Kosovë: Nga nesër rikthehet funksionimi i trafikut urban

Trafiku Urban i Prishtinës dhe operatorët privatë të transportit kanë vendosur të rifillojnë punën nesër, pas nëntë ditësh grevë. Vendimi është marrë pas një takimi të përbashkët midis përfaqësuesve të të dyja palëve.

Drejtori i Trafikut Urban, Qëndrim Vitija, dhe përfaqësuesi i transportuesve privatë, Avdyl Brajshori, kanë konfirmuar për kohën se do të rikthehen në qarkullim, edhe pse borxhi që Komuna u ka është shlyer vetëm pjesërisht.

Komuna e Prishtinës njoftoi se Ministria e Financave ka lëshuar vetëm një pjesë të të hyrave vetanake të vitit 2024 – rreth 2.7 milionë euro nga shuma prej 25 milionësh që i takon komunës. Edhe pse kjo shumë nuk mbulon borxhin total ndaj transportuesve, ata kanë vendosur të rifillojnë operimin për të mos bllokuar më qytetarët.

Greva kishte filluar më herët si reagim ndaj vonesave të pagesave, ndërsa rifillimi i punës pritet të normalizojë transportin publik në kryeqytet.

 

Rriten falimentimet në Zvicër

Shifrat e reja tregojnë një rritje të ndjeshme të falimentimeve të kompanive këtë vit.

Midis janarit dhe fundit të tetorit, u nisën më shumë se 11,000 procedura falimentimi – një rritje prej mbi një të tretës krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Firma e informacionit financiar CRIF thotë se një faktor është një ndryshim rregullash i futur në janar, duke lejuar që borxhet tatimore të shkaktojnë procedurat e pagesës së paracaktuar.

Gjeneva, Vaud dhe Cyrihu regjistruan numrin më të lartë të rasteve, ndërsa Valais pa rritjen më të shpejtë, me falimentime më shumë se dyfishuar në 522.

Pavarësisht rritjes, krijimi i biznesit mbetet i fuqishëm: gati 49,000 kompani u themeluan në dhjetë muajt e parë, me Cyrihun që kryeson regjistrimet e reja përpara Vaud dhe Gjenevës.

Gastroenterologu Dr. Mentor Bilali – një nga mjekët më të kërkuar nga shqiptarët e Zvicrës

Për shqiptarët, Dr. Bilali me ordinancën e tij MagenDarm Zentrum Oberaargau ka edhe një peshë të veçantë: është mjeku që flet gjuhën e tyre, i kupton kulturën dhe shqetësimet dhe i udhëheq me qetësi nëpër proceset shpesh të ndërlikuara të trajtimit.

Langenthali njihet prej vitesh si një prej qyteteve më multikulturore të Zvicrës. Me një përqindje të lartë të banorëve të huaj dhe një komunitet të konsoliduar shqiptar, ky qytet është shndërruar në shembull të integrimit dhe bashkëjetesës. Pikërisht në këtë realitet të larmishëm e në qendër të qytetit ofron shërbime MagenDarm Zentrum Oberaargau (MDZO), një ordinancë moderne e specializuar për gastroenterologji, e cila në një kohë shumë të shkurtër është shndërruar në adresën e parë të mijëra pacientëve nga i gjithë vendi.

Dr. med. Mentor Bilali është vlerësuar për profesionalizmin e tij të plotë, përvojën e gjatë dhe për qasjen e tij shoqëruese, të butë e njerëzore me pacientët. Për shqiptarët, Dr. Bilali ka edhe një peshë të veçantë: është mjeku që flet gjuhën e tyre, i kupton kulturën dhe shqetësimet dhe i udhëheq me qetësi nëpër proceset shpesh të ndërlikuara të trajtimit.

Nuk janë të pakta rastet kur media zvicerane dhe shqiptare kanë shkruar për të, duke e përshkruar si një shembull të integrimit, suksesit dhe profesionalizmit në diasporë. Megjithatë, përtej vëmendjes mediatike, realiteti i përditshëm në MDZO dëshmon më shumë se çdo artikull: pacientët nga e gjithë Zvicra vijnë tek ai për kontrolle të rregullta, check-up apo kontrollime parandaluese dhe trajtime të specializuara që kërkojnë ekspertizë të lartë.

Qendra e drejtuar prej tij është hapur para një viti, por suksesi ka qenë i menjëhershëm. Ende pa u mbushur një vit nga hapja, MagenDarm Zentrum Oberaargau, ka trajtuar mbi katër mijë pacientë, një shifër domethënëse për një qendër të re. Kjo tregon qartë se pacientët nuk kërkojnë thjesht një mjek të mirë, por një mjek që u jep besim, qetësi dhe kujdes të personalizuar. Sipas shumë prej tyre, Dr. Bilali është bërë sinonim i këtyre vlerave.

Ambienti i klinikës është një nga faktorët që e bëjnë MDZO (mdzo.ch) kaq tërheqëse. Me hapësira të ndritshme, të pastra dhe të dizajnuara për rehati maksimale, klinika krijon një atmosferë të ngrohtë dhe të sigurt. Pajisjet moderne të teknologjisë më të fundit e bëjnë të mundur diagnostikimin e saktë dhe trajtime të avancuara që përfshijnë gastroskopinë, kolonoskopinë, ultrasonografinë hepatike, kapselendoskopinë, terapitë specifike për sëmundje kronike inflamatore të zorrëve si Morbus Crohn dhe koliti ulçeroz, sëmundje pankreasit dhe testet e intolerancave. Çdo hap, nga vizita e parë deri te rikuperimi, shoqërohet me profesionalizëm dhe kujdes të veçantë.

Një paciente shqiptare, e cila për vite të tëra i shmangej gastroskopisë nga frika, rrëfeu se e gjeti qetësinë tek Dr. Bilali: “Mjeku më dha një ndjenjë sigurie që nuk e kisha përjetuar më parë. Ishte hera e parë që u ula përballë një mjeku dhe ndjeva se po më dëgjonte vërtet.”

Kështu, me dhjetëra vizitorë, pacientë të rinj, të vjetër, nga të gjitha kantonet e Zvicrës, mbushën ordinancën në ditën e dyerve të hapura për të falënderuar mjekun dhe stafin. Një infermiere zvicerane, me përvojë shumëvjeçare në këtë fushë, u shpreh me habi: “Nuk kam parë kurrë kaq shumë pacientë shqiptarë të vijnë të një ordinancë si kjo këtu. Besimi që kanë ata tek Dr. Bilali është i dukshëm dhe i jashtëzakonshëm”, shprehet ajo, e cila nuk dëshiron të shfaqet në media.

Shefi i Kantonsspitalit të kirurgjisë në Aarau me fjalë të mëdha për Dr. Mentor Bilalin

Pikërisht në këtë ngjarje të mbushur me emocione, ndodhi edhe një vizitë që nuk kaloi pa vëmendje: ajo e PD Dr. med. sc.  nat. Përparim Limanit, një nga kirurgët më të suksesshëm në Zvicër, i cili ka marrë detyrën e shefit të Klinikës së Kirurgjisë së Përgjithshme dhe Visceriale në Kantonsspital Aarau. I shoqëruar nga prindërit e tij, ai e vlerësoi lart punën e Dr. Bilalit dhe bashkëpunimin profesional mes tyre. Ai shpjegoi se shpesh konsultohen për raste të ndërlikuara, ku shkëmbimi i përvojave dhe analiza e përbashkët e situatave të ndërlikuara shërben si garanci për trajtime të sakta dhe vendime të drejta mjekësore. “Dr. Bilali është profesionist i jashtëzakonshëm, shumë i kujdesshëm dhe tepër i saktë. Bashkëpunimi ynë është gjithmonë në shërbim të pacientit.” u shpreh Dr. Limani duke treguar se edje nëna e tij i kryen kontrollet mjekësore tek ordinanca e doktor Mentor Bilalit.

Përtej klinikës, Dr. Mentor Bilali është edhe një lider i komunitetit mjekësor shqiptar në Zvicër. Si Kryetar i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, ai luan një rol të rëndësishëm në bashkimin e profesionistëve, ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe forcimin e imazhit të shqiptarëve në sistemin shëndetësor zviceran.

Në fund të ditës, për shumë njerëz Dr. Bilali është më shumë se një mjek. Ai është një figurë që i jep siguri, një profesionist që e kthen frikën në qetësi dhe një njeri që e sheh pacientin si individ, jo si numër. Dhe pikërisht kjo qasje njerëzore, e kombinuar me profesionalizmin dhe teknologjinë moderne të MDZO-së, e ka bërë atë një nga mjekët më të kërkuar në Zvicër, një histori suksesi që vazhdon të shkruhet çdo ditë, me çdo kontroll, çdo konsultë dhe çdo pacient që del nga klinika i sigurt dhe i qetë.

Pa kujdes shtesë dentar

Votuesit e Gjenevës kanë refuzuar me një diferencë të ngushtë një iniciativë socialiste për ta bërë kujdesin dentar më të përballueshëm – me një diferencë prej vetëm 144 votash.

Plani do të kishte siguruar një kupon vjetor prej 300 CHF për 135,000 banorët që marrin subvencione për sigurim shëndetësor.

Kundërshtarët, përfshirë Këshillin e Shtetit, paralajmëruan se masa do të kushtonte të paktën 45 milionë CHF në vit, transmeton albinfo.ch.

Votuesit gjithashtu refuzuan një kundërpropozim më të butë parlamentar, i cili përqendrohej kryesisht në parandalim dhe planifikim, me një diferencë më të gjerë.

Deri më 7 dhjetor afati për dorëzimin e listave për kandidatët e zgjedhjeve të parakohshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se partitë politike kanë afat deri më 7 dhjetor 2025 për ta dorëzuar listën e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës që do të mbahen me 28 dhjetor, përcjell albinfo.ch.

Përmes këtij njoftimi, KQZ ua rikujtoi partive politike se do t’u duhet që t’i formulojnë tanimë listat në mënyrë që të respektohet pastaj afati i vendosur për dorëzim. 

Më 17 dhjetor nis edhe fushata elektorale, për zgjedhjet nacionale në vend.

Njoftimi i KQZ-së:

Afati për dorëzimin e listës së kandidatëve është deri më 7 dhjetor 2025

Aplikimi bëhet përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://apliko.kqz-ks.org 

Për informata shtesë:

[email protected]

+383 38 200 81 010

08:00 – 16:00.

Ambasada amerikane fton shtetasit amerikanë që jetojnë në Kosovë për një takim me Prattipatin

Ambasada amerikane në Prishtinë ka ftuar shtetasit e saj që banojnë në Kosovë të marrin pjesë në një takim publik të organizuar nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, përcjell albinfo.ch.

“Mesazh për qytetarët amerikanë që banojnë në Kosovë: të premten, më 12 dhjetor 2025, nga ora 14:00 deri në orën 15:00, qytetarët amerikanë ftohen të marrin pjesë në një takim publik në Ambasadën e SHBA-së, të organizuar nga e Ngarkuara me Punë Anu Prattipati”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

Prattipati do të mbajë fjalën hyrëse dhe do t’u përgjigjet pyetjeve të pjesëmarrësve. Sesioni do të zhvillohet në gjuhën angleze.

Policia e Kosovës pajiset me 41 vetura të reja patrulluese

Menaxhmenti i Policisë së Kosovës, në vazhdën e ngritjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe atyre logjistike, si dhe të rritjes së vazhdueshme të efikasitetit në punën e policëve patrullues, me qëllim që ata të jenë sa më afër nevojave të qytetarëve, ka ndarë vetura zyrtare për njësitë patrulluese, përcjell albinfo.ch.

Përmbushja e objektivave të Planit Zhvillimor Strategjik dhe forcimi i qasjes proaktive ndaj kërkesave të qytetarëve, tashmë mundësohet më lehtë dhe më shpejt, falë pajisjes shtesë me automjete zyrtare për njësitë patrulluese të stacioneve policore.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë kolonel Gazmend Hoxha, ka vazhduar me mbështetjen ndaj departamenteve policore, në këtë rast të rendit publik, duke ndarë dyzet e një (41) vetura të reja, prej tyre 35 limuzina, përfshirë ato Hybride dhe 6 xhipa për mbulimin e zonave patrulluese, në të gjitha drejtoritë rajonale.

Kjo edhe një herë dëshmon përkushtimin e menaxhmentit të Policisë për një qasje gjithnjë e më proaktive ndaj qytetarëve, për forcimin e bashkëpunimit, komunikimit dhe reagimit me kohë ndaj kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, si dhe për rritjen e mëtejme të besueshmërisë dhe transparencës institucionale.

KQZ mblidhet sot për të vendosur rreth fletëvotimeve të 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do ta mbajë mbledhjen e radhës, përcjell albinfo.ch.

Në rendin e ditës është paraparë të shqyrtohet dhe miratohet specifikimet teknike për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në rend të ditës bëhet e ditur se bën pjesë edhe shqyrtimi dhe miratimi i formularëve/formave zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe shqyrtimi e miratimi i përbërjes së Komisioneve Komunale.

Mbledhja do të nisë me fillim nga ora 14:00.

Presidentja Osmani kujton Rugovën: Ishte udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë

 

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar figurën historike të Ibrahim Rugovës81-vjetorin e lindjes së tij, duke theksuar rolin e tij si arkitekt i Pavarësisë së Kosovës dhe simbol i vendosmërisë dhe arsyes në kohë të vështira.

Në një postim zyrtar, Osmani e ka cilësuar Rugovën si udhërrëfyes drejt lirisë dhe pavarësisë:

“Me urtësinë, kulturën politike dhe vizionin largpamës, Presidenti Rugova e ngriti çështjen e Kosovës në majat e diplomacisë botërore. Ai mbetet frymëzim i përhershëm, simbol i qëndresës dhe i ëndrrës së madhe për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe demokratike. Trashëgimia e Presidentit është testament për paqen, për shtetin sovran dhe të integruar në familjen euro-atlantike. Lavdi jetës, veprës dhe idealit të Presidentit historik!”

Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944, në fshatin Cercë, komuna e Istogut, dhe vazhdon të mbetet një nga figurat më të shquara të historisë së Kosovës, i njohur për angazhimin e tij për paqe, dialog dhe shtetndërtim.

 

Nxënësit shqiptarë në Parma festojnë Pavarësinë e Shqipërisë

Me rastin e Festave të Nëntorit, nxënësit shqiptarë të Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma, në bashkëpunim me Forumin e Gruas Shqiptare në Parma, Forum Donne Indipendenti, organizuan aktivitete festive me karakter kulturor, historik dhe artistik në klasat ku zhvillohen mësimet, përcjell albinfo.ch.

Fëmijët, të udhëhequr nga mësuesit e tyre, interpretuan këngë e valle tradicionale, recitime dhe pjesë të shkurtra teatrale, si dhe prezantime mbi figurat dhe ngjarjet e rëndësishme të historisë së Shqipërisë që sollën Pavarësinë dhe Çlirimin. Në këtë atmosferë të ngrohtë, emocionet, krenaria dhe bashkimi i komunitetit shqiptar në Itali u ndjenë fuqishëm.

Ky aktivitet vërtetoi edhe një herë rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare tek brezat e rinj që rriten larg atdheut, duke forcuar ndjenjën e identitetit kombëtar.

Organizatorët shprehën falënderim për familjet dhe fëmijët për përkushtimin e tyre dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në misionin fisnik të mbajtjes gjallë të trashëgimisë sonë shqiptare.

https://www.facebook.com/share/p/17tSANXG1i/?mibextid=wwXIfr

Paris: Inaugurohet Qendra Kulturore e Shqiptarëve

Në Ditën e Flamurit inaugurohet Qendra Kulturore e Shqiptarëve në zemër të Parisit, transmeton albinfo.ch.

Më 28 nëntor 2025, në Ditën e Flamurit, një nga datat më të rëndësishme të historisë shqiptare, Ambasada e Republikës së Kosovës në Francë mori pjesë me nder në inaugurimin e Qendrës Kulturore të Shqiptarëve “28.11” në Paris.

Ngjarja u zhvillua në një atmosferë festive dhe simbolike, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, komunitetit shqiptar dhe dashamirës të kulturës. Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, mbajti një fjalë rasti me këtë rast, duke vënë në pah rëndësinë e kësaj hapësire të re për komunitetin shqiptar.

Përurimi u shoqërua me interpretime artistike dhe ekspozitën e parë të artistit Indris Huqi, duke sjellë para publikut vlera autentike të artit dhe trashëgimisë sonë kulturore. Aktivitetet krijuan një atmosferë të ngrohtë dhe emocionuese, që dëshmoi fuqinë e kulturës për të bashkuar njerëzit kudo që ndodhen.

Ambasada e Kosovës përgëzoi ekipin organizator për punën dhe përkushtimin e tyre, duke uruar që Qendra Kulturore “28.11” të bëhet një prej pikave kryesore të bashkëpunimit, ruajtjes së identitetit dhe promovimit të kulturës shqiptare në Francë.

Kjo qendër e re synon të shërbejë si urë lidhëse mes gjeneratave dhe një hapësirë ku shqiptarët në Francë të mund të kultivojnë dhe forcojnë rrënjët e tyre kulturore, duke kontribuar njëkohësisht në jetën kulturore të Parisit./Albinfo.ch.

https://www.facebook.com/share/p/1RKoGkMGGZ/?mibextid=wwXIfr

Internet i mbushur nga AI: A po humbasim entuziazmin për rrjetet sociale?

Rritja e përmbajtjes së gjeneruar nga inteligjenca artificiale (AI) po bëhet shqetësuese për përdoruesit e internetit. Video, postime sintetike dhe këngë të krijuara nga AI po mbushin feed-et tona, duke e bërë eksperiencën online të lodhshme dhe shpesh të njëtrajtshme.

Podkasterja Salwa Houmsi përshkruan ndjesinë që ndajnë shumë: “Djem, ka mbaruar. Interneti. Është përfunduar.” Gazeta Die Welt ka publikuar tashmë një nekrolog për internetin, ndërsa Die Zeit pyet nëse rrjetet sociale po vdesin.

Një shembull i fundit është “Papaplatte”, një streamer gjerman që përdori aplikacionin e ri hyperrealist AI, “Sora 2”, për të ngarkuar fytyrën e tij. Brenda pak kohësh, mijëra klipet e tij u shpërndanë në internet: duke u kthyer në kastravec, duke bërë gjeste të ndaluara dhe gjëra të tjera të panevojshme. Analistët vlerësojnë se rreth 50% e përmbajtjes online tashmë është e gjeneruar nga AI.

Sipas profesoreshës Lara Wolfers nga Universiteti i Bazelit, përdoruesit shpesh ndihen të manipuluar kur kuptojnë se një video e ëmbël ose e ndjeshme është krijuar nga AI. “Erdhi një pikë kur njerëzit e kuptojnë se nuk po shohin më të vërtetën,” thotë Wolfers.

Psikologu Daniel Kahnemann shpjegon se truri ynë përdor dy sisteme të ndryshme të mendimit: “Sistemi 1” është autopiloti, që përpunon informacionin shpejt dhe kërkon shpërblim të menjëhershëm, ndërsa “Sistemi 2” është ai që analizon ngjarjet më thellë dhe kërkon më shumë energji. Përmbajtja e hiperrealizuar e AI-së e lodh këtë sistem të dytë, duke nxitur një largim të natyrshëm nga përdorimi intensiv i smartphone-ve.

Megjithatë, ekspertët e SRF, si Guido Berger, theksojnë se nuk ka të dhëna të qarta që tregojnë një largim masiv nga rrjetet sociale. Përdoruesit mund të kalojnë thjesht në biseda private, grupe dhe komunitete të mbyllura, duke mos u ndalur realisht nga interneti.

Sipas Wolfers, brezi i ri, i ekspozuar më herët ndaj përdorimit intensiv të ekraneve, mund të ketë më shumë vetëkontroll dhe aftësi për t’u përballur me lodhjen dixhitale. Por në tërësi, interneti vazhdon të ofrojë përmbajtje të pafundme, dhe përdoruesit janë mësuar me rritjen e vazhdueshme të AI-së.

Ekspertët paralajmërojnë: sfida nuk është mbyllja e internetit, por menaxhimi i përmbajtjes së AI-së dhe ruajtja e një përvoje reale dhe të besueshme online.

 

Ulje e infeksioneve me HIV në Zvicër, por të rinjtë ende të painformuar

Sot shënohet Dita Botërore e AIDS-it, një rast për të rikujtuar rëndësinë e parandalimit dhe informimit mbi HIV-in. Sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (FOPH), infeksionet e reja me HIV ranë në 318 raste në 2024, krahasuar me 428 raste në 2019, para pandemisë Covid-19. Kjo ulje ngjall shpresë për eliminimin e virusit deri në vitin 2030.

Megjithatë, një pjesë e të rinjve nuk janë mjaft të informuar për mënyrat e transmetimit dhe mënyrat e mbrojtjes. Studime tregojnë se të rinjtë homoseksualë janë më pak të prirur të përdorin masa mbrojtëse se sa të moshuarit, për shkak të mungesës së përvojës kolektive dhe ndërgjegjësimit mbi pasojat e epidemisë.

Ekspertët shprehin optimizëm për avancimet shkencore: trajtimet antiretrovirale janë më të thjeshta, disa kanë efekt afatgjatë, dhe molekula e re lenacapavir mund të parandalojë infeksionin tek 99% e përdoruesve. Megjithatë, për të arritur qëllimin që HIV të mos jetë kërcënim për shëndetin publik deri në 2030, nevojitet mobilizim i vazhdueshëm për financim dhe qasje tek medikamentet për ata më të rrezikuarit.

Në kuadër të ndërgjegjësimit, organizata si Sidaction në Francë po luftojnë edhe kundër përhapjes së mesazheve toksike mbi maskulinitetin dhe sjelljet seksuale të të rinjve në rrjetet sociale, duke promovuar fakte dhe edukim seksual.

Në vitin 2027, Gjeneva do të presë Konferencën e 14-të Ndërkombëtare të AIDS-it, një ngjarje kyçe në shkencën dhe kërkimin mbi HIV-in, me mbi 5000 pjesëmarrës të pritur.

 

Zelensky viziton Parisin mes presionit për paqe, kërkohet përfshirja e Europës

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u prit sot në Paris nga presidenti francez Emmanuel Macron, në një kohë kur Ukraina përballet me presion të shtuar diplomatik dhe avancime të reja ruse në front.

Macron deklaroi se “nuk ka plan të finalizuar pa Kievin dhe europianët rreth tryezës”, duke nënvizuar se çdo marrëveshje paqeje duhet të miratohet nga vetë Ukrainë. Ai tha se ndërmjetës amerikanë pritet të shkojnë së shpejti në Moskë, por theksoi se çështjet kryesore — si garancitë e sigurisë, pasuritë e ngrira dhe sanksionet — duhet të negociohen edhe me partnerët europianë.

Zelensky kërkon të forcojë mbështetjen e Francës në momentin kur Rusia po avancon në lindje. Ai paralajmëroi se Moska nuk duhet shpërblyer për agresionin e saj dhe shprehu gatishmëri të diskutojë “çështje kyçe” me Donald Trump.

Macron gjithashtu komentoi skandalin e korrupsionit në Kiev që çoi në shkarkimin e shefit të administratës së Zelenskyt, duke thënë se Franca mbetet vigjilente, por nuk ka ndërmend t’i “japë leksione” Ukrainës.

Vizita në Paris shihet si kritike për Kievin, që kërkon të shmangë një marrëveshje të imponuar nga SHBA dhe të ruajë rolin e Europës në bisedimet e paqes. Ndërkohë, të dhënat e fundit tregojnë se Rusia ka bërë përparimin më të madh në front që prej një viti, duke marrë 701 km² territor vetëm në muajin nëntor.

 

Shumë të huaj u dëbuan nga vendi në vitin 2024

Në vitin 2024, pothuajse 2500 të huaj u dëbuan nga Zvicra.

Shumica e këtyre njerëzve vijnë nga vende të treta.

69 përqind e të dënuarve tashmë janë larguar nga vendi. 31 përqind e çështjeve nuk janë zgjidhur ende.

Gjykatat zvicerane mund të dëbojnë të huajt delinkuentë nga vendi. Në vitin 2024, u lëshua një referim për vendin për 2446 persona. 69 përqind e tij tashmë është përfunduar, 31 përqind është ende në pritje. Sekretariati Shtetëror për Migracionin pret që përqindja të rritet në muajt në vijim.

Në krahasim: në vitin 2023, u lëshua një referim për vendin kundër 2250 personave. Nga njerëzit e dënuar në vitin 2023, rreth 73 përqind ishin larguar nga Zvicra deri në mesin e vitit 2024. Përqindja ishte pak më e lartë në atë kohë.

Çfarë ndodh me 31 përqindëshin?

Sipas zëdhënëses së SEM, Magdalena Rast, ka disa arsye pse këta njerëz, të cilët duhet të largohen nga vendi, janë ende në Zvicër:

Disa janë ende në proces kthimi, për shembull sepse mungojnë dokumente identiteti ose largimi duhet të organizohet. Disa largime vonohen sepse vendet e origjinës nuk bashkëpunojnë ose ata të prekur nuk bashkëpunojnë. Problemet shëndetësore gjithashtu mund të pengojnë një kthim të menjëhershëm.

Grupi më i madh vjen nga Shqipëria

Rreth 40 përqind e personave të referuar në vitin 2024 vijnë nga një vend i BE-së/EFTA-s dhe rreth 60 përqind nga një vend i tretë. Më të zakonshmit ishin shtetasit shqiptarë (247), rumunë (190) dhe algjerianë (136). 93 përqind e të gjithë njerëzve që largohen janë burra, me grupmoshën më të madhe që është ajo e moshës 25 deri në 34 vjeç, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

10,000 ndalime hyrjeje të vendosura

SEM ka urdhëruar një total prej 10,146 ndalimesh hyrjeje në vitin 2024, nga të cilat 345 u hoqën ose u pezulluan. Pothuajse 47 përqind e ndalimeve të hyrjes të dekretuara dhe aktive janë për shkak të hyrjeve të paligjshme. Pothuajse 23 përqind të tjera u urdhëruan për shkak të largimeve që nuk u bënë në kohë dhe 20 përqind për shkak të një kërcënimi për sigurinë dhe rendin publik. Shumica (83 përqind) e ndalimeve të hyrjes ishin burra. Pesë kombësitë më të përfaqësuara ishin Algjeria (837), Siria (786), Maroku (708), Turqia (700) dhe Afganistani (554).

Zvicra pranon vetëm një të tretën e azilkërkuesve

E ashtuquajtura shkallë njohjeje – d.m.th. përqindja e rasteve në të cilat azilkërkuesit në të vërtetë morën azil – ishte 34.2 përqind e kërkesave për azil në vitin 2024. Në BE, kjo shkallë ishte 42 përqind.

Diferenca midis imigracionit dhe kërkimit të azilit

Në vitin 2024, 212,578 persona emigruan në Zvicër. Nga këta, 22,553 persona janë zviceranë të kthyer. Pjesa tjetër vjen kryesisht nga vendet e BE-së ose EFTA-s. Në të njëjtin vit, 129,786 persona u larguan nga vendi, duke rezultuar në një imigrim neto prej 82,792 emigrantësh. Kjo është rreth 15.6 përqind më pak se në vitin 2023.

Emigrantët vijnë kryesisht nga vendet e BE-së/EFTA-s me të cilat Zvicra ka një marrëveshje për lëvizjen e lirë të personave. Ata vijnë këtu kryesisht për punë. Azilkërkuesit vijnë nga një vend që nuk është pjesë e BE-së ose një shtet i EFTA-s (p.sh. Afganistani) dhe për këtë arsye duhet të shqyrtohen së pari. Ata kryesisht ikin nga lufta, persekutimi ose dhuna.

Siç tregojnë statistikat federale, shumica e azilkërkuesve në Zvicër refuzohen dhe kthehen në vendin e tyre të origjinës.

Njerëzit që duan të ikin në Zvicër vijnë nga këto vende.

Shumica e kërkesave për azil erdhën nga shtetas afganë në vitin 2024.

Falimentimet e kompanive zvicerane rriten ndjeshëm

Në Zvicër pati një rritje të ndjeshme të falimentimeve të kompanive në 11 muajt e parë të vitit. Sektorët e ndërtimit, shërbimit të ushqimit dhe shitjes me pakicë në veçanti pësuan dëme.

Falimet e kompanive u rritën me mbi 36% nga janari deri në nëntor krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas shërbimit të informacionit ekonomik Crif të hënën. Konkretisht, 11,057 kompani falimentuan në 11 muajt e parë të vitit. Kjo do të thotë që ritmi i falimentimeve është përshpejtuar që nga fundi i shtatorit. Pas nëntë muajsh, rritja kishte qenë vetëm pak nën 20%.

Sipas Crif, shumica e falimentimeve ishin në industrinë e ndërtimit (1,576 raste), e ndjekur nga shërbimi i ushqimit (1,090) dhe shitjes me pakicë (774). Një arsye për rritjen është një ndryshim në ligj, shkruan swissinfo. Që nga 1 janari 2025, borxhet tatimore të kompanive në regjistrin tregtar mund të kërkohen edhe në procedurat e falimentimit. Më parë, ishte e mundur që autoritetet tatimore të mbledhin taksat e papaguara vetëm me anë të sekuestrimit, transmeton albinfo.ch.

Bizneset e reja vazhdojnë të rriten gjithashtu

Në të njëjtën kohë, numri i formimeve të kompanive të reja mbetet në një nivel të lartë: deri në fund të nëntorit, një total prej pothuajse 49,000 kompanish të reja ishin regjistruar në regjistrin tregtar këtë vit: një rritje prej 4.4% krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas sektorit, tregtia me pakicë (3,924 biznese të reja), konsulenca menaxheriale (3,902) dhe sektori i pronave (3,650) kryesuan fushën e bizneseve të reja të reja.

Fushat e shërbimeve të teknologjisë së informacionit (-19.7%), hotelerisë (-10.4%) dhe tregtisë me pakicë (7.3%) regjistruan një rënie të ndjeshme në numrin e bizneseve të reja.

Një buqetë dritash, tingujsh e ngjyrash për Ditën e Flamurit, në Winterthur

28 Nëntori, Dita e Flamurit ose e Pavarësisë së Shqipërisë është shënuar fundjavën që shkoi, gjithandej Zvicrës, me aktivitete të shumta kulturore festive. Në shumicën prej tyre, siç është bërë tashmë traditë, mbizotëronte muzika, vallja, recitimi, të gjitha këto të “ilustruara” me prezantimin e veshjeve të bukura e të larmishme kombëtare të trevave shqiptare.

Ndërkaq, manifestimi në Winterthur, i organizuar nga Ansambli “Trojet”, krahas muzikës pati si vlerë të shtuar edhe ekspozitën me krijime të piktores dhe pedagoges së artit nga Prishtina, Valbona Gashi.

Pas hapjes së ekspozitës nga kryetari i ansamblit “Trojet”, Zeqir Gashi, mbi punimet e ekspozuara në hollin e qendrës “Töss” të Winterhurit, një fjalë të zgjeruar e ka mbajtur piktori, publicisti dhe shkrimtari, Gani Bytyçi.

Ai ka shpalosur vlerat e krijimtarisë së zonjës Gashi, duke folur edhe për fazat nëpër të cilat ajo ka kaluar. “Piktura që kemi sot këtu, është ajo e periudhës pas një pauze të saj krijuese”, ka thënë Bytyçi. Por kjo pjesë është vetëm një kapitull në veprën e saj artistike. Në të vërtetë, kjo është paraqitja e tretë e Valbonës në Zvicër, (pas Gjenevës e Bernës) me këtë ekspozitë lëvizëse. Në këto ekspozita, autorja ka sjellë mbi 20 vepra arti.

Ato sjellin dy motive, pikturë dhe medaljone. Medaljoni, ilir në këtë rast, është simbol, është kujtesë dhe mesazh. Mënyra dhe lënda me të cilën artistja e bën medaljonin artistik, është krejt e veçantë. Kjo është fusha e saj e preferuar e krijimtarisë artistike. Edhe titulli i kësaj ekspozite, GJURMË NË MEDALION, nuk është i rastit. Ai është më shumë se titull. Është përmbajtje e lashtësi. Janë gjurmët tona antike. Këto medaljone më kujtojnë profesorin tim (shumë të dashur) të artit, Engjëll Berishën”, shprehet tutje Bytyçi.

 

Duke folur për rreth 20 punimet, ai thotë më titje “Në shikim të parë, pandehim se të gjitha ato janë peizazhe, por nuk janë të tilla, ndonëse janë pamje, që asociojnë me peizazhin. Piktori Joan Mirò pati thënë “Unë nuk pikturoj atë që shoh, por atë që e mendoj”. Edhe kjo pikturë, e tëra është e menduar (…). Aty shohim shpirtin e Artistes me tërë koloritin e tij!”.

Edhe piktori tjetër nga Zvicra, Urim Berisha, ka folur shkurt për vlerat e punimeve të ekspozuara nga kolegia e tij, Valbona Gashi. “Arti është një veprimtari ku krijuesi paraqitet në mënyrën më të sinqertë. Në art, koha dhe hapësira nuk ekzistojnë, ka thënë veç tjerash z. Berisha, duke ju qasur bukurisë dhe papërkufizueshmërisë së artit, edhe të autores, Valbona Gashi.

Për ekspozitën dhe piktoren, me fjalë afirmative ka folur edhe ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, z. Rexhep Demiri. Ai ka shprehur kënaqësinë që në një manifestim të diasporës kemi edhe një ekspozitë të tillë, me vlera të dëshmuara artistike dhe ka përgëzuar autoren, zonjën Gashi. Një përshëndetje rasti u ka drejtuar të pranishmëve edhe zëvendëskonsullja e Republikës së Kosovës në Cyrih, zonja Ardita Mustafa.

Me fjalë të tjera përgëzimi për piktoren dhe organizatorët, para publikut janë paraqitur edhe një numër veprimtarësh dhe krijuesish të komunitetit shqiptar të Zvicrës.

Pas kësaj hapjeje frymëzuese të manifestimit, publikun e priste salla e madhe, e stërmbushur ku do të ndodhte aktiviteti kryesor festiv, me këngë dhe valle popullore të përgatitura me shumë përkushtim nga artistët entuziastë të Ansamblit “Trojet”.

Në hapje të programit ishte vendosur një recital me motive patriotike nga Shqipdon Lipaj, i shoqëruar me një “sfond” të përbërë nga valltarë të ansamblit.

Moderatorja Sherife Ejupi – Zeqiri ka drejtuar me përkushtim gjithë mbrëmjen, duke prezantuar pjesëmarrësit e shumtë të programit artistik.

Sigurisht, nuk kanë munguar as fjalët përshëndetëse të zyrtarëve nga përfaqësitë përkatëse diplomatike: Shkëlqesia e tij, Z. Rexhep Demiri, nga Ambasada e Maqedonisë së Veriut dhe zonja Shukrije Ramadani, nga Ambasada e Kosovës, në Bernë.

Të dytë kanë përgëzuar punën me përkushtim që po bëjnë të rinjtë dhe të rejat e brezit të dytë e të tretë për të ruajtur dhe kultivuar traditat kulturore të atdheut.

Programi që u prezantua në vazhdim në dërrasat e skenës në Winterthur, ishte një buqetë dritash e ngjyrash, tingujsh dhe fjalësh që shpërthenin plot frymëzim nga fëmijët dhe të rinjtë e ansamblit “Trojet”.

Pikat artistike si Koreodrama “Gjurmët në heshtje”, vallja “Suitë kosovare” (grupi i të rriturve), “Vallja e Tiranës” dhe “Vallja e malësisë (grupi i të vegjëlve); këngët e kënduara nga Marisa Murtezi, Melisa Tafilaj, Alejna Ukshini , Elta Gjota, Medina Xheladini, Elma Morina dhe nga Kori mysafir nga Cyrihu, “Lyra”, pastaj vëllezërit Arbnor e Rrezart Kuqi janë disa nga pikat kulmore artistike të prezantuara para publikut në Winterthur.

Programi është përmbyllur me këngë nga këngëtaret, motrat Luljeta e Drita Fetahaj.

Meritat për realizimin dhe mbarëvajtjen e programit artistik u takojnë udhëheqësve të grupit Artistike apo të ansamblit, respektivisht treshes Donjeta & Ensat & Leotrim. Ata punojnë me tri grupet e valltarëve dhe janë përgjegjës për krijimin e valleve të reja që prezanton ansambli. Këta dhe sidomos grupi (i madh) i fëmijëve duhen përgëzuar në mënyrë të veçantë për kënaqësinë artistike që na dhanë dhe po na japin në vazhdimësi në programet e ansamblit “Trojet”.

“Varg e Vi” me projekt në Vjenë

Organizata e Pavarur Kulturore, “Varg e Vi”, në lokalin alternativ për aktivitete kulturore, “7stern”, në Vjenë kanë realizuar projektin “4 në 1”, me stand-up komedi, dy ekspozita me piktura e fotografi dhe promovim të librit “Përafërsisht”.
“Hapja e projektit para një publikut me shumë mërgimtarë që jetojnë dhe veprojnë në Austri, u bë nga Ermal Vejsa, drejtori i shoqatës “K” në Vjenë, duke uruar të gjithë shqiptarët për Festën e 28 Nëntorit, vlerësimin e lartë për bashkëpunimin me Varg e Vi-në, duke ftuar më pas për ngjitje në skenë, Avni Shkodrën. Stand-up komedia e Shkodrës u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku, me të qeshura të shpeshta dhe intensive, duke u arritur një katarsis i llojit të veçantë me humorin e kontekstit shqiptar, transformimet e shoqërisë kosovare dhe relacionet e ndryshuara përgjatë viteve të kosovarëve me mërgimtarët, dhe anasjelltas. Pas stand-up-it, pjesëmarrët panë ekspozitën me piktura të Azizit, ku tregonin transformimin e familjes kosovare, efektet e luftës dhe dëgjimin e vazhdueshëm të lajmeve “Shuni, shuni, se…”, e gjer në fragmentimin e furishëm të familjes kosovare në kontekst postkonfliktual, migrimi e globalizimi”, bëhet e ditur në njoftim, transmeton albinfo.at.
Tutje, sipas njoftimit, ngjarja vazhdoi me ekspozitën e Fazliut, ku u sollën portretet e disa të moshuarve të Kosovës, bardh e zi, të bëra nga gjyshi i tij, të varura lart me kapëse në litarin e fortë në dy anët e mureve, dhe poshtë në të djathtë, për të vendosur një fotografi të vetme me ngjyra të bërë nga vetë ai, nipi.
“Gjithashtu përveç mesazhit të pasionit mbi fotografinë nga tri gjenerata, gjyshi-babai-nipi, transformimet e teknologjisë dhe subjekteve të fotografuara, Fazliu preku temën e rritjes së të moshuarve të vetmuar në Kosovë, pas emigrimit masiv të kosovarëve, duke bashkuar të moshuarit me familjarët e tyre në mërgim – Vjenë, mallin për familjen nga vetë mërgimtarët, si dhe nevojën shtesë për kujdesin ndaj moshës së tretë”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se Rudaku promovoi librin e tij të fundit e të pestë “Përafërsisht”, një libër me temat për raportet komplekse shoqëri-teknologji, migrimin, globalizimin, varësitë e ndryshme, transformimet e mëdha të shoqërisë kosovare, duke dhënë autografe për lexuesit dhe duke biseduar për temat e librit.
“Në kuadër të vizitës në Vjenë të Austrisë, një ditë më parë, për 28 Nëntor, para projektit “4 në 1”, anëtarët e Varg e Vi-së u mirëpritën nga I ngarkuari me punë, z. Albinot Bimbashi, në funksion të Ambasadorit në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë. Në takim u vlerësua nevoja për organizime dhe bashkëpunime kulturore Kosovë-Austri, qoftë me mërgatën, qoftë me shoqatat dhe institucionet kulturore austriake, pasi Vjena është qytet i njohur për kulturën e saj shumë të pasur botërore, vend i muzikës klasike, operës, teatrit e shumë fusha të tjera, si dhe rëndësisë së diplomacisë kulturore. Varg e Vi dhe z. Bimbashi, ranë dakord për mbështetje të vazhdueshme të aktiviteteve dhe diplomacisë kulturore në Austri, duke falënderuar për bashkëpunimin e shkëlqyer në projektin “4 në 1”, mikpritjen dhe lehtësimin nga Ambasada e Kosovës gjatë procesit akomodues në Vjenë dhe takimet e përzemërta. Projekti “4 në 1” nga Varg e Vi është përkrahur nga Thirrja Publike për Fondin e Mobilitetit nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, në bashkëpunim me shoqatën “K” në Vjenë”, përfundon njoftimi.

Policia zvicerane do të përdorë pesë ngjyra të ndryshme lëkure për të kategorizuar shkelësit

Nga 1 janari 2026, qeveria zvicerane do të modernizojë sistemin kombëtar të kërkimit Ripol, i cili centralizon raportet që lidhen me personat e zhdukur, të kërkuar, të deportuar ose të rrezikshëm.

Zyra Federale e Policisë (Fedpol) njoftoi në një njoftim për shtyp të shtunën se do të përfshihen pesë opsionet e mëposhtme për ngjyrën e lëkurës së shkelësve: shumë e çelët, e çelët, mesatare, e errët ose shumë e errët, transmeton albinfo.ch.

Sa i përket kategorisë ‘lloji’, ajo do të mbulohet nga nëntë opsione, që korrespondojnë me rajonet gjeografike – përkatësisht Evropën Veriore, Afrikën e Veriut, Azinë dhe Amerikën e Jugut.

Ish-kryetari i PDK-së thirrje mërgatës: Le ta bëjmë 28 dhjetorin ditë të bashkimit dhe të fitores sonë

Ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi u ka bërë thirrje mërgatës që të regjistrohen për zgjedhjet e 28 dhjetorit kur kanë mbetur edhe pak ditë nga mbyllja e afatit.

“Bashkatdhetarë të dashur. Roli juaj për Kosovën ka qenë gjithmonë i pazëvendësueshëm, dhe mbetet i tillë edhe sot. Ju ftoj të regjistroheni për votim deri më 6 dhjetor në diaspora.kqz-ks.org. E ju që do të jeni fizikisht mes nesh, ju mirëpresim krahëhapur dhe me zemrat plot. Le ta bëjmë 28 dhjetorin ditë të bashkimit dhe të fitores sonë”, ka shkruar ai, transmeton albinfo.ch.

Vazhdon “debati për diasporën”, kësaj here Gërvalla-Abdixhikut

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla-Schqarz, ka reaguar sërish pas vendimit të PZAP-it për të ndaluar votimin jashtë zyrave diplomatike për diasporën.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Gërvalla i ka reaguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, pasi ky i fundit tha se “VV po tenton të ndërtojë sistem të manipulimit të votave”, transmeton albinfo.ch.

“Ja si flet njeriu i papërgjegjshëm kur niset nga vetvetja”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, mbrëm, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka pranuar ankesën e LDK-së dhe ka ndryshuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke ndaluar hapjen e Qendrave të Votimit jashtë përfaqësive diplomatike.

Katër kosovarë arrestohen nga policia kantonale e Cyrihut, qeni ua ndaloi arratisjen

Policia kantonale e Cyrihut arrestoi katër hajdutë në flagrancë natën e së hënës (1.12.2025) si pjesë e një aksioni në Weinfelden TG.

Autorët vijnë nga Kosova dhe janë pjesë e një grupi profesional hajdutësh. Policia Kantonale e Cyrihut kreu një aksion të synuar në emër të Prokurorisë Publike II të Kantonit të Cyrihut, i cili u drejtua kundër një grupi hajdutësh shumë profesionistë. Disa dhjetëra krime i janë atribuar tashmë këtij grupi në Zvicër. Hajdutët që vinin nga Franca u panë në mesnatë duke hyrë me forcë në një pronë tregtare në Weinfelden, shkruan polizeinews, transmeton albinfo.ch.

Specialistët e policisë kantonale të Cyrihut arrestuan tre kosovarë të moshës midis 35 dhe 53 vjeç. Një hajdut i katërt fillimisht arriti të arratisej dhe u gjet rreth dy orë më vonë. U arrestua edhe 40-vjeçari kosovar.

Policia kantonale e Cyrihut përdori mjete të ndryshme operacioni në këtë aksion. Përveç detektivëve, u angazhuan edhe helikopteri i policisë dhe qentë e policisë. Një qen policie parandaloi gjithashtu arratisjen e një hajduti si pjesë e arrestimit.