Gjykata e Hagës lejon Hashim Thaçin të shkojë në Kosovë disa ditë pas ceremonisë mortore të të atit

Ish-presidenti Hashim Thaçi ka mbërritur në Kosovë, me leje nga Gjykata e Hagës, disa ditë pas ceremonisë mortore të babait të tij, përcjell albinfo.ch.

Një ditë më parë, Dhomat e Specializuara të Kosovës konfirmuan se kanë pranuar një korrespodencë nga Ministria e Drejtësisë në Kosovë për rastin e moslejimit të Thaçit për të marrë pjesë në varrimin e babait.

Për këtë zhvillim reagoi ashpër ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, i cili thotë se ky vendim është “sa për sy e faqe”.

“E sollën sot, në kohë të pakohë, sa për sy e faqe, e që nuk e kanë asnjë pikë në vetvete, e lëre më ajo njerëzorja që ju mungon në total,” shkruan në një postim në “Facebook” Nasim Haradinaj.

Ish-presidenti i Kosovës nuk mundi të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të atit të tij. Kjo iu pamundësua nga Gjykata Speciale, e cila nuk i dha leje të përkohshme për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait të tij.

Ai ndodhet në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, nën akuzën për krime lufte dhe, së fundmi, edhe për pengim të drejtësisë.

Ministrja e Jashtme e Austrisë: Dialogu Kosovë-Serbi, çelësi për rrugën drejt BE-së

Së fundmi, ministrja e Jashtme e Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun Kosovë – Serbi dhe të ecin përpara me normalizimin e marrëdhënieve, përcjell albinfo.ch.

Në një postim në platformën X, ajo ka bërë të ditur se ka zhvilluar biseda me dy zyrtarë të lartë: Donika Gërvallën, ministre për Punët e Jashtme të Kosovës, dhe Marko Gjuriqin, ministrin e Jashtëm serb.

Gjatë bisedës me Gërvallën, ajo ka theksuar mbështetjen e Austrisë për Kosovën dhe perspektivën e saj për në Bashkimin Evropian.

Ministrja austriake ka theksuar se është e rëndësishme që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të ecin përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve, pasi kjo është çelësi për rrugën e tyre drejt BE-së.

Në bisedën e saj me Gjuriqin, ajo ka shprehur mbështetje për rrugën e Serbisë drejt BE-së dhe ka theksuar se Austria do të vazhdojë të mbështesë Serbinë në reformat e nevojshme për anëtarësimin në BE.

Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe nxitjen e një dialogu të vërtetë për të kapërcyer ndarjet në shoqëri.

Në Teatrin Seminar në Horën e Arbëreshëve do të mbahet koncert-recital klasik

Bëhet e ditur se sopranoja e njohur Adelina Paloja dhe pianistja Alba Muçolli-Dehiri do të interpretojnë një koncert-recital klasik sot, në Teatrin Seminar në Horën e Arbëreshëve. Ky koncert i është dedikuar komunitetit arbëresh, të cilët kanë ruajtur traditën dhe shpirtin shqiptar për mbi pesë shekuj, përcjell albinfo.ch.

Vlen të theksohet se në këtë koncert do të interpretohen vepra për vokal dhe piano solo nga kompozitorët më të shquar shqiptarë, duke përfshirë Rafet Rudin me Arbëresh Song dhe Këmbanat Arbëreshe, si dhe Rauf Dhomin me Aria e Marlulës, nga opera Dasma Arbëreshe, së bashku me vepra të tjera me motive arbëreshe dhe kombëtare.

Ky koncert, që do të mbahet sot në orën 18:30, në Teatrin Seminar në Horën e Arbëreshëve, ofron një mundësi të veçantë për të shijuar muzikën e pasur kulturore të komunitetit arbëresh dhe për të nderuar trashëgiminë e tij.

Shemsi MAKOLLI vjen në Sallonin e Gjenevës me “Hyjnesha të përdhosura”

Shemsi Makolli është krijues letrar, i lindur në Marec, Prishtinë. Në vitin 1990 u vendos në Zvicër, ku gjeti paqen dhe dashurinë krah gazetares dhe shkrimtares Liliane Perrin.

I apasionuar pas literaturës dhe i inkurajuar nga Bertil Galland, Makolli shkruan kryesisht poezi dhe ka botuar në dy gjuhë: shqip dhe frëngjisht.

Libri i tij “Hyjnesha të përdhosura” është një libër madhor, një elegji për njëzet mijë femrat shqiptare të dhunuara nga ushtria dhe policia serbe në Luftën e Kosovës 1998–99.

Këtë libër dhe autorin e gjeni në Panairin e Librit në Gjenevë.

Me librat e tij, ai është pjesëmarrës i të gjitha salloneve të librit në Zvicër që nga vitet e 90-ta.

Lidhur me sallonin aktual të librit ai thotë: “Pres që të shoh sa më shumë shtëpi botuese dhe autorë/autore shqiptarë/re në sallonet ndërkombëtare. Ndërsa sa i përket eksperiencave të mia, ato kanë qenë shumë pozitive dhe më kanë ofruar mundësi të krijoj kontakte të reja me shkrimtarë të njohur ndërkombëtarë, por edhe me shqiptarë që ndoshta pa sallonin e Gjenevës nuk do të kisha pasur rast t’i takoj.”

Pas vendosjes në Zvicër, ai studioi gjuhën frënge moderne, pastaj i vazhdoi studimet në mikroteknikë dhe menaxhment në industri, si dhe vitin 1999/2000 specializimin në Normat Ndërkombëtare të Cilësisë ISO 9001.

Që prej shumë vitesh, Shemsi Makolli shkruan në të dy gjuhët: shqipe dhe frënge.

I edukuar me dashurinë për punën, edhe pse me një fillim aspak të lehtë, kualifikohet në mikroteknikë. Krahas punës në industri si ekspert i standardeve ISO, ai nuk e braktisi asnjëherë pasionin e tij të hershëm për vargun.

Brenda dy-tre viteve të qëndrimit në Zvicër, Shemsiu nis të shkruajë vargje edhe në gjuhën frënge.

Shemsi Makolli më 1995 vjen përpara lexuesve frankofonë me librin dygjuhësh: shqip-frëngjisht, me titull “Mos qaj” / «Ne pleure pas», shtëpia botuese Bastian në Lozanë.

Librat e tij të tjerë: “Jeta e bukur – La belle vie” – pjesë teatrale (komedi) në dy gjuhët, shqip dhe frëngjisht – Lozanë 1997; “Pika që shpon gurin” – poezi, shtëpia botuese Faik Konica – Prishtinë 2016; “L’anatomie du Rêve – Anatomia e ëndrrës” – poezi në dy gjuhët, shqipe dhe frënge – shtëpia botuese Éditions de l’Aire 2017 në Vevey – Zvicër; “Élégie d’automne – Elegji vjeshte” – poezi në gjuhën frënge – shtëpia botuese Éditions de l’Aire, 2019 në Vevey – Zvicër; “Déesses profanes” – (Hyjnesha të përdhosura) poezi në gjuhën frënge – shtëpia botuese Éditions de l’Aire 2022 në Vevey – Zvicër, dhe tani e adaptuar në gjuhën shqipe “Hyjnesha të përdhosura” – Sh.B. Faik Konica, Prishtinë 2023.

Ky libër ka qenë në konkurrencë me librat më të mirë në Frankofoni dhe është i përzgjedhur në dhjetë librat më të mirë për çmimin “Guillaume Apollinaire”.

 

16 turistë belgë festojnë ditëlindjen në Gjirokastër sipas traditave shqiptare

E çuditshme dhe interesante: një grup turistësh nga Belgjika kanë gjetur një mënyrë sa të veçantë, aq edhe origjinale për t’i uruar ditëlindjen një miku të tyre, përcjell albinfo.ch.

Të 16 pjesëtarët e grupit udhëtuan drejt Gjirokastrës dhe, të veshur me kostume popullore shqiptare, festuan përgjatë rrugëve të kalldrëmta. Disa prej turistëve belgë e vizitonin për të disatën herë qytetin e gurtë, duke vlerësuar natyrën e bukur dhe mikpritjen e banorëve.

“Unë e dashuroj kulturën dhe traditën shqiptare. Patëm ditëlindjen e një miku tonë dhe menduam që ta festonim këtu, në këtë qytet të bukur.”

“Ne kemi ardhur këtu si turistë. Një miku ynë ka ditëlindjen dhe menduam të vinim si grup për ta kaluar dhe festuar këtu, në Shqipëri. Moti është i qëndrueshëm, natyra e bukur – kështu që po ia kalojmë shumë mirë.”

Elvana ZAIMI-TUFA prezanton në Gjenevë antologjinë “Letra në nëntor”

Elvana Zaimi-Tufa ka përfunduar studimet për Gjuhë dhe Letërsi në Fakultetin Filologjik të Tiranës. Ajo mban gradën “Doktor Shkencash” në studime letrare, me punimin “Skicë për konceptimin e një shkolle gege të përkthimit”.

Ka dhënë mësim në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, gjatë viteve 2012–2019. Ka filluar të botojë përkthime që në fillim të viteve 2000, në revista letrare shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve.

Disa nga veprat e përkthyera prej saj janë: Dita të qeta në Klishi – Henry Miller, Njolla në mur dhe tregime të tjera – Virginia Woolf, Dera dhe lamtumira – Li-Young Lee, E dashura ime Sputnik – Haruki Murakami, Mëngjes te Tifania – Truman Capote, Ferma e kafshëve dhe 1984 – George Orwell, etj.

Përkthimet e saj të autorëve të ndryshëm në poezi dhe prozë përfshijnë: Thomas Pynchon, Gertrude Stein, Joseph Brodsky, Sylvia Plath, Anne Sexton, Louise Glück, Linda Pastan, etj.

Përkthimet e poezive të përfshira nën titullin “Letër në nëntor” përbëjnë një antologji personale të lirikës botërore, ku mbizotëron – me pak përjashtime – peizazhi modern i zërave dhe traditave poetike të shekujve XX–XXI.

Ideja e antologjisë është përftuar relativisht vonë, me zgjerimin e repertorit të teksteve të përkthyera përgjatë 25 viteve, derisa në një moment (gjithmonë vjen një moment i tillë), m’u dha edhe ideja e një filli lidhës që t’i mbante bashkë këto poezi në një kornizë konceptuale. Dhe nëse do t’i vija, pak a shumë, një përcaktim kësaj kornize, atëherë, sipas bindjes sime, një përcaktim i përshtatshëm do të ishte “Lirika metafizike”, që është një shkrirje e vizioneve ndjesore dhe botëkuptimore.

Rimarrja dhe rishikimi i këtyre përkthimeve të kryera përgjatë shumë vitesh, ripërjetimi me tekstin dhe frymën e origjinalit, më ka bërë shpesh ta harroj këtë botë – për njëfarë shkalle – dhe t’i besoj ndjeshmërisë sime gjuhësore, të krijoj një botë të re, e cila do të jetë e varur nga ajo tjetra, e mëparshmja, nga origjinali, sikundër kujtesa e një dite varet nga po ajo ditë e mëparshme.

#lizesbookstore #salondulivre

 

 

Londër: Mbyllet aeroporti Heathrow dhe anulohen fluturimet për shkak të zjarrit

Aeroporti Heathrow i Londrës do të qëndrojë i mbyllur këtë të premte për shkak të një zjarri që ka përfshirë një nënstacion elektrik, përcjell albinfo.ch.

“Për të ruajtur sigurinë e pasagjerëve dhe kolegëve tanë, Heathrow do të qëndrojë i mbyllur deri në orën 23:59 të datës 21 mars. Pasagjerët këshillohen të mos udhëtojnë drejt aeroportit dhe duhet të kontaktojnë linjën e tyre ajrore për informacione të mëtejshme,” thuhet në njoftimin e autoriteteve.

Zjarri i rënë në nënstacionin në Haines la mijëra shtëpi pa energji elektrike dhe shkaktoi evakuimin e rreth 150 njerëzve nga zonat përreth.

https://x.com/TheInsiderPaper/status/1902885277162701288?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1902885277162701288%7Ctwgr%5E844fef5e943868dcb4274400dfcea9097fbeebcc%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.arbresh.info%2Fbota%2Fzjarri-perfshin-nenstacionin-elektrik-ne-londer-mbyllet-aeroporti-heathrow-dhe-anulohen-fluturimet%2F&fbclid=IwY2xjawJJ9HlleHRuA2FlbQIxMQABHX7zyT_0s3wQ11x9yt5-FheqQ67RsSu3uGvzyoQCMMYpYk40psoUM8UXGg_aem_hPv80zB11JRzDR03NmvYvw

Rihapet shkolla shqipe në Gränichen, në kantonin e Argaut

Mësohet se Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Kantonin e Argaut ka arritur një tjetër sukses të rëndësishëm për mërgatën shqiptare në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Pas gati tetë muajsh ndërprerjeje, shkolla shqipe në Gränichen ka rinisur mësimet, duke i ofruar mundësinë fëmijëve shqiptarë të kësaj zone të vazhdojnë mësimin e gjuhës amtare.

Thuhet se kjo arritje është rezultat i përpjekjeve të pandërprera të aktivistëve të shquar të komunitetit shqiptar, si znj. Ilmije Luma, veprimtari Riza Demaj — kryetar i Këshillit Kantonal — dhe mësuesi Vaxhd Sejdiu. E veçantë është edhe kontributi i znj. Ilmije Luma, e cila është bija e veprimtarit të njohur Milaim Rexha, një figurë që ka lënë një gjurmë të thellë në organizimin e shkollave shqipe gjatë dekadave.

Mësuesja Vjollca Kapsolli, e cila ka marrë përsipër drejtimin e mësimit të gjuhës shqipe, është kthyer në një udhëheqëse të dashur për nxënësit, të cilët janë të interesuar për mësimin e gjuhës shqipe. Në shkollë ata mësojnë shqipen dhe zhvillojnë një lidhje të veçantë me trashëgiminë e tyre, duke mbajtur gjallë traditat dhe identitetin shqiptar.

Mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë në mërgatë është më shumë se një nevojë edukative – është një mundësi për të ruajtur lidhjet me atdheun dhe historinë e tyre. Prindërit e këtij komuniteti shfaqin një përkushtim të madh për edukimin e fëmijëve të tyre në gjuhën amtare, duke i sjellë ata në shkollë.

Në këtë rrugëtim të rëndësishëm, nxënësit si Flamuri, Shabani, Ajana, Vendimi, Alea, Haneta, Rodoni dhe shumë të tjerë kanë mundësinë të mësojnë dhe të ruajnë gjuhën shqipe, duke e bërë atë një pjesë të pandashme të identitetit të tyre. Ata gjithashtu bëjnë thirrje për fëmijët e tjerë që të bashkohen me shkollën dhe të kontribuojnë në ruajtjen e një thesari të çmuar: gjuhën e të parëve të tyre.

Shkolla shqipe në Gränichen është një hapësirë ku mësimi dhe dashuria për kulturën shqipe janë të pasqyruara në çdo kënd, duke përforcuar lidhjet me atdheun dhe identitetin shqiptar.

5 vjet pas, studiohen pasojat që la Covid-19

Kanë kaluar gati pesë vite, por njerëzit vijojnë të dyshojnë për simptomat e Covid-19. Të paktën, në këtë përfundim bazohet studimi i National Health Service (NHS), i cili shkruan se një në dhjetë persona janë të paqartë nëse e kanë ose jo këtë virus në trupin e tyre.

Studimi, i cili anketoi më shumë se 750 mijë persona, u përqendrua në ndikimin që pati ky virus në jetën e tyre pesë vite pasi pandemia i detyroi të qëndronin të izoluar në shtëpi për një kohë të gjatë.

Kështu, një në 20 persona u shpreh se ndjen ende simptoma të Covid-it. Simptomat me të cilat përballeshin pjesëmarrësit kishin të bënin kryesisht me gjendje post-virale, si lodhja, marramendja dhe dhimbjet e muskujve.

Disa prej të anketuarve thanë gjithashtu se, duke i përjetuar këto simptoma çdo ditë, ata nuk janë në gjendje të bëjnë një jetë normale.

“Këta pacientë me Covid-19 kanë të drejtë të ndihen të zhgënjyer. Covidi zgjeron pabarazitë shëndetësore. Ne duhet të jemi shumë të ndjeshëm në lidhje me këtë dhe t’i mbështesim personat që janë më pak të favorizuar, nëse kanë përjetuar për një kohë të gjatë simptomat e Covid-it,” u shpreh Alwan.

Gjërat ndryshuan shumë dhe shumë prej pjesëmarrësve humbën punën e tyre të mëparshme si dhe stilin e jetesës.

 

Zelensky kërkon me urgjencë 5 miliardë euro nga BE për artileri dhe sigurinë e Evropës

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar nga liderët e Bashkimit Evropian ndihmë financiare prej 5 miliardë eurosh për mbështetje në “raundet e artilerisë” që do t’i dorëzohen Ukrainës, duke theksuar urgjencën e kësaj ndihme. Ai i bëri këto komente gjatë fjalimit të tij në Këshillin Evropian, raporton Ukrinform.

“Ne kemi nevojë për fonde për predha artilerie dhe do të ishim shumë mirënjohës për mbështetjen e Evropës, me një shumë prej të paktën 5 miliardë eurosh, sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Zelensky.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e investimeve evropiane në prodhimin e armëve, duke nënvizuar se kjo është e nevojshme për sigurinë e Ukrainës dhe të gjithë kontinentit. “Evropa ka nevojë për pavarësi teknologjike, duke përfshirë prodhimin e armëve. Gjithçka që është e nevojshme për mbrojtjen e Evropës duhet të prodhohet këtu, brenda Evropës. Ne duhet të punojmë së bashku për këtë,” tha ai, përcjell albinfo.ch.

Presidenti Zelensky u shpreh gjithashtu optimist për fillimin e programit ReArm Europe, duke e cilësuar si një nismë shumë të rëndësishme për forcimin e sigurisë në Evropë. Ai theksoi se Ukraina ka zhvilluar teknologji moderne dhe efektive, sidomos në fushën e dronëve dhe luftës elektronike, që mund të shërbejnë për forcimin e sigurisë në të gjithë Evropën.

“Sot, këto teknologji shërbejnë për mbrojtjen tonë, por zhvillimi dhe përmirësimi i mëtejshëm i tyre, së bashku me investimet tuaja, do të jenë çelësi për një siguri më të fortë dhe më të qëndrueshme për të gjithë Evropën,” përfundoi ai.

Nestlé përballet me hetime për ujin mineral në Belgjikë

Rregulloret dhe proceset e prodhimit të ujit mineral nga Grupi Nestlé janë duke u hetuar në Belgjikë. Të martën, fabrika e Valvert, një markë e Nestlé Waters, u kontrollua në qytetin Étalle.

Lajmi, i raportuar nga disa media belge, u konfirmua të mërkurën nga zyra e prokurorit publik për agjencinë e lajmeve AFP. Hetimet janë të ngjashme me ato të nisura në Francë. Nestlé Waters — që zotëron markat si Vittel, Contrex dhe Perrier — është subjekt i padive në Francë për mbushjen e ujit me procese të paligjshme të filtrimit, përcjell albinfo.ch.

Nga ana e saj, Nestlé Waters Benelux ka deklaruar se po bashkëpunon plotësisht me autoritetet. “Të gjitha ujërat tona janë plotësisht të sigurta për konsum dhe përbërja e tyre minerale i korrespondon informacionit të dhënë në etiketa,” shpjegoi kompania.

Kosova triumfon ndaj Islandës pas një ndeshje spektakolare

Kombëtarja e Kosovës ka arritur një fitore të rëndësishme ndaj Islandës, pas një përballjeje të fortë dhe emocionuese.

Fillimisht, Kosova kaloi në epërsi në minutën e 18-të, me një gol të bukur të shënuar nga Lumbardh Dellova. Megjithatë, gëzimi i “Dardanëve” zgjati vetëm tre minuta, pasi Islanda arriti të barazojë rezultatin shpejt, duke e çuar sfidën në 1-1.

Në pjesën e dytë, Kosova riktheu avantazhin, kësaj radhe me një gol të shkëlqyer nga Elvis Rexhbeçaj në minutën e 55-të. Mesfushori i talentuar u gjend në momentin e duhur për të çuar topin në rrjetë dhe për të rikthyer epërsinë e Kosovës në 2-1, përcjell albinfo.ch.

Pas këtij goli, Kosova menaxhoi mirë lojën deri në fund, duke mbajtur rezultatin dhe duke marrë një fitore të merituar.

Rezultati përfundimtar: Kosova 2 – 1 Islanda

 

 

Eksportet gjermane të makinave rriten, pavarësisht kërcënimeve të Trump për tarifa të reja

Eksportet e makinave nga Gjermania u rritën në vitin 2024, edhe pse Shtetet e Bashkuara kërcënojnë me tarifa të larta doganore.

Sipas të dhënave nga Zyra Federale e Statistikave, Gjermania eksportoi rreth 3.4 milionë makina të reja në mbarë botën, me vlerë 135 miliardë euro. Eksportet u rritën me 2.5% në sasi, megjithëse vlera e tyre ra lehtë me 1.3%.

SHBA-ja ishte tregu më i madh për makinat gjermane, duke përbërë 13.1% të eksporteve, ndjekur nga Britania me 11.3% dhe Franca me 7.4%.

Ndërkohë, importet e makinave në Gjermani ranë me 11.5% në volum dhe 12.8% në vlerë, duke zbritur në 1.8 milion njësi, përcjell albinfo.ch.

Këto shifra vijnë në një moment kur Presidenti Donald Trump ka kërcënuar me vendosjen e një tarife prej 25% për makinat e importuara nga Bashkimi Evropian — një rritje e ndjeshme nga tarifa aktuale prej 2.5%.

Nëse këto tarifa hyjnë në fuqi, ato do të godasin fort industrinë evropiane të automobilave, veçanërisht prodhuesit gjermanë, për të cilët tregu amerikan mbetet jetik. Pothuajse një në tre Porsche dhe një në gjashtë BMW janë shitur në Amerikën e Veriut gjatë vitit 2024, ndërsa Volkswagen, Audi dhe Mercedes-Benz kanë raportuar një pjesë të shitjeve në këtë treg nga 12% deri në 15%.

Sondazh: Më shumë se gjysma e pakicave në Gjermani përballen me diskriminim

Më shumë se gjysma e njerëzve që i përkasin pakicave etnike ose fetare në Gjermani përballen rregullisht me diskriminim.

Sipas një sondazhi të fundit nga Monitori Kombëtar i Diskriminimit dhe Racizmit, 54 për qind e të anketuarve me prejardhje etnike ose fetare të ndryshme raportojnë përjetime të vazhdueshme të racizmit.

Situata është edhe më shqetësuese për personat me ngjyrë: mbi 60 për qind e tyre kanë përjetuar diskriminim të paktën një herë në muaj gjatë vitit të fundit. Arsyeja kryesore? Ngjyra e lëkurës.

Shifra të ngjashme vijnë edhe nga gratë myslimane, ku 60 për qind e tyre raportojnë diskriminim të paktën një herë në muaj.

Por diskriminimi nuk prek vetëm pakicat: edhe 32 për qind e atyre që nuk konsiderohen pjesë e një pakice janë ndjerë të diskriminuar rregullisht për shkak të gjinisë, moshës apo karakteristikave të tjera, përcjell albinfo.ch.

Sondazhi është kryer nga gushti 2024 deri në janar 2025, me pjesëmarrjen e 9,500 personave të moshës 18 deri 73 vjeç.

Përveç shifrave të larta të diskriminimit, sondazhi zbulon edhe qëndrime shqetësuese: 23 për qind e gjermanëve mendojnë se pakicat “kërkojnë shumë” të drejta, ndërsa 22 për qind besojnë se grupet e pakicave kanë përfituar ekonomikisht më shumë sesa duhet.

Ky sondazh është pjesë e një monitorimi afatgjatë të zhvillimeve sociale mbi racizmin dhe diskriminimin, i realizuar nga Qendra Gjermane për Hulumtime mbi Integrimin dhe Migracionin (DeZIM), me mbështetje të qeverisë federale

Euronews e targeton Ksamilin si destinacionin e preferuar duke e quajtur ‘Maldivet e Evropës’

Plazhet me ujëra kristal të Ksamilit, që kanë fituar vlerësimin e Euronews si “Maldivet e Evropës,” kanë filluar të tërheqin turistët e parë të huaj, duke i dhënë fillimin sezonit turistik në këtë destinacion të njohur.

Sipas një artikulli në euronews.com, është vetë ky rrjet informativ që ka etiketuar Ksamilin si “Maldivet e Evropës,” duke i dhënë një vlerësim të lartë këtij vendi të mrekullueshëm.

Emri i Ksamilit ka filluar të përhapet gjithnjë e më shumë në mediat britanike, gjë që ka çuar në një rritje të numrit të turistëve nga Britania, por edhe vende të tjera. Një çift skocez, që ka vendosur të kalojë disa ditë në Ksamil, tashmë ka planin për t’u rikthyer gjatë verës për të shijuar më shumë këtë destinacion.

“Unë jam Xheini nga Skocia dhe, si një përshtypje e parë për Shqipërinë, mund të them që ky vend është jashtëzakonisht i bukur. Ne sapo kemi ngrënë mëngjesin dhe ishte një përvojë fantastike; natyra është magjepsëse dhe ushqimi shumë i shijshëm, ndërsa kafja ishte perfekte. Dielli është gjithashtu i shkëlqyer për këtë periudhë të vitit. Sa i përket çmimeve, gjithçka është e drejtë dhe në përputhje me cilësinë e shërbimit dhe ushqimit që kemi marrë,” shprehet ajo.

Për operatorët turistikë, turistët britanikë, francezë dhe gjermanë po dominojnë këtë fillim sezoni. Ata presin që fluksi të rritet në muajt në vazhdim, veçanërisht pas muajit qershor, ndërkohë që kushtet atmosferike mund të kenë penguar një fluks të menjëhershëm, përcjell albinfo.ch.

“Turistët britanikë janë më të shumtë për momentin, pasi kanë investuar shumë në marketing dhe janë shumë të interesuar për Shqipërinë. Pas tyre vijnë francezët dhe gjermanët, të cilët i konsiderojmë gjithashtu vizitorë të shkëlqyer. Mendojmë se sezoni turistik këtë vit do të jetë shumë i jashtëzakonshëm, sidomos pasi koha do të përmirësohet nga qershori e tutje. Ky fillim i hershëm i sezonit mund të sjellë një fluks të madh turistësh deri në shtator,” thotë Nevzad Salihi, operator turistik.

Ky vit duket të ketë një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve në Ksamil, ndërkohë që industria e turizmit është e gatshme të mirëpresë një fluks më të madh krahasuar me vitin e kaluar.

Ksamil vazhdon të mbetet një nga destinacionet më të pëlqyera nga të rinjtë evropianë që vizitojnë Shqipërinë, duke ofruar një përvojë të paharrueshme pushimesh.

 

Kosova e nis lojën me avantazh, Islanda barazon shpejt

Kombëtarja e Kosovës ka kaluar në avantazh në minutën e 18-të të ndeshjes kundër Islandës, falë një goli të shënuar nga Lumbardh Dellova, i cili realizoi një gol të bukur për “Dardanët”, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, gëzimi i Kosovës nuk ka zgjatur shumë, pasi Islanda ka arritur të barazojë pas vetëm tre minutash lojë. Akti i shpejtë i islandezëve ka sjellë një rezultat të barabartë, 1-1, në këtë përballje të tensionuar.

Për momentin, ndeshja vazhdon me një rezultat të barabartë dhe gjithçka mbetet për t’u vendosur në minutat e mbetura.

 

Qeveria zvicerane zbulon planin e ri për internet të shpejtë në të gjithë vendin

Mbulimi i internetit në Zvicër ndryshon nga një operator mobil në tjetrin.

Operatori më i madh, Swisscom, sipas platformës Comparis, mbulon 99.9 për qind të popullsisë së Zvicrës me rrjetin e tij.

Në krahasim me Salt dhe Sunrise UPC, Swisscom gjithashtu ka mbulimin më të lartë të rrjetit 5G.

Megjithatë, qeveria dëshiron të mbështesë edhe më tej zgjerimin e rrjetit, duke përfshirë edhe zonat rurale.

“Këshilli Federal synon të krijojë një program nxitës për përhapjen e rrjetit broadband, duke luftuar kështu hendekun dixhital midis zonave urbane dhe rurale.”

“I gjithë territori i Zvicrës duhet të ketë akses në internet me shpejtësi të lartë,” shtoi Këshilli Federal, përcjell albinfo.ch.

Qëllimi është që i gjithë vendi të përfitojë nga një shpejtësi shkarkimi prej të paktën 1 Gbit/sekondë.

Një buxhet i konsiderueshëm

Për të arritur këtë objektiv, qeveria ka planifikuar një buxhet prej 730 milionë frangash, që do të financohet nga qeveria federale dhe kantonet gjatë një periudhe prej shtatë vitesh, veçanërisht në zonat ku zgjerimi i rrjeteve me shpejtësi të lartë nuk është i leverdishëm ekonomikisht, pra në rajonet me popullsi të rrallë.

Kjo mbështetje financiare do të përdoret për të zgjeruar rrjetet me fibra optike ose infrastrukturën pa tel — sidomos në ato zona ku shpenzimet për shtrirjen e fibrave optike janë shumë të larta.

Konsultimi mbi këtë propozim do të zgjasë deri më 23 qershor 2025.

Cilat zona të Zvicrës kanë mbulimin më të mirë dhe më të dobët të internetit?

Sipas një studimi të Open Signal, rajoni i Cyrihut dhe ai i Liqenit të Gjenevës (që përfshin kantonet Gjenevë dhe Vaud) kanë mbulimin më të mirë në vend.

Pas tyre, në rend zbritës, vijnë Zvicra Qendrore, Zvicra Lindore dhe rajoni i Mitteland.

Rajoni me mbulimin më të dobët është Tiçino.

 

 

Pluhuri i Saharasë mbërrin në Zvicër të premten

Një masë e madhe pluhuri nga shkretëtira e Saharasë pritet të mbulojë Zvicrën të premten. Erërat e forta nga jugu po e sjellin pluhurin, pasi ai tashmë ka kaluar mbi Spanjë dhe Francë. Ekspertët thonë se ky do të jetë episodi më i fortë i vitit deri tani, përcjell albinfo.ch.

Sipas Meteonews, pluhuri po udhëton falë një rryme të fuqishme që është krijuar mes presionit të lartë në Evropën Lindore dhe një depresioni në Atlantik. Të enjten në mbrëmje pritet të ndihen përqendrimet e para të pluhurit, por kulmi i tij do të jetë të premten në mbrëmje.

Qielli do të bëhet i verdhë dhe mund të bjerë “shiu i gjakut”

Këto fenomene ndodhin disa herë në vit. Ajri bëhet i turbullt dhe merr ngjyrë të verdhë ose të kafenjtë. Kur bie shi, krijohet ajo që quhet “shiu i gjakut”, pasi pika të kuqërremta apo kafe bien mbi makina, trotuare dhe borë. Ky pluhur, i përbërë kryesisht nga kuarci, nuk është shumë i rrezikshëm për shëndetin, ndryshe nga grimcat e ndotjes së trafikut.

Pluhuri ka edhe anë pozitive

Pluhuri i Saharasë nuk është vetëm problem. Ai përmban substanca natyrale si kuarc, argjilë dhe lëndë organike që ndihmojnë në fertilizimin e tokës. Madje, një pjesë e këtij pluhuri mbërrin çdo vit deri në pyjet e Amazonës dhe ndihmon bimësinë atje.

Gjithashtu, retë e pluhurit veprojnë si një filtër që pengon ngrohjen e deteve dhe frenon formimin e uraganeve.

 

Tragjedia në Koçan: Në pranga ish-kryetarët dhe kryetari i dorëhequr për zjarrin fatal

Policia maqedonase ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në tragjedinë e zjarrit në klubin “Pulse” në Koçan. Në mesin e të arrestuarve janë dy ish-kryetarët e Komunës së Koçanit, Nikolço Iliev dhe Ratko Dimitrovski, si dhe kryetari i dorëhequr, Ljupço Papazov, përcjell albinfo.ch.

Aksioni po zhvillohet me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike të Koçanit dhe pritet të vazhdojë gjatë natës. Më shumë detaje priten nesër, pas përfundimit të operacionit.

Papazov ishte marrë në pyetje më 17 mars dhe kishte dhënë shpjegime para prokurorit. Ndërkohë, Prokuroria ende nuk ka vendosur për statusin e tij në procedurë.

Ratko Dimitrovski ka qenë kryetar i Komunës së Koçanit nga viti 2009 deri në vitin 2017, ndërsa Nikolço Iliev nga 2017 deri në 2021.

Qeveria zvicerane do të dëbojë azilkërkuesit afganë të refuzuar

Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM) po ndryshon politikën e azilit për burrat nga Afganistani. Burrat e pamartuar, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, tani mund të dëbohen drejt Afganistanit në rrethana të caktuara.

Në disa raste, kthimi në Afganistan konsiderohet i arsyeshëm, njoftoi SEM të enjten. Ky institucion po e bazon këtë ndryshim të politikës së dëbimit në analiza të situatës aktuale. Sipas këtyre analizave, situata e sigurisë është përmirësuar ndjeshëm krahasuar me kohën kur talibanët radikalë islamikë morën pushtetin. Po ashtu, është evidentuar edhe një përmirësim i lehtë i situatës socio-ekonomike, përcjell albinfo.ch.

Sekretariati Shtetëror për Migracionin vazhdon të konsiderojë se dëbimi në një shtet të sunduar nga talibanët radikalë, në përgjithësi, është i paarsyeshëm. Megjithatë, dëbimi është i mundur për burrat që nuk konsiderohen të ndjeshëm (nuk i përkasin grupeve të rrezikuara) nëse ekzistojnë “rrethana të favorshme”.

Sipas SEM-it, kjo nënkupton që një azilkërkues i refuzuar, që jeton në Zvicër pa familje, është i shëndetshëm dhe i moshës madhore, mund të kthehet. Për më tepër, ai duhet të ketë një rrjet të qëndrueshëm marrëdhëniesh në Afganistan, mbi të cilin mund të mbështetet për t’u reintegruar socialisht dhe profesionalisht.

Gratë, familjet, të miturit dhe personat me probleme shëndetësore nuk preken nga kthimet, sqaron më tej SEM. Nëse atyre nuk u jepet azil ose nëse asnjë shtet tjetër i Dublinit nuk është përgjegjës për procedurën e tyre të azilit, Zvicra, në përgjithësi, i pranon ata përkohësisht.

 

A duhet të bëhet transporti publik në Zvicër dukshëm më i lirë?

Këshilli Kombëtar do të votojë sot për një iniciativë kantonale nga Kantoni i Jurës, e cila kërkon që transporti publik në Zvicër të bëhet dukshëm më i lirë.

Sipas nismëtarëve, vetëm në këtë mënyrë mund të inkurajohen më shumë njerëz të kalojnë te transporti publik dhe të arrihen objektivat klimatike.

Në emisionin Politikum të Radio SRF, deputetja e të Gjelbërve, Florence Brenzikofer, dhe deputeti i Partisë Qendrore, Martin Candinas, përplasen në prag të debatit.

Brenzikofer shprehet qartë: çmimet duhet të ulen. Sipas saj, ekziston një potencial i pashfrytëzuar, veçanërisht për një “segment çmimesh të thjeshtë, gjithëpërfshirës dhe në nivel kombëtar.” Ajo sjell si shembull studentët e Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Zvicrës Veriperëndimore, të cilët udhëtojnë nga Bazeli përmes Oltenit dhe Aaraut, duke kaluar nëpër tri rrjete tarifore të ndryshme.

As një abonim për një linjë të caktuar, as një abonim i përgjithshëm (GA) nuk janë zgjidhje të duhura në këtë rast, thotë Brenzikofer. “Prandaj unë mbështes iniciativën kantonale të Jurës: ajo kërkon segmente të reja çmimesh, të leverdishme për qytetarët.”

Transport publik falas?

Jo në Zvicër.

A do të ishte e imagjinueshme të futet transport publik falas, siç është tashmë në Luksemburg? Candinas e kundërshton këtë hap radikal: “Kjo thjesht nuk i përshtatet mentalitetit zviceran. Gjithçka ka një çmim — dhe kjo është e drejtë.”

Iniciativa u refuzua në parlament

Transporti publik tashmë përdoret gjerësisht, thotë Brenzikofer. Por, sipas saj, mund dhe duhet bërë edhe më shumë. Si presidente e Shoqatës së Interesit për Transportin Publik Zviceran, ajo thekson: “Nga rrugët, në hekurudha dhe në mënyra të tjera më miqësore për klimën.”

Por kush do ta paguajë këtë?

Pyetja e pashmangshme që lind është: kush do ta paguajë? Transporti publik tashmë subvencionohet, sidomos transporti rajonal. Candinas, i cili është edhe president i shoqatës Litra — një grup lobimi për transportin publik — pajtohet që transporti publik është zgjidhja e së ardhmes, përcjell albinfo.ch.

Gjithsesi, sipas tij, duhet gjetur një ekuilibër mes financimit publik dhe atij nga përdoruesit. Banori i Graubünden-it kundërshton idenë që qytetarët të paguajnë më shumë për të avancuar transportin publik. Ai shton se transporti rajonal është një histori suksesi në Zvicër. Konfederata dhe kantonet kanë investuar me sukses në këtë sistem. Zvicra është “kampione evropiane për udhëtimet me tren” prej vitesh, me një rrjet të dendur dhe një saktësi të admirueshme. Për më tepër, çmimet janë të përballueshme, edhe krahasuar me standardet ndërkombëtare.

Si të veprohet më tej?

Përfundimi i Candinas: “Duhet të ketë një balancë mes mbështetjes nga shteti dhe kontributit të përdoruesit.” Mesazhi i tij është i qartë: për të ruajtur modelin e suksesshëm të transportit publik, nuk nevojiten masa drastike, por reforma të vazhdueshme dhe të kujdesshme në nivelet e duhura.

 

 

Kanabisi mbetet më i popullarizuari, përdorimi i kokainës rritet në Austri

Sipas analizave vjetore të kryera nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (GMI) në Universitetin Mjekësor të Innsbruck-ut, konsumi i drogës në Austri në vitin 2024 duket se ndjek tendencat e viteve të mëparshme. Ndërsa kanabisi mbeti droga e paligjshme më e përdorur, kokaina vazhdoi të rritet në popullaritet. Më shumë stimulantë dhe droga sintetike u konsumuan në rajonet perëndimore sesa në lindje, përcjell albinfo.ch.

Për një studim mbarë-evropian të kryer nga Agjencia Evropiane e Barnave (EUDA), u ekzaminuan 17 impiante të trajtimit të ujërave të zeza nga 135 qytete dhe rajone—përfshirë kryeqytetin, Vjenën. Studimi u fokusua në shënuesit e konsumit të drogave të tilla si kanabisi, kokaina, amfetaminat (shpejtësia), MDMA (ekstazi) dhe metamfetamina (përbërësi aktiv në meta kristal). U përfshinë edhe substanca të ligjshme si alkooli dhe nikotina. U zbulua se konsumi i drogës në Austri është në “mesataren” e vendeve të tjera evropiane, shkruan The International.

Të dhënat ofrojnë njohuri për 3.5 milionë njerëz në Austri dhe Tirolin e Jugut. “Mesatarisht, një banor në një nga 17 rajonet e ekzaminuara në Austri konsumon pak më shumë se një gotë verë në ditë, pi tre deri në katër cigare, përdor 0,07 nyje dhe konsumon rreth 1.5 miligramë stimulantë”, shpjegoi Herbert Oberacher, kreu i laboratorit të ujërave të zeza në GMI.

Dallimet rajonale në konsumin e drogave të paligjshme

Duke parë më nga afër të dhënat, dallimet rajonale në konsumin e drogës bëhen të dukshme. Në perëndim konsumohen më shumë stimulantë dhe droga sintetike sesa në lindje. Konsumi më i lartë për frymë i kokainës u regjistrua sërish në Kufstein, qytetin e dytë më të madh në Tirol. Kokaina, në përgjithësi, duket se po bëhet gjithnjë e më popullore.

“Një zhvillim që kemi vëzhguar prej vitesh në ujërat e zeza të Austrisë është rritja e niveleve të mbetjeve të kokainës,” tha Oberacher. Në vitin 2024 janë matur 1.4 gramë për 1000 banorë. Konsumi më i lartë për frymë i amfetaminave (shpejtësia) është vërejtur në Ried im Innkreis, në Austrinë e Epërme. Konsumi i MDMA ishte përgjithësisht më i lartë në zonat urbane sesa në ato rurale, me vlerën më të lartë për frymë të regjistruar në rajonin Purgstall, në Austrinë e Ulët.

Një pamje më uniforme u shfaq në lidhje me konsumin e alkoolit dhe nikotinës, të cilat ishin mjaft të ngjashme në të gjithë Austrinë. Kanabisi vazhdoi të dominojë në të gjitha rajonet për sa i përket drogave të paligjshme, me konsum më të lartë në zonat urbane sesa në ato rurale. Mesatarisht, për 1000 banorë konsumoheshin 11 gramë THC, ndërsa Vjena kishte konsumin më të lartë në këtë drejtim.

Për më tepër, u vu re se në shumë rajone, gjatë fundjavave u gjetën më shumë mbetje të alkoolit, kokainës dhe MDMA. Ekspertët e interpretuan këtë si një tregues se këto substanca përdoren si “droga partiake”. Për studimin vjetor SCORE, mostrat u mblodhën çdo ditë nga prurjet e impianteve të trajtimit të ujërave të zeza në pranverë dhe në fillim të verës 2024, për një periudhë njëjavore, dhe më pas u analizuan.