Sulmi në Graz: Shkon në 11 numri i viktimave

Një sulm i armatosur në një shkollë të mesme në qytetin Graz të Austrisë tronditi vendin të martën. Numri i viktimave pasdite shkoi në 11, pasi një grua vdiq në spital nga plagët e marra. Në mesin e viktimave është edhe autori i dyshuar i të shtënave, një ish-nxënës 21-vjeçar, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Dymbëdhjetë persona të tjerë u plagosën, ndër ta dy në gjendje kritike dhe pesë të tjerë në rrezik për jetën. Të gjithë iu nënshtruan operacioneve të menjëhershme kirurgjikale.

Ngjarja tragjike ndodhi në shkollën BORG Dreierschützengasse, e vendosur në rrethin Lend të qytetit. Sulmi nisi rreth orës 10:00 të mëngjesit, kur autori i dyshuar hapi zjarr në të paktën dy klasa të ndara. Sipas autoriteteve, dhjetë persona humbën jetën në vend. Sulmuesi mendohet se i ka marrë jetën vetes në tualetet e shkollës.

Policia reagoi menjëherë, duke rrethuar zonën dhe ridrejtuar trafikun. Në vendngjarje u vendosën forcat e armatosura dhe njësia speciale Cobra. Situata u vu nën kontroll brenda orës 11:30, sipas zyrtarëve.

“Është një nga ditët më të zeza për qytetin tonë,” deklaroi kryetari i Bashkisë së Grazit në një konferencë për shtyp.

Nga të dhënat e deritanishme, viktimat janë shtatë femra dhe tre meshkuj. Të gjithë ishin nxënës.

Sipas Ministrit të Brendshëm, sulmuesi ishte një 21-vjeçar me origjinë nga Graz, i cili kishte qenë më parë nxënës i shkollës, por nuk i kishte përfunduar studimet. Ai kishte në pronësi ligjore dy armë, një pistoletë dhe një armë të gjatë, të cilat u përdorën në sulm.

Motivi i tij mbetet ende i paqartë dhe autoritetet kanë nisur një hetim të thelluar, që pritet të zgjasë ditë apo edhe javë.

Drejtoria e Arsimit e Styrianit ka aktivizuar ekipe të emergjencës psikologjike dhe ka ngritur qendra për mbështetje të nxënësve dhe familjarëve. Në qendrën Helmut-List-Halle po ofrohet përkujdesje dhe këshillim për të prekurit. Është hapur edhe një linjë ndihme për prindërit dhe nxënësit.

Ekspertët këshillojnë biseda të hapura me fëmijët dhe kufizimin e ekspozimit ndaj mediave në ditët pas incidentit, për të ndihmuar përballimin e traumës, raporton albinfo.ch.

Zvicër: Kantieret e ndërtimit mbeten të rrezikshme, me më shumë se një vdekje në muaj

Pavarësisht përmirësimeve teknologjike dhe masave të sigurisë, kantieret e ndërtimit mbeten ndër sektorët më të rrezikshëm në vend. Sipas të dhënave të fundit, një aksident fatal ndodh mesatarisht një herë në muaj, duke e renditur ndërtimin në vendin e pestë mes sektorëve me rrezik të lartë, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Një nga incidentet më tragjike të viteve të fundit ishte shembja e skelave të kullës Malley Phare në Prilly (VD) korrikun e kaluar, ku tre punëtorë humbën jetën dhe 11 të tjerë u plagosën. Ky aksident ngriti pyetje të rëndësishme mbi standardet e sigurisë në kantiere dhe mekanizmat e mbikëqyrjes.

Në Zvicër, Suva luan një rol kyç në garantimin e sigurisë në kantiere, duke vepruar si rregullator dhe sigurues i detyrueshëm për punëdhënësit. Inspektorët e saj, së bashku me zyrtarë të tjerë qeveritarë, monitorojnë pajisjet e sigurisë, skelat, barrierat dhe menaxhimin e mbeturinave.

Inspektimet kryhen veçanërisht në vendet e raportuara për parregullsi, shpesh pa paralajmërim. Megjithëse kontrollet kanë ndihmuar në uljen e numrit të aksidenteve, krahasuar me vitet 1960 ato janë zvogëluar me pesë herë, problemet vazhdojnë. Numri vjetor i aksidenteve mbetet alarmues, rreth 50.000, ku mbi 30% lidhen me rëniet nga lartësia, transmeton albinfo.ch.

Eksperti i sigurisë Michel Duinker, me 15 vite përvojë në Suva, shpreh shqetësimin e tij për mungesën e menaxhimit të duhur në kantiere: “Po shohim gjithnjë e më shumë asistentë në role kyçe, por shumë pak menaxherë. Ka një humbje aftësish që ndikon direkt në sigurinë.”

Një faktor tjetër i rëndësishëm është stresi dhe presioni i afateve dhe buxheteve, që shpesh çon në neglizhimin e masave të sigurisë. Shoqata Zvicerane e Sipërmarrësve pranon se sektori po përballet me mungesë të fuqisë punëtore, megjithëse ka pasur përmirësime në trajnimin dhe kualifikimin e punëtorëve, transmeton albinfo.ch.

Një në tre zviceranë nuk duan më të lënë bakshish

Ngrënia jashtë vazhdon të jetë një traditë e dashur për zviceranët, por një studim i fundit nga Marketagent tregon se kjo dëshirë po pëson ndryshime. Në një anketë me mbi 3.000 persona në rajonin DACH (Gjermani, Austri dhe Zvicër), përfshirë 1.039 nga Zvicra, rezultoi se, ndonëse entuziazmi për restorantet mbetet i lartë, disa faktorë po dëmtojnë përvojën e klientëve, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Një nga çështjet më të debatueshme është bakshishi. Sipas studimit, 58% e zviceranëve nuk janë të sigurt sa duhet të japin, ndërsa 27% japin bakshish edhe kur shërbimi është i dobët, kryesisht nga zakoni apo mirësjellja. Megjithatë, një në tre zviceranë (37.6%) preferojnë të mos japin fare. Krahasuar me Austrinë (21%) dhe Gjermaninë (29%), zviceranët janë dukshëm më kundër kësaj praktike.

Cilësia e shërbimit është një tjetër shqetësim i madh. 27% e të anketuarve mendojnë se shërbimi në restorantet zvicerane është përkeqësuar, ndërsa Austria ka performuar edhe më dobët. Megjithatë, zviceranët rrallë ankohen direkt  vetëm dy herë në vit japin “kritika miqësore”, ndërsa një ankesë e qartë bëhet mesatarisht vetëm një herë në vit.

Ndër problematikat kryesore që klientët kanë identifikuar janë vlera e dobët për paratë (32%), koha e gjatë e pritjes (28%) dhe shërbimi jo i kënaqshëm (27%), transmeton albinfo.ch.

Një çështje e ndjeshme mbetet uji i rubinetit, i cili porositet rregullisht nga dy në tre zviceranë, shumë më tepër se në Gjermani (22%). Megjithatë, çmimet e larta kanë shkaktuar pakënaqësi  disa restorante e tarifojnë një litër ujë deri në 8 franga, ndërsa çmimi i pranueshëm për klientët është rreth 1.50 franga.

Probleme të tjera përfshijnë rregullat e reja të rezervimeve,  72% e të anketuarve refuzojnë të japin të dhënat e kartës së kreditit për rezervime, ndërsa tarifat shtesë dhe gjobat janë gjithashtu një burim shqetësimi. Pavarësisht kësaj, 16% pranojnë se e kanë lënë një rezervim pa e anuluar dhe një përqindje e barabartë bëjnë rezervime në disa restorante njëherësh.

Sipas Roland Zeindler, Drejtor Menaxhues i Marketagent Zvicër, sfidat e fundit kërkojnë vëmendje nga industria e restoranteve: “Zviceranët vlerësojnë ushqimin cilësor dhe janë të gatshëm të paguajnë më shumë për të, për sa kohë që cilësia dhe shërbimi janë në nivel. Por praktikat e reja, si tarifat për ujin e rubinetit dhe kërkesat për kartat e kreditit, po ndikojnë në përvojën e klientëve. Industria duhet të reagojë me ndjeshmëri për të ruajtur dëshirën e konsumatorëve për të ngrënë jashtë,” transmeton albinfo.ch.

Sulmi në Graz, në mesin e viktimave edhe një vajzë nga Kosova

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka konfirmuar se në mesin e viktimave në Graz të Austrisë është edhe një vajzë nga Kosova, raporton albinfo.ch.

L. Bajrami ishte në shkollë në momentin e sulmit.

“Me pikëlloi pa masë lajmi për humbjen tragjike të vajzës suaj L. Humbja e një jete të re, me ëndrra dhe shpresë për të ardhmen, është një plagë që lë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e secilit prej nesh,” thuhet në mesazhin e kryetarit Haliti, i cili në emër të tij dhe të Komunës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella për familjen Bajrami.

Ngjarja tragjike në Graz, ku përveç L. humbën jetën edhe fëmijë të tjerë, ka shkaktuar një tronditje të madhe në opinionin publik ndërkombëtar.

Kryetari Haliti ka dërguar gjithashtu një mesazh ngushëllimi për kryetaren e qytetit të Grazit, Elke Kahr, duke theksuar dhimbjen e përbashkët dhe rëndësinë e veprimeve institucionale për të garantuar sigurinë e qytetarëve, raporton albinfo.ch.

Takim i ri i kryenegociatorëve në Bruksel

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, po zhvillojnë një tjetër raund bisedimesh në Bruksel, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si pjesë e përpjekjeve për të çuar përpara dialogun mes dy vendeve, transmeton albinfo.ch.

Ky takim vjen si vazhdimësi e takimeve të ndara që të dy palët kishin javën e kaluar me emisarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen. Atëherë, takimi trilateral kishte dështuar të mbahej për shkak të problemeve logjistike nga pala serbe gjatë udhëtimit për në Bruksel, siç kishte deklaruar Bislimi.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, theksoi se në këtë raund i ka paraqitur Sorensenit qasjen që Kosova do të ndjekë në fazat e ardhshme të dialogut, si në nivelin e kryenegociatorëve, ashtu edhe në takimet e ardhshme të nivelit të lartë, që pritet të udhëhiqen nga shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Kaja Kallas.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Serbisë, Petar Petkoviq, ka theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mbetet tema qendrore për Beogradin, duke mohuar se do të diskutojnë për çështjen e Luginës së Preshevës, siç kishte përmendur Bislimi më herët, transmeton albinfo.ch.

Evakuim në Val de Bagnes, autoritetet paralajmërojnë për rrëshqitje të mëtejshme

Tridhjetë banorë janë evakuuar në pjesën e sipërme të Val de Bagnes, pas një serie rrëshqitjesh mbeturinash që kanë goditur zonën malore. Autoritetet komunale dhe ato kantonale të Valais kanë lëshuar një përditësim serioz të hënën në mbrëmje, duke paralajmëruar se situata mund të mbetet e tensionuar për të paktën dy javët e ardhshme, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të fundit nga sistemet GPS, rrëshqitjet e dheut po përshpejtohen ndjeshëm. Në disa lokacione, terreni është duke lëvizur deri në dy metra në ditë, ndërsa pritet që rrjedhjet e mbeturinave të mos ndalen.

Edhe pse e hëna ka kaluar më e qetë pas ditësh me dhjetëra rrëshqitje, situata mbetet kritike. Autoritetet kanë bërë të ditur se janë zhvendosur tashmë ndërmjet 30.000 dhe 50.000 metra kub shkëmb, që përbën rreth një të tretën e një shpat mali.

Ekipet emergjente janë në gatishmëri, ndërsa banorët janë këshilluar të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare, transmeton albinfo.ch.

Anijet e Gjenevës në krizë

Anijet që lundrojnë në Liqenin e Gjenevës janë në krizë.

Drejtori i kompanisë që i drejton ato, Vincent Pellissier, i tha televizionit francez-zviceran se i duhen 600 milionë CHF për të rinovuar flotën, transmeton albinfo.ch.

Gjashtë nga tetë anijet nuk janë të përshtatshme për lundrim. Anija e fundit që është nxjerrë nga shërbimi është “La Suisse”, e cila kohët e fundit pësoi disa dëme dhe tani është e ankoruar.

Vetëm kjo do të thotë se janë anuluar 3.000 kalime pasagjerësh.

Po hartohet një plan që aksionarët të mbledhin para. Kantonet e Gjenevës, Vaud dhe Valais zotërojnë 57%.

Presidentja Osmani: Sulmi në Graz, një akt i tmerrshëm kundër sigurisë së fëmijëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmit tragjik në një shkollë në Graz të Austrisë, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë humbur jetën të paktën 10 persona. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në mbarë Evropën dhe ka shkaktuar një valë reagimesh, përfshirë atë të krerëve institucionalë të rajonit, transmeton albinfo.ch.

Në një mesazh të publikuar në platformën “X”, Presidentja Osmani e ka cilësuar këtë sulm si një akt të tmerrshëm, duke theksuar se shkollat duhet të jenë vende të sigurisë dhe dijes, jo të dhunës dhe terrorit.

“Ne mendojmë për familjet që humbën të dashurit e tyre dhe qëndrojmë me popullin e Austrisë gjatë kësaj kohe të dhimbshme. Lutemi për shërim të plotë të të plagosurve dhe për shërim në ditët në vijim”, ka shkruar ajo.

Policia austriake ka konfirmuar se autori i dyshuar ka hapur zjarr brenda një shkolle në qytetin e Grazit, duke shkaktuar viktima në mesin e stafit dhe nxënësve, ndërsa motivet e sulmit mbeten ende të paqarta, transmeton albinfo.ch.

Zvicër: Plan i ri për transportin ndërkufitar

Autoriteti ndërkufitar, Grand Genève, po i kërkon Konfederatës më shumë se gjysmë miliardi franga për të nxitur transportin publik për punëtorët e zonave frontale.

Një nga qëllimet kryesore do të jetë transporti i butë, siç janë korsitë e biçikletave.

Propozimi është për pothuajse 100 km rrugë të reja, të cilat do të përfshijnë mbikalime dhe tunele të reja.

Ekziston gjithashtu një propozim për një shërbim të ri autobusësh me frekuencë të lartë nga St Genis në CERN, së bashku me një parking makinash Park and Ride prej 700 vendesh, transmeton albinfo.ch.

Plani së pari do t’i nënshtrohet një shqyrtimi teknik dhe më pas mund të paraqitet në parlament në fund të vitit 2027.

Austri: Ish-studenti 21-vjeçar i dyshuar për sulmin

Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Grazit të martën në mëngjes, kur një ish-student 21-vjeçar hapi zjarr në një shkollë në Dreierschützengasse, duke vrarë nëntë persona dhe duke plagosur të tjerë, përfshirë nxënës meshkuj dhe femra. Autori i krimit më pas kreu vetëvrasje, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

Sipas Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ortner, sulmuesi nuk kishte precedentë penalë dhe i zotëronte armët ligjërisht një armë të gjatë dhe një pistoletë. Ministri i Brendshëm Karner konfirmoi se i dyshuari nuk kishte përfunduar studimet, por nuk dha më shumë detaje për shkak të hetimeve që vazhdojnë. Autoritetet raportojnë se ai, një austriak nga rrethi Graz-Umgebung, përdori dy armë të licencuara dhe më pas qëlloi veten në një tualet.

Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Franz Ruf, falënderoi ekipet e emergjencës për reagimin e shpejtë, duke theksuar se forcat speciale siguruan vendin e ngjarjes brenda 17 minutave, një veprim vendimtar për shpëtimin e jetëve të të plagosurve.

Ngjarja është shpallur tragjedi kombëtare nga qeveria, e cila ka shpallur tre ditë zie dhe ka bërë thirrje për unitet në këtë moment të dhimbshëm. Kancelari Stocker theksoi nevojën për solidaritet dhe mbështetje të ndërsjellë në kohë të vështira.

Hetimet vazhdojnë për të kuptuar motivet e sulmuesit dhe rrethanat që çuan në këtë akt të rëndë dhune. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të mbështesin familjet e viktimave në këto momente të vështira, transmeton albinfo.ch.

Liderët evropianë dënojnë sulmin në Graz

Një valë solidariteti dhe ngushëllimesh ka ardhur nga mbarë Evropa pas sulmit të rëndë që ndodhi në një shkollë në qytetin Graz të Austrisë, ku raportohet se kanë humbur jetën të paktën 10 persona. Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur reagime të menjëhershme nga liderët evropianë, transmeton albinfo.ch.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se është i “tmerruar nga lajmi për të shtënat në shkollën në Graz”, duke e quajtur këtë akt “të pakuptimtë” në një vend ku fëmijët duhet të ndihen të sigurt. “Mendimet e mia në këtë moment të vështirë janë me familjet dhe miqtë e viktimave,” shtoi ai.

Kancelari gjerman Friedrich Merz shkroi: “Lajme të tmerrshme nga Grazi. Mendimet tona janë me miqtë dhe fqinjët tanë austriakë.” Edhe kryeministri britanik, Keir Starmer, përmes zëdhënësit të tij, u shpreh: “Mendimet tona janë me secilin të prekur dhe me popullin e Austrisë.”

Ngushëllime të ngjashme erdhën edhe nga kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili tha: “Mendimet dhe lutjet tona janë me familjet e viktimave”, transmeton albinfo.ch.

Kryeministri çek, Petr Fiala, e cilësoi ngjarjen si “tragjike dhe jashtëzakonisht të dhimbshme”. “Është tronditëse kur ndodh diçka e tillë  veçanërisht në një vend që synon të simbolizojë sigurinë”, tha ai, duke shtuar se ngushëllimet e tij të sinqerta shkojnë për të gjithë të dashurit e viktimave.

Edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, u bashkua me mesazhet e solidaritetit: “Shkollat duhet të jenë fenerë të të mësuarit dhe shpresës, ku çdo fëmijë ndihet i sigurt. I shpreh ngushëllimet tona të përzemërta popullit të Austrisë.”

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij sulmi vazhdojnë, ndërkohë që autoritetet austriake kanë shtuar masat e sigurisë në institucionet arsimore në të gjithë vendin, transmeton albinfo.ch.

Los Anxhelos në flakë për të katërtën ditë

Prej katër ditësh, Los Anxhelosi është përfshirë nga përleshje të ashpra mes protestuesve dhe forcave të rendit, në kuadër të protestave kundër dëbimeve të emigrantëve, përcjell albinfo.ch.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa trazirat janë përhapur edhe në qytete të tjera si San Francisko, Nju Jork, Atlanta, Sietëll dhe Dallas.

Si reagim ndaj konfliktit në rritje me autoritetet lokale në Los Angeles, qeveria amerikane nën Presidentin Donald Trump ka vendosur dërgimin e trupave shtesë. Pasi një komandë rajonale përgjegjëse njoftoi për vendosjen e rreth 700 marinsave nga forcat e armatosura të rregullta në mbrëmje, Ministria e Mbrojtjes njoftoi vetëm disa orë më vonë: “se me udhëzim të presidentit Ministria e Mbrojtjes mobilizon rreth 2000 pjesëtarë shtesë të Gardës Kombëtarekaliforniane.

Trump justifikon dërgimin e Gardës Kombëtare

Trupat shtesë të Gardës Kombëtare do të dislokohen për të mbështetur Agjencinë e Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe për t’u mundësuar oficerëve federalë të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të sigurt, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes. Marinsat do të dislokohen për të mbështetur forcat e Gardës Kombëtare tashmë të mobilizuara dhe për të mbrojtur personelin dhe pronën federale.

Të hënën (09.06.) Trump bëri përgjegjës “agjitatorë profesionistë dhe kryengritës” për përplasjet në kuadër të demonstratave. Trump tha se “janë njerëz të këqinj, ata duhet të jenë në burg.” Më tej shtoi, se demonstruesit pështynë para ushtarëve. Nëse do të vazhdonin kështu, do të “goditeshin më fort se kurrë më parë”. Një mungesë respekti e tillë nuk do të tolerohet, tha Trump. Më vonë presidenti amerikan u tërhoq dhe tha vetëm, se nuk do ta quante “kryengritje, por mund të kishte çuar në një kryengritje.” Lidhur me pyetjen e një gazetari, Trump u përgjigj se “nuk dua luftë qytetare”. Aktualisht po zien edhe pak, po jo më aq shumë, u shpreh presidenti amerikan.

Pse u mobilizuan ushtarët?

Gjatë fundjavës, Presidenti i SHBA-së Trump kishte mobilizuar të paktën 2,000 trupa të Gardës Kombëtare  kundër dëshirave të Guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom. Vendosja e Marinës si një ushtri e rregullt brenda vendit përfaqëson një përshkallëzim serioz të protestave kundër veprimeve të autoritetit amerikan të imigracionit ICE në zonën e Los Angeles.

Greta Thunberg deportohet nga Izraeli

Sot. aktivistja Greta Thunberg është dëbuar nga Izraeli të martën, një ditë pasi ushtria izraelite e konfiskoi anijen me të cilën ajo dhe disa aktivistë të tjerë po udhëtonin për në Rripin e Gazës, njoftoi Ministria e Jashtme e Izraelit, përcjell albinfo.ch.

Thunberg u nis me avion drejt Francës, nga ku më pas do të kthehet në vendin e saj, Suedi, tha Ministria e Jashtme e Izraelit në X.

Thunberg ishte në mesin e 12 udhëtarëve në anijen Madleen, e cila po dërgonte ndihma për Gazën, në shenjë proteste kundër luftës së vazhdueshme të Izraelit dhe me qëllim për ta tërhequr vëmendjen mbi krizën humanitare në territorin palestinez, sipas Koalicionit të Flotës së Lirisë, i cili e organizoi udhëtimin.

Forcat detare izraelite e konfiskuan anijen pa ndonjë incident mëngjesin e së hënës, rreth 200 kilometra larg bregut të Gazës, sipas koalicionit, i cili bashkë me grupe për të drejtat e njeriut, thanë se Izraeli e shkeli ligjin ndërkombëtar me këtë veprim.

Izraeli i mohon akuzat, duke thënë se anijet e tilla synojnë ta thyejnë një bllokadë detare ndaj Gazës, të cilën ai e cilëson si të ligjshme.

Anija, e shoqëruar nga marina izraelite, mbërriti në portin izraelit të Ashdodit të hënën në mbrëmje, sipas Ministrisë së Jashtme izraelite.

Adalah, një organizatë për të drejtat ligjore në Izrael që përfaqëson aktivistët, tha se Thunberg, dy aktivistë të tjerë dhe një gazetar ishin pajtuar të dëboheshin dhe të largoheshin nga Izraeli.

Tetë aktivistët nuk pranuan të dëboheshin, dhe po mbahen në paraburgim, prandaj rastet e tyre do të shqyrtohen nga autoritetet izraelite, sipas Adalah.

Grupi shtoi se aktivistët pritet të dalin para gjykatës më vonë të martën.

Sabine Haddad, zëdhënëse në Ministrinë e Brendshme të Izraelit, tha se aktivistët që po dëboheshin të martën kishin hequr dorë nga e drejta për të dalë para gjykatësit. Ata që nuk pranuan, do të dalin para gjykatës dhe do të mbahen në paraburgim për 96 orë, para se të dëbohen.

10 të vrarë e 30 të plagosur nga sulmi në Austri

Mediat austriake kanë raportuar se 30 persona kanë mbetur të plagosur në të shtënat, mëngjesin e së martës në Graz të Austrisë, përcjell albinfo.at.

Të paktën 10 persona kanë mbetur të vdekur kur një person ka shtënë me armë zjarri në një shkollë në Graz, ka konfirmuar policia austriake.

Policia ka thënë se në mesin e të vdekurve është edhe dorasi, i cili besohet se pas aktit ka kryer vetëvrasje.

Sipas mediave austriake, i dyshuari për sulmin ishte ish-nxënës i shkollës.

Kryetarja e Bashkisë së Grazit, Elke Kahr, ka deklaruar për agjencinë e lajmeve austriake (APA) se dhjetë persona janë vrarë nga të shtënat e së martës në gjimnazin Dreierschützengasse.

Sipas APA-së, shtatë nga të vdekurit janë nxënës të shkollës.

Zvicër: Shumë kompani u gjetën duke i paguar pak punonjësit e tyre

Shumë kompani zvicerane u gjetën duke i paguar pak punonjësit e tyre, transmeton albinfo.ch.

“Kudo që kryhen kontrolle, zbulohen shkelje”, tha Federata e Sindikatave Zvicerane (SGB) në një njoftim për shtyp të premten, duke shtuar se pagat janë gjetur të jenë “të pamjaftueshme në shumë kantone”.

Ky vlerësim bazohet në inspektimet e gati 140,000 pagave të kryera në vitin 2024, vuri në dukje SGB.

Edhe në sektorët me marrëveshje kolektive pune (CLA), “31 përqind e kompanive të inspektuara” u gjetën të paguanin paga të pamjaftueshme; dhe në sektorët pa një CLA, disa kantone kanë vendosur kritere që ishin shumë të ulëta për pagat e zakonshme në vendndodhje ose sektor, tha SGB.

Megjithatë, Gjeneva dhe Ticino janë përjashtime të dukshme sepse “këto dy kantone kanë zbatuar me përpikëri” rregulloret e pagave.

Presidentja Osmani: Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë themel i vetëdijes sonë kombëtare

Sot janë bërë 147 vite nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në shënimin e kësaj date të rëndësishme, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se më 10 qershor 1878, në kohët më të vështira për kombin tonë, në Prizrenin e historisë dhe dinjitetit, u mblodhën përfaqësuesit më të mençur për ta ngritur zërin e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve dhe të drejtave tona, përcjell albinfo.ch.

“Më 10 qershor 1878, në kohët më të vështira për kombin tonë, në Prizrenin e historisë dhe dinjitetit, u mblodhën përfaqësuesit më të mençur e më të vendosur të katër vilajeteve për ta ngritur zërin e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve dhe të drejtave tona. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë themel i vetëdijes sonë kombëtare, testament i vullnetit për liri dhe paraprijëse e pavarësisë”, ka shkruar Osmani.

Nxënësi sulmon për vdekje asistenten në Francë

Një tjetër ngjarje e rëndë në shkollë ka tronditur një tjetër vend europian këtë të martë, përcjell albinfo.ch.

Një nxënës ka vrarë me thikë një asistente 31-vjeçare në një shkollë të mesme në Hauts-de-Marne. Sulmi ka ndodhur, kur po bëhej kontroll në çantat e nxënësve, përpara se ata të hynin në ambientet shkollore.

Gruaja u plagos rëndë, u transportua në urgjencë, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë. Autori i ngjarjes, nxënës gjimnazi u dërgua në paraburgim. Ngjarja ka tronditur autoritetet franceze.

Sipas medias “La Stampa”, në oborrin e shkollës po zhvillohej një kontroll në çantat e nxënësve. Në ato momente, 15-vjeçari u hodh sipër punonjëses së pastrimit të shkollës dhe e sulmoi me thikë, në motive të panjohura. 31-vjeçarja u dërgua në spital, por nuk arriti dot t’i mbijetonte plagëve të marra.

I mituri është shoqëruar në komisariat.

Kujtojmë se të paktën nëntë persona dhe autori kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri në një shkollë në qytetin Graz të Austrisë. Autori thuhet se u gjet i vetëvrarë në një nga banjot e shkollës.

Presidenti Begaj: 10 qershori 1878 ishte, është dhe mbetet themeli i bashkimit kombëtar

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ndodhet në Prizren ku së bashkë me kryetarin e Prizrenit Shaqir Totaj kanë bërë homazhe pranë monumentit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, përcjell albinfo.ch.

Homazhet u bënë për nder të 147-vjetorit të themelimit të Lidhjes së Prizrenit e cila nisi më 10 qershor 1878 dhe cilësohet si ngjarje historike kombëtare.

Ai tha se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të një Kombi,  ata ecin përpara krah për krah në rrugën drejt integrimit evropian.

“10 qershor 1878 ishte, është dhe do të mbetet themeli politik dhe shpirtëror i bashkimit kombëtar. Është dita kur filloi lëvizja për pavarësia kombëtare. Shkëndija e kësaj dite ndezi pishtarin e lirisë, por trashëgimia e saj jeton sot në çdo përpjekje për zhvillim, mirëqenie, për bashkim shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve. Ishte një thirrje për bashkim, për mbrojtje dhe vetëdije kombëtare. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të një Kombi,  ata ecin përpara krah për krah në rrugën drejt integrimit evropian. Të jemi pjesë e Europës së bashkuar është vazhdimi i aspiratës që shqiptarët shprehën në Lidhjen e Prizrenit”, tha ai.

Kurti: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, nyja që bashkoi çështjet kyçe të historisë sonë moderne

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në shënimin e 147-vjetorit të themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku ka vlerësuar rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje për identitetin dhe orientimin politik të shqiptarëve, përcjell albinfo.ch.

“Ne nuk e kemi ndryshuar kurrë thirrjen e kësaj ngjarjeje të përvitshme e cila thërret: lidhja është gjallë. Organizata Lidhja Shqiptare me seli në Prizren është pika më kulmore e lëvizjes dhe rilindjes kombëtare shqiptare. Lidhja Shqiptare e cila u themelua në Prizren, në Xhaminë e Bajrakut, paraqet një lloj nyje ku përbashkohen të gjitha çështjet kyçe dhe temat qendrore të historisë moderne të shqiptarëve. Dhe kjo si në kontekstin e brendshëm shqiptar ashtu edhe në fije dhe në shoqërinë botërore të asaj kohe. Lidhja po themelonte një kahe të re, atë të idesë së bashkimit me ide e përfaqësim e përpjekje të shqiptarëve. Ajo po përbashkonte rreth një projekti të vetëm kombëtar përtej dallimeve fetare e krahinore e fisnore, numrin maksimal të shqiptarëve në të katër vilajetet e banuara me shumicë shqiptare. Qëllimi ishte një vilajet shqiptar”, tha ai.

Shkon në 10 numri i viktimave në Graz të Austrisë, mes tyre edhe autori i sulmit

Në një deklaratë për media, kryetarja e Grazit të Austrisë ka konfirmuar për agjencinë shtetërore austriake të lajmeve, APA, se numri i viktimave nga sulmi në shkollë, ka shkuar në dhjetë, përfshirë autorin e sulmit, përcjell albinfo.at.

Ndërkohë shërbimet e emergjencës, përfshirë një njësi taktike policore dhe një helikopter, janë dërguar në shkollën BORG Dreierschützengasse pasi dëgjimit të të shtënave me armë rreth orës 10 të mëngjesit. Policia ka bërë të ditur se shkolla është evakuuar dhe njerëzit janë çuar në një pikë takimi në një stadium aty pranë.

Lidhur me ngjarjen tragjike, kancelari austriak Christian Stocker ka thënë se “nuk ka fjalë për të përshkruar dhimbjen dhe pikëllimin që të gjithë ne në Austri po ndiejmë tani”, ndërsa foli për një “tragjedi kombëtare”. Ai pritet të shkojë në vendin e sulmit më vonë sot.

Policia ka konfirmuar se vendi është siguruar pa rrezik të mëtejshëm për publikun, duke konfirmuar poashtu se autori i dyshuari ishte i vdekur.

Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Austri, ndërsa kancelari dhe zyrtarë të tjerë kanë shprehur ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre. Forcat e sigurisë janë duke vazhduar hetimet dhe pritet që gjatë orëve në vijim të ketë më shumë detaje mbi identitetin e viktimave dhe rrethanat e ngjarjes.

Tjetër vend atraktiv turistik në Shqipëri

Funari, 20 kilometra larg qytetit të Elbasanit, është kthyer vitet e fundit në destinacionin e preferuar të turistëve.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga “Funari i Elbasanit, i cili po kthehet çdo ditë e më shumë në një destinacion turistik të preferuar”.

Në Funar, veç bukurive që ofron natyra mund të ushtrohen sportet e aventurës si  parashutizmi, kajake në liqen, hipizëm, çiklizëm malor, ecje dhe ngjitje në shtigjet malore, transmeton albinfo.ch.

Funari është një zonë e pasur me pyje dhe me katër liqene apo rezervuarë, ku dy ndodhen brenda fshatit dhe dy të tjerë të fshehur pas maleve që e rrethojnë atë.

Deri pak kohë më parë, Funari ishte thuajse i harruar për nga vetë infrastruktura e amortizuar, pasi duheshin tri orë për rrugën që sot mund ta përshkosh për 1 orë.

E pasur me pyje pishash dhe dushku, Funari ofron një klimë të shëndetshme që, nëse i shtojmë dhe gatimet tradicionale të zonës, bëhet vendi ideal për të kaluar fundjavën.

Por jo vetëm kaq, kjo zonë mund të jetë një destinacion edhe për të pasionuarit pas peshkimit.

Cilat vende evropiane japin më shumë nënshtetësi

Italianët kanë votuar gjatë dy ditëve të fundit nëse do të ulin kërkesat e qëndrimit për shtetësi për emigrantët jo-BE nga 10 vjet në pesë, por dezinformata ka qarkulluar rreth votimit.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit i vendit, Matteo Salvini, dhe të tjerë kanë pohuar se Italia është vendi evropian që jep më shumë aplikime për shtetësi, për shembull.

“(Referendumi) më i rrezikshëm është ai që do t’ua zgjeronte shtetësinë qindra mijëra njerëzve pa dallim, me Italinë që është vendi numër një evropian për sa i përket dhënies së shtetësisë çdo vit”, tha ai në maj.

Megjithatë, nuk është e vërtetë që Italia miraton më shumë kërkesa për shtetësi vit pas viti, dhe ne mund ta verifikojmë këtë duke parë shifrat më të fundit nga Eurostat.

Ato tregojnë se në vitin 2023, Spanja dha më shumë shtetësi, duke arritur në më shumë se 240,000. Kjo përbën 22.9% të numrit të përgjithshëm të shtetësive të dhëna në BE. Italia u rendit në vendin e dytë me 214,000, pastaj Gjermania me 200,000, Franca me 97,000 dhe Suedia me 68,000. Mbretëria e Bashkuar dha 202,000 shtetësi në vitin 2023, sipas shifrave të qeverisë britanike, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Lista e renditjes ndryshon kur numri i shtetësive të dhëna analizohet në lidhje me popullsinë e një vendi. Në këtë rast, Luksemburgu u rendit i pari në BE në vitin 2023, me 8.8 shtetësi për një mijë banorë, i ndjekur nga Suedia (6.4), Spanja (5), Belgjika (4.7) dhe Italia (3.6), të cilat u futën në pesë vendet e para. Sllovakia, Bullgaria dhe Lituania japin shtetësitë më të pakta për 1,000 banorë, sipas Eurostat, të gjitha nën 0.5.

Eurostat gjithashtu llogarit shkallën e natyralizimit për secilin vend. Ai krahason numrin e shtetësive të dhëna popullsisë rezidente jo-kombëtare. Sipas kësaj metrike, shkalla më e lartë e natyralizimit ishte në Suedi (7.9), pastaj në Rumani (5.9) dhe Itali (4.1).

“Në vitin 2023, në BE në tërësi, 2.6 banorë të zakonshëm për 100 qytetarë jo-kombëtarë rezidentë morën shtetësi”, tha Eurostat.

Është e vërtetë, pra, që Italia renditet vazhdimisht ndër më të lartat për nga numri i përgjithshëm i shtetësive të dhëna dhe ka dhënë më shumë në disa vite, si në vitin 2022 dhe 2020. Në të parën, Italia përsëri natyralizoi rreth 214,000 persona, dhe në të dytën, u dha shtetësi rreth 132,000 personave.

Megjithatë, siç qëndrojnë gjërat dhe ndërsa dalin rezultatet e referendumit, Italia ka disa nga kërkesat më të rrepta për shtetësi në Evropë, me emigrantët që duhet të jetojnë atje për 10 vjet para se të bëhen zyrtarisht italianë.

Të tjerë, si Zvicra, Lituania dhe Sllovenia, kanë kushte të ngjashme, ndërsa një numër i konsiderueshëm vendesh evropiane kërkojnë që emigrantët të jetojnë atje vetëm për pesë vjet. Për shembull, Finlanda, Franca, Irlanda dhe Portugalia. Ndërsa Italia ka qenë duke shqyrtuar uljen e kërkesave të saj për natyralizim, disa vende po shqyrtojnë ose tashmë kanë ndjekur rrugën tjetër.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se synon të sjellë rregulla të reja që rrisin kohën që një emigrant duhet të jetojë në vend para se të aplikojë për shtetësi nga pesë në 10 vjet, përveç nëse mund të tregojë “një kontribut të vërtetë dhe të qëndrueshëm në ekonomi dhe shoqëri”. Ndërkohë, Belgjika kohët e fundit rriti koston e aplikimit për shtetësi nga 150 € në 1,000 €.