Liderët e NATO-s zotohen për 5% shpenzime të mbrojtjes deri më 2035

Mediat botërore shkruajnë se udhëheqësit e NATO-s janë zotuar të investojnë 5 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm çdo vit në shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë deri në vitin 2035 “për të siguruar që detyrimet individuale dhe kolektive” të përmbushen, sipas tekstit përfundimtar të deklaratës së samitit të Hagës të miratuar në takimin e së mërkurës, përcjell albinfo.ch.

Deklarata thotë se anëtarët do të paraqesin “plane vjetore” që vërtetojnë “një rrugë të besueshme dhe graduale për të arritur këtë qëllim”. Në vitin 2029 do të bëhet një shqyrtim më gjithëpërfshirës i progresit.

Deklarata me pesë pika përfshin gjithashtu “angazhimin e palëkundur të 32 vendeve për mbrojtjen kolektive, siç përcaktohet në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit  se një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve”.

Dokumenti përfshin po ashtu një rresht që premton mbështetje të mëtejshme për Ukrainën dhe thekson se “siguria e saj kontribuon në tonën”, por nuk dënon drejtpërdrejt Rusinë.

Megjithatë, ai përfshin një rresht të veçantë mbi “kërcënimin afatgjatë që paraqet Rusia për sigurinë euroatlantike”.

Deputeti nga Zvicra: Shoferët që ngasin shumë ngadalë duhet të ndëshkohen 

 

Deputeti Walter Gartmann nga Partia Popullore Zvicerane ka paraqitur një mocion parlamentar që kërkon të ndëshkojë shoferët shumë të ngadaltë, përcjell albinfo.ch.

“Trafiku nuk duhet të ndërpritet më nga njerëzit që ngasin me ritmin e kërmillit në autostrada dhe rrugë të tjera”, thuhet në mocionin e tij.

“Nëse të gjithë shoferët do të respektonin shpejtësitë e rekomanduara, siguria rrugore do të përmirësohej, parakalimet e rrezikshme do të ishin më pak të shpeshta dhe bllokimet e trafikut gjithashtu do të zvogëloheshin”, tha ai.

Zvicra në top vendet me më së shumti milionerë

Një raport i ri mbi migrimin e pasurisë private vlerëson se dy herë më shumë milionerë do të emigrojnë këtë vit sesa në vitin 2024, përcjell albinfo.ch.

Kjo e vendos Zvicrën në krye të shteteve me renditje globale në aspketin e të pasurve.

Një studim i ri tregon se Zvicra është jashtëzakonisht popullore me njerëzit e pasur.

Këtë vit, ajo do të përjetojë emigracion neto prej 3,000 milionerësh, sipas parashikimeve të firmës britanike konsulente Hensley & Partners në “Raportin e Migrimit të Pasurisë Private 2025”.

Emiratet kanë më së shumti milionerë për nga numri, pastaj Amerika renditet e dyta, Italia e treta dhe Zvicra është lartësuar në vendin e katërt. Albinfo.ch https://www.blick.ch/wirtschaft/neuer-report-zeigt-eindruecklich-millionaere-ziehen-massenhaft-in-die-schweiz-grosse-flucht-aus-grossbritannien-id20990315.html?fbclid=IwY2xjawLIvWBleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFNQmxzTXJlQUs2SDNLSlg4AR4q1_Ml3SkwvYRRNniwum-KiTuFmIW2HAut1vX3ip3G5tTnFsMG98m80Bd30A_aem_sAgzBaDInHF2EGttNS8L9w

30-vjetori i gjenocidit të Srebrenicës përkujtohet me një ceremoni në Lozanë

Më 21 qershor 2025, në Maison du Peuple të Lozanës u mbajt një ceremoni përkujtimore me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës. Të pranishëm ishin përfaqësues të autoriteteve lokale, të mbijetuar, studiues, artistë dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Ceremonia u organizua nga Shoqata Kulturore e Boshnjakëve në Lozanë, me mbështetjen e Zyrës për Migracion (BLI), Fondit për Integrim të Qytetit dhe Komisionit “Brassards Blancs”. Ngjarja ishte në frymën e Rezolutës së OKB-së që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit për Srebrenicën.

Përmes fjalimeve, dëshmive dhe ekspozitës fotografike të Kristian Skeie, u nderua kujtimi i 8,372 viktimave dhe u theksua rëndësia e kujtesës si mjet për drejtësi dhe parandalim të krimeve të së ardhmes.

Kryetari i komunës, Grégoire Junod

Kryetari i komunës, Grégoire Junod, tha se “harresa është terren për urrejtjen”, ndërsa Musa Kamenica, nënkryetar i Komunës së Lausanne-s, shprehu mbështetjen e tij për njohjen institucionale të gjenocideve dhe mbrojtjen e kujtesës migrante.

Musa Kamenica, nënkryetar i Komunës së Lausanne-

Dr.Bashkim Iseni, drejtor i Zyrës së Lozanës për Migracion (BLI), foli për integrimin e kujtesave migrante në politikat publike si një mjet për kohezion demokratik dhe drejtësi sociale:

“Të lidhësh kujtesën, rindërtimin dhe integrimin do të thotë të ndërtosh ura mes së kaluarës dhe së tashmes, mes rrënjëve boshnjake dhe përkatësisë helvetike”, tha veç tjerash Bashkim Iseni.

Dr.Bashkim Iseni, drejtor i Zyrës së Lozanës për Migracion (BLI)

Ngjarja u mbyll me performancën e korit “Hor Warda”, që preku thellë publikun me interpretimin e “Srebrenički inferno”.

Ceremonia u organizua nga Shoqata Kulturore e Boshnjakëve të Lausanne-s, me mbështetjen e Zyrës për Migracion të Lausanne-s (BLI), Fondit për Integrim të Qytetit të Lausanne-s dhe Komisionit të “Brassards Blancs”, të angazhuar për ruajtjen e kujtesës së viktimave të gjenocidit në Prijedor dhe gjetkë në Bosnje-Hercegovinë.

Më shumë informacione në linkun në vijim:

Ansambli “Vatra” rikthehet në Albanifest, një festë në zemër të Winterthur-it

Pas organizimit të suksesshëm të ngjarjes festive për 30-vjetorin e themelimit, Ansambli “Vatra” do të marrë pjesë këtë fundjavë në Albanifest, një nga festivalet më të mëdha verore në Zvicër.

Për tri ditë me radhë, vizitorët e Albanifest-it do të kenë mundësinë të shijojnë kuzhinën tradicionale shqiptare, të përjetojnë muzikën dhe vallet burimore që karakterizojnë trashëgiminë kulturore shqiptare.

Kjo është hera e dytë që Ansambli “Vatra” merr pjesë në këtë ngjarje historike, e cila ka mbi 50 vjet që organizohet në qytetin e Winterthur-it. Pjesëmarrja konsiderohet si një mundësi e rëndësishme për të promovuar kulturën shqiptare dhe për të forcuar lidhjet me diasporën.

Ansambli do të jetë i pranishëm në adresën Steinberggasse 18-22, Winterthur, në standin nr. 63.

Publiku ftohet të marrë pjesë dhe të bëhet pjesë e festës së kulturës dhe shpirtit shqiptar në një atmosferë të gjallë dhe festive.

Dështon për të 37-tën herë konstituimi i Kuvendit

Ka dështuar sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës, duke shënuar dështimin e 37-të me radhë, përcjell albinfo.ch.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga subjektet politike të propozojnë nga një përfaqësues për Komisionin Zgjedhor, por as kësaj radhe nuk kaloi propozimi.

Me 52 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, seanca u ndërpre për të vazhduar pas 48 orësh.

Ndryshe, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet, pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk po siguron votat e mjaftueshme për të zgjedhur Kryetaren e Kuvendit. Kandidatja e propozuar nga LVV për këtë post, Albulena Haxhiu, nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme.

Subjektet politike PDK, LDK dhe AAK kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun për këtë pozitë, ndërsa LVV ka deklaruar se nuk do ta ndërrojë kandidaten e tyre.

Gjatë muajit maj Shqipërinë e vizituan 1 milion turistë të huaj

Në majin e vitit 2025, Shqipëria ka përjetuar një fluks të lartë vizitorësh, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), përcjell albinfo.ch.

Gjatë këtij muaji, në vend kanë hyrë mbi 1,6 milion shtetas shqiptarë dhe të huaj që shënon një rritje prej 4,3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Vetëm turistët e huaj kanë qenë mbi 987 mijë, që përfaqëson një rritje prej 1,4 për qind krahasuar me majin e vitit të kaluar. Ndër ta, 95 për qind kanë qenë shtetas nga vendet e Europës, konkretisht 72 për qind nga Europa Jugore dhe 14 për qind nga Europa Perëndimore.

Qëllimi kryesor i vizitave ka qenë turizmi. Hyrjet për pushime përbëjnë 98 për qind të rasteve, me një rritje prej 0,9 për qind krahasuar me majin e vitit 2024.

Gjithashtu, gjatë periudhës janar-maj 2025, Shqipërinë e kanë vizituar gjithsej 3,4 milionë turistë të huaj  3,9 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pritshmëritë e turoperatorëve mbeten të larta, veçanërisht për muajt e verës, kur Shqipëria zakonisht regjistron flukset më të mëdha turistike.

Sot përpjekja e 37-të për konstituimin e Kuvendit

Deputetët do të mblidhen sërish sot në një përpjekje të re, të 37’ën me radhë, për ta konstituar Kuvendin. Procesi ka ngecur tek zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, përcjell albinfo.ch.

VV ka propozuar për këtë pozitë Albulena Haxhiun, që nga partitë tjera po konsiderohet figurë përçarëse.

Pas disa dështimesh për zgjedhjen e saj, tash e disa javë po mundohet ta ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e saj, në të fshehtë. Partitë tjera janë kundër.

PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe s’kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë.

Sa herë që ky Komision hidhet në votim, dështon kalimi në mungesë kuorumi.

Seanca  e sotme do të nis në orën 11:00.

Nga Lëvizja Vetëvendosje disa herë kanë bërë të ditur se nuk heqin dorë nga emri i Albulena Haxhiut, si e propozuar për këtë pozitë. Sinjale po ashtu nuk ka se do të hiqet dorë nga propozimi për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61.

Tashmë janë bërë mbi katër muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA.

Prishtina nën tingujt e Ramë Lahaj e Marigona Qerkezit

Opera Night, një nga mbrëmjet e RLIOF që ka ofruar vit pas viti tinguj të mirëfilltë operistikë, këtë vit përveç Ramë Lahaj,  do të udhëhiqet nga ylli në ngjitje dhe ‘ambasadorja’ e Kosovës në skenën ndërkombëtare të operas, Marigona Qerkezi, transmeton albinfo.ch. 

Fituese e shumë çmimeve prestigjioze, Marigona është një soprano e jashtëzakonshme me një rrugëtim mbresëlënës dhe virtuozitet të rrallë, e vlerësuar për prezencën e saj të fuqishme skenike, mjeshtërinë teknike dhe interpretimet emocionale.

E vlerësuar për zërin e saj dramatik dhe kontrollin e përsosur të frazimit, Marigona ka shkëlqyer në skena si Teatro Regio di Parma, Deutsche Oper am Rhein, Royal Danish Opera, Opera de Oviedo, Teatro Comunale Bologna dhe shumë të tjera.

Në Opera Night ajo do të interpretojë kryevepra nga Bellini, Verdi, Puccini, pjesë nga kompozitorë shqiptarë, dhe deri te tingujt satirikë të Bernstein dhe Gershwin të shoqëruara nën mjeshtërinë e Jess Rucinski-t në piano.

Një artiste që sjell krenari shqiptare në skenat botërore, vjen në zemër të Prishtinës. Ju mirëpresim më 28 korrik 2025, ora 20:30 në hapsirën e jashtme pranë Bibliotekës Kombëtare dhe ju ftojmë të bëheni pjesë e kësaj nate të paharruar.

Futbollisti i Mainz05: Nena ime është shqiptare

20 vjeçari Nelson Weiper, golashënuesi më i ri i Mainz05 është shprehur se kuqezinjtë e kanë kontaktuar për kombëtaren e tyre, transmeton albinfo.ch.

Ende i ri por një nga më të dalluarit. Futbollisti në foton e mëposhtme quhet Nelson Weiper, sulmues qendror i shpresave dhe golashënuesi më i ri në historinë e Mainz 05.

Nelson shënoi gol në ndeshjen e fundit të kampionatit europian për U21 kundër Anglisë. Lojtari 192 cm i gjatë shënoi përpara të atit të vëllait që ndodheshin në stadium për të bërë tifo për të.

Kohët e fundit për të ka shfaqur interesim Shqipëria. Nelson e ka pohuar vetë që nga kombëtarja kuqezi e kanë kërkuar të bëhet pjesë e ekipit, pasi nëna e tij është shqiptare.

“Më kanë kontaktuar dhe tashmë më duan për ekipin kombëtar të të rriturve. Është vërtet një burim krenarie kur ekipi i të rriturve të një vendi të dëshiron. Dua të tregoj aftësitë e mia për ekipin gjerman U-21 dhe të luaj mirë për Gjermaninë për aq kohë sa do të më ftojnë. Më pas, nuk e di. Nëse gjërat nuk funksionojnë për Gjermaninë në një moment, e shoh këtë si një mundësi shumë të mirë. Nëna ime i ka rrënjët aty” ka thënë për median gjermane i riu.

Mira Murati siguron fonde prej 2 mld euro për start-up-in e saj të ri në fushën e IA

Shqiptarja Mira Murati, ish-drejtuese në OpenAI, ka tërhequr vëmendjen e botës së teknologjisë pas suksesit të start-up-it të saj të ri në fushën e inteligjencës artificiale, i cili, vetëm gjashtë muaj pas krijimit, ka siguruar një nga investimet fillestare më të mëdha në historinë e Silicon Valley, 2 miliardë dollarë, duke e çuar vlerësimin e kompanisë në 10 miliardë, transmeton albinfo.ch.

Thuhet se ish-drejtuesja e teknologjisë në OpenAI, Mira Murati, ka siguruar 2 miliardë dollarë për start-up-in e saj të ri në fushën e inteligjencës artificiale, përmes një marrëveshjeje që e vlerëson kompaninë e krijuar vetëm gjashtë muaj më parë dhe të mbajtur larg syrit të publikut, në 10 miliardë dollarë.

Marrëveshja, e mbyllur së fundmi sipas disa personave të njohur me transaksionin, përfaqëson një nga raundet më të mëdha të financimit fillestar (“seed”) në historinë e Silicon Valley.

Thinking Machines, me bazë në San Francisko, nuk ka zbuluar ende se çfarë po zhvillon, duke u mbështetur në emrin dhe reputacionin e Muratit për të tërhequr investitorët, sipas burimeve të afërta me fushatën e financimit.

Ky financim tregon interesin e jashtëzakonshëm të investitorëve për inteligjencën artificiale dhe besimin e tyre në vizionin e themeluesve me profil të lartë, që konkurrojnë me kompani si OpenAI dhe Anthropic, si dhe me gjigantët e teknologjisë si Google dhe Meta.

Murati, 36 vjeç, u largua nga OpenAI në shtator, pasi kishte drejtuar zhvillimin e produkteve si ChatGPT, gjeneratori i imazheve Dall-E dhe modalitetit zanor. Më parë, ajo ka qenë menaxhere e lartë produkti në Tesla, ku ka punuar për Model X.

Referuar disa burimeve, ajo ishte një ndër drejtueset që kishte ngritur shqetësime për lidershipin e Sam Altmanit para përpjekjes së dështuar të bordit për ta shkarkuar atë në nëntor 2023. Për një kohë të shkurtër, Murati u emërua drejtoreshë e përkohshme ekzekutive, përpara se Altmani të rikthehej shpejt në detyrë.

Thinking Machines ka rekrutuar gjithashtu disa ish-punonjës të OpenAI, përfshirë bashkëthemeluesin John Schulman, ish-drejtorin e projekteve speciale Jonathan Lachman dhe ish-nënkryetarët Barret Zoph dhe Lilian Weng.

“Ka një grup shumë të kufizuar themeluesish dhe njerëz jashtëzakonisht të zgjuar,” tha një investitor. “Ekipi që Murati ka mbledhur është jashtëzakonisht bindës.”

Megjithatë, informacioni për atë çfarë po zhvillon kompania mbetet minimal. Në shkurt, ajo deklaroi se synon të bëjë “sistemet e inteligjencës artificiale më të kuptueshme, të personalizueshme dhe në përgjithësi më të afta”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Për shkak të natyrës shumë të fshehtë të projektit, disa fonde që Murati i kishte kontaktuar nuk pranuan të investojnë. Njëri prej tyre tha se prezantimi i Muratit nuk përmbante asnjë informacion konkret mbi një produkt ose plan financiar.

Një tjetër person tha se Thinking Machines po punon në zhvillimin e “inteligjencës së përgjithshme artificiale”, një koncept hipotetik në të cilin kompjuterët arrijnë nivele inteligjence të barabarta ose më të larta se ato njerëzore. Megjithatë, sipas tij, aktualisht grupi është ende në fazën e ndërtimit të strategjisë.

Pas këtij raundi financimi, Murati do të ketë të drejtën e votës në bord, që i jep epërsi absolute ndaj të gjithë anëtarëve të tjerë, duke i garantuar asaj fjalën e fundit për çdo vendim të rëndësishëm në kompani, sipas personave të njohur me marrëveshjen. Struktura e votimit është raportuar për herë të parë nga The Information.

Mungesa e një produkti konkret nuk ka penguar gjithashtu investitorët të mbështesin edhe bashkëthemeluesin tjetër të OpenAI, Ilya Sutskever, i cili në prill grumbulloi 2 miliardë dollarë për start-up-in e tij “Safe Superintelligence”, me një vlerësim 32 miliardë dollarë.

Qeveria shqiptare kontribuoi me 10 mln euro

Qeveria shqiptare ka hyrë me një kontribut modest në start-up-in e sipërmarrëses me origjinë shqiptare, Mira Murati. Në fillim të muajit qershor, qeveria ndryshoi buxhetin 2025 për të mundësuar alokimin e një fondi prej 1 miliard lekësh (10 milionë euro) pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Fondi i është akorduar Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit në cilësinë e aksionerit të vetëm të Korporatës së Investimeve Shqiptare për financimin e pjesëmarrjes së qeverisë shqiptare në start-up-in “Machine Thinking Lab”.

Gjatë fjalës së tij në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ku po prezantohej ndryshimi, ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se një investim i tillë duhet parë edhe nga pikëpamja e përfitimeve më afatgjata, qofshin ato ekonomike apo të një historie suksesi që vjen nga një sipërmarrëse shqiptare me kontribut të rëndësishëm botëror në fushën e inteligjencës artificiale. Ai tha se përfshirja e qeverisë shqiptare në këtë fazë të hershme ofron potencial të konsiderueshëm fitimi, veçanërisht nëse Thinking Machines Lab realizon një dalje të suksesshme në bursat ndërkombëtare (IPO apo blerje).

Zvicra në mesin e shteteve me pagat më të larta për muaj

Në vend të parë, Luksemburgu është vendi më i paguar, me 5 042 euro bruto në muaj, ndërsa në vend të dytë është renditur Islanda me 4 911 euro në muaj, transmeton albinfo.ch.

Referuar faqes Legend, Zvicra u lartësua në vendin e tretë, me 4 681 euro në muaj, SHBA në vend të katërt me 4 500 euro, Belgjika në vend të pestë me 4 112 euro në muaj.

Ndërkohë, Franca është renditur në vendin e 13-të me 3 319 euro. /albinfo.ch

 

Gjermani kërkon rimbursim prej 2.4 miliardë CHF – Zvicra ndalon pagesën në minutën e fundit

Një qytetar gjerman ka kërkuar një rimbursim prej 2.4 miliardë CHF të taksës burimore nga Zvicra. Kjo taksë mbi fitimet kapitale, mbahet automatikisht në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Për shkak të informacionit të pasaktë, qeveria federale ndaloi mega-pagesën në minutën e fundit.

Nuk dihet nëse aplikanti është një kompani apo një individ. Duke ju referuar sekretit tatimor që funksionon në Zvicër, autoriteti përgjegjës zviceran po i mban detajet e mëtejshme konfidenciale.

Në shikim të parë, aplikimi dukej i plotë dhe korrekt, por pas një inspektimi më të afërt, administrata tatimore zbuloi se formulari online ishte plotësuar gabimisht, shkruan blick.ch. Pjesë të kërkesës për rimbursim ishin ose të pajustifikuara ose të humbura. Zbulimi u bë përmes një analize automatike të rrezikut dhe një shqyrtimi manual nga një punonjës. Kërkesa më pas u anulua dhe pagesa u pengua.

Administrata Federale e Taksave deklaroi në raportin e saj vjetor se aplikanti nuk kishte dhënë informacionin e kërkuar në mënyrë të plotë dhe të saktë, përcjell albinfo.ch. Prandaj, shuma nuk mund të paguhej.

Administrata tatimore la të hapur nëse aplikanti kishte të drejtë në të vërtetë për 2.4 miliardë CHF të deklaruara fillimisht.

Zvicra ka lidhur një marrëveshje me Gjermaninë për rikthimin e taksave burimore, e cila u lejon të huajve të kërkojnë zbritjet e tyre. Kjo shumë është 20 për qind.

Nuk ka ndihma për emigrantët pa dokumente në Cyrih

Qyteti i Cyrihut nuk lejohet të ofrojë mbështetje financiare për njerëzit pa leje qëndrimi në Zvicër të ashtuquajturit “Sans Papieres” . Kjo u vendos nga qeveria kantonale e Cyrihut, trasmeton albinfo.ch.

Komunave nuk u lejohet të ofrojnë vetë mbështetje financiare për të ashtuquajturit emigrantë pa dokumente. Individët pa leje qëndrimi kanë të drejtë vetëm për ndihmë emergjente, shkruan srf.ch. Kantoni vendos se kush e merr këtë ndihmë.

Vendimi i qeverisë kantonale të Cyrihut mund të apelohet. Partia Socialdemokrate (SP) njoftoi se do të vazhdojë luftën e saj kundër këtij vendimi. Gjykatat tani duhet të vendosin. Shkalla tjetër do të jetë Gjykata Administrative.

Trump nominohet për Nobel për Paqen, për meritat e tij në armëpushimin Iran-Izrael

Ligjdhënësi Buddy Carter, i shkroi Komitetit të Çmimit Nobel për Paqen, duke deklaruar se Trump kishte një “rol të jashtëzakonshëm dhe historik” në përfundimin e “konfliktit të armatosur midis Izraelit dhe Iranit dhe në parandalimin e sponsorizimit më të madh shtetëror të terrorizmit në botë nga marrja e armës më vdekjeprurëse në planet”.

Trump deklaroi se “lufta 12-ditore” po përfundonte vonë të hënën pasdite, me një armëpushim që duhej të hynte në fuqi gjatë natës së së martës, transmeton Telegrafi.

Ai përfundon pak më shumë se një javë pasi Izraeli nisi për herë të parë një sulm parandalues ​​kundër Iranit, duke argumentuar se Teherani ishte shumë afër marrjes së një arme bërthamore.

Të dy vendet më pas shkëmbyen zjarr me raketa gjatë ditëve në vijim, dhe gjatë fundjavës, SHBA-të nisën sulmet e tyre ajrore në tre nga objektet kryesore bërthamore të Iranit.

Irani u përgjigj duke qëlluar me raketa një bazë ajrore amerikane në Katar të hënën, por jo pa i njoftuar paraprakisht zyrtarët amerikanë dhe katarianë. Nuk u raportuan të lënduar në atë sulm.

“Ndikimi i presidentit Trump ishte thelbësor në arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë që shumë e konsideronin të pamundur. Presidenti Trump gjithashtu ndërmori veprime të guximshme dhe vendimtare për të ndaluar ambiciet bërthamore të Iranit, dhe për të siguruar që shteti më i madh sponsor i terrorizmit në botë të mbetet i paaftë për të siguruar një armë bërthamore”, shkroi Carter në letrën e tij.

Ai tha se lidershipi i Trump gjatë krizës “shembullon pikërisht idealet që Çmimi Nobel për Paqen kërkon të njohë: ndjekjen e paqes, parandalimin e luftës dhe përparimin e harmonisë ndërkombëtare. Në një rajon të pllakosur nga armiqësia historike dhe paqëndrueshmëria politike, një përparim i tillë kërkon si guxim ashtu edhe qartësi”.

“Presidenti Trump i demonstroi të dyja, duke i ofruar botës një shkëndijë të rrallë shprese. Për këto arsye, unë me respekt e paraqes këtë nominim për Donald J. Trump, presidentin e 47-të të Shteteve të Bashkuara, që të merret në konsideratë për Çmimin Nobel për Paqen”, përfundoi Carter.

Sipas faqes së internetit të Çmimit Nobel, deri më tani janë nominuar 338 kandidatë për Çmimin Nobel për Paqen 2025.

Carter, i cili po kandidon edhe për Senat në Xhorxhia, ka paraqitur disa projektligje të rëndësishme këtë vit që mbështesin Trumpin, megjithëse shumë prej tyre janë parë kryesisht si simbolike

Të dhënat personale të 44 zyrtarëve federalë zviceranë rrjedhin në rrjetin e errët

Informacione personale të 44 zyrtarëve të zgjedhur federalë në Zvicër janë bërë publike në rrjetin e errët, sipas një raporti të kompanisë për sigurinë kibernetike Proton me seli në Gjenevë. Të dhënat e rrjedhura përfshijnë numra telefoni, adresa private dhe fjalëkalime, të cilat mund të shfrytëzohen për qëllime keqdashëse, duke i bërë këta politikanë të cenueshëm ndaj shantazheve apo sulmeve dixhitale, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Hetimi tregon se shkeljet kanë ndodhur kur zyrtarët kanë përdorur adresat e tyre zyrtare të email-it për t’u kyçur në platforma të palëve të treta si LinkedIn, Dropbox apo faqe për rezervime dhe takime, për përdorues mbi 18 vjeç. Në total, u zbuluan 145 shkelje të të dhënave që prekën rreth 16% të politikanëve federalë, duke përfshirë edhe anëtarë të Këshillit Federal.

Megjithëse emrat e të prekurve nuk janë bërë publikë, përfshirja e numrave të telefonit dhe adresave private në rrjetin e errët ngrit shqetësime për sigurinë dhe privatësinë e zyrtarëve.

Proton paralajmëron se politikanët mbeten një objektiv i preferuar i kriminelëve kibernetikë, dhe këto rrjedhje mund të shfrytëzohen për fushata dezinformimi ose për presion të padrejtë politik.

Një krahasim ndërkombëtar tregon se situata nuk është më e mirë në vendet fqinje: në Mbretërinë e Bashkuar, sipas studimeve të mëparshme, rreth 68% e zyrtarëve të zgjedhur janë ekspozuar ndaj rrezikut të vjedhjes së të dhënave personale, transmeton albinfo.ch.

Parlamenti Evropian votoi për ndalimin e tarifave për bagazhet e dorës në linjat ajrore

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian votuan të martën për të ndaluar linjat ajrore që të vendosin tarifa shtesë për bagazhet e vogla të dorës, duke mbrojtur kështu të drejtën e pasagjerëve të mbajnë me vete në bord sende personale si çanta dore, çanta shpine apo laptop pa pagesë shtesë, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Ky propozim synon të zbatojë një vendim të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë nga viti 2014, sipas të cilit mbajtja e bagazhit të dorës nuk duhet t’i nënshtrohet tarifave shtesë, nëse përmbush kriteret për peshën dhe dimensionet dhe është në përputhje me kërkesat e sigurisë.

Aktualisht, shumë linja ajrore me kosto të ulët lejojnë vetëm një send personal falas, ndërsa tarifojnë për çdo bagazh tjetër dore, duke krijuar konfuzion dhe shpenzime të papritura për pasagjerët.

Megjithatë, masa nuk është përfundimtare dhe duhet të miratohet edhe nga të gjithë eurodeputetët në Parlamentin Evropian dhe nga qeveritë e vendeve anëtare në Këshillin e BE-së.

Sektori i aviacionit kundërshton këtë ndalim, duke argumentuar se kufizon zgjedhjen e konsumatorëve dhe mund të çojë në kosto më të larta për pasagjerët që nuk kërkojnë bagazh të shtuar, transmeton albinfo.ch.

Përveç kësaj, eurodeputetët miratuan ndryshime të tjera që forcojnë të drejtat e pasagjerëve, përfshirë:

Të drejtën që fëmijët nën 12 vjeç të ulen pranë shoqëruesve të tyre pa pagesë shtesë.

Udhëtimin falas për personat që shoqërojnë pasagjerët me lëvizshmëri të kufizuar.

Kompensim për humbjen ose dëmtimin e pajisjeve ndihmëse ose kafshëve ndihmëse.

Formulare të përbashkëta për rimbursime në rast vonesash ose anulimesh.

Mbrojtje për udhëtarët në udhëtime me më shumë se një mënyrë transporti, si aeroplan dhe autobus, duke u siguruar ushqim, pije dhe qëndrim falas në hotel në rast vonesash.

Eurodeputeti italian Matteo Ricci tha se këto rregulla synojnë të mbrojnë të gjithë pasagjerët, me vëmendje të veçantë për personat me aftësi të kufizuara, dhe të sqarojnë përkufizimin e bagazhit të dorës falas deri në një madhësi maksimale prej 100 cm.

Këto ndryshime synojnë gjithashtu të rrisin transparencën për pasagjerët në lidhje me kostot totale të biletave dhe procesin e rimbursimit.

Parlamenti Evropian dhe Këshilli po vazhdojnë diskutimet për një rishikim më të gjerë të rregullave të kompensimit për vonesat dhe anulimet e fluturimeve, transmeton albinfo.ch.

Prishja e ndërtesave të vjetra në Zvicër me pasoja sociale

Prishja e ndërtesave të vjetra për të ndërtuar njësi të reja banimi po çon në dëbime të shumta të qiramarrësve, duke prekur veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta. Ky është përfundimi i një studimi të ETH Zurich, të porositur nga Zyra Federale e Strehimit (OFL) dhe i publikuar të marten, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Në përpjekje për të zgjidhur mungesën e banesave në qytetet e mëdha si Gjeneva, Lozana, Berna, Zyrihu dhe Bazeli, autoritetet po zgjedhin gjithnjë e më shpesh prishjen dhe rindërtimin e ndërtesave të vjetra, një praktikë që tani përbën deri në 63% të ndërtimeve të reja – një rritje e madhe krahasuar me fillimin e viteve 2000.

Por ky transformim urban ka një kosto sociale të lartë. Sipas studimit, qiramarrësit e dëbuar kishin të ardhura 30 deri në 40% më të ulëta se mesatarja e popullsisë. Ndërkohë, banesat e reja që zëvendësojnë ndërtesat e prishura okupohen nga persona me të ardhura mesatarisht 15 deri në 39% më të larta se mesatarja.

“Banorët e goditur janë shpesh më të moshuar, refugjatë ose azilkërkues, veçanërisht nga vendet afrikane”, deklaroi David Kaufmann, profesor në ETH Zurich. Fiona Kauer, studente e doktoraturës dhe autore e bashkëstudimit, shtoi se mosha mesatare e personave të dëbuar ishte 5 deri në 12 vjet më e lartë se ajo e banorëve që i zëvendësojnë, duke çuar në më pak diversitet breznor në lagjet e reja, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa ndërtimi i banesave të reja synon të përballojë krizën e strehimit, shumica e tyre nuk janë të përballueshme për kategoritë më të rrezikuara. Zëvendësimi i ndërtesave të vjetra me struktura moderne rrit qiratë dhe ul ndjeshëm aksesin për ata që kanë më shumë nevojë për strehim të lirë.

Kreu i OFL-së, Martin Tschirren, theksoi se shumë ndërtesa ekzistuese kanë nevojë për rinovim për të përmbushur standardet e reja të energjisë, gjë që po nxit më tej këtë valë ndërtimeje. Por ai pranoi se ky proces ndryshon përbërjen socio-demografike të lagjeve, transmeton albinfo.ch.

Rritet rreziku i zjarreve në pyje në disa rajone të Zvicrës

Disa kantone në Zvicër kanë rritur alarmin për rrezik të konsiderueshëm të zjarreve në pyje, si pasojë e temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve. Sipas autoriteteve federale, rreziku është në nivelin 3 nga 5, dhe përfshin kantonet Thurgau, Schaffhausen, Jura, Gjenevë dhe pjesë të Valais-it, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Qytetarët në këto rajone këshillohen të tregojnë kujdes të madh me përdorimin e zjarrit në pyje dhe në skajet e tyre. Zjarret lejohen vetëm në vende të posaçme të përcaktuara, për të shmangur përhapjen e mundshme të flakëve.

Në kantonin e Thurgau-t, përveç rrezikut të zjarreve, nga e premtja hyn në fuqi ndalimi i nxjerrjes së ujit, sidomos nga përrenjtë dhe rrjedhat më të vogla. Vendimi vjen si pasojë e nivelit jashtëzakonisht të ulët të ujërave, për shkak të thatësisë së zgjatur.

Megjithatë, disa zona dhe burime janë përjashtuar nga ky ndalim. Liqeni i Konstancës, lumi Rajna, Hüttwilersee dhe Nussbaumersee mbeten të hapura për përdorim, po ashtu edhe ujërat nëntokësore dhe burimet, transmeton albinfo.ch.

Sipas autoriteteve të Thurgau-t, ndalimi prek rreth 13% të ujit të destinuar për bujqësi gjatë periudhave të thatësisë. Kjo masë synon të mbrojë rezervat ujore dhe ekosistemin, në një kohë kur vala e të nxehtit pritet të vazhdojë.

Qeveria federale bën thirrje për vëmendje të shtuar, sidomos në zonat pyjore dhe gjatë aktiviteteve në natyrë, për të parandaluar rrezikun e shpërthimeve të zjarrit në kushte të thata dhe të nxehta, transmeton albinfo.ch.

Qeveria austriake po shqyrton ndërhyrjen në çmimet e energjisë

Për shkak të pasigurisë së rritur në Lindjen e Mesme dhe frikës për rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë, qeveria e Austrisë po shqyrton mundësinë e vendosjes së rregulloreve ligjore që të frenojnë këto rritje, shkruan ORF, transmeton albinfo.ch.

Zëvendëskancelari dhe kreu i Partisë Socialdemokrate, Andreas Babler, deklaroi se vendi ka nevojë për një mekanizëm krize që e mbron Austrinë nga çmimet e larta të energjisë. Babler theksoi se nuk duhet të përsëriten gabimet e së kaluarës, duke iu referuar rritjeve të mëdha të çmimeve pas luftës në Ukrainë, që sollën edhe fitime të konsiderueshme për kompanitë e energjisë. Qëllimi është krijimi i një ligji në interes të klientëve, shtetit dhe ekonomisë austriake, ndërsa detajet janë ende në negociata.

Sipas raportimeve, edhe kancelari Christian Stocker i ÖVP-së konsideron ndërhyrjet në çmime si një mundësi të diskutueshme, veçanërisht në rast të rritjeve ose tronditjeve të ndjeshme të çmimeve, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, partia më e vogël në koalicion, NEOS, theksoi se nuk ka ende diskutime konkrete për ndryshime ligjore dhe se prioritet mbeten masat e planifikuara për promovimin e ngrohjes dhe energjisë së rinovueshme.

Nga ana tjetër, Wolfgang Urbantschitsch nga E-Control siguroi se rritjet e fundit të çmimeve të gazit, pas sulmit ndaj Iranit, nuk do të ndikojnë menjëherë në faturat e familjeve. Ai theksoi se vetëm nëse çmimet mbeten të larta për një periudhë më të gjatë, atëherë do të ketë pasoja të dukshme. Sipas tij, zgjidhja qëndron në uljen e varësisë nga burimet e jashtme të energjisë, përmes rritjes së pavarësisë energjetike.

Aktualisht, Austria ka mbushur magazinat e saj të gazit natyror me rreth 60 teravat orë, që është afërsisht konsumi vjetor i vendit, duke u përgatitur për periudha të pasigurta energjetike, transmeton albinfo.ch.

Lucerni synon të dyfishojë taksën e qëndrimit për turistët nga viti 2026

Turistët që vizitojnë kantonin e Lucernit do të duhet të paguajnë më shumë për çdo natë qëndrim, duke filluar nga viti 2026. Këshilli qeveritar ka paraqitur një projektligj të ri për turizmin, i cili parashikon dyfishimin e tarifës së qëndrimit nga 0.50 në 1.10 franga zvicerane për person, për natë, shkruan Blick, transmeton albinfo.ch.

Ky vendim vjen në kohën kur turizmi në Lucern po arrin nivele rekord. Vetëm në vitin 2024 u regjistruan 2.4 milionë qëndrime brenda natës, një shifër historike për kantonin. Edhe viti 2025 pritet të vazhdojë me të njëjtin ritëm, duke sjellë përfitime për hotelierët dhe bizneset lokale, por edhe sfida për komunitetin vendas, që ndjen presionin e turizmit masiv.

Qëllimi i rritjes së taksës, sipas autoriteteve, është të gjenerohen fonde shtesë për promovimin e qëndrueshëm dhe dixhital të turizmit. Parashikohet që rritja të sjellë rreth 1.3 milion franga të ardhura shtesë në vit, transmeton albinfo.ch.

“Turizmi në Lucern duhet të jetë dritë drejt së ardhmes,” u shpreh këshilltari qeveritar Fabian Peter për Luzerner Zeitung. “Ai paraqet potencialin ekonomik dhe kulturor të kantonit në arenën ndërkombëtare.”

Megjithatë, rritja e taksës shihet më shumë si një masë për financim të zhvillimit të turizmit, sesa një zgjidhje për problemin e mbiturizmit. Vitin e kaluar, qyteti ishte aq i mbingarkuar, saqë disa turistë kaluan natën në parkingje publike. Skena të ngjashme janë parë edhe në vende të tjera zvicerane, që po përballen me sfidat e fluksit të lartë turistik.

Me tarifën e re, Lucerni mbetet në mesataren zvicerane për taksat turistike. Disa vendpushime, si Montreux, aplikojnë tarifa shumë më të larta, deri në 7 franga për natë.

Ligji i ri i turizmit dhe rritja e taksës pritet të shqyrtohen nga këshilli kantonal në muajt në vijim, transmeton albinfo.ch.