmes blerjes së sistemeve të avancuara si Arrow 4 dhe integrimit të tyre në rrjetet ekzistuese. Ky projekt mbështetet nga 15 vende evropiane dhe ka për qëllim krijimin e një mbrojtjeje të përbashkët kundër kërcënimeve, veçanërisht nga Rusia.

Megjithatë, zbatimi i këtyre planeve po has në vështirësi për shkak të kufizimeve buxhetore dhe procedurave administrative të ngadalta. Në vitin 2024, u miratuan 97 projekte të mëdha mbrojtjeje, më shumë se çdo vit tjetër, por ka shqetësime nëse ushtria do të mund t’i përdorë këto investime në mënyrë efektive.

Spanja me rregulla të reja për turistët

Spanja, një ndër vendet më të vizituara në Europë, po vendos kufij të rinj për turizmin – jo për t’i mbyllur dyert vizitorëve, por për të mbrojtur vetveten.

Me rritjen e fluksit të turistëve dhe ndikimin që kjo sjell në jetën e përditshme të banorëve lokalë, autoritetet spanjolle kanë marrë masa konkrete për të vendosur rregull. Disa nga ndryshimet që tashmë kanë hyrë në fuqi përfshijnë, transmeton albinfo.ch:

  • Kufizime për qiratë afatshkurtra për pushime

  • Taksa turistike më të larta

  • Gjobë për ndotje, zhurmë të tepërt dhe konsumim të alkoolit në publik

Synimi? Një turizëm më i qetë, më i qëndrueshëm dhe më i respektueshëm ndaj komuniteteve që e mbajnë këtë industri gjallë.

Autoritetet theksojnë se këto masa nuk janë kundër turistëve, por janë në dobi të të gjithëve: banorëve që duan të jetojnë të qetë dhe vizitorëve që duan të shijojnë një Spanjë të pastër, autentike dhe të rregullt.

Ky është një hap i guximshëm drejt një ekuilibri mes mikpritjes dhe përgjegjësisë. Spanja nuk po e ndalon turizmin, po e drejton atë në rrugën e duhur.

 

Gjermania planifikon zgjerimin e shpejtë të bunkerëve dhe strehimoreve për shkak të frikës nga një sulm rus

Autoritetet gjermane kanë njoftuar planet për një zgjerim të shpejtë dhe të gjerë të rrjetit të bunkerëve dhe strehimoreve në vend, për shkak të shqetësimeve në rritje për një sulm të mundshëm nga Rusia brenda katër viteve të ardhshme.

Ralph Tiesler, kreu i Zyrës Federale për Mbrojtje Civile dhe Ndihmë në Fatkeqësi (BBK), tha se Gjermania duhet të përgatitet për skenarin e një konflikti të mundshëm në Evropë, duke theksuar se vendi nuk është aktualisht i pajisur mjaftueshëm për përballimin e një situate të tillë.

“Për shumë kohë, ka pasur bindjen se lufta nuk është një rrezik real për Gjermaninë. Kjo ka ndryshuar. Rreziku për një luftë të madhe agresioni në Evropë po rritet,” u shpreh Tiesler për gazetën Süddeutsche Zeitung, transmeton albinfo.ch.

Sipas BBK-së, prioriteti kryesor është identifikimi dhe përshtatja e infrastrukturës ekzistuese si: tunelet, stacionet e metrosë, garazhet nëntokësore, parkimet dhe bodrumet e ndërtesave publike, të cilat mund të shërbejnë si strehimore në rast nevoje. Objektivi fillestar është krijimi i hapësirave për të paktën 1 milion qytetarë.

Aktualisht, nga rreth 2,000 strehimore të ndërtuara gjatë Luftës së Ftohtë në Gjermani, vetëm rreth 580 janë funksionale, me kapacitet për të strehuar 480,000 njerëz, ose rreth 0.5% të popullsisë.

Në krahasim, Finlanda ka ndërtuar rreth 50,000 strehimore, që mund të strehojnë rreth 4.8 milionë banorë, ose 85% të popullsisë.

Tiesler theksoi se ndërtimi i strukturave të reja bunkerësh do të ishte një proces i gjatë dhe shumë i kushtueshëm, prandaj kërkohet një vlerësim i menjëhershëm i ndërtesave ekzistuese që mund të përshtaten për nevoja mbrojtëse.

Plani i plotë për këtë zgjerim pritet të prezantohet nga BBK gjatë verës.

Frika për një përshkallëzim të mundshëm të konflikteve ushtarake në Evropë është shtuar pas agresionit të vazhdueshëm të Rusisë në Ukrainë. Kjo ka rritur ndjeshëm gatishmërinë ushtarake dhe mbrojtëse edhe në vende të tjera si Polonia, shtetet baltike dhe vetë Gjermania.

 

“The Times”: Zbuloni thesaret e fshehura të jugut të Shqipërisë

Gazeta britanike “The Times” i ka kushtuar një artikull të zgjeruar turizmit në jug të Shqipërisë, duke theksuar bukuritë natyrore dhe përvojat autentike që ofron vendi përtej zonave bregdetare të njohura.

Në artikullin e firmosur nga Laura Sanders, Shqipëria përshkruhet si një destinacion që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare. “Plazhet në Rivierën Shqiptare po bëhen gjithnjë e më të populluara, por nëse shkoni më në brendësi të vendit, do të zbuloni fshatra të qetë, lumenj të egër dhe aventura të pazakonta”, shkruan ajo, transmeton albinfo.ch.

Sanders mori pjesë në një tur shtatëditor të organizuar nga kompania britanike “Undiscovered Balkans”, e cila ofron udhëtime në grupe të vogla për të eksploruar zona më pak të vizituara të Shqipërisë.

Ajo përshkruan një itinerar që fillon në Rivierën Shqiptare dhe më pas zhvendoset në thellësi të jugut, duke përfshirë ndalesa në Qeparo, Borsh, Gjirokastër, Zagori, luginën e Vjosës dhe Liqenin e Ohrit. Gjatë udhëtimit, vizitorët përjetojnë aktivitete të tilla si ecje në natyrë, rafting, not në ujëvara të fshehura, qëndrime në bujtina tradicionale dhe vizita në monumente të trashëgimisë kulturore.

Në Qeparo, gazetarja britanike tregon për mikpritjen tradicionale në një bujtinë lokale dhe ushqimet e përgatitura në shtëpi. Më tej, ajo viziton Gjirokastrën, qytet i mbrojtur nga UNESCO, të cilin e përshkruan si “magjepsës” dhe të mbushur me histori.

Udhëtimi vazhdon drejt fshatrave malorë të Zagorisë dhe përfundon në zonën e Liqenit të Ohrit. “Nëse po kërkoni të përjetoni pushime autentike, me aventura në natyrë dhe trashëgimi kulturore, Shqipëria është vendi ideal”, përmbyll autorja artikullin në The Times, transmeton albinfo.ch.

Artikulli vlerëson gjithashtu përpjekjet lokale për të ruajtur traditën dhe natyrën, si dhe thekson potencialin e Shqipërisë për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe cilësor.

Italia forcon ligjin për mbrojtjen e kafshëve: deri në 4 vite burg për keqtrajtuesit

Senati italian ka miratuar një ligj të ri me 15 nene që parashikon dënime më të ashpra për krimet ndaj kafshëve.

Ligji ndalon lidhjen me zinxhir të qenve dhe kafshëve të tjera shtëpiake, luftimet dhe garat ilegale me kafshë, si dhe shitjen e lëkurave të maceve. Për keqtrajtim që çon në vdekje të kafshës, dënimi shkon deri në 4 vite burg, transmeton albinfo.ch.

Përveç kësaj, kafshët e përfshira në krim do të konfiskohen dhe do t’u dorëzohen shoqatave të autorizuara. Ligji parashikon gjithashtu përgjegjësi dhe gjoba të rënda për kompanitë që kryejnë veprime të paligjshme ndaj kafshëve.

 

Donatorët e spermës në Zvicër kanë tejkaluar kufirin ligjor të fëmijëve

Në Zvicër, ligji parashikon që një donator sperme nuk mund të ketë më shumë se 8 fëmijë. Megjithatë, një rishikim i fundit ka zbuluar se 55 donatorë e kanë shkelur këtë rregull, duke sjellë në jetë nga 9 deri në 19 fëmijë secili, për një total prej 500-700 fëmijësh të prekur, të lindur midis viteve 2001-2011, transmeton albinfo.ch.

Problemi qëndron në faktin se qeveria federale, ndonëse mban të dhënat, nuk ka kompetenca për të mbikëqyrur zbatimin e këtij kufiri. Si pasojë, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që Zyra Federale e Gjendjes Civile të marrë këtë përgjegjësi në të ardhmen.

Rasti vjen në një kohë kur një tjetër skandal ka shpërthyer në nivel europian, ku një donator i vetëm ka lindur të paktën 67 fëmijë në 8 vende, duke përhapur një mutacion gjenetik që shkakton kancer  nga i cili 10 fëmijë tashmë janë sëmurë.

Ky zbulim ka ngritur shqetësime serioze mbi mungesën e kontrollit, mbrojtjen e fëmijëve dhe përzgjedhjen e donatorëve në Zvicër. Autoritetet po përgatiten për ndryshime ligjore për të shmangur përsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen.

Terror në Mynih: Gruaja sulmon kalimtarët me thikë, qëllohet nga policia dhe ndërron jetë

Një ngjarje e rëndë tronditi të shtunën në mbrëmje qytetin e Mynihut, ku një grua 30-vjeçare, me shtetësi bullgare dhe banore e Mynihut, sulmoi disa kalimtarë me thikë në zonën përreth Theresienwiese, vendi ku mbahet festivali i njohur Oktoberfest.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:45, kur fillimisht ajo sulmoi një burrë 56-vjeçar dhe më pas një grua 25-vjeçare. Policia, e cila ndodhej në patrullë në afërsi, intervenoi menjëherë dhe qëlloi gruan, e cila më pas u dërgua për ndërhyrje kirurgjikale urgjente, por nuk mundi t’i mbijetojë plagëve.

Zyra e policisë ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet lidhur me motivet e sulmit, të cilat mbeten ende të paqarta. Sipas mediave gjermane, përfshirë BILD, gruaja dyshohet të ketë vuajtur nga probleme mendore. Aktualisht nuk ka informacion të detajuar mbi gjendjen e të plagosurve apo numrin e saktë të tyre, transmeton albinfo.ch.

Ministri i Brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann, deklaroi se “Vdekja e gruas është e trishtueshme, por për fat të keq ndoshta e pashmangshme”.

Policia ka siguruar qytetarët se nuk ka rrezik të mëtejshëm dhe vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti të rëndë.

Katër kalime malore në Graubünden do të mbyllen për makinat, hapen për çiklistët

Më 15 qershor, katër nga kalimet kryesore malore në kantonin Graubünden, Lukmanier, Splügen, Albula dhe Umbrail  do të mbyllen për automjetet për disa orë, duke u kthyer në rrugë të dedikuara për çiklistë dhe këmbësorë.

Kjo nismë është pjesë e projektit “Pass Liber Grischun”, që synon të promovojë turizmin aktiv dhe lidhjet mes rajoneve përmes qarkullimit të ngadaltë. Kalimi Albula është pjesë e këtij eventi për herë të 18-të, ndërsa për Lukmanierin dhe Splügenin është hera e parë, transmeton albinfo.ch.

Vitin e kaluar, rreth 7,000 çiklistë morën pjesë në këtë aktivitet.

Organizatorët nxisin përdorimin e transportit publik, ndërsa në disa pika si në Lukmanier, do të ofrohen autobusë falas për biçikleta dhe qira biçikletash me çmime të reduktuara.

Kjo lëvizje synon të rrisë ndërgjegjësimin për mënyra të qëndrueshme udhëtimi dhe të ofrojë një përvojë unike në natyrën alpine të Zvicrës.

 

Shoqatat evropiane denoncojnë çmimet e larta të bagazhit të dorës në linjat low-cost

Rreth 15 shoqata të konsumatorëve në Evropë kanë denoncuar çmimet e larta të bagazhit të dorës në linjat ajrore me kosto të ulët, duke i quajtur këto tarifa të pajustifikuara dhe abuzive. Ata i kanë kërkuar Bashkimit Evropian të ndërhyjë me rregullore për të mbrojtur të drejtat e udhëtarëve.

Sipas shoqatave, ndonëse kompanitë reklamojnë tarifa të ulëta (nga 9 deri në 20 franga), çmimet reale për një valixhe të vogël dore mund të arrijnë deri në 49 franga, si në rastin e fluturimeve nga Gjeneva në Barcelonë apo Londër, transmeton albinfo.ch.

Përfaqësuesi i Organizatës Evropiane të Konsumatorëve, Agustin Reyna, theksoi se bagazhi i dorës nuk paraqet as kosto shtesë dhe as rrezik për kompanitë, prandaj tarifimi i tij është thjesht një mënyrë për të nxjerrë më shumë përfitime nga pasagjerët.

Nga ana tjetër, linjat ajrore nuk kanë komentuar, përveç EasyJet-it, e cila deklaroi se politika e saj për bagazhin është në përputhje me ligjet dhe se ofron një opsion falas për një bagazh të vogël dore.

Komisioni Evropian pritet të japë një vendim në muajin qershor për të drejtat e udhëtarëve në BE, por disa shtete anëtare po mbrojnë interesat e kompanive ajrore, çka mund të pengojë rregullimin e përbashkët të këtij problemi.

Përsëri tetë kilometra trafik në Gotthard drejt jugut

Në autostradën A2, përpara tunelit rrugor të Gotthard-it, trafiku drejt jugut është i bllokuar në një kolonë prej tetë kilometrash. Sipas Klubit të Automobilistëve të Zvicrës (TCS), kjo përkthehet në një kohë pritjeje prej afërsisht 1 orë e 20 minuta, transmeton albinfo.ch.

Të premten, kolonat në të njëjtin vend arritën deri në 20 kilometra. Shërbimi i trafikut parashikon bllokime edhe gjatë kthimit drejt veriut të hënën. Edhe gjatë ditës së shtunë, në orën 15:30, ishte formuar tashmë një kolonë rreth tre kilometra e gjatë në hyrjen jugore të tunelit, që korrespondon me një pritje rreth gjysmë ore.

 

 

Fitore me vlerë të dyfishtë për Labinot Xhoxhaj

Boksieri shqiptar, Labinot Xhoxhaj, vazhdon me paraqitje të shkëlqyeshme në karrierën ndërkombëtare.

Xhoxhaj mposhti Mourad Aliev (13-1-0, 10 KO) me vendim unanim të gjyqtarëve, pas 12 raundeve të forta, transmeton albinfo.ch.

Labinot Xhoxhaj e mbrojti titullin e kampionit evropian në versionin EBU, ndërkohë që fitoi edhe titullin prestigjioz WBC International, duke forcuar pozicionin e tij në ranglistat ndërkombëtare të peshave të rënda.

“Faleminderit familjes time që më ka qëndruar pranë në çdo hap, në ditët e vështira dhe në momentet e mira.

Faleminderit stafit tim, trajnerëve, ekipit tim të ngushtë që punuan ditë e natë për këtë moment.

Një falënderim i madh shkon për sponsorët që më mbështetën dhe besuan në rrugëtimin tim.

Për bashkatdhetarët kudo në botë, ndjeva zemrat tuaja në çdo sekondë të kësaj lufte!

Dhe mbi të gjitha, për kombin tim shqiptar, kjo fitore bart me vete krenarinë, fuqinë dhe shpirtin e gjithë një populli që nuk dorëzohet kurrë!”, ka shkruar Xhoxhaj në Facebook.

Çfarë hapet e çfarë mbyllet të hënën e Pentekostit në Zvicër?

Të hënën, më 9 qershor, shumica e kantoneve në Zvicër festojnë Ditën e Pentekostit, e njohur si festë zyrtare, ndaj shumica e bizneseve do të jenë të mbyllura. Përjashtim bëjnë kantonet Neuchâtel, Solothurn, Valais dhe Zug, ku dita do të jetë e zakonshme pune, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Në kantonet ku është festë, supermarketet dhe dyqanet me pakicë do të mbyllen, përveç atyre në aeroporte, stacione kryesore trenash dhe dyqaneve të benzinës si Coop Pronto dhe Migrolino. Kafenetë dhe disa restorante do të qëndrojnë të hapura.

Transporti publik do të funksionojë me orar të reduktuar, sipas orarit të së dielës, ndërsa farmacitë do të jenë kryesisht të mbyllura, përveç atyre që ofrojnë shërbim të rojës. Spitalet dhe shërbimet emergjente do të operojnë normalisht.

Në rast urgjence, qytetarët mund të telefonojnë 144 për ndihmë mjekësore, 117 për policinë dhe 118 për zjarrfikësit. Për situata jo emergjente, ofrohen numra kontakti për mjekët e rojës në kantone të ndryshme.

Ky ndryshim në festat publike vjen nga sistemi federal zviceran, ku çdo kanton vendos për festat e veta. Kantoni me më shumë festa publike është Ticino, me gjithsej 15, transmeton albinfo.ch.

.

Shoferët gjermanë mund të kursejnë në karburant duke furnizuar jashtë vendit, ja ku është më lirë

Ndërsa qytetarët në Gjermani përgatiten për fundjavën e gjatë me rastin e festës publike Pfingstmontag më 9 qershor, shumë prej tyre planifikojnë udhëtime të shkurtra brenda dhe jashtë vendit. Për ata që do të udhëtojnë me makinë, një pyetje e zakonshme është: a ia vlen të mbushin rezervuarin në Gjermani apo të presin deri pas kufirit?

Sipas të dhënave më të fundit nga Komisioni Evropian, çmimet e karburantit ndryshojnë ndjeshëm në varësi të vendit dhe në disa raste, shoferët mund të kursejnë dhjetëra euro për mbushje të plotë, nëse ndalen për të furnizuar jashtë kufirit gjerman, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Austria ofron një nga alternativat më të lira për shoferët që kalojnë kufirin nga Gjermania. Benzina atje kushton mesatarisht 22 cent më pak për litër, ndërsa nafta është 6 cent më lirë. Megjithatë, kursimet më të mëdha regjistrohen në Poloni dhe Republikën Çeke, ku shoferët mund të paguajnë deri në 35 cent më pak për litër benzinë, krahasuar me çmimet në Gjermani. Edhe Luksemburgu mbetet ndër vendet më të favorshme për mbushje, me benzinë 24 cent dhe naftë 16 cent më të lira.

Nga ana tjetër, jo të gjitha shtetet ofrojnë përfitime në çmim. Zvicra, për shembull, ka çmime më të larta se Gjermania dhe fqinjët e saj, ndaj rekomandohet që shoferët të furnizohen para se të kalojnë kufirin. E njëjta situatë vlen edhe për Italinë dhe Holandën, ku karburanti është dukshëm më i shtrenjtë.

Ekspertët këshillojnë që shoferët të planifikojnë furnizimin me karburant në mënyrë strategjike, idealisht gjatë orëve të mbrëmjes, kur çmimet janë zakonisht më të ulëta. Po ashtu, shmangia e stacioneve në autostrada dhe përdorimi i aplikacioneve për krahasim çmimesh mund të sjellë kursime shtesë, transmeton albinfo.ch.

Shqipëri -Serbi: Largimi i simboleve të UÇK-së nga stadiumi nxit reagime

Largimi i simboleve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga stadiumi “Air Albania” gjatë ndeshjes Shqipëri – Serbi, e zhvilluar të shtunën mbrëma dhe që përfundoi pa gola, ka ngjallur reagime të ashpra në të dy anët e kufirit, transmeton albinfo.ch.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar me një deklaratë të ndjerë, duke e cilësuar këtë akt si goditje ndaj kujtesës historike dhe sakrificës së dëshmorëve.

“Na dhemb zemra oj nanë Shqipni. Kur preket flamuri i UÇK-së, preket gjaku i Dëshmorëve tanë. Ai flamur është varri i atyre që s’u kthyen kurrë. Nuk kërkojmë asgjë më shumë veçse respekt,” thuhet në deklaratën e organizatës.

Pamje të shpërndara në rrjete sociale tregojnë policë shqiptarë duke larguar tifozë nga stadiumi për shkak të veshjeve apo flamujve me simbole të UÇK-së. Në një video të publikuar nga ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, shihen qartë momente kur një tifoz largohet nga policia shqiptare për shkak të një fanelle me stampë të UÇK-së, transmeton albinfo.ch.

“As në Beograd nuk ndodh! Dënoj me neveri një akt të tillë të shëmtuar antidemokratik prej vasali të Edi Ramës dhe narko-regjimit të tij!” ka shkruar Berisha në rrjete sociale.

Në një tjetër reagim, politikani demokrat Shyqyri Myrtollari ka publikuar një video ku flamuri i UÇK-së largohet nga tribuna e stadiumit nga ana e policisë. Ai e ka cilësuar këtë veprim si fyerje ndaj të rënëve për atdheun dhe si një kërcënim për unitetin kombëtar.

“Në një vend ku shteti dhe policia nuk respektojnë simbolet e rezistencës kombëtare, forcohet tendenca e përçarjes dhe dobësohet ndjenja e unitetit kombëtar. Mallkuar qoftë kush nuk na do bashkë!” ka shkruar Myrtollari.

Ndeshja Shqipëri – Serbi ishte pjesë e ciklit kualifikues për Kampionatin Botëror 2026 dhe u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, nën masa të shtuara sigurie, transmeton albinfo.ch.

Nga Liqeni i Cyrihut në Malet Neuchâtel: Tregu i pasurive të paluajtshme në dy botë të kundërta

Nga lartësitë panoramike të Kilchberg në brigjet e Liqenit të Cyrihut, deri te qetësia industriale e Le Locle në Malet Neuchâtel, tregu i pasurive të patundshme në Zvicër ndan dy realitete kontradiktore. Në njërën anë, luks milionësh dhe kërkesë e lartë nga investitorë ndërkombëtarë. Në tjetrën, çmime të ulëta dhe ndërtesa që presin rilindjen urbane, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Në Kilchberg, Claudio dhe Ingila Baumann menaxhojnë prona që shkojnë deri në 35,000 franga për metër katror. Një papafingo dupleks me pamje madhështore nga liqeni ofrohet për më shumë se tetë milionë franga. Apartamente me kopsht dhe pesë dhoma arrijnë në 4.8 milionë. Klientët? Një miks ndërkombëtar dhe vendas me pasuri të konsiderueshme, që shpesh kërkojnë diskrecion të plotë, aq sa as nuk paraqiten personalisht në aktin e blerjes.

Ndërkohë, në Le Locle, Sadry Ben Brahim shet një papafingo të bollshme për vetëm 625,000 franga. Me tre vende parkimi, tarracë dhe 202 metra katrorë, prona qëndron prej muajsh në treg. Çmimet aty janë aq të ulëta, sa shumë blerës zhvendosen nga qytete si Neuchâtel për të përfituar nga oferta që përndryshe do të ishin të paarritshme, transmeton albinfo.ch.

Por ndryshimi nuk është vetëm ekonomik, është edhe strukturor. Kilchberg ofron shkolla ndërkombëtare, lidhje të shpejta me Cyrihun dhe Zugun dhe është bërë një magnet për profesionistët e sektorit të teknologjisë dhe financës. Le Locle, në anën tjetër, mbetet e varur nga industria e orëve dhe përballet me sfida të mëdha infrastrukturore dhe imazhi publik.

Megjithatë, po fryjnë erëra ndryshimi. Me ndërtimin e një tuneli modern që do të ulë ndjeshëm trafikun kalimtar deri në vitin 2032, Le Locle synon një ringjallje. Planet për rivitalizimin e qendrës dhe investimet në infrastrukturë, si rinovimi i pishinës historike komunale, dëshmojnë për ambicien e qytetit për të tërhequr më shumë banorë dhe turistë.

E ardhmja? Mbetet për t’u parë. Por historia e Kilchberg dhe Le Locle është një reflektim i realitetit më të gjerë të Zvicrës: një vend me ekuilibër të jashtëzakonshëm midis luksit të përqendruar dhe potencialit të fshehur. Dhe ndërsa çmimet në breg të liqenit mbeten të paarritshme për shumicën, qytete si Le Locle ofrojnë një kujtesë se vlera nuk matet vetëm me franga për metër katror, por edhe me potencialin për ndryshim, transmeton albinfo.ch.

Thirrje anti-shqiptare dhe incidente nga tifozët serbë në Vjenë pas ndeshjes Shqipëri – Serbi

Ndeshja e kualifikimeve për Kupën e Botës mes Shqipërisë dhe Serbisë, që përfundoi pa gola (0-0) në Tiranë, u shoqërua me tensione jo vetëm në stadium, por edhe në disa qytete të tjera evropiane, përfshirë kryeqytetin austriak, Vjenën, shkruan Heute, transmeton albinfo.ch.

Në rrugën Ottakringer Straße, të njohur ndryshe si “Balkan Mile”, atmosfera festive para ndeshjes u shndërrua në tension pas përfundimit të saj. Sipas një videoje të shpërndarë në rrjete sociale, disa tifozë serbë u mblodhën përpara një restoranti ballkanas dhe situata degradoi. Fishekzjarre u hodhën edhe në drejtim të forcave policore që ndodheshin në vendngjarje, ndërsa dëgjoheshin brohoritje me përmbajtje urrejtjeje ndaj shqiptarëve.

Policia e Vjenës, në një përgjigje për gazetën “Heute”, konfirmoi se rreth 40 tifozë serbë u shoqëruan nga oficerët. Sipas autoriteteve, para ndeshjes situata ishte e qetë, ndërsa pas saj u raportuan disa shkelje të rendit publik dhe shqetësime për zhurmë në zonë.

Hetimet nuk përfundojnë këtu. Për shkak të përmbajtjes diskriminuese të brohoritjeve dhe thirrjeve anti-shqiptare, autoritetet austriake kanë nisur analizën e materialeve filmike të publikuara në rrjete sociale. Policia nuk përjashton mundësinë që ditëve në vijim të pasojnë procedura të tjera ligjore dhe raportime shtesë, transmeton albinfo.ch.

Austria rrit çmimet e patentës së shoferit dhe KlimaTicket nga korriku dhe gushti

Nga korriku dhe gushti, qytetarët në Austri do të përballen me tarifa më të larta për dokumentet e drejtimit dhe transportin publik, si pjesë e një pakete të re të kursimeve të qeverisë federale, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Duke filluar nga 1 korriku, do të hyjnë në fuqi tarifat e reja për patentën e drejtimit. Tarifa për lëshimin e një patente të re do të jetë 178 euro, që përfaqëson një rritje prej 58.20 euro. Ndërkohë, aplikimi për patentë të re do të kushtojë 90 euro, duke u rritur me 29.50 euro.

Ndryshimet janë pjesë e një reforme më të gjerë që synon përafrimin e tarifave administrative me normat e inflacionit dhe sigurimin e të ardhurave shtesë për buxhetin shtetëror.

Po ashtu, nga 1 gushti, do të rritet edhe çmimi i KlimaTicket,  bileta vjetore për transportin publik në të gjithë vendin. Çmimi i saj do të shkojë nga 1,095 euro në 1,300 euro. Një rritje tjetër prej 100 euro është paralajmëruar për vitin 2026, transmeton albinfo.ch.

Përveç këtyre, qeveria do të ndërpresë edhe disa nga përjashtimet dhe subvencionet aktuale, duke përfshirë:

  • Heqjen e përjashtimit nga TVSH-ja për sistemet fotovoltaike (PV),

  • Heqjen e përjashtimit nga taksa e sigurimit për automjetet elektrike,

  • Ndërprerjen e KlimaTickets falas për të rinjtë 18-vjeçarë.

Këto masa janë pjesë e planit të konsolidimit buxhetor për vitet 2025-2026, me synimin për të stabilizuar financat publike. Megjithatë, ato pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, veçanërisht ata që mbështeten në shërbimet publike dhe në stimujt për lëvizshmëri të gjelbër.

Qytetarët këshillohen që, nëse planifikojnë të aplikojnë ose të rinovojnë patentën apo KlimaTicket, ta bëjnë këtë përpara hyrjes në fuqi të tarifave të reja, transmeton albinfo.ch.

BE drejt uljes së kompensimeve për vonesat e fluturimeve

Pasagjerët që udhëtojnë me avion në hapësirën e Bashkimit Evropian mund të përballen së shpejti me kufizime të reja në të drejtën për kompensim financiar në rast vonese ose anulimi të fluturimeve. Këshilli i BE-së ka rënë dakord për një reformë të diskutueshme që pritet të ndikojë drejtpërdrejt udhëtarët, duke ndryshuar rregullat ekzistuese mbi kompensimet e linjave ajrore, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, pasagjerët kanë të drejtë për kompensim në vlerë prej 250 deri në 600 euro nëse një fluturim vonohet më shumë se tre orë, për aq kohë sa përgjegjësia është e linjës ajrore. Megjithatë, me ndryshimet e reja, kjo e drejtë do të kufizohet.

Sipas vendimit të miratuar në një samit të Këshillit Evropian, kompensimi për fluturimet e shkurtra dhe mesatare do të ofrohet vetëm nëse vonesa kalon katër orë, ndërsa për fluturimet mbi 3,500 kilometra, kompensimi do të jepet vetëm pas një vonese prej së paku gjashtë orësh.

Shumat e reja të kompensimit do të jenë 300 euro për vonesa mbi katër orë dhe 500 euro për vonesa mbi gjashtë orë. Rregullat aktuale mbeten në fuqi deri në një vendim përfundimtar të Parlamentit Evropian, i cili ka afat katër muaj për të paraqitur kundërshtime apo ndryshime, transmeton albinfo.ch.

Vendimi ka ngjallur reagime të përziera, veçanërisht për shkak se u mor përmes një procedure që shmang konsultimin e drejtpërdrejtë me Parlamentin. Gjermania dhe Spanja ishin ndër shtetet që shprehën rezerva ndaj këtij ndryshimi.

Industria e aviacionit, e cila ka lobuar fuqishëm për ndryshimet, argumenton se kompensimet e larta janë të papërballueshme, sidomos për linjat me kosto të ulët, ku ndonjëherë kompensimi i kalon vlerën e vetë biletës. Linjat ajrore gjithashtu kërkojnë një proces më të thjeshtë për kompensimet dhe më pak ambiguitet në rastet e rrethanave të jashtëzakonshme.

Ndërkohë, nuk parashikohen ndryshime në të drejtat e pasagjerëve për sa i përket ofrimit të ushqimit, akomodimit apo udhëtimit alternativ në rast të vonesave apo anulimeve. Po ashtu, rregullat që përjashtojnë kompensimet në rast të motit ekstrem, paqëndrueshmërisë politike apo çështjeve të sigurisë mbeten të pandryshuara.

Nëse Parlamenti Evropian nuk kundërshton vendimin brenda katër muajve, rregullat e reja do të hyjnë në fuqi me një datë që do të përcaktohet më vonë, transmeton albinfo.ch.

Zvicra synon të shkurtojë 15% të vendeve të punës në administratën federale

Zvicra po përgatitet për një valë të re masash shtrënguese, ku në qendër është administrata federale me rreth 40,000 të punësuar. Në përpjekje për të ulur kostot publike, disa deputetë konservatorë në Këshillin Kombëtar, të udhëhequr nga përfaqësuesi i SVP-së, Erich Hess, propozojnë një plan për eliminimin e 15% të vendeve të punës në administratë brenda një dekade, ekuivalente me rreth 6,000 pozicione, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Hess thekson se ky reduktim mund të realizohet pa shkarkime, duke përfituar nga pensionimi natyral i rreth 30% të forcës aktuale të punës në dhjetë vitet e ardhshme. Ai e konsideron këtë një “mundësi unike” për të modernizuar dhe thjeshtuar administratën publike pa prekur drejtpërdrejt punonjësit.

Plani gjen përkrahje edhe përtej partisë SVP. Deputetët Thomas Rechsteiner (Qendër) dhe Marcel Dobler (FDP) janë bashkë-nënshkrues të mocionit. Dobler argumenton se shteti duhet të përballet me të njëjtin presion për eficiencë si çdo kompani private. Megjithatë, ai paralajmëron kundër rrezikut që pozicionet e humbura të zëvendësohen me kontrata të jashtme, gjë që mund të rrisë më tej kostot, ndaj ai sugjeron që kufizimet buxhetore mund të jenë mjet më efektiv për uljen e shpenzimeve, transmeton albinfo.ch.

Nga ana tjetër, kundërshtimi nga spektri i majtë është i ashpër. Sarah Wyss, këshilltare kombëtare e SP-së dhe kryetare e Komitetit të Financave, e quan mocionin “polemik dhe të parealizueshëm”. Ajo vëren se afërsisht gjysma e punonjësve federalë janë të përfshirë në sektorin e sigurisë, si rojet kufitare, policia federale dhe ushtria, dhe vë në dukje kontradiktën që qëndron në dëshirën e partive konservatore për të rritur këto kapacitete, ndërsa paralelisht kërkojnë shkurtimin e vendeve të punës.

Wyss shton se, megjithëse automatizimi dhe inteligjenca artificiale mund të rrisin efikasitetin, sfidat janë gjithashtu në rritje për shkak të zgjerimit të popullsisë. Sipas saj, nuk ka më vend për shkurtime të mëtejshme pa pasoja të dukshme për shërbimet publike. “Limoni është shtrydhur deri në fund”, përfundon ajo, transmeton albinfo.ch.

Gjermania në rrezik recesioni dyvjeçar nëse përshkallëzohet lufta tregtare me SHBA-në

Gjermania mund të përballet me dy vite të tjera recesioni nëse lufta tregtare me Shtetet e Bashkuara përshkallëzohet ndjeshëm, paralajmëroi të premten Bundesbank, banka qendrore e vendit. Kjo është një goditje e re për ekonominë më të madhe të Evropës, e cila tashmë ndodhet në një periudhë të zgjatur vështirësie, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Sipas skenarit të përkeqësuar të parashikuar nga Bundesbank, nëse tarifat e shpallura nga ish-presidenti amerikan Donald Trump do të zbatohen plotësisht nga korriku 2025 dhe Bashkimi Evropian do të hakmerrej, atëherë prodhimi ekonomik gjerman pritet të bjerë me 0.5% këtë vit dhe me 0.2% në vitin 2026.

Ky skenar përfshin “një rënie të ndjeshme të eksporteve dhe një nivel të lartë pasigurie që ndikon negativisht në investime”, tha Bundesbank në deklaratën e saj. Megjithatë, institucioni parashikon një rikthim modest në vitin 2027, me një rritje prej 1%.

Lufta tregtare ka potencialin të godasë rëndë sektorët më të fuqishëm të eksportit në Gjermani. Shtetet e Bashkuara ishin partneri më i madh tregtar i Gjermanisë në vitin 2024, duke importuar kryesisht automjete, produkte farmaceutike dhe makineri, transmeton albinfo.ch.

Agjencia federale gjermane e punësimit paralajmëron se tarifat prej 25% nga ana e SHBA-së mund t’i kushtojnë Gjermanisë rreth 90,000 vende pune brenda një viti. “Mungesa e parashikueshmërisë nga SHBA po dëmton seriozisht tregun gjerman të punës”, tha shefja e agjencisë, Andrea Nahles, për gazetën Sueddeutsche Zeitung. Sipas saj, kjo situatë po i ndalon kompanitë të investojnë, punësojnë dhe trajnojnë punonjës të rinj.

Përveç skenarit më të keq, Bundesbank paraqiti edhe një parashikim bazë, më të moderuar, ku efektet e politikave të Trump do të jenë të kufizuara. Sipas këtij skenari, ekonomia gjermane do të ngecë në vitin 2025, për të kaluar në një rritje të lehtë prej 0.7% në 2026 dhe 1.2% në 2027. Kjo parashikohet të ndodhë falë shtimit të investimeve në infrastrukturë dhe mbrojtje nga qeveria e re e Kancelarit Friedrich Merz.

Megjithatë, pasiguria e madhe rreth zhvillimeve tregtare po i detyron institucionet gjermane të ulin pritshmëritë për rritje ekonomike. Qeveria gjermane dhe institutet ekonomike kryesore tashmë e kanë ulur parashikimin për rritjen në vitin 2025 në zero, transmeton albinfo.ch.


Zvicër: Rënie e vdekshmërisë tek grupmoshat nën 65 vjeç

Rreth 740 persona më pak se sa pritej statistikisht vdiqën në Zvicër në periudhën midis mesit të janarit dhe fundit të prillit 2025, në grupmoshën nën 65 vjeç. Këtë e tregojnë të dhënat më të fundit nga Zyra Federale e Statistikave (BfS), shkruan CH Media, transmeton albinfo.ch.

Rënia konsiderohet jashtëzakonisht e ndjeshme dhe ka habitur edhe ekspertët. BfS ka konfirmuar se nuk ka ndryshuar metodat e mbledhjes së të dhënave, ndërsa një shpjegim përfundimtar pritet vetëm pasi të publikohen statistikat zyrtare për shkaqet e vdekjeve, gjë që nuk do të ndodhë para vitit 2026 për shkak të vonesave në raportim.

Epidemiologu i njohur Christian Althaus tha se është i habitur nga ky fenomen dhe sugjeroi se ndoshta po shohim një kombinim të një tendence në rënie që ekzistonte para pandemisë dhe një efekt kompensues pas vdekshmërisë së lartë nga COVID-19 në vitet e mëparshme.

Për grupmoshën mbi 64 vjeç, rënia nuk është reale, por lidhet me metodologjinë e përllogaritjes së pritshmërive. Viti 2022 është përfshirë në bazën krahasuese, ndonëse pati ende vdekshmëri të lartë pas pandemisë, gjë që ka ndikuar në rritjen artificiale të pritshmërisë statistikore, transmeton albinfo.ch.

Në plan afatgjatë, Zvicra ka parë një rënie të vazhdueshme të vdekjeve nga shkaqe të zakonshme si kanceri dhe sëmundjet kardiovaskulare. Sidomos në vitin 2023 është vërejtur një ulje e dukshme e vdekjeve nga kanceri, që sipas ekspertëve lidhet me përmirësimin e terapive dhe diagnostikimin e vonuar gjatë pandemisë, kur më pak qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore. Fenomen të ngjashëm ka përjetuar edhe Gjermania, ku u raportuan më pak trajtime për kancerin se në vitet para COVID.

Faktorë të tjerë si vdekjet nga ortekët (vetëm 10 këtë vit, krahasuar me një mesatare prej 19) apo shpërndarja kantonale nuk mjaftojnë për të shpjeguar rënien e përgjithshme, e cila është konstatuar në pothuajse të gjitha rajonet, me përjashtim të kantonit të vogël Appenzell Ausserrhoden, transmeton albinfo.ch.