Kosovë: Sot rivarrosen dhjetë viktimat e luftës që ishin të zhdukur

Mbetjet mortore të 10 viktimave të luftës së Kosovës, të cilët ishin në Listën e Personave të Zhdukur dhe janë identifikuar së fundmi nga mbetjet mortore të zhvarrosura nga varreza masive në Bishtazhin, po rivarrohen sot, përcjell albinfo.ch.

Pas mbledhjes komemorative të organizuar dje në Malishevë, ceremonitë e rivarrimit të organizuara nga komunat përkatëse, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, mbahen sot më 4 prill.

KQPZh njofton se nga ora 12:00 – 13:00 do të mbahen homazhe në Sallën e Sporteve “Adem Jashari” në Klinë, ndërsa në ora 13:00 mbahet Akademia Përkujtimore, po ashtu në Sallën e Sporteve në Klinë.

Nga ora 14:30 zhvillohet ceremonia e rivarrimit në Kompleksin Memorial “Kodra e Kuqe” në Grabanicë, për këta viktima:

  • Adem (Hazir) Gashi, Klinë

  • Sahit (Ahmet) Gashi, Klinë

  • Bekim (Hashim) Hasani, Klinë

  • Sheremet (Brahim) Ismajli, Klinë

  • Osman (Kadri) Fejza, Klinë

  • Shkëlzen Rifat Hajdaraj, Klinë

  • Bekim (Muharrem) Gashi, Klinë

Nga ora 16:30 nis ceremonia e rivarrimit në varrezat e fshatit Jashanicë (Klinë), për viktimën Mentor (Xhemajl) Myrtaj.

Në Malishevë mbahet ceremonia e rivarrimit të viktimës Vehbi (Pajazit) Halilaj. Në ora 13:00 mbahen homazhe në Shkollën “Petro Nini Luarasi” në fshatin Llapqevë, ndërsa në ora 14:00 rivarrimi i Mentor (Maliq) Kryeziu në varrezat e po këtij fshati.

Në ora 15:00 mbahen homazhe te Oda e Fshatit (pranë shkollës) në Bubavec, kurse në ora 16:30 zhvillohet rivarrimi në varrezat e fshatit Bubavec.

Ndërsa rivarrimi i mbetjeve mortore të viktimës Sabedin (Kadri) Kryeziu është organizuar më 21 mars 2025 në varrezat e fshatit Mleqan, Malishevë.

Gjermania dhe Austria ndalojnë hyrjen e Dodikut në këto dy vende

Gjermania dhe Austria do të ndalojnë hyrjen e liderit të serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, në këto dy vende, përcjell albinfo.ch.

Hyrja në Gjermani dhe Austri ndalohet gjithashtu edhe për kryeministrin e Republikës Srpska, Radovan Višković, dhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Nenad Stevandić.

Në mars, Gjykata e Bosnje e Hercegovinës lëshoi fletarrestime për këta tre liderë të entitetit serb të Bosnjës, për shkak se kanë nxitur një krizë kushtetuese në vend.

Ata akuzohen se kanë shkelur rendin kushtetues të Bosnje e Hercegovinës me veprimet e tyre antikushtetuese.

Të tre kanë shpërfillur thirrjet e autoriteteve për t’u paraqitur për marrje në pyetje.

Zvicër: Shkalla e papunësisë mbeti në 2.9 për qind në muajin mars

Në Zvicër, numri i të papunëve ka shënuar një rënie të lehtë në muajin mars. Megjithatë, shkalla e papunësisë ka mbetur në nivelin e një muaji më parë.

Në të gjithë Zvicrën, 132.569 persona janë regjistruar si të papunë në qendrat rajonale të punësimit (RAV) në fund të marsit, siç njoftoi të premten Sekretariati Shtetëror për Çështje Ekonomike (Seco), transmeton albinfo.ch. Kjo ishte 2.877 persona ose 2.1 për qind më pak se në shkurt.

Shkalla e papunësisë ka mbetur në 2.9 për qind. E rregulluar sezonalisht, norma është rritur në 2.8 nga 2.7 për qind, siç ka njoftuar më tej Seco. Në varësi të periudhës së vitit, luhatjet sezonale mund të ndikojnë në vlerat në disa sektorë. Kjo ndikon, ndër të tjera, në lëmenjtë e ndërtimit dhe hotelierisë.

Pamja sa u përket punëkërkuesve pothuajse nuk ka ndryshuar. Në mars, gjithsej 212.390 njerëz u regjistruan në RAV në kërkim të një pune. Kjo është një rënie e lehtë prej 309 personash krahasuar me muajin shkurt. Prandaj, shkalla e punëkërkuesve mbeti në 4.6 për qind, shkruan sda.ch.

Në mars ka pasur më pak vende të lira pune se në shkurt. Në RAV u raportuan 42.530 vende të lira pune, një rënie prej 4.2 për qind. Pak më shumë se gjysma e vendeve të lira të punës i nënshtroheshin kërkesës për raportim, e cila vlen për profesionet me një shkallë papunësie prej të paktën 5 për qind.

Pasojat për bizneset kosovare pas vendosjes së tarifës nga SHBA-ja

Mësohet se mbi 60 për qind të produkteve nga kompania kosovare Walone Fashion Group shiten në tregun e Shteteve të Bashkuara – deri më tani pa ndonjë tarifë doganore, përcjell albinfo.ch.

Por kjo do të ndryshojë pas 5 prillit, kur hyn në fuqi vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për tarifën prej 10 për qind për importet nga Kosova.

Masa tregtare për Kosovën është pjesë e një vendimi më të gjerë të Uashingtonit, që shënjestron me tarifa të gjitha vendet e botës.

Pronari i kompanisë, Valon Osmani, thotë se ky vendim do të ketë ndikim në biznesin e tij, pasi shumica e konsumatorëve janë amerikanë.

Kompania Walone Fashion Group njihet për fustanet elegante dhe moderne të nusërisë.

Osmani thotë për Radion Evropa e Lirë se që shtatë vjet eksporton produkte në SHBA që kapin vlerën deri në 800.000 euro në vit.

“Tani jemi në siklet, pasi nuk e dimë si do të reagojnë klientët, a do të vazhdojnë të porosisin apo do të anulohen disa porosi. Tani mbetet të shohim si do të ndikojë kjo situatë. Normalisht, do të marrim disa masa në varësi të zhvillimeve”, thotë ai.

Osmani shprehet se nuk është i interesuar që të ulë sasinë e eksportit, por synon që të rrisë çmimet e produkteve.

Organizatat ekonomike në vend kanë paralajmëruar se tarifa prej 10 për qind do të rrisë çmimet e produkteve me origjinë nga Kosova, duke sjellë pasoja për bizneset.

Ato thonë se që nga viti 2019, eksportet e përgjithshme të Kosovës në SHBA kanë shënuar rritje të ndjeshme dhe kryesisht për shkak të përmirësimit të cilësisë së produkteve.

Të dhënat e Doganës së Kosovës e konfirmojnë këtë trend. Në vitin 2019, eksportet drejt SHBA-së kapën vlerën e 3 milionë eurove, ndërsa tre vjet më vonë kjo shifër arriti në mbi 131 milionë euro.

Në tre muajt e parë të këtij viti, sipas Doganës, eksportet kanë arritur në 5.6 milionë euro, prej të cilave 3.2 milionë euro i përkasin kategorisë së veshmbathjeve.

Pasojat për eksportuesit kosovarë

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tarifa prej 10 për qind e vendosur nga SHBA-ja mund të ketë ndikim si në të ardhurat e bizneseve, ashtu edhe në uljen e numrit të punëtorëve.

“Patjetër që do të ketë ndikim, sidomos në periudhë afatshkurtër. Duhet pasur parasysh se disa mallra të eksportuara nga Kosova në SHBA kanë pasur çmime më të ulëta, gjë që u ka dhënë një përparësi konkurruese prodhuesve kosovarë”, thotë Zeka për Radion Evropa e Lirë.

Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, shtrenjtimi i produkteve që Kosova eksporton – për shkak të taksës së SHBA-së – mund të bëjë që të bjerë edhe kërkesa për to, rrjedhimisht edhe prodhimi.

“Bizneset do të përpiqen të gjejnë tregje të reja, por kjo kërkon kohë, angazhim dhe investime. Nuk është diçka që ndodh brenda natës, nuk është e lehtë të riorientohesh menjëherë në një treg të ri”, u shpreh Rafuna në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Për të zbutur efektin e tarifës mbi prodhuesit eksportues, organizatat ekonomike kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa lehtësuese.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë i bëri thirrje Qeverisë që të mbështesë bizneset e prekura nga ky vendim.

Kërkohet heqja e tarifës ndaj mallrave amerikane

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i kërkoi Qeverisë pezullimin e tarifës doganore prej 10 për qind për mallrat nga Shtetet e Bashkuara.

Pas kërkesës së presidentes, ministri në detyrë i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, të enjten vonë tha se kabineti qeveritar po e shqyrton tarifën ndaj importeve nga SHBA-ja.

Kërkesë të njëjtë, sikurse Osmani, bëri edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, e cila vlerësoi se tani është momenti i duhur që Kosova të heqë plotësisht tarifën që aplikon për mallrat amerikane.

“Kjo masë do të ndihmonte Kosovën që të pozicionohej më mirë në përpjekjet e ardhshme për të ndjekur një marrëveshje formale të tregtisë së lirë me Shtetet e Bashkuara”, thotë drejtuesi i kësaj ode, Arian Zeka.

Mbërrin trupi i Margarita Xhepës, nisin homazhet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit

Trupi i aktores së madhe ka mbërritur në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ndërsa kanë nisur homazhet.

Karrierën e nisi që në bankat e shkollës, kur studionte në Lice, dhe regjisorët e Teatrit Popullor të asaj kohe spikatën talentin e saj.

Në skenën e Teatrit interpretoi role të mëdha të dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek “Hamleti”, vajza te “Mbreti Lir”, dadoja tek “Romeo e Zhuljeta”, mbretëresha Margaret tek “Rikardi III”, apo rolin e nënës nga romani i Kadaresë “Kush e solli Doruntinën”.

Me rolet në filma, Xhepa u bë pjesë e shtëpive të shqiptarëve, që nga ekrani bardh e zi në gjysmën e dytë të shekullit XX, shijuan rolet e saj në filma ikonikë si “Dimri i fundit”, “Koncert në vitin 1936”, “Gjurmët”, “Apasionata”, ku mishëronte rolin e vajzës, gruas, e veçanërisht nënës që sakrifikon çdo gjë për fëmijët.

Skenës nuk iu nda asnjëherë, ndihej e realizuar, sikurse shprehej në një intervistë për Top Channel një vit më parë, në 90-vjetorin e lindjes.

Margarita Xhepa lindi më 2 prill 1934 në qytetin e Lushnjës. Ajo la pas qindra role, për të cilat u nderua me titullin “Nder i Kombit” dhe dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Megjithatë, krenarinë më të madhe të jetës e konsideronte tre fëmijët që la pas, njëri prej të cilëve, Ndriçim Xhepa, ndoqi hapat e aktores, duke shkëlqyer po aq në skenën e artit shqiptar.

Sot po mbahen homazhet në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Për dekada me radhë, ‘artistja e popullit’ portretizoi karaktere të panumërta dramatike, duke mbetur përjetësisht në kujtesën e artdashësve.

Osmani: Katër vjet Presidente, betim i përjetshëm për Kosovën

Sot bëhen katër vjet që prej kur Vjosa Osmani u bë Presidente e Kosovës. Osmani e ka shënuar këtë ditë përmes një postimi në Facebook, përcjell albinfo.ch.

“Çdo ditë, para së gjithash Kosova! Katër vjet në shërbim të qytetarëve. Katër vjet për Republikën! Katër vjet Presidente, betim i përjetshëm për Kosovën!”, ka shkruar ajo.

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme, më 4 prill 2021, me 71 vota “për”, e zgjodhi presidente të vendit Vjosa Osmanin. Osmani u zgjodh pas raundit të tretë të votimit, ku votuan 82 deputetë. 71 nga deputetët votuan për Osmanin, 11 vota rezultuan të pavlefshme, ndërsa për kandidatin tjetër, Nasuf Bejta, nuk votoi asnjë deputet.

Sot mbahet thirrja e parë me video BE-SHBA për tarifat

Mësohet se sot do të mbahet thirrja e parë me video mes negociatorëve të BE-së dhe SHBA-së për tarifat e administratës Trump, përcjell albinfo.ch.

“Ne nuk do të reagojmë kot: duam t’i japim negociatave çdo mundësi për sukses, për të gjetur një marrëveshje të drejtë që do të sjellë përfitime për të dyja palët. Për këtë arsye, me mandat të Presidentes von der Leyen, kam rënë dakord me kolegët e mi amerikanë të mbajmë një video-thirrje për të shqyrtuar mënyrën më të mirë për të dalë nga kjo fazë e panevojshme dhe e dhimbshme, duke adresuar shqetësimet legjitime të të dyja palëve”, tha Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, përcjell ANSA.

“Megjithatë, BE-ja nuk do të mbetet pasive nëse nuk arrijmë një marrëveshje të drejtë me partnerët tanë amerikanë”, shtoi ai.

Goditje të rëndë për ekonominë botërore po e konsideron Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vendimin e Presidentit amerikan, Donald Trump, për vendosjen e tarifave universale, derisa ka thënë se ato do të prekin konsumatorët në mbarë botën.

Në një konferencë për media, von der Leyen ka paralajmëruar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndërmarrë kundërmasa nëse bisedimet me Uashingtonin dështojnë.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shpallur tarifa ndaj pothuajse dyqind vendeve botërore, të cilat do të hyjnë në fuqi më 5, përkatësisht 9 prill në mesnatë, sipas kohës amerikane. Në mesin e vendeve që SHBA ka vendosur tarifa janë edhe Kosova e Shqipëria, me nga 10 për qind.

 

Granit Xhaka, ‘mbreti’ i pasimeve në Bundesligë

Granit Xhaka vazhdon të tregojë pse është një nga mesfushorët më të rëndësishëm në futbollin evropian, përcjell albinfo.ch.

Referuar statistikave të fundit nga “Bundesliga Match Facts”, mesfushori shqiptar nga Kosova, i cili luan për Bayer Leverkusen, kryeson Bundesligën për performancën më të lartë në pasime.

Me 1966 pasime të suksesshme, Xhaka arrin një performancë pasimi prej 67.0, duke lënë pas rivalët e tij kryesorë, Angelo Stiller të Stuttgartit dhe Joshua Kimmich të Bayern Munichut.

Ky sukses vjen në një sezon të mirë për Leverkusenin, që po lufton për titullin në Bundesligë dhe ka shfaqur një stil loje dominant nën drejtimin e trajnerit Xabi Alonso.

Roli i Xhakës në këtë ekip është kyç, duke qenë dirigjenti i mesfushës dhe një faktor vendimtar në ndërtimin e aksioneve sulmuese të skuadrës.

Odat ekonomike mbështesin thirrjen e Osmanit për heqjen e tarifave ndaj mallrave amerikane

Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) dhe Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) kanë shprehur mbështetje për thirrjen e presidentes Vjosa Osmani, drejtuar Qeverisë së Kosovës, që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

OEAK ka përsëritur thirrjen për heqjen e tarifave ndaj mallrave amerikane, derisa ka shprehur mbështetje për thirrjen e presidentes Vjosa Osmani për t’i larguar tarifat.

Oda Amerikane ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të miratojë një aranzhim të njëanshëm preferencial tregtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hequr tarifat doganore për produktet amerikane.

“Oda Amerikane mirëpret dhe mbështet fuqishëm deklaratën e presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila i bëri jehonë thirrjes sonë duke kërkuar pezullimin e të gjitha tarifave për mallrat amerikane. Kjo thirrje thekson rëndësinë strategjike të thellimit të lidhjeve ekonomike me Shtetet e Bashkuara”, thuhet në komunikatën e OEAK-së.

Një veprim i tillë thuhet se do të ishte një hap i rëndësishëm dhe largpamës që tregon zotimin e Kosovës për tregti të lirë dhe të ndershme, “duke e pozicionuar gjithashtu Kosovën drejt një marrëdhënie më të fortë tregtare dhe konsiderimin e mundshëm të një marrëveshjeje për tregti të lirë në të ardhmen”.

“Partneriteti disavjeçar me Shtetet e Bashkuara – si aleati më i rëndësishëm strategjik i Kosovës – duhet të përkthehet në vendime të guximshme e në momente të duhura politike. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se nismat që synojnë avancimin e marrëdhënieve SHBA-Kosovë, veçanërisht ato të bazuara në argumente të shëndosha ekonomike dhe vlera të përbashkëta, nuk duhet të bëhen objekt i polemikave të brendshme politike. Përkundrazi, ato kërkojnë unitet dhe veprim të shpejtë institucional, prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë që të fokusohet në politikat që forcojnë partneritetin global dhe të ardhmen ekonomike të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, OEK-ja ka vlerësuar se thirrja e Osmanit e fuqizon thirrjen e tyre për pezullimin e tarifave doganore për mallrat amerikane dhe nënvizon rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve ekonomike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Oda Ekonomike e Kosovës konsideron se heqja e tarifave doganore për produktet amerikane do të hapte mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe do të kontribuonte në rritjen e mundësive të tregtisë dhe investimeve. Ky veprim do të forconte marrëdhëniet me aleatin më të rëndësishëm strategjik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara, dhe do të shënonte një hap të madh drejt një tregtie më të lirë”, thuhet në njoftim.

Presidentja Vjosa Osmani të enjten ka kërkuar nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zvicra vuan nga mungesa e banesave, SSE jep alarmin

Shoqata Zvicerane e Sipërmarrësve (SSE), një organizatë ombrellë për industrinë e ndërtimit, po jep alarmin: shkalla e vendeve të lira të punës prej më pak se 1 për qind në të gjithë vendin do të thotë se mungesa tashmë e madhe e banesave do të bëhet edhe më e tmerrshme.

Supozimi i SSE-së bazohet në faktin se në Zvicër po ndërtohen shumë më pak apartamente sesa nevojiten për të përmbushur kërkesën në rritje. Dhe ka të ngjarë të duhet pak kohë që aktiviteti i ndërtimit të përshpejtohet.

“Uljet e normave të interesit kërkojnë kohë për të hyrë në fuqi,” tha Gian-Luca Lardi, president i SSE-së, përcjell albinfo.ch.

Për të stimuluar ndërtimin, organizata po bën thirrje për procedura më të shpejta të planifikimit dhe lejeve, një përshtatje të kuadrit ligjor për përdorimin e tokës dhe një ekuilibër më të mirë midis interesave të ndërtimit dhe ruajtjes së mjedisit.

Ardon Jashari në mesin e top 10 futbollistëve me rritjen më të madhe të vlerës së kartonit në Evropë

Ardon Jashari (22 vjeç) është bërë ylli i një klubi historik dhe legjendar në Belgjikë, Club Brugge, që pagoi në 2024 te Luzern 6 mln euro për të siguruar talentin me origjinë shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Jashari sot ka një vlerë kartoni që prek 35 mln euro dhe brenda 8 muajve është shpallur jo vetëm Njeriu i Ndeshjes në Champions por gjithashtu 3 herë deri tani Lojtari i Muajit në Belgjikë, një ndër top 10 futbollistët me rritjen më të madhe të vlerës së kartonit në këtë periudhë kohe në Europë, shkruan telesport.

Kur në vitin 2022, në Botërorin e zhvilluar në Katar, Granit Xhaka vendosi të festonte fitoren ndaj Serbisë me një fanellë ku shkruhej mbiemri i heroit kombëtar të Kosovës Adem Jashari, pas ndeshjes së tensionuar, pati polemika pafund dhe u ngrit edhe hetim për provokim të hapur.

Mesfushori i Leverkusen sqaroi gjithçka duke thënë se ajo fanelë i përkiste Ardon Jasharit, lojtarit të Luzern në atë kohë, i grumbulluar me Zvicrën ku edhe debutoi. Ai ia kishte premtuar në rast se fitonin me Serbinë dhe e bëri. Xhaka e shihte Jasharin me të ardhme të ndritur që atëherë dhe nuk gabohej.

Zvicra me projektet e saj ndihmon sektorin e kujdesit shëndetësor të Kosovës

Zvicra mbështet partneritetet strategjike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar që nxisin përmirësime në sektorin e kujdesit shëndetësor të Kosovës.

Diskutimet produktive me Federatën Ndërkombëtare të Spitaleve me seli në Gjenevë zbuluan rrugë premtuese për të rritur kapacitetet menaxheriale dhe për të përmirësuar cilësinë e kujdesit shëndetësor për qytetarët e Kosovës.

Menaxhmenti i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Federatës Ndërkombëtare të Spitaleve dhe institucioneve ndërkombëtare të shëndetësisë, me fokus në avancimin e bashkëpunimit dhe rrjetëzimin në fushën e trajnimit dhe menaxhimit shëndetësor.

Në këtë takim morën pjesë z. Ronald Lavater, Kryeshef Ekzekutiv i Federatës Ndërkombëtare të Spitaleve, znj. Merita Stavileci dhe z. Peter Sidler nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Kosovë, përfaqësuesja e Swiss TPH, Dr. Jana Gerold, dhe përfaqësues të projektit IHS, Dr. Lia Tavadze, Dr. Ilir Mecini dhe Linda Baleta. Nga SHSKUK, të pranishëm ishin Drejtori Ekzekutiv, z. Elvir Azizi, Kryesuesi i Bordit Drejtues, z. Dren Boshnjaku, drejtorë të klinikave të QKUK-së dhe stafi mbështetës.

Gjatë takimit, drejtuesit e SHSKUK theksuan rëndësinë e rritjes së kapaciteteve menaxheriale përmes trajnimeve dhe shkëmbimit të përvojave ndërkombëtare. Po ashtu, ata shprehën mirënjohje për organizatën IHS për mbështetjen e vazhdueshme në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore publike në Kosovë.

Ky takim shënoi një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimeve strategjike për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve spitalore në vend dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim profesional në menaxhimin shëndetësor.

SHSKUK mbetet e përkushtuar në forcimin e partneriteteve ndërkombëtare për të ofruar shërbime më cilësore për qytetarët e Kosovës.

Tarifat e Trumpit përplasin Presidencën e Qeverinë e Kosovës

Zyrtarë të Presidencës së Kosovës dhe të Qeverisë janë përplasur në rrjete sociale, pas njoftimit të presidentes Vjosa Osmani se ka kërkuar nga Qeveria që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pak orë pasi Osmani bëri publike kërkesën e saj, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, u mor me qasjen e dërgimit të kërkesës nga presidentja. Ai ka thënë se kërkesa e presidentes u bë publike në mediat sociale vetëm tre minuta pasi iu dërgua Qeverisë.

“Sot pas orarit të rregullt të punës, në lajme lexova që Presidentja e vendit i paska bërë kërkesë Qeverisë që të pezullojë tarifat ndaj produkteve me origjinë nga SHBA-të. Kërkesa në email ishte dërguar në adresë të Qeverisë në 17:39, ndërkaq kjo gjë ishte bërë publike në rrjetin social X në 17:42, veç 3 minuta më vonë”, ka shkruar ai në Facebook.

E Murati ka thënë se shteti serioz këto çështje i trajton larg mediave “dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi”. “Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financa”, ka shkruar tutje ai.

Menjëherë i është kundërpërgjigjur Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes. Teksa ka thënë se Murati është personi i fundit në Kosovë që mund të flasë për seriozitet, Kupina e ka quajtur të turpshëm, skandaloz e mungesë respekti bazik institucional reagimin e Muratit.

“Hekuran Murati është njeriu i fundit në këtë shtet që mund të na flasë për seriozitet. Një njeri që ende nuk e ka kuptuar që udhëheqja e shtetit është punë 24/7, e jo që përfundon në orën 16:00. Një njeri që ende nuk e kupton që, sipas Kushtetutës dhe Komentarit të Kushtetutës, objektivat e politikës së jashtme i përcakton institucioni i Presidencës. Që nuk e kupton që këto gjëra nuk janë thjesht veprime ekonomike, por veprime strategjike në raport me aleatin tonë strategjik e ekzistencial. Një njeri që mendon se me fyerje e ofendime mund të arrijë diçka në interes të Kosovës, pas një letre institucionale e mirë të studiuar që Presidentja ia ka drejtuar Kryeministrit, bazuar në rregullat e komunikimit shtetëror, e mirësjelljes e respektit ndërinstitucional. E turpshme, skandaloze, me mungesë të respektit bazik institucional, e me mungesë të njohurive bazike se si udhëhiqet shteti, e mbi të gjitha me mungesë të gatishmërisë minimale që të punohet e bashkëpunohet në interes të Kosovës, është deklarata e tij e sotme. Hiqni tarifat e paarsyeshme ndaj aleatit tonë kryesor dhe leni deklaratat e turpshme dhe fëmijërore”, ka shkruar ai, po ashtu në Facebook.

Më herët gjatë ditës, Osmani njoftoi se ka kërkuar nga Qeveria t’i pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet nga SHBA-ja. Ajo u shpreh se kjo është me qëllimin që të dërgohet mesazhi se Kosova është e gatshme për marrëdhënie më të fortë me SHBA-në.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur tarifat e reja ndaj partnerëve tregtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ka thënë se ato do të hyjnë në fuqi në mesnatë (nga e enjtja).

Në listat e publikuara të shteteve që SHBA-ja u ka vënë tarifa, figuron edhe Kosova me 10 për qind tarifa. Edhe vendet e tjera të rajonit figurojnë me këtë përqindje tarifash: Shqipëria 10%, Mali i Zi 10%, Serbia 37%, Maqedonia e Veriut 33%, Bosnja e Hercegovina 35%.

“Goditja” e Trump ndaj Ballkanit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vendosur tarifa të reja doganore për importet nga 60 vende, përfshirë ato të rajonit të Ballkanit, një masë që pritet të ndikojë ndjeshëm në tregtinë ndërkombëtare. Duket se Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë më të avantazhuarat sa i përket masave të vendosura. Maqedonia e Veriut do të përballet me një tarifë prej 33%, ndërsa Serbia është vendi më i prekur, me një normë prej 37%. Bosnje-Hercegovina do të ketë një tarifë prej 35%, ndërsa Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova do të përballen me një normë më të ulët prej 10%. Këto tarifa synojnë të mbrojnë prodhimin vendas amerikan, por pritet të shkaktojnë reagime nga vendet e prekura, duke ndikuar në marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike mes SHBA-së dhe rajonit, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Presidenti i Amerikës është shprehur se tarifat më të larta do të vendosen për ato vende të cilat sufiçiti tregtar është më i lartë.

“Scan Intel” ka marrë në analizë marrëdhëniet tregtare të vendeve të rajonit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të parë se çfarë thonë shifrat. Sa i përket vendit tonë, në vitin 2024 importet u vlerësuan në 20 mld lekë, ndërsa eksportet në 7 miliardë lekë, me një deficit tregtar në gati 13 miliardë lekë.

Ndërkohë, Serbia, e cila është edhe më e prekura, importoi në total mallra me vlerë 209.9 milionë dollarë nga SHBA-ja dhe eksportoi mallra me vlerë 814.4 milionë dollarë drejt SHBA-së, duke rezultuar në një deficit prej 604.5 milionë dollarësh në favor të Serbisë. Produktet kryesore që Serbia eksportoi drejt SHBA-së përfshijnë goma të automjeteve dhe municione eksplozive.

Nga ana tjetër, edhe Maqedonia e Veriut do të preket ndjeshëm nga tarifat. Marrëdhëniet tregtare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara gjatë vitit 2024 kanë qenë të qëndrueshme, me një deficit tregtar në favor të Maqedonisë së Veriut. Sipas të dhënave, në vitin 2024, Maqedonia e Veriut importoi mallra nga SHBA-ja me vlerë totale prej 60.6 milionë dollarësh dhe eksportoi mallra drejt SHBA-së me vlerë 173.7 milionë dollarë, duke rezultuar në një deficit tregtar prej 113.1 milionë dollarësh.

Sa i përket Bosnje-Hercegovinës, në vitin 2024, ajo importoi drejt SHBA-së mallra me vlerë 53 milionë dollarë dhe eksportoi nga SHBA-ja mallra me vlerë 179 milionë dollarë, duke rezultuar në një bilanc tregtar prej 126 milionë dollarësh në favor të Maqedonisë.

Kina dhe BE reagojnë pas tarifave të vendosura nga SHBA

Ajo që Donald Trumpi e shpalli si “Dita e Çlirimit”, nuk do të vijë pa kundërpërgjigje. Si BE-ja, ashtu edhe Kina janë zotuar për hakmarrje.

“Për këto veprime, do të ketë pasoja të tmerrshme. Edhe vendet më të cenueshme janë tani subjekt i disa prej tarifave më të larta të SHBA-së. Miliona vetë do të përballen me kosto të shtuara. Do të shtrenjtohen ilaçet e transporti. Do të rritet inflacioni, e kjo do të prekë më së shumti qytetarët e thjeshtë”, shprehet presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, shkruan TCH, transmeton albinfo.ch.

“Një gjë është e qartë nga e gjithë kjo situatë: Këto tarifa do të shtojnë çmimet për konsumatorët dhe, në fund, do të vuajmë e do të paguajmë të gjithë”, shprehet Kallas.

“Mania amerikane për tarifat ka gjasa të gjenerojë një spirale të aftë të zhysë vendet në recesion e të shkaktojë dëme të mëdha në nivel global, me pasoja negative për shumë njerëz. Ne gjithmonë kemi qenë të fokusuar te negociatat, e jo te përplasjet, dhe është qëndrimi i duhur”, thotë Robert Habeck, ministër gjerman i Ekonomisë.

Ministria Kineze e Tregtisë i bëri thirrje Washingtonit t’i “shfuqizojë menjëherë” tarifat e reja, duke paralajmëruar se ato “rrezikojnë zhvillimin ekonomik global” dhe do të dëmtojnë edhe vetë interesat e SHBA-së e zinxhirët e furnizimit ndërkombëtar.

“Kina i kërkon SHBA-së të anulojë menjëherë masat e njëanshme tarifore dhe të zgjidhë në mënyrën e duhur mosmarrëveshjet me partnerët tregtarë përmes dialogut të barabartë. Në një luftë tregtare nuk ka fitues dhe nuk ka as rrugëdalje për proteksionizmin”, shprehet He Yadong, zëdhënës i Ministrisë Kineze të Tregtisë.

Trump më herët i akuzoi partnerët e ngushtë tregtarë se, me politikën e tyre doganore, “plaçkitin dhe dhunojnë” SHBA-në. Presidenti pretendoi se tarifat shtesë do të krijojnë vende pune në SHBA dhe do të stimulojnë ekonominë vendase.

Në rastin e Pekinit, sidoqoftë, Trumpi ka lënë të hapur mundësinë e uljes së tarifave mbi mallrat kineze, me në mendje arritjen e një marrëveshjeje me kompaninë kineze të TikTok-ut, ByteDance, ndërsa afrohet afati i 5 prillit për shitjen e aplikacionit. Sipas ligjit amerikan, ByteDance duhej të shiste pronësinë e TikTok-ut deri më 19 janar ose të përballej me ndalimin e tij. Megjithatë, Trump i dha një afat shtesë prej 75 ditësh.

Tarifa e SHBA-së ndaj Kosovës, cilat do të jenë pasojat

Tarifa prej 10 për qind e vendosur nga Shtetet e Bashkuara për Kosovën do t’i shtrenjtojë produktet kosovare që eksportohen në SHBA dhe, si pasojë, mund të bjerë kërkesa për to, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Ai u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të shfrytëzojnë të gjitha kanalet e mundshme për të kërkuar pezullimin – qoftë edhe të përkohshëm – të kësaj tarife, por gjithashtu të eliminojnë tarifën ekzistuese ndaj produkteve të SHBA-së, transmeton albinfo.ch.

Rafuna tha gjithashtu se edhe tarifa prej 20 për qind e vendosur nga SHBA ndaj Bashkimit Evropian mund të ketë ndikime indirekte në Kosovë, veçanërisht te prodhuesit vendorë që furnizohen me mallra nga BE-ja, të cilat në fakt importohen nga SHBA-ja.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të mërkurën se SHBA-ja do të vendosë një tarifë bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rafuna, Kosova tani është subjekt i tarifës prej 10 për qind të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Çfarë ndikimi mund të ketë kjo në eksportet e Kosovës drejt tregut amerikan?

Lulzim Rafuna: Po, ndikimi do të jetë i madh, sepse do të kemi një tarifë shtesë prej 10 për qind për mallrat e Kosovës që eksportohen në tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe pse na është vendosur një tarifë më e ulët sesa disa vendeve të rajonit, që e rrethojnë Kosovën, kjo gjithsesi e shtrenjton produktin me origjinë nga Kosova, i cili do të dalë në tregun e SHBA-së më i shtrenjtë sesa ka qenë deri më sot.

Radio Evropa e Lirë: Cilat produkte eksportohen më së shumti nga Kosova në tregun amerikan dhe sa është vlera e tyre?

Lulzim Rafuna: Nëse i shohim të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe nga Dogana e Kosovës, shohim që rreth 50 për qind të eksporteve përbëhen kryesisht nga artikuj që lidhen me mobilieri – krevate, dyshekë, jastëkë. Rreth 30 për qind janë tekstil dhe artikuj tekstili. Më pas, 9 për qind përbëhen nga metalet bazë dhe artikujt e tyre, si dhe ushqimet e përgatitura, dhe një përqindje shumë e vogël përbëhet nga produktet prej plastike apo gome.

Kjo është struktura e mallrave që kemi eksportuar në tregun e SHBA-së. Ndërsa, nëse e shohim nga aspekti i vlerës, fatkeqësisht që nga viti 2022 ka nisur një rënie e vlerës së eksporteve, dhe kjo ka ndodhur ende pa u vendosur kjo tarifë.

Në vitin 2021 kemi pasur eksporte në vlerë prej 122 milionë eurosh, në vitin 2022 kjo vlerë ka qenë 136 milionë, ndërsa në vitin 2023 ka rënë në 106 milionë. Në vitin 2024 kemi pasur vetëm rreth 40 milionë.

Dihet se ndër vite Kosova ka përfituar nga Sistemi i Preferencave për një grup të madh artikujsh të lejuar, gjë që ka ndihmuar zhvillimin e bizneseve dhe eksportin e tyre në tregun e SHBA-së.

Radio Evropa e Lirë: Me hyrjen në fuqi të taksës, a nënkupton kjo edhe tërheqje nga programi tregtar i quajtur Sistemi i Përgjithshëm i Preferencave, në bazë të të cilit Kosova ka eksportuar 3.500 produkte në SHBA, pa iu nënshtruar taksave doganore?

Lulzim Rafuna: Sipas të dhënave që i kemi deri më sot, nuk rezulton që është përjashtuar ndonjë grup artikujsh që kanë qenë të përfshirë në Sistemin e Përgjithshëm të Preferencave. Informacioni që kemi është se për të gjitha mallrat që eksportohen nga Kosova në tregun e SHBA-së do të paguhet taksë. Kjo nënkupton se nuk do të ketë më sistem preferencial për një grup të caktuar të artikujve, duke pasur parasysh që është vendosur një tatim për të gjitha mallrat që eksportohen nga Republika e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rafuna, zbatimi i kësaj tarife a mund të ndikojë në rënien e të hyrave te bizneset që janë të orientuara drejt eksportit në SHBA dhe rrjedhimisht edhe në zvogëlimin e vendeve të reja të punës?

Lulzim Rafuna: Po, padyshim që po. Nëse produkti ynë del më i shtrenjtë në tregun e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe pa dyshim që do të dalë më i shtrenjtë, për shkak se tani paguhet një taksë doganore shtesë, atëherë do të bjerë kërkesa për produktet e Kosovës. Kur bie kërkesa, bie edhe prodhimi. Bizneset do të përpiqen të gjejnë tregje të reja, por kjo kërkon kohë, angazhim dhe investime. Nuk është diçka që ndodh brenda natës, nuk është e lehtë të riorientohesh menjëherë në një treg të ri.

Padyshim që nuk është lajm i mirë. Ajo që duhet të bëjnë institucionet tona është të shfrytëzojnë të gjitha kanalet e mundshme për të kërkuar pezullimin, qoftë edhe të përkohshëm, të kësaj tarife. Ne kemi pasur raste të ngjashme më parë, për shembull, gjatë administratës së presidentit Trump, një tarifë doganore ndaj Kanadasë u pezullua për një periudhë prej dy muajsh. Pra, kjo është e mundur.

Edhe një herë, them që institucionet tona duhet të punojnë për të gjetur një mundësi ose për ta pezulluar këtë tarifë, ose – më së miri – për ta larguar plotësisht.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Rafuna, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur gjithashtu një tarifë prej 20 për qind edhe për mallrat që vijnë nga Bashkimi Evropian. Duke qenë se Kosova ka shkëmbime tregtare me BE-në, si mund të ndikojë kjo në tregun e brendshëm të Kosovës, apo cilat mund të jenë efektet e kësaj mase?

Lulzim Rafuna: Kjo mund të ndikojë në mënyrë indirekte. E pamë reagimin sot e institucioneve të BE-së, të cilat kanë paralajmëruar kundërpërgjigje ndaj administratës amerikane me vendosjen e tarifave të reja për mallrat që vijnë nga Shtetet e Bashkuara.

Deri tani kemi pasur një sistem të tregtisë së lirë, qëllimi i të cilit ka qenë që mallrat të qarkullojnë me çmime më të lira dhe me kualitet për konsumatorët.

Në rast se kompanitë evropiane importojnë lëndë të parë apo gjysmë-produkte nga SHBA-ja dhe tani përballen me tarifa doganore shtesë, atëherë në momentin kur kompanitë tona e blejnë atë mall nga kompanitë evropiane – pasi tregun tonë primar e kemi tregun evropian – do ta blejnë lëndën e parë më shtrenjtë, dhe rrjedhimisht edhe produkti që do të prodhohet në Kosovë do të jetë më i shtrenjtë.

Në mënyrë indirekte ka ndikim, sa, mbetet për t’u parë.

Mirëpo, nuk është lajm i mirë. Sikurse për tarifën tonë që është vendosur për eksportet nga SHBA-ja, po ashtu edhe vendosja e tarifave nga tregu i BE-së për mallrat që vijnë nga SHBA.

Ne kemi qenë gjithmonë për treg të hapur. E shfrytëzoj rastin që t’iu bëj thirrje institucioneve tona që ta eliminojmë ne tatimin doganor ndaj SHBA-së prej 10 për qind.

Radio Evropa e Lirë: A nënkupton kjo që në Kosovë do të ketë edhe një valë të re të shtrenjtimit të çmimeve, pasi shumica e produkteve janë nga vendet e BE-së?

Lulzim Rafuna: Ne sot kishim një takim me bizneset në Odën Ekonomike ku u diskutuan sfidat me të cilat po përballen, sepse po na vijnë sfida të reja pothuajse çdo dy javë, dhe nuk po kemi lehtësime apo lirime për bizneset. Përkundrazi, po përballen me ngarkesa të reja.

Ne ishim duke diskutuar çështjen e çmimit të energjisë elektrike dhe daljen e bizneseve në tregun e hapur, që është një sfidë e re dhe një ngarkesë shtesë për biznesin. Shto këtu sanksionet që i kemi nga Bashkimi Evropian dhe imazhin jo të mirë për tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë – si rezultat i këtyre sanksioneve, por edhe i situatave të krijuara dhe mesazheve që kanë ardhur nga udhëheqësit e institucioneve tona, që flasin për luftë – të gjitha këto po e bëjnë investitorin të hezitojë të investojë në Kosovë.

E tani i shtohet edhe tatimi, tarifa e re që u vendos nga administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mallrat nga Kosova.

Ngarkesat për biznesin po rriten. Definitivisht, do të jetë një vit shumë, shumë sfidues për bizneset, për shkak të këtyre barrave dhe vështirësive për të rritur prodhimin, apo edhe për të nisur ndonjë prodhim të ri në këto rrethana. Lutem që të kemi një qeveri që i merr parasysh të gjitha këto sfida me të cilat po përballen bizneset.

Shikoni, tarifa doganore prej 10 për qind për eksportet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – po të kishim një qeveri që me të vërtetë është e orientuar pro biznesit, do të kishte gjetur rrugë dhe mënyra si ta ndihmonte biznesin që të mos e ndjente këtë tarifë, që të mos ndikonte në koston e produktit.

Ka mbi 100 mënyra se si mund të ndihmohet.

Radio Evropa e Lirë: Cila është mënyra konkrete?

Lulzim Rafuna: Mënyra konkrete është, për shembull, një subvencionim i brendshëm ose një lehtësim në politikat fiskale për lëndën e parë, me të cilën prodhohet ai produkt. Kjo do ta balanconte automatikisht efektin e vendosjes së tarifës në produktin tonë, në mënyrë që ai prodhim të mos dalë më i shtrenjtë. Përkundrazi, do të dilte me një çmim të përafërt me atë që ka qenë deri më sot, edhe pse është vendosur tarifa.

Radio Evropa e Lirë: A mund të ndikojë përshkallëzimi i këtyre tarifave në aftësinë e Kosovës për të tërhequr investitorët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo nga Bashkimi Evropian?

Lulzim Rafuna: Po, mundet. Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë moment, sepse çdo vendim i tillë, çdo ngarkesë, nuk sjell vetëm pasoja negative, mund të sjellë edhe efekte pozitive. Për këtë arsye kam rekomanduar që institucionet tona ta eliminojnë tatimin doganor për mallrat nga SHBA-ja sepse kjo do ta bënte Kosovën më atraktive për investitorët amerikanë, investitorë që mund të vijnë të prodhojnë në Kosovë për tregun evropian.

Ne kemi politika fiskale ndër më të ulëtat në rajon, kemi infrastrukturë rrugore shumë moderne dhe fuqi punëtore. Kemi Marrëveshjen për Sabilizim-asociimi me Bashkimin Evropian që na mundëson eksport dhe import pa taksa doganore, dhe gjithashtu jemi pjesë e CEFTA-s, që na lejon të eksportojmë dhe importojmë pa doganë në rajon. Kështu që Kosova, pa dyshim, është në një pozitë shumë të favorshme për tërheqjen e investimeve dhe për të prodhuar këtu, e për të eksportuar në tregun evropian.

Shkel linjën e sigurisë dhe nget makinën me patentë kosovare: Gjobitet kosovarja

Një shofere 28-vjeçar ka përshkouar një linjë sigurie të dyfishtë në rrugën për hyrje në autostradë në Lenzburg AG dhe ka goditur një makinë tjetër. Tani ajo është dënuar me një vendim penal.

Një pavëmendje e shkurtër i kushtoi shtrenjtë shoferes 28-vjeçare: prillin e kaluar, kosovarja banore e Nyon-it (VD) po ngiste makinën e saj në autostradën A1 për në Cyrih, transmeton albinfo.ch. Në rrugën e hyrjes në autostradën Lenzburg, ajo kaloi vijën e dyfishtë të sigurisë në zonën e tunelit dhe përfundoi në korsinë e kundërt.

Në të njëjtën kohë, një grua nga Aargau erdhi drejt saj me një Mazda. Gruaja nuk ishte më në gjendje ta shmangte atë dhe mungoi vetëm pak që të shkaktohej një aksidenti të rëndë. Kosovarja dëmtoi pasqyrën anësore të makinës Mazda në momentin e përplasjes, por nuk u ndal dhe as njoftoi policinë: ajo u largua nga vendi i aksidentit dhe duhej gjetur më vonë.

Patentë shoferi e lëshuar në Kosovë

Gruaja u dënua jo vetëm për kalimin e vijës së sigurisë dhe për shkelje të detyrës së informimit të policisë pas një aksidenti trafiku, shkruan 20 Minuten. Dënimi i saj kishte të bënte edhe me faktin se ajo ishte duke vozitur me patentë shoferi të Kosovës dhe kështu kishte shkelur të ashtuquajturin parim të vendbanimit. Kjo do të thotë që leja e drejtimit duhet të aplikohet për vendin ku është vendbanimi i drejtuesit.

Gruaja tani është dënuar me një urdhër penal me një gjobë të kushtëzuar prej 30 tarifash ditore prej 110 frangash secila – pra 3.300 franga. Nëse ajo nuk bën ndonjë shkelje në dy vitet e ardhshme, ajo nuk duhet të paguajë gjobën.

Në të kundërt, ajo duhet të paguajë gjobën prej 1.400 frangash. Ajo gjithashtu duhet të paguajë tarifën për mosnjoftimin e policisë, prej 800 frangash, si dhe 310 franga për shpenzimet e policisë, përcjell albinfo.ch. Aksidenti i ka kushtuar gjithsej 2.510 franga.

Aksidenti mund të ishte parandaluar

Siç thekson prokuroria publike në urdhrin penal, mënyra e vozitjes së pakontrolluar e gruas përbënte rrezik real jo vetëm për të, por edhe për përdoruesit e tjerë të rrugës. Të paktën askush nuk u lëndua dhe dëmi material nuk shkoi më larg se në 2.000 franga.

Sipas prokurorisë publike, 28-vjeçarja “me shumë gjasa” mund ta kishte parandaluar aksidentin nëse nuk do ta kishte lejuar veten të shpërqendrohej në mënyrë të panevojshme. Veçanërisht në rrugët me trafik të dyanshëm, ku dy drejtimet e lëvizjes ndahen nga një linjë sigurie e dyfishtë.

GJEDNJ dënon Zvicrën: Ka dështuar të mbrojë një grua nga dhuna e burrit

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut me seli në Strasburg ka dënuar Zvicrën për dështimin në ofrimin e mbrojtjes së duhur ndaj një gruaje nga dhuna e ushtruar prej partnerit të saj.

Burri kishte qenë i dënuar më parë për përdhunim dhe vrasje, disa vite para lidhjes me të. Më vonë, ai kishte rrëmbyer, përdhunuar dhe abuzuar ish-partneren e tij pasi ajo ishte ndarë prej tij. Gruaja e kishte denoncuar më herët në polici, pasi ish-bashkëshorti e kishte kërcënuar.

Megjithatë, policia nuk i kishte treguar asaj asgjë për historikun e dhunshëm të burrit, me arsyetimin se do të cenohej privatësia e tij.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut tani ka konstatuar se autoritetet nuk kanë marrë hapat e nevojshëm për të informuar dhe mbrojtur gruan.

Zvicër: Këshilli Federal komenton për tarifat amerikane

Këshilli Federal i Zvicrës ka komentuar sot për herë të parë pas njoftimeve të doganave amerikane. Zvicra aktualisht po përmbahet nga marrja e kundërmasave, tha presidentja federale, Karin Keller-Sutter.

Ajo gjithashtu shpreh keqardhjen që SHBA-të do të vazhdojnë të largohen nga tregtia e lirë dhe e bazuar në rregulla, transmeton albinfo.ch. . Këshilli Federal nuk mund t’i kuptojë përllogaritjet se si SHBA-ja arriti të vendoste një tarifë prej 31 për qind për produktet zvicerane, shkruan srf.ch.

Edhe ministri i Ekonomisë, Guy Parmelin, deklaroi gjithashtu se tarifat e shpallura amerikane nuk ishin të justifikuara.

Zvicra dëshiron të bisedojë me qeverinë amerikane për të shmangur tarifat.

Njoftimi i tarifave për eksportet zvicerane në SHBA nuk është pritur mirë në politikën zvicerane.

Presidenti i FDP-së Thierry Burkart thotë se tarifat janë të rrezikshme dhe po dëmtojnë prosperitetin në Zvicër. Presidenti i Mitte (Qendra) Gerhard Pfister thotë se disa njerëz kishin shpresuar se Zvicra do të kalonte më mirë me tarifat. Kjo ishte naive.

Ka mosmarrëveshje se kujt duhet t’i drejtohet Zvicra tani. Kreu i grupit parlamentar të SVP, Thomas Aeschi thotë se duhet t’i afrohemi SHBA-së dhe Donald Trumpit, ndërsa bashkëpresidenti i PS-së Cédric Wermuth beson se Zvicra duhet të kthehet drejt Evropës.

Në Zvicër, më shumë vdekje dhe më pak lindje

Më 31 dhjetor 2024, popullsia rezidente e përhershme e Zvicrës arriti në 9,048,900 njerëz, krahasuar me 8,962,300 në fund të vitit 2023 (+86,600 njerëz; +1%), transmeton albinfo.ch.

Kjo rritje e popullsisë ishte më e ulët se ajo e regjistruar në vitin 2023 (+1,7%), vit i karakterizuar nga një bilanc shumë i lartë migrimi. Kjo ishte kryesisht për faktin se, një vit pas mbërritjes së tyre në Zvicër, personat me status mbrojtjeje S nga Ukraina ishin përfshirë në popullatën rezidente të përhershme. Kështu njoftoi Enti Federal i Statistikave, duke specifikuar se popullsia u rrit në të gjitha kantonet: rritja më e fortë u regjistrua në Schaffhausen (+1,8%), Fribourg dhe Valais (secili +1,5%), ndërsa rritja më e vogël u regjistrua në kantonet Ticino dhe Appenzell Ausserrhoden.

Në vitin 2024, Zvicra regjistroi përkohësisht 78,000 lindje të gjalla, 2,000 më pak (-2,5%) se në vitin 2023. Ky është viti i tretë radhazi që numri i lindjeve është ulur. Megjithatë, rënia është më pak e theksuar se në vitin paraprak: midis 2022 dhe 2023, u regjistrua një rënie prej 2,300 lindjesh (-2,8%). Në vitin 2024, numri mesatar i fëmijëve për grua përkohësisht ishte 1.28, krahasuar me 1.33 në 2023. Kjo është vlera më e ulët e regjistruar ndonjëherë në Zvicër. Në raport me popullsinë, numri i lindjeve në vitin 2024 ishte gjithashtu më i ulët se vitet e fundit (2024: 8.7 lindje për 1000 banorë; 2023: 9.0; 2022: 9.4). Pothuajse në të gjitha kantonet, ka pasur më pak lindje se në vitin 2023. Përjashtimet e vetme janë Valais dhe Basel-Landschaft, ku rezultatet e përkohshme tregojnë një rritje të lehtë (+0,9% dhe +0,1% respektivisht).

Numri i vdekjeve të regjistruara ishte 71,800, një shifër e përkohshme e barabartë me atë të regjistruar në vitin 2023. Numri i vdekjeve u rrit në 11 kantone. Rritjet më të mëdha u regjistruan në kantonet Appenzell Ausserrhoden (+6.4%), Zug (+5.3%) dhe Schwyz (+5.2%). Në kantonet Nidwalden (-13,5%), Obwalden (-7,9%) dhe Schaffhausen (-4,8%), megjithatë, rënie veçanërisht të theksuara u regjistruan. Duke qenë se numri i lindjeve ishte i ulët dhe numri i vdekjeve mbeti i lartë, rritja natyrore, pra diferenca midis lindjeve dhe vdekjeve, ishte përkohësisht në 6200 persona në vitin 2024. Ky është niveli më i ulët i vërejtur që nga viti 1918, kur rritja natyrore ishte negative për shkak të gripit spanjoll dhe Luftës së Parë Botërore. Në vitin 2024, 11 kantone regjistruan më shumë vdekje se lindje: Berna, Ticino, dy kantonet Basel, Graubünden, Solothurn, Jura, Neuchâtel, Schaffhausen, Appenzell Ausserrhoden dhe Glarus.

Numri i lartë i vdekjeve të regjistruara në Zvicër i atribuohet kryesisht plakjes së popullsisë: 88% e këtyre vdekjeve kanë të bëjnë me personat e moshës 65 vjeç e lart. Në vitin 2024, trendi i jetëgjatësisë në lindje vazhdoi të rritet, duke arritur në 86 vjet për gratë (2023: 85.8 vjet) dhe 82.5 vjet për burrat (2023: 82.2 vjet). Tendenca ishte e ngjashme për jetëgjatësinë në moshën 65 vjeç, me +0.2 vjet si për gratë ashtu edhe për burrat, për një total prej 23 dhe 20.5 vjet, respektivisht.

Në vitin 2024, pasi arriti një kulm historik në vitin 2023, emigracioni ra ndjeshëm. Në fund të vitit u regjistruan 212.700 imigrime, duke përfshirë shtetas zviceran (22.600) dhe shtetas të huaj (190.100), një rënie prej 50.300 (-19.1%) krahasuar me një vit më parë. Në vitin 2023, numri i imigrimeve ishte veçanërisht i lartë për shkak të imigrimit ekonomik nga BE-ja dhe faktit që personat nga Ukraina që kishin statusin e mbrojtjes S në Zvicër numëroheshin në popullsinë rezidente të përhershme. Në vitin 2024, një vit pas mbërritjes së tyre, 9600 shtetas ukrainas që kishin nevojë për mbrojtje u integruan në popullsinë rezidente të përhershme, ekuivalente me 4.5% të të gjithë imigrimeve. Në vitin 2023, kjo shifër arriti në 50,600 persona, ose 19.2% e emigracionit, transmeton tutje albinfo.ch.

Nga ana tjetër, emigracioni ka shënuar një rritje të lehtë (+1600 ose +1.3%) krahasuar me një vit më parë. U regjistruan provizorisht 125.600, nga të cilët 30.100 ishin shtetas zviceranë dhe 95.500 shtetas të huaj. Si rezultat, bilanci i migracionit, pra diferenca midis imigrimit dhe emigrimit, gjithashtu u ul nga 139,100 në 2023 në 87,100 në 2024 (-37,4%, shifra provizore). Midis 2023 dhe 2024, trendi i imigrimit të shtetasve zviceranë u rrit (+2,6%), ndërsa imigrimi i shtetasve të huaj u ul ndjeshëm (-21,1%). Në të kundërt, shtetasit zviceranë emigruan më pak se në vitin 2023 (-1,8%), ndërsa emigracioni i shtetasve të huaj ishte më i shpeshtë (+2,3%). Bilanci i migracionit përkohësisht qëndron në 94,600 për popullsinë e huaj dhe -7,500 për popullsinë zvicerane. Më 31 dhjetor 2024, numri i të huajve me banim të përhershëm në Zvicër arriti përkohësisht në 2,478,700, ose 27.4% e popullsisë rezidente të përhershme. Popullsia e huaj u rrit më shpejt se popullsia zvicerane (+2,5% kundrejt +0,4%).

 

 

 

Pas arritjes së Netanyahut në Hungari, vendi thotë se po tërhiqet nga GJNP-ja

Pasi  kryeministri  izraelit, Benjamin Netanyahu, arriti sot në Budapest, Hungari. Ai njoftoi se po tërhiqet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, teksa kjo është vizita e parë e Netanyahut në Evropë që kur GJNP-ja lëshoi fletarrestim ndaj tij lidhur me krimet e pretenduara të luftës në Gazë.

Ministri i Mbrojtjes i Hungarisë, Kristof Szalay-Bobrovniczky, e priti Netanyahun në aeroportin e Budapestit rreth orës 02:30, dhe disa orë më vonë, Gergely Gulyas, shefi i stafit të kryeministrit hungarez Viktor Orban, u citua të ketë thënë se qeveria po lëviz drejt tërheqjes nga GJNP-ja, transmeton albinfo.ch.

“Hungaria do të tërhiqet nga GJNP-ja. Qeveria do të iniciojë procedurën e tërheqjes, në përputhje me kornizën ligjore ndërkombëtare dhe kushtetuese”, tha Gulyas.

Gjatë një konference për media, Orban tha se “vendimet e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale tregojnë se ajo është shndërruar në një instrument politik”. “Ne po tërhiqemi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale”, shtoi ai.

Ndryshe, Orban publikisht e kishte ftuar Netanyahun për vizitë në nëntor, pak pasi GJNP-ja lëshoi fletarrestimin.

“I garantoj atij, nëse vjen, se vendimi i GJNP-së nuk do të ketë efekt në Hungari”, kishte deklaruar Orban.

Gjykata Ndërkombëtare Penale, ndryshe, nuk ka fuqi për të arrestuar personat vetë, por varet nga shtetet që e kanë nënshkruar traktatin për krijimin e saj – Statutin e Romës – për të zbatuar fletarrestimet.

Zvicër: Ushqimi jo i shëndetshëm po i kontribuon sëmundjeve

Në Zvicër, 2.2 milionë njerëz janë të prekur nga sëmundje jo të transmetueshme, pjesërisht për shkak se njerëzit nuk hanë një dietë të ekuilibruar, sipas Zyrës Federale për Sigurinë Ushqimore (OSAV).

Një dietë e ekuilibruar, një aktivitet fizik i mjaftueshëm dhe një peshë e shëndetshme ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të tilla si diabeti, sipas OSAV. Njerëzit hanë shumë ëmbëlsira, ushqime të kripura dhe yndyrna, dhe jo mjaftueshëm fruta, perime dhe bishtajore, transmeton albinfo.ch.

Kjo ka pasoja: 15% e fëmijëve dhe adoleshentëve dhe 43% e të rriturve në Zvicër janë mbipeshë ose obezë. Mënyra se si ushqehemi gjithashtu ka një ndikim në mjedis, jo më pak për shkak të mbetjeve ushqimore: në Zvicër, kjo arrin në 2.8 milionë tonë në vit, shkruan swissinfo.

OSAV i ka marrë parasysh këto shifra në Strategjinë Zvicerane të Ushqyerjes 2025–2032, e cila fokusohet në promovimin dhe qëndrueshmërinë e shëndetit. Strategjia synon të rrisë njohuritë e popullatës për të ushqyerit, të përmirësojë furnizimin me ushqime të shëndetshme dhe të inkurajojë kërkimin mbi ushqimin dhe produktet ushqimore.

Rrethet politike dhe ekonomike, administrata dhe institucionet private janë të përfshira. Për të zbatuar strategjinë, OSAV synon të hartojë një plan veprimi me masa dhe objektiva të matshëm deri në fund të vitit 2025.