Ardon Jashari kërkon zyrtarisht t’i bashkohet Milanit

Mesfushori shqiptar, Ardon Jashari ka kërkuar zyrtarisht të largohet nga Club Brugge, duke ia bërë të qartë skuadrës belge se qëllimi i tij i vetëm është t’i bashkohet Milanit, përcjell albinfo.ch.

21-vjeçari, i cili iu bashkua Club Brugge kohëve të fundit si pjesë e një plani afatgjatë, ka ndryshuar mendje dhe tani po shtyn përpara për një transferim te Rossonerët.

Sipas burimeve pranë lojtarit, Jashari e sheh Milanin si hapin ideal të radhës në karrierën e tij dhe është plotësisht i përqendruar në kalimin në Serie A.

Sipas gazetarit Nicolo Schira, ai ia ka komunikuar dëshirën e tij drejtpërdrejt drejtuesve të klubit, duke shpresuar se ata do ta respektojnë vendimin e tij dhe do të lehtësojnë negociatat.

Milani është në dijeni të situatës dhe vazhdon të monitorojë zhvillimet, pasi ka shprehur interes për mesfushorin shumë të vlerësuar në fillim të kësaj vere.

Bisedimet pritet të përparojnë në ditët në vijim, ndërsa lojtari pret një përparim. Për Jasharin, Milani është destinacioni i vetëm që ka rëndësi tani.

The Economist: Shqiptarët punojnë shumë dhe fitojnë pak

Revista “The Economist” renditI 178 vende duke u bazuar në tre tregues, përcjell albinfo.ch.

I pari është Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë sipas kursit të këmbimit të tregut. Ky është një tregues i thjeshtë, i kuptueshëm dhe i përdorur gjerësisht. Por ai nuk merr parasysh ndryshimet e çmimeve mes vendeve.

Treguesi i dytë rregullon të ardhurat në raport me koston lokale të jetesës (i njohur si barazia e fuqisë blerëse, ose PPP).

Ky jep një pasqyrë më të saktë të standardit të jetesës, por nuk merr parasysh kohën e lirë: pjesëmarrja në tregun e punës dhe gjatësia e orarit të punës ndryshojnë nga një vend në tjetrin.

Treguesi i fundit kombinon të dyja aspektet: çmimet lokale dhe orët e punës, duke ofruar kështu një matës më të plotë të mirëqenies reale.

Në renditje përfshihet dhe Shqipëria e vendet e tjera të Ballkanit Perëndimore, pa Kosovën.

Në treguesin e të ardhurave për frymë, me 10 mijë dollarë, Shqipëria lë pas si Bosnjë Hercegovinën (gati 9 mijë dollarë), ashtu dhe Maqedoninë e Veriut (9.3 mijë dollarë), ndërsa Mali i Zi dhe Serbia kanë përkatësisht 13 dhe 13.5 mijë dollarë të ardhura për frymë në vit.

Shqipëria është e teta në gjithë Europën për renditjen nga fundit të vendeve që kanë të ardhura më të ulëta për frymë, duke lënë pas Azerbaxhanin, Moldavine, Bjellorusinë, Armeninë, Bosnjë hercegovinën, Gjerogjinë, Maqedoninë e Veriut.

Por, kur kalohet në dy treguesit e tjerë, që marrin në konsideratë si diferencat e çmimeve (që përshtat të ardhurat për ndryshimet e kostos së jetesës në vende të ndryshme) ashtu dhe treguesi i fundit që llogarit të ardhurat duke u bazuar në çmimet dhe orët që punohet (Tregon sa pasuri gjenerohet realisht për orë pune në çdo vend.

Ky është treguesi më i drejtë për të krahasuar efikasitetin ekonomik të popullsisë punëtore), të ardhurat relative ulen, duke reflektuar çmimet e shtrenjta, ndërkohë që orët e punës janë të gjata. Shqiprarët kanë të ardhurat më të ulëta në rajon, krahasuar me fuqinë blerëse, pas Bosnjë Hercegovinës dhe janë të katërit në Europë, pas Moldavisë, Bosnjë Hercegovinës dhe Armenisë.

Të ardhurat e rregulluara për çmimet dhe orët që punohet, në Shqipëri në vitin 2024 ishin 26.4 mijë dollarë, nga 22 mijë dollarë në Bosnjë Hercegovinë. Të dhënat tregojnë qartë se shqiptarët janë ndër punëtorët, që ndonëse kanë orë të gjata pune, janë më pak më të shpërblyerit.
Ndërkohë që në Maqedoninë e Veriut kjo shifër arrin në mbi 30 mijë dollarë dhe, në Serbi 31.6 mijë në Mal të Zi në mbi 36 mijë, Shqipëria mbetet shumë më pas në vlerën ekonomike që prodhon për çdo orë pune.

Madje, edhe Bosnja dhe Hercegovina, me një PBB nominale më të ulët për frymë, arrin të ketë një produktivitet të krahasueshëm me Shqipërinë kur bëhet fjalë për të ardhurat efektive të punës.

Ky pozicionim i dobët lidhet jo me numrin e ulët të orëve të punës, përkundrazi Shqitarët punojnë një rekord prej 43.7 orë në javë, nga 36.1 orë mesatarja europiane, por me strukturën e tregut të punës dhe natyrën e ekonomisë shqiptare.

Pjesa më e madhe e punës kryhet në sektorë me vlerë të ulët të shtuar – si bujqësia informale, tregtia e vogël apo shërbimet jo-produktive – të cilat nuk gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme krahasuar me kohën e investuar.

Në krahasim me vendet e Bashkimit Europian, hendeku është edhe më i madh. Sipas The Economist, vendet si Zvicra dhe Irlanda arrijnë të gjenerojnë mbi 90 mijë dollarë për frymë në vit të korrigjuar për orë pune.

Edhe vende me ekonomi më të strukturuara si Gjermania, Austria apo Suedia luhaten në shifrat 70–80 mijë dollarë. Shqipëria, me pak më shumë se 26 mijë, mbetet shumë larg këtij standardi.

Analiza e The Economist shtron një mesazh të qartë për vendet në zhvillim si Shqipëria: rritja e produktivitetit nuk vjen vetëm nga më shumë punë, por nga punë më efikase, më të mirëpaguar dhe në sektorë me teknologji më të lartë dhe me më shumë vlerë të shtuar.

Në mungesë të reformave strukturore në arsim, punësim dhe teknologji, Shqipëria rrezikon të ngelet një vend ku punohet shumë, por ku shpërblimi ekonomik mbetet modest.

MSH-ja rekomandon sektorin publik e privat për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta

Ministria e Shëndetësisë në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së rekomandon që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 22 – 25 korrik 2025, përcjell albinfo.ch.

Përmes një njoftimi nga Ministria e Shëndetësisë, ftohen të gjitha institucionet që t’i respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme.

“Temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta. Ftohen të gjitha institucionet që t’i respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”, thuhet në njoftim.

IHMK: Kosova në rrezik ekstrem nga temperaturat e larta

Kosova është duke u përballur me temperatura të larta që pritet të arrijnë deri 38 gradë Celsius, përcjell albinfo.ch.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka thënë se Kosova është në kushte të motit jashtëzakonisht të rrezikshëm, veçanërisht nëse zgjatë disa ditë rresht.

IHMK-ja ka thënë se nga kjo valë e të nxehtit janë të rrezikuar veçanërisht të sëmurët kronikë, personat në terapi mjekësore dhe kontroll mjekësor.

Seanca në rastin “Banjska”, pritet të dëgjohen dy dëshmitarë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, edhe të martën po vazhdon gjykimi ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, përcjell albinfo.ch.

Në këtë seancë pritet të dëgjohen dëshmitarët Halim Behramaj dhe Rade Nedelkoviq.

Seanca e 18 korrikut 2025 dështoi në mungesë të dëshmitarit anonim A2. Kurse, ajo e 21 korrikut u mbyll me kërkesë të prokurorit special Naim Abazi, për shkak se do të dëgjohej dëshmitari anonim F1, në mënyrë që të mbrohej identiteti i dëshmitarit dhe procedurës penale.

Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.

Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.

Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.

Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist. /BetimipërDrejtësi

KFOR-i vendos tabela të reja në kufirin Kosovë-Serbi

Misioni i KFOR-it në Kosovë ka njoftuar se është duke vendosur tabela të reja në kufirin Kosovë-Serbi, përcjell albinfo.ch.

Këtë kanë thënë se po e bëjnë për shkak të natyrës malore dhe pyjore të terrenit.

“Ushtarët e misionit KFOR të udhëhequr nga NATO-ja aktualisht po veprojnë përgjatë Vijës Kufitare Administrative, brenda zonës së përgjegjësisë së KFOR-it, për të instaluar tabela të reja. Për shkak të natyrës malore dhe pyjore të terrenit, këto tabela po vendosen për të shënuar qartë zonën e operacioneve të KFOR-it dhe do të ndihmojnë në uljen e rrezikut të kalimeve aksidentale. Vendosja e këtyre tabelave do të vazhdojë gjatë javëve të ardhshme”, thuhet në njoftim.

Tutje KFOR-i ka bërë të ditur se do të vazhdojë aktivitetet e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, duke përfshirë patrullimet në veri të Kosovës dhe në afërsi të kufirit.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet tutje në njoftim.

15 vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës

Sot bëhen 15 vjet që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch.

Me vota pro, anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me seli në Hagë Hagës kishin vendosur në favor të Kosovës, duke refuzuar kështu kërkesën e Serbisë për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Vendimi ishte i lexuar nga presidenti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në atë kohë, Hiasashio Ovada.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

Me ndihmën e Zvicrës, Berati ndriçohet me teknologji moderne LED

Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, znj. Ruth Huber, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të sistemit të ri të ndriçimit rrugor në qytetin e Beratit, një projekt që synon rritjen e efiçencës energjetike dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës për banorët, shkruan albinfo.ch.

Ky sistem ndriçimi, i bazuar në teknologjinë LED, ofron ndriçim më të sigurt, me konsum të ulët energjie dhe me ndikim pozitiv në mjedis. Falë bashkëpunimit mes Zvicrës dhe Bashkisë Berat, qyteti ka përfituar nga një investim modern që kontribuon në zhvillimin urban të qëndrueshëm dhe përmirësimin e infrastrukturës publike.

Mund të jetë një imazh i 6 persona, Camogli, Stari Most dhe rrugë

Kontributet kryesore të projektit:
Rritja e kapaciteteve lokale për projektimin, zbatimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës me efiçencë të lartë energjetike.

Ndriçim efikas dhe ekonomik, që siguron kursime të energjisë dhe ulje të ndjeshme të kostove operacionale për Bashkinë.

Reduktimi i emetimeve të CO₂, duke kontribuar në përpjekjet për një mjedis më të pastër dhe përballje me ndryshimet klimatike.

Siguri më e lartë publike, përmes ndriçimit më të mirë të hapësirave rrugore dhe publike.

Planifikim i qëndrueshëm afatgjatë, që garanton funksionim dhe mirëmbajtje të sistemit në përputhje me standardet evropiane të eficiencës energjetike.

Pjesë e projektit “Smart Energy Municipalities”
Kjo ndërhyrje në qytetin e Beratit është pjesë e projektit më të gjerë Smart Energy Municipalities në Shqipëri, i cili mbështetet nga Zvicra dhe synon forcimin e kapaciteteve të bashkive shqiptare për të përmirësuar performancën energjetike dhe për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm.

Gjatë fjalës së saj në inaugurim, Ambasadorja Ruth Huber theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve lokale dhe partnerëve ndërkombëtarë për zbatimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Zvicra është krenare që mbështet iniciativa që sjellin përfitime konkrete për komunitetet vendore. Ndriçimi më i mirë, më ekonomik dhe më i qëndrueshëm është një hap domethënës drejt një të ardhmeje më të gjelbër për Shqipërinë,” u shpreh ambasadorja Huber.

Pse turistët italianë po braktisin bregdetin shqiptar?

Efekti “Albania”, që në tre vitet e fundit tërhoqi mijëra turistë italianë drejt bregdetit shqiptar për shkak të bukurisë natyrore dhe çmimeve të lira, duket se po zbehet ndjeshëm këtë vit, përcjell albinfo.ch.

Sipas një raportimi të publikuar nga media italiane “Corriere della Sera” dhe deklaratave të operatorëve turistikë, interesi i italianëve për të kaluar pushimet verore në Shqipëri ka rënë ndjeshëm në vitin 2025.

Michele Viola, drejtues i agjencisë turistike italiane “Goodays”, thotë se sinjalet e para të rënies ishin të dukshme që në fund të sezonit të kaluar, por këtë vit situata është përkeqësuar më tej. “Shumë pak njerëz po telefonojnë për të rezervuar pushimet në bregdetin shqiptar. Grupet organizohen për destinacione të tjera”, shprehet ai.

Referuar të dhënave të kësaj agjencie, kërkesat për Shqipërinë kanë rënë më shumë se gjysma krahasuar me tre vite më parë, kur fluksi i turistëve italianë në Shqipëri ishte në rritje me 30%, falë çmimeve të përballueshme dhe natyrës së paprekur.

Viola thekson se problemet ekonomike të familjeve italiane po ndikojnë gjithashtu: “Të ardhurat po bien dhe pushimet janë bërë një luks. Më parë, raporti çmim-shërbim në Shqipëri ishte i favorshëm. Sot, kjo nuk vlen më.”

Nga ana tjetër, Massimo Salomone, koordinator për turizmin në Confindustria Puglia, thekson se Shqipëria ka përparuar si destinacion turistik, falë investimeve të shpejta në infrastrukturë dhe një administrate më efikase, por paralajmëron për kujdes: “Ideja që Shqipëria është një destinacion ‘low-cost’ është shpesh e gabuar. Ka probleme me cilësinë e shërbimeve, transparencën e çmimeve dhe ofertën turistike, që shpesh janë ngritur nga vetë udhëtarët.”

Sipas tij, nuk është qëllimi që të rritet konkurrenca me Shqipërinë, por të krijohet një bashkëpunim rajonal, pasi Shqipëria dhe Puglia ndajnë të njëjtin det dhe trashëgimi kulturore.

Ndërkohë, Piero Innocenti, nga Shoqata Rajonale e Agjencive Turistike në Puglia (Fiavet), nënvizon se konsumatorët që dikur toleronin shërbime më modeste për një çmim të lirë, tani nuk e shohin më këtë si përfitim: “Tarifat në Shqipëri janë rritur dhe kjo po i dekurajon pushuesit. E njëjta gjë po ndodh edhe me destinacione të tjera si Kroacia dhe Mali i Zi. Ndërsa Greqia po qëndron mirë në treg.”

Në përfundim, duket se mungesa e avantazhit ekonomik, rritja e çmimeve dhe pritshmëritë në rritje të turistëve italianë po ndikojnë ndjeshëm në rënien e fluksit nga Italia drejt bregdetit shqiptar këtë sezon.

Përditësimi i të dhënave, kjo është gjendja në të gjitha pikat kufitare

Tash e disa ditë mërgimtarët kanë nisur të vijnë për pushime në Kosovë, mirëpo deri më tani nuk janë krijuar kolona të shumta në hyrjet dhe daljet e pikave kufitare, shkruan albinfo.ch.

Referuar përditësimit të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, situata paraqitet e qetë në të gjitha pikat.

Me rritjen e ardhjeve të mërgimtarëve, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të informohen paraprakisht për gjendjen në kufi, për të shmangur pritjet e gjata gjatë ditëve në vijim.

Qyteti i pushimeve ekonomike në Shqipëri: Çadra falas dhe dreka me vetëm 1000 lekë

Ndërkohë që pushimet në bregdetin e jugut po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta, qyteti i Pogradecit po shihet gjithmonë e më shumë si një alternativë e qetë, familjare dhe shumë më e përballueshme për verën.

Së fundmi, një qytetar ka ndarë në rrjetet sociale një foto nga një plazh publik në Pogradec, duke treguar se aty çadrat janë vendosur nga bashkia dhe ofrohen falas për të gjithë pushuesit.

“Meqenëse çmimet në jug janë katastrofë, po ju dërgoj një foto nga Pogradeci. Çadrat janë vendosur nga bashkia dhe janë falas. Plazh publik. Ju mjafton një peshqir dhe dëshira për t’u kënaqur.”, shkruan ai.

Përveç relaksit buzë liqenit, pushuesi ndau edhe një detaj interesant për ata që duan të kursejnë gjatë pushimeve:

“Ne sapo hëngrëm drekën dhe me vetëm 1000 lekë morëm një pice familjare dhe pije. Rehatllik, qetësi, ekonomi dhe klimë perfekte.”

Në një kohë kur shumë vizitorë ankohen për çmimet e larta në jug, Pogradeci po vlerësohet gjithnjë e më shumë si një destinacion ekonomik dhe miqësor për familjarë, të rinj dhe të moshuar. Liqeni, ajri i pastër, plazhet e organizuara, ushqimi i lirë dhe klima e butë e bëjnë këtë qytet gjithnjë e më të preferuar për ata që kërkojnë pushime cilësore me buxhet të ulët.

 

Kërkohet mbyllja e plazhit nudist në Cyrih

Një letër anonime po qarkullon në Cyrih duke kërkuar mbylljen e zonës nudiste të notit në ishullin Werdinsel. Arsyeja: sjellje të konsideruara të papërshtatshme. Ky vend historik dhe i rregulluar po nxit debat mbi bashkëjetesën në hapësirat publike.

Në Werdinsel, një ishull në lumin Limmat në zemër të Cyrihut, nudistët janë bërë objekt i një letre anonime. Autorët e saj kërkojnë mbylljen e zonës nudiste, duke përmendur raste të ekshibicionizmit, marrëdhënieve seksuale publike dhe ngacmimeve ndaj grave.

Sipas raportimeve të Blick, një baba pretendon se ka parë katër burra duke u masturbuar ndërsa po shëtiste me vajzën e tij 7-vjeçare. Gazeta publikoi gjithashtu një video ku shihej një akt seksual eksplicit mes dy personash në plazh, transmeton albinfo.ch.

Letra përmend gjithashtu një fluks vizitorësh që sjell trafik shtesë përreth ishullit. Megjithatë, identiteti dhe numri i saktë i firmëtarëve mbeten të panjohur, ndaj origjina e kësaj tensioni të re është ende e paqartë.

Reagime të përziera

Kjo mobilizim nuk ka gjetur mbështetje unanime: shoqata e lagjes shprehet kundër mbylljes, duke deklaruar se nuk ka vërejtur rritje incidentesh këtë vit. Si përgjigje ndaj letrës anonime, një vizitor i rregullt i zonës nisi një peticion kundër mbylljes, duke mbledhur rreth 80 firma.

Nga ana e saj, policia bashkiake e Cyrihut raporton se që nga viti 2022 ka regjistruar pesë ankesa për ekspozim të pahijshëm në Werdinsel

 

Pse Mercedes Benz do të tërheq mbi 200 mijë vetura

Prodhuesi gjerman i automjeteve “Mercedes-Benz” thuhet se do të tërheqë rreth 223 000 automjete komerciale në të gjithë botën për shkak të një defekti në airbag.

Sipas një liste në uebfaqen e Autoritetit Federal Gjerman të Automjeteve Motorike (KBA), Mercedes-Benz do të tërheqë 223 000 automjete në të gjithë botën, 60 246 prej të cilave në Gjermani.

Deklarata e përfshirë në listë tha se pasagjerët mund të preken në “një aksident në të cilin aktivizohet airbag-u” në modelet e furgonëve ”Viano” dhe ”Vito” të prodhuara midis dhjetorit 2002 dhe shkurtit 2006, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Sipas raporteve të mediave gjermane në këto automjete, “gjeneratori i gazit mund të shpërthejë në një aksident ku aktivizohet airbag-u” dhe në këtë rast, airbag-u nuk do të ofrojë më siguri dhe ekziston rreziku i lëndimit të pasagjerëve për shkak të thyerjes së pjesëve të gjeneratorit të gazit.

Çfarë ndryshon në Gjermani gjatë gushtit 2025

Nga mbyllja e linjës hekurudhore Berlin-Hamburg për rikonstruksion, te rregullat e reja për fotot dixhitale të ID-së dhe riciklimin e baterive – këto janë zhvillimet më të rëndësishme që duhen ditur këtë gusht në Gjermani.

 Linja hekurudhore Berlin-Hamburg mbyllet për përmirësime të mëdha

Nga 1 gushti, lidhja kryesore hekurudhore mes Berlinit dhe Hamburgut do të mbyllet për rikonstruksione të gjera, të cilat do të zgjasin deri në fund të prillit 2026.

Trenat e shpejtësisë së lartë do të devijohen, duke shtuar rreth 45 minuta në udhëtimet e zakonshme.

Disa lidhje rajonale do të pezullohen, ndërsa të tjera do të zëvendësohen nga autobusë me internet, porta USB dhe tualete për udhëtime të gjata.

Foto dixhitale të detyrueshme për pasaporta dhe karta identiteti

Nga 1 gushti, fotot në letër nuk do të pranohen më për ID dhe pasaporta në zyrat e shtetasve dhe të emigracionit (Bürgeramt/Ausländerbehörde).

Fotot duhet të jenë dixhitale, të marra në terminale ‘PointID’ brenda zyrave ose në studio të certifikuara dhe dyqane si DM, të dorëzuara me QR kod.

Çmimi i tyre varion nga 10-15 euro.

 Ulen tarifat për shitjen e energjisë diellore

Nga 1 gushti, ata që instalojnë panele diellore të reja do të marrin më pak për energjinë që japin në rrjet:

Deri 10 kW: 7.87 cent/kWh (nga 7.94 më parë)

Deri 40 kW: 6.81 cent/kWh

Deri 100 kW: 5.56 cent/kWh

Ky ndryshim nuk prek kontratat ekzistuese të nënshkruara para 1 gushtit.

Rregulla të reja sigurie për pajisjet smart

Nga 1 gushti, të gjitha pajisjet smart me lidhje wireless (Wi-Fi, Bluetooth, etj.) mund të shiten me shenjën CE vetëm nëse:

Janë të mbrojtura kundër abuzimit me të dhënat dhe aksesit të paautorizuar.

Kanë fjalëkalime të sigurta, lidhje të enkriptuara dhe mekanizma të besueshëm për përditësime.

Kjo prek telefonat, laptopët, orët smart, fshesat robot, zile dere, kufjet dhe printerët.

Transparencë e detyrueshme për modelet e mëdha të AI

Nga 2 gushti, modelet e mëdha të inteligjencës artificiale si ChatGPT dhe Gemini do të duhet të:

Publikojnë dokumentacion mbi mënyrën si funksionojnë dhe mbi të dhënat mbi të cilat janë trajnuar.

Etiketimi i përmbajtjeve të krijuara nga AI dhe deepfake do të bëhet gjithashtu i detyrueshëm.

Ligji zbatohet për modelet e reja nga viti 2026 dhe për ato ekzistuese nga 2027.

Riciklim dhe etiketime të reja për bateritë

Nga 18 gushti, të gjitha bateritë – nga ato të vogla deri tek bateritë e biçikletave elektrike – mund të dorëzohen falas në qendrat komunale të riciklimit.

Bateritë e reja do të kenë një vulë cilësie dhe më pas QR kod me informacion mjedisor dhe riciklueshmërie.

Rregulla më të rrepta do të zbatohen për importuesit dhe prodhuesit.

Pensionet kthehen në normalitet pas rregullimit të korrikut

Në korrik, pensionet u ulën përkohësisht për shkak të ndryshimeve në kontributet për sigurimin e kujdesit afatgjatë. Nga gushti, rritja e plotë prej 3.74% do të reflektohet normalisht.

Ky muaj shënon edhe barazimin përfundimtar të rregullave të pensioneve midis Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore.

Fillon viti i ri shkollor për klasat e para

1 gushti shënon fillimin zyrtar të vitit të ri shkollor në shumicën e landeve gjermane. Fëmijët që mbushin 6 vjeç para kësaj date do të fillojnë klasën e parë në gusht ose fillim shtatori.

Arena e Këlnit Lanxess kalon pa para cash

Nga 1 gushti, Arena Lanxess në Këln (më e vizituara në Evropë) do të pranojë kryesisht pagesa me kartë ose elektronike, për të ulur kohën e pritjes dhe për të thjeshtuar proceset logjistike.

 

Shkurtime masive të vendeve të punës në OKB në Gjenevë

Qindra punonjës të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë kanë humbur tashmë vendet e punës, dhe priten shkurtime të tjera edhe më të mëdha.

Që nga janari 2025, kur Donald Trump mori detyrën si President i SHBA, ai e tërhoqi vendin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe pezulloi financimet për shumë agjenci e OJQ të tjera të bazuara në Gjenevë, si Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), transmeton albinfo.ch.

Deri tani:

Punësimet në OKB janë ulur me 43% krahasuar me vitin e kaluar.

Shumë programe humanitare janë ndërprerë, ndërsa mijëra punonjës janë larguar globalisht.

Shkurtime të mëdha të paralajmëruara:

UN AIDS: Nga 127 punonjës do të mbesin vetëm 19.

Gavi – Aleanca e Vaksinave: 155 vende pune do të shkurtohen.

IOM: 200 vende pune do të eliminohen në selinë qendrore.

ILO – Organizata Ndërkombëtare e Punës: 190 punonjës do të largohen, ndërsa 92 do të transferohen në terren.

OBSH: Pritet të largojë 40% të stafit të saj në Gjenevë, që përbën mbi 1,000 vende pune.

UNCTAD – Agjencia për Tregti dhe Zhvillim: 70 vende pune, ose 20% e stafit, do të shkurtohen.

Reagimi në Zvicër

Për të mbrojtur prezencën e OKB-së dhe OJQ-ve në Gjenevë:

Parlamenti i kantonit ka miratuar 10 milionë franga ndihmë urgjente për OJQ-të.

Qeveria federale ka caktuar 269 milionë franga për të ndihmuar Gjenevën të përballojë krizën.

Këshilli Federal deklaroi se shkurtimet e kontributeve financiare nga disa vende anëtare, pa përmendur drejtpërdrejt SHBA-në, kanë sjellë sfida serioze për organizatat ndërkombëtare.

Vjedhje armësh në Zvicrën Lindore: Katër raste brenda pesë ditëve

Në kantonin St. Gallen dhe rajonet përreth, në ditët e fundit janë regjistruar disa vjedhje dhe plaçkitje armësh. Ende nuk është e qartë nëse këto krime janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Raste të ngjashme janë raportuar edhe në kantonet Cyrih dhe Wallis, ndërsa deri tani autorët nuk janë kapur.

Mëngjesin e hershëm të së enjtes së kaluar, në Altstätten të St. Gallenit, grabitës të panjohur vodhën dhjetë pistoleta nga një dyqan armësh. Ata përdorën një nga dy veturat e vjedhura më parë për të përplasur derën e dyqanit dhe për të hyrë brenda. Të shtunën vonë në mbrëmje, në Buchs të St. Gallenit, u vjedhën armë nga një apartament.

Gjatë natës midis së shtunës dhe të dielës u plaçkit edhe një poligon qitjeje në Wittenbach të St. Gallenit, ku u vodhën disa armë antike nga një ekspozitë. Ndërsa gjatë natës së pasuar nga e hëna në të martën, grabitës të panjohur hynë me forcë në një dyqan armësh në Gossau, St. Gallen, dhe vodhën 14 pistoleta.

Zëdhënësi i policisë kantonale të St. Gallenit tha për SRF se nuk mund të konfirmojë në këtë moment lidhjet konkrete midis këtyre vjedhjeve, por hetimet janë në vazhdim.

Ndjekje e madhe në kantonin Wallis

Në qershor, një vjedhje e madhe në një dyqan armësh në Pfungen, kantoni Cyrih, ku u vodhën rreth 50 pistoleta, ka shkaktuar shumë zhurmë. Hetimet vazhdojnë.

Po ashtu, në kantonin Wallis, policia raportoi një tjetër plaçkitje në një dyqan armësh. Autorët u përplasën me makinë gjatë ikjes dhe u detyruan të largohen në këmbë, duke lënë pas një pjesë të armëve të vjedhura. Të paktën tre persona mbeten ende në kërkim, ndërsa po zhvillohet një ndjekje e gjerë.

Mbështetje nga autoritetet federale

Policia kantonale merr mbështetje nga Zyra Federale e Policisë (Fedpol), e cila ndihmon në koordinimin ndërkombëtar dhe njoftimin për armët e vjedhura. Fedpol nuk dha detaje për numrin e përgjithshëm apo tendencat e vjedhjeve të armëve.

Rajoni perëndimor më i prekur

Fedpol thekson se zona e Zvicrës frankofone mbetet më e goditura nga krimi i organizuar i grupeve që vijnë nga Franca, sidomos nga rrethet e Lyonit, Annemasse, Grenoble, Montbéliard dhe Saint-Étienne. Këto grupe janë të përfshira në vjedhje, trafik armësh, mashtrime, pastrim parash dhe plaçkitje.

Disa nga grabitjet më të njohura, si plaçkitja e makinave të blinduara në 2018 dhe 2019, apo plaçkitjet në dyqanet e armëve në 2020 dhe 2021, i atribuohen këtyre rrjeteve.

Një nga dy shkollat Steiner në Ticino shpall falimentin, simbol i një modeli në rënie

Një nga dy shkollat Rudolf Steiner në Ticino ka shpallur falimentin për shkak të mungesës së fondeve.

Shkolla në Origlio, afër Luganos, nuk arriti të mbulonte një boshllëk financiar prej rreth 800,000 frangash zvicerane dhe si pasojë 126 nxënës dhe 40 mësues nuk do të rikthehen në bankat e shkollës në fillim të vitit të ri.

Në Zvicër, numri i shkollave Steiner ka rënë nga 39 në 28 dhe numri i nxënësve është zvogëluar me 20%, duke reflektuar krizën që po përjeton ky model edukimi i bazuar në antroposofi.

 

25 vende, përfshirë Zvicrën, bëjnë thirrje për përfundimin e menjëhershëm të luftës në Gaza

Rreth 25 vende, përfshirë Zvicrën, kanë bërë thirrje për një përfundim “të menjëhershëm” të luftës në Rripin e Gazës, i cili është nën rrethimin izraelit, në një deklaratë të përbashkët të publikuar të hënën.

“Ne (…) bashkohemi rreth një mesazhi të thjeshtë dhe urgjent: lufta në Gaza duhet të përfundojë menjëherë,” shkruajnë ministrat e jashtëm të këtyre 25 vendeve, duke theksuar se “vuajtjet e civilëve në Gaza kanë arritur nivele të reja.” transmeton albinfo.ch.

Rreth dy milionë palestinezë të rrethuar nga Izraeli në Gaza janë në prag të urisë pas më shumë se 21 muajsh konflikt, i cili u shkaktua nga një sulm i paprecedentë i lëvizjes islamiste palestineze Hamas në tokën izraelite më 7 tetor 2023.

Model i rrezikshëm i shpërndarjes së ndihmave

“Modeli i shpërndarjes së ndihmave i qeverisë izraelite është i rrezikshëm, nxit destabilitet dhe ua mohon gazanëve dinjitetin njerëzor,” vazhdojnë nënshkruesit, duke iu referuar Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.

GHF filloi operimin në fund të majit, pas një bllokade të plotë humanitare të vendosur nga Izraeli për më shumë se dy muaj. “Është tronditëse që më shumë se 800 palestinezë janë vrarë ndërkohë që po përpiqeshin të merrnin ndihma,” shkruajnë ministrat.

Javën e kaluar, OKB raportoi se kishte regjistruar 875 persona të vrarë gjatë përpjekjes për të siguruar ushqim që nga fundi i majit, përfshirë 674 pranë pikave të GHF.

“Refuzimi i qeverisë izraelite për të ofruar ndihmë thelbësore humanitare për popullsinë civile është i papranueshëm,” theksojnë ata.

Thirrje për lirimin e pengjeve izraelite

Nënshkruesit gjithashtu bëjnë thirrje për lirimin e pengjeve që mbahen “mizorisht” nga Hamas.

Ata deklaruan gjithashtu se “kundërshtojnë fuqishëm çdo iniciativë që synon ndryshimin e territorit ose demografisë në territoret palestineze të pushtuara,” duke kërkuar ndërprerjen e aktivitetit të vendbanimeve në këto territore.

Vendet nënshkruese

Australia, Austria, Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Islanda, Irlanda, Italia, Japonia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Zelanda e Re, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar.

Deklarata është nënshkruar gjithashtu nga Komisionerja Evropiane për Barazi, Hadja Lahbib.

 

Shumë skuadra pas Brojës

Armando Broja mund të jetë përpara një kapitulli të ri në karrierën e tij, teksa katër klube jashtë Anglisë kanë shfaqur interes konkret për të.

Pas një periudhe të vështirë të mbushur me dëmtime dhe pak minuta loje, sulmuesi shqiptar i Chelsea-t është në kërkim të një transferimi që mund ta ndihmojë të rikthehet në formën më të mirë të tij.

Sipas mediave britanike, Chelsea ka hyrë në fazën e largimeve këtë verë, dhe ndonëse vëmendja është përqendruar te emra si Nicolas Jackson apo Axel Disasi, edhe e ardhmja e Brojës është një çështje e hapur. Pas një huazimi zhgënjyes te Everton sezonin e kaluar – ku luajti në 13 ndeshje pa shënuar apo asistuar – duket se ka ardhur momenti që ai të zbresë një nivel për të grumbulluar minuta dhe të fokusohet në zhvillimin personal, raporton TCH, transmeton albinfo.ch.

Në këtë panoramë, emri i PSV Eindhoven është shtuar së fundmi në listën e klubeve që e duan. Fituesit e Tripletës dhe kampionët në fuqi të Holandës e kujton mirë periudhën e Brojës te Vitesse, ku u shfaq si një talent premtues dhe tani po konsideron seriozisht të bëjë një ofertë, sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja.

Përveç PSV-së, edhe tre klube të tjera kanë hyrë në garë për sulmuesin 23-vjeçar:

Parma në Serie A, që kërkon të zëvendësojë Ange-Yoan Bonny pas kalimit të tij te Interi;

Stuttgart në Bundesliga, në rast se humb Nick Woltemade që kërkohet nga Bayern Munich;

RB Leipzig, që po ndjek zhvillimet dhe mbetet në pritje.

Broja mbetet një lojtar me potencial të madh, por dëmtimet e përsëritura e kanë penguar që ta tregojë plotësisht. Aktualisht, prioriteti kryesor për të është të gjejë një ekip ku të luajë rregullisht dhe të rikthejë vetëbesimin.

Nëse arrin të qëndrojë i shëndetshëm dhe të gjejë një ambient të qëndrueshëm, sulmuesi kuqezi ka ende kohë për ta kthyer karrierën në drejtimin e duhur. Të gjitha ekipet që e duan ofrojnë një mundësi reale për ringritje – tani gjithçka varet nga zgjedhja e duhur dhe rikthimi në formë.

Rënia e vaksinimit në SHBA po ndikon negativisht në pjesën tjetër të botës

Administrata Trump është aktive në sektorin e shëndetësisë: me skeptikun e njohur të vaksinave Robert F. Kennedy Jr. në krye të Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore, kriza e besimit është e thellë dhe ka pasoja globale.

Të gjithë ekspertët e pavarur që këshillonin qeverinë amerikane për politikat e vaksinave janë larguar nga detyra me vendimin e Kennedy Jr. dhe janë zëvendësuar nga persona të lidhur me qarqe kundër vaksinimit, ose pa ndonjë ekspertizë të veçantë në këtë fushë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shprehur shqetësimin për përhapjen e dezinformatave rreth vaksinave, ndërkohë që forume të profesionistëve të shëndetit në Francë kanë paralajmëruar se rënia e mbulimit të vaksinimit në SHBA do të ketë pasoja globale. Për më tepër, SHBA ka tërhequr kontributin e saj financiar ndaj Aleancës Globale të Vaksinave, transmeton albinfo.ch.

Paralajmërime nga ekspertët

Dr. Michel Kazatchkine, ish-drejtor i Fondit Global për Luftën kundër HIV/AIDS, Tuberkulozit dhe Malaries, thekson: “Ai ka shtyrë shumë takime të komiteteve këshilluese dhe ka ndërprerë fondet federale për studimet mbi hezitimin ndaj vaksinave. Gjithashtu, ka propozuar rregullore të reja për vaksinat kundër Covid dhe ka sugjeruar një kalendar të ri vaksinimi”.

Ai paralajmëron se ky kontekst i pasigurt përbën kërcënim për shëndetin publik, sidomos ndërkohë që fruthi po përhapet sërish në SHBA. Fruthi, një sëmundje infektive tepër ngjitëse, mund të ketë komplikime serioze, por parandalimi bëhet lehtësisht përmes vaksinës MMR (fruth, shytë, rubeolë) e cila administrohet në fëmijëri. Sipas OBSH-së, shkalla e vaksinimit ndaj fruthit duhet të arrijë 95% për të siguruar imunitet në komunitet.

Fruthi si barometër i mbrojtjes

Rikthimi i fruthit në SHBA ka nisur para presidencës së Trump, por situata po përkeqësohet. Madje ka frikë për rikthimin e poliomielitit, sëmundje që mund të shkaktojë paralizë të përhershme dhe që konsiderohej pothuajse e zhdukur – një fitore historike e mjekësisë moderne.

Në vitin 2000, fruthi u shpall i eliminuar nga SHBA, por sot vendi raporton rreth 1500 raste, shifër rekord që tregon krizën në politikat aktuale të shëndetit publik. Senatori demokrat Chuck Schumer i ka bërë thirrje RFK Jr. që të shpallë emergjencë shëndetësore për këtë situatë, kompetencë që i takon vetëm Sekretarit të Shëndetësisë.

Rënia globale e vaksinimit

Rënia e mbulimit vaksinor nuk kufizohet vetëm në SHBA, por është shfaqur edhe në shumë vende të Europës, veçanërisht në Ukrainë për shkak të luftës dhe vështirësive në programet e shëndetit publik.

Sipas Dr. Kazatchkine, kemi hyrë në një periudhë “përtacie dhe indiference”: njerëzit e konsiderojnë fruthin si një sëmundje të lehtë dhe harrojnë rrezikun real, duke hezituar ose duke mos vaksinuar fëmijët.

Ai thekson se konsensusi shkencor është i qartë dhe i padiskutueshëm: vaksinat janë efektive, të sigurta dhe kanë shpëtuar miliona jetë në të gjithë botën. Një studim i fundit danez mbi një milion fëmijë gjatë dhjetë viteve konfirmoi se vaksinat nuk shkaktojnë autizëm, sëmundje autoimune apo hepatit.

Si të rikthehet besimi?

Rikthimi i besimit mes skeptikëve ndaj vaksinave kërkon një strategji të re komunikimi dhe lidhje më të fortë mes shkencëtarëve dhe mjekëve të familjes, të cilët kanë kontaktin më të drejtpërdrejtë me qytetarët. “Mjekët e familjes janë mjeti më i mirë i komunikimit për këtë çështje”, thotë Kazatchkine.

Marrëveshja Mercosur: Mishi i viçit dhe pulës nga Amerika e Jugut drejt tregut zviceran

Dy javë më parë, Zvicra bëri nënshkrimin paraprak të një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me vendet e Mercosur-it (Brazili, Argjentina, Paraguai dhe Uruguai), duke sjellë përfitime për bizneset zvicerane, sidomos në sektorin farmaceutik. Por çfarë do të thotë kjo për konsumatorët?

Mishi i viçit

Aktualisht, 20% e mishit të viçit të freskët të importuar vjen nga Mercosur, kryesisht nga Paraguai. Për të mbrojtur prodhuesit vendas, Zvicra aplikon kuota doganore të OBT-së, ku një sasi e caktuar tatohet më pak dhe sasia mbi këtë kuotë tatohet më shumë.

Sipas marrëveshjes së re, Mercosur mund të eksportojë edhe 3000 ton mish viçi pa taksa shtesë, duke kursyer rreth 5 milionë franga për importuesit zviceranë. Megjithatë, autoritetet zvicerane sigurojnë se kjo nuk do të ndikojë ndjeshëm në tregun vendas, i cili furnizohet 80% nga prodhuesit lokalë, transmeton albinfo.ch.

Një shqetësim tjetër është përdorimi i hormoneve të rritjes, të lejuara në import por të ndaluara në prodhimin zviceran. Ministri Guy Parmelin theksoi se prania e hormoneve do të duhet të etiketohet qartë.

Mishi i shpendëve

Çdo zviceran konsumon rreth 15 kg mish pule në vit. Një e treta e këtij vëllimi vjen nga Brazili. Vetëm në 2024, u importuan 19,500 ton, ku 1000 ton jashtë kontingjentit doganor u taksuan me 19,45 franga/kg (kundrejt 1,5 franga/kg brenda kontingjentit).

Marrëveshja e re i shton këto 1000 ton pa taksa, një lehtësim prej rreth 20 milionë franga për Brazilin. Aktivistët mjedisorë paralajmërojnë se kjo rritje lidhet me shpyllëzimin masiv të Amazonës për prodhimin e sojës, e cila përdoret si ushqim për shpendët.

 

Dogana e Kosovës më shumë se 1 miliard euro të hyra deri në korrik 2025

Dogana e Kosovës ka përmbyllur javën e tretë të korrikut me një arritje të rëndësishme fiskale: mbi 1 miliard euro të hyra të mbledhura, që përfaqëson një rritje prej 9.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin mbledhur 912 milionë euro.

Dogana thotë se ky rezultat jo vetëm që tejkalon shifrat e vitit të kaluar, por edhe kapërcen ndjeshëm planifikimin vjetor, duke dëshmuar një performancë të qëndrueshme dhe efikase në mbledhjen e të hyrave doganore.

“Përkundër uljes së normave tatimore pas pandemisë, Dogana ka arritur të ruajë dhe përshpejtojë ritmin e mbledhjes së të hyrave, duke tejkaluar për më shumë se dyfish rritjen ekonomike të përgjithshme të vendit. Kjo tregon për ndërhyrje të qëllimshme dhe efektive kundër ekonomisë informale, që ka qenë një nga sfidat kryesore ndër vite”, thuhet në njoftim.

Përparimi në luftimin e ekonomisë joformale, sidomos në periudhën pas pandemisë, është i dukshëm. Një ndër arritjet e theksuara është forcimi i sundimit të ligjit në Mitrovicën Veriore, përfshirë pezullimin e veprimtarive të dyshuara në sektorin e derivateve.

Dogana e Kosovës  ka falënderuar në veçanti Qeverinë e Kosovës dhe institucionet e zbatimit të ligjit për mbështetjen e vazhdueshme në realizimin e misionit të saj. Po ashtu, shpreh mirënjohje për partnerët ndërkombëtarë që kontribuojnë në operacionet dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale,  një shtyllë kyçe e suksesit të arritur, transmeton albinfo.ch.

“Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e palëkundur të stafit të Doganës. Ata mbeten baza mbi të cilën ndërtohet performanca dhe besimi i publikut ndaj institucionit. Mirënjohje të veçantë u shkon edhe familjeve të punonjësve për mbështetjen e tyre të përditshme”, thuhet në njoftim.

Bazuar në trendin aktual dhe angazhimin e vazhdueshëm, Dogana e Kosovës parashikon një performancë të qëndrueshme deri në fund të vitit 2025.

Sipas Doganës, kjo do të sigurojë jo vetëm mbledhjen e qëndrueshme të të hyrave, por edhe shërbime më efikase për qytetarët dhe ekonominë e vendit.