4 zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës arrestohen për licencimin e autoshkollave

Në aksionin që po zhvillohet të enjten në Ministrinë e Infrastrukturës, janë arrestuar katër zyrtarë të kësaj ministrie.

Burime të “Betimit për Drejtësi” bëjnë të ditur se të arrestuarit janë S. M., F. S., V. K. dhe E. G.

Ata po dyshohen për ” keqpërdorim të detyrës zyrtare”.

Mësohet se arrestimi i tyre ndërlidhet me çështjen e licencimit të autoshkollave.

Ambasada amerikane uron Ditën e Çlirimit: Nderojmë qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës

Kjo ambasadë përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se 12 qershori 199 ishte një pikë kthesë, që u lejoi familjeve të zhvendosura të ktheheshin dhe komuniteteve të fillonin ndërtimin, përcjell albinfo.ch.

“Në këtë përvjetor, ne nderojmë qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës dhe angazhimin tonë të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme të bazuar në paqe, siguri dhe prosperitet”, ka shkruar ambasada amerikane në Facebook.

Ambasada gjermane në Ditën e Çlirimit: Kosova, storie suksesi

Ambasada e Gjermanisë në përvjetorin e çlirimit të Kosovës ka deklaruar se Kosova është bërë storie suksesi, e rritur në qëndrueshmëri, zhvillim dhe njohje ndërkombëtare. Kështu thuhet në postimin në  rrjetet sociale të Ambasadës së Gjermanisë me rastin e përvjetorit të çlirimit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“Sot shënohen 26 vjet që nga fillimi i misionit të Forcës së NATO-s në Kosovë, duke siguruar stabilitet dhe siguri në Kosovë. Siç e ka thënë edhe Lord Roberton, ish-sekretar i Mbrojtjes dhe Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, ‘qëllimi ishte që forcat e Millosheviqit të largoheshin, NATO të futej dhe refugjatët të ktheheshin”, thuhet në njoftim.

“Që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, Kosova është bërë një storie suksesi, duke u rritur në qëndrueshmëri, zhvillim dhe njohje ndërkombëtare. Gjermania mbetet një nga partnerët më të ngushtë të Kosovës, duke mbështetur rrugën e saj drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe të begatë”, thuhet tutje.

Jasharit i rritet vlera

Ardon Jashari vlen gjithnjë e më shumë. Në edicionin e fundit shkëlqeu me Club Brugge, duke fituar Kupën e Belgjikës.

Jashari u shpall Futbollisti më i mirë i Ligës me paraqitje shumë të mira në elitën e futbollit belg, shkruan albinfo.ch.

Shumë skuadra evropiane janë vënë pas tij, derisa vlera e tij, sipas Transfermarkt, është 32 milionë euro.

Së fundi, ai ishte titullar në miqësoren ndaj SHBA-së, së bashku në fushë me kapitenin Granit Xhaka, dhe shihet si shtylla e Zvicrës për të ardhmen.

Krasniqi i përgjigjet Abdixhikut për qeveri të “opozitës”: Numrat janë

Pas konferencës së Lumir Abdixhikut, ka reaguar menjëhere edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se qeveria e unitetit e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të jetësohet, përcjell albinfo.ch.

Ai tha se një gjë e tillë nuk mund të bëhet, pasi fillimisht është refuzuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Nuk e kam parë planin me të thënë të drejtën, për sa i përket propozimit unë jam deklaruar disa herë , një propozim i tillë për të pasur mundësinë e trajtimit serioz para se gjithash duhet me u shpreh të gjitha palët që kanë vullnetin dhe automatikisht që lëvizja Vetëvendosje e ka refuzuar mua më vjen keq që një gjë e tillë automatikisht bëhet e pamundshme. Sepse ideja e qeverive të tilla nënkupton që të gjitha palët të jenë në tavolinë dha ta diskutojnë”, ka thënë Krasniqi.

E sipas tij, në momentin kur mungon njëra parti siç është rasti i Vetëvendosjes, duket që automatikisht të merret parasysh propozimi që ka dhënë PDK-ja.

“Në momentin kur mungon Vetëvendosja i bie që kthehemi të propozimi që e kemi dhënë si PDK, qeveria e partive të ish opozitës. Unë gjithmonë jam i hapur për ta diskutuar qeverinë që do ta krijonim si PDK me LDK-në, AAK-në dhe Nismën dhe një gjë të tillë jo vetëm që e kemi vullnetin, por e kemi edhe përkushtimin për ta jetësuar nëse edhe LDK-ja e ka vullnetin e tillë”, tha Krasniqi për rtv21.

Ai madje garantoi se nëse LDK-ja do ta pranonte propozimin e tyre, ai personalisht do t’i siguronte 10 votat nga partitë e minoriteteve, pa përfshirë Listën Serbe.

“Numrat i kemi, sepse matematika është kokëfortë, nëse LDK-ja i ka 19 deputetë që e votojnë qeverinë e opozitës së kaluar, atëherë numrat i kemi, sepse bëhemi 51 dhe unë marr përsipër me i pas edhe 10 vota tjera nga partitë minoritare, po jo nga Lista Serbe, kështu që matematika është shumë e thjeshtë , numrat janë nëse ka vullnet, nëse s’ka vullnet, numra s’ka kurrë”, u shpreh Krasniqi.

Abdixhiku: Asnjëra palë nuk i ka numrat, prandaj duhet qeveri transitore

Në një konferencë për media, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbrojtur idenë se në Kosovë duhet të formohet qeveri transitore pasi, siç thotë ai, as partia që ka qenë në pushtet e as partitë e ish-opozitës nuk e kanë shumicën.

Teksa ka shpalosur 15 pikat për “Qeverinë e Unitetit Kombëtar”, Abdixhiku ka thënë se plani argumentohet me tri të vërteta bazike.

“E vërteta e parë është se duhet ta pranojmë se jemi në krizë politike. Jemi në krizë politike ta pranojmë, krizë institucionale dhe krizë legjitimiteti. S’ka përpjekje nga askush për të krijuar shumicën që do të sillte institucione legjitime dhe jemi në krizë legjitimiteti sepse s’kemi Kuvend funksional, e për më tepër nuk kemi as qeveri legjitime. Qeveria e tanishme reflekton rezultatin e para katër vjetëve dhe jo shumicën e tanishme të dala pas zgjedhjeve të fundit”, u shpreh kryetari i LDK-së.

Si e vërteta e dytë bazike për ta formuar qeverinë e unitetit, sipas Abdixhikut, është fakti se asnjëra palë nuk i ka numrat.

“Nuk kemi shumicë  asnjëra palë, asnjë grupim politik sipas preferencave politike nuk ka numra për të bërë shumicën. Kam dëgjuar kryetarë të partive të tjera duke thënë se disi partitë e ish-opozitës kanë shumicë, nuk është e vërtetë. Asnjëra palë nuk ka shumicë. Votat e deputetëve joserbë gjithashtu janë të qartë me deklarimet e tyre politike”, u shpreh tutje Abdixhiku.

Dhe si të vërtetë të tretë, Abdixhiku ka thënë se vendi është në urgjencë prandaj edhe i duhet qeveri e unitetit, edhe pse shtoi se nuk është ideja më e mirë, “por më e dobishme në situatën aktuale”.

“Dhe e treta është se kemi urgjencë. Gjendemi në gjendje të rëndë politike, të brendshme dhe të jasthme, dhe me këtë urgjencë nuk mund të vazhdojmë të sillemi siç po sillemi. Të shkojmë në seanca çdo 48 orë dhe për të mos arritur asgjë. Unë po prezantoj një agjendë, thirrje për unitet, jo për një koalicion bashkëqeverisës, por për një gjendje dalëse emergjente, të dobishme për Republikën e Kosovës. Mund të mos jetë më e mira, natyrisht se mundet më mirë sepse Kosovës i duhet opozita. Por para se t’i duhet opozita, i duhet Qeveria”, ka deklaruar ai.

Agjenda 15-pikëshe e LDK-së:

  • Funksionalizimi i institucioneve kushtetuese. Qeveria e unitetit do të merret me departizimin e institucioneve. Pjesë do të jetë edhe riformatimi i plotë i bordeve të ndërmarrjeve publike. Besojmë se pa interferime partiake u japim frymë ndërmarrjeve.
  • Dakordimi i plotë për rritjen e pagave dhe zbatimin e ligjit.
  • Pakoja emergjente për menagjimin e krizës energjetike dhe heqja e TVSH-së për çdo faturë të energjisë elektrike. Zgjidhje do t’i jepej edhe krizës së tanishme.
  • Nisja e projektit kombëtar për gazifikimin e Kosovës. Qeveria e unitetit s’mund të bëjë gjithë gazifikimin, por do të nisë projektin dhe të dakordohemi që projekti të vazhdojë pas zgjedhjeve të reja të pranverës së 2026.
  • Rindërtimi i raportit me BE-në dhe SHBA-në. Kthimi i besimit politik përmes një qasje të përgjegjshme shtetërore është prioritet i Qeverisë së Unitetit. Do të përgatisim platformë unike nga të gjitha partitë për dialogun me Serbinë. Ristrukturim i plotë i shërbimit diplomatik që është në kolaps të plotë pas 4 viteve të qeverisjes.
  • Brenda një shumice të tillë do t’i votonim marrëveshjet ndërkombëtare.
  • Vettingu në sistemin e drejtësisë.

8 . Fillimi i projekteve me rëndësi jetike për Kosovën.

9.  Do të flasim për reformën kushtetuese në funksion të stabilitetit. Do të trajtonim edhe këtë praktikë që po kalojmë, se a do të duhet të kemi ndryshime kushtetuese. Pra të bëjmë një reset kushtetues.

10. Hartimi i strategjisë kombëtare për reformë të thellë në arsim.

11.  Përgatitja për lojërat mesdhetare që po vijnë, e që janë në rrezik.

12.  Reforma strategjike e sigurisë dhe mbrojtjes.

13.   Rishikimi i formulës për buxhetin e komunave.

14.   Përgatitja për zgjedhje brenda 10 muajve.

15.   Mekanizmi i transparencës për periudhën kalimtare. Do të themelonim një mekanizëm monitorues mbi zbatimin e kësaj formule

Një aeroplan me 242 persona rrëzohet pas ngritjes në këtë shtet

Bëhet e ditur se një aeroplan i Air India me 242 pasagjerë që udhëtonte për në Londër është rrëzuar menjëherë pas ngritjes në Ahmedabad, në Indinë perëndimore, raporton BBC, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se fluturimi AI171 po udhëtonte nga Ahmedabad për në Londër Gatwick.

Në fluturim kishte 169 shtetas indianë, si dhe 53 britanikë, një shtetas kanadez dhe shtatë shtetas portugezë, thotë Air India.

Uebsajti i gjurmimit Flightradar24 thotë se mori sinjalin e fundit nga avioni në 190 metra lartësi, “vetëm disa sekonda pas ngritjes”.

Videot nga vendi i ngjarjes tregojnë tym të zi që ngrihet mbi një zonë banimi. Policia lokale thotë se aeroplani u rrëzua në akomodimin e përdorur nga mjekët.

Ambasadori Fate Velaj dhe Albinot Bimbashi, vendosën lule në qytetin e Grazit, në nderim të viktimave

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, së bashku me të ngarkuarin me punë të Republikës së Kosovës, Albinot Bimbashi, vendosën tufa me lule në qytetin e Grazit, në nderim të viktimave të tragjedisë së rëndë që ndodhi më 10 qershor 2025, shkruan albinfo.at.

Të dy diplomatët, së bashku me asambleistin shqiptar në Graz, Arsim Gjergji, njëherësh edhe kryetar i Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Steiermark, vizituan gjithashtu Komunën e qytetit Graz, ku shprehën ngushëllimet e tyre të thella për të gjitha viktimat e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe tronditëse.

“Humbja e jetëve të pafajshme në këtë ngjarje tronditëse na ka prekur thellë. Në këto momente dhimbjeje dhe solidariteti, jemi pranë popullit dhe autoriteteve austriake, duke ndarë me ta dhimbjen dhe duke shprehur mbështetjen tonë të sinqertë. Ngushëllimet më të ndjera shkojnë për familjet e viktimave, ndërsa të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë. Lutjet tona shkojnë për Grazin”, thuhet në një postim të Ambasadës së Shqipërisë në Austri.

Zvicra është i vetmi vend në botë ku qeveria është një organ kolegjial

Të shtatë anëtarët e Këshillit Federal vijnë nga parti të ndryshme politike, kanë pikëpamje të ndryshme, megjithatë marrin vendime kolektivisht, transmeton albinfo.ch.

Ata kërkojnë konsensus dhe përfaqësojnë vendime të përbashkëta edhe kur këto janë në kundërshtim me opinionet e tyre.

Ambasada e Zvicrës ka bërë një postim lidhur me këtë veçori politike, jo të zakonshme në shtetet tjera, duke e marrë si shembull unik.

https://www.facebook.com/share/p/1Ai3WQBH8G/?mibextid=wwXIfr

Kapiteni i Kosovës me ofertë joshëse nga Arabia

Një ofertë shumë e mirë nga Arabia Saudite duket se ka futur në “mendime” të thella kapitenin e Kosovës, Amir Rrahmanin.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, e ardhmja e mbrojtësit është në qendër të vëmendjes, pasi futbollisti që aktivizohet te Napoli po shqyrton një ofertë të majme nga Arabia Saudite, transmeton albinfo.ch.

Rrahmani, i cili iu bashkua Napolit në vitin 2020 dhe ishte protagonist në dy sezonet historike të titullit kampion, është në moshën 30-vjeçare dhe një transferim në Lindjen e Mesme mund të përfaqësojë mundësinë e fundit për një kontratë të rëndësishme financiarisht në një kampionat më pak konkurrues.

Klubi napolitan është i vetëdijshëm për mundësinë reale të largimit të njërit prej mbrojtësve më të besuar dhe ka nisur menjëherë lëvizjet për të gjetur një zëvendësues të denjë.

Media britanike shkruan për Durrësin si destiancion i mirë për britanikët

Platforma “Airbnb” e ka konsideruar qytetin bregdetar shqiptar të ngjashëm me Ibizën  duke ofruar plazhe mahnitëse dhe të pastra dhe një jetë nate të gjallë  por me një kosto shumë më të ulët, shkruan Danielle Canagasuriam në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.

Në një raport “Airbnb” detajon destinacionet më trendi të udhëtimeve në Britaninë e Madhe për verën e vitit 2025.

Duke ofruar bare plazhi dhe një jetë të gjallë nate  Durrësi është destinacioni ideal për turistët që kërkojnë një përvojë të ngjashme me Ibizën  por me një buxhet të kufizuar, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

“Britanikët po kërkojnë gjithnjë e më shumë ambiente të gjalla dhe argëtuese  që ofrojnë të njëjtën bukuri bohemiane dhe një jetë nate plot gjallëri si Ibiza  por pa çmimet e larta”, sipas “Airbnb”.

“Shqipëria është një perlë. Kërkimet (searchings) për qytetin e vendosur në bregdetin e Adriatikut po rriten për momentin, ndërsa britanikët kërkojnë të eksplorojnë destinacione të lira pushimesh”, tha platforma.

Por, Durrësi është më shumë sesa një destinacion i ngjashëm me Ibizën  ai ka një histori të pasur për t’u zbuluar.

Durrësi është një nga qytetet portuale më të vjetra dhe më të rëndësishme në Ballkan, me një histori që daton gati 3,000 vjet më parë.

Historia e tij mbresëlënëse i ka dhënë Durrësit titullin “Qytet i Përjetshëm” në Detin Adriatik. Një nga atraksionet më të mëdha në Durrës janë padyshim plazhet e tij me rërë.

Durrësi është shtëpia e disa prej plazheve më mahnitëse të Shqipërisë, të përshtatshme si për adhuruesit e sporteve ujore ashtu edhe për turistët që kërkojnë plazhe të qeta.

Plazhi më i njohur në qytet është plazhi me të njëjtin emër: Plazhi i Durrësit.

Vija bregdetare është krahasuar me Rivierën Franceze me ujëra të cekëta dhe rërë të butë.

Në zonat ngjitur me portin fshihen disa shkëmbinj  kështu që mund të merrni me vete këpucë uji.

Vizitorët që kërkojnë aventura mund të marrin me qira një motor uji ose të provojnë të hidhen me parashutë, në plazhin e Durrësit.

Gjithashtu, ofrohen aktivitete si volejbolli dhe seanca joge, të organizuara nga klubet më të mëdha të plazhit.

Mos humbisni një tjetër perlë lokale: Plazhi i Golemit.

I vendosur 20 kilometra në jug të qendrës së qytetit të Durrësit, plazhi i Golemit  me rreth 3,5 kilometra rërë të butë dhe të artë dhe ujëra bruz  ia vlen të vizitohet.

Ka shumë plazhe të tjera  si perla të fshehura ashtu edhe vende turistike  që janë mjaft të lehta për t’u arritur nga qendra e qytetit.

Plazhet pranë Durrësit:

Plazhi i Spillesë

Plazhi i Porto Romanos

Plazhi i Kallmit

Kepi i Rodonit

Shkëmbi i Kavajës

Plazhi i Currilave

Nëse jeni duke kërkuar një eksperiencë më kulturore, eksploroni galeritë, teatrot dhe muzetë e shumta në Durrës.

Një nga më të frekuentuarit është Muzeu Arkeologjik ku ekspozohen objekte që përfshijnë periudha të shumta.

Nëse dëshironi një atmosferë më moderne dhe pasuri kulturore,  jugu i qytetit është zgjidhja më e mirë.

Këtu, do të gjeni restorante dhe resorte të zhurmshme, si dhe një jetë nate të gjallë.

Xhaka lavdëron Jasharin, flet si mund të luajnë së bashku

Udhëheqësi i vjetër është ende aty dhe i riu është gati tashmë. Në dy miqësoret e ekipit kombëtar në SHBA, një lojtar në veçanti spikati. Në fitoren 4-2 kundër Meksikës në Salt Lake City, 22-vjeçari Ardon Jashari zëvendësoi Granit Xhakën, dhjetë vjet më të madh se ai, si organizator në pjesën e parë dhe e luajti rolin e tij si organizator me shumë sukses, shkruan 20 minutes, transmeton albinfo.ch.

Në fitoren 4:0 kundër SHBA-së në Nashville, të dy “shpërndarësit e topave” dhanë muzikën për herë të parë. “Funksionoi shumë mirë”, tha Murat Yakin, i cili e la në stol Remo Freuler (33) për këtë përpjekje.

Jashari, me këmbën e tij të hollë dhe syrin e mprehtë, dha dy asistime. “Jam shumë i kënaqur me të”, tha Granit Xhaka pas fitores vendimtare. “Ai ka vizion të mirë dhe e di saktësisht se ku janë hapësirat”. 22-vjeçari u shpall “Lojtari i Vitit” në ligën belge sezonin e kaluar me Bruges.

“U përpoqa të gjeja një ekuilibër të mirë midis meje dhe Ardonit”, tha Xhaka, së bashku me shpresën për më shumë ndeshje me partnerin e tij të ri dhe të dashur. “Ky kompeticion është shumë i mirë për ne”.

Trajneri i ekipit kombëtar pajtohet: “Me Ardonin, tani kemi një mundësi shtesë”, tha Yakin, duke iu referuar kualifikueseve të Kupës së Botës, të cilat fillojnë në shtator me dy ndeshje në shtëpi kundër Kosovës dhe Sllovenisë.

 

 

 

Osmani: 26 vjet më parë mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa

Presidentja , Vjosa Osmani ka reaguar me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të Kosovës duke thënë se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë dhe se në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet.

Osmani në një postim në Facebook shkruan se pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps.

Postim i Vjosa Osmanit:

Në këtë ditë, 26 vjet më parë, mbi tokën e djegur të Kosovës zbarkoi shpresa: 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vendin tonë të stërvuajtur duke kontribuar në çlirimin e një populli që ishte shtypur me shekuj, e mbi një milion shqiptarë u kthyen në shtëpitë e tyre.

Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë  pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet.

Pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps.

Kosova e lirë, e pavarur, demokratike, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë!.

Nis dëshminë edhe një zyrtar policor në gjykimin për sulmin terrorist në Banjskë

Sot në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor kundër tre të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.

Në këtë seancë do të dëgjohet dëshmitari i Prokurorisë Speciale, zyrtari policor Elez Peci në sesionin e paradites dhe Avni Shala në sesionin e pasdites.

Nën masa të larta të sigurisë janë sjell në gjykatore të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Dje është dëgjuar zyrtari policor i Njësisë për Ndërhyrje të Shpejt, Mirsad Kryeziu i cili tha se ky sulm ka qenë i organizuar ushtarak dhe se edhe armët e përdorur kanë qenë të altilerisë së lehtë dhe të rëndë.

Prokuroria Speciale e Kosovës më njëmbëdhjetë (11) shtator (dymijenjëzetekatër) 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Të pandehurit ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave.

42 të akuzuar, përfshirë edhe Milan Radoiçiq, që e pranoi publikisht se udhëhoqi sulmin në Banjskë, janë në arrati./KP

Aksion në Ministrinë e Infrastrukturës, raportohet për tri zyrtare të arrestuara

Së fundmi, policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë po zhvillon të enjten një aksion në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), përcjell albinfo.ch.

“Betimi për Drejtësi” merr vesh se deri tani, nga ky aksion janë arrestuar tri zyrtare të kësaj Ministrie.

Ndryshe, gjatë një operacioni policor në Prishtinë, Gjilan dhe Gjakovë, Policia më 29 maj arrestoi 11 të dyshuar për keqpërdorime me patentë shoferë.

Strehimi i 50 emigrantëve nga Kosova, DASH-i: Jemi mirënjohës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur gatishmërinë e Kosovës që t’i pranojë 50 emigrantë përkohësisht, përcjell albinfo.ch.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se e mirëpret bashkëpunimin nga një partner i saj.

“Ne jemi mirënjohës ndaj partneres sonë, Kosovës, për pritjen e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga SHBA-ja dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të këtyre të huajve në vendet e tyre të origjinës”, ka thënë DASH-i në përgjigje për CBSNews.

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka miratuar vendimin për pranimin e 50 emigrantëve, për, siç ka thënë, lehtësimin e kthimit të tyre në vendlindje. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se strehimi i tyre do të bëhet brenda një periudhe njëvjeçare.

DASH-i ditë më parë konfirmoi se shtetet e Ballkanit ishin përfshirë në kontaktet brenda një strategjie amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.

Kosova ka shprehur gatishmëri për zhvillimin e diskutimeve të ngjashme edhe me Britaninë e Madhe.

Sot varroset Bujar Bukoshi

Mbahet mbledhje komemorative në nderim të Dr. Bujar Bukoshit.Në nderim të jetës dhe veprës së Dr. Bujar Bukoshit, njeriut që për dekada ishte në shërbim të çështjes kombëtare dhe të shëndetësisë në Kosovë, u mbajt mbledhje përkujtimore.

Bujar Bukoshi u vlerësua si një prej figurave më të rëndësishme politike dhe intelektuale të Kosovës, duke luajtur rol kyç në rezistencën ndaj regjimit serb dhe sensibilizimin ndërkombëtar për çështjen e Kosovës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Dr. Bukoshi ishte ndër figurat më të rëndësishme politike të viteve ’90.

“Sot janë mbushur 26 vjet nga çlirimi i Kosovës dhe sa herë që i qasemi historisë, një nga emrat kyç që kujtojmë është ai i Dr. Bukoshit. Në kronikat dhe lajmet e asaj kohe, emri i tij ishte gjithandej. Bujar Bukoshi ishte dhe do të mbetet histori si kryeministri i parë i Republikës së Kosovës. Emri i tij është përjetësuar edhe në dokumentin themeltar të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.”

Në emër të familjes Bukoshi foli vajza e tij, Shota Bukoshi.

“Një nga fjalimet më të vështira për mua është ky, të flas në emër të familjes sonë për të. Ju falënderoj nga zemra për praninë dhe nderimin tuaj. Shumë prej jush e njihni si veprimtar, si mjek dhe si kryeministrin e parë të Kosovës. Ne e kemi njohur si baba, si bashkëshort dhe si gjysh. Aq sa ishte i saktë si mjek, ishte edhe i guximshëm dhe mbështetës në jetën tonë.”

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, foli për idealin e përbashkët që kishte me të.

“Me të na lidhi një miqësi e veçantë. Në bisedat tona të gjata, flisnim për një Kosovë ndryshe. Me Dr. Bukoshin u njohëm që në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.”

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka publikuar agjendën e ceremonisë së varrimit, e cila do të mbahet sot:

E enjte, 12 qershor 2025

10:00 – 13:00 Homazhe në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës
13:30 Nisja nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për në ceremoninë e varrimit
14:00 Ceremonia e varrimit në Kompleksin e Dëshmorëve në Velani

26 vjet nga çlirimi i Kosovës

Kanë kaluar 26 vjet që nga dita kur trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë, më 12 qershor 1999, duke i dhënë fund fushatës së dhunshme të regjimit serb ndaj popullatës shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Kjo ndërhyrje historike erdhi pas 78 ditë bombardimesh ajrore të Aleancës Veriatlantike mbi caqet ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi.

Fushata ajrore e NATO-s, që nisi më 24 mars dhe përfundoi më 10 qershor të vitit 1999, ishte një ndërhyrje vendimtare për të ndalur spastrimin etnik dhe për të shpëtuar popullsinë civile shqiptare nga zhdukja.

Gjatë kësaj periudhe, aeroplanët nga 13 vende anëtare të NATO-s realizuan mbi 38 mijë fluturime, prej të cilave 10 mijë e 484 ishin sulme ajrore, ku u hodhën rreth 26 mijë projektilë.

Me intensifikimin e bombardimeve, forcat serbe nisën një ofensivë brutale ndaj civilëve shqiptarë. Mbi 10 mijë civilë u vranë e u zhdukën në varreza masive, ndërsa mbi gjysmë milioni shqiptarë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre vetëm në dy javët e para të sulmeve, duke shkaktuar krizë humanitare në Shqipëri e Maqedoni.

Pas presionit ndërkombëtar dhe dështimit për ta mbajtur Kosovën me dhunë, më 1 qershor 1999, Beogradi pranoi parimet e G8-shes, dhe dhjetë ditë më vonë, NATO pezulloi sulmet. Po atë ditë, më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, që përcaktoi vendosjen e administratës civile ndërkombëtare dhe të forcave paqeruajtëse në Kosovë.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës nga Serbia e shënoi kapitullimin e saj në Kosovë. Me këtë marrëveshje, forcat serbe nisën tërheqjen, duke i hapur rrugën hyrjes së trupave të NATO-s dhe kthimit të mbi një milion shqiptarëve të dëbuar në shtëpitë dhe tokat e tyre.

Që nga viti 1999 e deri më sot, në Kosovë kanë shërbyer afro 500 mijë ushtarë nga vendet anëtare të NATO-s dhe partnerët ndërkombëtarë. Ata kanë qëndruar larg familjeve të tyre, duke kontribuar për paqen, sigurinë dhe ndërtimin e një jete të re për popullin e Kosovës.

Shqiptari shpallet hero në këtë shtet, shpëtoi dy të mitur nga mbytja në lum

Duket se një akt humanizmi ka bërë jehonë në Greqi, ku një emigrant shqiptar nga Berati, Levian Goga, ka shpëtuar dy fëmijë të mitur nga mbytja në lumin Arakthos, pranë fshatit Neohori të Artës, përcjell albinfo.ch.

Ai u hodh në ujërat e thella të lumit pa menduar as për një sekondë për rrezikun që i kanosej vetë, për të shpëtuar të miturit.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur të mërkurën në mesditë, ku sipas dëshmitarëve, djali më i madh u hodh për të shpëtuar mikun e tij dhe në përpjekje për ta tërhequr, e kapi nga qafa duke rrezikuar të dy.

Një i ri me motor vrapoi në kafenenë ku ndodhej Goga dhe kërkoi ndihmë: “Po mbyten dy fëmijë në lumë!” 

Siç vetë Levian Goga ka treguar për mediat, ai ka reaguar menjëherë duke marrë makinën dhe duke u nisur drejt vendngjarjes për të shpëtuar fëmijët.

Në një thellësi rreth 8 metrash, ai arriti të gjente njërin prej fëmijëve, i cili ishte pa ndjenja dhe me fytyrë të nxirë, por arriti ta nxirrte gjallë. Kur dëgjoi se ishte edhe një fëmijë tjetër, u hodh sërish dhe e gjeti të shtrirë me shpinë në fundin e lumit.

“Isha në kafene. Vjen një djalë me motor dhe bërtet ‘ndihmë, po mbyten dy fëmijë në lumë!’ Pa menduar, vrapova. Mora makinën dhe shkova. Hyra mes kallamishtes, nuk shihja gjë. Hipëm në një varkë me të tjerë. U hodha një herë, asgjë. Herën e dytë mora frymë thellë dhe u zhytja rreth tetë metra.

Aty e pashë. Djali ishte i shtrirë, i palëvizshëm, fytyra e nxirë, duart e këmbët të hapura. Si i vdekur. E kapa dhe me zor e nxora. Pastaj dëgjova se kishin gjetur edhe të dytin. U hodha sërish, dy e tre herë.

E gjeta me shpinë në fund. Kur e nxora, i dilte gjak nga hunda dhe goja. U tremba. Njëri ishte në moshën e vajzës sime. Nuk më intereson kush janë, çfarë race apo feje kanë. Edhe unë jam i huaj, por jam njeri. Bëra atë që do bënte çdo prind. Vetëm fëmijët më rrinë në mendje,” ka thënë ai mes lotësh.

Të jetojnë. Të zgjohen. Të bëjnë jetën e tyre. Më vjen keq. Edhe fëmijët e mi qajnë në shtëpi. Duhet të kthehem…”, është shprehur ai në një telefonatë për Protothema, teksa priste radhën në spitalin Artës, i plagosur në këmbë pas përpjekjes për të nxjerrë fëmijët nga thellësitë e lumit të turbullt.

Levian Gogën të gjithë në fshatin Neohori të Artës e njohin si “Leo”, emigrant nga Berati. Ai sipas mediave fqinje shkoi në Greqi 24 vite më parë, në moshën 17-vjeçare, sapo kishte përfunduar shkollën e mesme.

Përcjellja për në banesën e fundit të Lea Bajramit do të bëhet në Austri

Lea Bajrami do të varroset në Austri, ani pse dita e përcjelljes në banesën e fundit nuk dihet saktë, pasi që pritet të bëhet një ceremoni organizimi nga shteti austriak.

Albinfo.at mëson se një numër i madh i bashkëatdhetarëve kanë qenë rregullisht për vizita e ngushëllime në familjen Bajrami në Graz.

Disa nga familjarët e familjes Bajrami kanë udhëtuar nga Kosova për në Graz, për të qenë afër me prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes.

Ndërkohë, disa bashkëatdhetarë nga komuniteti shqiptar në Steiermark, të cilët kishin vizituar familjen Bajrami për ngushëllime, kanë thënë për albinfo se dhimbja që i ka kapluar familjen Bajrami është shumë e madhe.

Për detaje të tjera, albinfo.at do t’ju mbajë të informuar.

Gjermani: Fatjona Maliqi “rrëmbeu” çmimin “Münster Stella Award Klassik 2025”

Artistja shqiptare në Gjermani, Fatjona Maliqi është dekoruar me çmimin “Münster Stella Award Klassik 2025” për arritjet internacionale dhe akademike, transmeton albinfo.ch.

Pianistja e njohur në Gjermani është me origjin nga Gjilani dhe para pak ditësh ajo ka njoftuar se ka marr çmimin  “Münster Stella Award Klassik 2025″ për arritjet e saj internacionale dhe akademike.

Ajo ka theksuar se ky çmim është ndarë për herë të parë.

Maliqi është shprehur e lumtur për këtë arritje, ku tha se pas lojës së saj në piano, publiku e mirëpriti në këmbë me një entuziazëm të madh.

Postimi

Krenare dhe shumë e lumtur që e kam nderin të marr këtë çmim shumë të veçantë.

Ndihem shumë e privilegjuar dhe e lumtur që mua m’u nda çmimi „Münster Stella Award Klassik 2025“ për arritjet e mia ndërkombëtare dhe akademike. Çmim i cili u nda për herën e parë.

Pas lojës sime, publiku më priti disa herë në këmbë dhe ishte shumë entuziast për koncertin tim.

Faleminderit Münster 🌹

***

Proud and very happy to have the honor of receiving this very special award.

I feel very privileged and happy to have been awarded the “Münster Stella Award Klassik 2025” for my international and academic achievements. An award that was awarded for the first time.

After my performance, I have got long standing ovation and the audience was very enthusiastic about my concert.

Thank you Münster!

📸: Carsten Bender

Një shqiptar nga Kosova në Radhët e Paqeruajtësve Kanadezë

Talenti dhe gjeniu i njeriut mund të shprehet në forma të ndryshme. Mjafton dëshira dhe vullneti për të arritur realizimin e ëndrrave, në destinacionin e duhur. E kush më mirë mund të na vërtetojë këtë sesa Rilind Musliu, shqiptari nga Kosova i cili tani është në radhët e Paqeruajtësve Kanadezë, transmeton albinfo.ch.

Rilindi shërben me përkushtim si pjesëtar i Forcave të Armatosura të Kanadasë në një mision paqeruajtës ndërkombëtar.

Ai është pjesë e një operacioni të rëndësishëm ndërkombëtar, i angazhuar në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në zona të cenueshme. I pyetur për misionin e tij, ai thotë me bindje dhe krenari:

Rilindi jeton dhe vepron në Kanada dhe familja e tij ka emigruar para 35 vjetësh.