X

Na ndiqni:

Blerina Kastrati: Dua të përfaqësoj zërin e komunitetit tim në asamblenë lokale

Më 23 mars, në Kantonin dhe Shtetin e Gjenevës, do të mbahen zgjedhjet për asambletë përkatëse komunale. Një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve tanë kandidojnë për pozitën e asamblistit/asamblistes. Gjeneva, si qytet kozmopolit, i hapur për botën dhe për të huajt që jetojnë aty, ka një traditë të gjithëpërfshirjes që dallon nga kantonet e tjera. Për më tepër, në Gjenevë kanë të drejtë zgjedhjeje edhe të huajt që kanë një qëndrim të rregullt prej tetë vitesh në Zvicër. Për këto dhe për çështje të tjera lidhur me kandidimin e saj për zgjedhjet e 23 marsit, Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me njërën ndër kandidatet, Blerina Kastratin, e cila kandidon për Partinë Socialiste të Zvicrës. “Një element i rëndësishëm që më ka bërë të ndjehem afër kësaj partie është pozicioni i saj politik në favor të Kosovës. Kujtoj me krenari rolin historik të Micheline Calmy-Rey, ish-shefe e Departamentit të Punëve të Jashtme të Zvicrës, e cila ka mbështetur hapur pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që në vitin 2005, në një kohë kur askush nga aleatët e Kosovës nuk kishte shkuar aq larg në qëndrimet e tyre publike…”, shprehte ndër të tjera bashkëbiseduesja jonë.

Albinfo.ch: Ju keni vendosur të garoni si kandidate e PS-së për zgjedhjet lokale në Gjenevë që mbahen më 23 mars 2025. Përse keni zgjedhur pikërisht këtë parti?. Mund të përmendni disa nga parimet që mbështet PS dhe me të cilat identifikoheni ju?

B. Kastrati: Përzgjedhja ime për të garuar si kandidate e Partisë Socialiste ka qenë një vendim i natyrshëm që buron nga bindjet e mia të thella politike dhe shoqërore. Partia Socialiste mbështet parimet e barazisë, drejtësisë sociale dhe solidaritetit, të cilat janë vlera që i kam përqafuar gjithmonë. Angazhimi i kësaj partie për të garantuar të drejta të barabarta për të gjithë, pavarësisht prejardhjes, gjinisë apo statusit social, përbën një shtyllë thelbësore të vizionit tim për një shoqëri më të drejtë. Për më tepër, mbështetja e vazhdueshme e Partisë Socialiste ndaj të drejtave të komuniteteve të huaja dhe lufta kundër diskriminimit janë aspekte me të cilat identifikohem fuqishëm.

Një element i rëndësishëm që më ka bërë të ndjehem afër kësaj partie është pozicioni i saj politik në favor të Kosovës. Kujtoj me krenari rolin historik të Micheline Calmy-Rey, ish-shefe e Departamentit të Punëve të Jashtme të Zvicrës, e cila mbështeti hapur pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së që në vitin 2005, në një kohë kur askush nga aleatët e Kosovës nuk kishte shkuar aq larg në qëndrimet e tyre publike

Albinfo.ch: Jeni anëtare dhe aktiviste e PS-së prej kohësh?

B. Kastrati: Jam anëtare e Partisë Socialiste prej 10 vitesh dhe nënkryetare për mandatin e tretë. Gjatë kësaj periudhe, kam qenë aktive në organizimin e aktiviteteve të ndryshme komunitare dhe politike, duke kontribuar në projekte që synojnë promovimin e integrimit dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve të huaja.

Albinfo.ch: A është hera e parë që merrni pjesë në një garë zgjedhore në Zvicër? Nëse nuk është hera e parë, kur keni marrë pjesë dhe cili ka qenë rezultati?

B. Kastrati: Po, kjo është hera e parë që marr pjesë në një garë zgjedhore në Zvicër. Kjo përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugëtimin tim politik dhe një mundësi për të përfaqësuar zërin e komunitetit tim në asamblenë lokale.

Albinfo.ch: Nëse do të zgjidheni në asamblenë lokale, cilat do të ishin çështjet me të cilat do të merreshit, gjegjësisht çfarë kauzash do të “shtynit” përpara?

B. Kastrati: Si grua dhe si nënë me prejardhje shqiptare, çështjet që më prekin më shumë janë barazia gjinore dhe integrimi i personave me origjinë të huaj. Përvoja personale dhe profesionale më ka mësuar se një shoqëri e drejtë dhe e qëndrueshme ndërtohet mbi vlerat e barazisë dhe gjithëpërfshirjes.

Synimi im është të shtyj përpara politika që mbështesin gratë në tregun e punës, duke siguruar jo vetëm barazi në pagë, por edhe në mundësitë e avancimit dhe pozitat drejtuese. Gratë shpesh përballen me sfida të dyfishta, si në jetën profesionale ashtu edhe në atë familjare, prandaj është e domosdoshme të krijohen kushte që lehtësojnë kushtet mes jetës private dhe asaj profesionale, përmes shërbimeve cilësore (çerdheve) të kujdesit për fëmijët dhe fleksibilitetit në punë.

Një tjetër prioritet i imi është mbështetja e të rinjve me prejardhje të huaj. Integrimi i suksesshëm i tyre në shoqëri dhe në tregun e punës është kyç për ndërtimin e një komuniteti solidar dhe të barabartë. Do të punoj për krijimin e programeve mbështetëse që ofrojnë mundësi të barabarta për arsimim, praktikë profesionale, duke u dhënë të rinjve mjetet e nevojshme për të realizuar potencialin e tyre.

Besoj se vetëm përmes një angazhimi konkret dhe të vazhdueshëm, mund të ndërtojmë një shoqëri ku secili ka mundësi të barabarta për të kontribuar dhe për të përfituar nga zhvillimi ekonomik dhe social.

Albinfo.ch: Për çfarë do të votonte për ju, një bashkatdhetar yni me të drejtë vote në Gjenevë? Ka diçka specifike për të cilën ju do të angazhoheshit në të mirë të shqiptarëve të Gjenevës por edhe votuesve të tjerë me prejardhje të huaj?

B. Kastrati: Sepse mendoj se do të jem një zë i fuqishëm për komunitetin tonë duke afirmuar vlerat dhe të arriturat e shqiptarëve në Zvicër e në veçanti të atyre në kantonin e Gjenevës. Do jem kritike e përhershme ndaj klisheve dhe paragjykimeve që ekzistojnë ende aty këtu ndaj bashkatdhetarëve të mi. Do të angazhohem për të luftuar diskriminimin në tregun e punës dhe për të mbështetur integrimin e të rinjve shqiptarë dhe me origjinë të huaj. Një shoqëri e barabartë dhe gjithëpërfshirëse është qëllimi im kryesor.

Albinfo.ch: Si jeni trajtuar në mesin e kolegëve, bashkëgarues si grua me prejardhje të huaj? A jeni ndier ndonjëherë e anashkaluar ose e trajtuar ndryshe nga të tjerët?

B. Kastrati: Në Partinë Socialiste jam ndjerë gjithmonë e mirëpritur, sikur të isha në shtëpinë time. Nuk kam ndier asnjëherë anashkalim apo trajtim të pabarabartë. Madje, fakti që jam zgjedhur me shumicë absolute votash për tri mandate si nënkryetare e PS-së për komunën e Carouge, është dëshmi e besimit dhe mbështetjes që kam gjetur në këtë parti.

Albinfo.ch: Sa ka shqiptarë të organizuar në partitë politike në Gjenevë, gjegjësisht që kandidojnë ose tashmë janë zgjedhur në strukturat partiake, në partinë tuaj ose edhe në të tjerat? Po në strukturat si parlamenti komunal ose kantonal ose edhe në institucionet shtetërore etj.?

B. Kastrati: Komuniteti shqiptar në Gjenevë është i integruar mirë dhe i pranishëm në të gjitha fushat e jetës, ata dhe ato jane mjeke, mësuese, avokate etj, por edhe të përfshirë në politikë. Po përmend një fakt domethënës që nuk haset në kantonet tjera, aktualisht,  pa përmendur asambletë komunale, në parlamentin kantonal të Gjenevës ka 5 deputetë me origjinë shqiptare, një tregues i qartë i fuqisë politike të komunitetit tonë. Shqiptarët nuk janë indiferentë ndaj zhvillimeve politike ashtu sikur partitë politike zvicerane të cilat  i kushtojnë  një vëmendje të posaçme  komunitetit tonë.  Kjo më jep shpresë për një pjesëmarrje edhe më të madhe në të ardhmen. Njëherësh shfrytëzoj rastin t’ua përkujtoj të gjithë bashkatdhetarëve tanë që jetojnë në kantonin e Gjenevës se kanë të drejtë vote edhe nëse nuk e kanë pasaportën zvicerane, mjafton t’i kenë 8 vite qëndrimi në Zvicër. Zyra e kancelarisë së kantonit ua dërgon materialin e votës përmes postës.

Albinfo.ch: Deri më tani kemi një përvojë jo shumë të mirë sa i përket pjesëmarrjes së shqiptarëve me të drejtë vote në zgjedhjet ose referendumet që mbahen në Zvicër. Si mendoni ju se mund të motivohet komuniteti ynë për të qenë pjesë më aktive në jetën e këtushme politike?

B. Kastrati: Thashë më lart që Gjeneva përbën një përjashtim por mendoj se motivimi i komunitetit tonë kërkon një qasje gjithëpërfshirëse. Informimi i vazhdueshëm për të drejtat dhe mundësitë që ofron sistemi politik zviceran është thelbësor. Organizimi i fushatave sensibilizuese dhe krijimi i rrjeteve komunitare që inkurajojnë pjesëmarrjen aktive janë hapa të rëndësishëm për të rritur ndërgjegjësimin dhe angazhimin.

Kush është Blerina Kastrati

 

Blerina Kastrati është e lindur  para 39 vitesh në Gjakovë dhe me qëndrim prej 22 vitesh në Zvicër. “Si për çdo bashkatdhetar, rrugëtimi im nuk ka qenë i lehtë”, shprehet ajo. Kaa jetuar në Zvicrën gjermane ndërsa prej 10 vitesh jeton në Gjenevë. Ka punuar kryesisht punë administrative ndërsa vitet e fundit është arsimuar në edukimin e fëmijëve të vegjël ku edhe punon si asistente socio-edukative. Nga gjuhët e huaja flet gjermanishten, frëngjishten dhe anglisht.

Hobi i saj është leximi, ecja, piano dhe sidomos noti në ujërat e ftohta  me miqtë e saj gjatë  dimrit në liqenin “Lac Léman” të Gjenevës.

E pandalshme Distria Krasniqi, kualifikohet në finale

Distria Krasniqi në superformë sot në Grand Prix të xhudos që po mbahet në Linz të Austrisë, përcjell albinfo.ch.

Kampionia olimpike arriti të kualifikohet në finale të kategorisë deri në 52 kilogramë.

Në gjysmëfinale, Distria mposhti hungarezen Reka Pupp.

Paraprakisht, ajo eliminoi serben Nikolina Nisaviq dhe amerikanen Jenna Schurr.

Në finale, Distria do të përballet me fituesen e duelit Naomi van Krevel – Iroha Oi.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë një koncert në Zvicër

Bëhet e ditur se, në kuadër të festimeve për shënimin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të mbajë një koncert në Casino Bern, me një mbrëmje gala nën drejtimin e dirigjentit Antoine Marguier, shkruan albinfo.ch.

Me vepra nga disa prej kompozitorëve shqiptarë të Kosovës të shekullit XX dhe XXI, deri te disa nga perlat e literaturës klasike botërore, si dhe me pjesëmarrjen e sopranos Besa Llugiqi dhe saksofonistit Vitaly Vatulya, ky koncert do të jetë një përjetim i veçantë.

Koncerti do të mbahet më 13 mars (e mërkurë), duke filluar nga ora 19:30 në adresën CASINO BERN, Casinoplatz 13011 Bern./Albinfo.ch

Promovimi i librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999” në Berlin

Në Berlin u promovua libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” i autorit Shkëlzen Gashi, një hulumtim pesëvjeçar dhe gjithëpërfshirës mbi krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Ky studim thekson rëndësinë e kujtimit dhe ruajtjes së kujtesës kolektive mbi të kaluarën tonë të dhimbshme, si një detyrim moral dhe historik.

Senatori amerikan Hiram Johnson shkroi dikur se “viktima e parë kur fillon lufta është e vërteta”, por jo faktet. Ato na ndihmojnë ta nxjerrim në pah, ta mbrojmë dhe ta përcjellim të vërtetën. Krimet masive serbe janë të dokumentuara qartë dhe do të mbeten përgjithmonë fakte të pamohueshme. Libri i Shkëlzen Gashit identifikon masakrat dhe varrezat masive, duke u dhënë zë viktimave dhe duke dëshmuar se kujtimi për to nuk do të shuhet kurrë. Ndërkohë, kërkimi i drejtësisë për këto krime nuk duhet të ndalet.

Ky promovim u organizua nga Heinrich-Böll-Stiftung dhe Südosteuropa-Gesellschaft e.V., me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin. Pjesëmarrja e madhe e të pranishmëve tregoi edhe një herë rëndësinë e dokumentimit të krimeve të luftës si pjesë e kujtesës kolektive, për të siguruar drejtësi dhe për të mos lejuar që e kaluara të harrohet.

Britani: Për herë të parë Gjuha Shqipe mësohet në International House

Për herë të parë pas 72 vitesh, “International House, London” hap dyert e saj për Gjuhën Shqipe, përcjell albinfo.ch.

Kjo erdhi si rezultat i rritjes së interesit për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe. Tashmë shumë qytetarë në Britaninë e Madhe po tregojnë interes të veçantë për të vizituar Shqipërinë.

Disa prej tyre duan edhe të jetojnë në Shqipëri, të punojnë dhe të zhvillojnë bizneset e tyre. Dhe kjo ka rritur domosdoshmërinë e zotërimit të gjuhës shqipe.

Një aspekt tjetër është martesa, lidhjet familjare dhe shoqërore midis shqiptarëve nga treva të ndryshme shqipfolëse, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, me britanikët apo të ardhurit nga vende të tjera, të cilët tani jetojnë në Britaninë e Madhe.

Për të pasur një jetë më cilësore, me mirëkuptim dhe më të lumtur në çift, ata kanë zgjedhur të mësojnë gjuhën shqipe. Dhe jo vetëm gjuhën, por interesi i tyre shkon edhe më tej, duke pasur dëshirë të mësojnë për kulturën dhe zakonet tona. Pikërisht kjo është arsyeja pse kjo shkollë u hap shumë vite më parë.

Historia e këtij institucioni madhështor filloi në vitin 1953, kur John Haycraft (CBE) dhe gruaja e tij, Brita Haycraft, hapën një shkollë të gjuhëve të huaja, pasi ata besonin në mirëkuptimin ndërkulturor përmes mësimit të gjuhës. Me shumë dinjitet, misioni i këtij çifti të mrekullueshëm vazhdon, duke pasur si qëllim të ndryshojnë jetën e njerëzve përmes gjuhës.

Kurset e gjuhës shqipe në “International House” janë në mbrëmje, nga e hëna deri të premten (18:30-20:30) dhe në fundjavë janë paradite.

Klasat kanë nga 3 deri në 12 studentë dhe mësimi zhvillohet në kushte nga më profesionale, me standarde të larta dixhitale.

Çdo vit “International House London” arsimon 8,000 studentë nga mbi 150 vende të botës.

Kampusi ka 56 klasa me kushte dhe mjete nga më modernet, një bibliotekë me mbi 50,000 libra dhe revista nga 76 gjuhë të globit, kafene dhe ambiente relaksuese për studentët.

Unë ndjehem e respektuar, e nderuar dhe me shumë fat që jam mësuesja e parë e gjuhës shqipe në këtë institucion shumë të rëndësishëm, në zemër të Londrës.

Urime 7 Marsin. Ditën e Mësuesit, të gjithë mësuesve shqiptarë, në Shqipëri e kudo në Botë.

7 marsi: Kontributi i çmuar i mësuesve në diasporë

Sot festohet dita kombëtare e shkollës shqipe, e cila u  zyrtarizua në vitin 1960 nga shteti shqiptar në nder të hapjes së shkollës së parë  shqipe në mars të  1887 në Korçë, e njohur si Mësonjtorja. Kjo ngjarje ishte një arritje e madhe kulturore dhe historike për popullin shqiptar

Përtej saj, gjuha shqipe mësohet në shumë shtete të botës, duke zhvilluar mësim plotësues për nxënësit, në mënyrë që të ruajnë gjuhën e nënës.

Në veçanti, në Zvicër ka një numër të madh të shkollave dhe klasave shqipe që rregullisht mësojnë gjuhën shqipe me mësues shqiptarë të zgjedhur nga diaspora.

Në çdo shkollë, ne çdo klasë, mësuesit e gjuhës shqipe luajnë rolin e ambasadorëve të kulturës sonë.

Mësuesit nga diaspora u ndihmojnë nxënësve të shprehin mendimet e tyre me saktësi dhe bukuri, duke krijuar bazat për komunikim në gjuhen shqipe.

Platforma mediale Albinfo.ch shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë mësuesit shqiptarë, veçanërisht për kontributin e mësuesve në diasporë.

Presidentja Osmani uron mësuesit për 7 Marsin

Presientja e Republikës së Kosovës, në urimin  e saj drejtuar mësuesve në ditën e tyre, 7 Marsin, themelimin e shkollës së parë shqipe në Korçë  më 1887e ka quajtur akt të guximshëm të patriotëve.

“Më 7 Mars kujtojmë themelimin e shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887, një akt i guximshëm i patriotëve tanë, që e kuptuan se pa gjuhë dhe dije, nuk ka as komb të suksesshëm.

Sot, shkolla është më shumë se një institucion mësimor – ajo është fortesa ku ndërtohet e ardhmja. Mësuesit mbeten shtylla e shoqërisë dhe ata që formësojnë mendjet dhe zemrat e kombit. Në këtë ditë, nderojmë të gjithë mësuesit – ata që na mësuan shkronjat e para dhe ata që ende mësojnë brezat e rinj.

Respekt, mirënjohje dhe përulësi para misionit të tyre fisnik”, thuhet në urimin e presidentes, VjosaOsmani.

Më 10 mars, gati në të gjitha aeroportet gjermane do të ketë grevë

Aeroportet që do të preken nga greva janë: Mynihu, Shtutgarti, Frankfurt, Këln/Bon, Dyseldorf, Dortmund, Hanover, Bremen, Hamburg, Berlin-Brandenburg dhe Leipzig-Halle. Pasagjerët duhet të përgatiten për anulime dhe vonesa fluturimesh.

Greva do të prekë gjithsej 11 aeroporte gjermane. Sindikata u ka bërë me dije të gjithë punonjësve dhe ofruesve të shërbimeve tokësore në këto aeroporte që të ndalojnë punën. Kërkesa e sindikatës është për rritjen e rrogave dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Përveç kësaj, grevat paralajmëruese po zhvillohen edhe në sektorët e shërbimeve publike dhe lokale, veçanërisht në shëndetësi dhe arsim.

Diplomon gjenerata e 45-të e kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës

Ka diplomuar të premten gjenerata e 45-të e kadetëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Në ceremoninë solemne të diplomimit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se kjo është dëshmi për një sistem korrektues të fuqishëm dhe të drejtë.

Ai ka thënë se 111 kadetët e diplomuar do të jenë garantues të sigurisë dhe rregullit.

Ndërkaq, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se Shërbimi Korrektues i Kosovës po fuqizohet si rezultat i reformave të ekzekutivit.

Në anën tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka deklaruar se ky institucion është lider në rajon.

7 Marsi – Dita e Mësuesit

Çdo vit festohet 7 Marsi – Dita e Mësuesit, që na përkujton ditën kur më 7 mars 1887 u hap në Korçë, nën drejtimin e Pandeli Sotirit, Mësonjëtorja kombëtare shqipe.

Ajo ishte shkollë me karakter kombëtar e laik (jo fetar), ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si: Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj.

Dita e Mësuesit është festë kombëtare, nuk është vetëm për punonjës të arsimit shqiptar, por edhe për nxënës e studentë, është një festë që festohet në çdo familje shqiptare. Kjo është një traditë e bukur e krijuar te populli ynë. Në këtë ditë të rëndësishme të arsimit shqiptar kujtojmë me respekt të thellë veprën e ndritur të mësuesve dhe patriotëve të shquar, që punuan me përkushtim dhe bënë sakrifica të mëdha për zhvillimin e arsimit kombëtar

Duke kujtuar 7 Marsin –Ditën e Mësuesit, nuk mund të lëmë në heshtje e të mos nderojmë edhe rolin e kontributin e mësuesve të palodhur dhe prindërve të urtë shqiptarë që me vetëkontribut mbajnë hapur shkollat shqipe të mësimit plotësues në shumë kantone të Zvicrës.

BE: Serbia e shkeli Marrëveshjen e Ohrit

Bashkimi Evropian konsideron se Serbia e ka shkelur Marrëveshjen e Ohrit me qasjen ndaj procesit të marrjes së statusit të mysafirit special të Kosovës në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, përcjell albinfo.ch.

“Sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është në kundërshtim të qartë me detyrimet e Marrëveshjes së Ohrit nga Serbia”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga selia e BE-së.

Bashkimi Evropian (BE) ka thënë të premten se Serbia, me sjelljen e saj në Këshillin e Evropës, është duke e shkelur Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, në të cilën, mes tjerash, Beogradit i kërkohet të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Kosova hasi edhe në një pengesë tjetër gjatë kësaj jave në Këshillin e Evropës (KiE), pasi kërkesa e saj për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, u hoq nga rendi i ditës të mërkurën.

Serbia, përmes delegacionit të vet në këtë Komitet, por edhe përmes kryetares së Kuvendit, Ana Brnabiq, u krenua për këtë arritje, duke e quajtur si fitore të madhe të Serbisë në mbrojtjen e interesave kombëtare.

I pyetur për këtë, një zëdhënës i BE-së tha të premten se Serbia qartazi po i shkel detyrimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit, e arritur mes saj dhe Kosovës më 2023.

“Sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është një shkelje e qartë e obligimeve të Serbisë nga Marrëveshja e Ohrit”, thotë zëdhënësi i BE-së, duke nënvizuar se ky obligim përmendet në nenin 4 të Marrëveshjes, ku flitet për moskundërshtimin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Serbia, në disa raste në të kaluarën, ka lobuar kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ndonëse Marrëveshja e arritur me lehtësimin e Bashkimit Evropian qartë thotë se ajo nuk mund ta bëj një gjë të tillë.

Marrëveshja nuk është nënshkruar, por BE-ja ngul këmbë se ajo është ligjërisht e detyrueshme për palët dhe duhet të zbatohet në tërësi.

Kosova dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës në fillim të vitit 2024, për shkak se u kushtëzua me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Edhe Asociacioni është obligim për Kosovën nga kjo Marrëveshje.

Vitin e kaluar, Serbia kishte formuar grup punues për koordinimin e aktiviteteve të autoriteteve shtetërore kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Këshilli i Evropës është organizatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Anëtarësimi eventual do t’i ndihmonte Kosovës, mes tjerash, në fushën e sundimit të ligjit, dhe luftimin e korrupsionit.

Afër 97% e familjeve në Kosovë shtëpitë apo banesat i kanë në pronësi

Afër 97% e familjeve në Kosovë shtëpitë apo banesat ku jetojnë i kanë në pronësi, ndërsa pjesa tjetër janë akomoduar pa pagesë, por edhe me qira me normë të tregut, përcjell albinfo.ch.

“Sa i përket shkallës së pronësisë së shtëpive dhe banesave, 96.7% e ekonomive familjare kishin në pronësi me Akt ligjor shtëpitë/banesat, 1.0% e ekonomive familjare ishin qiramarrës ose nënqiramarrës të cilët paguajnë qira me normën e tregut, ndërsa për 2.3% të ekonomive familjare akomodimi ofrohet falas.” – thotë Anketa e ASK-së.

Këto të dhëna u mësuan nga rezultatet e Anketës, të realizuar nga ASK.

Sipas të dhënave të dala nga Anketa, rreth 90.4% e individëve në ekonomitë familjare kanë deklaruar se jetojnë në shtëpi të veçuar, të ndara nga të tjerat. Ndërkohë, 2.6% e tyre jetojnë në shtëpi gjysmë të ndara – me dy banesa. Po ashtu, 1.1% e individëve kanë raportuar se jetojnë në ndërtesa me më pak se 10 banesa, ndërsa 5.9% e tyre banojnë në ndërtesa me më shumë se 10 banesa.

Për sqarim: Ekonomia familjare përfshin të gjithë personat të cilët jetojnë në një shtëpi apo banesë të përbashkët dhe që kanë të përbashkëta mjetet kryesore të jetesës.

Këto të dhëna u bën të ditura me publikimin e anketës “Rezultatet e Anketës mbi të ardhurat dhe kushtet e jetesës 2023”, të publikuar së fundmi nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Xhaka në ndeshjen e fundit shpreh kritika të ashpra ndaj arbitrit

Pas humbjes së Leverkusenit në ndeshjen e parë kundër Bayernit, në një të tetën e finales së Ligës së Kampionëve, Granit Xhaka shpreh zemërimin e tij. Kritikat e tij i drejtohen kryesisht arbitrit, përcjell albinfo.ch.

Granit Xhaka është i zhgënjyer. Shumë i zhgënjyer. Me Bayer Leverkusenin, ai humbi ndaj Bayern Munichut me rezultat 3:0 në ndeshjen e parë të një të tetës së finales së Ligës së Kampionëve. I frustruar, kapiteni i Zvicrës ecën në zonën e intervistave dhe injoron gazetarët.

Kur u pyet pse ylli në rritje Florian Wirtz nuk u paraqit ashtu siç duhet, 32-vjeçari refuzoi të përgjigjet.

“Kjo është një pyetje tjetër. Nuk dua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Një pyetje tjetër. Ne nuk fokusohemi te lojtarët individualë. Frustrimi është i madh,” thotë Xhaka dhe vazhdon: “Shumë gjëra ndodhën dhe më duhet të marr frymë thellë para se të them diçka të gabuar.”

Në lojë ndodhën gjëra që nuk përkasin në këtë nivel, si për shembull penalltia që Harry Kane e shndërroi në gol për 3:0. Xhaka nuk përmbahet në kritikat ndaj gjyqtarit anglez, Michael Oliver.

“Nuk do ta jepte penallti në Premier League. Kam shtatë vjet në Angli, e njoh dhe jam i bindur që nuk do ta jepte penallti atje”, është shprehur Xhaka.

Për Xhakën, pa që Edmond Tapsoba i bëri Kanet, më shumë është një bllok, që është i zakonshëm në ligën angleze. “Nuk ishte asgjë. Është zhgënjyese që një penallti si kjo jepet në këtë nivel dhe që ndeshjet mund të vendosen në këtë mënyrë”.

Xhaka dhe e gjithë Zvicra tashmë ishin të mërzitur me gjyqtarin Oliver gjatë çerekfinales së Kampionatit Evropian 2021 kundër Spanjës, kur ai përjashtoi Remo Freulerin me karton të kuq. Shumë njohës e vlerësuan faullin e lojtarit të atëhershëm të Atalantës si “i parëndësishëm” dhe thanë se “do të kishte mjaftuar një karton i verdhë”. VAR-i qëndroi i heshtur dhe Zvicrës iu desh të vazhdonte lojën për 43 minuta me një lojtar më pak në fushë, duke u përpjekur të kalonte në gjysmëfinale. Pa sukses, pasi gjuajtja e penalltive vendosi ndeshjen në favor të spanjollëve.

Një karton të kuq pati edhe të mërkurën në mbrëmje në Munih. Nordi Mukiele u përjashtua pas kartonit të verdhë në minutën e 62-të.

“Një karton i kuq i ekzagjeruar”, thotë Xhaka në intervistën e tij në fushë dhe e vazhdoi në zonën mikse. “Me 10 lojtarë në ‘Allianz Arena’, nuk mund të bësh më shumë se të mbrohesh. Ne thjesht nuk donim të pranonim një gol tjetër – pastaj u dha penallti”.

Kosovë-Shqipëri, rikthehen kontrollet në kufi, 8 sportele nuk përballojnë fluksin

Që nga fillimi i muajit mars, kanë hyrë sërish në fuqi kontrollet kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke shkaktuar radhë të gjata në pikën e kalimit kufitar të Morinës, përcjell albinfo.ch.

Gjatë orëve të paradites, fluksi më i lartë i automjeteve është vënë re në anën kosovare të kufirit, ndërsa në mesditë dhe mbrëmje, pritjet më të gjata janë regjistruar në hyrje të Shqipërisë.

Drejtuesit e automjeteve nga të dyja anët e kufirit kërkojnë rikthimin e lëvizjes së lirë, duke shmangur kontrollin e dokumenteve, ashtu siç parashikonte marrëveshja e vitit të kaluar mes dy vendeve. Situata është edhe më problematike për mjetet e tonazhit të rëndë, ku vonesat kanë arritur deri në dy orë.

Pavarësisht se në të dyja anët e kufirit po punohet me tetë sportele, fluksi i lartë i lëvizjes vijon të krijojë radhë të gjata.

Marrëveshja për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë, e cila hyri në fuqi në maj 2024, kishte si synim lehtësimin e qarkullimit për qytetarët e të dy vendeve, duke shmangur pritjet në kufi. Megjithatë, rikthimi i kontrolleve ka sjellë pakënaqësi te udhëtarët, të cilët kërkojnë rishikimin e kësaj mase.

Agroturizmi shqiptar ishte në qendër të vëmendjes në ITB Berlin

Përvoja të reja si Turi i Kullave dhe Turi Folklorikme pionierët Kulla HUPI dhe Farma Sotira Agroturizem, po zgjerojnë ofertën turistike dhe po shkojnë drejt qëndrueshmërisë, përcjell albinfo.ch.

Shoqatat zvicerane, bashkë me Ambasadën e Zvicrës, shprehen krenare që mbështesin këto hapa së bashku me GIZ Albania, përmes projektit të Zhvillimit të Qëndrueshëm Rural.

Vlen të theksohet se në panairin ITB Berlin, Panairit më të madh Ndërkombëtar në botë të Turizmit, Shqipëria ishte përzgjedhur si “Vendi i Nderit” për vitin 2025.

Shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova kryesojnë listën e kërkesave për azil

Agjencia Evropiane e Azilit, në raportin e saj vjetor të sapo publikuar, bën të ditur se gjatë vitit 2024, 7,325 shtetas shqiptarë kanë paraqitur kërkesë për azil në një vend të Bashkimit Evropian, përcjell albinfo.ch.

Shtetasit nga Shqipëria dhe Kosova kryesojnë dukshëm listën e kërkesave për azil nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sipas të dhënave të Agjencisë Evropiane për Azilin, 6,791 shtetas nga Kosova kanë kërkuar azil në Evropë, ndërsa nga Maqedonia e Veriut janë paraqitur 3,506 kërkesa. Nga Serbia u regjistruan 3,227 kërkesa, nga Bosnja dhe Hercegovina 1,432, dhe nga Mali i Zi 337 kërkesa.

Numri i kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë në vendet europiane shënoi rënie krahasur me vitin 2023 ku sipas të dhënave kanë qenë 9,145 shtetas shqiptarë që kanë aplikuar për azil në një nga shtetet e Bashkimit Europian.

Franca vijon të jetë vendi më i pëlqyer për banorët e Shqipërisë për të kërkuar azil dhe më pas renditet Gjermania pasuar nga dy vendet fqinje Italia dhe Greqia.

Raporti i Agjencisë europiane për Azilin thotë se në vitin 2024 vendet e Bashkimit Europian morën rreth një milion kërkesa për azil për të tretin vit radhazi.

Ndërkohë, sipas të dhënave, në fund të vitit 2024 kishte rreth 4.4 milionë përfitues të mbrojtjes së përkohshme në vendet e Bashkimit Evropian, të cilët kishin ikur nga Ukraina. Gjysma e tyre u pritën në Gjermani dhe Poloni, ndërsa Çekia priti më shumë përfitues në raport me numrin e popullsisë, raporton VOA.

Të dhënat e raportit tregojnë një rënie të lehtë të kërkesave për azil krahasuar me vitin 2023. Sirianët mbetën grupi më i zakonshëm që kërkonte mbrojtje në vendet e Bashkimit Evropian, megjithëse gjatë vitit 2024 ata paraqitën më pak aplikime sesa në vitin 2023, pas rënies së regjimit të Asadit.

Stokholm, prezantohet kultura shqiptare në muajin e Frankofonisë

Mars është muaji i Frankofonisë. Si vend vëzhgues në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë (OIF), Ambasada e Kosovës në Stokholm mori pjesë në këto aktivitete, duke festuar gjuhën dhe kulturën frankofone së bashku me shtetet e tjera anëtare, përcjell albinfo.ch.

Më 5 mars morëm pjesë në Ditën e Frankofonisë në Folkuniversitetet, ku prezantuam ushqime tradicionale të Kosovës për pjesëmarrësit dhe vizitorët e shumtë.

Më 25 mars do të shfaqim dokumentarin “Sans Le Kosovo” (Pa Kosovën), të realizuar nga regjisorja kosovare Dea Gjinovci, në kinemanë Zita Folkets Bio.

Për të përmbyllur aktivitetet tona, më 26 mars do të mirëpresim Nisa Sherifin, një profesioniste nga Kosova me vendbanim në Paris, në një aktivitet të veçantë diskutimi librash në gjuhën frënge. Ajo do të debatojë rreth romanit Moi, Tituba, Sorcière të autores Maryse Condé, duke sjellë një perspektivë unike mbi këtë vepër të rëndësishme letrare.

Duke festuar diversitetin dhe pasurinë e botës frankofone, forcojmë lidhjet tona kulturore!

https://www.facebook.com/share/p/1XtnFTqjZG/?mibextid=wwXIfr

Trump pezullon për një muaj tarifat ndaj mallrave nga Meksika

Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ka shtyrë vendosjen e tarifave prej 25 për qind ndaj shumicës së mallrave nga Meksika, një muaj pasi ai zhvilloi një bisedë telefonike me presidenten meksikane.

Njoftimi i Trumpit vjen pasi sekretari amerikan për Tregti, Howard Lutnick, tha se tarifat ndaj Kanadasë dhe Meksikës “me gjasë” do të shtyhen. Kjo është hera e dytë që Trump shtyn hyrjen në fuqi të tarifave, që fillimisht u prezantuan në fillim të shkurtit.

Vendimi vlen për mallrat që janë në përputhje me marrëveshjen tregtare që Trump ka negociuar me Kanadanë dhe Meksikën gjatë mandatit të tij të parë presidencial.

“Ne po punojmë shumë, së bashku, për kufirin si në aspektin e ndalimit të hyrjes të emigrantëve të paligjshëm në SHBA, po ashtu edhe në ndalimin e fentanilit”, shkroi Trump në Truth Social.

Kërcënimet e Trumpit me tarifa ndaj importit kanë trazuar tregjet financiare dhe kanë ulur besimin e konsumatorëve si dhe kanë krijuar pasiguri për shumë biznese. Lutnick tha se tarifat e ndërsjella, që SHBA-ja aplikon ndaj importeve ndaj shteteve që vendosin taksa për eksportet amerikane, do të hyjnë në fuqi më 2 prill.

Po ashtu të enjten, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, la të kuptohet se pret që shteti i tij të jetë në një luftë tregtare me SHBA-në.

Ai tha se pezullimi njëmujor “përputhet me disa nga bisedat që kemi pasur me zyrtarët e administratës” së Trumpit.

Udhëheqësi kanadez tha se vendimi i administratës së Trumpit është “shenjë premtuese”, por gjithashtu “do të thotë se tarifat mbeten në fuqi dhe, për pasojë, përgjigja jonë do të mbetet në fuqi”. (REL)

Një shqiptar në mesin e katër të arrestuarve pas të shtënave në Cyrih

Të hënën ka pasur një këmbim të shtënash nga një makinë në Albisriederplatz të Cyrihut.
Pas të shtënave janë arrestuar fillimisht pesë persona, transmeton albinfo.ch. Njëri prej tyre, një zviceran u la i lirë.

Ndërkaq, Gjykata e Masave të Detyrueshme caktoi masën e paraburgimit për dy 32-vjeçarë zviceranë, një 31-vjeçar me dyshtetësi të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe një portugez 29-vjeçar.

Sfondi i të shtënave është ende duke u hetuar.

Sipas raportimit të policisë, të bërë të hënën, personat e përfshirë në grindje ishin larguar  nga vendngjarja me të paktën dy automjete dhe kishin ndjekur njëri-tjetrin, shkruan srf.ch.

Gjatë drejtimit të automjetit, nga njëri prej dy automjeteve të përfshira është qëlluar me armë në tjetrën, përcjell albinfo.ch. Po ashtu mënyra e drejtimit të dy makinave rrezikonte palët e treta.

Mësohet se të shtënat janë qëlluar pas një zënke mes disa personave. Policia kishte marrë një raport për të shtëna të mundshme në Hardstrasse pranë Albisriederplatz-it pak pas orës 17:00.

Cyrihu duhet të bëhet një “strehë e sigurt” për refugjatët

Qyteti i Cyrihut duhet të bëhet një i ashtuquajtur strehë e sigurt për refugjatët.

Parlamenti i qytetit miratoi një postulat përkatës për qeverinë, me 63 vota pro dhe 53 kundër. Streha e sigurt ka të bëjë me një nismë rrjeti qytetesh evropiane.

Këto qytete i kanë vënë si synim vetes që përveç kuotës së caktuar të shpërndarjes, të strehojnë lehtësisht edhe refugjatët që janë shpëtuar nga fatkeqësia në det.

Qyteti i Cyrihut, në një situatë të tillë do të pranonte vullnetarisht më shumë azilkërkues.

Sipas faqes së internetit të projektit, aktualisht ka mbi 320 streha të tilla të sigurta. Pothuajse të gjitha janë qytete gjermane. Qytetet zvicerane aktualisht mungojnë në hartë.

Donte t`i vriste policët me hanxhar: 8 vjet burg për shqiptarin islamist

M. kishte tentuar të shkaktonte një gjakderdhje natën në një stacion policie në Linz am Rhein në shtator. Por ai u kap nga policët në derisa për orë të tëra kishte goditur një bravë xhami antiplumb, në stacion, transmeton albinfo.ch

Prokurorja publike, e cila kishte kërkuar njëmbëdhjetë vjet burg, natën e krimit e përshkruan kështu: “Rreth orës 02:40 ka hyrë në komisariatin e Linzit i armatosur me një hanxhar me gjatësi tehu prej 47.3 centimetra me qëllim që të vriste të gjithë policët aty”, shkruan bild.de.

Prokurorja vazhdoi: “Ai goditi dritaret me hanxhar rreth 50 herë dhe bërtiti se ishte këtu për të vrarë policët dhe nuk do të ndalonte derisa të vdiste vetë”.

Sipas akuzës ai fjalë për fjalë ka bërtitur: “Unë do të ju vras, Allahu Ekber, Allahu Ekber, dhe do të shkoj drejt te Zoti!” Një polic më në fund i dha fund situatës së rrezikshme dhe mundi të mposhtte Arlindo M. me një Taser dhe ta arrestonte atë.

Në banesën e tij, hetuesit gjetën prova konkrete të radikalizimit të tij, si një flamur i të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS) i pikturuar në mur, përcjell albinfo.ch. Sipas mendimit të gjykatës, i pandehuri ishte radikalizuar paraprakisht – i ushqyer nga thirrjet në forumet e internetit të IS.

Me rastin e caktimit të dënimit, gjykata ka marrë parasysh se nga sulmi nuk është lënduar askush tjetër përveç të pandehurit.

Arlindo M., i cili vuan nga një çrregullim personaliteti, ka humbur punën pak kohë para krimit dhe po ashtu ishte prishur edhe martesa e tij.

Reklamë
X

Abonohu në revistën tonë