Dy muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes me EFTA-n, mbi 7.1 milionë euro eksporti ‘Made in Kosova’ drejt vendeve anëtare

Kujtojmë se më 22.01.2025, Kosova ka nënshkruar Marrëveshje për Tregti të Lirë me shtetet e Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë (EFTA), ku bëjnë pjesë Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra, përcjell albinfo.ch.

Në Davos të Zvicrës, në ceremoninë e nënshkrimit nga anëtarët e EFTA-s dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u tha se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime të dyanshme.

Marrëveshja ofron mundësi të shumta, përfshirë për importimin dhe eksportimin e mallrave. Produktet me origjinë nga Kosova do të mund të eksportohen në vendet e EFTA-s dhe kompanitë vendore nuk do të kenë nevojë që të paguajnë tarifë doganore për to.

Deri më tani, prodhuesit vendorë janë detyruar që të paguajnë deri në 10% tarifë shtesë doganore.

Mbi 7.1 milionë euro eksporti ‘Made in Kosova’ në EFTA

Në muajin e parë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, të dhënat e ASK-së për shkurt 2025 tregojnë se eksporti i Kosovës drejt vendeve anëtare të EFTA-s është 7 milionë e 170 mijë euro, me një pjesëmarrje prej 10.7% në eksportin e përgjithshëm.

Në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2024, pati një rritje për 1 milion e 383 mijë euro apo 23.9%. Në shkurt të 2024, eksporti i Kosovës drejt EFTA-s ishte 5 milionë e 787 mijë euro.

Rritje e lehtë u vërejt edhe te importi i mallrave nga vendet e EFTA-s. Importi i Kosovës nga EFTA në shkurt 2025 kishte vlerën e 4 milionë e 16 mijë euro, me një pjesëmarrje prej 0.8% në importin e përgjithshëm.

Në krahasim me muajin shkurt të vitit 2024, kur importi kishte vlerën e 2 milionë e 540 mijë euro, paraqet një rritje prej 1 milion e 476 mijë euro apo 58.1%.

Ndryshe, marrëveshja u arrit pas më shumë se dy vjetësh negociata dhe sipas kryesueses së EFTA-s, Cecilie Myrseth, Kosova është vendi i parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor që në këtë marrëveshje, me kërkesë të saj, ka përfshirë edhe shërbimet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se me këtë marrëveshje hapet kapitulli i përforcimit i raporteve ekonomike, por edhe i avancimit të raporteve tregtare mes Kosovës dhe anëtarëve të EFTA-s.

“Marrëveshja që nënshkruajmë sot themelon një kornizë për marrëdhënie tregtare midis shteteve të EFTA-s dhe Kosovës si dhe do të krijojë mundësi të reja duke i dhënë Kosovës qasje në tregjet e EFTA-s. Këtu hapen mundësi të reja eksporti për bizneset tona dhe integrim më i thellë në kornizën ekonomike evropiane, duke na mundësuar që të garojmë në një shkallë të gjerë”- kishte thënë tha Kurti gjatë ceremonisë së nënshkrimit.

Kryeministri Kurti kishte thënë se është i bindur se kjo marrëveshje do të sjellë përfitime për bizneset, industritë dhe qytetarët.

Kryesuesja e EFTA-s, Cecilie Myrseth, tha se kjo marrëveshje është arritje e madhe për integrimin e Kosovës në sistemin global.

“Jam e bindur se kjo do të shtyjë përpara rritjen ekonomike, duke krijuar mundësi për bizneset e reja dhe qytetarët në të dyja palët”- ka thënë  ajo.

Vitin e kaluar, Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej rreth 4% dhe rënie të inflacionit. Por, shteti përballet me nivel të lartë të importit, krahasuar me atë të eksportit.

Myrseth nga EFTA tha se viteve të fundit, tregtia mes shteteve të EFTA-s është rritur shumë dhe ka arritur në mbi 176 milionë euro.

“Me lidhjen e Marrëveshjes për Tregti të Lirë mund të presim që tregtia të rritet edhe më shumë”- theksoi ajo.

EFTA tha se përveç shërbimeve financiare janë përfshirë edhe të drejtat e pronësisë intelektuale. Kosova tha se me marrëveshja të tilla synon të tërheqë investitorët e huaj që të investojnë në vend.

EFTA është krijuar më 1960 me synimin që të promovojë tregtinë e lirë.

Marrëveshje për Tregti të Lirë Kosova ka nënshkruar edhe me vendet e Evropës Qendrore (CEFTA). Kjo marrëveshje, ku bëjnë pjesë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia, synon rritjen e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, eliminimin e barrierave tregtare mes palëve dhe tërheqjen e investimeve

Të dhënat për eksport-importin e mallrave për muajin shkurt 2025, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raportit për tregtinë e jashtme të Kosovës.

Zvicra jep një njoftim për punëtorët e papunë ndërkufitarë nga Franca

Që nga 21 marsi, rregullat që rregullojnë përfitimet e papunësisë për udhëtarët francezë ndërkufitarë kanë ndryshuar – dhe jo në favor të tyre.

Nga kjo datë, punonjësit ndërkufitarë që humbin punën e tyre në Zvicër duhet të pranojnë të gjitha mundësitë e arsyeshme të punësimit (ORE) në Francë, së bashku me pagat e bazuara në shkallën franceze të pagave, përcjell albinfo.ch.

Konkretisht, kjo do të thotë se një punëtor ndërkufitar, i punësuar më parë në Zvicër dhe i paguar me një pagë zvicerane, tani do të duhet të pranojë një punë për një pagë dukshëm më të ulët.

Ndërkohë, sipas autoriteteve franceze, dekreti i ri thotë “që tani do të jetë paga e paguar zakonisht në Francë ajo që do të jetë një nga elementët përbërës të ORE dhe jo më pagat e paguara jashtë vendit”.

SWISS do të shkurtojë numrin e dy fluturimeve në distanca të gjata

Transportuesi kombëtar i flamurit do të zvogëlojë numrin e disa destinacioneve jashtë shtetit në orarin e saj të fluturimeve verore 2025, përcjell albinfo.ch.

Konkretisht, do të preken fluturimet nga Cyrihu drejt Çikagos dhe Shangait.

Midis 30 marsit dhe 30 qershorit, numri i fluturimeve javore nga Cyrihu në Çikago do të reduktohet nga 14 në 10.

Prerja është edhe më drastike për fluturimet me destinacion Shangai: nga shtatë lidhjet e mëparshme javore, vetëm tri do të mbeten.

A e ka ndaluar vërtet Zvicra mamografinë?

Sipas thashethemeve që qarkullojnë në mediat sociale, Ministria e Shëndetësisë e Zvicrës ka ndaluar bërjen e mamografisë për kancerin e gjirit, përcjell albinfo.ch.

Arsyet e supozuara për këtë lëvizje përfshijnë shqetësimet për sigurinë. “Një nga pretendimet më të shpeshta është se mamografia shkakton kancer gjiri për shkak të ekspozimit të pacientit ndaj rrezatimit gjatë procesit të shqyrtimit”, siç raportohet nga Euronews.

Nëse ndodh që të hasni në postime të tilla, dijeni se janë të rreme.

Platforma e lajmeve iu drejtua Zyrës Federale Zvicerane të Shëndetit Publik (FOPH), e cila konfirmoi se nuk ka asnjë ndalim për mamografinë në Zvicër.

Sa i përket rreziqeve të supozuara shëndetësore, Julia Schwarz, një specialiste e zbulimit të hershëm në Ligën Zvicerane të Kancerit në Bernë, tha se ka disa raste “ku një stjuardesë merr më shumë rrezatim sesa merrni me një mamografi”.

Clark: Serbia do të duhet ta njohë Kosovën dhe bashkëpunimi ekonomik do të jetë i pashmangshëm

Së fundmi, ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropë, gjenerali Wesley Clark, ka thënë se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe se bashkëpunimi ekonomik mes të dy vendeve do të jetë i pashmangshëm, përcjell albinfo.ch.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar një diskutim virtual, në shënim të 26-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, ku Clark ka folur për përmirësimin e klimës së biznesit dhe ka inkurajuar Kosovën që të përqafojë bashkëpunimin rajonal me fqinjët, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, madje edhe Serbia.

“Përfundimisht, Serbia do të duhet të pranojë pavarësinë tuaj dhe bashkëpunimi ekonomik do të jetë i pashmangshëm”, ka thënë Clark.

Ai ka theksuar se Kosova ka një pozicion shumë të rëndësishëm strategjik.

Në bashkëbisedimin me drejtorin ekzekutiv të Odës Amerikane, Arian Zeka, ai ka folur edhe për rëndësinë e sundimit të ligjit, duke kërkuar që Kosova ta forcojë atë dhe ta përdorë për të ndërtuar besimin e investitorëve.

Clark ka bërë thirrje për investime në infrastrukturë dhe energji, duke vënë në dukje rezervat e bollshme të linjitit të Kosovës, si dhe ka avokuar për transformimin digjital të vendit, përmirësimin e sistemeve tatimore, lidhjen në brezin e gjerë të internetit dhe sigurinë kibernetike për të luftuar dezinformimin dhe përmbysjen e jashtme.

Ai u ka bërë thirrje liderëve të Kosovës që të ndjekin qeverisjen e pastër, unitetin politik dhe të mbajnë një baraspeshë të fortë ndërmjet qeverisë dhe sektorit privat. “Vetëm qeveritë nuk mund të nxisin rritjen – ju nevojitet sektori privat, veçanërisht në teknologjinë e informacionit dhe shërbime, ku talenti dhe aftësitë gjuhësore të Kosovës mund të shkëlqejnë”, ka theksuar Clark.

Ai ka folur edhe për rëndësinë e kthimit të të rinjve në Kosovë, për të kontribuar me idetë e tyre për zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës.

BE-ja ende mban masat ndëshkuese ndaj Kosovës

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të parat vende të rajonit të Ballkanit për të cilat Bashkimi Evropian ka bërë pagesat e para financimit nga Plani i rritjes në Ballkanin Perëndimor, përcjell albinfo.ch.

Burimet e BE-së thonë se së shpejti pagesa do të bëhet dhe për Serbinë. Kjo do të thotë se sipas BE-së, Serbia e ka përmbushur edhe parakushtin specifik që sjellje konstruktive në normalizimin e raporteve me Kosovën. Kosova nuk e ka ratifikuar në Kuvend „marrëveshjen për kredi“ me BE dhe derisa të mos e bëj këtë nuk mund të merr pagesa. Ndërkohë ndaj Kosovës, BE-ja po i mban masat ndëshkuese të vendosura në qershor të vitit 2023.

Bashkimi Evropian ka njoftuar se i ka kryer pagesat e para për Republikën e Shqipërisë nga plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Fjala është për “para financimin” që kap shumën prej 7 për qind të mjeteve të përgjithshme, të cilat nga ky plan i janë dedikuar Shqipërisë. Shqipërisë i janë paguar tashmë 64,5 milionë euro nga të cilat 34 milionë kredi për buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër për infrastrukturë.

Një ditë më parë, BE-ja ka njoftuar se i ka realizuar edhe pagesat e para për Maqedoninë e Veriut.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të parat vende të rajonit të Ballkanit për të cilat BE-ja ka bërë pagesat e para të financimit nga Plani i rritjes në Ballkanin Perëndimor. Burimet e BE-së thonë se së shpejti pagesa do të bëhet edhe për Serbinë. Kjo do të thotë se sipas BE-së, Serbia e ka përmbushur edhe parakushtin specifik për sjellje konstruktive në normalizimin e raporteve me Kosovën.

Kosova nuk e ka ratifikuar në Kuvend “marrëveshjen për kredi” me BE-në dhe derisa të mos e bëjë këtë nuk mund të marrë pagesa. Ndërkohë, ndaj Kosovës BE-ja po i mban masat ndëshkuese të vendosura në qershorin e vitit 2023.

Për Kosovën dhe Serbinë, përpos kushteve të përgjithshme që vlejnë për të gjitha vendet e rajonit, parakusht është edhe angazhimi konstruktiv në procesin e normalizimit të raporteve.

Nëse BE-ja ka vendosur t’i bëj pagesat e para për Serbinë, atëherë Shërbimi i Veprimit të jashtëm (EEAS) dhe Komisioni Evropian kanë vlerësuar se sjellja e Serbisë në normalizimin e raporteve është konstruktive. Kjo për disa diplomatë evropian duket “diskutabile” duke pasur parasysh se ka pasur disa veprime të Serbisë të cilat nga vetë BE-ja janë quajtur si shkelje e obligimeve nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën.

Në BE thonë se janë të gatshëm t’i kryejnë edhe pagesat për Kosovën, por është Kosova ajo e cila nuk i ka kryer procedurat e saja të brendshme. Dhe Kosova në këtë moment as që mund t’i kryejë këto procedura pasi nuk ka Kuvend të konstituuar, i cili do të mund ta ratifikonte Marrëveshjen. Pra, derisa të mos konstituohet Kuvendi, Kosova nuk ka gjasa t’i marrë pagesat e para nga ky plan.  

Këto marrëveshje kanë karakter të marrëveshjeve ndërkombëtare prandaj edhe duhet të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave.

BE-ja ka vendosur që të gjitha vendet për të cilat janë aprovuar agjendat e reformave dhe rritjes të paguhet si “pagesë para financuese”, shuma prej 7 për qind e mjeteve të dedikuara për atë vend përkatës. Të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Bosnjë-Hercegovinës, e kanë përmbushur kushtin e miratimit të agjendave të reformave.

Paketa në total është në një vlerë prej 6 miliardë euro për të gjitha vendet e rajonit për një periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027. Nga kjo shumë, 2 miliardë janë grante nga BE-ja pa kthim ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme. Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan i rritjes.

Mbi 250 milionë Kosovës do t’i ndahen si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.

Sipas kësaj, Kosovës do t’i paguheshin 7 për qind në fillim si “para financim”, që i bie rreth 61 milionë euro. Për kokë banori, Kosova do të përfitojë më së shumti nga të gjitha vendet e rajonit nga kjo paketë.

Shqipëria do të përfitojë në total 922 milionë euro, Maqedonia e Veriut gjithsej do t’i mund të ketë në dispozicion 750 milionë euro, Serbia  1.58 miliardë euro, Bosnjë-Hercegovina 1 miliardë e 85 milionë euro, ndërsa Mali i zi 383 milionë euro.

“Dhurata më prekëse e jetës sime”, shalli i Presidentit Rugova i dhurohet Sali Berishës

Ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i është dhuruar shalli i Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, përcjell albinfo.ch.

Këtë dhuratë Berisha e mori nga Adnan Merovci, ish-bashkëpunëtori më i afërt i Presidentit Rugova.

Me anë të një postimi në Facebook, Berisha tha se kjo është dhurata më prekëse e jetës së tij.

“Dhurata më prekëse e jetës sime. Adnan Merovci, bashkëpunëtori i presidentit Rugova, më dhuroi shallin e mikut tim të pavdekshëm. Kjo ishte dhurata më prekëse e jetës sime. Faleminderit shumë, Adnan”, ka shkruar Berisha.

Eksperti amerikan: Trumpi mund t’i japë peshë më të madhe Serbisë, por s’do ta braktisë Kosovën

Eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben-Meir, ka folur për rolin e Shteteve të Bashkuara në dialogun Kosovë – Serbi, qasjen e mundshme të administratës së Trumpit ndaj Kosovës dhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në NATO, përcjell albinfo.ch.

Ben-Meir, sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, shprehet se Trumpi do të jetë i fokusuar më shumë në çështjet ekonomike, por nuk e përjashton mundësinë që të ndërhyjë nëse kryeministri i ri i Kosovës nuk tregon fleksibilitet në dialog.

“Nuk besoj se Trumpi do të përfshihet drejtpërdrejt në dialogun Kosovë – Serbi. Më shumë gjasa, ai do ta delegojë këtë çështje tek i dërguari i tij, sapo ta caktojë dhe do të përfshihet vetëm nëse bisedimet ngecin”.

Nga ana tjetër sa u përket shqetësimeve se ekziston rreziku që një administratë e tillë të favorizojë Serbinë në kurriz të Kosovës për shkak të faktorëve gjeopolitikë, eksperti amerikan tha se Trumpi mund të favorizojë Serbinë për disa arsye, por nuk do ta braktisë Kosovën.

“Kosova është një vend i vogël, pa ndonjë interes të madh strategjik për të. Ai mund të favorizojë Serbinë për disa arsye, por nuk do ta braktisë Kosovën, pasi nuk dëshiron të humbasë ndikimin e tij mbi Prishtinë dhe, rrjedhimisht, mbi Ballkanin”, tha Ben-Meir për Zeri.info.

Pse këto pasaporta evropiane janë më të fuqishmet në botë?

Pa dyshim se renditja e pasaportave më të fuqishme në botë bazohet në numrin e destinacioneve që mbajtësit e tyre mund të vizitojnë pa vizë. Këto renditje pasqyrojnë jo vetëm lehtësinë e udhëtimit, por edhe tendenca më të gjera politike, ekonomike dhe gjeopolitike, përcjell albinfo.ch.

Për shembull, lufta në Ukrainë ka ndikuar ndjeshëm në fuqinë e pasaportës ruse, ndërsa ndryshimet globale në marrëdhëniet ndërkombëtare po ndikojnë në privilegjet e lëvizshmërisë midis kombeve të ndryshme.

Pasaportat evropiane, së bashku me ato të Singaporit dhe Japonisë, dominojnë vazhdimisht renditjen globale, duke ia kaluar edhe pasaportës amerikane, e cila ka parë rënie të pozicionit të saj. Në të njëjtën kohë, siç raportoi USA Today, shumë qytetarë amerikanë po kërkojnë në mënyrë aktive vendbanime alternative dhe shtetësi të dyta jashtë vendit. Interesi në rritje për pasaportat e fuqishme ka çuar në rritjen e kërkesës për programe rezidence të bazuara në investime, veçanërisht në Evropë.

Ndërkohë Spanja dhe Greqia janë ndër destinacionet më tërheqëse për investitorët që kërkojnë pasaporta të fuqishme. Sipas firmës globale të migracionit të investimeve Astons, të dy vendet ofrojnë pasaporta që lejojnë akses pa viza në më shumë destinacione sesa pasaportat britanike, amerikane, ruse apo kineze. Spanja kryeson me akses në 177 vende, ndërsa Greqia pason me 176. Këto përfitime kanë kontribuar në popullaritetin e programeve të tyre përkatëse “Golden Visa”, të cilat u japin rezidencë investitorëve të huaj që plotësojnë kritere specifike financiare.

Sidoqoftë, Spanja kohët e fundit njoftoi planet për të hequr gradualisht programin e saj të Vizës së Artë, me aplikimet që mbyllen më 3 prill. Ky vendim nxitet nga presionet e brendshme politike dhe përpjekjet më të gjera të BE-së për të shtrënguar rregullat rreth migrimit të bazuar në investime. Në të kundërt, Greqia vazhdon të ofrojë një nga programet më konkurruese evropiane të qëndrimit, duke dhënë një leje qëndrimi pesëvjeçare për një investim minimal në pasuri të paluajtshme prej 250,000 euro në rajone të zgjedhura. Investimi minimal në zonat me kërkesë të lartë si Athina dhe Santorini është rritur në 800,000 €, duke reflektuar tërheqjen në rritje të programit.

Me mbylljen e dyerve të Spanjës ndaj migrimit të bazuar në investime, Greqia është shfaqur si një alternativë, duke çuar në një rritje të çmimeve të pronave në rajone kyçe si Kavala, Messinia dhe Chania.

Ndërkohë, Portugalia mbetet një tjetër opsion tërheqës, duke ofruar një program Viza të Artë me një prag investimi prej 500,000 euro, megjithëse procesi i aplikimit të saj zgjat shumë më shumë se ai i Greqisë. Ndërsa vendet rivlerësojnë politikat e tyre për skemat e rezidencës dhe shtetësisë për investim, kërkesa për pasaporta të fuqishme vazhdon të formësojë tendencat globale të migracionit.

Kosovë: 1 miliard euro importe dhe vetëm 127 milionë eksporte në 2025

Raportohet se Kosova po përballet me një përkeqësim të bilancit tregtar në fillim të vitit 2025, teksa eksportet në janar dhe shkurt shënuan rënie krahasuar me muajt e njëjtë të vitit paraprak.

Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë një rritje të deficitit tregtar dhe një rënie të eksporteve.

Në muajin janar 2025, deficiti tregtar i Kosovës arriti në 414,1 milionë euro, një rritje prej 29,6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Sipas të dhënave të publikuara, eksportet e Kosovës për këtë muaj ishin vetëm 59,7 milionë euro, duke shënuar një rënie prej 1,1 për qind.

Ndërsa importet u rritën në mënyrë të ndjeshme, duke arritur vlerën e 473,8 milionë eurove, një rritje prej 24,7 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Tendenca rritëse e deficitit tregtar vazhdoi edhe në muajin shkurt, ku ai arriti në 451,4 milionë euro, një rritje prej 13,6 për qind krahasuar me shkurtin e vitit 2024.

Eksportet u tkurrën me 4,3 për qind, duke u ulur në 67,3 milionë euro, ndërsa importet arritën 518,6 milionë euro, një rritje prej 10,9 për qind.

Rama: Pas dy javësh do të takoj shqiptarët në Itali

Gjatë një bisede ‘live’ në “Facebook”, kryeministri Edi Rama telefonoi drejtuesin e Partisë Socialiste për Diasporën, njëkohësisht ministrin për Shtetin dhe Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Ballën, për të folur për takimin me shqiptarët në Kretë, përcjell albinfo.ch.

Balla zbardhi agjendën që nis nga qyteti Hania në Kretë më 29 mars, ndërsa më 30 mars socialistët do të kenë një tjetër takim me shqiptarë që jetojnë në Athinë.

“Do të kemi takimin e parë në Hania, një ndër qytetet më të mëdha të Kretës, ku jeton prej shumë vitesh një komunitet i madh shqiptar. Në fakt, prej shumë vitesh në të gjithë Kretën jetojnë 35-45 mijë shqiptarë, sipas shifrave zyrtare, të cilët kanë një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të këtij ishulli, që është një destinacion kryesor turistik për Greqinë. Ndërsa në Hania jetojnë diku nga 10-14 mijë shqiptarë, që janë shumë të integruar dhe të përfaqësuar edhe në organet e qeverisjes vendore. Takimi në Hania do të zhvillohet në një pallat sporti, ku do të marrin pjesë shumë shqiptarë. Do të takohemi dhe me përfaqësues të shoqatave shqiptare aty, pa asnjë dallim të majtë apo të djathtë, sepse në fund të fundit kjo është për ta një vizitë historike, që për herë të parë një kryeministër shqiptar shkon t’i takojë. Kjo është më 29 pasdite, në orën 18:00.

Më pas do të kemi një takim tjetër me bashkatdhetarë që jetojnë në Athinë. Greqia është e dyta pas Italisë për numrin më të madh të emigrantëve të regjistruar për të votuar më 11 maj. Dy javë më pas, kthehemi në Itali për të pasur një takim. Kemi përzgjedhur një pikë afër Milanos, sepse ajo është pika që i bashkon të gjithë.”

Italia nuk heq dorë nga plani strategjik: Shtëpi për vetëm 1 euro

Bëhet e ditur se qyteti Penne, në rajonin e Abruzzos, po shet shtëpi të braktisura, pa kërkuar depozitë fillestare. I vetmi kusht? Të angazhohesh për rinovimin e saj, përcjell albinfo.ch.

Me këtë nismë, autoritetet shpresojnë të rikthejnë jetën në zonën e braktisur. Kjo nuk është hera e parë që Italia zbaton një plan të tillë.

Vitet e fundit, qindra qytete dhe fshatra kanë ofruar shtëpi me çmime simbolike për të tërhequr banorë të rinj dhe për të frenuar shpopullimin. /DW

Peri Koyuncu, atletja shqiptare që fitoi kampionatin e pestë të karatesë ‘UNILIG’

Sportistja e re shqiptare Peri Koyuncu jeton dhe ushtron aktivitetin e saj në fushën e arteve marciale në Turqi, shkruan albinfo.ch.

Ajo është një atlete mjaft e talentuar, e cila është vlerësuar me shumë çmime dhe medalje në kompeticionet evropiane.

Universiteti Yaşar ka marrë pjesë në Kampionatin Turk të Karatesë ‘UNILIG’, të organizuar nga Federata e Sporteve Universitare Turke, në datat 21–23 mars 2025.

Peri Koyuncu, në kategorinë e saj, fitoi kampionatin e pestë. /Albinfo.ch

Riola Xhemaili, kandidate për Evropianin në Zvicër

Futbollistja shqiptare Riola Xhemaili mund të jetë në listën përfundimtare të Zvicrës për Kampionatin Evropian në futboll, që mbahet gjatë korrikut të këtij viti në Zvicër, përcjell albinfo.ch.

Këtë e bëri të ditur Pia Sundhage, e cila është përzgjedhësja e Zvicrës.

Ajo është shprehur se Xhemaili është kandidate për Evropianin. “Por, shpejtësia e lojës është shumë e rëndësishme”, ka thënë Sundhage, shkruan Blick, përcjell tutje albinfo.ch.

Vlen të theksohet se Xhemaili luan rregullisht te skuadra e PSV Eindhovenit. 22-vjeçarja, që luan si mesfushore, për Zvicrën ka shënuar pesë gola në 22 ndeshje.

Xhemaili nuk është ftuar te Zvicra për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Francës më 4 prill dhe Islandës më 8 prill. Listën e lojtareve për këto dy ndeshje, trajnerja suedeze e Zvicrës e publikoi të hënën.

Xhudistet që i sollën Kosovës pesë medalje të reja

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, priti në takim xhudistet që i sollën Kosovës pesë medalje të reja, përcjell albinfo.ch.

Distria dhe Laura u kthyen me medalje nga Upper Grand Prix në Austri, ndërsa Enise, Blerina dhe Laurina shkëlqyen në Kupën Evropiane për Kadete në Turqi.

“Jam i gëzuar që, përveç kampioneve të dëshmuara, po shohim një brez të ri të xhudisteve plot potencial, që po e forcojnë edhe më shumë traditën tonë të suksesit. Xhudistet dhe trajnerët, Majlinda Kelmendi e Blenard Begu, i urova për këto suksese. Kosova, shtet i xhudos”, ka shkruar ai në profilin e tij.

Parisi bëhet pa makina, 500 rrugë të gjelbra për këmbësorët

Në një referendum të zhvilluar dje, banorët e Parisit votuan në favor të krijimit të një zone pa makina në një pjesë të konsiderueshme të qytetit, një hap që synon të përmirësojë cilësinë e jetesës dhe të zvogëlojë ndotjen.

Një shumicë e qartë e votuesve mbështeti planin, që do të transformojë 500 rrugë në të gjithë Parisin në zona të gjelbra dhe këmbësore. Ky ndryshim pritet të sjellë eliminimin e deri në 10,000 vendeve të parkimit gjatë viteve të ardhshme, duke detyruar shoferët të kërkojnë mundësi alternative për parkim dhe për të udhëtuar.

Përkundër këtij rezultati të fuqishëm, vetëm 4% e votuesve të regjistruar, të cilët ishin rreth 1.4 milionë, morën pjesë në referendum. Megjithatë, kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo, njoftoi se 66% e atyre që morën pjesë votuan në mbështetje të masave, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet e qytetit theksuan se konsultimet për përcaktimin e rrugëve që do të preken nga ky plan do të fillojnë “në javët në vijim”. Sipas planit të propozuar, do të krijohen rreth 25 rrugë pa makina për çdo qark administrativ të qytetit.

Përveç kësaj, Parisi ka më shumë se 6,000 rrugë, nga të cilat rreth 220 janë tashmë pa makina. Në disa zona, veçanërisht pranë shkollave, makinat tashmë nuk lejohen të qarkullojnë.

Ky është referendumi i tretë për çështje transporti në Paris në vitet e fundit, pas vendimeve të marra në lidhje me ndalimin e qirave të e-skuterëve në prill 2023 dhe rritjen e tarifave të parkimit për makinat e rënda në shkurt 2024.

Kjo iniciativë është një hap tjetër drejt një Parisi më të gjelbër dhe më miqësor për këmbësorët, dhe ka për qëllim krijimin e një ambienti më të pastër dhe më të shëndetshëm për qytetarët e tij.

 

 

Evropa alarmohet nga rritja e rasteve të tuberkulozit tek fëmijët

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), në një raport të publikuar ditën e sotme, bën me dije se rastet e tuberkulozit te fëmijët po rriten me 10%, duke shkaktuar kështu alarm në kontinent. Sipas të dhënave nga ky raport, fëmijët nën 15 vjeç përbëjnë 4.3% të të gjitha rasteve të reja apo të rishfaqura në Evropë.

Edhe pse rajoni evropian po rimëkëmbet nga ndikimi i COVID-19, efektet e pandemisë vijojnë të ndihen në testimin, parandalimin, diagnostikimin dhe kujdesin për tuberkulozin. Sfidë mbetet fakti që për 1 në 5 fëmijë me tuberkuloz nuk dihet nëse e kanë përfunduar trajtimin, gjë që mund të çojë në rishfaqjen e tuberkulozit dhe transmetimin e tij të mëtejshëm.

Drejtoresha e ECDC-së, Dr. Pamela Rendi-Wagner, është shprehur se: “Koha për të vepruar është tani! Me vetëm pesë vite për të përmbushur objektivat tona për 2030, është thelbësore që Evropa të rinovojë fokusin e saj në parandalimin dhe trajtimin në kohë dhe në mënyrë efektive. Me rritjen e tuberkulozit rezistent ndaj ilaçeve, kostoja e mosveprimit sot do ta paguajmë të gjithë nesër”, përcjell albinfo.ch.

Në Evropë, trajtimi i suksesshëm i rasteve të reja dhe të rishfaqura që filluan trajtimin me barna në vitin 2022 ishte 75.5%, por në vitin 2023 u ul në 67.9%.

Sakaq, raporti thekson se infeksioni me HIV mbetet një çështje e vazhdueshme për pacientët me tuberkuloz në Evropë. Në vitin 2023, mbi 15% e pacientëve me tuberkuloz dhe të riprekur nga kjo sëmundje ishin, po ashtu, të infektuar me HIV. Bëhet fjalë për më shumë se 19 mijë njerëz.

Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve shprehet se është thelbësore vendosja e një fokusi më të madh dhe përmirësimi i strategjisë së parandalimit të tuberkulozit.

Shqipëria shënon fitoren e parë në rrugëtimin drejt Botërorit 2026

Mbrëmja e sotme në stadiumin Air Albania ishte e mbushur me emocion dhe festë kuqezi. Kombëtarja shqiptare ka arritur fitoren e parë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, pas humbjes nga Anglia, duke mposhtur kësaj radhe Andorën me rezultatin 3-0.

Kuqezinjtë e nisën ndeshjen në mënyrë perfekte, duke marrë kontrollin e lojës që në minutat e para. Sulmuesi Rei Manaj tregoi formën e tij të shkëlqyer, duke realizuar dy gola të shpejtë në minutat 9 dhe 19, transmeton albinfo.ch.

Fitorja u vulos në minutat e fundit të takimit, kur Myrto Uzuni shënoi golin e tretë, duke i dhënë Shqipërisë tre pikët e para në Grupin K të kualifikimeve.

Me këtë fitore, Shqipëria i mbyll ndeshjet e marsit me tre pikë dhe ndez “motorët” për ndeshjen e madhe me Serbinë, e cila do të zhvillohet në Arenën Kombëtare më 7 qershor, ora 20:45.

A po përjeton Zvicra një rilindje të tramvajit?

Dikur thuajse çdo qytet i madh zviceran kishte rrjetin e tij të tramvajeve: Winterthuri, Lucerni, Schaffhauseni, Montreux, Freiburg, St. Moritz dhe Locarno — të gjitha me rrjete të zhvilluara deri në mesin e shekullit të kaluar. Por modernizimi i shpejtë dhe shtimi i trafikut motorizuar bënë që shinat të hiqeshin, për t’u lënë vendin makinave dhe autobusëve. Nga një rrjet kombëtar i dendur, mbetën vetëm pesë qytete me tramvaj: Cyrihu, Bazeli, Berna, Neuchâtel dhe Gjeneva. Edhe në Gjenevë, tramvaji u reduktua për një kohë vetëm në një linjë.

Por duket se tramvaji po kthehet sërish në skenë. Në qendër të vëmendjes sot janë Lozana dhe Lugano, të cilat po ndërmarrin hapa konkretë për të rikthyer këtë mjet transporti publik — më të qëndrueshëm, më të shpejtë dhe më efikas.

Lozanë: Tramvaji kthehet pas 60 vitesh

Rrjeti i tramvajit në Lozanë dikur shtrihej në afro 70 kilometra, por u shfuqizua në vitin 1964. Sot, pas gjashtë dekadash, qyteti po ndërton një linjë të re moderne, e cila do të lidhë Lozanën me Renens. Në fazën e dytë, rrjeti do të zgjerohet deri në St. Croix.

“Tramvaji do të zëvendësojë tre linja autobusi dhe do të rrisë kapacitetin e transportit publik,” konfirmon kompania e transportit publik të qytetit. Duke pasur korsinë e tij të dedikuar, tramvaji do të garantojë orare më të qëndrueshme dhe lëvizje të pandikuara nga trafiku i dendur. Tramvaji pritet të rikthehet në rrugët e Lozanës në vitin 2026, transmeton albinfo.ch.

Lugano: Projekti gati, nis ndërtimi në 2027

Edhe në Ticino, tramvaji është në horizont. Projekti për zgjatjen e linjës ekzistuese hekurudhore nga Ponte Tresa deri në qendër të Luganos tashmë është përfunduar, ndërsa financimi federal është miratuar. Pjesa më ambicioze e këtij projekti është ndërtimi i një tuneli nën kodrën ku ndodhet stacioni i trenit të qytetit, me një stacion të ri nëntokësor. Udhëtimi nga Bioggio drejt qendrës pritet të shkurtohet me 15 minuta.

Sipas kompanisë “Rete Tram-Treno del Luganese”, ndërtimi parashikohet të fillojë në vitin 2027, ndërsa tramvaji i parë modern pritet të dalë në qarkullim në vitin 2035 — plot 75 vjet pas tramvajit të fundit në këtë rajon.

Një trend që mund të përhapet në gjithë vendin

Rilindja e tramvajit nuk ndalet me kaq. St. Gallen është një tjetër qytet ku debati për rikthimin e tramvajit po bëhet gjithnjë e më i zëshëm. Sipas raportimeve të Radios Zvicerane SRF, ideja po fiton terren. Edhe në Winterthur, një projekt për tramvajin është futur në axhendën e diskutimeve, sipas të përditshmes Landbote. Një studim i vitit 2021 vuri në dukje gjithashtu se tramvajet do të ishin një zgjidhje e përshtatshme për të lidhur qytetin e Freiburgut me zonën e tij metropolitane. I vetmi përjashtim mbetet qyteti Biel, ku një projekt i ngjashëm u pezullua në vitin 2015.

Rikthimi i tramvajit: mjeti i transportit të së ardhmes urbane?

Nga një simbol i së kaluarës urbane, tramvaji po kthehet sot si një zgjidhje moderne, e gjelbër dhe praktike për qytetet zvicerane që kërkojnë të përballen me sfidat e trafikut, ndotjes dhe rritjes së popullsisë. Lozana dhe Lugano mund të jenë vetëm fillimi i një rilindjeje që do të shtrihet në të gjithë vendin.

 

 

 

 

Lorian Musa – brenda një jave, dy herë i artë!

14 vjeçari nga Kantoni Valis, me prejardhje nga Mitrovica fiton dy podiume të ndryshme brenda një jave. Të parin, në kampionatin internacional në Basel Open Master de Bâle medaljen e artë dhe tjetrin SKL (Suisse karaté ligue) në Bonstetten, Cyrih të Zvicrës po ashtu triumfon në vendin e parë në kategorinë e tij, shkruan albinfo.ch.

Loriani, jo vetëm që fiton vendin e parë por ndeshjet e tij ishin spektakolare duke mos lënë kundërshtarët të shënojnë asnjë pikë kundër tij.

Lorian Musa, talenti i artit marcial në ndeshjen e radhës pritet të jetë në Youth ligue më 5 prill 2025 në Guadalajara të Spanjës, në kategorinë U16 -57kg.

Loriani për çdo sukses të tij u është mirënjohës atyre që rrugëtimin e tij e bëjnë të suksesshëm, trajnerëve të tij: Olivier Knupfer, Iliana Bartolota, Swan Lorenz por edhe vëllait  të tij, Lorik Musa si dhe mbarë ekipit nacional të karatesë në Zvicër.

3 ushqimet që nuk duhen blerë kurrë në dyqan

Blerja e frutave dhe perimeve të prera paraprakisht në supermarkete mund të përbëjë një rrezik serioz për shëndetin, kanë paralajmëruar ekspertët e sigurisë ushqimore.

Sipas kimistit amerikan të ushqimit, Dr. Brian Cuoco, mangoja e copëtuar, pjepri dhe ananasi janë shumë më të ndjeshëm ndaj baktereve të dëmshme, si Escherichia coli, sesa frutat e plota.

Arsyeja është e thjeshtë – prerja heq lëkurën natyrale mbrojtëse, duke e ekspozuar brendësinë e frutave ndaj lagështirës, e cila është ideale për përhapjen e patogjenëve. Por frutat nuk janë i vetmi ushqim potencialisht i rrezikshëm, përcjell albinfo.ch.

Profesoresha e mikrobiologjisë, Callie Kniel, nga Universiteti i Delaware, paralajmëron për lakrën, e cila shpesh shtohet në sallata, supa dhe sanduiçe. Kjo lakër mund të përmbajë Escherichia coli, Listeria dhe Salmonella.