Gati tri orë pritje për të hyrë në Kosovë nga Dheu i Bardhë

Pritjet për të hyrë nga pika kufitare Dheu i Bardhë në Kosovë kanë shkuar afro tri orë gjatë pasdites të së shtunës. 

Sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar edhe në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Muçibabë janë zgjatur pritjet deri në një orë. 

Ndërsa në pikat tjera kufitare pritjet zgjasin deri në 10 minuta.

Raportohet se është sulmuar deputeti Adem Hoxha

Një incident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Zlipotok të Dragashit, ku një deputet aktual i Kuvendit të Kosovës, bashkë me bashkëshorten dhe vajzën e tij të mitur, janë sulmuar fizikisht dhe kanë kërkuar ndihmë mjekësore, përcjell albinfo.ch.

Rreth orës 18:10, Adem Hoxha, rreth 57-vjeçar, bashkëshortja e tij N.H., rreth 50-vjeçare dhe vajza e tyre e mitur, rreth 14-vjeçare janë përfshirë në një përleshje fizike me të dyshuarin S.K, rreth 61-vjeçar.

Ngjarja është raportuar fillimisht nga QKMF-ja e Dragashit, ku viktimat janë paraqitur për ndihmë mjekësore. Pas trajtimit fillestar, ata janë dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku sipas raportit të mjekëve, lëndimet janë klasifikuar si të lehta trupore.

Policia e stacionit në Dragash dhe njësia e hetimeve, në bashkëpunim me hetuesit rajonalë, kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme hetimore, duke marrë parasysh ndjeshmërinë dhe rëndësinë publike të rastit. Motivi i incidentit, sipas burimeve, mbetet ende i paqartë.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Lëndim i lehtë trupor” dhe është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa organet e drejtësisë po trajtojnë rastin me prioritet të lartë për shkak të përfshirjes së një zyrtari të lartë të shtetit.

Pushime pa valixhe: Pasagjerët nga Zvicra mbërrijnë në Kosovë pa bagazhe

E çuditshme, por e vertetë, mbi 100 pasagjerë që udhëtuan nga Cyrihu drejt Prishtinës përmes agjencisë ajrore Edelweissmbërritën në destinacionin e tyre pa bagazhet e dorëzuara, shkruan albinfo.ch.

Një prej pasagjerëve, me inicialet S.H, ka njoftuar redaksinë e Albinfo.ch se të gjithë udhëtarët që kishin dorëzuar bagazhet në pikën e nisjes, nuk i kanë marrë ato në Prishtinë.

“Asnjë valixhe nuk ka ardhur me aeroplanin,” tha ai, duke shtuar se udhëtarët mbetën të habitur dhe të shqetësuar nga kjo situatë.

Referuar njoftimit paraprak që u dha para nisjes së fluturimit, problemi kishte të bënte me çështje teknike dhe udhëtarëve iu tha se bagazhet e tyre do të sillen në fluturimet e radhës.

Fluturimi në fjalë kishte në bord kryesisht mërgimtarë që po ktheheshin për pushimet verore në Kosovë. Mungesa e bagazheve ka shkaktuar shqetësim të madh te shumë prej tyre, të cilët kanë mbetur pa gjërat personale. /Albinfo.ch 

Dua Lipa i dha magji Prishtinës: Kosova ka lezet

Nata e parë e “Sunny Hill Festival”, ishte me të vërtetë magjike, shkruan albinfo.ch.

Ylli me origjinë shqiptare, Dua Lipa ndezi atmosferën me performancën e saj të jashtëzakonshme, e po ashtu edhe me veshjen që rrëmbeu vëmendjen e të gjithëve.

Qershia mbi tortë e natës së kaluar ishte performanca e Duas me babanë e saj, Dukagjin Lipën, me këngën e Gjurmëve “Era”, e cila ndezi të gjithë pjesëmarrësit në festivalin global të “Sunny Hillit”.

Por, nuk mjaftoi vetëm kjo performancë. Dua Lipa iu drejtua turmës në gjuhën shqipe, duke iu thënë se Kosova ka lezet gjithmonë, dhe duke i falënderuar të gjithë të pranishmit.

Dua, nuk la pa përshëndetur edhe nga afër përkrahësit e saj, që erdhën nga anë e kënd globit, dhe jo vetëm nga Kosova.

Megjithëse, pos Duas, skenën e elektrizuan edhe Fat Boy Slim, Edis, Tayna, Kida, Siena Spiro, e shumë artistë të tjerë.

Arrestohet mërgimtari i cili shkaktoi aksidentin ku vdiq një motoçiklist

Është arrestuar një burrë shqiptar me shtetësi gjermane, i cili shkaktoi aksidentin me vdekje të premten në rrugën “Edmond Hoxha” në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Si pasojë e aksidentit, mbeti i vdekur një i ri motoçiklist, R. Spahiu.

Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari shqiptar-shtetas i Gjermanisë, pasi që i njëjti derisa ishte duke drejtuar veturën ka shkaktuar aksidentin duke goditur motoçikletën të cilën ishte duke e drejtuar viktima mashkull kosovar, i cili ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të huajt kanë blerë 1.3 miliardë euro prona në Shqipëri që nga viti 2021

Vitet e fundit Shqipëria është bërë një treg interesant për blerjen e pasurive të paluajtshme nga të huajt, sidomos në bregdet, ku çmimet ishin të lira në krahasim me vendet e tjera të rajonit si Kroacia, apo Mali i Zi, thuhet në një analizë të  revistës Monitor, përcjell albinfo.ch.

Në vitin 2024, të huajt blenë prona me vlerë rreth 380 milionë euro. Që nga viti 2021, kur filloi interesi i huajve, kryesisht në bregdetin shqiptar, deri në mars 2025, të huajt kanë blerë rreth 1.3 miliardë euro prona në vend, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, që i llogarit këto flukse si investime të huaja direkte në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Rëndësia e investimeve në pasuri të paluajtshme në raport me totalin e investimeve në vend është rritur ndjeshëm. Në vitin2014, blerjet e pronave nga të huajt zinin vetëm 5.7% të investimeve të huaja, ndërsa në 2024-n, kjo peshë u rrit në 24%.

Rekordi u shënua në tremujorin e parë të këtij viti, ku blerjet e shtëpive nga të huajt zunë gati 29% të totalit të fluksit të investimeve të huaja në vend. Në total, investimet e huaja direkte në tremujorin e parë të vitit ishin 362 milionë euro, me rritje të lehtë prej 2.3% me bazë vjetore.

Jashari do t’i kërkojë Brugget që të mbyllet transferimi te Milani

Raportohet se Ardon Jashari do t’i kërkojë Club Brugge që ta lirojë për t’u transferuar te Milani këtë fundjavë, duke refuzuar oferta më të larta nga Chelsea, Bayer Leverkusen dhe Neom, përcjell albinfo.ch.

Lojtari e ka bërë shumë të qartë dëshirën e tij për t’u bashkuar me kuqezinjtë, ekip që e ka mbështetur që kur vizitoi San Siron si fëmijë për t’i parë në fushë. Ai u la jashtë skuadrës për ndeshjen hapëse të sezonit, por u përfshi në listën europiane të klubit.

Sipas Sky Sport Italia, Jashari ka vendosur të marrë situatën në dorë dhe do të përballet me drejtuesit e Club Brugge në një takim krize gjatë fundjavës. Ai ka ndërmend të kërkojë largimin drejt Milanit, i cili beson se oferta e tij prej 33.5 milionë eurosh plus bonuse është më se e mjaftueshme, veçanërisht pasi agjentët e lojtarit pretendojnë se Brugge ishte zotuar ta shiste nëse do të vinte një ofertë prej 32.5 milionë eurosh.

Më e rëndësishmja, reprezentuesi i Zvicrës do t’i paralajmërojë gjithashtu drejtuesit e klubit belg se nuk ka asnjë synim të pranojë ndonjë ekip tjetër, edhe pse Chelsea, Bayer Leverkusen dhe skuadra saudite Neom janë gati të ofrojnë më shumë para.

The Sun: Vizitoni plazhet mahnitëse përgjatë Rivierës Shqiptare

Plazhet me rërë të bardhë dhe ujërat kristalore të Shqipërisë  të konsideruara nga ekspertët e udhëtimit si “Maldivet e Evropës”  janë vetëm pak orë larg Britanisë së Madhe, shkruan Cyann Fielding në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Sun”, përcjell albinfo.ch.

“Wizz Air” po lançon fluturime direkte nga Aeroporti “Gatwick” i Londrës për në Tiranë,  kryeqytetin e Shqipërisë  për vetëm 19,99 paund.

Ndërsa Tirana është një destinacion pushimesh më vete, shumica e turistëve e përdorin atë si bazë për të udhëtuar në Rivierën Shqiptare.

Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë dhe shtëpia e shumë bunkerëve.

Larg qytetit, mund të eksploroni vendpushime të tjera të vendit, të cilat e kanë bërë destinacionin evropian të quhet “Maldivet e Evropës”.

Përgjatë vijës bregdetare të vendit ka ujëra të pastra kristalore, plazhe me rërë të bardhë dhe bukuri natyrore.

Ka edhe shumë bare plazhi për të eksploruar, të cilat shpesh shërbejnë kuzhinë tipike mesdhetare.

Për shembull, në qytetin e Sarandës, i cili është i vendosur midis detit Jon dhe kodrave të valëzuara, ndodhet hoteli “Lost Seaside”.

Këtu, vizitorët mund të shijojnë restorantin, pishinën, plazhin me rërë dhe ujërat e pastra kristalore  duke përfshirë shezlongje që varen mbi det dhe pishinë.

Në të njëjtin vend, ju mund të kaloni ditën në kasolle mbi ujë të stilit “Maldive”.

Çmimet në Shqipëri janë zakonisht shumë të lira. Ju mund të merrni një krikëll birrë për vetëm 250 lekë (2,22 paund) ose një gotë verë për 200-400 lekë (1,78- 3,55 paund).

Ushqimi është gjithashtu i lirë, një vakt mesatar me tre pjata për dy persona kushton rreth 4500 lekë (39,94 paund).

“Çmimi mesatar i një dhome dyshe në Shqipëri është 83 paund nata”, sipas “Kayak”.

“Me Shqipërinë që po njihet gjithnjë e më shumë si “Maldivet e Evropës”, fluturimet do t’u mundësojnë turistëve të zbulojnë destinacione të pashfrytëzuara në të gjithë Evropën Juglindore”,  tha Yvonne Moynihan, drejtoreshë menaxhuese në “Wizz Air UK”.

Një gazetar i “The Sun” vizitoi së fundmi, Shqipërinë për të parë nëse vendi i vogël evropian ofronte pushime cilësore në plazh dhe me një buxhet të kufizuar.

“Shqipëria është shndërruar në një destinacion të preferuar për turistët që kërkojnë pushime me diell dhe të përballueshme.

Duke fluturuar nga Aeroporti “Gatwick” i Londrës, po shpresoja për pushime të lira dhe të gëzueshme, dhe pikërisht këtë mora.

Çmimet e ulëta ishin një surprizë e këndshme. Në qytetin e Vlorës, koktejet kushtonin vetëm 3,70 paund.

Një pjatë me linguine me prodhime deti kushtonte vetëm 5,20 paund, dhe një drekë e plotë në plazhin e Ksamilit kushtonte vetëm 11,30 paund.

Qëndrova kryesisht në “Airbnb”, të cilat varionin nga 14-21 paund për person në natë.

Ujërat mahnitëse përgjatë vijës bregdetare shqiptare ishin ngjyrë bruz  të ngjashme me detet që gjenden në Korfuz apo Sardenjë.

Plazhet ishin gjithashtu të qeta, falë zonës që ishte ende një perlë e pazbuluar.

E qetë, piktoreske dhe perfekte për turistët me buxhet të kufizuar, Shqipëria është vendi ideal për pushime.

Është një perlë e fshehur që ofron vlera të jashtëzakonshme pa bërë kompromis me bukurinë”. 

Pse Mira Murati refuzoi ofertën miliarda dollarë nga Zuckerbergu?

Një përplasje e pazakontë në kulmin e garës për talentin më të mirë në fushën e inteligjencës artificiale, përcjell albinfo.ch.

Themeluesja e Thinking Machines Lab dhe ish-CTO e OpenAI, Mira Murati, ka konfirmuar për revistën Wired se asnjë prej anëtarëve të ekipit të saj nuk ka pranuar ofertën miliardëshe të Mark Zuckerberg për t’u bashkuar me laboratorin e ri të Meta-s, të quajtur “Superintelligence Lab”.

Sipas raportit, Meta u përpoq të rekrutojë anëtarë të ekipit të Muratit duke ofruar kompensime nga 200 milionë deri në 1 miliard dollarë për çdo individ, shifra që tronditën industrinë. Por, Murati deklaron se: “Derimë tani, asnjë person nga Thinking Machines Lab nuk ka pranuar ofertën”, duke nënvizuar vendosmërinë e ekipit për të ruajtur pavarësinë.

Nga ana tjetër, Meta ka mohuar këtë version të ngjarjeve. Zëdhënësi Andy Stone tha për Wired se kompania kishte bërë oferta vetëm për një numër të kufizuar personash dhe shtoi se detajet financiare të raportuara janë të pasakta. “Në fund të ditës, mbetet pyetja: kush po e krijon këtë narrativë dhe pse?”, deklaroi Stone. Thinking Machines Lab, startup-i i themeluar nga Murati, ka siguruar financim me vlerë mbi një miliard dollarë pa lançuar ende një produkt, duke u kthyer në një nga kompanitë më të ndjekura në sektorin e AI.

Burime nga industria thonë se vizioni afatgjatë dhe drejtimi i fortë i Muratit janë arsyeja që ekipi qëndron i bashkuar, pavarësisht ofertave të paprecedenta nga korporatat më të mëdha teknologjike.

Ekspertët theksojnë se studiuesit e këtij laboratori zgjedhin të punojnë të lirë nga kufizimet e strukturave gjigante, me qëllimin për të ndërtuar të ardhmen e inteligjencës artificiale nga e para.

Përjashtohet talenti shqiptar Edon Zhegrova nga Lille

Lajmi ka bërë bujë. Anësor Edon Zhegrova është përjashtuar nga ekipi i parë i Lille. Sulmuesi i Kosovës po stërvitet momentalisht me rezervat e ekipit francez, sipas asaj që raporton “Le Petit Lillois”, përcjell albinfo.ch.

Ky vendim i papritur dhe drastik ka ardhur pas dëshirës që shqiptari ka shprehur për t’u larguar.

Kujtojmë se 26-vjeçari është shumë pranë largimit, teksa Napoli po e ndjek këmba-këmbës.

Kështu, deri në gjetjen e një strehe të re, Zhegrova do të vazhdojë të jetë jashtë skuadrës së Lille. Vlen të përmendet se shqiptari ka edhe 1 vit kontratë me Lille dhe për të mos e humbur me parametra zero, francezët janë “pro” shitjes së tij.

Zyrtari amerikan i Mbrojtjes në Kosovë, gjatë ditës pritet në takim nga Osmani

Presidentja Vjosa Osmani sot do të pres në takim Zëvendësndihmës Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David A. Baker, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të lëshuar për media, takimi do të zhvillohet nga ora 15:00 në Kabinetin e Presidencës.

Po ashtu u bë e ditur se mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit.

Ndërsa, nga ora 16:00 zëvendës ndihmës Sekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David A. Baker do të pritet nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ndryshe, Baker arriti të premten në Kosovë, në vizitën e parë të tij në vendin tonë, dhe u prit nga e ngarkuara me punë e misionit diplomatik të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Mërgimtari nga Zvicra i ofron 20 euro ryshfet policit në “Sunny Hill”, arrestohet

Shqiptari me shtetësi zvicerane është arrestuar të premten në Bërrnicë të Poshtme, gjegjësisht në festivalin “Sunny Hill”, pasi dyshohet se i kishte ofruar 20 euro ryshfet një zyrtari policor, përcjell albinfo.ch.

Megjithëse, i njëjti, pas aktit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Fsh. Bërrnicë e Poshtme, Prishtinë  01.08.2025, 16:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull me shtetësi zvicerane pasi që i njëjti i kishte dhënë zyrtarit policor para në vlerë 20 euro. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Deputetja ukrainase kërkon që shteti i saj ta njohë Kosovën

“Falënderojmë Shqipërinë për mbështetjen. Së bashku do të arrijmë objektivat për të qenë pjesë e BE”.

Së fundmi, deputetja ukrainase Ivanna Klympush Tsintsadze në një intervistë në Klan News deklaroi se Ukraina do të njohë Kosovën në të ardhmen e afërt, duke vënë në dukje se kjo çështje nuk do të mbetet më e hapur dhe vendimi për njohjen e Kosovës pritet të merret së shpejti, përcjell albinfo.ch.

Ajo shprehu besimin e plotë se ky vendim do të jetë në përputhje me pritshmëritë e popullit të Kosovës.

“Unë besoj se në të ardhmen e afërt Ukraina do ta njohë Kosovën. Nuk do të jetë më një çështje e hapur. Besoj se Ukraina do ta marrë vendimin e duhur që pritet nga populli në Kosovë.”

Gjithashtu, Klympush Tsintsadze falenderoi thellësisht qytetarët e Shqipërisë për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme ndaj Ukrainës në këtë periudhë sfiduese, duke theksuar se ata janë në “anën e duhur të historisë”. Deputetja nënvizoi edhe rolin e shtetit shqiptar dhe koordinimin e ngushtë që ekziston mes dy vendeve në arenën ndërkombëtare, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ushtarak dhe humanitar.

“Unë jam shumë mirënjohëse për ndihmën që kanë dhënë qytetarët e Shqipërisë, ata janë në anën e duhur të historisë. Jam shumë mirënjohëse për gjithë mbështetjen që ata kanë dhënë deri tani, edhe shteti shqiptar nëpër organizata të ndryshme ndërkombëtare. Ne kemi koordinuar veprimet tona me shtetin shqiptar në aspektin politik dhe kemi ndërtuar një besim tek mbështetja e tyre është shumë e rëndësishme për ne. Edhe për mbështetjen ushtarake kemi mirënjohës, edhe për mbështetje ushtarake jemi shumë mirënjohës.”

Ajo shprehu gjithashtu shpresën që Shqipëria do të vazhdojë të ofrojë mbështetje të fuqishme për Ukrainën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO dhe integrimit në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se bashkë do të arrijnë të gjitha objektivat strategjike.

“Ne kemi arritur disa marrëveshje me Shqipërinë për çështjet e sigurisë në vitet e ardhshme, mendoj se kjo do të jetë një çështje që do të vijojë të zbatohet. Po ashtu ju vlerësojmë edhe për ndihmën humanitare që kanë dhënë njerëzit në Shqipëri. Shpresojmë që Shqipëria do të vijojë me këtë mbështetje për Ukrainën që të bëhet shtet anëtar i NATO-s dh së bashku ne do të arrijmë të gjitha objektivat për qenë pjesë e Bashkimit Europain.”

2 orë pritje në pikën kufitare Dheu i Bardhë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat, duke bërë të ditur se pritjet më të gjata të mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë vijojnë deri në 120 minuta në hyrje të pikës kufitare Dheu i Bardhë, shkruan albinfo.ch.

Ndërkohë në pikën kufitare, Merdarë, Jarinje, dhe Muçibabë pritjet për hyrje jane 15 minuta, derisa pikat tjera kufitare kanë fluks edhe më të ulët të pritjeve. / Albinfo.ch

Dua Lipa elektrizon atmosferën në “Sunny Hill”: Ngjitet në skenë me babanë e saj

Dua Lipa ka elektrizuar atmosferën duke u ngjitur në skenën e festivalit “Sunny Hill”, kësaj radhe me të atin, Dukagjin Lipën, një këngëtar i njohur roku.

Kënga e njohur “Era”, e grupit “Gjurmët” një këngë kult në muzikën tonë, i ka bërë bashkë babë e bijë, me të cilët ka kënduar e gjithë masa prej rreth tridhjetë mijë vetash, të pranishëm në festival.

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka postuar në rrjetet sociale një video nga ky spektakël, të cilin e ka shoqëruar me fjalët: “Ku ka më mirë se në shtëpi. Dua jonë në Prishtinë”.

Festivali “Sunny Hill” ka vendosur Prishtinën dhe Kosovën në hartat botërore të muzikës së popullarizuar.

https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=700955

 

Fjalime më 1 gusht në të gjithë vendin

Është në traditën e shënimit të festës kryesore kombëtare të Zvicrës, që 7 këshilltarët federalë (ministrat) të mbajnë fjalime në sa më shumë vende dhe regjione të Zvicrës. Prandaj edhe këtë vit, anëtarët e Këshillit Federal kanë zhvilluar një “Tour de Suisse” të vërtetë të premten për të shënuar festën kombëtare, 1 Gushtin. Disa prej tyre madje kanë vizituar më shumë se një vend dhe kanë mbajtur më shumë se nga një fjalim.

Presidentja Federale Karin Keller-Sutter ka folur në Rütli. Ministri i Jashtëm Ignazio Cassis ka mbajtur fjalimin e tij të 1 gushtit në Gersau/SZ. Ministri i Mbrojtjes Martin Pfister ka folur në Amriswil dhe Fribourg, ndër të tjera. Ministri i Drejtësisë Beat Jans ka vizituar Schaffhausenin, Altdorfin dhe Windischin, vende këto në të cilat ka mbajtur edhe fjalimet përkatëse të festës.

Këshilltari Federal Albert Rösti ka vizituar madje katër kantone, Ministrja e Brendshme Elisabeth Baume-Schneider ka mbajtur fjalime në kantonet e Fribourg dhe Ticino. Dhe Guy Parmelin është ndalur në kantonet e Solothurn dhe Graubünden.

Keller-Sutter Shpreh Zhgënjim

Presidentja Federale Karin Keller-Sutter komentoi mbi vendimin e tarifave të SHBA-së në prag të festimeve të 1 gushtit. Këshilli Federal është i zhgënjyer, është shprehur Keller-Sutter.

Ajo ka vazhduar: “Ne negociuam një marrëveshje që e miratuam në fillim të korrikut. Kjo marrëveshje u mbështet gjithashtu nga anëtarët e kabinetit të administratës Trump. Megjithatë, me sa duket, as ata nuk morën mbështetjen e presidentit”.

Por Keller-Sutter nuk dëshiron të dorëzohet. Zvicra ka përjetuar tashmë shumë stuhi dhe tani është koha për t’u ngritur dhe për të punuar.

Anëtarë të tjerë të Këshillit Federal mbajtën gjithashtu fjalime më 1 gusht. Beat Jans (SP) tha se “një porcion Zvicër” do t’i bënte mirë botës. Ishte bashkëpunimi që e bëri Zvicrën të fortë, jo veprimi më vete.

Lidhur me situatën globale, Albert Rösti (SVP) tha se ritmi i përshkallëzimeve ndonjëherë është aq i lartë sa është e vështirë të mbash ritmin. Elisabeth Baume-Schneider (SP) solli në kujtesë nevojën për interesim për rajonet e tjera gjuhësore. Vetëm atëherë Zvicra mund të funksionojë në planin afatgjatë.

Martin Pfister (Qendër) shprehu besim në lidhje me tarifat e SHBA-së: Ai ishte i sigurt se një zgjidhje për këtë çështje do të gjendej me SHBA-në.

Pas 12 vitesh në arrati dënohet kosovari, “legjendë e vjedhjeve me thyerje”

Një 64-vjeçar kosovar duhej të dëshmonte para Gjykatës së Qarkut Zofingen për grabitje që datojnë më shumë se dhjetë vjet më parë. Ai fajësoi bashkëpunëtorin e tij për të gjithë fajin, transmeton albinfo.ch.

Abi* dyshohet se ka kryer sulme me grabitje në zonën e Zofingenit në vitin 2012 dhe 2013 me mikun e tij Blerimin* (Emra fiktivë). Mënyra e tyre e veprimit ishte gjithmonë e njëjtë: Abi ishte shoferi dhe e çonte Blerimin në shtëpitë që ata kishin zbuluar. Blerimi më pas hapte një vrimë në kornizat e dritareve dhe dyerve dhe i hapte pastaj dritaret me një tel. Ai kontrollonte ndërtesën për para dhe sende me vlerë.

Pas krimit, Abi merrte Blerimin dhe të dy – ndonjëherë me një bashkëpunëtor të tretë – ndanin plaçkën midis tyre. Ata akuzohen se kanë vjedhur mallra me vlerë 84,920 franga zvicerane.

Prokuroria Publike e Kantonit të Aargaut e akuzon Abin për vjedhje masive dhe në lidhje bandash, shkruan Aargauer Zeitung. Megjithatë, gjykimi është vonuar për një kohë të gjatë sepse i akuzuari ishte në arrati. Veprat penale si Hyrja pa leje dhe dëmtimi i pronës që lidhen me vjedhjet me thyerjet janë tashmë të parashkruara (të vjetruara).
Autoritetet më në fund arritën ta arrestonin Abin në Kroaci. Ai ndodhej në paraburgim në Lenzburg që nga vjeshta e kaluar sepse ekzistonte rreziku që të arratisej.

Prokuroria Publike ka kërkuar për të një dënim me burg me kusht prej një viti për vjedhjet, me afat për tre vjet. Përveç kësaj, iu caktua një gjobë prej 4,000 frangash zvicerane, ose 40 ditë burgim si kompensim. Abi pritet gjithashtu të përballojë shpenzimet ligjore.
Abi u paraqit në gjykatë i veshur me një xhaketë sportive dhe i shoqëruar nga dy zyrtarë policie. Gjatë seancës dëgjimore, ai ishte i shqetësuar dhe përpiqej t’i shmangej pyetjeve të gjyqtarit. Abi i shmangej pyetjeve dhe u përgjigjej me kundërpyetje të zemëruara, përcjell albinfo.ch. Gjykatësi u detyrua ta ndërpriste dhe ta qortonte disa herë.

Abi në fund u dorëzua. Megjithatë, ai këmbënguli se këtu kishte vetëm një fajtor: Blerimi kishte komplotuar kundër tij sepse besonte se Abi i kishte borxh 20,000 euro. Kjo ishte e vetmja arsye pse ai ishte në gjykatë.
“Për mua, hajdutët janë njerëzit më të ulët. Unë kurrë nuk do të shoqërohesha me dikë të tillë, dhe sigurisht që nuk do të vidhja vetë! Absolutisht jo!” thirri Abi.

Blerimi ishte akuzuar dhe qe dënuar për vjedhjet, vite më parë. Gjatë gjyqit kundër tij, ai kishte dëshmuar disa herë kundër Abi-t, duke e akuzuar atë si një “legjendë të shpimit të dritareve”.

Megjithatë, mbrojtja e Abi-t shprehu dyshime për besueshmërinë e Blerimit. Deklaratat e tij kundërshtonin njëra-tjetrën. Për më tepër, Blerimi ishte pjesërisht i dehur kur kishte dëshmuar dhe kishte arsye për të dëmtuar Abin për shkak të 20,000 eurove që pretendonte se i detyrohej.

Mbrojtja gjithashtu i konsideroi provat e tjera kundër Abit – kontaktet telefonike midis tij dhe Blerimit – si të pabaza. Prandaj, ata kërkuan që Abi të lirohej nga akuzat “in dubio pro reo” (në rast dyshimi, për të akuzuarin). Mbrojtja gjithashtu i referoi paditësit privatë, viktimat e vjedhjeve, në gjykatat civile, transmeton albinfo.ch. Ajo ka kërkuar që shpenzimet ligjore dhe të mbrojtjes të paguhen nga thesari i shtetit.

Edhe gjatë shpalljes së vendimit, nuk pati qetësi në sallën e gjyqit. Gjyqtari i vetëm e shpalli Abin fajtor për vjedhje tregtare dhe banditeske – ai u përpoq të ndërpriste dhe të vazhdonte diskutimin. Por pa sukses.

Kryetari i trupit gjykues vendosi një dënim me burgim me kusht prej një viti me një periudhë prove dyvjeçare. Ai gjithashtu vendosi një gjobë lidhëse prej 2,000 frangash zvicerane. Siç sugjeroi mbrojtja, ai i referoi viktimat në procedura civile. Abi do të bartë shpenzimet ligjore dhe të mbrojtjes.

“Nuk është për t’u habitur që deklaratat e Blerimit ndryshojnë në disa aspekte,” shpjegoi gjykatësi: “Gjatë gjyqit të tij, ai është përpjekur të minimizonte veprat penale në mënyrë që të mos inkriminonte veten. Në një moment të mëvonshëm, ai ishte në gjendje t’i përshkruante krimet në mënyrë më dramatike.”, transmeton albinfo.ch. Telefonatat e dokumentuara gjithashtu korrespondonin me deklaratat. Prandaj, ai nuk kishte dyshime për fajësinë e Abit.

“Të ardhurat shtesë nga vjedhjet të erdhën në ndihmë, veçanërisht pasi ende kishe persona në varësi për të mbështetur,” tha Thomas Meier.
Ndërkohë, Abi tundi kokën, duke e fshehur më në fund në duar. Megjithatë, kishte disa lajme të mira për të: ai do të lirohej nga paraburgimi të nesërmen.

Megjithatë, sa kohë do të jetë në gjendje Abi të gëzojë lirinë e tij është një pyetje tjetër. Një kërkesë për ekstradim në Serbi e pret atë. Edhe atje, ai pritet të përgjigjet për krimet e kryera me Blerimin.

Cilat janë rregullat e reja të Schengenit dhe a preket edhe Kosova

Në vend të vulave fizike në pasaporta, do të hyjë në përdorim sistemi i ri digjital për regjistrimin e hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet joanëtare të BE-së.

Bashkimi Evropian, Duke filluar nga tetori i këtij viti, do të nisë zbatimin e një sistemi të ri të hyrjes dhe daljes për qytetarët që nuk janë nga vendet e Unionit duke filluar nga data 12 tetor.

Ky sistem i avancuar, i njohur si EES – Entry/Exit System – do të regjistrojë të dhënat biometrike të udhëtarëve, përfshirë gjurmët e gishtërinjve dhe imazhin e fytyrës. Sipas asaj që raporton “The Guardian”, sistemi do të: Zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportave; Regjistrojë datën dhe kohën e hyrjes dhe daljes; Kapë të dhëna biometrike si gjurmët e gishtërinjve dhe imazhin e fytyrës (vetëm njëra nga këto); Llogarisë automatikisht kohëzgjatjen e qëndrimit të lejuar; Sinjalizojë shtetet anëtare në rastet e qëndrimeve të tejzgjatura, shkruan telegrafi.com.

Këto rregulla do të prekin edhe shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia, të cilët aktualisht gëzojnë regjim pa viza për hyrje të shkurtër në zonën Shengen.

Sistemi i ri, do të zëvendësojë vulosjen manuale të pasaportave dhe do tu mundësojë autoriteteve kufitare të kontrollojnë automatikisht kohëzgjatjen e qëndrimit të lejuar për turistët dhe udhëtarët e biznesit.

Sistemi do të nisë së zbatuari gradualisht për gjashtë muaj dhe pritet të hyjë në funksionim të plotë në janar të vitit 2026.

Makineritë për marrjen e gjurmëve të gishtërinjve tashmë janë vendosur në disa pika kalimi, përfshirë terminalin Eurostar në Londër dhe Portin e Doverit.

Komisioni Evropian thotë se ky sistem do të rrisë sigurinë kufitare dhe do të përshpejtojë procesin për udhëtarët e rregullt.

Rreth 25,000m3 rrëzim shkëmbinjsh të regjistruar në fshatin zviceran Brienz

Më shumë shkëmbinj janë shkëputur në fshatin zviceran lindor Brienz sesa supozohej fillimisht pas reshjeve të fundjavës së kaluar, tha një raport i ri i situatës i publikuar nga bashkia e Albula të premten.

Sipas raportit, rreth 25,000 metra kub shkëmb u shkëputën nga pjesa e përparme pranë Caltgeras dhe ranë në shpatin e shkëmbinjve. Kjo bëri që ajo të përshpejtohej ndjeshëm.

Fillimisht, ishte folur për rreth 10,000 metra kub rënie shkëmbinjsh. Shifra është rregulluar që atëherë në bazë të fluturimeve me dronë, tha Christian Gartmann nga stafi i menaxhimit të bashkisë për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA.

Sipas autoriteteve, të gjitha lëvizjet e tjera në zonat e pjerrëta janë përshpejtuar ditët e fundit. Megjithatë, ato tani po ulen pak. Në zonën e fshatit, lëvizjet mbeten në një trend në rënie. Ato aktualisht janë rreth 0.6 metra në vit, transmeton albinfo.ch.

Parashikimet thonë se reshjet në të ardhmen e afërt do të çojnë përsëri në përshpejtime dhe ndoshta në rënie të mëtejshme shkëmbinjsh në shpatin e shkëmbinjve. Prandaj, situata e rrezikut konsiderohet ende e lartë.

Në fillim të javës u njoftua se ekspertët kishin rekomanduar përgatitjen e fazës së ardhshme “blu”. Kjo fazë përfshin mbylljen e të gjitha rrugëve përreth trafikut. Puna përgatitore për këtë filloi të hënën. Fshati u evakuua nëntorin e kaluar.

Bashkëpunim Gjermani-Shqipëri: Goditet banda e mashtruesve telefonikë

Hetuesit në Gjermani dhe Shqipëri i kanë dhënë një goditje një bande mashtruesish telefonikë. Disa urdhër-arreste u ekzekutuan të enjten në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, kundër gjashtë të dyshuarve që drejtonin një qendër thirrjesh atje, njoftoi të premten në Stuttgart Zyra e Policisë Kriminale të Shtetit Baden-Württemberg, transmeton albinfo.ch

Të dyshuarit janë pesë burra dhe një grua midis moshës 21 dhe 36 vjeç. Ata thuhet se kanë mashtruar disa viktima në Gjermani dhe Austri me një total prej gati 400,000 eurosh gjatë një periudhe prej gjashtë muajsh përmes telefonatave mashtruese, shkruan spiegel.de.

Të enjten, autoritetet e sigurisë dhe zyrtarët e Zyrës së Policisë Kriminale të Shtetit ekzekutuan urdhër-arreste dhe banesat.

Vetëm pak ditë më parë, dy gjermanë u arrestuan në Poloni për drejtimin e një qendre telefonike atje dhe gjithashtu për fitimin e parave përmes telefonatave tronditëse.

Gjykata e BE-së, kundër kampeve italiane në Shqipëri: Meloni i mohon kompetencën

Të premten, gjykata më e lartë e Evropës ka vënë në dyshim ligjshmërinë e listës së “vendeve të sigurta të origjinës” të përdorur nga Italia për të dërguar migrantë në Shqipëri dhe për të përpunuar kërkesat e tyre për azil në një procedurë të përshpejtuar. Kjo është një pengesë e re për një komponent qendror të politikës së migracionit të qeverisë italiane.

Vendimi i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED) për vendet e sigurta të origjinës, që u mor sot, është një zhgënjim i hidhur për qeverinë italiane. Kryeministrja Meloni kaloi në ofensivë pas vendimit, duke sulmuar gjykatën. Opozita në Itali ndërkaq, mund të gëzohet: Vendimi i Luksemburgut e bën më të vështirë për qeverinë italiane të vazhdojë të ndërpresë rrugëtimin e azilkërkuesve në det dhe t’i sjellë ata në Shqipëri.

Opozita është ankuar prej kohësh për kostot: projekti i Shqipërisë pritet të kushtojë qindra miliona euro në vitet e para. Dhe kjo për kampet që po qëndrojnë kryesisht të zbrazëta që nga hapja e tyre.

Meloni dëshiron të shpëtojë “modelin e saj të Shqipërisë”

Meloni sulmon gjykatën. Qeveria italiane, e cila ka konceptuar “Projektin shqiptar”, ka lëshuar vetëm deklarata me shkrim pas vendimit. Kryeministrja Meloni, e cila gjithmonë kishte theksuar se kampet në Shqipëri do të funksiononin, shprehu habi. Kryeministrja menjëherë ka mohuar juridiksionin e GJED-së mbi këtë çështje: Gjyqësori “po pretendonte përsëri” kompetenca “që nuk i përkasin, ndërsa përgjegjësia në fakt u takon politikanëve”, sipas saj.

Meloni njoftoi se do të vazhdonte të kërkonte zgjidhje dhe iu referua paketës së Komisionit Evropian për migracionin dhe azilin. Kjo mund të sjellë rregulla të reja që vitin e ardhshëm dhe ta bëjë një pjesë të vendimit të sotëm të parëndësishme.

Vendimi i GJED, një sinjal edhe për shtetet e tjera të BE-së

Megjithatë, deri atëherë, pengesat për shpalljen e një vendi si vend i sigurt origjine do të jenë rritur me siguri. Modeli me kampet shqiptare nuk po funksionon siç është planifikuar. Shumë politikanë në Evropë i kishin ndjekur përpjekjet e Italisë me simpati. Jo më larg se në maj, kancelari Friedrich Merz ishte shprehur për të si për një iniciativë të mirë, “të cilën ne e mbështesim edhe në Gjermani”.

 

Trump urdhëron dy nëndetëse bërthamore të lëvizin afër Rusisë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar se i ka urdhëruar dy nëndetëse bërthamore të lëvizin në rajonet afër Rusisë, si reagim ndaj kërcënimeve që bëri ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev. 

Në një postim në “Truth Social”, Trump, i ka quajtur deklaratat e Medvedevit shumë provokuese.

“Kam urdhëruar dy nëndetëse bërthamore të pozicionohen në rajonet e duhura, në rast se këto deklarata budallallëqe dhe nxitëse janë më shumë se kaq”, ka shkruar Trump.

Medvedev, që aktualisht është zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, ka paralajmëruar Trumpin të enjten që të mbajë në mend se Moska ka aftësi të nukleare të kohës ish-Sovjetike si zgjidhje të fundit.