BBC: Mafia shqiptare dhe trafiku i kokainës në Evropë

BBC i ka kushtuar një artikull trafikut të kokainës dhe operacioneve të saj nga mafia shqiptare, e cila ka zgjeruar praninë e saj në Ekuador vitet e fundit, kryesisht për shkak të rrugëve të përshtatshme të trafikut nëpër këtë vend.

Thuhet se tani ajo kontrollon pjesën më të madhe të rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë.

Artikulli i plotë

Ka pasur raste kur César, i cili punon për mafian shqiptare, ka fituar deri në 3 mijë dollarë për një punë të kryer, por motivi për të nuk janë vetëm paratë. “Nëse nuk e bën një punë që kërkojnë shqiptarët, ata do të të vrasin”, thotë ai.

“Mafia shqiptare më telefononte dhe më thoshte: ‘Duam të dërgojmë 500 kilogramë drogë’. Nëse nuk pranon, ata do të të vrasin.”

César (jo emri i tij i vërtetë) është anëtar i “Latin Kings” (Mbretërve Latinë), një bandë kriminale droge në Ekuador. Ai u rekrutua nga një zyrtar i korruptuar i policisë në departamentin antidrogë për të punuar për mafian shqiptare, një nga rrjetet më aktive dhe më të fuqishme të trafikut të kokainës në Evropë.

Mafia shqiptare ka zgjeruar praninë e saj në Ekuador vitet e fundit dhe tani kontrollon pjesën më të madhe të rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Pavarësisht se Ekuadori nuk e prodhon drogën, 70 për qind e kokainës në botë tani kalon nëpër portet e tij, thotë presidenti ekuadorian, Daniel Noboa.

Ajo kontrabandohet në vend nga Kolumbia dhe Peruja fqinje, dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë.

Policia ka njoftuar se ka sekuestruar një sasi rekorde droge të paligjshme vitin e kaluar, pjesa më e madhe e saj e llojit kokainë, dhe kjo tregon se eksportet totale kanë shënuar rritje.

Pasojat janë vdekjeprurëse: në janar të vitit 2025 u regjistruan 781 vrasje, duke e bërë atë muajin më vdekjeprurës në vitet e fundit. Shumë prej tyre kishin lidhje me tregtinë e paligjshme të drogës. BBC ka folur me personat të cilët kanë njohuri për zinxhirin e furnizimit në mënyrë që të kuptojë se pse kjo krizë po përkeqësohet dhe se si po e nxit rritja e konsumit evropian të kokainës.

César, 36 vjeç, filloi të punonte me kartele kur ishte 14 vjeç, duke përmendur si faktor mundësitë e pakta të punës.

“Shqiptarët kishin nevojë për dikë që do t’i zgjidhte problemet”, shpjegon ai. “I njihja rojat e portit, shoferët e transportit, mbikëqyrësit e kamerave të qytetit”.

Ai u jep këtyre personave ryshfet për të lehtësuar procesin e kontrabandës së drogës në portet e Ekuadorit ose për të mbyllur një sy.

Pasi kokaina arrin në Ekuador nga Kolumbia ose Peruja, ajo ruhet në magazina derisa punëdhënësit e tij shqiptarë të marrin informacione për ndonjë kontejner transporti, i cili do të niset për në Evropë.
Bandat përdorin tri metoda kryesore për të kontrabanduar kokainën në kontejnerë: fshehjen e drogës në kontejnerë para se të arrijë në port, fshehjen e drogës në kontejnerë gjatë kohës sa ata janë në port ose fshehjen e drogës kur anijet janë veçse në det.

Ka pasur raste kur César ka fituar deri në 3 mijë dollarë për një punë që ka kryer, por motivi për të nuk janë vetëm paratë. “Nëse nuk e bën një punë që kërkojnë shqiptarët, ata do të të vrasin”, thotë ai.
César thotë se ndien keqardhje për rolin e tij në tregtinë e drogës, veçanërisht për ato që ai i quan “viktima kolaterale”.

Por ai beson se fajin e kanë vendet konsumatore. “Nëse konsumi vazhdon të rritet, do të rritet edhe trafiku. Do të jetë i pandalshëm”, thotë ai, duke shtuar se “vetëm në qoftë se e luftojnë atje, do të përfundojë këtu”.

Punëtorët e zakonshëm, jo vetëm anëtarët e bandës, kapen në këtë zinxhir furnizimi.

Juan (jo emri i tij i vërtetë), është një shofer kamioni. Një ditë ai çoi një ngarkesë tunë për në port. Ai thotë se dyshonte që diçka nuk po shkonte siç duhej.

“Gjëja e parë që më bëri të dyshoja ishte se kur shkuam në magazinë nuk kishte asgjë tjetër veçse ajo ngarkesë. Ishte një magazinë me qira, pa emër kompanie”, kujton ai. “Dy muaj më vonë e pashë në lajme se kontejnerët plot me drogë ishin sekuestruar në Amsterdam. Nuk e kemi ditur kurrë”.

Disa shoferë transportojnë drogë pa e ditur; të tjerët detyrohen. Nëse refuzojnë, vriten.

Bandat evropiane preferojnë Ekuadorin për shkak të vendndodhjes së tij, por edhe për arsye se eksportet e ligjshme ofrojnë mundësi të përshtatshme për të fshehur ngarkesën e paligjshme.

“Eksportet e bananeve përbëjnë 66% të ngarkesave që largohen nga Ekuadori, 29.81% shkojnë në Bashkimin Evropian, ku konsumi i drogës po rritet”, shpjegon përfaqësuesi i industrisë së bananeve, José Antonio Hidalgo.

Disa banda madje kanë krijuar kompani të rreme të importit ose eksportit të frutave në Evropë dhe Ekuador si front për aktivitete të paligjshme.

“Këta trafikantë evropianë paraqiten si biznesmenë”, thotë “José” (jo emri i tij i vërtetë), një prokuror që synon grupet e krimit të organizuar dhe që foli në mënyrë anonime për shkak të kërcënimeve që ka marrë.

Një shembull famëkeq është Dritan Gjika, i akuzuar si një nga udhëheqësit më të fuqishëm të mafisë shqiptare në Ekuador.

Prokurorët thonë se ai kishte aksione në kompanitë e eksportit të frutave në Ekuador dhe kompanitë e importit në Evropë, të cilat i përdorte për trafikimin e kokainës. Ai mbetet në arrati, por shumë nga bashkëpunëtorët e tij janë përballur me drejtësinë pas një operacioni policor ndërkombëtar.

Avokatja Monica Luzárraga mbrojti një nga bashkëpunëtorët e tij dhe tani flet hapur për njohuritë e saj mbi funksionimin e këtyre rrjeteve. 

“Gjatë atyre viteve eksporti i bananeve në Shqipëri lulëzoi”, thotë ajo.

Rritja e kërkesës

Në portet e Ekuadorit policia dhe forcat e armatosura përpiqen të kontrollojnë situatën.

Varkat patrullojnë ujërat e vendit, policia skanon kutitë e bananeve për të parë mos janë të ngarkuara me kokainë dhe madje edhe zhytësit e policisë kërkojnë për drogë të fshehur nën anije.

Të gjithë janë të armatosur rëndë, madje edhe ata që thjesht ruajnë kutitë e bananeve përpara se ato të ngarkohen në kontejnerët e transportit. Kjo sepse nëse droga gjendet gjatë këtyre kontrolleve, ka të ngjarë që i përfshirë të jetë ndonjë punonjës i portit dhe në këtë rast mund të ketë ndonjë incident të dhunshëm. 

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, policia thotë se sasia e kokainës që po kontrabandohet me sukses nga Ekuadori ka arritur rekord të lartë. Sipas tyre, rritja e kërkesës dhe faktorët ekonomikë janë fajtorët kryesorë.

Gati 300 tonë drogë u kapën vitin e kaluar, rekord i ri vjetor, sipas Ministrisë së Brendshme të Ekuadorit.

Majori i Policisë Kombëtare, Christian Cozar Cueva, thotë se “ka pasur rritje prej rreth 30% të konfiskimeve të drejtuara drejt Evropës në vitet e fundit”.

Kjo rritje e dërgesave të kokainës e ka bërë situatën më të rrezikshme për ata që kapen në zinxhirin e furnizimit.

Shoferi i kamionit “Juan” thotë se rritja e “kontaminimit të kontejnerëve” e bën më të pasigurt.
Ai thotë se zyrtarët kapën një kontejner një ditë më parë me dy tonë drogë: “Dikur ishin kilogramë, tani flasim për tonë”. “Nëse nuk i “kontaminoni” kontejnerët, keni dy mundësi: të lini punën ose të përfundoni të vdekur”.

Ekonomia e goditur nga pandemia Covid-19 la shumë ekuadorianë të hapur përballë rekrutimit në banda kriminale.

Një shtet që ishte i dobët financiarisht pas pandemisë, një forcë sigurie që kishte më pak përvojë në trajtimin e krimit të organizuar dhe ligjet e marrjes së vizave, lehtësuan praninë e bandave evropiane atje pas vitit 2020.

Monica Luzárraga thotë se viti 2021 ishte viti kur “infiltrimi i mafisë shqiptare mori hov”.

Ajo thotë se kjo periudhë përkoi me një “fluks” të qytetarëve shqiptarë në vend dhe rritje të eksportit të bananeve, përfshirë edhe në Shqipëri.

“Ky është një biznes fitimprurës që dëmton Ekuadorin dhe nga i cili përfitojnë organizatat kriminale. Si mund ta pranojmë një ekonomi të ndërtuar mbi vuajtjet?”

Mesazhi për Evropën

Zemërimi ndaj karteleve të huaja nuk është befasues, duke pasur parasysh kontributin e tyre në përshkallëzimin e dhunës në vend. Por një gjë për të cilën bien dakord disa trafikantë dhe ata që i luftojnë është se tregtia ushqehet nga konsumatorët, veçanërisht në Evropë, SHBA dhe Australi.
Të dhënat e OKB-së tregojnë se konsumi global i kokainës ka arritur nivele rekord. Sipas sondazheve, Mbretëria e Bashkuar ka shkallën e dytë më të lartë në botë të konsumit të kokainës.

Agjencia Kombëtare e Krimit e Mbretërisë së Bashkuar (NCA) vlerëson se Mbretëria e Bashkuar konsumon rreth 117 tonë kokainë në vit dhe ka tregun më të madh në Evropë.

Bazuar në të dhënat e fundit, konsumi në Mbretërinë e Bashkuar është në rritje.

Autoritetet sekuestruan rreth 232 tonë kokainë në vitin 2024, krahasuar me 194 tonë në vitin 2023.
Zëvendësdrejtori i Agjencisë Kombëtare antikrim (NCA), Charles Yates, thotë se kjo e bën Mbretërinë e Bashkuar “vendin ideal” për grupet e krimit të organizuar, të cilat përfitojnë nga kërkesa e lartë.
Ai vlerëson se tregu i kokainës në Mbretërinë e Bashkuar vlen rreth 11 miliardë funte (14.2 miliardë dollarë) dhe bandat kriminale fitojnë rreth 4 miliardë funte në vit vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata që i luftojnë këto banda në Ekuador, si prokurori José, thonë se u takon “vendeve, shtetasit e të cilëve janë konsumatorë të ushtrojnë kontroll më të madh” mbi ata që financojnë tregtinë.
Viktimat përballen me shumë pasoja.

Për Hidalgon, janë eksportuesit e bananeve ata që humbasin reputacionin dhe dëmtohen ekonomikisht. Për Luzárragan, janë “fëmijët, adoleshentët, ata që po tërhiqen nga bandat kriminale”.

“Në Evropë ka qytetarë të gatshëm të paguajnë shuma të mëdha parash për të pasur drogën që konsumojnë. Droga që përfundimisht po u kushton me jetë qytetarëve ekuadorianë”, ka thënë avokatja.

NCA-ja thekson se përveç këtyre efekteve “katastrofike” në komunitetet përgjatë zinxhirit të furnizimit, po regjistrohen viktima shtesë për shkak të ndikimeve kardiovaskulare dhe psikologjike te përdoruesit e saj. Vdekjet e lidhura me kokainën në Mbretërinë e Bashkuar u rritën me 30% në vitin 2023 krahasuar me 2022-tën.

NCA-ja paralajmëron gjithashtu se droga përkeqëson dhunën në familje.

Presidenti Daniel Noboa, i cili synon mandatin e dytë në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale më 13 prill, e ka bërë luftën kundër bandave kriminale një nga prioritetet e tij kryesore dhe ka vendosur që ushtria të trajtojë dhunën e lidhur me bandat.

“Zinxhiri që përfundon në ‘argëtim në Mbretërinë e Bashkuar’ përfshin shumë dhunë. Ajo që është argëtuese për një person ndoshta vret 20 njerëz gjatë rrugës”, thotë ai.

Nesër protestë e re kundër shtrenjtimit të rrymës

Iniciativa “Asnjë cent më shumë” organizon protestë të re kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike nesër (e premte), në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

Kjo protestë vjen pas asaj që u mbajt ditë më parë në Prishtinë, me një pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve.

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se vendimi për çmimin e energjisë elektrike do të merret nesër (e premte), më 11 prill.

Ditë më parë, ZRRE-ja ka arsyetuar se shkaku kryesor i paralajmërimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike është çmimi në bursat ndërkombëtare të energjisë.

Kërkesa e PE-së për heqjen e masave ndaj Kosovës, reagon deputetja britanike, Kearns

Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar draft-raportin për përparimin e Kosovës në rrugën drejt BE-së gjatë viteve 2023 dhe 2024, përcjell albinfo.ch.

Në raport, eurodeputetët kanë bërë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së kundër Kosovës.

Aty theksohet se masat nuk janë të justifikueshme, pasi Kosova i ka përmbushur kërkesat e BE-së.

Deputetja britanike Alicia Kearns e ka cilësuar këtë si një zhvillim të vonuar, por të domosdoshëm.

“Lajm i vonuar prej kohësh dhe jashtëzakonisht i mirëpritur – ekuilibri duhet të kthehet në botë, dhe veçanërisht në qasjen e BE-së ndaj Ballkanit. Shpresoj që këto thirrje të merren parasysh,” ka deklaruar Kearns.

Sot nis regjistrimi i deputetëve të rinj në Kuvendin e Kosovës

Regjistrimi i deputetëve të rinj të zgjedhur në zgjedhjet e fundit parlamentare fillon sot në Kuvendin e Kosovës, duke shënuar hapin e parë drejt konstituimit të legjislaturës së re, përcjell albinfo.ch.

Sot (e enjte) do të regjistrohen deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ky është një proces formal dhe i domosdoshëm që i paraprin seancës konstituive të Kuvendit, e cila është paraparë të mbahet më 15 prill 2025, përcjell albinfo.ch.

Në atë seancë pritet të zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe të formohen strukturat e para parlamentare.

Regjistrimi i deputetëve do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, për t’u dhënë kohë të gjithë anëtarëve të rinj që të kryejnë procedurat zyrtare para se të fillojë puna legjislative.

Nesër, të premten, do të regjistrohen deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, të hënën do të regjistrohen deputetët e koalicionit AAK–Nisma dhe ata nga radhët e pakicave.

Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar më 8 prill kryetarët e partive politike në vend, lidhur me përgatitjet për seancën konstituive. Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar 15 prillin si datë për konstituimin e Kuvendit, pasi Kosova mbajti zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.

Presidenti i Shqipërisë, Begaj, sot në Kosovë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, do të vizitojë Kosovën sot, ku pritet të takohet me shefat e grupeve parlamentare politike, përcjell albinfo.ch.

Begaj do të qëndrojë në Kosovë për dy ditë.

Policia e Kosovës ka njoftuar gjithashtu për vizitën e presidentit të Shqipërisë dhe ka bërë të ditur se do të ketë ndërprerje të shkurtra të qarkullimit rrugor në disa segmente, nga pika kufitare në Vërmicë.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes nga pika kufitare Vërmicë, si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës në rajonet e Kosovës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) në disa segmente rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative. Andaj, Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

Begaj do të jetë në Gjilan nga ora 13:30, ku pritet të takohet me kryetarin e komunës, Alban Hyseni. Më pas do të ketë takime me shefat e grupeve parlamentare. Po ashtu, do të mbahet një bashkëbisedim me personalitete të qytetit të Gjilanit, përfshirë të dënuar politikë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, shkrimtarë dhe artistë.

Shqipëria heq përkohësisht vizat për qytetarët e këtyre 5 shteteve për motive turistike

Së fundmi, Këshilli i Ministrave ka marrë një vendim të rëndësishëm që lejon qytetarët e pesë shteteve të hyjnë në Shqipëri pa pasur nevojë për vizë, për qëllime turistike, përcjell albinfo.ch.

Ky vendim përfshin shtetasit e Arabisë Saudite, Katarit, Omanit, Tajlandës dhe Indonezisë, të cilët mund të udhëtojnë në Shqipëri me pasaportë të vlefshme për një periudhë që do të zgjasë deri më 31 dhjetor 2025.

Ky lehtësim vizash përbën një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të promovuar turizmin dhe për të forcuar lidhjet ndërkombëtare, si dhe për të rritur numrin e vizitorëve nga këto vende. Periudha e lehtësimit të vizave do të fillojë më 15 prill 2025.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, së bashku me Ministrinë e Brendshme, janë ngarkuar me zbatimin e këtij vendimi. Pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, ky vendim do të hyjë menjëherë në fuqi dhe do të mundësojë udhëtime më të lehta dhe më të shpejta për turistët nga këto shtete.

Kjo iniciativë synon të nxisë më tej zhvillimin e turizmit në Shqipëri dhe të forcojë marrëdhëniet ndërkombëtare me shtetet e përmendura, duke i dhënë mundësi qytetarëve të tyre të eksplorojnë bukuritë e Shqipërisë pa pengesa burokratike.

Mbrëmja Filantropike “Save a Life” rikthehet me edicionin e 7-të në Cyrih

Nën moton “Shpëto një jetë – bëhu shpresa, bëhu ndryshimi”, organizata Action for Mothers and Children (AMC) do të organizojë edicionin e 7-të të mbrëmjes filantropike “Save a Life”, më 23 maj 2025, në qytetin e Cyrihut.

Kjo mbrëmje filantropike përfaqëson fuqinë e bashkimit për një qëllim fisnik – shpëtimin dhe përmirësimin e jetëve të nënave dhe fëmijëve në Kosovë. Ngjarja mbledh bashkë personalitete nga fusha e shëndetësisë, biznesit, artit, politikës dhe ndërmarrësisë, të cilët ndajnë bindjen se përmes solidaritetit dhe përkushtimit mund të ndërtojmë një të ardhme më të sigurt dhe më të drejtë për ata që kanë më shumë nevojë.

Të pranishmit do të përjetojnë një program frymëzues me:

  • fjalime mbi ndikimin e AMC-së

  • koktej mikpritës

  • darkë të kuruar

  • muzikë live nga grupi String String

Ndikimi i arritur gjatë vitit 2024:

  • 10 fëmijë me diabet u pajisën me pompa insuline

  • Mbi 5,000 gra përfituan PAP-teste falas

  • 6,000 gra dhe vajza morën mbështetje përmes Klasave për Nëna

  • 4,300 prindër u informuan për vaksinën HPV

  • 6 qendra të mjekësisë familjare u furnizuan me pajisje mjekësore

Ngjarja do të mbahet më 23 maj 2025 në ambientet e Hotel Five, Döltschiweg 234, 8055 Zürich, Zvicër, nga ora 19:30 deri në 23:00.

Çdo biletë apo sponsorizim është më shumë se një donacion – është një akt që shpëton jetë. Për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje, ju mund të kontribuoni duke blerë biletën tuaj këtu:
https://tinyurl.com/muw73ds9

Mundësi për sponsorizim
Action for Mothers and Children fton bizneset dhe individët që dëshirojnë të mbështesin këtë kauzë të bëhen sponsorë të ngjarjes. Për më shumë informacion, kontaktoni:
Email: [email protected]

Mos e humbisni këtë mundësi për të qenë pjesë e kësaj kauze kuptimplotë. Së bashku, ne mund të shpëtojmë jetë dhe të bëjmë një ndryshim pozitiv për një të ardhme më të ndritshme dhe më të shëndetshme për brezat që vijnë.

Programi i ri zviceran për financimin e bizneseve të vogla dhe të mesme në Shqipëri

Sekretariati Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO) po nxit konkurrueshmërinë dhe zhvillimin e ekonomisë së gjelbër në Shqipëri dhe në Bosnjë e Hercegovinë, përmes një programi të ri mbështetës me vlerë 2.8 milionë franga zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Në partneritet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ky program synon të përmirësojë konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sektorit privat në këto dy vende, duke i bërë bizneset më elastike dhe më të përshtatura ndaj sfidave të mjedisit dhe tregut.

https://www.facebook.com/share/p/1KjndxBU19/?mibextid=wwXIfr

Detaje të reja rreth plagosjes së shqiptarës në Mynih

Albinfo.ch ka transmetuar dje lajmin lidhur me një grua me origjinë nga Kosova, e cila është plagosur rëndë me thikë nga bashkëshorti i saj, gjithashtu kosovar, në prani të djalit të tyre 7-vjeçar.

Ngjarja ka tronditur qytetin e Mynihut në Gjermani.

Sipas raportimeve, i dyshuari, S.K. (33 vjeç), e ka goditur bashkëshorten e tij, S.K. (31 vjeçe), me mbi pesë goditje me thikë. Pas sulmit, ai nuk u largua nga vendi i ngjarjes, por qëndroi aty duke folur në telefon, ndërsa gruaja e tij ndodhej në gjendje kritike.

Çifti kishte një martesë të vështirë prej vitesh dhe ishin prindër të dy fëmijëve – një vajze 4-vjeçare dhe një djali 7-vjeçar. Marrëdhënia e tyre ishte përkeqësuar me kalimin e kohës dhe burri ishte dënuar më parë për dhunë në familje, si dhe për shkelje të urdhrit të mbrojtjes, për çka ishte dënuar me 300 ditë gjobë.

Në janar të vitit 2024, ai e kishte dhunuar fizikisht bashkëshorten, duke i shkaktuar plagë në fytyrë dhe gjakosje. Për këtë arsye, ishte lëshuar një urdhër ndalimi që i ndalonte të afrohej tek ajo apo banesa e tyre në një rreze prej 100 metrash – vendim që ai e kishte shkelur katër herë.

Më 17 janar 2024, ai e kishte goditur me shuplakë në fytyrë dhe i kishte shkulur flokët, duke e lënë me buzë të ënjtura dhe fytyrë të gjakosur.

Sipas Prokurorisë, sulmi i fundit ndodhi kur burri kishte tentuar të merrte vajzën nga kopshti, por nuk ishte lejuar nga stafi. Ata kishin njoftuar nënën, e cila e kishte marrë vajzën dhe e kishte lënë tek një shoqe në të njëjtën ndërtesë. Më pas, ajo kishte shkuar të merrte djalin nga shkolla.

Gjatë kthimit në shtëpi, vetëm pak metra para banesës, S.K. e kishte pritur dhe e kishte sulmuar me një thikë të vogël, duke e goditur pesë herë përpara syve të djalit të tyre.

Gruaja u rrëzua në tokë e plagosur rëndë, ndërsa i dyshuari qëndroi në vendngjarje deri në momentin e arrestimit nga policia. Para dëshmitarëve, ai raportohet të ketë thënë: “Nuk e dini çfarë më ka bërë ajo”.

Ndërkohë, një mike e viktimës deklaroi për gazetën gjermane: “Më pa me një shikim të ftohtë gjatë arrestimit”.

Gruaja e plagosur u dërgua në spital në gjendje të rëndë dhe aktualisht po lufton për jetën./albinfo.ch

Omega 3, rëndësia thelbësore që ka për trupin dhe mendjen

Omega-3 janë acide yndyrore thelbësore për trupin dhe mendjen, të cilat nuk mund të prodhohen nga trupi dhe duhet të merren nga dieta. Ato gjenden kryesisht në peshqit e thellësive të ftohta, farat e linit dhe chia, dhe disa arra.

Përfitimet kryesore të Omega-3 përfshijnë:

1. Përmirësimi i shëndetit kardiovaskular – Ndihmojnë në uljen e triglicerideve dhe tensionit të gjakut, duke zvogëluar rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

2. Mbështetje për trurin dhe shëndetin mendor – Ato përmirësojnë kujtesën, fokusin, dhe mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve si Alzheimer.

3. Reduktimi i inflamacionit – Ndihmojnë në uljen e inflamacionit që mund të çojë në sëmundje kronike si diabeti dhe kanceri.

4. Përmirësimi i shëndetit të syve dhe lëkurës – Ndihmojnë në parandalimin e degjenerimit makular dhe përmirësojnë lagështinë e lëkurës.

5. Mbështetje për sistemin imunitar – Përforcojnë aftësinë e trupit për të luftuar infeksionet.

Për të përfituar, mund të konsumoni peshqit e pasur me omega-3, vajrat e farave të linit, chia dhe arra.

 

Burri therr gruan para djalit 7-vjeçar në Munih, dorasi dhe viktima raportohet se janë nga Kosova

Gazeta gjermane “Bild” raportoi një ngjarje tragjike që ka ndodhur në Munih, ku një burrë nga Kosova, Samson K. (33), ka therur me thikë bashkëshorten e tij, Sabrina K. (31), në sy të djalit të tyre 7-vjeçar. Sipas informacionit të siguruar nga “Bild”, viktima ka marrë pesë therje, ndërsa bashkëshorti i saj është arrestuar pas krimit, transmeton albinfo.ch.

Ngjarja ka ndodhur pasi që burri kishte tentuar të marrë vajzën e tij katër vjeçe nga kopshti, por autoritetet e kopshtit e kishin ndaluar atë dhe ia kishin dorëzuar fëmijën nënës. Më pas, Sabrina K. kishte shkuar të merrte djalin e saj nga shkolla. Kur ajo ka arritur në afërsi të shtëpisë së saj, bashkëshorti i saj e ka sulmuar me thikë.

“Bild” ka siguruar informacione që lidhin të kaluarën e çiftit, duke theksuar se Samson K. kishte pasur probleme me dhunën familjare më herët. Ai ishte dënuar për dhunë ndaj bashkëshortes dhe kishte shkelur disa herë urdhrin e gjykatës që ndalonte kontaktet me të. Pas sulmit, Samson K. ka qëndruar pranë viktimës derisa është arrestuar nga policia, ndërsa fëmijët e çiftit janë marrë në kujdes nga autoritetet.

Pse është e rrezikshme që të vozisni verës me goma dimri?

Shumë shoferë vendosin të mos i ndërrojnë gomat e dimrit kur vjen vera, ose thjesht harrojnë. Por mbajtja e gomave të dimrit gjatë sezonit të nxehtë nuk është vetëm e papërshtatshme – është e rrezikshme.

Gomat e dimrit janë të dizajnuara për temperatura të ulëta dhe përbërja e tyre është dukshëm më e butë se ajo e gomave verore. Kjo i bën ato të konsumohen më shpejt në asfalt të nxehtë, duke humbur efektivitetin dhe duke rrezikuar sigurinë në rrugë.

Sipas autoklubit gjerman ADAC, gomat e dimrit në kushte verore e rrisin dukshëm rrezikun e aksidenteve, sidomos për shkak të mbinxehjes dhe konsumimit më të shpejtë në asfalt.

Gjatë verës, kur temperaturat e asfaltit mund të arrijnë nga 30 deri në 36°C, distanca e frenimit rritet ndjeshëm me goma dimri. Në një test të kryer nga ADAC, një veturë me goma verore ndaloi pas 36.3 metrash me shpejtësi 100 km/h, ndërsa një tjetër me goma dimri ndaloi vetëm pas 41.9 metrash, duke lëvizur ende me 37 km/h kur vetura me goma verore kishte ndaluar plotësisht.

Gjatë ngasjes në verë, veçanërisht me ngarkesë të madhe apo me shpejtësi të lartë, gomat e dimrit kanë tendencë të mbinxehen. Kjo shkakton konsumim të gomave, duke e komprometuar stabilitetin e automjetit.

Prandaj, ekspertët këshillojnë të mos i përdorni gomat e dimrit gjatë verës, edhe nëse ato duken në gjendje të mirë.

 

 

Pse kohëve të fundit shumë njerëz vërejnë ‘rezistencë’ ndaj botoksit?

Në vitet e fundit, botoksi ka fituar gjithnjë e më shumë popullaritet si trajtim estetik, i përdorur nga të rinj e të moshuar për të arritur një pamje më të freskët. Megjithatë, disa individë kanë vënë re se efektet e tij nuk janë më si më parë – një fenomen i njohur si “rezistenca ndaj botoksit”.

Çfarë është rezistenca ndaj botoksit?
Ky fenomen ndodh kur trupi zhvillon antitrupa ndaj botoksit, duke penguar efikasitetin e injeksioneve. Si pasojë, muskujt nuk paralizohen më si më parë dhe rrudhat mbeten të theksuara.

Shkaktarët e rezistencës
Shkaku i saktë i këtij fenomeni mbetet ende i paqartë. Megjithatë, disa studime sugjerojnë një lidhje të mundshme midis vaksinës kundër COVID-19 dhe ndryshimit të efekteve të botoksit, ndonëse ende nuk ka prova të mjaftueshme për ta konfirmuar këtë.

A është rezistenca ndaj botoksit një fenomen i përhapur?
Rastet e tilla janë të rralla. Në shumicën e rasteve, rritja e dozës ose përdorimi i një toksine alternative mund të ndihmojë. Për këtë arsye, është e rëndësishme të konsultoheni me një dermatolog të specializuar për të gjetur zgjidhjen më të përshtatshme.

 

Çfarë ndërprerjesh do të pasojnë nga grevat e transportit në Itali këtë javë?

Pasagjerët që udhëtojnë drejt, nga dhe brenda Italisë këtë javë mund të përballen me vonesa dhe ndërprerje për shkak të disa grevave në transportin ajror dhe hekurudhor të planifikuara nga data 9 deri më 12 prill.

Udhëtimet ajrore

Asistentët e fluturimit të kompanisë ajrore me kosto të ulët EasyJet kishin paralajmëruar një grevë kombëtare katër-orëshe të mërkurën, më 9 prill, nga ora 10:30 deri në 14:30. Greva u thirr nga sindikatat FILT-CGIL, FIT-CISL dhe UIL pas dështimit të negociatave për përmirësimin e kontratave të punës, transmeton albinfo.ch.

EasyJet nuk kishte njoftuar për anulime fluturimesh deri të mërkurën. Pasagjerët këshillohen të kontaktojnë linjën ajrore për të konfirmuar statusin e fluturimeve të tyre.

Greva kombëtare katër-orëshe e stafit të aeroporteve u anulua më 3 prill nga sindikata CUB Trasporti, sipas Komisionit të Garancive për Grevat në Itali. Megjithatë, drejtuesit e mjeteve në aeroportet Linate dhe Malpensa në Milano pritej të grevonin në të njëjtën orar, sipas kalendarit të ministrisë së transportit.

Punonjësit e kompanisë menaxhuese të Aeroportit të Palermos, GESAP, gjithashtu do të grevonin nga ora 10:00 deri në 18:00.

Sipas ENAC (autoriteti italian i aviacionit civil), fluturimet e planifikuara ndërmjet orës 07:00-10:00 dhe 18:00-21:00 janë të mbrojtura me ligj dhe do të kryhen normalisht.

Në rast anulimi të fluturimit

Nëse udhëtoni në, nga ose brenda BE-së, keni të drejtën e rimbursimit ose rirezervimit, dhe linja ajrore duhet t’ju ofrojë zgjedhje. Nëse keni një fluturim të mëvonshëm dhe prisni më shumë se dy orë, keni të drejtë për ushqim dhe pije. Në rast anulimi pa paralajmërim, mund të kërkoni kompensim.

Udhëtimet hekurudhore

Një grevë 24-orëshe në hekurudha, thirrur nga sindikata SI-COBAS, do të zhvillohet nga ora 21:00 e 10 prillit deri në 20:59 e 11 prillit.

Trenord, që operon në rajonin e Lombardisë, paralajmëroi ndërprerje në shërbimet rajonale, periferike dhe në aeroportin Malpensa. Do të ofrohen shërbime minimale nga ora 06:00–09:00 dhe 18:00–21:00 të premten.

Ndërkohë, greva kombëtare 23-orëshe e planifikuar nga sindikata USB për stafin e Trenitalia, Trenord dhe Italo u shty për në 6 maj, pas një urdhri nga qeveria. Vetëm stafi i mirëmbajtjes së hekurudhave do të grevojë në datat 11-12 prill.

Trenitalia njoftoi se në rajonet Piemonte dhe Valle d’Aosta, do të ketë greva nga ora 03:00 e 11 prillit deri në 02:00 e 12 prillit, që mund të ndikojnë shërbimet rajonale. Trenat në distanca të gjata nuk do të preken.

Ndryshime në shërbim mund të ndodhin para dhe pas grevës. Trenitalia do të ofrojë shërbime minimale në oraret 06:00–09:00 dhe 18:00–21:00.

Për trena Intercity dhe Frecce, rimbursimi mund të kërkohet deri në orën e nisjes. Për trenat rajonalë, rimbursimi kërkohet deri në mesnatën para ditës së grevës.

 

Çfarë do të thotë marrëveshja e re e koalicionit në Gjermani për të huajt?

Pas katër javësh negociata intensive, partitë kryesore konservatore dhe socialdemokrate në Gjermani kanë rënë dakord për krijimin e një qeverie të re. Si do të ndikojë ky koalicion i ri “i zi-kuq” në jetën e shtetasve të huaj që jetojnë në Gjermani?

Një qeveri e re, me qëllime të reja

Koalicioni i ri do të përbëhet nga CDU/CSU (Unionet Konservatore) dhe SPD (Partia Socialdemokrate), me Friedrich Merz si kancelar të ardhshëm. Kjo nuk është hera e parë që këto parti qeverisin bashkë – koalicioni i mëparshëm i tillë ishte në pushtet nga viti 2013 deri në 2021 nën udhëheqjen e Angela Merkel.

Këtë herë, sfidat janë më të mëdha: qëndrimet më të ashpra ndaj emigracionit, konflikte të reja globale, tensione me SHBA-në, kriza ekonomike dhe ndryshimet klimatike janë në krye të agjendës.

Pikat kryesore të marrëveshjes së koalicionit

Mbrojtja dhe ekonomia: Koalicioni synon të rrisë ndjeshëm investimet në mbrojtje dhe të stimulojë ekonominë. Kufizimi buxhetor i njohur si “frena e borxhit” është rishikuar për të lejuar më shumë shpenzime publike.

Emigracioni: Qeveria do të mbështesë emigracionin e fuqisë punëtore të kualifikuar, por njëkohësisht do të përforcojë masat për dëbimin e azilkërkuesve që u është refuzuar qëndrimi. Po ashtu, pritet të krijohet një agjenci e re për ndihmën në punësim dhe integrim – “Agjencia Punë & Qëndrim”, transmeton albinfo.ch.

Shtetësia: Ligji për shtetësinë e dyfishtë që hyri në fuqi në vitin 2024 do të mbetet në fuqi. Megjithatë, rruga e përshpejtuar trevjeçare për shtetësi për të huajt “me integrim të shkëlqyer” do të hiqet, duke ruajtur kërkesën standarde të pesë viteve qëndrimi.

Testet e gjuhës: Të gjithë fëmijët katërvjeçarë me sfond migrimi do t’i nënshtrohen testimeve të detyrueshme për gjuhën.

Masa sociale dhe ekonomike:

Nuk do të ketë rritje të taksave.

Reduktim i tatimit për të ardhurat e ulëta dhe të mesme.

Pagesat shtesë (overtime) do të jenë pa tatim.

Rritje e planifikuar e pagës minimale në 15 euro/orë nga viti 2026.

Rritje e ndihmës për prindërit dhe mbështetje për punëtorët e moshuar që vazhdojnë të punojnë.

“Bürgergeld” (ndihma për papunësi) do të zëvendësohet me një sistem të ri më të rreptë të të ardhurave bazë.

Bileta “Deutschlandticket” do të vazhdojë të jetë e vlefshme, por çmimi mund të rritet.

Çfarë do të thotë kjo për të huajt në Gjermani?

Qeveria e re synon të balancojë nevojën për punëtorë të kualifikuar me një qëndrim më të ashpër ndaj migrimit të parregullt. Ligji për shtetësinë e dyfishtë është një lajm i mirë për shumë të huaj, por heqja e rrugës së përshpejtuar për nënshtetësim është një tërheqje e dukshme.

Në përgjithësi, politika e qeverisë së ardhshme do të ndikojë drejtpërdrejt në jetën e të huajve në Gjermani – nga mundësitë për shtetësi, në sistemin arsimor, tregun e punës dhe shpenzimet e përditshme.

Cilat produkte pritet të preken nga rritja e çmimeve në Austri pas tarifave të Trump?

Tensionet tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian vazhdojnë të përshkallëzohen dhe pasojat e tyre nuk do të ndihen vetëm nga kompanitë e mëdha. Ndërsa BE-ja përgatitet të vendosë tarifa hakmarrëse ndaj një game të gjerë të produkteve amerikane, artikuj të përditshëm si vezët, sallamet dhe edhe fijet dentare mund të bëhen më të shtrenjta për konsumatorët në Austri.

Pse pritet rritje çmimesh?

Gjithçka nisi pasi presidenti amerikan Donald Trump shpalli tarifa të reja për importet nga BE-ja, përfshirë një tarifë të përgjithshme prej 20 përqind dhe një tarifë të veçantë 25 përqind për makinat e importuara. Kjo shkaktoi reagime të ashpra nga zyrtarët europianë, të cilët nisën menjëherë përgatitjen e kundërmasave.

Në përgjigje të tarifave amerikane mbi çelikun dhe aluminin, Komisioni Europian ka planifikuar të vendosë tarifa prej 25 përqind mbi produkte të caktuara amerikane. Disa prej tyre do të hyjnë në fuqi më 16 maj, ndërsa të tjerat më 1 dhjetor. Në listën e produkteve të synuara përfshihen diamantet, vezët, sallamet, mishi i pulës, bajamet, soja dhe edhe artikuj të zakonshëm si fijet dentare, transmeton albinfo.ch.

Sa më shumë do të paguajnë konsumatorët?

Për blerësit në Austri, kjo do të thotë rritje të dukshme çmimesh në raftet e supermarketeve. Produktet që importohen drejtpërdrejt nga SHBA ose që përmbajnë përbërës të origjinës amerikane do të preken më shumë, pasi shitësit zakonisht i kalojnë kostot shtesë te konsumatorët.

Nëse blini rregullisht bajame të importuara nga SHBA apo sallame me markë amerikane, një tarifë shtesë prej 25 përqind mund ta rëndojë ndjeshëm faturën mujore të ushqimeve.

A do të preken edhe produkte të tjera?

BE-ja ka shqyrtuar gjithashtu tarifa të larta për produkte si whiskey bourbon, verëra dhe produkte bulmeti, duke përfshirë një tarifë të mundshme deri në 50 përqind për bourbon-in. Megjithatë, këto nuk do të zbatohen ende. Nëse lufta tregtare përshkallëzohet, disa produkte të tjera të zakonshme në shtëpitë austriake mund të preken gjithashtu.

Nga ana tjetër, Trump ka kërcënuar me tarifa edhe më të larta si përgjigje, duke propozuar deri në 200 përqind tarifë për pijet alkoolike nga BE-ja – një veprim që do të ndikonte në mënyrë të veçantë Italinë dhe Francën, eksportues të mëdhenj të verës.

Çfarë ndikimi do të ketë kjo për Austrinë?

Austria nuk importon shumë drejtpërdrejt nga SHBA, por është e lidhur ngushtë me zinxhirët e furnizimit europian. Shumë produkte bujqësore amerikane përdoren si përbërës në industrinë ushqimore të Europës, prandaj rritja e kostove të lëndëve të para mund të sjellë rritje të çmimeve edhe për produktet që prodhohen dhe shiten në Austri.

Çfarë pritet të ndodhë më tej?

Një datë kyçe është e mërkura, 9 prill, kur shtetet anëtare të BE-së do të votojnë për të finalizuar listën e produkteve që do të përfshihen në tarifat e reja. Ndërkohë, bisedimet tregtare mes SHBA-së dhe BE-së janë ende në zhvillim, por të dyja palët nuk shfaqin shumë gatishmëri për të bërë lëshime.

 

 

 

Gjërat që nuk lejohet t’i mbani në makinë në Austri

Kur udhëtoni me makinë në Austri, nuk mjafton të respektoni vetëm rregullat e trafikut. Ekziston një listë befasuese e sendeve që nuk lejohen – ose të paktën nuk lejohen lirisht – të transportohen në automjetin tuaj. Ja çfarë duhet të dini për të shmangur gjoba të rënda apo probleme ligjore.

Thikat: disa lejohen, të tjerat jo

Ligjet për thikat në Austri janë relativisht të lehta krahasuar me vendet e tjera evropiane, por ka përjashtime të qarta. Janë të ndaluara armët e fshehura apo të kamufluara si për shembull “sword canes” (shkopinj me teh të fshehur) ose “throwing stars” (yll ndihmës për hedhje).

Mbajtja e një thike të zakonshme ose mjetesh shumëfunksionale (si “multi-tools”) nuk është problem, por përdorni gjykimin tuaj – shmangni çdo objekt që mund të ngatërrohet me armë apo që është i fshehur me qëllim, transmeton albinfo.ch.

Armët e zjarrit: rregulla të rrepta për transport

Për të zotëruar një armë në Austri ju nevojitet leje (Waffenbesitzkarte), ndërsa për ta mbajtur jashtë shtëpisë ju duhet edhe leje tjetër (Waffenpass), e cila është më e vështirë për t’u marrë.

Armët duhet të jenë të shkarkuara dhe të vendosura në një kuti të mbyllur. Municionet duhet të ruhen veçmas dhe nuk lejohet të bëni ndalesa gjatë transportit.

Kamerat e bordit (Dashcams): të lejueshme me kufizime

Edhe pse shumë të përhapura në Evropë, në Austri kamerat e bordit lejohen vetëm në rrethana të caktuara, për shkak të ligjeve të privatësisë. Ato duhet të filmojnë vetëm rreth makinës dhe të mos regjistrojnë vazhdimisht.

Filmimet duhet të aktivizohen vetëm në raste incidentesh. Shpërndarja e videove në rrjete sociale mund të sjellë gjoba të larta.

Aplikacionet e radarëve dhe trafikut: përdorim i kufizuar

Aplikacionet që tregojnë radarin, çmimet e karburantit apo trafikun lejohen vetëm nëse janë të montuara si pajisje navigimi dhe nuk përdoren gjatë drejtimit. Aplikacionet që zbulojnë vendndodhjen e policisë apo radarëve janë të ndaluara.

Qentë: duhen siguruar mirë, ndryshe gjobë

Në Austri, qentë konsiderohen “ngarkesë” dhe duhet të sigurohen siç duhet gjatë transportit. Moszbatimi i këtij rregulli mund të sjellë gjoba deri në 5,000 euro. Zgjedhjet më të sigurta janë kutitë metalike në bagazh për qentë e mëdhenj, ose transportues të siguruar në sedilje për të vegjlit.

Personat jashtë vendit të duhur ose pa rrip sigurimi

Çdo pasagjer në makinë – përpara apo mbrapa – duhet të ketë rrip sigurimi nëse sedilja është e pajisur me të. Shoferi është përgjegjës për fëmijët nën 14 vjeç, ndërsa më të rriturit janë vetë përgjegjës.

Telefonat: vetëm “hands-free”

Gjatë drejtimit, përdorimi i telefonit lejohet vetëm me pajisje “hands-free”. Telefonin nuk duhet ta mbani në dorë as për pak sekonda. Edhe thjesht ta mbani mes shpatullës dhe kokës sjell gjobë prej 100 euro, që mund të shkojë deri në 140 euro ose burgim të shkurtër nëse nuk paguhet.

Nuk lejohet as vendosja e destinacioneve në GPS gjatë ngasjes, dërgimi i mesazheve, kontrollimi i rrjeteve sociale apo ndërrimi i këngëve.

 

Amerikanët presin çmime më të larta pas tarifave nga Trump

Shumica e amerikanëve po përgatiten për çmime më të larta në një gamë të gjerë mallrash të konsumit pas njoftimit të presidentit Donald Trump për të vendosur tarifa të reja gjithëpërfshirëse ndaj importeve nga pjesa më e madhe e botës, thuhet në një sondazh të Ipsos, sipas “Reuters”.

Sondazhi treditor, zbuloi se 73% e të anketuarve mendonin se çmimet në gjashtë muajt e ardhshëm do të rriteshin për artikujt që blejnë çdo ditë – pasi tarifat e reja të hynin në fuqi pothuajse ndaj të gjitha importeve.

Vetëm 4% e të anketuarve mendonin se çmimet do të binin dhe pjesa tjetër nuk priste asnjë ndryshim ose nuk i ishin përgjigjur pyetjes.

Njoftimi i Trump javën e kaluar për rritjen më të madhe të tarifave të SHBA-së ndër dekada – tronditi “ëall Street” pasi shumë ekonomistë parashikuan se ato do të shkaktonin rritjen e çmimeve dhe një recesion në SHBA dhe në pjesën tjetër të botës, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Rreth 57% e të anketuarve në sondazh – duke përfshirë një të katërtën e të anketuarve nga Partia Republikane e Trump – kundërshtuan tarifat e reja, të cilat përfshijnë tarifa prej të paktën 10% për importet nga pothuajse çdo vend.

Rreth 39% e të anketuarve mbështetën tarifat e reja dhe 52% thanë se ishin dakord me argumentin e administratës Trump – se vendet e tjera kishin përfituar nga SHBA-ja kur bëhej fjalë për tregtinë ndërkombëtare.

Trump, shpesh e ka përmendur këtë pikëpamje – si një arsye për të vendosur barriera të reja tregtare – duke thënë se ato do të nxisin një bum në prodhimin e SHBA-së.

Ndërsa 44% e të anketuarve thanë se nuk ishin dakord me këtë pikëpamje. Amerikanët janë ndarë kryesisht sipas linjave partiake – lidhur me vendimin për tarifa më të larta ndaj importeve.

Gjysma e të anketuarve – duke përfshirë pothuajse të gjithë republikanët – thanë se ishin dakord me deklaratën se çdo “dhimbje” ekonomike afatshkurtër ia vlente për ta bërë SHBA-në më të fortë në terma afatgjatë”.

Gjysma tjetër – duke përfshirë pothuajse të gjithë demokratët – nuk ishin dakord. Sondazhi – i cili u krye në internet dhe në mbarë vendin – anketoi 1027 të rritur amerikanë.

Franga zvicerane “fituesja” më e madhe nga tarifat e Trumpit – por çfarë ndodh me konsumatorët zviceranë?

Ndërsa tregjet financiare vazhdojnë të bien pas hyrjes në fuqi të tarifave të reja doganore të vendosura nga Donald Trump më 9 prill, vlera e frangës zvicerane është rritur ndjeshëm.

Pse ndodh kjo dhe çfarë do të thotë për ekonominë dhe popullsinë e Zvicrës?

Tarifat – që arrijnë deri në 31 për qind për eksportet zvicerane drejt Shteteve të Bashkuara – po ndikojnë jo vetëm në ekonominë e Zvicrës, por edhe në xhepat e konsumatorëve, pasi Indeksi i Tregut Zviceran ka rënë mesatarisht mbi 5 për qind.

Ndërkohë, monedha zvicerane është forcuar ndjeshëm kundrejt dollarit amerikan gjatë natës nga 8 në 9 prill, duke arritur në 0.8381 cent – niveli më i lartë që nga vera e vitit 2011.

Vetëm një javë më parë, dollari vlente mbi 88 cent kundrejt frangës.

Franga është forcuar edhe kundrejt euros: me një kurs prej 0.9272 cent, ajo po afrohet me nivelet historike, sipas analistëve të Commerzbank, të cituar nga media zvicerane, transmeton albinfo.ch.

Për krahasim, një javë më parë një euro shkëmbehej me gati 95 cent zviceranë.

Sipas bankës, franga është “pa dyshim fituesja e kësaj politike doganore amerikane dhe përfaqëson një shembull klasik të një ‘strehe të sigurt’.”

Çfarë do të thotë kjo në praktikë?

Mos e ngatërroni me parajsë fiskale (që Zvicra nuk është më), franga zvicerane ka treguar rezistencë ndaj krizave globale shumë më tepër se monedhat e vendeve të tjera.

Në fakt, gjatë dekadave të fundit, vlera e frangës është rritur, ndërkohë që monedhat e tjera janë dobësuar.

Kjo qëndrueshmëri financiare, e kombinuar me stabilitetin politik, ekonomik dhe social të Zvicrës, si dhe inflacionin e ulët, ka bërë që franga të shihet si një valutë e fortë dhe e sigurt për investime.

Kjo është arsyeja pse investitorët e huaj preferojnë të blejnë franga në kohë pasigurie ekonomike apo politike.

Po për ekonominë zvicerane, është lajm i mirë?

Një valutë e fortë është lajm i mirë për kompanitë që merren me import, pasi produktet e huaja bëhen më të lira. Por për kompanitë eksportuese, kjo është problem, sepse produktet zvicerane bëhen më të shtrenjta jashtë vendit.

Po për konsumatorët zviceranë?

Në përgjithësi, kur një monedhë forcohet, konsumatorët përfitojnë në disa mënyra.

Kursi i këmbimit më i favorshëm e bën më të lirë çdo mall që importohet nga jashtë. Gjithashtu, blerjet në vendet e eurozonës bëhen më të leverdishme, pasi franga ka më shumë fuqi blerëse jashtë se sa brenda vendit.

Po ashtu, udhëtimet jashtë vendit mund të jenë më të përballueshme – të paktën sa i përket akomodimit dhe ushqimit.

Megjithatë, franga e fortë nuk e ul koston e udhëtimeve – çmimet e biletave të avionëve, trenave dhe karburantit mbeten ende të larta.

 

Industria zvicerane e djathit në krizë, prodhuesit detyrohen të ndërpresin veprimtarinë

Fabrika tradicionale e djathit “Chäsi Arni” në Emmental të Bernës po përballet me një mbyllje të mundshme. Arsyeja? Rënia e ndjeshme e kërkesës për djathin Emmentaler – një ikonë zvicerane – po i detyron prodhuesit të ndërpresin veprimtarinë.

Pse po ndodh kjo?

Grupi Cremo nga Friburgu, blerësi kryesor i djathit Emmentaler AOP nga Arni, ka vendosur të tërhiqet përfundimisht nga tregtia e këtij produkti. Pas përpjekjeve të shumta për të gjetur një partner të ri distributimi, pa sukses, fabrika e vogël me pesë punonjës pritet të ndalë prodhimin përfundimisht brenda tre javësh – më së voni deri në gusht, transmeton albinfo.ch.

Një problem më i gjerë

Situata në Arni është vetëm një shembull i vështirësive që po kalon industria zvicerane e djathit Emmentaler. Në tregjet e huaja – veçanërisht në Itali, blerësin kryesor – ky djathë po humb terren përballë alternativave më të lira. Një goditje tjetër erdhi nga vendimi i BE-së në vitin 2023 për ta klasifikuar emrin “Emmentaler” si një term të përgjithshëm, duke e pamundësuar mbrojtjen si markë tregtare. Tani, çdo djathë mund të quhet “Emmentaler”, edhe nëse nuk vjen nga Zvicra.

Shifra që flasin vetë

Në vitin 2023, eksportet zvicerane të Emmentalerit ranë me pothuajse 12%, nga 8,995 tonë në 7,943 tonë. Ky trend negativ pasqyron sfidat që lidhen me inflacionin, forcimin e frangës zvicerane dhe konkurrencën në rritje në tregjet ndërkombëtare.

Mbylljet vazhdojnë

Në prill 2024, fabrika e madhe e djathit në Neudorf (Luzern) u mbyll. Po ashtu, u ndal edhe prodhimi në Riggisberg (Bernë) dhe Sagen (Luzern) – një valë mbylljesh që po prek gjithnjë e më shumë prodhuesit tradicionalë.


Mungesa e vezëve po detyron industrinë ushqimore të mendojë ndryshe

Rritja e kërkesës dhe eliminimi i pulave për shkak të gripit të shpendëve kanë rritur çmimet e vezëve, duke i dhënë mundësi zgjidhjeve vegane që të tërheqin më shumë vëmendje.

Që nga janari i vitit 2022, Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar mbi 1,600 shpërthime të gripit të shpendëve në industrinë e pulave – rishfaqja më e madhe e virusit që prej vitit 2016. Viruset e gripit aviar të nëntipit H5N1 janë shumë të rrezikshëm dhe mund të shkaktojnë deri në 100% vdekshmëri tek pulat. Sipas Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), mbi 168 milionë zogj kanë vdekur ose janë therur për shkak të pranisë së virusit shumë patogjen HPAI A(H5), t4ansmeton albinfo.ch.

Kjo humbje e pulave që bëjnë vezë ka çuar në rritje rekord të çmimeve të vezëve në SHBA, duke e detyruar qeverinë të ndërhyjë.

Në një artikull për Wall Street Journal në shkurt, Sekretarja Amerikane e Bujqësisë, Brooke Rollins, kritikoi administratën Biden për mungesë veprimi dhe njoftoi një financim prej 1 miliard dollarësh për mbrojtjen e industrisë së shpendëve dhe uljen e çmimeve të vezëve, përveç kompensimeve për fermerët që detyrohen të therrin shpendët.

Edhe industria evropiane në krizë

Edhe Evropa është prekur. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve, që nga viti 2021 janë raportuar rreth 134 milionë raste të therjes së shpendëve për shkak të gripit aviar. Tregu evropian i vezëve ende nuk është rikuperuar plotësisht.

Në Zvicër, janë regjistruar disa raste të gripit të shpendëve në zogj të egër dhe të butë, dhe autoritetet kanë vendosur masa për mbylljen e shpendëve në zonat e prekura. Megjithatë, nuk ka pasur therje masive.

Kërkesa për vezë ka vazhduar të rritet për shkak të perceptimit të tyre si ushqim i shëndetshëm dhe trendit drejt dietave të pasura me proteina. Shtatorin e kaluar, qeveria zvicerane rriti kuotën e importit për vezë me taksë të ulët me 7,500 tonë (rritje 43%) për të përmbushur kërkesën. Supermarketet, veçanërisht Migros, kanë pasur vështirësi për të mbajtur raftet e mbushura.

Sipas Migros, në vitin 2024 kërkesa për vezë u rrit me rreth 10%, ndërsa për vezët e freskëta të lira nga Zvicra edhe më shumë. Kjo kërkesë nuk përmbushet dot nga prodhimi vendas dhe importet gjithashtu përballen me kufizime për shkak të kërkesës së rritur në të gjithë Evropën.

Një sektor që mund të përfitojë nga kjo situatë janë alternativat bimore për vezët. Edhe pse më pak të njohura se zëvendësuesit e mishit, këto produkte po fitojnë terren, sidomos mes konsumatorëve që ndjekin stil jete etik dhe ekologjik.

Kompania Just Egg nga San Francisko prodhon vezë nga fasulja mung dhe ka parë rritje të ndjeshme për shkak të mungesës së vezëve tradicionale. Sipas drejtuesit të marketingut, Thomas Rossmeissl, “rreth 91% e konsumatorëve tanë nuk janë veganë apo vegjetarianë, por 56% kthehen për të blerë sërish – kjo tregon një ndryshim të qëndrueshëm në zakonet e blerjes së vezëve”.

Edhe në Zvicër, interesimi për zëvendësuesit bimorë të vezëve është rritur. Kompania zvicerane EggField përdor qiqra dhe bizele për të rikrijuar shijen dhe strukturën e vezëve për përdorim në gatim apo pjekje.

Sipas bashkëthemeluesit dhe CEO-s, Silvan Leibacher, “këtë tremujor kemi shitur 53% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar – zëvendësimi i vezëve është bërë temë e rëndësishme në industri”.

EggField furnizon restorante dhe furra buke në Zvicër dhe ka partnerë ndërkombëtarë si Bäko dhe German Producers. Rreth 40 kompani të mëdha ushqimore nga BE aktualisht janë në fazën e testimit të produkteve të tyre, për të reduktuar rrezikun nga mungesat e ardhshme dhe rritjet e mundshme të çmimeve.

Ndërsa gjigantët si Nestlé dhe Lindt & Sprüngli nuk janë prekur ndjeshëm për shkak të përdorimit të ulët të vezëve në produktet e tyre, tendenca për alternativa është e dukshme në mbarë sektorin ushqimor.

 

Parlamenti zviceran kërkon që fishekzjarret të lejohen vetëm me autorizim

Kushdo që dëshiron të ndezë fishekzjarrë në të ardhmen, do të duhet të marrë leje paraprakisht. Kjo është kërkesa e komisioneve parlamentare përkatëse, të cilat synojnë të përfshijnë shqetësimet e një iniciative popullore që dëshiron të ndalojë zhurmën e fortë të fishekzjarrëve në Kushtetutë, transmeton albinfo.ch.

Komisioni për Shkencë, Arsim dhe Kulturë i Këshillit të Shteteve (WBK-S) ka miratuar në parim një kundërpropozim ligjor ndaj iniciativës popullore “Për një kufizim të fishekzjarrëve (Iniciativa për Fishekzjarrët)”, sipas shërbimeve parlamentare. Vendimi u mor me dhjetë vota pro dhe një kundër.

Cila është përmbajtja e ndryshimit?

Kërkesa për leje do të aplikohet vetëm për fishekzjarrët që nuk kanë efekt vizual, siç janë shpërthyesit e zakonshëm me zhurmë të lartë. Ndërkohë, fishekzjarrët me efekte vizuale – siç janë vullkanet – do të mbeten të lejuar pa nevojën për autorizim.

Komisioni homolog i Këshillit Kombëtar tani mund të fillojë përgatitjen e legjislacionit përkatës. Nëse ndjeket linja e WBK-S, do të ekzistojë një rregullore specifike për fishekzjarrët pa efekt vizual, pa ndaluar plotësisht fishekzjarrët apo kërkuar leje për të gjithë.