Madrid: Edhe Kosova më Kongresin Botëror të Sigurisë së Kufirit

Në Madrid, kryeqytetin spanjoll, u takuan përfaqësuesit e shteteve nga të katër anët e globit, në Kongresin Botëror të Sigurisë së Kufirit, përcjell albinfo.ch.

Republika e Kosovës u përfaqësua nga një delegacion i zyrtarëve të lartë të MPB-së, QKMK-së, Policisë së Kosovës dhe Doganës së Kosovës.

Përveç punimeve të vyeshme të konferencës, takimeve në margjina, komunikimeve me partnerë e me homologë, flamuri i Republikës së Kosovës u shfaq krenar, kur ekipi ynë pati prezantimin e institucioneve tona dhe sidomos modelin e shkëlqyeshëm të Njësisë së Informacionit të Pasagjerëve – njësi kjo e jona brenda Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Kufirit – që ndihmon luftën globale kundër terrorizmit dhe krimeve të tjera që rrezikojnë shoqëritë e vendet e globit.

 

Singapori, model për jetëgjatësinë dhe cilësinë e jetës

Nga të gjitha shtetet, vetëm Singapori si shtet ishullor në Azinë Juglindore, ka pasur rritje të jashtëzakonshme të shkallës së jetëgjatësisë, duke e bërë atë një model global për jetëgjatësinë, përcjell albinfo.ch.

Në vitin 1960, një fëmijë i lindur në Singapor kishte mundësi të jetonte deri në moshën 65-vjeçare, ndërsa sot kjo shifër është rreth 86 vjeç. Midis 2010 dhe 2020, numri i personave që jetojnë mbi 100 vjet u dyfishua, duke treguar përmirësime të mëdha në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve, ka shkruar BBC.

Kjo rritje e madhe në jetëgjatësi është rezultat i politikave dhe investimeve të kujdesshme nga Qeveria e Singaporit. Kjo arritje ka bërë që Singapori të njihet si “Zona e kaltër”, e gjashta në botë, në muajin gusht të vitit 2023. Termi “Zona e kaltër” u krijua nga gazetari i National Geographic, Dan Buettner, për të përshkruar rajonet ku njerëzit jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm, falë një kombinimi të stilit të jetesës, kulturës, dietës dhe mbështetjes në komunitet, transmeton koha. Singapori është shteti i parë që është shtuar në listën e “Zonave të kaltra” pas dekadash, dhe dallon nga zonat e tjera për shkak të politikave të avancuara që kanë përmirësuar shëndetin publik, në vend të traditave të vjetra kulturore siç ndodh në zona të tjera si Ikaria në Greqi, ose Nicoya në Kosta Rikë.

Politikat dhe praktikat që shtyjnë jetëgjatësinë në Singapor

1. Politikat shëndetësore

Qeveria e Singaporit ka zbatuar një sërë politikash për të promovuar shëndetin dhe mirëqenien. Firdaus Syazwani, një banor dhe bloger financiar, e vlerëson ndihmën e politikave strikte të ndalimit të duhanit dhe alkoolit, se jo vetëm që përmirësojnë shëndetin e individëve, por gjithashtu bëjnë hapësirat publike më të pastra dhe më mikpritëse. Për më tepër, ndonëse banorët lokalë gjatë gatimit përdorin shpesh përbërës të pasur me sheqer, kripë dhe qumësht kokosi, po ndodhin ndryshime (edhe pse të ngadalta) përmes politikave që promovojnë ushqyeshmëri më të shëndetshme.
“Iniciativa si etiketimi i detyrueshëm i vlerave ushqyese dhe përpjekjet për të ulur sasinë e sheqerit në pije, kanë bërë një ndryshim të dukshëm në ndërgjegjësimin e shëndetit publik”, ka shpjeguar Syazwani.

2. Sistemi shëndetësor i jashtëzakonshëm

Sistemi shëndetësor i Singaporit njihet ndërkombëtarisht për cilësinë e kujdesit dhe efikasitetin e tij, si dhe mbajtjen e kostove nën kontroll. Vendimi i Singaporit për të ofruar mbulim universal shëndetësor, duke kombinuar shërbimet private dhe fondet e kursimeve për të ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve të jashtme, ka kontribuar shumë në rritjen e shëndetit të qytetarëve. Ky kombinim i mbulimit të plotë dhe mundësisë për të mbajtur kostot të përballueshme ka bërë që Singapori të renditet ndër vendet më të mira për shëndetin dhe qasjen në kujdesin shëndetësor, sipas Indeksit të Prosperitetit Legatum të vitit 2023.

3. Përkushtimi ndaj hapësirave të gjelbra dhe aktivitetit fizik

Përtej sistemit shëndetësor, politikat që inkurajojnë aktivitetin në natyrë dhe gjelbërimin në qytet janë gjithashtu shumë të rëndësishme për mirëqenien e banorëve. Charu Kokate, partnere e lartë në kompaninë “Safdie Architects”, ka theksuar se politikat e Singaporit që përfshijnë parqet, kopshtet dhe rezervat natyrore në planifikimin urban kanë ndihmuar që vendi të fitojë emrin “qyteti kopsht”. Kopshti Botanik i Singaporit, i cili është i njohur nga UNESCO si një vend i trashëgimisë botërore, është shembulli kryesor, që u ofron banorëve dhe vizitorëve një mundësi për t’u relaksuar dhe për të eksploruar koleksionin e tij të jashtëzakonshëm të luleve orkide dhe fokusin e tij në ruajtjen e bimëve.
Parqet publike gjithashtu shërbejnë si qendra komuniteti, me mundësi për aktivitet fizik të përditshëm siç janë këndet e fitnesit dhe stacionet e ushtrimeve.

“Nga të rinjtë te të moshuarit do të gjesh një gamë të gjerë demografike që angazhohen në ushtrime të rregullta, të mundësuara nga parqet publike dhe aktivitetet që janë lehtësisht të qasshme”, ka shtuar Syazwani. Ai ka rekomanduar East Coast Park, një hapësirë buzë plazhit që ofron mundësi për ecje dhe relaksim, duke shijuar ajrin e freskët të detit.

Cilësia e jetës përtej jetëgjatësisë

Përveç jetëgjatësisë, cilësia e jetës në Singapor është po aq e jashtëzakonshme. Vendi është i njohur për pastërtinë dhe rendin e tij, dhe banorët e tij shijojnë ndjesinë e sigurisë.
“Përkushtimi i qeverisë për ta ruajtur një ambient të pastër dhe të mirëmbajtur, duke u fokusuar në përdorimin efikas të hapësirave dhe integrimin e natyrës në jetën urbane, ka ndihmuar që Singapori të mbetet vend i bukur dhe i sigurt për të jetuar”, ka thënë Kokate.

Në këtë vend gjithashtu festohet shumë diversiteti, sidomos përmes ushqimit të shijshëm që pasqyron popullsinë e tij të ndryshme dhe festivaleve të ndryshme si Dita e Vitit të Ri Kinez, Deepavali (Diwali) dhe Festivali Ndërkombëtar i Arteve. 

“Qyteti ka diçka për të gjithë, pavarësisht moshës. Shoqëria multikulturore pranon një gamë të gjerë traditash, duke krijuar përvojë kulturore të pasur dhe të gjallë që e pasuron qëndrimin për të gjithë”, ka thënë Kokate.

Çfarë duhet ditur për të jetuar në Singapor?

Edhe pse cilësia e jetës është e lartë, Singapori është gjithashtu një nga vendet më të shtrenjta për të jetuar, shpesh renditur pas Hong-Kongut në sondazhet globale të kostos së jetesës. Megjithatë, shumë banorë e konsiderojnë çmimin e jetesës si një shkëmbim të vlefshëm për infrastrukturën e papërshkrueshme, sigurinë dhe mundësitë për një jetë të gjatë dhe të shëndetshme.
Në përmbledhje, sukseset e Singaporit në kombinimin e jetëgjatësisë dhe cilësisë së jetës përmes politikave të mençura, hapësirave të gjelbra dhe angazhimit komunitar, janë model për vendet e tjera që duan ta përmirësojnë shëndetin publik dhe mirëqenien e qytetarëve të tyre. Si “Zona e kaltër” e gjashtë në botë, Singapori ofron standard të ri për jetën urbane.

Hamza: Jam i gatshëm ta formoj Qeverinë e re, kam komunikim me të gjitha partitë opozitare

Së fundmi, kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë sot se është i gatshëm ta formojë Qeverinë, nëse partia e parë nuk arrin t’i krijojë institucionet, përcjell albinfo.ch.

Hamza, në një konferencë për media, theksoi se Kosova nuk e ka komoditetin që të ketë vakum institucional.

“Bazuar në situatën gjeopolitike dhe ekonomike në të cilën ndodhet vendi, Kosova ka nevojë për institucione. Në rast se partia e parë nuk arrin, brenda afateve ligjore dhe kushtetuese, unë jam i gatshëm si kandidat për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës t’i marr përgjegjësitë për krijimin e Qeverisë. Jam në komunikim me partitë opozitare që ne ta krijojmë qeverinë dhe t’ia japim institucionet vendit”, është shprehur Hamza.

Hamza ka njoftuar se është tërhequr nga mandati i deputetit.

“Unë, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet, dje kam hequr dorë nga pozita e të qenit deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, sepse unë jam kryetar i Komunës së Mitrovicës. Komuna do të shkonte në zgjedhje. Do të ishte e padrejtë që brenda një periudhe të shkurtër, ndoshta më pak se 6 muaj, komuna të shkojë dy herë në zgjedhje. Do të ishte pengesë për zhvillimin e projekteve, por edhe barrë për buxhetin e Republikës së Kosovës dhe maltretim i qytetarëve të Mitrovicës”, ka thënë ai.

Hamza ka shprehur shqetësimin për stërzgjatjen e shpalljes dhe certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

FSK-së i shtohen 344 ushtarë të rinj

Sot është mbajtur ceremonia e certifikimit të 344 rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerata 01/2025, përcjell albinfo.ch.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, gjatë fjalës së saj tha se betimi si ushtar i FSK-së nuk është thjesht një akt formal, por është mision, nder dhe përgjegjësi e lartë.

“Të jeni pjesë e FSK-së nuk është thjesht profesion, është një thirrje, mision, nder dhe përgjegjësi e lartë. Sot ju do të bëni betimin tuaj si ushtarë të FSK-së dhe ky nuk është thjesht një akt formal, por një angazhim i shenjtë që do t’ju udhëheqë gjatë gjithë jetës suaj ushtarake.

Me këtë uniformë, ju mbani mbi supe emrin e Republikës së Kosovës. Ju jeni brezi që do të garantojë paqen dhe sigurinë për qytetarët tanë. Ju jeni ata që do ta çoni përpara misionin e atyre që sakrifikuan për këtë shtet; ju jeni ata që do ta mbroni amanetin e UÇK-së dhe të patriotëve të shumtë të tjerë ndër breza”, tha Osmani.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mbështetja e Qeverisë do të jetë e padiskutueshme ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe se Kosova së shpejti do të ketë edhe helikopterët “Black Hawk”.

Kurti, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e certifikimit të 344 rekrutëve të FSK-së, tha se gjatë mandatit katërvjeçar kanë dyfishuar numrin e ushtarëve të rinj, si dhe kanë investuar në armatim luftarak.

“Mbështetja jonë do të jetë vazhdimësi e mbështetjes katërvjeçare që kemi bërë deri tani. Përgjatë këtij mandati kemi dyfishuar numrin e ushtarëve; kemi rekrutuar 2,315 ushtarë të rinj, të cilëve do t’u shtohen edhe 390 ushtarë të tjerë në muajt e ardhshëm – në total 2,705 ushtarë. Kemi investuar në armatim në vlerë prej 319 milionësh, duke blerë dronët luftarakë ‘Bayraktar’, sistemin raketor antitank, dhe së shpejti do t’i kemi edhe helikopterët ‘Black Hawk’ (Skifterët e Zi) në inventarin e ushtrisë. Kemi vendosur themelin e industrisë së mbrojtjes me fabrikën për prodhimin e municionit Made in Kosova – e të gjitha këto sipas standardeve të vendeve të NATO-s”, tha ai.

Kosovari akuzohet për vjedhje të makinerive me vlerë 280.000 franga

Së bashku me djemtë e tij të mitur, një kosovar akuzohet se ka vjedhur makineri ndërtimi dhe materiale me vlerë mbi 280,000 franga nga disa lokacione në Aargau.

Sot, i akuzuari për vjedhje duhej të paraqitej para gjykatës në Lenzburg, përcjell albinfo.ch. Të dëmtuar nga grabitjet janë mbi 60 individë dhe kompani private, përfshirë Iseli Haustechnik nga Lenzburgu. Michael Fercher, menaxheri i ndërtimit të kompanisë në fjalë, thotë për Tele M1 se fillimisht ishte i tronditur, më pas kontrolloi humbjen dhe më në fund kuptoi se nuk mund të vazhdonte punën pa makineritë.

Një tjetër delikt për të cilin akuzohet autori ka të bëjë me vjedhjen e biçikletave elektronike në vitin 2020, të cilën mësohet se e ka kryer së bashku me djemtë e tij të mitur.

Gjatë marrjes në pyetje ai ka shfrytëzuar të drejtën e tij dhe nuk ka komentuar akuzat, përcjell albinfo.ch. Megjithatë, ai ka theksuar se nuk do të donte të dëbohej nga Zvicra, sepse jeta e tij ishte këtu. Ai do të dëshironte të qëndronte dhe të punonte në Zvicër.

Prokuroria kërkon 12 vjet dëbim nga vendi dhe 7 vjet burg. Avokati mbrojtës, nga ana e tij, kërkon shpalljen e pafajësisë për shkak se nuk ka prova kundër klientit të tij.

Aktgjykimi nuk ka dalë ende.

Panairi në Leipzig, ministri gjerman i Kulturës, i apasionuar pas Kadaresë

Në Leipzig të Gjermanisë po mbahet Panairi Ndërkombëtar i Librit, një nga më të mëdhenjtë në botë, pjesë e të cilit që prej vitit 2015 janë edhe shkrimtarët shqiptarë përmes Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, përcjell albinfo.ch.

Në eventin që bën bashkë mijëra lexues anembanë botës, stenda e autorëve tanë ngjalli interesin e ministrit gjerman të Kulturës, Manuel Frick, i cili shprehu adhurimin për Ismail Kadarenë dhe pranoi si dhuratë romanin “Kur sunduesit grinden”, një vepër që trajton marrëdhëniet e sundimtarëve me letërsinë.

Organizatorët sollën në vëmendje mungesën e Kosovës në Rrjetin Evropian për Letërsinë dhe Librin, Traduki, dhe kërkuan nxjerrjen e letërsisë së Kosovës jashtë kufirit.

“Shqipëria dhe Kosova janë bashkë në hapësirën e Tradukit, këtu në Panairin e Librit në Lajpcig, ku ne prezantojmë autorët tanë në një arenë ndërkombëtare. Letërsia bëhet pjesë e diskutimeve këtu në panair, por ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë është që Kosova të jetë pjesë e Tradukit, një rrjet i rëndësishëm, i cili mbështet autorët nga rajoni“, u shpreh Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

“Është shumë e rëndësishme për Kosovën që të jetë pjesë e rrjetit kulturor Traduki, pikërisht për promovimin e letërsisë shqipe të Kosovës jashtë kufijve, krijimin e urave të bashkëpunimit kulturor. Deri më tani, fatkeqësisht, Kosova nuk ka arritur të jetë pjesë e këtij rrjeti, por ne si Bibliotekë Kombëtare dhe diplomacia jonë në Gjermani kanë lobuar në këtë drejtim dhe së shpejti urojmë që ta arrijmë këtë qëllim të përbashkët“, theksoi Blerina Rogova Gaxha, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

“Fjalët lëvizin botën” është motoja e Panairit këtë vit, që do të zgjasë deri më 30 mars, ku autorët shqiptarë do të marrin pjesë në aktivitete për letërsinë bashkëkohore shqipe, traditën, gjuhën dhe përkthimin.

CN Traveller: Zbuloni plazhet më të mira në Shqipëri

Revista globale CN Traveller (Condé Nast Traveller), nis shkrimin për Shqipërinë duke përshkruar me një numër vargmalesh të ndryshme që shtrihen përgjatë anës lindore të Shqipërisë, bregdeti i saj jugperëndimor është shtëpia e plazheve parajsore ku dielli shkëlqen dhe çadrat ofrojnë hijen e nevojshme për turistët, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa plazhet e saj me rërë kanë qenë një sekret, për një kohë të gjatë, në krahasim me fqinjët më të njohur si Kroacia dhe Greqia, Shqipëria po shndërrohet në një romancë verore që nuk do ta harroni kurrë!

Plazhi i Ri dhe Uji i Ftohtë, pranë Vlorës

Këto dy plazhe janë porta për në Rivierën Shqiptare – në skajin verior të saj – dhe nisja drejt plazheve më të mira në Shqipëri.

Vlora, e vendosur pak më shumë se 90 milje nga kryeqyteti shqiptar, Tirana, është një qytet port ku detet Jon dhe Adriatik takohen dhe shkëmbinjtë shtrihen përgjatë bregdetit.

Qyteti tërheq një sërë turistësh të cilët gjejnë plazhe dhe atmosfera të ndryshme për çdo shije.

Nëse jeni duke kërkuar një atmosferë të gjallë feste, ju presin baret në Plazhin e Ri.

Nëse preferoni një vendpushim më të qetë, atëherë drejtohuni në Ujin e Ftohtë më të izoluar.

Llamani, në Himarë

Himara, një fshat tjetër në Rivierë ofron dy atmosfera të ndryshme. Përveç të qenit një vendpushim popullor plazhi, ka një fshat të qetë ku jeta vazhdon prej kohësh, me peshkatarë që mblidhen në taverna tradicionale pas një dite peshkimi në det.

Është një pasqyrim i plazheve më të mira të Shqipërisë – i hapur për turistët ndërkombëtarë, por duke mos harruar rrënjët e saj.

Vendi më i mirë për të shijuar diellin dhe detin pranë Himarës është në Llaman, një plazh shumë i preferuar nga vendasit.

I vendosur midis dy kodrave, ky liman me guralecë është vendi ideal për të pushuar.

Saranda

Qendra e madhe e turizmit në Rivierën Shqiptare, Saranda, është gjithashtu një nga destinacionet më të njohura në Ballkan me një atmosferë që shpesh ndihet e ngjashme me atë që gjendet në shumë resorte mesdhetare të Spanjës.

Qyteti po përjeton një bum ndërtimi dhe kodrat pas detit janë të mbushura me hotele dhe ndërtesa apartamentesh në proces ndërtimi.

Buneci

Buneci, në Sarandë të tërheq me dritat e ndezura dhe atmosferën festive të fqinjit të tij jugor. Megjithatë, ata që do të zgjedhin të kalojnë disa ditë në Bunec, do të gjejnë një plazh pothuajse të shkretë me guralecë të bardhë që është po aq i bukur sa çdo plazh tjetër pranë Sarandës.

Ndërsa ka një infrastrukturë bazë turistike, ky fshat bregdetar mbetet relativisht i pazhvilluar. Ka disa kafene tradicionale dhe një hotel, por ju ende do të jeni në gjendje të dëgjoni zhurmën e valëve.

Ishujt e Ksamilit

Nëse do të na duhej të hartonim një listë me destinacionet më të mira të plazheve të Shqipërisë, Ishujt e Ksamilit do të ishin të paktën ndër tre të parët, nëse jo në vendin e parë.

Ky arkipelag, 12 milje larg Sarandës, është më shumë se thjesht një imazh kartoline.

Atmosfera ju jep ndjesinë sikur jeni në një ëndërr: katër ishuj të pyllëzuar në mes të një deti të mahnitshëm me ujëra bruz.

Ndërsa shikoni në horizont, do të shihni një numër ishujsh të tjerë që dukenaq afër, saqë do të dëshironit t’i preknit!

Dhërmi

Edhe pse emri i tij mund të mos jetë i njohur për ata që nuk e kanë vizituar ende Shqipërinë, Dhërmiu është një nga plazhet më të njohur në vend.

Dikur një sekret i ruajtur nga vendasit, sot ky plazh urban është gjithashtu një nga më të mëdhenjtë në Shqipëri – dhe as në mes të gushtit nuk do ta keni të vështirë të gjeni një hapësirë për të shtruar peshqirin.

Shpirtrat aventureske do të duan gjithashtu të eksplorojnë limanet dhe shpellat aty pranë, duke përfshirë Drymades, një nga të paktat pika që mund të rivalizojë Ksamilin – i konsideruar si plazhi më i bukur i Shqipërisë.

Drymades

Në Drymades, do të gjeni rërë të imët, guralecë të bardhë dhe pemë ulliri shekullore, por edhe shezllone dhe çadra shumëngjyrëshe, bare plazhi në modë dhe një sërë akomodimesh – nga bungalot modeste deri te hotelet me pesë yje. Ai konsiderohet si plazhi më cool në Shqipëri.

Qeparo

Qeparo është një nga plazhet nën radar dhe më pak të vizituar në Rivierën Shqiptare.

Ky fshat ka dy shkëmbinj me pamje nga Mesdheu dhe ofron një panoramë mahnitëse për Instagram-in, natyrisht, pa asnjë filtër.

Ndërkohë që flitet për plazhet e Shqipërisë, plazhi i Qeparoit arrin të mbetet sekret. Nëse udhëtoni atje, mund të zbuloni se nuk do të takoni turistë të tjerë nga përtej rajonit.

Gjipe

Në bregun jugor, afër fshatit Dukat, ndodhet një plazh i fshehtë i quajtur Gjilek.

Atmosfera e pacenuar dhe pa njerëz e bën aksesin pak të ndërlikuar, pasi ai mund të arrihet vetëm me varkë ose duke ecur më këmbë për gati gjysmë ore – përgjatë një shtegu që nis nga fshati Gjilek dhe përshkon kanionin mbresëlënës që e rrethon, me shkëmbinjtë e lartë dhe ujërat e kristalta.

Gjiri i Gramës

I vogël dhe tërheqës, me rërë të imët të bardhë, Gjiri i Gramës është i fshehur mes shkëmbinjve të thepisur dhe i rrethuar nga bimësi e harlisur.

Mënyra më e lehtë për ta vizituar është nga deti duke pasur parasysh vendndodhjen e tij të largët dhe të izoluar.

Ai ofron pikërisht atë që do të dëshironit të gjenit në pushimet tuaja në plazhin shqiptar, duke përfshirë ujërat shkëlqyese bruz të detit Jon.

Mos humbisni mbishkrimet e lashta në shkëmbinjtë e afërt që datojnë që nga periudhat romake dhe greke.

Durrës

Mos u trembni nga madhësia e Durrësit, qyteti i dytë më i populluar në Shqipëri.

Përveç përfshirjes së disa vendeve të njohura romake, si amfiteatri dhe banjat – ai është i bekuar me një shtrirje bregdetare rreth 6 milje të gjatë – ku mund të gjeni një shezlong dhe vendosni peshqirin tuaj.

Borsh

Pak më shumë se 4 milje plazh i pacënuar, pikërisht në jug të Qeparoit, ndodhet Borshi.

Plazhi i tij verbues, ndërpritet nga shkëmbinjtë dhe limanet në një nga rrugët më dramatike bregdetare të vendit.

Plazhi, çuditërisht një nga më pak të vizituarit në Shqipëri – i cili është i rrethuar nga ullinj dhe kodra.

Borshi – i cili pasqyron Mesdheun e dikurshëm, ika arritur të mbijetojë në gjendjen e tij të pastër dhe të pacënuar.

Njohja nga Kenia, ambasada britanike uron Kosovën

Ambasada britanike ka uruar Kosovën për njohjen nga Kenia, përcjell albinfo.ch.

“Urime Kosovë për vendimin e Kenias për ta njohur pavarësinë e Kosovës! Kjo e vazhdon momentumin e Kosovës drejt forcimit të lidhjeve diplomatike dhe bashkëpunimit në mbarë botën”, thuhet në urimin e kësaj ambasade.

Shteti i kontinentit afrikan njohu shtetësinë e Kosovës më 26 mars, njohje kjo që erdhi pas afro 5 vjetësh të ngecjes së këtij procesi.

Ajo u sigurua nga kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, i cili dha edhe detaje për arritjen e saj.

Në një postim në Facebook, ai tha se që nga viti 2009 kishte lobuar dhe biseduar me autoritetet keniane për ta arritur njohjen.

Presidentja Osmani pranon letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Bullgarisë në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski, përcjell albinfo.ch.

E para e vendit uroi Kraevskin për detyrën e tij të re dhe shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë ndaj Kosovës, veçanërisht në fuqizimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe integrimit euroatlantik të vendit.

Sipas njoftimin të Presidencës, në këtë takim, Osmani falënderoi Bullgarinë për mbështetjen e palëkundur në proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe inkurajoi vazhdimin e avokimit bullgar për fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Presidentja Osmani, në takim me ambasadorin e ri të Bullgarisë shtroi nevojën për heqjen e menjëhershme të masave të padrejta të BE-së, të cilat po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës, pa dallim. Në këtë kuadër, Presidentja Osmani vlerësoi angazhimin e Bullgarisë për sigurinë rajonale dhe globale si dhe angazhimin e homologut të saj, Presidentit bullgar Rumen Radev, që ta mbështesë vazhdimisht Kosovën në këtë drejtim”, thuhet tutje në njoftim.

“Presidentja Osmani dhe Ambasadori Kraevski diskutuan edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në ekonomi, arsim, kulturë, turizëm e fusha të tjera”.

Ambasadori Rohde: Jam i frustruar për moslargimin e masave të BE-së ndaj Kosovës

Së fundmi, në një emision televiziv, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka kërkuar që masat e BE-së ndaj Kosovës të hiqen, teksa ka shprehur frustrimin se një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Po ashtu, Rohde ka kritikuar edhe qasjen e Serbisë pas njohjes që Kosova mori nga Kenia.

“Për masat, mund të përsëris vetëm se Gjermania avokon vazhdimisht heqjen e menjëhershme të masave, si shumica e vendeve. Më duhet të pranoj se jam gjithashtu pak i frustruar që nuk ka ndodhur ende, sepse krijon një çekuilibër dhe efekte konkrete”, ka thënë ai në një intervistë në “Interaktiv”.

Kosovës i janë vënë masat ndëshkuese në qershorin e vitit 2023 dhe ato nuk janë hequr, edhe pse ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në fund të vitit të shkuar rekomandoi një gjë të tillë.

E ambasadori gjerman ka kritikuar edhe Serbinë pas reagimeve të zyrtarëve të saj për njohjen e fundit që Kosova mori nga Kenia.

“Është vërtet e mirëseardhur që Kenia e njohu Kosovën. Shpresoj që shumë vende të tjera ta bëjnë të njëjtën gjë. Dhe sigurisht që reagimi i Serbisë është shkelje e rëndë e nenit të katërt të marrëveshjeve të Brukselit për të mos bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, u shpreh Rohde.

Ambasadori Rohde, në intervistë, ka folur edhe për marrëveshjen ushtarake të arritur mes Kosovës, Kroacisë e Shqipërisë, për Planin e Rritjes të BE-së, si dhe për ndikimin dhe qasjen që mund të ketë qeveria e re gjermane në raport me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Bizneset kosovare prezantohen në aktivitetin “Match-Maker Albania 2025” në Tiranë

MINT/KIESA, bashkë me biznese kosovare, po merr pjesë në aktivitetin biznesor “Match-Maker Albania 2025”, që po mbahet në Tiranë. Ky aktivitet, i organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), ka sjellë së bashku biznese dhe institucione nga shtete të ndryshme të botës, përcjell albinfo.ch.

Fokusi i këtij aktiviteti janë takimet B2B (business-to-business) dhe B2G (business-to-government), të cilat mundësojnë rrjetëzimin dhe bashkëpunimin ndërmjet bizneseve dhe institucioneve pjesëmarrëse.

Përfaqësuesit e bizneseve nga Kosova po zhvillojnë takime B2B me kompani nga Shqipëria dhe vende të tjera që po marrin pjesë në këtë ngjarje, me qëllim të zgjerimit të bashkëpunimit dhe rritjes së mundësive për zhvillimin e aktiviteteve të tyre biznesore.

Në kuadër të aktivitetit, u organizua edhe një panel diskutimi me temë “Investing and Expanding in the Balkans”. Gjatë këtij paneli, z. Zef Dedaj, ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s, prezantoi mundësitë që Kosova ofron për investitorët e huaj, si dhe potencialin e bizneseve vendore për zgjerim në tregjet ndërkombëtare. Ai gjithashtu theksoi shërbimet që KIESA ofron për investitorët dhe rëndësinë e zhvillimit të ekosistemit inovativ përmes mekanizmave të ndryshëm mbështetës.

Poloni: Ansambli ‘Shota’ përfaqëson Kosovën në festivalin ndërkombëtar të folklorit

Bëhet e ditur se Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” nga Kosova do të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit “Święto Pod Kyczerą” në Poloni, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se ky festival prestigjioz, i cili zhvillohet rregullisht që nga viti 1996, do të mbledhë mbi 300 artistë nga mbarë bota, për të kremtuar trashëgiminë kulturore dhe artistike të popujve të ndryshëm.

Vlen të theksohet se pjesëmarrja e Ansamblit “Shota” në këtë festival u mundësua falë një bashkëpunimi të ngushtë me Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Varshavë dhe organizatën “Kosova in Poland”. Kryetari i Shoqatës Poloni–Kosovë, gjatë një vizite pune në Qendrën e Kulturës në Legnica, u takua me drejtorin e festivalit, Jerzy Starzyński, ku u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërkulturor dhe u inicua pjesëmarrja e ansamblit kosovar në këtë aktivitet.

Përmes projektit zviceran, vaji i ullirit nga Shqipëria tani në tregun botëror

Bëhet e ditur se vaji i ullirit ‘Valmi’ nga zona e Elbasanit bëhet produkti i parë shqiptar i regjistruar si Tregues Gjeografik nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), përcjell albinfo.ch.

Kjo do të thotë njohje ndërkombëtare, dhe Ambasada e Zvicrës në Shqipëri e konsideron një arritje të rëndësishme në tregun botëror.

“Jemi krenarë që projekti ynë Shqiptaro-Zviceran i Pronësisë Intelektuale ALSIP bëri të mundur procesin e regjistrimit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”.

https://www.facebook.com/share/p/1AWcLCfGTb/?mibextid=wwXIfr

Dea Kamberi shpallet ‘Distinguished Young Woman of Massachusetts’, e para studente nga Worcester-i me këtë titull

Shqiptarja Dea Kamberi është maturante në Doherty Memorial High School dhe është shpallur “Distinguished Young Woman of Massachusetts 2025”, duke u bërë e para studente nga shkollat publike të Worcester që merr këtë titull prestigjioz, transmeton albinfo.ch.

Thuhet se ky vlerësim i rëndësishëm njeh arritjet e jashtëzakonshme të Deas në pesë fusha kryesore: rezultate akademike, intervistë, talent, aftësi fizike dhe vetë-shprehje, dhe ajo do të përfaqësojë shtetin e Massachusetts në garën kombëtare.

https://www.facebook.com/share/1YtL8Xcs4k/?mibextid=wwXIfr

Kosova në Panairin e Librit në Leipzig

Republika e Kosovës është sërish pjesë e Panairit të Librit në Leipzig, duke dëshmuar angazhimin tonë në diplomacinë kulturore dhe promovimin e autorëve e veprave letrare nga Kosova, përcjell albinfo.ch.

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, bashkë me Blerina Rogova Gaxha, drejtoreshën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, takuan përfaqësues nga shtete të ndryshme evropiane, duke theksuar rëndësinë e letërsisë dhe kulturës shqiptare në skenën ndërkombëtare.

Përkthimi dhe shpërndarja e veprave të autorëve tanë në gjuhë të huaja po rritet gjithnjë e më shumë, duke hapur horizonte të reja për letërsinë e Kosovës nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Ora e verës: Një orë dritë më shumë, efektet e ndryshimit

Me ardhjen e pranverës, një tjetër ndryshim i rëndësishëm ndodh: kalimi në orën e verës. Në natën mes të shtunës dhe të dielës, më 30 mars, ora do të kthehet një orë përpara, duke kaluar nga 02:00 në 03:00. Ky ndryshim do të thotë një orë më pak gjumë, por gjithashtu një orë më shumë dritë gjatë mbrëmjes.

Kjo është periudha kur ora verore vjen në jetë, duke na ofruar më shumë dritë natyrore gjatë pasdites dhe duke rritur orët me diell gjatë ditës. Ndryshimi i orës ka një qëllim të qartë: optimizimin e përdorimit të energjisë diellore dhe uljen e konsumit të energjisë elektrike, një iniciativë që e ndan e gjithë Europa, përcjell albinfo.ch.

Nga fundi i marsit deri në tetor, shtetet evropiane përshtaten me orën verore, një masë që është bërë e detyrueshme që nga viti 1981, si pjesë e përpjekjeve për të kursyer energjinë. Megjithatë, edhe pse është diskutuar vazhdimisht rreth mundësisë për të hequr dorë nga ky ndryshim, për momentin, praktika vazhdon.

 

Rutina e mbrëmjes që qetëson trupin dhe mendjen – yoga për çdo ditë

Pas një dite të gjatë në punë ose shkollë, trupi dhe mendja shpesh kërkojnë qetësi dhe çlirim nga stresi. Një rutinë e thjeshtë yoga, që zgjat vetëm disa minuta në mbrëmje, mund të bëjë diferencën në cilësinë e gjumit dhe mirëqenien e përgjithshme, përcjell albinfo.ch.

Lëvizjet e buta dhe ushtrimet e frymëmarrjes janë çelësi për të kaluar nga ritmi i shpejtë i ditës në një gjendje më të qetë fizike dhe emocionale. Ekspertët e yoga-s rekomandojnë një seri ushtrimesh të thjeshta si pozicioni “child’s pose”, shtrirja me këmbë të ngritura kundër murit, apo edhe një rotacion i lehtë i shtyllës kurrizore në shtrat.

Këto lëvizje mund të bëhen pa pajisje shtesë, pa tapet profesional dhe nuk kërkojnë përvojë të mëparshme në yoga. Mjafton vetëm një vend i qetë dhe disa minuta për t’u lidhur me trupin dhe frymëmarrjen.

Rregullsia në këtë praktikë e vogël sjell përfitime të mëdha: reduktim të stresit, përmirësim të gjumit dhe ndjenjë më të mirë trupore e mendore. Edhe ata që mendojnë se janë “shumë të ngurtë” për yoga, mund ta përdorin këtë rutinë si një mënyrë për të filluar.

 

https://www.nytimes.com/2025/03/24/well/move/evening-yoga-routine.html

Shteti evropian që pezullon të drejtën e emigrantëve për të kërkuar azil

Polonia ka vendosur të pezullojë përkohësisht të drejtën e emigrantëve që arrijnë përmes kufirit të saj me Bjellorusinë për të aplikuar për azil. Vendimi u njoftua nga Kryeministri polak, Donald Tusk, dhe pas miratimit të projektligjit të diskutueshëm, që i mundëson autoriteteve polake të ndalojnë aplikimet për azil deri në 60 ditë, presidenti Andrzej Duda e nënshkroi atë në ligj.

Tusk theksoi se ligji do të miratohej “pa vonesë”, duke shtuar se ndryshimet ishin të nevojshme për të forcuar sigurinë në kufijtë e vendit. Ndërkohë, presidenti Duda theksoi nevojën për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, përcjell albinfo.ch.

Ky ligj ka nxitur kritika të ashpra nga organizatat e të drejtave të njeriut, përfshirë “Human Rights Watch”. Grupi ka kërkuar që Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapa ligjorë kundër Polonisë nëse ligji zbatohet. Human Rights Watch argumenton se ky projektligj i bie kundër detyrimeve ndërkombëtare të Polonisë dhe mund të çojë në mbylljen e plotë të kufirit Poloni-Bjellorusi, ku autoritetet polake janë akuzuar për kthimin e emigrantëve në mënyrë të paligjshme dhe abuzive.

Qeveria polake ka sqaruar se pezullimi i të drejtës për azil do të aplikohet vetëm përkohësisht dhe vetëm për ata individë që përbëjnë kërcënim për sigurinë e shtetit, siç janë grupet e emigrantëve agresivë që përpiqen të sulmojnë kufirin.

Sipas projektligjit, përjashtime do të bëhen për të miturit e pashoqëruar, gratë shtatzëna, të moshuarit, të sëmurët, dhe ata që janë në rrezik të shkeljes së të drejtave të tyre, si dhe për shtetasit e vendeve të akuzuara për instrumentalizimin e migracionit, si Bjellorusia.

Kryeministri Tusk ka hedhur poshtë kritikat nga grupet e të drejtave të njeriut, duke theksuar se ky ligj nuk është një shkelje e të drejtave të njeriut. Ai theksoi se ligji ka për qëllim ndalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit nga emigrantët që vijnë në grupe të organizuara nga regjimi i Lukashenkos në Bjellorusi.

Qeveria e ardhshme gjermane mund ta bëjë më të lehtë heqjen e shtetësisë për shtetasit me dy kombësi

Qeveria e ardhshme gjermane mund të krijojë mundësi më të lehta për të hequr shtetësinë nga shtetasit me dy kombësi që mbajnë pikëpamje ekstreme ose antisemitike.

Një koalicion i mundshëm i CDU/CSU dhe SPD po shqyrton mundësinë e revokimit të shtetësisë për ata që mbështesin terrorizmin ose e kundërshtojnë rendin demokratik.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për pasojat e mundshme të krijimit të një sistemi me dy klasa shtetësie, duke ndikuar negativisht në shtetasit me dy kombësi, transmeton albinfo.ch. Gjithashtu, përdorimi i këtyre mundësive mund të hapë mundësi për abuzime dhe përdorim politik të shtetësisë për qëllime të tjera.

Kjo përballet me barrierat ligjore, pasi ligji gjerman e mbron shtetësinë kundër revokimit të pajustifikuar.

Nëna dhe motrat e Krushës së Vogël, të paharruara edhe në prag të Bajramit

Në prag të festës së Bajramit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Krushën e Vogël për të bashkëbiseduar me nënat, motrat dhe gratë e kësaj ane, të cilat kanë përjetuar plagët më të rënda të luftës,përcjell albinfo.ch.

Në këtë vizitë simbolike, presidentja u shoqërua nga përfaqësues të komunitetit shqiptar nga Philadelphia, SHBA, të cilët sollën dhurata të mbledhura me përkushtim nga vëllezërit Osmanollaj dhe modelja e njohur Emina Cunmulaj. Këto dhurata janë fryt i një ngjarjeje të organizuar më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, me qëllim mbështetjen e grave të Krushës.

Presidentja Osmani u shpreh mirënjohëse ndaj bashkatdhetarëve për zemërgjerësinë dhe kujdesin e vazhdueshëm: “Isha e lumtur që, edhe pse pak më herët, arritëm t’ju gjendemi pranë nënave të Krushës për të ndarë solidaritet, dashuri dhe kujdes në prag të festës së Bajramit.”

 

Operatori gjerman i hekurudhave, Deutsche Bahn, raporton një humbje të madhe tjetër

Deutsche Bahn, operatori shtetëror i hekurudhave në Gjermani, raportoi një humbje neto prej 1.8 miliardë eurosh për vitin 2024, duke treguar një përmirësim nga humbja prej 2.7 miliardë eurosh në vitin 2023. Megjithatë, kompania ende është e ngarkuar me një borxh prej 32 miliardë eurosh,përcjell albinfo.ch.

Kryetari i Deutsche Bahn, Richard Lutz, e cilësoi situatën si krizën më të rëndë që nga reformat e mëdha të hekurudhave në vitet 1990. Problemet përfshijnë kushte të këqija infrastrukturore, greva dhe dobësinë e ekonomisë gjermane, që ka hyrë në recesion për dy vitet e fundit. Vonesat në trena janë gjithashtu rritur, me vetëm 62.5% të shërbimeve të largëta që mbërritën në kohë në vitin 2024.

Lutz theksoi se janë bërë investime të mëdha në infrastrukturë dhe se ka një plan reformimi që përfshin reduktimin e vendeve të punës. Ai shprehu optimizëm për vitin 2025, duke parashikuar rritje të shitjeve dhe ulje të borxheve.

Qeveria gjermane ka miratuar një fond prej 500 miliardë eurosh për rinovimin e infrastrukturës, i cili do të shpenzohet gjatë 12 viteve të ardhshme. Ky fond do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të transportit hekurudhor dhe në krijimin e sigurisë ekonomike për industrinë.

Përpjekjet për reformimin e hekurudhave janë duke u diskutuar në kuadër të formimit të qeverisë së re, ndërsa planifikohen investime të mëdha në vitet në vijim.

 

Si do të zbatohet vendimi për ndalimin e telefonave në shkollat austriake?

Austria do të zbatojë një ndalim kombëtar për telefonat celularë dhe orët inteligjente në shkolla nga 1 maji, për nxënësit deri në klasën e tetë. Ky ndalim do të jetë në fuqi gjatë gjithë ditës shkollore dhe për ngjarjet shkollore.

Megjithatë, rregulloret ofrojnë disa përjashtime, duke lejuar shkollat të përshtatin politikën sipas nevojave të tyre.

Nxënësve u ndalohet të përdorin pajisje elektronike gjatë orëve, pushimeve dhe aktiviteteve shkollore. Ministri i Arsimit, Christoph Wiederkehr, tha se synimi është të stimulohet ndërveprimi ballë për ballë dhe përmirësimi i aftësive sociale dhe koncentrimit, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, mund të ketë përjashtime për qëllime edukative, aktivitete shkollore të gjata ose për arsye shëndetësore.

Në raste të shkeljeve të përsëritura, pajisjet mund t’u konfiskohen nxënësve dhe t’u dorëzohen prindërve.