Donjeta Sadiku shkëlqen për Kosovën në boks, fiton medaljen e artë në “Strandja 2026”

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka triumfuar në turneun ndërkombëtar “Strandja 2026” në Sofje, duke fituar medaljen e artë në kategorinë deri në 60 kg.

Në finalen e fortë ndaj brazilianes Rebeca De Santos, Sadiku tregoi teknikë të lartë dhe vendosmëri. Tre nga pesë gjyqtarë e shpallën fituese me rezultatin 29-28 dhe 30-27, duke konfirmuar dominimin e saj në ring.

Ky sukses i madh jo vetëm që forcon karrierën e Donjeta Sadikut, por edhe ngrit flamurin e Kosovës në skenën ndërkombëtare të boksit.

Ortopedi shqiptar Dr.Leonard Ndue, në shërbim të mijëra pacientëve në Vjenë

Me një angazhim të vazhdueshëm në ordinancën e tij private dhe në një ordinancë tjetër ku shërbimet mjekësore kryen përmes sigurimeve shëndetësore publike (Alle Kassen), mjeku shqiptar, Leonard Ndue, është sot një nga emrat më të besueshëm në fushën e ortopedisë në Vjenë. Me më shumë se një dekadë përvojë profesionale, Dr.Leonardi trajton mbi dymbëdhjetë mijë pacientë në vit, të cilët përballen me probleme të ndryshme muskuloskeletale, veçanërisht ato që prekin shtyllën kurrizore dhe gjunjët.

Ai drejton klinikën e tij private “Orthosana” në „Bezirk”-un(zonën) e 19-të të kryeqytetit austriak. Njëkohësisht ka ndërtuar përvojë të gjerë edhe në ordinanca të tjera të njohura, midis tyre në polikliniken më të madhe ortopedike, në qendrën tregtare “Donauzentrum”, pastaj në ordinancën ortopedike në „Bezirk”-un e 10-të, ku vazhdon ekzaminimin dhe trajtimin e foshnjave me displazi kongjenitale të legenit. Kurse, që nga viti 2022, ai është aktiv kryesisht në klinikën “Orthopädie 1150” në objektin e Qendrës Tregtare “Lugner City”.  Aty, në bashkëpunim me kolegë të tjerë, Dr. Ndue ofron trajtime gjithëpërfshirëse – nga diagnostikimi i saktë deri te terapitë moderne për menaxhimin e dhimbjes.

 

Si fëmijë, Leonard Ndue e dinte se do të bëhej mjek

 I lindur para 41 vitesh në Hietzing të Vjenës, Leonard Ndue ishte fëmija i katërt i një familje emigrantësh të ardhur nga një fshat nga komuna e Gjakovës. Kujdesi mjekësor që morën prindërit e tij për një nga vëllezërit e tij, bënë që ata të qëndronin përfundimisht në Austri.

Qysh si fëmijë, ai e dinte se do të bëhej mjek. Pasi lëvizën me familjen në Klosterneuburg, Leonardi filloi studimet në Universitetin e Mjekësisë në Vjenë, në vitin 2005. Pas diplomimit shkoi në Boston të ShBA-së, si mjek kërkimor klinik, ku po punonte për miratimin e  një ilaçi për foshnje. Në vitin 2014, filloi specializimin në ortopedi, duke punuar tashme njëkohësisht në Spitalin e Përgjithshëm të Vjenës (AKH) dhe në Spitalin Universitar në Tulln. Pas përfundimit të specializimit, që nga viti 2020 ai ka punuar në ordinanca ortopedike publike dhe private.

Sot, Dr. Leonardi merret me probleme të ndryshme që lidhen kryesisht me shtyllën kurrizore dhe gjunjët. Të shumë pacientë sipas tij, luan rol komponenti psikologjik, sidomos tek ata që kanë prejardhje migrimi.

Problemet kryesore shëndetësore që trajtohen në ordinancë janë: dhimbja dhe lëvizja e kufizuar e shtyllës kurrizore dhe të gjitha nyjave të tjera, siç janë: gjuri, shpatulla dhe ijët, si dhe deformimet e këmbëve. Të porsalindurit ekzaminohen gjithashtu si pjesë e kontrollit shëndetësor “Mutter – Kind – Pass”. Monitorimi i rregullt vjetor i rritjes së fëmijëve derisa të arrijnë pjekurinë skeletore është gjithashtu një procedurë e zakonshme, pasi shumë probleme mund të trajtohen herët dhe butësisht në këtë fazë.

 

Shërbimet në Klinikën Ortopedike “Orthopädie 1150”

Qëllimi i Dr. Leonardit me kolegët e tij, është që të arrijnë lehtësimin e dhimbjes për pacientin, të rivendosin lëvizshmërinë e tyre sa më shpejt të jetë e mundur dhe t’i informojmë ata për rrjedhën e mëtejshme të trajtimit.

Klinika “Orthopädie 1150” në “Lugner City” e hapur në vitin 2021 nga Dr. Florian Sevelda, funksionon mbi një filozofi të përbashkët pune, ku çdo rast trajtohet individualisht dhe në përputhje me standardet më të fundit mjekësore.

“Kujdesemi që metodat e punës së të gjithë mjekëve të jenë të harmonizuara dhe të orientuara drejt nevojave reale të pacientit,” shprehet Dr. Leonardi.

Trajtimi nis gjithmonë me një ekzaminim gjithëpërfshirës dhe vlerësim diagnostikues, i ndjekur nga terapi konservative të ndryshme. Në klinikë ofrohen terapi manuale ortopedike, programe për menaxhimin e dhimbjes, përdorimi i splintave, fashave dhe ortozave, si dhe medikamente kundër dhimbjes. Një rol të rëndësishëm zënë injeksionet e synuara në nyje, infuzionet për lehtësimin e dhimbjes, si dhe diagnostikimi dhe trajtimi i osteoporozës dhe problemeve ortopedike te foshnjat dhe fëmijët. Siç shpjegon vetë ai: “Injeksionet, edhe pse shpesh kanë një reputacion të keq, janë shumë efektive dhe të buta për trupin, sepse veprojnë drejtpërdrejt në vendin e dhimbjes.”

Përveç këtyre metodave, klinika ofron edhe terapi moderne si ajo me valë goditëse (Stoßwellentherapie) dhe terapia me fushë magnetike EMTT, të cilat nxisin rigjenerimin e indeve dhe reduktojnë inflamacionin kombinimi i këtyre dy terapive sjell lehtësim më të shpejtë të dhimbjes dhe përmirësim të dukshëm, veçanërisht te gjendjet kronike, duke shmangur shpesh nevojën për ndërhyrje kirurgjikale.

“Këto teknologji na ndihmojnë të trajtojmë struktura në trup që nuk mund t’i arrijmë ndryshe me terapitë konvencionale. Për shembull, në rastin e problemeve të diskut ndër vertebror, valët magnetike mund të përdoren për të trajtuar qelizat e inflamuara të diskut dhe vertebrës ngjitur pa pasur nevojë për injeksione. Valët goditëse rigjenerojnë tendinët dhe muskujt, duke i lejuar ato të rifitojnë funksionin e tyre më shpejt. Në rastet e gjendjeve kronike ku qarkullimi i dobët është shkaku kryesor, shpesh ka pak alternativa ndaj kirurgjisë”, sqaron tutje ai.

 

Në këtë ordinanca, pacientët mund të vizitohen me sigurime shëndetësore publike (Alle Kassen)
Vizitat mjekësore bëhën me sigurime shëndetësore publike (Alle Kassen)                      Link: https://ortho1150.at/

 

Pa barriera gjuhësore, pacientët shqiptarë trajtohen nga Dr. Leonard Ndue

 Për një numër pacientësh nga viset shqiptare që jetojnë në Austri, mosnjohja e gjuhës gjermane përbën problem kur shfaqet nevoja për të kërkuar shërbime mjekësore. Ortopedi Dr. Leonard Ndue është zgjidhja, ku shumë pacientë marrin trajtim nga ai, pikërisht sepse ndjehen më të lirë kur arrijnë të komunikojnë drejtpërdrejtë edhe në gjuhën shqipe.

“Barrierat gjuhësore intensifikojnë ndjenjat e pafuqisë dhe izolimit, të cilat mund të kontribuojnë në depresion, ankth dhe dhimbje të somatizuara – stresi psikologjik mund të përkeqësojë sëmundjet fizike. Komunikimi i drejtpërdrejtë zvogëlon këtë barrë, forcon vetëvlerësimin dhe përmirëson shëndetin mendor. Pacientët ndihen të pavarur dhe të vlerësuar, gjë që nxit bashkëpunimin me mjekun dhe kështu nxit shërimin, duke kursyer edhe kohë trajtimi. Fatkeqësisht, koha është shpesh e pamjaftueshme në kilinika mjekësore me sigurim shëndetësor, gjë që për fat të keq çon në mostrajtimin e pacientëve nëse nuk mund ta kuptojnë mjekun, pasi mjeku nuk dëshiron t’i dëmtojë ata”, thotë ai. Vizita mjekësore në ordinancën “Orthöpedi 1150” mund të bëhet me gjitha kartat e sigurimeve (Alle Kassen)

 

Çfarë thotë Dr.Florian Sevelda për Dr. Leonard Nduen?

Për të garantuar trajtim sa më cilësor, klinika bashkëpunon ngushtë me mjekë të disiplinave të tjera dhe me institucione të mëdha shëndetësore, përfshirë Spitalin e Përgjithshëm të Vjenës (AKH).

Për shkak të numrit të lartë të pacientëve, Dr.Florian Sevelda sqaron se bashkë me Dr.Leonardin, po planifikojnë zgjerimin e aktivitetit dhe shndërrimin e klinikës në një  poliklinikë, me qëllim krijimin e kapaciteteve të reja për pacientë të rinj.

“E njoh Dr.Leonardin që nga koha ime, si shef i departamentit në “AKH”, ku ai po kryente trajnimet për Ortopedi. Që nga viti 2022 punojmë bashkë në ordinancën time. Dr. Ndue është një koleg i besueshëm, kompetent, punëtor, i përgjegjshëm dhe miqësor. Ai është inovativ, dhe bashkë në dy vitet e ardhshme do e hapim së bashku një poliklinikë mjekësore”, thotë Dr.Sevelda, për albinfo.at.

Vizitat mjekësore në këtë ordinancë bëhën vetëm me vetpagesë apo sigurime private (Privat Versicherung)                                                          Link: https://www.orthosana.at/

 

Trajtimet private në klinikën e tij “Orthosana” në “Bezirk”-un e 19-të

Qëllimi kryesor për Dr.Ndue është trajtimi sa më i mirë dhe më i shpejtë i pacientëve brenda kornizës së sigurimit shtetëror publik. Sidoqoftë, ata të cilët duan konsultime apo trajtime më të gjata, mund të vizitojnë Dr.Leonardin edhe në ordinancën e tij private.

Megjithatë, Dr. Leonard Ndue ka një moto kur bie fjala tek ndërhyrjet kirurgjikale:

Motoja e tij është e qartë – kirurgjia është gjithmonë zgjidhja e fundit, sepse shumë probleme mund të trajtohen me sukses edhe brenda sistemit publik.

Liderët evropianë dënojnë sulmet e Iranit

Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe dënojnë ashpër sulmet iraniane ndaj vendeve të rajonit: “Irani duhet të ndërpresë goditjet arbitrare ushtarake”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të kancelarit gjerman Friedrich Merz, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministrit britanik Keir Starmer. Përmes kësaj deklarate ata bëjnë thirrje për kthimin në tryezën e bisedimeve duke kërkuar njëkohësisht që udhëheqja në Teheran “duhet të gjejë një zgjidhje përmes negociatave”, raporton DW, transmeton albinfo.ch.

Merz kritikon ashpër Iranin

Kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz i bëri thirrje Iranit që t’i ndërpresë menjëherë sulmet ushtarake ndaj objektivave në rajon. Në një deklaratë të publikuar mbrëmjen e së shtunës (28.02.2026) kancelari nënvizon gjithashtu, se Irani duhet “të heqë dorë edhe nga aktivitetet e tjera destabilizuese në rajon dhe më tej” si dhe “të ndërpresë dhunën kundër popullit të vet”.

Macron: Duhet ndalur përshkallëzimi aktual

Presidenti i Francës Emmanuel Macron tërheq vëmendjen për pasoja të rënda të një lufte ndërmjet SHBA-së dhe Izraelit nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Përshkallëzimi aktual duhet të ndalet, deklaroi Macron. Sipas tij, Franca është e gatshme, që nëse i kërkohet të verë në dispozicion mjetet e nevojshme për mbrojtjen e partnerëve të vet. Macron gjithashtu kërkoi mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit. Më parë NATO komunikoi, se po ndjek me saktësi zhvillimet në Iran dhe në rajon.Sanchez dënon sulmin e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit

Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez dënoi operacionin ushtarak të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit duke e quajtur atë si “sulm të njëanshëm”. Kjo përbën një përshkallëzim dhe kontribuon për një rend botëror të pasigurt dhe armiqësor, shprehet Sanchez.

E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme thërret mbledhje krize

E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme Kaja Kallas ka thirrur për të dielën (01.03.2026) mbledhjen e jashtëzakonshme online të ministrave të jashtëm të BE-së. “Sulmet e regjimit iranian pa dallim ndaj fqinjëve bartin rrezikun e përfshirjes së rajonit në një luftë të zgjeruar”, shkruan Kallas në platformën X. Është vendimtare, që lufta të mos përhapet më tej, nënvizon ajo.

Kreu krime që të përfundonte në burg, rasti që bëri bujë në Zvicër

Një gjykatë zvicerane ka dënuar një shtetas maqedonas 29-vjeçar me pesë vite burgim për një seri grabitjesh, por rrëfimi që ai dha para gjykatës ka lënë mbarë opinionin në shok.

Ai zbuloi se kishte kryer krime qëllimisht me qëllim që të arrestohej dhe kështu të çlirohej nga varësia e tij nga alkooli, raportojnë mediat shqiptare në Maqedoni.

Sipas aktakuzës, para dy vitesh ai kreu disa grabitje në dyqanet “Volg” dhe në argjendari, duke përvetësuar mijëra franga zvicerane.

Përveç kësaj, gjykata e ngarkon atë edhe për sjellje të dhunshme dhe kërcënime ndaj zyrtarëve, transmeton albinfo.ch.

“Në periudhën kur kreu veprat, ai ishte një alkoolist i rëndë dhe dëshironte me vetëdije të përfundonte pas hekurave, duke menduar se burgu ishte e vetmja mënyrë për t’u shëruar nga varësia”, raportojnë mediat zvicerane.

Përveç dënimit me burg, gjykata e dënoi atë edhe me një gjobë prej 80,500 frangash zvicerane për dëmshpërblim dhe gjoba të tjera. Pas vuajtjes së dënimit, ai do të dëbohet nga Zvicra dhe do t’i ndalohet hyrja në vend për një periudhë dhjetëvjeçare.

Ky rast ka zgjuar vëmendje të madhe publike, pasi rrallëherë pritet që dikush të përdorë veprat penale si një “plan rikuperimi”. Kjo metodë e pazakontë e luftës kundër varësisë ka hapur debate se sa larg mund të shkojë një person për të gjetur rrugën e tij drejt shpëtimit.

Arrestohen 5 persona në Skënderaj për krime lufte kundër popullatës civile

Policia e Kosovës, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale e Republikës së Kosovës, njofton se realizuan me sukses operacionin policor të koduar “SYRIGANA”, që ka rezultuar me arrestimin e pesë personave të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.

Hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, pas një pune intensive dhe hetimi profesional, “kanë zhvilluar veprime hetimore lidhur me vrasjen e gjashtë (6) civilëve shqiptarë në fshatin Syriganë, Komuna e Skenderajt, gjatë periudhës maj–qershor 1998. Gjatë këtij procesi janë siguruar prova materiale dhe dëshmi relevante, si dhe janë identifikuar persona të dyshuar, për të cilët është përpiluar kallëzim penal dhe dorëzuar në Prokurorinë Speciale”, njofton policia, transmeton albinfo.ch.

Policia thekson se në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin e rastit, hetuesit kanë ndërmarrë veprime shtesë hetimore, konform autorizimeve ligjore. Si rezultat i provave dhe dëshmive të grumbulluara, prokurori special ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

“Sot, më 01.03.2026, duke filluar nga ora 06:00, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, të mbështetur nga Njësia Speciale Operative, kanë realizuar planin operativ “SYRIGANA”, në gjashtë (6) lokacione të ndara – pesë (5) në Komunën e Skenderajt dhe një (1) në Mitrovicën e Veriut – ku janë arrestuar pesë (5) persona të dyshuar”, vijon njoftimi.

Gjatë zbatimit të operacionit, përmes prokurorit special është siguruar urdhër verbal për bastisje, i miratuar nga Gjyqtari i Procedurës Paraprake në Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special. Bastisjet janë kryer në objektet e banimit dhe objektet përcjellëse, ku janë konfiskuar: “1 armë e gjatë gjysmë-automatike SKS, kalibër 7.62 x 39 mm, 1 armë brezi e tipit Zastava M-57, kalibër 7.62 x 25 mm, 2 karikatorë dhe 77 fishekë, kalibër 7.62 x 25 mm, 1 pushkë gjuetie 12 GA (prodhim i ish-BRSS) me 17 fishekë dhe një rrethatore brezi dhe uniforma të ndryshme ushtarake dhe pjesë përbërëse të uniformave të ish-ushtrisë jugosllave”.

Me vendim të prokurorit special, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për procedura të mëtejme ligjore.

“Policia e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale mbetet e përkushtuar në zbardhjen e krimeve të luftës dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë, duke garantuar sundimin e ligjit dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre”, thuhet në njoftim.

Kush ishte Ajatollah Ali Khamenei, lideri shpirtëror i Iranit

Udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, lideri shpirtëror i Iranit dhe autoriteti më i lartë i vendit, i cili e drejtoi Republikën Islamike për pothuajse katër dekada, u vra gjatë sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit më 28 shkurt, në moshën 86-vjeçare.

I lavdëruar nga mbështetësit si një udhëheqës i urtë ndërsa nga kritikët si diktator, Khamenei do të mbahet mend si një figurë monumentale e Revolucionit Islamik, i cili e ndërtoi ngritjen e tij në pozitën e liderit suprem mbi reputacionin për devotshmëri dhe përkushtim të ashpër ndaj kauzës, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.

Përdorimi i forcës kundër popullit të tij, burgosja e figurave opozitare brenda vetë udhëheqësisë, si dhe rezistenca e madhe ndaj ndikimit të jashtëm – veçanërisht atij të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit – formësuan trashëgiminë e tij si një figurë e ashpër dhe e pakompromis, që e çoi vendin drejt izolimit ndërkombëtar.

“Historia do të tregojë se sundimi i Khameneit ishte thellësisht traumatik për popullin iranian, i cili e pa vendin e tij të izoluar dhe të dobësuar deri në pikën kur shumica e shihnin emigrimin si shpresën e vetme”, tha Alex Vatanka, drejtor i Programit për Iranin në Institutin për Lindje të Mesme, me seli në Uashington.

Vitet e fundit të sundimit të Khameneit u shënuan nga protesta të shpeshta mbarëkombëtare kundër udhëheqësisë dhe nga shtypje vdekjeprurëse shtetërore që lanë mijëra demonstrues të vrarë. Protestat për koston e lartë të jetesës në vitin 2017, çmimet e karburantit në 2019, mungesat e ujit në 2021 dhe vdekja në paraburgim e Mahsa Aminit, një gruaje të re që dyshohej se kishte shkelur ligjin për hixhabin në vitin 2022, pasqyruan rritjen e sentimentit kundër regjimit në Iran.

Por, protestat më vdekjeprurëse kundër Republikës Islamike shpërthyen në fund të dhjetorit 2025 dhe vazhduan në fillim të janarit 2026. Trazirat u shtypën brutalisht, me organizatat për të drejtat e njeriut që konfirmuan mbi 7.000 të vrarë, por paralajmëruan se numri real ka gjasa të jetë shumë më i lartë. Disa vlerësime flasin për katërfishin e shifrës së konfirmuar.

Khamenei kurrë nuk mori përgjegjësi për rritjen e pakënaqësisë kundër sundimit të tij dhe, në vend të kësaj, fajësoi aktorë të huaj për protestat kundër udhëheqësisë, duke pretenduar se ata synonin dobësimin e Republikës Islamike.

Gjatë gjithë jetës së tij, Khamenei tregoi një aftësi të veçantë për të luajtur në dy anë. Ata që e takuan në rini e kujtojnë si një klerik të gjatë dhe të dobët, që dashuronte poezinë dhe letërsinë, dhe ishte i interesuar të bisedonte me të rinjtë. Kjo bie në kontrast të madh me figurën e mëvonshme, me mjekër dhe qasjen antiamerikane që tërhoqi vëmendjen e botës.

Nën mbikëqyrjen e liderit dikur të hapur, represioni lulëzoi, rrethi i të brendshmëve në Teheran u ngushtua dhe Republika Islamike u bë gjithnjë e më e izoluar.

Për dekada me radhë, ai kishte fjalën e fundit për pothuajse të gjitha çështjet në Iran – nga nëse gratë mund të ngisnin biçikleta në publik deri te qasja e marrëdhënieve të vendit me Shtetet e Bashkuara, të cilat ai i quante “Djalli i Madh”.

Khamenei përdori lirshëm pushtetin e tij mbi institucione kryesore sikurse gjyqësori, transmetuesi shtetëror dhe ushtria. Nëse i nevojitej forcë, ai mbështetej në aparatin ushtarak të sigurisë që përfshinte trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe shërbimet e frikshme të inteligjencës së Iranit.

“Duke fuqizuar Gardën Revolucionare, ai e militarizoi politikën e vendit dhe, duke bashkëpunuar me establishmentin klerikal, e delegjitimoi atë”, tha Ali Vaez, drejtor i Projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

I lindur në Mashad në vitin 1939, Khamenei ishte djali i dytë i një kleriku. Ai e nisi edukimin fetar herët, u frymëzua në adoleshencë nga revolucionari i zjarrtë i Sayyid Navvab Safavit dhe studioi në qytetin e shenjtë të Komit nën udhëheqjen e themeluesit të ardhshëm të republikës islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini.

Khamenei fitoi reputacion si dijetar fetar i përulur dhe i devotshëm dhe, në vitin 1962, iu bashkua lëvizjes revolucionare të Khomeinit, e cila kundërshtonte shahun dhe politikat proamerikane të Teheranit. Aktivizmi i tij revolucionar tërhoqi vëmendjen e autoriteteve, duke çuar në arrestimin dhe burgosjen e parë nga shumë të tjera.

Në vitin 1964, 25-vjeçari Khamenei vendosi të largohej nga Komi për t’u kujdesur për të atin – një “vepër e mirë” që më vonë tha se ishte bekuar nga Zoti dhe që ia atribuoi suksesit të tij të mëvonshëm.

Në Mashad, Khamenei dha mësime mbi Kuranin dhe ideologjinë islame, çka çoi në burgime, tortura dhe përfundimisht në internim të brendshëm. Kur ndodhi revolucioni në vitin 1979, ai u emërua në Këshillin Revolucionar Islamik nga ish-mësuesi i tij, Khomeini.

Ai do të mbante disa poste të rëndësishme brenda regjimit klerikal – përfshirë dy mandate si president – dhe i mbijetoi një atentati në vitin 1981 që ia paralizoi dorën e djathtë.

Kur Khomeini vdiq në vitin 1989 pa një pasardhës të qartë, Khamenei u zgjodh si lideri i dytë suprem i Iranit nga Asambleja e Ekspertëve, një organ klerikal me 88 anëtarë.

Zgjedhja habiti shumëkënd – duket se edhe vetë Khamenein. “Duhet të derdhim lot gjaku për shoqërinë islamike që është detyruar madje të më propozojë mua [si lider suprem]”, kishte thënë Khamenei para emërimit të tij. “Ndryshe nga paraardhësi i tij, i cili nuk i përkiste asnjë fraksioni të caktuar politik, Ajatollah Khamenei ishte lideri de facto i kampit konservator. Kështu ai humbi aftësinë për të qëndruar mbi përplasjet dhe për të menaxhuar në mënyrë efektive rivalitetet fraksionare”, tha Vaez.

Gjatë sundimit të tij, ai u shpreh hapur kundër Shteteve të Bashkuara, për të cilat pretendonte se synonin rrëzimin e Republikës Islamike dhe rivendosjen e një marrëdhënieje patron-klient me Teheranin.

Nën mbikëqyrjen e tij, Irani zgjeroi ndikimin në rajon përmes të ashtuquajturit “Boshti i Rezistencës” – një rrjet i lirshëm përfaqësuesish, grupeve militante të mbështetura nga Teherani dhe aktorëve shtetërorë aleatë që luajnë rol të rëndësishëm në strategjinë e Iranit për t’iu kundërvënë Perëndimit, kundërshtarëve arabë dhe rivalit të tij kryesor, Izraelit.

Por ky rrjet u shpërbë pas rënies së Qeverisë së Bashar al-Assadit në Siri në vitin 2024 dhe një fushate izraelite për të shkatërruar udhëheqjen e Hezbollahut në Liban, grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja, për të dobësuar kapacitetet e Huthve në Jemen dhe për të goditur rëndë Hamasin në Rripin e Gazës.

Edhe Hamasi është i shpallur grup terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi tjera.

Khamenei u zhduk dukshëm nga sytë e publikut gjatë luftës 12-ditore të Izraelit kundër Iranit në qershor 2025, gjë që ngriti pikëpyetje për udhëheqjen e tij në qarqet politike të vendit.

Khamenei pati përplasje me shumë prej presidentëve të Iranit, të cilët më pas u margjinalizuan nga udhëheqësia.

Përjashtimi kryesor ishte Ebrahim Raisi, një klerik i linjës së ashpër që shumëkush besonte se po përgatitej për ta pasuar Khamenein si lider suprem. Raisi vdiq në një aksident me helikopter në maj 2024, duke ndërlikuar planet e pasardhjes së Khameneit.

Asambleja e Ekspertëve me 88 anëtarë, e dominuar nga klerikë konservatorë, tani do të duhet të emërojë një pasardhës të Khameneit.

“Ai do të mbahet mend si një njeri që pati shumë mundësi për të dëgjuar popullin e tij dhe për të ndryshuar qasjen. Por, si lider suprem ishte aq i vendosur në qëndrimet e tij të ngurta, aq i vendosur të triumfonte ndaj rivalëve të brendshëm dhe të jashtëm, dhe thellë brenda vetes aq i pasigurt, sa kurrë nuk zgjodhi vërtet një reflektim serioz”, tha Vatanka.

Khamenei la pas katër djem, një vajzë dhe bashkëshorten e tij. Vajza e dytë raportohet se vdiq në të njëjtat sulme të SHBA-së dhe Izraelit që vranë Khamenein.

Kerzers, Fribourg: Drejtuesi i mopedit vdes në përplasje me traktorin

Një drejtues 72-vjeçar i një mopedi u godit nga një traktor dhe u plagos për vdekje të premten pasdite në Kerzers, Fribourg.

Ai ndërroi jetë nga plagët e marra në vendin e aksidentit, siç njoftoi policia kantonale e Fribourgut të shtunën, transmeton albinfo.ch.

Policia mbërriti shpejt në vendngjarje dhe mori përsipër përpjekjet e ringjalljes që ishin nisur nga kalimtarët. Një ambulancë nga Murteni dhe një mjek urgjence gjithashtu nxituan në vendngjarje, shkruan sda.ch.

“Pavarësisht përpjekjeve të ringjalljes, drejtuesi i motoçikletës vdiq në vendngjarje,” shkroi policia kantonale e Fribourgut në një njoftim për shtyp.

Përplasja ndodhi pak pas orës 17:00 pasdite. Arsyeja pse drejtuesi 44-vjeçar i traktorit u përplas me drejtuesin e mopedit është nën hetim, sipas deklaratës.

 

Kosovë: Mbi 4.5 milionë qytetarë kanë udhëtuar me aeroplan në vitin 2025

Viti 2025 ka shënuar një vit dinamik për transportin në Kosovë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përveç sektorit ajror, edhe ai hekurudhor dhe rrugor tregojnë rritje të ndjeshme.

“Në vitin  2025 gjithsej numri i fluturimeve të realizuara ishte 14,516 ose 11,7 % më shumë sesa në periudhën e kaluar (viti 2024), ndërsa numri i udhëtarëve gjithsej ishte 4,595,524 ose 12,7 % më shumë sesa në periudhën e kaluar.”- thuhet në komunikatë, shkruan guxo.com.

Burimi: Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK]

Në transportin hekurudhor, 87 mijë pasagjerë kanë përdorur trenin si mjet transporti, që është 29% më shumë krahasuar me vitin 2024.

“Në vitin 2025, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte rreth 87 mijë, ose 29% më shumë sesa në periudhën e kaluar (viti 2024). Mallra të transportuara përmes hekurudhës nuk kishte në vitin 2025.”- thotë ASK.

 

Sa i përket transportit rrugor, janë regjistruar mbi 546 mijë mjete motorrike dhe jo motorike, apo mbi 5% më shumë.

“Në vitin 2025 në Kosovë janë të regjistruara 546,551 mjete motorike dhe jomotorike, ku në raport me vitin 2024 ka një rritje për 5,34%.”- bën të ditur ASK.

Këto të dhëna u bën të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) me publikimin  “Statistikat e Transportit për vitin 2025”.

Hamza me “ofertën e fundit” Kurtit: Presidenti të zgjidhet nga PDK-ja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka njoftuar se i ka ofruar kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, një marrëveshje sipas së cilës presidenti i vendit do të zgjidhej nga një propozim i subjektit që ai drejton.

Në konferencën për media pas takimit me Kurtin, Hamza ka thënë se kjo është oferta e fundit zyrtare e partisë së tij për të shmangur zgjedhjet dhe për të zhbllokuar situatën politike ndërsa u shpreh se tani pret një sinjal nga Lëvizja Vetëvendosje lidhur me këtë propozim, transmeton albinfo.ch.

“Sot, në takimin e dytë me Kurtin, PDK-ja ofroi edhe një mundësi konkrete dhe të fundit për të shmangur zgjedhjet, duke propozuar zgjedhjen e një presidenti nga radhët tona, me qëllim garantimin e stabilitetit institucional dhe tejkalimin e ngërçit politik. Kryesia e PDK-së vlerëson se kontributi ynë në këtë proces është përmbushur”, tha ai.

Hamza deklaroi se kërkesa fillestare ka qenë që kandidatura të vinte nga familja Jashari, por se familja ka dalë zyrtarisht kundër përfshirjes në proces politik.

Tutje, ai tha se përgjegjësia bie mbi shumicën parlamentare.

“Nuk mund dhe nuk do të marrim përgjegjësinë që nuk na takon. Nuk mund ta zëvendësojmë shumicën parlamentare. Jemi opozitë, do të sillemi si të tillë. Nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore. Opozita ka rol kontrollues, jo rol shpëtues. Kosova ka nevojë për president, për institucione konsensuale, ka nevojë për shumicë parlamentare që mban përgjegjësi dhe larg lojërave politike. Nga sot, përgjegjësia është e atyre që qeverisin”, u shpreh ai.

Bedri Hamza njoftoi se në takimin e sotëm nuk është diskutuar asnjë emër konkret, pasi palët nuk kanë arritur deri në atë fazë të bisedimeve.

Bernë: Me flamuj të Iranit dhe Izraelit, dhjetëra kundërshtarë të regjimit festuan para ambasadës iraniane

Dhjetëra persona janë paraqitur sot para ambasadës iraniane në Bernë, për të festuar sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër regjimit iranian.

Paraqitja e tyre u pa me flamuj të Iranit dhe Izraelit, teksa ata demonstronin për çlirimin e vendit, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe, paraditen e sotme, Izraeli në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë sulmuar së bashku Iranin për të përmbysur regjimin islamik.

Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi me apel për qytetarët e Kosovës

Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi ka dalë me njoftim, në bazë të së cilit u tha se për shkak të rritjes së tensioneve në rajon, ekziston rrezik i shtuar për përshkallëzim të situatës, i cili mund të sjellë ndërprerje të udhëtimeve dhe ndikime të tjera të paparashikuara.

Në njoftim, ambasada u bën thirrje shtetasve të Republikës së Kosovës që jetojnë dhe punojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe të informohen rregullisht përmes burimeve zyrtare dhe mediave, të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore dhe të shmangin zonat pranë objekteve të sigurisë dhe atyre ushtarake, transmeton albinfo.ch.

“Ambasada do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe do të njoftojë për çdo zhvillim të ri. Për raste urgjente, ju lutem kontakoni numrin urgjent të ambasadës tonë në Abu Dhabi: +971 547092109”, thuhet në njoftim.

15 persona ekstradohen nga Dubai drejt Shqipërisë

Prej vitesh, Dubai konsiderohej si një strehë e sigurt për persona të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Mungesa e një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe kishte krijuar bindjen se të shumëkërkuarit mund t’i shmangeshin lehtësisht ndjekjes penale duke u vendosur atje, përcjell albinfo.ch. 

Megjithatë, ky perceptim ka nisur të zbehet ndjeshëm. Nga marsi 2024 deri në shkurt 2026, autoritetet shqiptare kanë realizuar 15 ekstradime nga Dubai, duke shënuar një kthesë të dukshme në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe në çmontimin e idesë së paprekshmërisë.

Ekstradimi i parë që sinjalizoi këtë ndryshim ishte ai i Bruno Çobos, më 13 mars 2024, i akuzuar për mashtrim kompjuterik. Një muaj më pas u ekstradua edhe Panol At Nikoll për të njëjtën vepër penale. Më 14 gusht 2024 u realizua një nga operacionet më të bujshme, me kthimin në Shqipëri të Plarent Dervishajt dhe Julian Meçajt, të akuzuar për vrasje.

Gjatë vitit 2025, lista e të ekstraduarve u zgjerua me emra të njohur të botës së krimit, përfshirë Florenc Çapjan, Armis Stafën dhe Dashnor Dumanin. Më 19 qershor 2025, brenda një dite, u realizuan tre ekstradime të tjera, ndërsa në vijim u dorëzuan edhe Denis Bajri, Kleviol Ahmeti dhe Amar alias Dritan Shkëmbi.

Ekstradimi më i fundit dhe ndër më të përfolurit ishte ai i Durim Bamit, më 26 shkurt 2026.

Aktualisht, pritet që edhe pesë persona të tjerë të kthehen në Shqipëri, ndërsa autoritetet vijojnë koordinimin me homologët në Emiratet e Bashkuara Arabe. Zhvillimet e fundit tregojnë se Dubai nuk konsiderohet më një strehë e garantuar për t’i shpëtuar drejtësisë shqiptare, duke sinjalizuar një fazë të re në bashkëpunimin ndërkombëtar kundër krimit të organizuar.

Në Konsullatën e Kosovës në Mynih u shënua 18 vjetori i Pavarësisë

Më 26 shkurt 2026, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republika e Kosovës, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Mynih “hapi dyert e saj për një mbrëmje festive, të mbushur me emocion, krenari dhe dashuri për atdheun”, thuhet në një postim të Konsullatës së përmendur, të publikuar në mediat sociale.

Shumë bashkatdhetarë, nga breza dhe fusha të ndryshme, u mblodhën për të festuar së bashku një datë që na lidh zemrat kudo që jemi. Nën tingujt e Himnit të Republikës së Kosovës dhe atij Kombëtar, u ndje fuqishëm fryma e unitetit dhe mirënjohjes për rrugëtimin e shtetit tonë.

Në fjalën e rastit, Konsulli i Përgjithshëm, z. Afrim Nura, kujtoi domethënien e 17 Shkurtit si simbol lirie, sakrifice dhe shprese për të ardhmen. Atmosfera u bë edhe më e ngrohtë përmes pjesës artistike nga kitaristja Tringa Sadiku, duke i dhënë mbrëmjes ndjeshmëri dhe elegancë, vazhdon njoftimi.

Shijet tradicionale dhe verërat “Made in Kosova” sollën aromën e vendlindjes në zemër të Bavarisë, duke e kthyer këtë pritje në një moment të paharrueshëm bashkimi, thuhet në fund të njoftimit të publikur nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Mynih.

Glrus: Një shqiptar dhe një rumune arrestohen për trafikim droge

Të mërkurën, më 18 shkurt 2026, një burrë 44-vjeçar u ndalua nga Policia e Kantonit të Glarusit me rstin e  një kontrolli rutinë identiteti. U zbulua se ndaj tij ishte në fuqi një ndalim hyrjeje në Zvicër, transmeton albinfo.ch. Një kontroll i mëvonshëm trupor zbuloi tek ai afërsisht 60 gramë heroinë.

Kontrollimi i mëvonshëm i banesës së tij  zbuloi narkotikë të tjerë dhe një sasi të madhe parash, shkrun polizei-glarus.ch. Me ndihmën e një qeni nuhatës, u sekuestruan afërsisht gjysmë kilogrami heroinë dhe disa mijëra franga zvicerane në para të gatshme.

Për shkak të dyshimeve të forta për përfshirjen e saj në krim, u arrestua edhe një grua 52-vjeçare, shtetase rumune.

Të dyshuarit janë aktualisht në paraburgim. Shtetasi 44-vjeçar shqiptar dhe shtetasja 52-vjeçare rumune përballen me disa vite burg.

Hetime të mëtejshme nga Policia Kriminale e Glarus janë duke vazhduar, përcjell albinfo.ch. Rasti po trajtohet nga Prokuroria Publike dhe Zyra e Prokurorit për të Mitur të Kantonit të Glarus.

(Foto: KAPO Glarus)

Politika është i vetmi vend ku unë delegoj përgjegjësinë time!

Politika është i vetmi vend ku unë delegoj përgjegjësinë time.

Si sipërmarrës, e mbaj vetë atë përgjegjësi. Për vendet e punës. Për rritjen. Për mirëqenien. Për stabilitetin.

Në politikë zgjedh njerëz të cilëve ua besoj këtë përgjegjësi. Unë vetë nuk kam të drejtë vote në qytetin e Cyrihut. Por po ta kisha, do ta votoja Perparim Avdilin.

Me Perparimin ndajmë më shumë se një miqësi të gjatë. Vijmë nga i njëjti rajon, kemi lindur në të njëjtën ditë dhe të dy e njohim ndjenjën e të rriturit në kushte të thjeshta, me dëshirën për të ndërtuar diçka më të madhe se vetja.

Rrugët tona kanë qenë të ndryshme. Ai zgjodhi politikën. Unë zgjodha sipërmarrjen. Ajo që na lidh është bindja se puna dhe merita kanë rëndësi. Se forca ekonomike është baza e kohezionit shoqëror. Se vendet e punës, inovacioni dhe përgjegjësia nuk janë kundër përparimit shoqëror, por themeli i tij. Në mbarë botën shohim se njerëzit me histori jo klasike mund të sjellin vlerë të jashtëzakonshme, kur u jepet mundësia.

Cyrihu jeton pikërisht nga kjo hapje. Për disa, një kryetar bashkie me historinë e tij mund të duket i pamundur. Ndoshta edhe i paarritshëm. Por përparimi rrallë lind nga ajo që është e zakonshme. Nuk duhet të jesh dakord për çdo gjë. Por duhet të dallosh kush është gati të mbajë përgjegjësi. Unë besoj se ai e meriton një mundësi të drejtë. Vendimi është i juaji.

 

Beograd: Gjykata dënon ish-pjesëtarin e UÇK-së në mungesë me 15 vjet burgim

Një gjykatë në Beograd e ka dënuar në mungesë ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Gjelosh Krasniqi me 15 vjet burgim nën akuzat për krime gjatë luftës në Kosovë.

Më 26 shkurt, Krasniqi është shpallur fajtor për vrasjen e tre personave dhe plagosjen e një civili serb në qershor të vitit 1999 në fshatin Bellopojë afër Pejës.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka thënë se aktakuza kundër Krasniqit bazohet kryesisht në deklarata të dëshmitarëve dhe prova të kufizuara forenzike dhe mjeko-ligjore dhe se avokati mbrojtës, sipas detyrës zyrtare, nuk kishte kontakt me të pandehurin.

Kjo organizatë joqeveritare ka thënë se bashkëpunimi me institucionet gjyqësore të Kosovës është i domosdoshëm për ndjekjen penale të krimeve kundër serbëve në Kosovë.

“Sidomos për faktin se Krasniqi është dënuar për krime kundër civilëve nga Gjykata e Qarkut e Pejës në vitin 2009”, është thënë në deklaratë.

Aty përmendet edhe se gjykimet në mungesë në rastet e krimeve të luftës në Kosovë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe se “krijohet përshtypja se motivet për fillimin e procedurave të tilla rrjedhin pjesërisht nga hakmarrja ligjore dhe jo ekskluzivisht nga dëshira për të arritur drejtësi për viktimat”.

Fondi ka rikujtuar se Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi deri më tani ka ngritur shtatë padi kundër personave që nuk janë në dispozicion të gjyqësorit serb dhe se pesë prej tyre janë kundër qytetarëve të Kosovës, për krime të kryera kundër popullsisë joshqiptare.

Që nga viti 2014, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës nuk ka ngritur asnjë padi të re për krime në Kosovë kundër personave që janë shtetas të Serbisë.

Në përgjigje të këtyre kritikave, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se “ata fillojnë dhe zhvillojnë procedurat në përputhje me provat dhe ligjin”.

Serbia, përveç ngritjes së padive dhe gjykimeve në mungesë, ka vazhduar të ndalojë qytetarët e Kosovës në pikat kufitare.

Arrestimi i fundit ndodhi më 5 shkurt, kur një ish-anëtar i UÇK-së u arrestua në pikën kufitare midis Serbisë dhe Kroacisë. Komisioni Evropian paralajmëroi në atë kohë se arrestimi dhe ndjekja penale e një shtetasi të Kosovës nga autoritetet serbe përfaqësonte një tjetër shkelje të detyrimeve të Serbisë sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me Kosovën, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel.

“Serbia është zotuar të mos fillojë hetime penale ose ndjekje penale për krime të dyshuara të kryera në Kosovë, përveç nëse kërkohet nga autoritetet e Kosovës”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se akuzat për krime lufte dhe krime të tjera të rënda janë brenda juridiksionit të institucioneve të Kosovës dhe i bëri thirrje Serbisë të përmbushë detyrimet e saj./REL

Supremja vërteton dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës

Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme ka marrë vendim lidhur me ankesën e paraqitur nga mbrojtja e të akuzuarit Dardan Krivaqa për veprën penale vrasje e rëndë.

Në njoftim thuhet se në seancën e mbajtur më 22 dhjetor 2025, kolegji i shkallës së tretë, pas shqyrtimit të shkresave të çështjes, pretendimeve të paraqitura në ankesë, propozimit të Prokurorisë së Shtetit dhe përgjigjes së përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, me shumicë votash ka marrë aktgjykim me të cilin refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit, ndërsa vërtetohen aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe aktgjykimi i Gjykatës së Apelit.

“Me aktgjykimin e shkallës së parë, i akuzuari Dardan Krivaqa ishte shpallur fajtor për veprën penale vrasje e rëndë dhe ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Aktgjykimi ishte vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.ch.

Duke shqyrtuar pretendimet e paraqitura nga mbrojtja e të akuzuarit, Kolegji i Gjykatës Supreme konstaton se aktgjykimet e gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë, nuk përmbajnë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se janë dhënë arsye të qarta për vendimmarrjen.

Kolegji gjyqësor vlerëson se gjykatat më të ulëta kanë analizuar në mënyrë të detajuar të gjitha provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, përfshirë dëshmitë, raportet e ekspertizave dhe provat materiale, duke përfshirë edhe video-incizimet e administruara nga banesa ku kanë qëndruar i akuzuari dhe viktima.

“Nga këto prova është konstatuar se viktima, Marigona Osmani ka qenë në gjendje të rënduar fizike gjatë periudhës kritike dhe se lëndimet e saj janë shkaktuar si rezultat i veprimeve të dhunshme të të akuzuarit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Kolegji Gjyqësor i Gjykatës Supreme ka vlerësuar raportin e autopsisë dhe deklarimet e ekspertëve mjeko-ligjorë, sipas të cilëve vdekja e viktimës ka ardhur si pasojë e lëndimeve të shumëfishta trupore (politraumë) të shkaktuara nga goditje me mjet të fortë. Ndaj, është konstatuar se viktima ka përjetuar dhimbje të rënda fizike gjatë kohës kur janë shkaktuar lëndimet, gjë që mbështetë kualifikimin juridik të veprës si vrasje e kryer në mënyrë mizore.

Kolegji gjyqësor ka shqyrtuar gjithashtu pretendimet e mbrojtjes lidhur me procedurën e rigjykimit, ekspertizën psikiatrike të të akuzuarit dhe pretendimet për ndikim të substancave narkotike, duke konstatuar se këto pretendime nuk janë mbështetur me prova që do ta vinin në dyshim ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave më të ulëta. Nga raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike është konstatuar se tek i akuzuari nuk është gjetur ndonjë çrregullim mendor i karakterit psikotik dhe se ai ka qenë i aftë të kuptojë veprimet e tij.

Kolegji gjyqësor i Gjykatës Supreme konstaton se dënimi me burgim të përjetshëm i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë dhe i vërtetuar nga gjykata e shkallës së dytë është në përputhje me ligjin dhe me rrethanat e çështjes, duke marrë parasysh natyrën e rëndë të veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale dhe pasojat e saj.

Çfarë duhet të dini për zhvillimet kryesore në Zvicër gjatë muajit mars

Nga referendumet kombëtare dhe kantonale te afatet tatimore dhe linjat e reja ajrore – ja ngjarjet kryesore të muajit

Muaji mars 2026 sjell një sërë ndryshimesh dhe zhvillimesh të rëndësishme në Zvicra, që prekin shëndetësinë, politikën, taksat dhe transportin ajror.

1 mars: vaksinat dhe antibiotikët nuk konsiderohen më në mungesë kritike

Sipas Federal Office for National Economic Supply, rezervat e detyrueshme për disa antibiotikë (të përdorura që nga viti 2019) dhe vaksina (që nga viti 2023) janë rimbushur pothuajse plotësisht. Kjo do të thotë se këto produkte nuk konsiderohen më në mungesë serioze.

2–20 mars: Seanca pranverore e Parlamentit

Të dy dhomat e parlamentit – National Council dhe Council of States – rikthehen në seancë, me dhjetëra çështje për diskutim.
Mes temave kryesore janë: iniciativa e SVP për ruajtjen e neutralitetit zviceran; kërkesa sistematike për certifikatë penale për qytetarët e BE-së që aplikojnë për leje qëndrimi; lejimi i mbiemrave të dyfishtë për çiftet e martuara; ndalimi i importit të foie-gras; nxitja e rikthimit të pensionistëve në tregun e punës; si dhe taksa e transitit për turistët e huaj.

8 mars: Zvicra voton

Në raundin e parë të referendumeve kombëtare të vitit 2026, qytetarët do të votojnë për katër iniciativa:

Uljen e tarifës vjetore të transmetimit publik nga 330 në 200 franga

Futjen e taksimit individual, duke hequr tatimin e përbashkët për çiftet e martuara

Politika të drejta për energjinë dhe klimën

“Paraja e gatshme është liri”, që synon garantimin kushtetues të parasë cash

Në të njëjtën ditë mbahen edhe referendume rajonale, përfshirë uljen e ndihmës sociale në Aargau, kufizimin e shpejtësisë 30 km/h në Basel-Country, dhe pagën minimale për punët verore në Gjeneva.

20 mars: Fillon pranvera

Ekuinoksi i pranverës ndodh më 20 mars, në orën 04:00 të mëngjesit, kur dita dhe nata janë pothuajse të barabarta.

29 mars: Ora verore

Ora verore fillon më 29 mars në orën 03:00, kur akrepat zhvendosen një orë përpara, duke sjellë më shumë dritë në mbrëmje.

31 mars: Afati për deklarimin e taksave

Në shumicën e kantoneve, afati për dorëzimin e deklaratave tatimore është 31 mars. Në disa, si Bern dhe Vaud, afati është 15 mars. Zgjatjet janë të mundshme me kërkesë pranë autoriteteve tatimore.

Fluturime të reja

Kompania ajrore SWISS hap një linjë të re evropiane nga Zurich drejt qytetit polak Poznań. Fluturimet nisin më 29 mars dhe do të operohen të hënave, të enjteve dhe të dielave./Albinfo.ch

Hapet shkolla shqipe në Lubjanë për fëmijët e diasporës

Në Lubjanë është hapur zyrtarisht shkolla shqipe për fëmijët e komunitetit shqiptar në Slloveni, falë angazhimit të Shoqata Shqiptare “Migjeni” dhe nën kujdesin e Ambasada e Shqipërisë në Slloveni si dhe Ambasada e Kosovës në Slloveni, shkruan albinfo.ch.

Organizatorët ftojnë të gjithë prindërit shqiptarë që dëshirojnë t’u mësojnë fëmijëve të tyre gjuhën shqipe, të paraqiten çdo të shtunë në orën 10:00, në ambientet e Shoqatës “Migjeni”, në adresën Celovška 177, Lubjanë.

Mësimi i gjuhës shqipe do të jetë falas për të gjithë nxënësit. Për informata shtesë dhe regjistrim, të interesuarit mund të kontaktojnë në numrin e telefonit: 041 550 944.

Hapja e kësaj shkolle synon ruajtjen dhe promovimin e gjuhës dhe identitetit kombëtar në diasporë. “Gjuha është vlera dhe rrënja më e rëndësishme e kombit tonë”, theksojnë organizatorët, duke ftuar komunitetin shqiptar të bëhet pjesë e kësaj nisme arsimore./Albinfo.ch

 

Në Zvicër pritet rritje e temperaturave, moti i ngrohtë rrit rrezikun për alergjitë

Moti i ngrohtë dhe periudhat e thata po sjellin vështirësi për personat që vuajnë nga alergjitë sezonale në Zvicra. Sipas specialistëve, temperaturat mbi 5 gradë Celsius, siç po regjistrohen aktualisht në vend, favorizojnë lirimin e sasive të mëdha të polenit në ajër, përcjell albinfo.ch.

Parashikimi i polenit nga shërbimi meteorologjik MeteoSchweiz tregon se pemët e lajthisë dhe të verrit janë duke përjetuar një lulëzim veçanërisht të fortë, çka rrit ndjeshëm rrezikun për reaksione alergjike.

Në këtë kontekst, Roxane Guillod, shefe e shërbimeve specialistike në Qendra Zvicerane për Alergji, u bën thirrje personave të prekur që të veprojnë me kohë.

“Ata që reagojnë në mënyrë alergjike ndaj këtyre llojeve të polenit duhet tashmë të fillojnë marrjen e antihistaminikëve”, ka theksuar Guillod.

Ekspertët këshillojnë gjithashtu kujdes të shtuar gjatë aktiviteteve në natyrë dhe ndjekjen e rregullt të parashikimeve të polenit për të shmangur përkeqësimin e simptomave.

Derisa priten faturat e reja të rrymës, Kosova paguan edhe për bllokadën serbe

Kur Kosova paguan deri në 800 euro për të transportuar një megavat-orë (MWh) energji, qytetarët nuk paguajnë vetëm për rrymën që u shkon në prizë.

Ata paguajnë edhe për pasojat e një bllokade politike, për tensionet me fqinjët dhe për dobësitë e një sistemi energjetik që nuk arrin t’i mbulojë nevojat bazë të vendit.

Që nga viti 2020, kur Serbia bllokoi linjën e transmisionit me Kosovën, u kufizuan rrugët më të shkurtra dhe më të lira për importimin e energjisë, duke e detyruar vendin të përdorë alternativa më të kushtueshme.

Si rezultat, kostot shtesë u reflektuan drejtpërdrejt edhe në faturat e energjisë për qytetarët dhe bizneset.

Me shpalljen e tarifave të reja vjetore, që pritet të bëhet deri në fund të muajit të ardhshëm, pasiguria vazhdon të mbetet e lartë, pasi nuk përjashtohet mundësia e një tjetër rritjeje të çmimit të energjisë elektrike.

Shpresë për ndryshim ka, pasi Serbia është obliguar që deri më 1 korrik të lejojë tregtimin e energjisë me Kosovën, por mbetet e paqartë nëse ky vendim do të zbatohet në praktikë.

Pse Kosova importon energji?

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk mjafton për të përballuar kërkesën e konsumatorëve për energji elektrike, sidomos gjatë dimrit.

Termocentralet me qymyr janë të vjetra dhe shpesh ndalojnë së punuari, për shkak të prishjeve dhe mirëmbajtjes, ndërsa prodhimi nga burimet e ripërtëritshme mbetet i vogël.

Vetëm nga janari deri në nëntor të vitit të kaluar, Kosova shpenzoi rreth 250 milionë euro për blerje të energjisë nga jashtë.

Çmimet e transportit arritën në nivele astronomike – deri në 800 euro për MWh në ditë të caktuara gjatë vitit të kaluar, sipas Ministrisë së Ekonomisë.

Autoritetet e konsiderojnë bllokimin e linjës së transmisionit nga Serbia si faktorin kryesor që rrit kostot e importit dhe të transportit.

Për një vend me rreth 1.5 milion banorë dhe një ekonomi në zhvillim, këto kosto përbëjnë një barrë të konsiderueshme financiare, pasi rritja e shpenzimeve për energji ndikon jo vetëm në buxhetin e shtetit, por edhe në konkurrueshmërinë e bizneseve dhe në rritjen e çmimeve për konsumatorët.

“Si pasojë e bllokadës nga ana e Serbisë, deri në 600 MW kapacitet transmisioni në kufirin Kosovë-Serbi nuk shfrytëzohet për shkëmbime komerciale – çfarë ushtron presion të vazhdueshëm mbi linjat e tjera ndërkufitare”, thonë nga Ministria e Ekonomisë e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.

Origjina e bllokadës

Problemi filloi në dhjetor të vitit 2020, kur Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) filloi të operojë në mënyrë të pavarur.

Kosova doli nga blloku rregullues me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe u bashkua me Shqipërinë, duke aktivizuar linjën interkonektive 400 kV Kosovë-Shqipëri, e njohur si “Autostrada energjetike Kosovë-Shqipëri”.

Që nga ajo kohë, Serbia bllokoi linjat e transmisionit të energjisë në Kosovë, dhe vendi u detyrua të tregtonte përmes kufijve me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, ky devijim “politik” i ka kushtuar Kosovës miliona euro në vit – konkretisht rreth 150 milionë vetëm në vitin 2024.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kundërshton pjesëmarrjen e saj të plotë në mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë sektorin energjetik.

Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, dy vendet arritën Marrëveshje për Energjinë në vitet 2013 dhe 2015, ndërsa në qershor 2022 miratuan edhe Udhërrëfyesin për zbatimin e tyre. Por, si shumë të tjera, as ato nuk u zbatuan kurrë plotësisht.

KOSTT-i konfirmon se Elektro-ekonomia e Serbisë (EMS) nuk ka nënshkruar ndonjë marrëveshje për tregtim të kapaciteteve me Kosovën.

“Që nga ajo periudhë [2020] e deri më sot nuk ka pasur dhe vazhdon të mos ketë tregti komerciale të energjisë elektrike në kufirin me Serbinë”, thuhet në përgjigjen e KOSTT-it për Radion Evropa e Lirë.

REL-i kërkoi qëndrim nga operatori serb, EMS, lidhur me këtë çështje, por nuk mori përgjigje.

Pasojat në tregun energjetik

Mosalokimi i kapaciteteve në kufirin Kosovë-Serbi ka kufizuar konkurrencën, ka zvogëluar rrugët alternative për import dhe ka rritur kërkesën dhe çmimet në kufijtë e tjerë.

Ministria e Ekonomisë thotë se ky është një faktor që ka ndikuar pjesërisht në rritjen e tarifave për konsumatorët, të cilat vitin e kaluar u shtrenjtuan për rreth 16%.

Muajin e kaluar, tre operatorët energjetikë në Kosovë kërkuan rritjen e tarifave të energjisë elektrike edhe për këtë vit.

Sa kushton aktualisht energjia elektrike?

Sipas tarifave aktuale, konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kilovat-orë (kWh) në muaj, paguajnë 9.05 centë për kilovat-orë.

Konsumatorët që e tejkalojnë këtë prag, paguajnë 15.43 centë për kilovat-orë për energjinë e shpenzuar mbi këtë nivel.

Ndërkohë, gjatë tarifave të ulëta – që zbatohen nga ora 23:00 deri në 08:00 – çmimet janë më të favorshme: konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kWh paguajnë 3.88 centë për kilovat-orë, ndërsa ata që e tejkalojnë këtë prag, paguajnë 7.28 centë për kilovat-orë.

Eksperti i çështjeve energjetike, Nebih Zariqi, shpjegon për Radion Evropa e Lirë:

“Është si me rrugët tokësore – kur rruga më e shkurtër është e bllokuar, duhet përdorur rrugë më të gjata – gjë që rrit automatikisht koston e transportit. Tregtarët mund të manipulojnë edhe me çmimet për MWh”.

Megjithatë, as KOSTT-i dhe as Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) nuk kanë publikuar shifra për vlerën totale të paguar për këto linja transmetimi gjatë pesë vjetëve të fundit.

Përpjekjet për zgjidhje

KOSTT e ka ngritur këtë problem në nivel rajonal dhe evropian, duke hapur rast në Komunitetin e Energjisë.

Dhjetorin e kaluar, Kosova mori kryesimin e kësaj organizate ndërkombëtare, qëllim i së cilës është ta mbështesë rrugën e vendeve anëtare të saj drejt anëtarësimit në BE, përmes zbatimit të ligjeve energjetike të BE-së.

Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë vendosi atëkohë që Serbia duhet të lejojë tregtimin e energjisë me Kosovën më së largu deri më 1 korrik 2026.

“Ky bllokim, i cili ka vazhduar për më shumë se pesë vjet, ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta negative në funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës, duke rritur ngarkesën e rrjetit dhe kostot e transmisionit përmes linjave alternative me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Republikën e Shqipërisë”, tha ministrja e Energjisë, Artane Rizvanolli, dhjetorin e kaluar.

Ministria e saj zotohet se do të monitorojë nga afër zbatimin e këtij vendimi.

Përkundër përpjekjeve, Radio Evropa e Lirë nuk mori përgjigje nga operatori serb, EMS, ose nga Këshilli Ministror i Komunitetit të Energjisë lidhur me masat që do të ndërmerren nëse linjat nuk hapen në afatin e caktuar.

Nëse bllokada vazhdon, Kosova do të mbetet e detyruar të importojë energji përmes rrugëve më të gjata dhe më të shtrenjta, duke rritur më tej kostot për qytetarët dhe ekonominë.

Në afat të gjatë, kjo situatë mund të ndikojë edhe në sigurinë energjetike të vendit dhe në aftësinë e tij për të tërhequr investime./REL

Zvicër: Muaj i ri, ligje të reja: ja ndryshimet që do të hyjnë në fuqi në mars

Një komision i kryesuar nga ish-Këshilltarja Federale Simonetta Sommaruga tani do të këshillojë Konfederatën mbi menaxhimin e trashëgimisë kulturore historikisht problematike.

Operatorët e telefonisë celulare do të kenë gjithashtu detyrime të reja në rast të ndërprerjeve të energjisë elektrike, transmeton albinfo.ch.

Këto janë dy nga masat e reja që do të hyjnë në fuqi të dielën, dhe ne ofrojmë një përmbledhje të tyre

Arsimi

Një urdhëresë e re mbi Diplomën Profesionale Federale do të hyjë në fuqi më 1 mars. Ajo rregullon në mënyrë specifike strukturën e mësimdhënies brenda sistemit të zgjeruar të arsimit të përgjithshëm, kërkesat për programet e trajnimit, promovimin, provimin e Diplomës Profesionale Federale dhe njohjen e programeve të trajnimit nga Konfederata. Diploma Profesionale Federale duhet t’u mundësojë praktikantëve të studiojnë në një universitet të shkencave të aplikuara dhe t’i përgatisë ata për role sfiduese në biznes dhe shoqëri.

Telekomunikacioni

Konfederata ka nxjerrë masa të reja në rast të ndërprerjes së energjisë elektrike për komunikimet mobile, të cilat hyjnë në fuqi më 1 mars. Në rast të ndërprerjes së energjisë elektrike, operatorët e telefonisë celulare mund të kufizojnë trafikun mobil vetëm në masën e nevojshme. Në mënyrë specifike, shërbimet e emergjencës, shërbimi publik telefonik, shërbimet bazë për personat me dëgjim të dëmtuar ose transmetimet radiofonike nuk mund të kufizohen. Ata gjithashtu duhet të garantojnë aksesin në internet dhe të sigurojnë që 99% e klientëve në secilën komunë të kenë akses në shërbimet e telekomunikacionit mobil.

Mbrojtja nga Zhurma

Një regjim i ri mbrojtjeje nga zhurma do të zbatohet në Zvicër duke filluar nga 1 Marsi. Rishikimi i Ordinancës për Mbrojtjen nga Zhurma synon posaçërisht të lehtësojë lëshimin e lejeve të ndërtimit në zonat e prirura ndaj zhurmës, duke i kushtuar vëmendje më të madhe zhvillimit të brendshëm, duke siguruar gjithashtu cilësinë e jetës përmes masave të izolimit nga zhurma. Ky rishikim është pjesë e ndryshimit të Aktit Federal për Mbrojtjen e Mjedisit të miratuar një vit më parë.

Mbrojtja nga Rrezatimi

Ordinanca e rishikuar plotësisht mbi Dozimetrinë hyn në fuqi më 1 Mars. Dozimetria përfshin llogaritjen dhe vlerësimin e rrezatimit jonizues për të përcaktuar dozën e absorbuar në materie ose ind biologjik. Me këtë rishikim, Zvicra synon të përafrojë kornizën e saj ligjore me zhvillimet shkencore dhe rekomandimet ndërkombëtare për të siguruar mbrojtjen nga rrezatimi në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Trashëgimia Kulturore

Komisioni për Trashëgiminë Kulturore me një të Kaluar Problematike, i emëruar nga Këshilli Federal dhe i kryesuar nga ish-Këshilltarja Federale Simonetta Sommaruga, fillon punën e tij më 1 mars. Komisioni do të këshillojë qeverinë dhe administratën federale për çështje që lidhen me trashëgiminë kulturore me një të kaluar problematike. Mund të konsultohet në rast mosmarrëveshjesh dhe mund të lëshojë rekomandime jo-detyruese në lidhje me veprat e artit nga epoka naziste dhe asetet kulturore nga koha koloniale.

Puna

Rritja e pagave e negociuar nga partnerët socialë në sektorin e zdrukthëtarisë hyn në fuqi më 1 mars. Ajo përfshin një rritje të përgjithshme prej 20 frangash për të gjithë punonjësit e mbuluar nga marrëveshja kolektive e negociatave, si dhe bonuse shtesë që do të shpërndahen individualisht në shumën prej 30 frangash për punonjës. Konfederata i ka shpallur këto rritje pagash të zbatueshme universalisht.

Prona Kulturore

Më 5 mars, Zvicra dhe qeveria e Bregut të Fildishtë nënshkruan një marrëveshje mbi importin, eksportin dhe kthimin e pronës kulturore. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është të parandalojë transferimin e paligjshëm të pronës së tillë kulturore në vendet përkatëse. Palët kontraktuese kanë gjithashtu mundësinë të ndërmarrin veprime ligjore për të marrë kthimin e pronës kulturore të importuar ilegalisht në vendin tjetër. Prona kulturore përfshin, ndër të tjera, skulptura, qeramikë, murale, armë dhe bizhuteri.