Kuvendi i Kosovës ka dështuar mbrëmjen e kaluar të zhvillojë votimin për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, për shkak të mungesës së kuorumit në sallë. Në seancë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, numër i pamjaftueshëm për të vazhduar procedurën e votimit, shkruan albinfo.ch.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se seanca është ndërprerë dhe do të vazhdojë në një moment tjetër, nëse plotësohen kushtet e nevojshme për zhvillimin e saj. Sipas saj, për të proceduar me votimin për president kërkohet prania e së paku dy të tretave të deputetëve, përkatësisht 80 deputetë.
“Disa herë gjatë seancës u bëra thirrje deputetëve që mungojnë të jenë të pranishëm në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, numri i nevojshëm nuk u arrit dhe rrjedhimisht nuk kemi kuorum për të vazhduar votimin”, deklaroi Haxhiu.
Para ndërprerjes së seancës, në Kuvend u prezantuan edhe kandidatët për president nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Ndërkohë, kryeparlamentarja kishte paralajmëruar një ditë më parë se me thirrjen e seancës për zgjedhjen e presidentit fillon të rrjedhë edhe afati kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e kreut të shtetit. Nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e presidentit, sipas nenit 82 të Kushtetutës, Kuvendi mund të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Në anën tjetër, sipas nenit 86 të Kushtetutës, presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Mandati i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill.
Osmani kishte shprehur më herët ambicien për një mandat të dytë, por nuk arriti të sigurojë 30 nënshkrimet e nevojshme për kandidim. Madje, për këtë çështje pati edhe përplasje publike mes Presidencës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërkohë, presidentja ka dërguar në Kuvend edhe propozimet për ndryshime kushtetuese që do të mundësonin zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga qytetarët. Por për shkak të mungesës së kuorumit në seancë, edhe këto propozime nuk u shqyrtuan./Albinfo.ch






