SHBA uron për Pavarësinë e Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë uruar për Pavarësinë e Kosovës.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shprehim urimet me rastin e 17 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës – një rast për të reflektuar mbi qëndrueshmërinë, vendosmërinë dhe aspiratat e popullit të Kosovës”, uron SHBA-të, përcjell albinfo.ch.

Tutje thuhet se mbështetja vazhdon për popullin e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë. Paqja rajonale, siguria dhe zhvillimi ekonomik mbeten thelbësore për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës.

Ndërsa ju festoni pavarësinë tuaj, ne nderojmë miqësinë dhe vlerat e përbashkëta mes njerëzve tanë”, thuhet në urim.

Ambasadori gjerman në Kosovë uron për 17-vjetorin e Pavarësisë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka uruar për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në një video, Rohde thekson se Kosova ka bërë përparim në shumë fusha për këto vjet.

“Marrëdhëniet tona bilaterale janë dëshmi e një lidhjeje të fortë mes vendeve tona. Së bashku kemi arritur shumë suksese e do të vazhdojmë akoma”, thotë ambasadori gjerman i cili është në përfundim të mandatit.

Presidenti i Shqipërisë uron për Pavarësinë e Kosovës

Në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka uruar Kosovën.

“Urime Ditën e Pavarësisë, Kosovë! Nderim përjetë mijëra burrave dhe grave që sakrifikuan për lirinë e pavarësinë! Faleminderit të gjithë miqve e aleatëve tanë që janë krah teje! Gëzuar!”, ka shkruar Begaj, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri i Kosovës uron 17-vjetorin e Pavarësisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar 17 vjetorin e Pavarësisë. Ai mori pjesë në ceremoninë e ngritjes solemne të flamurit të Kosovës.

“Dimri i ftohtë por zemrat e ngrohta, teksa urojmë njëri tjetrin për 17 vjetorin e 17 shkurtit e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, si shtet sovran, demokratik me integritet territorial, me progres social me avancim demokratik dhe me rritje shembullore ekonomike”, tha Kurti, përcjell albinfo.ch.

Adresimi i plotë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti:

Adresimi i kryeministrit Kurti ne mbledhjen festive te Qeverise së Kosovës per 17 vjetorin e Pavaresisë

Presidentja e Kosovës uron 17-vjetorin e Pavarësisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar 17 vjetorin e Pavarësisë. Ajo mori pjesë në ceremoninë e ngritjes solemne të flamurit të Kosovës.

Tha se kjo ditë shënon sukseset e Kosovës e njëkohësisht është falënderim për ata që sakrifikuan.

“Urime 17 Shkurti, 17-vjetori i Pavarësisë së Republikës së Kosovës, për të gjithë qytetarët tanë. Është një ditë kur kujtojmë sakrificën shekullore që ka bërë populli ynë, në mënyrë që ta gëzojmë këtë ditë. Është një ditë kur festojmë sukseset që ka arritur republika jonë në këto 17 vjet, duke forcuar sovranitetin dhe shtetësinë. Por, është edhe një ditë kur ju themi faleminderit të gjithë atyre që sakrifikuan”, ka thënë Presidentja Osmani, përcjell albinfo.ch.

Agjenda për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

17-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës do të përcillet me shumë aktivitete institucionale.
Dita nis me mbledhjen qeveritare dhe më pas me ngritjen e flamurit.

Në orën 12:00 do të ketë parakalim të Forcave të Sigurisë së Kosovë dhe Policisë së Kosovës.

Do të bëhen nderime te Monumenti i të Pagjeturve dhe Memoriali i Fëmijëve të vrarë. Homazhe te varri i ish Presidentit Dr. Ibrahim Rugova, homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi, homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, nderime te Monumenti “Heroinat”

Ndërkohë, për herë të parë mbahet edhe konferenca e parë shkencore për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, amfiteatri i Institutit të Historisë.

Kosova, 17 vjet shtet

Kosova feston sot 17-vjetorin e Pavarësisë. Më 17 Shkurt 2008, në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 deputetë, Kuvendi shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Flamuri shtetëror i Kosovës u shpalos që në ditën e shpalljes së pavarësisë në seancën solemne të Kuvendit, përcjell albinfo.ch.

Ligjshmëria e pavarësisë për një kohë të gjatë ka qenë temë e diskutueshme, pasi Serbia ka kundërshtuar Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës duke e cilësuar të paligjshme. Për këtë ajo kërkoi edhe opinion këshillues nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në 2008, kërkesë që u hodh poshtë më 22 korrik 2010.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ishte kurorëzim i një rrugëtimi të gjatë e të vështirë për qytetarët e Kosovës. Për vite me radhë, ata vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga regjimi serb i Sllobodan Millosheviçit, gjë e cila rezultoi më një Luftë Çlirimtare (’97-’99). Pas përfundimit të Luftës Çlirimtare të Kosovës, u bë edhe vendosja e trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë.

Më 18 shkurt 2008, presidenca e Bashkimit Evropian vendosi që vendet anëtare të ishin të lira për të vendosur nëse do ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Shumica e vendeve të unionit evropian e kanë njohur Kosovën, por Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja ende nuk e njohin atë.

 

Komisioni i BE-së, i gatshëm t’i jap Kosovës opinion për statusin e vendit kandidat

Komisioni Evropian është i gatshëm të përgatisë opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimon Evropian.

Në deklaratën e përbashkët, shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, dhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, kanë dërguar një sinjal që e presim nga dhjetori i vitit 2022, transmeton albinfo.ch.

Sipas tyre, Komisioni Europian është i gatshëm të përgatisë një opinion mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim sapo Këshilli i BE-së ta kërkojë këtë dokument.

Profesori Dritëro Arifi ka deklaruar se mendon që kjo porosi është tregues se Bashkimi Europian e ka kuptuar që politika e neutralitetit është e padobishme dhe e dëmshme.

“Pra në njëfarë mënyre ne e kemi “shitur”  dialogun shumë lirë. Pra vetëm për status kandidat pa njohje të pesë vendeve. Pra njohja e pesë vendeve po vërehet se do të vonojë shumë, kështu që BE e ka gjetur si hapin e ndërmjetëm pranimin e Kosovës si vend kandidat për të lëvizur tutje”, ka deklaruar ai, pëcjell albinfo.ch.

Sipas Arifit, ky qëndrim nuk pasqyron ndonjë ndikim nga Kallas ose emisari Sorensen, por duket se është një dakordim i heshtur nga 27 vendet anëtare të cilat presin që Kosovë të lëvizë nga pozicionet dhe të shpërblehet me përkrahje.

Kushti sipas tij por edhe sipas ish zv. ambasadorit në Gjermani është zbatimi i marrëveshjeve të deritanishme.

Krahas kësaj, ish-diplomati Blerim Canaj, mendon se përmendja e obligimeve për palët përkrahë mundësisë për statusin e vendit kandidat, figurativisht janë shkopi ose karota.

“Një që është ndër më kryesoret është se Bashkimi Europian nuk dëshiron të importoj probleme dhe konflikte dhe deri në përfundimin e dialogut nuk e besoj që as Kosova e as Serbia e plotësojnë parakushtin kryesor të saj”, ka theksuar Blerim Canaj – ish-zëvendës ambasadori i Kosovës në Gjemani.

Përkundër optimizmit të natyrshëm, Canaj nuk beson se Kosova do ta ketë fatin edhe për një kohë të fitojë të drejtën e vendit e kandidat e të shkojë në fund të pistës, pra të bëhet pjesë e familjes evropiane.

Votat, iniciativat dhe referendumet zvicerane – historia e tyre

Zviceranët votojnë rregullisht për një gamë të gjerë propozimesh dhe vendimesh qeveritare.

Që nga viti 1848, përveç zgjedhjeve të përgjithshme, votuesit zviceranë janë thirrur të votojnë për 677 referendume dhe nisma. 48% e këtyre votave u pranuan. Midis 1848 dhe 1900 kishte afërsisht një nga këto vota në vit. Që nga viti 1991, ka pasur afër 10 në vit, transmeton albinfo.ch.

Në përgjithësi, jashtë zgjedhjeve të përgjithshme, në Zvicër ka tre lloje votash: referendume të detyrueshme, referendume fakultative dhe nisma popullore.

Një referendum i detyrueshëm zakonisht kërkohet kur parlamenti dëshiron të modifikojë kushtetutën. Për t’u pranuar këto vota duhet të arrijnë një shumicë të dyfishtë. Një shumicë e dyfishtë arrihet kur shumica e votuesve në të gjithë vendin votojnë në favor të referendumit dhe ajo arrin një shumicë në shumicën e kantoneve. Që nga viti 1848 ka pasur 242 vota të tilla dhe 73% e tyre janë pranuar, transmeton tutje albinfo.ch.

Një referendum fakultativ zhvillohet në përgjigje të një ligji të miratuar nga parlamenti. Kryesisht, ligjet e modifikuara nga parlamenti futen automatikisht. Megjithatë, votat mund të thirren për të parandaluar futjen e tyre. Vota të tilla, të cilat mund të inicohen me mbledhjen e 50,000 nënshkrimeve brenda 100 ditëve, njihen si referendume fakultative. Për t’u pranuar këto vota kërkojnë vetëm një shumicë popullore. Që nga viti 1848 ka pasur 215 të tilla dhe 58% e tyre janë pranuar.

Lloji i tretë i votës, një nismë popullore, fillon jashtë qeverisë. Partitë politike janë zakonisht shumë të përfshira, megjithatë këto vota nuk janë iniciuar nga parlamenti apo Këshilli i Shteteve, dhoma e lartë e Zvicrës. Me qëllim ndryshimin e kushtetutës, nismat popullore kërkojnë që të mblidhen 100,000 nënshkrime brenda 18 muajve. Që nga viti 1848 ka pasur 236 vota të tilla, por vetëm 11% e tyre janë pranuar.

Në përgjigje të nismave popullore, parlamenti dhe Këshilli Federal, ekzekutivi i Zvicrës, mund të paraqesin një kundërpropozim. Këto mund të jenë direkte ose indirekte.

Një kundërpropozim i drejtpërdrejtë është një alternativë ndaj nismës. Nëse organizatorët e iniciativës pranojnë kundërpropozimin, atëherë elektorati voton për pranimin e kundërpropozimit. Nëse nisma nuk tërhiqet, atëherë zgjedhësve u paraqitet si iniciativa ashtu edhe kundërpropozimi. Kjo do të thotë se votuesit hedhin një votë po/jo dhe zgjedhin midis nismës dhe kundërpropozimit nëse vota pranohet.

Kundërpropozimet indirekte janë propozime të bëra nga parlamenti për të modifikuar ligjet si një alternativë ndaj ndryshimeve kushtetuese të kërkuara nga një nismë. Këto hyjnë në fuqi nëse nisma tërhiqet nga organizatorët ose refuzohet nga votuesit dhe askush nuk nis një referendum të suksesshëm kundër kundërpropozimit. Organizatorët e iniciativës mund të pranojnë me kusht kundërpropozime indirekte. Kjo do të thotë se iniciativa u paraqitet votuesve nëse kundërpropozimi refuzohet në referendum.

Këto tre lloje votash mund të thirren në nivel federal, kantonal dhe komunal. Pra, përveç një mesatare prej 10 votash federale në vit, votuesve mund t’u paraqiten referendume dhe iniciativa në nivel kantonal dhe komunal. Për fat të mirë, procesi është i automatizuar dhe i thjeshtë. Formularët e votimit shfaqen automatikisht në kuti postare shumë përpara ditës së votimit dhe formularët janë të thjeshtë për t’u plotësuar dhe postuar.

Shkalla e pjesëmarrjes së votuesve zakonisht varion ndërmjet 40% e 50%. Shkalla më e lartë e pjesëmarrjes që nga futja e të drejtës së votës së grave në një nivel federal në 1971 është 78.7% kur zviceranët u pyetën në vitin 1992 nëse Zvicra duhet të anëtarësohet në BE. 50.3% votuan për të mos u anëtarësuar. Ky votë ndau kombin.

Ukraina refuzon propozimin e SHBA-së për mineralet e rralla

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka njoftuar se i ka udhëzuar ministrat e tij që të mos nënshkruajnë marrëveshjen e propozuar për t’i dhënë SHBA-së qasje në mineralet e rralla të tokës të Ukrainës.

Ai ka deklaruar se, dokumenti ishte shumë i fokusuar në interesat e SHBA-së.

Zyrtarë ukrainas kanë deklaruar se propozimi, nuk ofroi ndonjë garanci specifike sigurie në këmbim, përcjell albinfo.ch.

Bëhet e ditur se propozimi u përqëndrua në mënyrën se si SHBA mund të përdorë mineralet e rralla të Ukrainës “si kompensim” për mbështetjen e dhënë tashmë.

 

Turizmi austriak po rimëkëmbet pas pandemisë

Pesë vjet pasi pandemia e Covid solli ndalesë në industrinë e turizmit të Austrisë, udhëtimet jo vetëm që janë rikuperuar, por, në disa raste, kanë tejkaluar nivelet para pandemisë, sipas Institutit Austriak të Kërkimeve Ekonomike (Wifo).

Ndërsa udhëtimet e biznesit nëpër Evropë janë zbehur, Austria ka parë një rritje befasuese.

Në kulmin e pandemisë, ekzistonte frika se “të gjitha bizneset do të kalonin poshtë” ose se “njerëzit do të udhëtonin më pak edhe pas pandemisë”, thotë Oliver Fritz, një ekspert i turizmit në Wifo. Në vend të kësaj, kërkesa është ringjallur ndjeshëm, me sektorin e turizmit të Austrisë që rezulton “mjaft elastik”.

Ndërhyrja e qeverisë luajti një rol kyç. Nga prilli 2020, autoritetet dhanë ndihmë të konsiderueshme financiare, duke parandaluar mbylljet e përhapura, shkruan theinternational. Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se të gjitha paratë janë shpenzuar mirë.

“Mbështetja ishte padyshim bujare – kritikat se kishte mbisubvencionim nuk është krejtësisht e pajustifikuar,” thotë Fritz. “Ne shpëtuam shumë biznese, duke përfshirë disa që mund të kishin falimentuar gjithsesi në vitet e ardhshme dhe të tjera që do të kishin mbijetuar pa ndihmë.”

Ai vëren se, në disa raste, pasqyrat financiare të hoteleve dukeshin më mirë gjatë pandemisë sesa tani.

A shkoi shumë larg mbështetja e qeverisë?

Urgjenca e krizës nënkuptonte që ndihma financiare duhej të shpërndahej shpejt, duke e bërë të vështirë synimin vetëm për ata që kishin nevojë të vërtetë.

“Fondet duhej të paguheshin shumë shpejt – është jashtëzakonisht e vështirë të jesh i saktë në raste të tilla”, thotë Fritz. Në pamje të pasme, ai beson se Austria mund të kishte frenuar mbështetjen më shpejt. “Shumë mbi-subvencione ndodhën përmes zëvendësimit të qarkullimit, i cili më pas u ndërpre në janar 2021”.

Austria dallon nga pjesa tjetër e BE-së

Pavarësisht pandemisë dhe erërave të mëvonshme ekonomike, industria e udhëtimeve në Austri është rimëkëmbur me një ritëm që nuk shihet në shumicën e vendeve të tjera evropiane.

“Kemi vënë re se Statistik Austria raportoi një rikuperim të jashtëzakonshëm në udhëtime për vitin 2023, madje edhe për vitin 2022. Ky duket të jetë një fenomen unik austriak – nuk reflektohet në shumicën e vendeve të tjera evropiane,” thotë Fritz.

Udhëtimet për pushime nëpër BE sapo po kthehen në nivelet e vitit 2019, por njerëzit nga Austria tashmë po udhëtojnë më shumë se përpara pandemisë, shkruan albinfo.at.

Pandemia përshpejtoi ndërrimet ekzistuese

Ndërsa Covid transformoi shumë aspekte të jetës së përditshme, Fritz argumenton se ai kryesisht përshpejtoi tendencat që tashmë ishin në lëvizje.

“Pandemia nuk ishte arsyeja që takimet në internet u bënë të njohura, por ajo i dha një shtysë një zhvillimi që tashmë ishte duke u zhvilluar,” shpjegon ai. E njëjta gjë vlen edhe për qiratë e pushimeve, të cilat panë një rritje gjatë bllokimeve pasi njerëzit kërkuan izolim.

Presionet ekonomike tani po shtojnë një shtresë tjetër kompleksiteti.

“Ne kemi pasur inflacion, luftë dhe tani jemi në një recesion,” thotë Fritz. “Shumë kanë ndodhur menjëherë, të gjitha këto ka të ngjarë të kenë një ndikim të rëndësishëm në mënyrën se si njerëzit udhëtojnë.”

Megjithatë, pavarësisht kostove në rritje, njerëzit hezitojnë të heqin dorë nga pushimet e tyre krejtësisht. “Njerëzit ende duan të udhëtojnë – por ata mund të jenë më të kujdesshëm për sa shpenzojnë,” thotë ai.

Tabelat e reja me ndryshime në autostradën Shkup-Tetovë, largohet gjuha shqipe

Tabelat e reja në autostradën Shkup-Tetovë janë vendosur në tre gjuhë, maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht, teksa gjuha shqipe është hequr, ndryshe nga tabelat e kaluara.

Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore nuk ka dhënë sqarim se pse gjuha shqipe nuk figuron, raporton TCH.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka dënuar ashpër ndërrimin e tabelave të komunikacionit në autostradën Shkup – Tetovë.

“Ky ndryshim është një goditje e rëndë ndaj përdorimit të gjuhës shqipe në RMV dhe shkelje flagrante e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve. Kjo përpjekje e rrezikshme dhe e ulët për mosrespektimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe kjo tendencë për mohimin e gjuhës shqipe është një vendim në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, Marrëveshjen e Ohrit, ligjet dhe vlerat e demokracisë dhe barazisë, të cilat janë themelore për paqen dhe stabilitetin në vend. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) konsideron që paaftësia e humbësve të zgjedhjeve dhe shërbëtorëve të VMRO-së nga radhët e VLEN po i kthen shqiptarët në vitet ‘90 në aspektin e të drejtave kombëtare dhe barazisë. BDI do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për ta kundërshtuar këtë vendim të padrejtë dhe për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagim, transmeton albinfo.ch

Presidenti francez uron Osmanin për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka uruar presidenten Vjosa Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet. Ju siguroj për përkrahjen e Francës për të mbështetur vendin tuaj në këtë rrugë”, thuhet në urimin e Macron, transmeton albinfo.ch.

Tutje, përmes urimit, Macron shprehi gatishmërinë që të dy vendet të bashkëpunojnë, veçanërisht lidhur me organizimin e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 në Kosovë.

“Franca është e gatshme t’ju ndihmojë që kjo ngjarje madhore të ketë një sukses të plotë. Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”, ka shkruar ndër të tjera ai.

Zviceranët po shpenzojnë sërish më shumë

Zviceranët po shpenzojnë sërish më shumë: në janar, treguesi i konsumit i llogaritur nga PostFinance bazuar në pagesat me karta të klientëve të saj u rrit me 1.2% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024. Në një shënim, kompania specifikon se kërkesa e brendshme vazhdon trendin pozitiv të parë në fund të vitit dhe mbështet zhvillimin makroekonomik, i cili ndikohet nga dobësia e produkteve të eksportit, transmeton albinfo.ch.

Sipas analizës së PostFinance, shpenzimet për konsumin e përditshëm ishin të ngjashme me ato të fundit të vitit të kaluar në fillim të këtij viti. Zërat si librat dhe gazetat shënuan një rritje të lehtë, ndërsa shpenzimet për makina u ulën. Në sektorin e bukurisë dhe mirëqenies, shpenzimet për veshje mbetën në një nivel relativisht të ulët. Në të kundërt, shpenzimet për trajtimet shëndetësore u rritën paksa gjatë gjashtë muajve të fundit. Shpenzimet për kohën e lirë dhe rekreacionin mbetën kryesisht të qëndrueshme në janar. Rënia e ndjeshme e vizitave në restorante u kompensua pjesërisht nga një rritje e lehtë e shpenzimeve për kompjuterë dhe mallra elektronike.

Pas arritjes së një rekord të ri në dhjetor 2024, shpenzimet e udhëtimeve u stabilizuan sërish në një nivel më të moderuar në janar 2025. Rënia ishte e dukshme në të gjitha nënkategoritë, si qëndrimet në hotele dhe rezervimet e makinave me qira. PostFinance vlerëson në mënyrë anonime transaksionet e pagesave të 2.4 milionë klientëve të saj çdo muaj. Treguesi i konsumit i llogaritur në këtë mënyrë tregon ndryshimin e shpenzimeve konsumatore në bazë vjetore, të përshtatura për efektet e ditëve të ndryshme të shitjeve dhe festave.

 

Presidenti gjerman me urim për 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier e ka uruar Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin për 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidenti Steinmeier përmes urimit ka riafirmuar mbështetjen e Gjermanisë për pavarësinë dhe rrugën evropiane të Kosovës, duke rikujtuar se shteti i tij në shkurt 2008, ishte ndër vendet e para që njohu shtetin e Kosovës, tranmseton albinfo.ch.

“Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë”, thuhet në urimin e Steinmeier.

Tutje, ai ka thënë se në çështjet e politikës së jashtme, Kosova është pozicionuar qartësisht në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, veçanërisht në mbështetjen e Ukrainës kundër agresionit të Rusisë.

Kampet e skive në Zvicër arritën nivele rekord të vizitorëve, vitin e kaluar

Pothuajse 130,000 fëmijë dhe të rinj në Zvicër morën pjesë në një kamp sportiv dimëror në vitin 2024. Ky është numri më i lartë në 20 vitet e fundit, sipas shifrave të Zyrës Federale të Sportit (Baspo).

Numri i kampeve të skijimit ka mbetur relativisht i qëndrueshëm gjatë viteve. Me përjashtim të viteve të pandemisë 2021 dhe 2022, rreth 95,000 deri në 130,000 fëmijë dhe të rinj në Zvicër morën pjesë çdo vit, midis 2003 dhe 2024, në një kamp sportiv dimëror të bashkëfinancuar nga programi federal për promovimin e sporteve ‘Rinia dhe Sporti’ (Y+S). Shkollat që organizojnë kampe skijimi më të gjata se katër ditë në kuadër të programit Y+S mund të aplikojnë për mbështetje financiare për ski, transmeton albinfo.ch.

Sipas Baspo, 2,788 kampe sportive dimërore me një total prej 128,498 pjesëmarrësish u regjistruan me Y+S në vitin 2024. Në vitin e kaluar, numri ishte dukshëm më i ulët në rreth 112,000 fëmijë dhe të rinj.

Numri i pjesëmarrësve në këto kampe ra pak ndërmjet viteve 2003 dhe 2010, por që nga ajo kohë është rritur sërish. “Është një lloj tradite që vazhdon,” tha për agjencinë e lajmeve Keystone-SDA, Yann Bourquin, një punonjës i zyrës sportive të kantonit të Fribourg-ut.

Në vitin 2020, qeveria federale rriti ndjeshëm mbështetjen financiare nga Y+S për kampet sportive të borës. Që atëherë, shkollat ​​kanë marrë 16 CHF në ditë për pjesëmarrës për kampet e sporteve dimërore, krahasuar me 7,60 CHF më parë.

A duhet të legalizohet kanabisi në Zvicër?

Zvicra mund të jetë një hap më afër legalizimit të kanabisit për përdorim jo-mjekësor pasi një komision parlamentar i shëndetësisë votoi 14 kundrejt 9 në favor të një projektligji mbi këtë temë, raportoi RTS, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, kultivimi, shitja dhe konsumimi i kanabisit për përdorim jo-mjekësor është një vepër e dënueshme në Zvicër. Që nga viti 2023, ka pasur prova afatshkurtra që i lejojnë njerëzit ta blejnë dhe ta konsumojnë atë në mënyrë të ligjshme. Megjithatë, për shumicën e përdoruesve blerja dhe konsumi ka mbetur i paligjshëm.

Më 14 shkurt 2025, një komision parlamentar i shëndetësisë tha se e konsideronte sistemin aktual të ndalimit si të metë. Shumica e anëtarëve të komisionit besojnë se shitja e rregulluar dhe e kontrolluar rreptësisht e kanabisit do të mbronte më mirë shëndetin publik, të rinjtë dhe do të rriste sigurinë. Publiku do të mbrohet më mirë nga efektet e dëmshme të substancës dhe të rinjtë do të pengohen nga konsumimi i tij me një sistem të tillë, tha ai.

Komisioni rekomandon një kuadër të ri ligjor, i cili vazhdon të klasifikojë kanabisin si një lëndë narkotike të dëmshme. Ligji do të rregullonte kultivimin, prodhimin dhe shitjet. Produktet që përmbajnë kanabis do të tatohen në bazë të nivelit të tyre të THC-së, për të dekurajuar konsumin në përputhje me rreziqet shëndetësore. Shitjet për të miturit do të ishin të paligjshme. Reklamimi i çdo lloji do të ndalohej, duke përfshirë edhe reklamimin e farave dhe mjeteve.

Prodhimi tregtar do të lejohej sipas rregullave strikte dhe pikat e shitjes do të kufizoheshin dhe do të funksiononin si koncesione jofitimprurëse.

Të rriturit (më të vjetër se 18 vjeç) do të lejohen të rritin maksimumi tre bimë me kusht që ato të jenë për konsumin e tyre personal.

Megjithatë, jo të gjithë në komision menduan se legalizimi ishte një ide e mirë. Një pakicë e konsideroi atë si një sinjal shumë të keq. Nëse kanabisi legalizohet, publiku, veçanërisht të rinjtë, do ta shohin këtë substancë si banale, gjë që do të inkurajojë përdorimin e tij.

Tema tani do të kalojë në një konsultim qeveritar, i cili do të ndodhë pas verës.

 

Mbi 30.000 investitorë kripto në Maqedoninë e Veriut, por pa kornizë ligjore

Mbi 30.000 njerëz, apo rreth 1.5 për qind e popullsisë në Maqedoninë e Veriut, zotërojnë monedha virtuale, të njohura ndryshe si kriptovaluta, tregojnë ekspertët makroekonomikë në këtë vend.

Por, mungesa e një kornize ligjore e bën të paqartë demografinë e investitorëve, shumën e kapitalit të investuar dhe destinacionin e qarkullimit të parave.

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, Maqedonia e Veriut ka 1.836.713 banorë.

Eksperti i tregut të kriptovalutave, Darko Simunovski, thekson se të dhënat e vetme që ekzistojnë për këtë vend, janë ato që raportohen nga agjencitë ndërkombëtare, që merren me këto matje, përcjell albinfo.ch.

“Mund t’ju tregoj për demografinë e investitorëve në mbarë botën. Sipas hulumtimeve, shumica e investitorëve të kriptovalutave janë në grup-moshën 18 deri në 34 vjeç, me një dominim të madh të burrave, të cilët përbëjnë rreth 70 për qind të të gjithë investitorëve”, thotë Simunovski për Radion Evropa e Lirë.

Vetëm vitin e kaluar, shton ai, numri i përdoruesve në mbarë botën kaloi 430 milionë, që përfaqëson një rritje prej 170 milionë përdoruesish, krahasuar me një vit më parë.

“Kjo do të thotë se 7 për qind e popullsisë botërore zotëron kriptovaluta, ndërsa në vendin tonë përqindja është rreth 1.5, apo mbi 30 mijë – shumë më poshtë se mesatarja botërore. Me këtë mund të konkludohet se qytetarët tanë kanë njohuri të kufizuara mbi industrinë e kriptovalutave”, thotë Simunovski.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka shprehur interes për ta futur këtë treg brenda kornizave ligjore, duke synuar ta bëjë Maqedoninë e Veriut një nga vendet e para në rajon që vendos standarde më rigoroze për përdorimin dhe prodhimin e monedhave digjitale.

“Dëshirojmë tërë këtë legalitet ta kanalizojmë në kuadër të ligjit, por ka shumë punë, të cilat duhet të harmonizohen paraprakisht. Këtë edhe po e bëjmë. I harmonizojmë ato punë që të vijmë deri te prodhimi final. Kjo është ardhmëria dhe mendoj se do të jemi mes të parëve në rajon, nëse jo edhe të parët, që e bëjmë një gjë të tillë. Se si do të funksionojë, do të shohim, por kjo, sipas meje, është ardhmëria”, ka thënë Mickoski më 5 dhjetor të vitit të kaluar.

Ai ka propozuar edhe krijimin e një denari dhe banke digjitale maqedonase, e cila do të emetohej nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut, në formë elektronike.

Pavarësisht këtyre njoftimeve, deri më tani, nuk janë ndërmarrë hapa konkretë në këtë fushë.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Financave, përgjegjëse për ligjin e kriptovalutave, si dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për afatin kohor dhe përmbajtjen e ligjit, por nuk mori përgjigje.

Në mungesë të tyre, REL-i iu drejtua edhe Ministrisë për Transformim Digjital, në përgjigjën e së cilës thuhet:

“Vetëm mund t’ju konfirmojmë se shteti e trajton seriozisht këtë çështje, duke njohur nevojën për një rregullore të re të përshtatshme, që do të sigurojë një balancë midis inovacioneve në financat digjitale dhe mbrojtjes së interesit publik. Si ministri, do të marrim pjesë aktive në këtë proces, duke ofruar mbështetje me ekspertë dhe sugjerime teknike, brenda kompetencave tona”.

Eksperti Simunovski, i cili është edhe autor i librit “Bazat e Industrisë Kripto”, vlerëson se para miratimit, ligji duhet të kalojë në një debat të gjerë publik, pasi, siç thotë, “mund të jetë një përpjekje e dështuar”.

“Rreziku më i madh është nëse kopjohen ligjet nga vendet e huaja. Në këtë mënyrë mund të ketë efekt negativ. Duhet të kuptohet se Maqedonia e Veriut nuk ka se çfarë të ofrojë në nivel global. I vetmi shans është një rregullore e mirë ligjore dhe e fuqishme dhe krijimi i organeve të reja rregullatore të bëhet nga profesionistët, e jo nga ushtarët partiakë”, thotë Simunovski.

Ai propozon edhe një sërë masash konkrete për rregullimin e ligjit të lartpërmendur, si:

  • Nxitja e inovacionit: Mbështetja dhe lehtësimi i zhvillimit dhe zbatimit të zgjidhjeve inovative të blockchain-it  v.j. mekanizëm i avancuar i të dhënave që mundëson ndarjen transparente të informacionit brenda një rrjeti biznesi] në sektorin privat dhe publik, me qëllim arritjen e transparencës dhe efikasitetit.
  • Sigurimi i burimeve, trajnimi dhe edukimi: Ofrimi i burimeve, trajnimeve dhe edukimit në mënyra të ndryshme për popullsinë, bizneset dhe aktorët politikë, për të përmirësuar kuptimin e teknologjisë blockchain dhe implikimet e saj në shoqëri.
  • Mbështetje për bizneset dhe sektorin publik: Ofrimi i mbështetjes për zbatimin e blockchain-it dhe përdorimin e kriptovalutave në bizneset dhe sektorin publik.
  • Mbështetje dhe hulumtim për aplikacione të reja: Përballja me sfidat e reja që mund të paraqiten në të gjithë procesin. Gjithashtu, bashkëpunimi midis të gjithë pjesëmarrësve në industrinë e kriptomonedhave, përfshirë startup-et, kompanitë e themeluara dhe institucionet akademike, për të nxitur përparimin dhe inovacionet kolektive në këtë fushë.
  • Korniza ligjore për mbrojtjen e investitorëve: Kundër aktorëve të pandershëm që promovojnë mjete financiare të paqena dhe i vënë në lajthitje investitorët.
  • Korniza ligjore për asetet kripto: Për të mundësuar tregtimin e kriptovalutave në bashkëpunim me mjete të tjera financiare për fondet private të investimeve. Kjo do të stimulojë tregjet financiare në shtet, do të ofrojë siguri shtesë për investitorët dhe potencialisht do të rrisë kapitalin e të gjitha palëve të përfshira.
  • Zbatimi i një sistemi pagesash për transaksionet kripto-denar: Me qëllim që të mundësohet tregtimi i mallrave dhe shërbimeve me kriptovalutat ndërmjet konsumatorëve dhe firmave private. Për të ruajtur stabilitetin dhe likuiditetin e denarit, çdo transaksion kripto të konvertohet në denarë.

Çka janë kriptovalutat?

Kriptovalutat janë para digjitale që funksionojnë përmes teknologjisë së decentralizuar “Blockchain”. Për t’i përdorur, nevojitet një “portofol digjital” – aplikacion ose platformë online që mundëson blerjen, ruajtjen dhe transferimin e tyre duke konvertuar para reale.

Në botë ekzistojnë mbi 5.000 kriptovaluta të ndryshme, por më të popullarizuarat mbeten Bitcoin, Ethereum, Litecoin dhe Binance Coin.

Gjatë vitit të kaluar, shumë qytetarë nga Maqedonia e Veriut ranë pre e një fushate mashtruese për tregtimin e kriptovalutave, për shkak të mungesës së informacionit mbi këtë treg.

Mashtruesit, të cilët paraqiteshin si “ekspertë financiarë” me profile të rreme, ofronin më së shpeshti “shërbime” të tregtimit të kriptovalutave përmes aplikacioneve të rreme, të njohura edhe si “phishing” dhe “pharming”.

Simunovski thotë se kjo ndodh pasi që një pjesë e qytetarëve, të cilët i zotërojnë ato pak njohuri mbi kriptovalutat, shpesh mbështeten në spekulime nga influencues të rrjeteve sociale – një qasje që ai e konsideron si të gabuar.

“Këshilla ime është që të fillojnë të edukohen. Le të mos spekulojnë me meme-tokena pa vlerë dhe të mos bien në kurthet e tregtarëve të ashtuquajtur, që pretendojnë se do të tregtojnë me paratë e tyre. Të mos marrin pjesë në aventura si Conti DGPT dhe skema të ngjashme piramidale, ku ofrohen aksione dhe kriptomonedha të paqena. Gjithashtu, të mos kontaktojnë me persona në rrjetet sociale dhe të mos bien pre e mashtruesve që u garantojnë fitime për një kohë të caktuar. Kriptomonedhat të blihen ekskluzivisht nga këmbimore zyrtare dhe të njohura, si: Coinbase, Binance, Kucoin dhe të tjera”, rekomandon Simunovski.

A mund të kryhen pagesa me kriptovaluta në Maqedoninë e Veriut?

Kriptovalutat nuk janë mjet ligjor i pagesës në Maqedoninë e Veriut – pra nuk lejohet të paguhet me to brenda territorit, thonë nga Banka Popullore e këtij vendi për Radion Evropa e Lirë.

“Sipas rregulloreve ekzistuese, pagesat mund të kryhen në monedhën vendase – denar, përmes llogarisë së transaksioneve të pjesëmarrësve në qarkullimin pagesor në vend”, thuhet në përgjigje.

Pavarësisht kësaj, shumica e transaksioneve dhe investimeve në kriptovaluta në këtë vend realizohen përmes bursave të huaja ose shkëmbimit mes individëve – veprimtari kjo e parregulluar, që nuk siguron mbikëqyrje mbi rrjedhën e parave në dorë.

Bursat vendase që operojnë online, merren kryesisht me tregtim kripto, ndërsa ato që ofrojnë shkëmbim fizik të kriptovalutave për denarë ose euro, veprojnë në një “zonë gri”, që nënkupton se nuk janë të ndaluara, por ofrojnë mundësi për rreziqe të mëdha.

Përpjekjet e autoriteteve për të hartuar ligjin e kriptovalutave kanë nisur që në vitin 2020, me fokus kryesor te “parandalimi i pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

“Për shkak të kompleksitetit dhe anonimitetit të tyre, transaksionet me kriptomonedha kanë nivel më të lartë të rrezikut të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Prandaj, bankat janë të detyruara të veprojnë në përputhje me kërkesat përkatëse lidhur me regjimin e kursit të këmbimit, si dhe me rregulloret për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, thonë nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut.

Me para të falsifikuara drejt investimit në kriptovaluta

Më 3 shkurt, 2025, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Maqedoninë e Veriut zbuloi një skemë të gjerë të fitimeve të paligjshme, një pjesë e të cilave ishin kanalizuar me kohë në tregun e kriptovalutave.

Autoritetet konfiskuan rreth gjysmë milioni euro, përfshirë pajisje për falsifikimin e parave dhe kopje të pjesëve të kartëmonedhave.

 

I dyshuari kryesor, sipas Prokurorisë, ishte një shqiptar që drejtonte një skemë të mirorganizuar, ndërsa katër të tjerë ishin maqedonas.

Ata falsifikonin kartëmonedha në një banesë në Komunën e Çairit, që gjendet në pjesën veriore të Shkupit, dhe i shisnin te një grup tjetër në Serbi, që më pas i hidhte në qarkullim dhe në atë mënyrë ata i “legalizonin”.

Pjesën më të madhe të fitimeve, siç njoftuan nga Prokuroria, grupi e kishte investuar në kriptovaluta.

“I dyshuari i parë, paratë që i merrte në dorë për shitjen e kartëmonedhave të falsifikuara, një pjesë i depozitonte në llogari transaksioni në bankë, një pjesë përmes shërbimit të transferimit të shpejtë të parave në emër të tij, bashkëshortes dhe djalit të tij. I legalizonte edhe duke marrë kredi nga banka ose nga kreditë e shpejta. Një pjesë të parave i paguante si pagë përmes një personi juridik, një pjesë i investonte në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, dhe pjesën më të madhe e transferonte në një llogari elektronike për tregtim me kriptovaluta”, thanë nga Prokuroria për Shërbimin e Maqedonisë së Veriut të Radios Evropa e Lirë.

Kartëmonedhat e falsifikuara përfunduan edhe në tregjet e Sllovenisë, Kroacisë, Kosovës, Rumanisë, si dhe në Austri dhe Gjermani.

Prokurorja Lençe Ristovska tha se Banka Qendrore Evropiane ka tërhequr nga qarkullimi rreth 1 milion e 150 mijë euro kartëmonedha të falsifikuara, që besohet se i përkasin të njëjtës tipologji të kartëmonedhave që u gjetën në Çair.

“Është shumë e mundur që këto kartëmonedha të vijnë nga grupi ynë, pasi nga grupe të tjera është ndryshe mënyra e prodhimit, ndryshe janë karakteristikat e këtyre parave të falsifikuara dhe ato nuk i përkasin kësaj tipologjie, kanë një tipologji tjetër”, tha Ristovska.

Njëri nga të dyshuarit në aksionin e quajtur “Vardar”, ka qenë i lidhur edhe me çështjen e falsifikimit të monedhave euro, të cilat gjithashtu prodhoheshin në Maqedoninë e Veriut dhe hidheshin në qarkullim në Kosovë.

Të dyshuarve, Gjykata Penale në Shkup u ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Hetimi është ende në vazhdim, ndërsa shuma e saktë e investuar në kriptovaluta, supozohet të jetë më e madhe.

Maqedonia e Veriut është ndër 30 shtetet në botë që nuk ka asnjë rregullore ligjore për kriptovalutat.

Ngjashëm edhe Kosova. Shqipëria, ndërkaq, e ka të rregulluar me bazë ligjore përdorimin e kriptovalutave. Ligji shqiptar e përcakton qartë se për të prodhuar kriptovaluta, duhet pasur licencë për këtë veprimtari./REL

Deri në orën 16:00 janë numëruar 63.60 për qind e vendvotimeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, në përditësimin e fundit ka bërë të ditur se sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri më 16 shkurt, ora 16:00, janë numëruar 63.60% e vendvotimeve, përkatësisht 1,611 nga 2,533 vendvotime.

Sipas njoftimit, procesi i numërimit ka përfunduar në 14 qendra, konkretisht në komunat: Deçan, Kamenicë, Novobërdë, Obiliq, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut, transmeton albinfo.ch.

Numërimi është duke vazhduar në 24 Qendra Komunale të Numërimit.

Publikohet pamja e ‘New Born’-it këtë vit

Ideatori i monumentit “Newborn”, Fisnik Ismaili, ka njoftuar se këtë vit është vendosur që pamja e monumentit të pavarësisë s ëKosovës ‘New Born’ t’i dedikohet Inteligjencës Artificiale.

Ai ka postuar edhe fotot të punimeve që janë duke u bërë gati për festën e pavarësisë së Kosovës.