Masat nga qeveria zvicerane pas tarifave nga Trump

Këshilli Federal po krijon një ekip të posaçëm për t’u marrë me pasigurinë që vjen nga Shtetet e Bashkuara.

Qasja e tij e qetë dhe e matur ndaj krizës po vlerësohet gjerësisht.

Dje, presidentja Karin Keller-Sutter foli drejtpërdrejt me Donald Trump – nuk janë publikuar detaje rreth kësaj thirrjeje, ndërsa Keller-Sutter i tha NZZ-së se ndonjëherë është më mirë të mos ndash të gjitha mendimet e tua.

Ekipi i ri do të drejtohet nga Ministri i Jashtëm, Ignazio Cassis, dhe do të bashkojë disa departamente.

Një i dërguar special, ambasadori Gabriel Lüchinger, po dërgohet në SHBA. Shpresohet që, si anëtar i Partisë Popullore të Zvicrës, ai do të mund të hapë më shumë dyer për anëtarët e Partisë Republikane në Uashington, transmeton albinfo.ch.

Nisma parlamentare tashmë i rikthehet Komisionit Kombëtar për Shkencë, Arsim dhe Kulturë për hartimin e projektit.

“Kam frikë për të ardhmen e fëmijëve” – Kosova prin në rajon me nivelin e metanit në ajër

Në të kaluarën i hapte dritaret çdo mëngjes për ta ajrosur shtëpinë. Por, Izet Grajqevcit, 53- vjeçarit nga Obiliqi, një gjë e tillë vetëm se do t’ia vështirësonte qëndrimin në shtëpinë e tij, sidomos gjatë stinës së dimrit. Kjo për shkak të ajrit të ndotur dhe smogut të dendur.

Me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, ai jeton në një banesë afër termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Obiliq, ku cilësia e ajrit është e ulët për shkak të ndotjes nga termocentralet dhe deponive të mbeturinave që ndodhen afër shtëpisë së tij.

Realiteti me të cilin po përballet çdo ditë brengos Izetin për të ardhmen e familjes së tij.

“Shqetësohem për dy vajzat që duhet të rriten këtu, në këtë ajër të ndotur. Erën e tij të keqe e nuhasim edhe kur i thajmë rrobat. Nëse do të kisha mundësi, sonte do të shpërngulesha diku”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se opsion janë edhe qytetet në pjesën perëndimore të Kosovës, larg termocentraleve të KEK-ut.

Ai thotë se vuan pasojat nga ajri i ndotur tash e 12 vjet.

“Shpesh ndihem i lodhur dhe me plogështi, kjo ka filluar që nga viti 2013. Kam pasur edhe probleme me frymëmarrje. Kur kam qenë në Qendrën Komunale të Mjekësisë Familjare më kanë thënë të kujdesem që të mos dal jashtë shumë, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes”, thekson ai.

Kështu, për t’iu shmangur ajrit të ndotur, ai mban dritaret e shtëpisë të mbyllura dhe nuk del nga shtëpia kur nuk e ka të domosdoshme.

Problemi i ajrit të ndotur prek një numër të madh të qytetarëve në Kosovë, sidomos në zonat urbane, ku statistikat tregojnë për nivele të larta të gazrave të dëmshme në ajër.

Matjet e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës shpërfaqin nivele të larta të substancave të rrezikshme për shëndetin, siç është dyoksidi i karbonit, monoksidi dhe gazrat serrë.

E krahas këtyre ndotësve, në Kosovë ekziston një tjetër armik i fshehtë e kërcënues për shëndetin publik, e që është metani. Ky gaz, i padukshëm dhe pa erë, lirohet nga deponitë e mbeturinave, termocentraleve dhe burimet e tjera ndotëse.

Kështu thuhet në të dhënat e raportit të fundit të Bankës Botërore për ndryshimet klimatike në Ballkanin Perëndimor, ku Kosova renditet e para në rajon për nivelin më të lartë të metanit në ajër, për kokë banori në zonat urbane.

Pse Kosova po prin me nivelin e metanit në ajër?

Profesori për Edukim Mjedisor, Zeqir Veselaj, thotë se arsyet kryesore pse Kosova po prin në Ballkanin Perëndimor në këtë drejtim, janë keqmenaxhimi me deponitë e mbeturinave, zjarret në pyje, përdorimi i thëngjillit për ngrohje dhe termocentralet e Obiliqit.

Ai shton se një faktor tjetër shqetësues është edhe numri i madh i veturave të vjetra që qarkullojnë në Kosovë.

“Ndikim në ndotjen e ajrit ambiental urban ka edhe sektori i transportit, me afërsisht gjysmë milioni vetura e makineri në rrugët e Kosovës”, thekson ai për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, nga institucioni që bën monitorimin e cilësisë së ajrit në Kosovë, Instituti Hidrometeorologjik (IHMK), thonë se nuk kanë të dhëna për gjendjen aktuale.

“Ne nuk disponojmë të dhëna nga monitorimi, pasi deri më tani nuk kemi kryer matje për metanin”, thonë nga IHMK-ja.

Megjithatë, nga ky institut shtojnë se, bazuar në përvojën e tyre, burime kryesore të metanit janë minierat e vjetra të qymyrit dhe deponitë e mbeturinave.

Për deponitë e mbeturinave shpreh shqetësim edhe profesori Zeqiraj.

“Dioksidi i karbonit dhe metani përbëjnë rreth 90 për qind të gazrave që lirohen. Por, nga deponitë lirohen edhe gazra të tjera, si amoniak, sulfide, substanca azotike, hidrogjen etj, me pasoja për shëndetin publik të rrethinave”, thotë ai.

Kërkesës së Radios Evropa e Lirë për informacione rreth kësaj teme nuk i është përgjigjur Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit.

Mirëpo, sipas Inventarit të Gazeve Serrë për Kosovën, të publikuar nga ta gjatë vitit të kaluar, thuhet se 86 për qind e emetimeve të gazrave serrë, përfshirë metanin, vijnë nga sektori energjetik, ndërsa pjesa e mbetur nga bujqësia, mbeturinat dhe industria.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur KEK-un për lirimin e gazrave serrë nga termocentralet e tij dhe strategjitë e ardhshme për përmirësim, por s’ka marrë përgjigje.

Si ndikon metani në shëndet?

Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) thonë se efektet e metanit në shëndet mund të jenë mjaft serioze dhe jo vetëm në frymëmarrje.

“Mund të kemi ndryshime të humorit, të folur të paqartë, probleme me shikimin, humbje të kujtesës, të përziera, të vjella, skuqje të fytyrës dhe dhimbje koke”, thuhet në përgjigjen e IKSHPK-së dërguar Radios Evropa e Lirë.

E, në zonat ku qytetarët kanë më shumë kontakt me metanin në ajër, nga IKSHPK-ja thonë se ndikimi mund të jetë edhe më i rëndë.

“Mund të shkaktojë ndryshime në frymëmarrje, përkeqëson sëmundjet e mushkërive, shkakton sulme astmatike dhe rrahje të zemrës, sëmundje kardiovaskulare dhe vdekshmëri si dhe rrit rrezikun e goditjes në tru, probleme të ekuilibrit, mpirje dhe pavetëdije”, thonë nga IKSHPK-ja.

Bazuar në raportin për ndotje të ajrit të këtij institucioni, në Kosovë ka pasur rritje të pacientëve me sëmundje të frymëmarrjes gjatë vitit të kaluar. Rreth 6.500 vizita për probleme të tilla u kryen në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, prej të cilëve 3.244 ishin fëmijë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilëson metanin si gazin kryesor që ndikon në ndryshimet klimatike dhe ndër shkaktarët kryesorë të problemeve me frymëmarrje e të shëndetit kardiovaskular.

Cila është zgjidhja për përmirësimin e gjendjes?

Sipas profesorit Veselaj, prioritet duhet të jetë trajtimi i deponive ilegale të mbeturinave.

“Afërsisht gjysma e mbeturinave që përfundojnë në deponitë e Kosovës janë mbeturina organike [si mbetjet ushqimore], që njëkohësisht janë edhe burim i metanit. Duhet promovuar praktikat e ndarjes apo riciklimit të mbetjeve”, thotë ai, duke shtuar se kjo do të ndikonte në nivel më të ulët të mbetjeve organike nëpër deponi, e rrjedhimisht nivel më të ulët të metanit në ajër.

Edhe IKSHPK-ja ka disa kërkesa urgjente për menaxhimin e burimeve të metanit në ajër.

“Urgjentisht të merren masa rigoroze të kontrollit teknik të automjeteve, mirëmbajtja e rrugëve, menaxhimi i drejtë i mbeturinave të ngurta, monitorimi transparent dhe i vazhdueshëm i filtrave të termocentraleve”, thonë nga IKSHPK-ja.

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Koosvës nuk i është përgjigjur pyetjeve të REL-it lidhur me këtë temë.

Gjatë fushatës zgjedhore të sivjetme, para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, gjendja e mjedisit nuk ishte pikë kyç e diskutimit. Partitë që garuan nuk paraqitën plane të detajuara se si do t’i adresonin këto probleme.

Ndërkaq, në shtetet e Bashkimit Evropian, aty ku Kosova synon që një ditë të anëtarësohet, janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të menaxhuar ndotjen nga metani.

Për shembull, Gjermania ka zbatuar teknologji të avancuara për përpunimin e mbetjeve organike dhe riciklimin e tyre, duke reduktuar nivelin e metanit në ajër.

Shumica e shteteve të BE-së kanë investuar edhe në burime alternative për prodhimin e energjisë si ajo diellore, dhe mospërdorimin e thëngjillit në termocentrale./REL

Kosovë: ZRRE nesër vendos për propozimin për shtrenjtim të energjisë

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë do të mbajë nesër, me fillim nga ora 10:00, seancën e tretë, në të cilën pritet të vendoset për propozimin për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike për 15 për qind.

Sipas njoftimit të ZRRE-së, në rend dite janë miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme dhe shqyrtimi i propozimit për miratimin e të hyrave të lejuara maksimale për operatorët, transmeton albinfo.ch.

Ndërkaq, po nesër, me fillim nga ora 12:00, është paralajmëruar protesta e dytë kundër këtij propozimi.

Rama: Paga minimale do të jetë 500 euro nga viti 2026

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, iu përgjigj sot live pyetjeve të adresuara në platformat sociale nga qytetarët.

I pyetur për rritjen e rrogave, Rama u shpreh: “Nëse ka një gjë që është shumë evidente, është pikërisht rritja e vazhdueshme e pagave në Shqipëri, që ka ndikuar fort edhe në rritjen e pagave në sektorin privat, ku sot kemi një pagë mesatare të kombinuar mes sektorit publik dhe atij privat prej 830 eurosh.”

Ndërkohë, shtoi Rama, “kur ne morëm detyrën, paga mesatare në sektorin publik ishte 372 euro. Ndërsa në vitin 2024, sipas INSTAT-it – jo sipas meje – u mbyll viti me një pagë mesatare prej 1000 eurosh.”

Rama tha se, “bazuar në këtë, është shumë e qartë që në Shqipërinë e vitit 2030 paga mesatare në sektorin publik do të jetë 1250 euro dhe paga e kombinuar do të jetë 1000 euro, që do të thotë se jemi në kushtet kur pagën mesatare të përgjithshme e kemi rritur më shumë se dy herë e gjysmë”, transmeton albinfo.ch.

“Arsyeja pse ne votohemi masivisht është se, kur unë i them gjërat që janë atje në realitet, atje ka një numër të madh njerëzish që ato gjëra i kanë para syve, i kanë të prekshme,” tha Rama.

Pra, shtoi kryeministri, “kur them që paga minimale, për shembull, ishte 157 euro dhe tani është 400 euro, atëherë ata që e kanë pagën minimale e dinë shumë mirë se për çfarë flas. Apo kur them që në qershor do t’u përcjellim kompanive vendimin që paga minimale do të bëhet 500 euro në janarin e ardhshëm – sepse nevojitet një fazë ambientimi me një risi për të bërë planet e veta çdo kompani – njerëzit e dinë. Ata që i marrin këto paga e dinë. Ky është thelbi i gjësë që ka të bëjë pastaj me mbështetjen që ne kemi.”

“Nëse unë them, për shembull, që kur morëm detyrën, paga për mësuesit ishte 420 euro dhe sot është 950 euro – në arsim paga mesatare – këtë mësuesit e dinë. Janë mësuesit në Shqipëri që e dinë për çfarë flas, sepse ballafaqojnë shifrën që unë them me faktin e tyre,” tha Rama.

“Nëse këto që unë them nuk do të ishin të vërteta dhe nëse unë do të flisja në hava, sigurisht që të gjitha këto kategori do të reagonin shumë negativisht,” përfundoi Rama.

Lloji i ri i Mpox në Zvicër

Zvicra ka raportuar rastin e saj të parë me një variant veçanërisht serioz të Mpox-it – i njohur më parë si lija e majmunëve.

Zyra Federale e Shëndetësisë ka njoftuar se pacienti, i cili së fundmi është kthyer nga Afrika, është izoluar dhe nuk paraqet asnjë kërcënim për popullatën, transmeton albinfo.ch.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), varianti i njohur si Clade 1b është më ngjitës dhe më vdekjeprurës se variantet e mëparshme.

Ky lloj i ri është përhapur në Republikën Demokratike të Kongos, ku luftimet po pengojnë përpjekjet për ta frenuar atë.

Sopranoja shqiptare, Ana Naqe të shtunën me performancë në Bruksel

Sopranoja shqiptare, Ana Naqe, do të performojë të shtunën në Bruksel, në “Théâtre de La Monnaie”.

Krijimi botëror ku Naqe do të interpretojë rolin kryesor – një rol i shkruar posaçërisht për zërin e saj – është opera “Bovary Premiere”, transmeton albinfo.ch.

“Premiera e krijimit botëror të një romani dhe personazhi ikonik, me një bashkëpunim të mahnitshëm! Kam lexuar ‘Madame Bovary’ nga Flaubert kur isha vajzë e re në kohën e komunizmit në Shqipëri. Babai im më dha këtë libër magjepsës. Që atëherë kam ëndërruar të luaj dhe të interpretoj këtë grua magjepsëse. Sa interesant është ky personazh, aq më tepër në këto kohë, kur gjinia, identiteti, seksualiteti dhe liria janë tema kaq të rëndësishme”, ka shkruar ajo.

Ishulli i Sazanit, parajsa për adhuruesit e natyrës

Ishulli i Sazanit, në brigjet e gadishullit të Karaburunit në Shqipëri, është hapur së fundmi për vizitorët, por historia e tij mbetet ende një mister, shkruan Aditi Rane në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.

Vitet e fundit, Shqipëria ka fituar popullaritet si një nga destinacionet më të preferuara për pushime – falë plazheve dhe peizazheve të saj mahnitëse – por një ishull i pazakontë është kthyer në trend për një arsye tjetër.

Në brigjet e gadishullit të largët të Karaburunit, ishulli i Sazanit mbetet një nga destinacionet më misterioze dhe më pak të njohura të Evropës, shkruan ATSH, përcjell albinfo.ch.

Pavarësisht bukurisë së tij magjepsëse, ishulli prej 5.7 kilometrash katrorë ka qenë për një kohë të gjatë i ndaluar për vizitorët për shkak të së kaluarës së tij të errët ushtarake.

Dikur një bazë strategjike nëndetësesh dhe armësh kimike për Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, sot Sazani është shndërruar në një destinacion tërheqës për turistët e apasionuar pas turizmit të errët.

Ishulli luajti një rol kyç në mbrojtjen ushtarake të Shqipërisë. Rrjeti i tij i bunkerëve dhe tuneleve nëntokësore, të ndërtuara për t’i bërë ballë sulmeve bërthamore, mbetet ende i fshehur nën peizazhin e thyer.

Megjithëse aktualisht ishulli është shtëpia e një baze ushtarake shqiptaro-italiane, ai ka filluar dalëngadalë të mirëpresë vizitorë kureshtarë. Në verën e vitit 2017, një pjesë e vogël e ishullit të Sazanit u hap zyrtarisht për turistët, duke u lejuar atyre të eksplorojnë plazhet e paprekura, strukturat e braktisura ushtarake dhe reliket e frikshme të Luftës së Ftohtë – për herë të parë.

Sot, aventurierët mund të “lundrojnë” nëpër rrënojat e tij të tmerrshme, të përjetojnë bukurinë e tij natyrore të paprekur dhe madje të eksplorojnë labirintin e nëndheshëm që dikur mbante sekretet më të mëdha të ushtrisë shqiptare.

Pavarësisht së kaluarës së tij të trazuar, Sazani është një parajsë për adhuruesit e natyrës. Ai është i rrethuar nga ujëra të kristaltë, shkëmbinj dhe limane të fshehura që ofrojnë pamje mahnitëse të deteve Adriatik dhe Jon.

Me klimën mesdhetare dhe bimësinë e harlisur e të egër, ishulli ofron një kontrast të fortë me strukturat e tij të shkreta dhe të braktisura.

Edhe pse ende i mungon një infrastrukturë e zhvilluar turistike, turet me varka nga Vlora u mundësojnë vizitorëve të shkelin në këtë tokë dikur të ndaluar. Aksesi i plotë në tunelet ushtarake mbetet i kufizuar, por turet më këmbë ofrojnë një përvojë unike për të parë nga afër një pjesë të errët të historisë së Shqipërisë gjatë Luftës së Ftohtë.

Ata që kërkojnë një destinacion unik rekomandohen të vizitojnë ishullin e Sazanit – i cili ofron një ndërthurje magjepsëse të historisë, misterit dhe bukurisë natyrore – duke e bërë atë një udhëtim të domosdoshëm për turistët e guximshëm që dëshirojnë të eksplorojnë xhevahiret e fshehura të Evropës.

Zvicër: Më shumë restorante që paguhet për anulime ‘në momentet e fundit’

Më shumë restorante në Zvicër po vendosin tarifa për klientët që bëjnë rezervim, por nuk paraqiten.

Restoranti i njohur Gertrudhof në Cyrih zbaton një rregull ku çdo person që nuk shfaqet për rezervimin do të tarifohen me 50 franga zvicerane. Për mysafirët ndërkombëtarë, kërkohet paraprakisht një depozitë prej 50 CHF për person, transmeton albinfo.ch.

Disa restorante të tjera po shkojnë edhe më tej. Një lokal në Lucern, për shembull, tarifon të gjithë menunë e rezervuar në rast të mungesës së klientit – çmimi mund të arrijë deri në 320 CHF për person.

Sipas pronarëve të restoranteve, marrja e një depozite paraprake ka ndikuar ndjeshëm në uljen e rasteve të mosparaqitjes, duke ndihmuar në ruajtjen e organizimit dhe të ardhurave.

SBB vë në qarkullim 1600 trena shtesë për ngjarje të veçanta

Rreth 1600 trena shtesë zviceranë do të qarkullojnë në vitin 2025, dy herë më shumë se në një vit mesatar ngjarjesh.

Ngjarjet e mëdha po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Eurovision Song Contest (ESC) në Bazel nga 13 deri më 17 maj është i pari prej tyre.

Hekurudhat Federale të Zvicrës po organizojnë 115 trena shtesë rreth ESC në Bazel, njoftoi Florian Kurt, Shefi i Trafikut të Ngjarjeve, në një konferencë për media të enjten, transmeton albinfo.ch.

Nuk është e qartë se sa nga 250,000 vizitorët do të përdorin trenin. Hekurudhat Zvicerane po e bazojnë ofertën e saj në vlerësime.

Hekurudhat Zvicerane kanë rreth 1400 ngjarje në agjendë gjatë gjithë vitit. Këto përfshijnë ngjarje të tilla si koncerte, festivale në ajër të hapur dhe festivale publike.

Me Kampionatin Evropian të Futbollit për Femra, Festivalin Zviceran të Mundjes dhe Alpine dhe kampionatin profesional “SwissSkills” në Bernë, ka një numër veçanërisht të madh ngjarjesh të mëdha në program këtë vit, shkruan swissinfo.

Trenat shtesë do të vendosen nga Qendra e Kontrollit të Trafikut (TCC). Kreu i saj, Carlo Fasciati, shpjegoi se TCC po punon çdo ditë për të siguruar që rreth 9,700 trenat e pasagjerëve të funksionojnë sa më mirë që të jetë e mundur.

Përveç numrit të madh të trenave shtesë, edhe oraret e nisjes e bëjnë të vështirë koordinimin.

Turp në mundje: Presidenti i Federatës Ruse e quan tradhtar kampionin shqiptar

Një gjest i turpshëm ka ndodhur gjatë ndarjes së medaljeve në Kampionatin Evropian të Mundjes që u zhvillua në Bratislavë të Sllovakisë.

Presidenti i Federatës Ruse të Mundjes dhe zëvendëspresidenti i Federatës Botërore të Mundjes, Mikhail Mamiashvili, në momentin e dorëzimit të medaljes së artë për Chermen Valiev, si kampion Evrope për Shqipërinë, ka bërë një gjest skandaloz, duke ushtruar forcë teksa ia vendoste medaljen në qafë dhe më pas duke e shtyrë me duar, shkruajnë mediat shqiptare, transmeton albinfo.ch.

Gjatë këtij momenti është dëgjuar edhe fjala “tradhtar” për Chermen Valiev, i cili ka zgjedhur të garojë për Shqipërinë.

LVV pretendon se i ka numrat për formimin e Qeverisë

Mësohet se anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët janë regjistruar sot si deputetë në Kuvendin e Kosovës, janë deklaruar të bindur se ky subjekt i ka numrat për formimin e qeverisë, përcjell albinfo.ch.

Hekuran Murati, i cili është regjistruar si deputet në Kuvendin e Kosovës, tha se sa më shumë numra të kenë, aq më mirë do të ishte.

“Me votat e deputetëve të Kuvendit… Për të gjitha këto është çështja e subjektit, sekretariatit të subjektit… Patjetër që po i kemi numrat për qeverinë. 61 i kërkon Kushtetuta, sa më shumë, sa më mirë… me deputetët e Kuvendit të Kosovës”, deklaroi Hekuran Murati, shkruajnë mediat në Prishtinë.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja mori 48 mandate, numër ky i pamjaftueshëm për të qeverisur e vetme në Kosovë.

Por, Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se formimi i Qeverisë do të bëhet pa partitë opozitare.

Pas regjistrimit si deputet, ai u shpreh i bindur se do të arrijnë të formojnë Qeverinë me 63 vota.

“Po shpresoj që do ta bëjmë edhe pa PDK-në, edhe kryeministër do të jetë Kurti dhe kryeparlamentar Glauk Konjufca… Ashtu, me vota, 63 vota”, deklaroi ai.

Ndërsa ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, nuk është përgjigjur sa i përket ftesës për partitë opozitare.

“Para dy ditësh kam dhënë të gjitha deklarimet rreth këtyre çështjeve, nuk kam diçka për të shtuar”, deklaroi Haxhiu.

Kryetari në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka takuar më 8 prill kryetarët e partive politike në vend, lidhur me përgatitjet për seancën konstituive. Presidentja Vjosa Osmani e ka caktuar 15 prillin si datë për konstituimin e Kuvendit, pasi Kosova mbajti zgjedhjet e rregullta parlamentare më 9 shkurt.

Macroni do ta vizitojë sërish Shqipërinë

Vizita zyrtare e presidentit francez në Shqipëri, Emmanuel Macron pritet të jetë gjatë muajit maj, përcjrll albinfo.ch.

Vizita do bëhet në ditët kur në Tiranë zhvillohet edhe Samiti i komunitetit Politik Evropian, e që do të zbresë në kryeqytetin shqiptar liderët më të rëndësishëm të Evropës.

Për Ministrin e Jashtëm Igli Hasanin kjo vizitë është dëshmi e forcimit të marrëdhënieve mes të vendeve, sidomos gjatë viteve të fundit.

“Kjo vizitë parapri ndër të tjera edhe vizitën dypalëshe të Presidentit Macron në Shqipëri që do të zhvillohet në muajin maj’, tha Hasani.

Duke folur në një komunikim me mediat, në prani të ministrit francez për Evropën, Benjamin Haddad, i cili ndodhet në një vizitë dyditore në Tiranë, ndër të tjera edhe për përgatitjen e vizitës së Macronit, Hasani tha se shpreson që Franca të vijojë të jetë një aleate e fortë në rrugën e integrimit, raporton Top Chanel.

Numri i turistëve në Kosovë në 4 vjetët e fundit është rritur për 50 për qind

Numri i turistëve në Kosovë katër vjetët e kaluar ka shënuar rritje 50 për qind, krahasuar me periudhën 2017–2020, tha ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe e Tregtisë, Rozeta Hajdari në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “Kosova 2025”, që u hap në Prishtinë, përcjell albinfo.ch.

“Si një shtyllë kyçe e zhvillimit ekonomik dhe rritjes së qëndrueshme, turizmi ka rolin themelor në lidhjen e njerëzve dhe kulturave në rajon dhe botë. Vetëm në këtë mandat kemi rritje prej 50% të numrit të turistëve krahasuar me vitet 2017–2020. Këto bashkëpunime ndërkombëtare dhe organizimi i ngjarjeve promovuese kanë ndikuar në rritjen e dukshme të turizmit në vend dhe në përmirësimin e imazhit të Kosovës. Bukuritë natyrore duhet të ruhen për gjeneratat e ardhshme, duke ofruar përvoja mbresëlënëse për të huajt,” tha Hajdari.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti, tha se viti i kaluar u mbyll me një rritje prej 36.8 për qind në turizëm dhe shprehu pritjet që edhe ky vit të jetë i suksesshëm.

“Filluam me 60 kompani para katër vjetësh, ndërsa sot kemi mbi 340 biznese nga 16 shtete. Sot kemi përfaqësues edhe nga Kanadaja, Austria dhe Norvegjia. Vitin e kaluar e përmbyllëm me një rritje 36.8 për qind në turizëm. Synojmë që edhe ky vit të jetë vit suksesi dhe të shënojë rritje të mëtejshme. Panairet janë pika takimi që lidhen drejtpërdrejt me mundësinë e bashkëpunimit. Për të ndërtuar një turizëm të qëndrueshëm, ndikimi i tij në ekonominë e vendit është shumë i madh,” tha Hoti.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, u shpreh se panairi i turizmit është një dritare që tregon mikpritjen dhe vizionin e Kosovës për të ardhmen.

“Përmes këtij panairi mund të përfytyrojmë një të ardhme se si turizmi mund t’i lidhë zemrat tona dhe të sjellë vizitorë të rinj. Prishtina e sheh turizmin si një sektor me rëndësi. Synimi ynë është të krijojmë një ambient më të favorshëm për zhvillimin e turizmit. Kemi ndërmarrë një iniciativë që sektori privat të financohet për të krijuar kushte më të mira për ata që vijnë në kryeqytet dhe vizitojnë gjithë rajonin. Ky panair është një dëshmi shtesë e përkushtimit për bashkëpunim rajonal,” tha Rama.

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit “Kosova 2025”, që organizohet me mbështetjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe nën përkujdesjen e Komunës së Prishtinës, do të jetë edhe nesër, më 11 prill. Në këtë panair ishin të ftuar presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por nuk ishin të pranishëm.

Fuqia e një kauze që ndryshon jetë : Trust Circle Foundation

Fuqia e një kauze të drejtë dhe fisnike bashkon mendjet dhe zemrat e njerëzve, duke na frymëzuar të japim më të mirën tonë. Kur besojmë në ndryshimin, kur veprojmë me zemër dhe vizion, mund të krijojmë një ndikim të thellë në shoqëri.

Kjo është ajo që e bën Fondacionin “Trust Circle Foundation” një dritë shprese për ata që kanë më së shumti nevojë. Ndryshimi fillon me ne: Trust Circle Foundation për një komunitet më të fortë dhe të bashkuar Një vizion i guximshëm, një rrugë plot sfida, por me një qëllim madhor: krijimi i një të ardhmeje më të mirë për ata që kanë më shumë nevojë.

Trust Circle Foundation (Fondacioni i Rrethit te Besimit), themeluar nga Krenar Batusha, nuk është thjesht një iniciativë humanitare, por një lëvizje që synon të sjellë ndryshim të vërtetë në shoqëri. Me fokus tek fëmijët pa kujdes prindëror, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që luftojnë varësinë, ky fondacion jep shpresë, mbështetje dhe mundësi për ata që kanë më së shumti nevojë. Një nismë që bashkon zemrat dhe duart e bashkëqytetarëve “Kemi diskutuar gjatë dhe kemi ardhur në përfundimin se duhet ta krijojmë Trust Circle Foundation – një fondacion që nuk ofron vetëm ndihmë të menjëhershme, por edhe ndërton një të ardhme të qëndrueshme për fëmijët dhe individët në nevojë,” shpjegon Batusha.

Me mbështetjen e plotë fillimisht të kompanisë Pro Real Estate dhe stafit të tij, kjo nismë po mbështetet fillimisht nga kontributet e punëdhënësve dhe punonjësve, duke u kthyer në një model frymëzues të solidaritetit në biznes.

Por kjo është vetëm pikënisje, sepse ky fondacion synon të krijojë një kulturë të ndihmës dhe përkujdesjes në komunitet, si dhe rritjes së përgjegjësisë sociale të koorporatave dhe bizneseve duke frymëzuar edhe biznese të tjera që të ndjekin këtë model. Përveç mbështetjes financiare, Fondacioni po punon për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm të përfshirjes sociale, ku çdo individ që përballet me vështirësi të ketë mundësinë të marrë ndihmën e duhur për një jetë më të mirë.

Një vizion që transformon jetët

Çfarë e bën të veçantë Trust Circle Foundation? Ndihma për grupet më të cenueshme në komunitet: Puna me fëmijët pa kujdes prindëror nuk është thjesht ndihmë, por investim në të ardhmen e vendit. Mbështetja ndaj tyre nuk kufizohet vetëm në shërbime të përkohshme, por synon të krijojë mundësi të reja për zhvillimin e tyre.

Aktualisht, në Kosovë janë rreth 570 fëmijë pa kujdes prindëror. Investimi në arsimin gjithpërfshirës: Arsimimi dhe edukimi është një nga mënyrat më të forta për t’u dhënë fëmijëve dhe të mundësinë e një të ardhmeje më të ndritur.

Për këtë, Trust Circle Foundation është i angazhuar për të mundësuar qasjen e barabartë në shkolla edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara, me qëllim të zhvillimit të potencialit dhe rintegrimit të tyre në shoqëri . Sipas të dhënave në sistemin e arsimit në Kosovë, vetëm 3,965 fëmijë me atësi të kufizuara janë të përfshirë në klasat e rregullta.

Mungesa e qasjes në shkolla për fëmijët me afësi të kufizuara mbetet ndër sfidat kryesore.

Nga gjithsej 1,094 institucione shkollore në nivel vendi, vetëm 609 shkolla kanë qasje fizike për fëmijët me afësi të kufizuara.

Rindërtimi i jetës së individëve që luftojnë varësinë: Jo vetëm mbështetje, por edhe programe rehabilitimi dhe mundësi punësimi për të garantuar një të ardhme më të mirë.

Fondacioni synon të luftojë stigmën sociale që shpesh i izolon këta individë dhe t’i ndihmojë ata të gjejnë një rrugë të re në jetë.

Numri i përgjithshëm i përdoruesve ka kaluar për herë të parë shifrën prej 30,000 ndërkohë që fëmijët dhe adoleshentët vazhdojnë të bëjnë pjesë çdo vit e më shumë në këtë shifër.

Vendi ynë vazhdon të mos sigurojë shërbime dhe programe rehabilituese për fëmijët dhe adoleshentët përdoures të drogave. Ndikimi që shkon përtej ndihmës së menjëhershme Duke bashkëpunuar me organizata të licensuara dhe me përvojë të gjatë në fushën sociale, fondacioni synon të sjellë praktikat më të mira të kujdesit social dhe edukimit. Trust Circle Foundation nuk është thjesht për të ndihmuar sot, por për të ndërtuar baza të forta për një të nesërme më të ndritur.

Përmes këtyre partneriteteve, fondacioni do të mund të krijojë strategji afatgjata për të siguruar mbështetje të qëndrueshme për përfituesit e tij.

Si mund të bëhesh pjesë e ndryshimit?

Trust Circle Foundation nuk është vetëm një fondacion, por një ftesë për gjithë komunitetin. Çdo individ, biznes apo organizatë mund të bëhet pjesë e kësaj lëvizjeje dhe për këtë ka shumë mënyra për të kontribuar: Mbështetje financiare: Kontributet monetare ndihmojnë në mbulimin e shpenzimeve për edukimin, trajtimin dhe rehabilitimin e të prekurve. Vullnetarizëm: Njerëzit mund të ofrojnë kohën dhe ekspertizën e tyre për të ndihmuar në programe dhe aktivitete të ndryshme. Partneritete me biznese dhe organizata: Bashkëpunimi me biznese të tjera mund të krijojë mundësi punësimi dhe zhvillimi për përfituesit e fondacionit.

Përveç këtyre mënyrave, Fondacioni është gjithmonë i hapur ndaj ideve të reja dhe bashkëpunimeve që mund të sjellin më shumë vlerë në komunitet. Çdokush që ka një ide, një aftësi apo një burim që mund të ndihmojë, është i mirëpritur të bashkohet në këtë mision. Suksesi nuk matet me pasurinë, por me ndikimin që le në botë! Në një kohë kur solidariteti dhe humanizmi janë më të rëndësishme se kurrë, Trust Circle Foundation po dëshmon se ndryshimi është i mundur kur njerëzit bashkohen për një kauzë të madhe. Me çdo kontribut, sado i vogël, ne po ndërtojmë një shoqëri më të mirë, më të ndjeshme dhe më të fortë.

Bashkohu me Trust Circle Foundation dhe ndihmo në krijimin e një shoqërie ku askush nuk mbetet pas; Sepse kur ndihmojmë të tjerët, krijojmë një botë më të mirë për të gjithë! Ndryshimi nuk është thjesht një koncept – është një realitet që ndërtohet nga të gjithë ne, hap pas hapi, kontribut pas kontributi.

Trust Circle Foundation na fton të jemi pjesë e një lëvizjeje që sjell shpresë, përkrahje dhe mundësi për një jetë më të mirë. Sepse kur veprojmë së bashku për një kauzë të drejtë, ne nuk ndihmojmë vetëm të tjerët – ne krijojmë një botë më të ndjeshme, më të fortë dhe më të bashkuar për të gjithë. Bashkohuni me Trust Circle Foundation në këtë rrugëtim të ndryshimit! www.trustcirclefoundation.org

 

Rohde takon Kurtin, kërkon formimin e shpejtë të qeverisë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, është takuar dje me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, me të cilin ka diskutuar zhvillimet e fundit politike pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në platformën “BlueSky” të enjten (sot), ambasadori Rohde ka theksuar nevojën urgjente për formimin e institucioneve të reja në vend.

“Faleminderit për takimin produktiv Kryeministër! Theksova edhe një herë përpjekjet e vazhdueshme të Gjermanisë për të hequr sa më shpejt masat kundër Kosovës. Theksova gjithashtu rëndësinë e zgjedhjes së shpejtë të kryetarit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë së re”, ka shkruar Rohde.

Seanca konstituive do të mbahet më 15 prill.

Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese, ende nuk dihet nëse do t’i ketë numrat e nevojshëm për ta zgjedhur kryeministrin.

Banorët e Vaud-it në shënjestër të faturave tatimore false

Policia kantonale po jep alarmin për një mashtrim që aktualisht synon tatimpaguesit Vaud: fatura të rreme të dërguara me postë, që përmbajnë një kod QR për një llogari mashtruese, përcjell albinfo.ch.

Në letrat, gjoja nga autoritetet tatimore kantonale, thuhet se marrësi nuk ka paguar taksat e vitit 2024 dhe kërkon një shumë të konsiderueshme parash për detyrimet e prapambetura dhe tarifat administrative.

Policia thotë se ndërsa letra mund të duket (të paktën për disa viktima), e vërtetë, ajo duhet të shpërfillet dhe është “fake”.

Nëse keni dyshime për legjitimitetin e letrës, kontaktoni zyrën tuaj lokale të taksave për të kontrolluar statusin e deklaratës suaj tatimore.

Trump ndryshon mendje për tarifat, Zvicra po përdor aftësinë e saj për një marrëveshje

Indeksi i Tregut Zviceran (SMI) ka filluar të rimëkëmbet sot pas kthesës befasuese të tarifave tregtare të Donald Trump të mërkurën, përcjell albinfo.ch.

Por duke qenë se ky afat mund të jetë vetëm i përkohshëm – i vendosur për 90 ditë – Zvicra po përdor aftësinë e saj për diplomacinë për të marrë anën e mirë të Trump.

Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter njoftoi se telefonoi homologun e saj amerikan dhe, pa zbuluar detaje të mëtejshme të bisedës së tyre, tha se të dy palët ranë dakord të “vazhdonin bisedimet në interes të të dy vendeve tona”.

https://x.com/keller_sutter/status/1909966784943321488?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1909966784943321488%7Ctwgr%5E78b3c1ba9e31188600068828aedd90b98202524a%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.thelocal.ch%2F20250410%2Ftoday-in-switzerland-a-roundup-of-the-latest-news-on-thursday-186

44 vjeçarja shqiptare plagoset rëndë nga një zviceran

Bëhet e ditur se në Bülach ZH, një grua 44-vjeçare me origjinë shqiptare u gjet e plagosur rëndë në një rrugë fushore, ndërkohë që policia ka arrestuar një person të dyshuar për krimin, një 41-vjeçar, shtetas zviceran, transmeton albinfo.ch.

Duke qenë se rasti ishte urgjent, një helikopter Rega e çoi shqiptaren në spital, ku pas plagëve të marrura do t’i nënshtrohet një operacioni.

Krimi i dhunshëm ndodhi në një rrugë fushore midis Bülach dhe Bachenbülach, tha Kenneth Jones, zëdhënës i Policisë Kantonale të Cyrihut.

“Falë një kërkimi lokal, policia kantonale e Cyrihut ishte në gjendje të arrestonte një të dyshuar”, thotë Jones. Bëhet fjalë për një 41-vjeçar zviceran. Qentë e policisë dhe një helikopter policie ishin në kërkim të dorasit”.

“Nëna ime u godit me thikë në krah”

Djali i viktimës ka thënë për 20 Minuten se nëna e tij është plagosur me thikë. “Ajo thirri babanë tim dhe tha se një burrë e kishte goditur me thikë në krah. Ajo ishte në gjendje të tregonte se ku ishte përpara se të humbiste vetëdijen. Babai doli menjëherë nga shtëpia dhe dy minuta më vonë gjeti nënën e plagosur në rrugën dhe lajmëroi urgjencën”, tha i riu.

Familja nuk e di nëse ajo e njihte sulmuesin. “Emri i tij nuk do të thotë asgjë për ne”, është shprehur djali. Babai i tij gjithashtu nuk kishte vënë re askënd duke ikur kur ai nxitoi te gruaja e tij.

Familjarët e të plagosurit janë në tronditje dhe tmerr të madh. Familja shqiptare dyshon se sulmi nuk i është drejtuar fare nënës: “Ajo mund të ketë qenë objektivi i sulmit ndaj dikuj tjetër”.

Së fundmi makinës së nënës së pesë fëmijëve i janë prerë të katër gomat. Përveç kësaj, një burrë është parë duke ecur përpara shtëpisë së saj të martën në mbrëmje. “Nuk e di nëse ishte i njëjti burrë që u arrestua sot,” thotë një dëshmitar okular, një fqinj i gruas së plagosur.

 

Sulmoi zyrtarët policorë, arrestohet i dyshuari në aeroport

Një person është arrestuar dje në Aeroportin e Prishtinës, pasi i njëjti ka kanosur dhe sulmuar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës, përcjell albinfo.ch.

Referuar Policisë, pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari, mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka kanosur dhe sulmuar zyrtarët policorë në kryerje të detyrës”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

Një vend dinjitoz për të gjithë, Weinfelden-i debaton rregulloret e reja të varrezave

Një vendim i rëndësishëm në Weinfelden është në prag: Më 18 maj 2025, popullsia do të votojë për një rishikim gjithëpërfshirës të rregulloreve të varrezave. Ndryshimet e propozuara prekin aspektet kyçe të kulturës së varrimit – nga trajtimi i barabartë i banorëve afatgjatë deri te futja në rregullore e një metode varrimi të bazuar në traditën myslimane. Komiteti jopartiak PRO është i bashkuar në mbështetjen e tij për një votë PO – dhe po fokusohet në nevojat e të gjithë banorëve të Weinfelden-it.

Komiteti ndërpartiak PRO u formua në janar. Bëhet fjalë për një shoqatë të qytetarëve të përkushtuar, nga të gjitha kampet politike. Mesazhi i tyre është i qartë: PO rregulloreve të reja të varrezave. Të pranishëm  në komitet janë përfaqësues të PS, të Gjelbrit, GLP, Die Mitte, SVP dhe FDP. Në këtë strukturë është dalluar veçanërisht politikani i FDP-së, Simon Engeli, në diskutimin e të cilit shprehet një qëndrim të qartë:
“Nuk bëhet fjalë për të drejta të veçanta, por për trajtim të barabartë. Dëshira për t’u varrosur në atdheun e vet është një shprehje e integrimit të suksesshëm – jo një shenjë izolimi”, thotë ai.

Nga e djathta: Komiteti jopartiak Weinfelden me Simon Engeli (FDP), Alexandra Beck (Die Mitte), Elsi Bärlocher (SVP), Beat Curau (Die Mitte), Angela Testa Beer (Të Gjelbrit) dhe Fritz Streuli (PS)

Këto fjalë tregojnë në mënyrë të përmbledhur thelbin e debatit. Reforma e rregulloreve parashikon, ndër të tjera, që do të lejohet një lloj varrimi shtesë sipas traditës myslimane. Për rreth 10% të popullsisë së Weinfelden-it, kjo është një dëshirë e kahershme që vjen jo nga izolimi, por nga një ndjenjë e lidhjes me atdheun e tyre të ri.

Por rregulloret e reja shkojnë edhe më tej: ato krijojnë rregulla të reja për të siguruar trajtim të barabartë për banorët afatgjatë, siç janë ata që janë vendosur në mjedise të kujdesit të jashtëm për arsye shëndetësore, pak para vdekjes së tyre. Fëmijëve të vdekur, të ashtuquajturit “fëmijë engjëll” ose “flutur”, do t’u jepet gjithashtu një vend kujtimi në varreza në të ardhmen. Përveç kryqit tradicional prej druri, një stelë neutrale prej druri duhet të jetë gjithashtu në dispozicion si një gur varri i përkohshëm – në njohje të diversitetit fetar dhe ideologjik.

Simon Engeli (FDP): “Nuk bëhet fjalë për të drejta speciale, po për humanizëm”

Simon Engeli, i cili mbron këtë diversitet në komitet, e sheh atë si një çështje normale në një shoqëri pluraliste: “Varrimi është një përgjegjësi shtetërore; duhet të jetë fetarisht neutrale, por e rrënjosur thellë në vlerat njerëzore. Rregulloret e reja sjellin harmonizim në këtë çështje.”

Komiteti Pro angazhohet fuqimisht për një votë Po – jo mbi baza ideologjike, por pragmatike dhe empatike. Sepse vdekja prek të gjithë. Dhe kështu varrezat e Weinfelden-it bëhen fokusi i një diskutimi që shtrihet shumë përtej mureve të tyre: Si duam ne si shoqëri të përballemi me diversitetin tonë – edhe në vdekje?

Link: https://www.profriedhofreglement.ch

Paris: Kosova në “20th Energy Efficiency Policy Training Week”

Pjesëmarrja e Kosovës në “20th Energy Efficiency Policy Training Week” të organizuar nga IEA në Paris, përcjell albinfo.ch.

Këtë javë, në Paris po mbahet seminari i rëndësishëm “20th Energy Efficiency Policy Training Week”, i organizuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), i cili ka mbledhur ekspertë dhe vendimmarrës nga e gjithë bota në fushën e efikasitetit energjetik.

Në këtë trajnim intensiv njëjavor po marrin pjesë edhe zyrtarë nga Republika e Kosovës, të cilët përfaqësojnë disa institucione kyçe: Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe LuxDev.

Me rastin e qëndrimit të tyre në Paris, patëm kënaqësinë t’i presim në Ambasadën e Republikës së Kosovës për një takim miqësor dhe të frytshëm, gjatë të cilit u diskutua për prioritetet tona të përbashkëta në fushën e energjisë, mundësitë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

BBC: Mafia shqiptare dhe trafiku i kokainës në Evropë

BBC i ka kushtuar një artikull trafikut të kokainës dhe operacioneve të saj nga mafia shqiptare, e cila ka zgjeruar praninë e saj në Ekuador vitet e fundit, kryesisht për shkak të rrugëve të përshtatshme të trafikut nëpër këtë vend.

Thuhet se tani ajo kontrollon pjesën më të madhe të rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë.

Artikulli i plotë

Ka pasur raste kur César, i cili punon për mafian shqiptare, ka fituar deri në 3 mijë dollarë për një punë të kryer, por motivi për të nuk janë vetëm paratë. “Nëse nuk e bën një punë që kërkojnë shqiptarët, ata do të të vrasin”, thotë ai.

“Mafia shqiptare më telefononte dhe më thoshte: ‘Duam të dërgojmë 500 kilogramë drogë’. Nëse nuk pranon, ata do të të vrasin.”

César (jo emri i tij i vërtetë) është anëtar i “Latin Kings” (Mbretërve Latinë), një bandë kriminale droge në Ekuador. Ai u rekrutua nga një zyrtar i korruptuar i policisë në departamentin antidrogë për të punuar për mafian shqiptare, një nga rrjetet më aktive dhe më të fuqishme të trafikut të kokainës në Evropë.

Mafia shqiptare ka zgjeruar praninë e saj në Ekuador vitet e fundit dhe tani kontrollon pjesën më të madhe të rrjedhës së kokainës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Pavarësisht se Ekuadori nuk e prodhon drogën, 70 për qind e kokainës në botë tani kalon nëpër portet e tij, thotë presidenti ekuadorian, Daniel Noboa.

Ajo kontrabandohet në vend nga Kolumbia dhe Peruja fqinje, dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë.

Policia ka njoftuar se ka sekuestruar një sasi rekorde droge të paligjshme vitin e kaluar, pjesa më e madhe e saj e llojit kokainë, dhe kjo tregon se eksportet totale kanë shënuar rritje.

Pasojat janë vdekjeprurëse: në janar të vitit 2025 u regjistruan 781 vrasje, duke e bërë atë muajin më vdekjeprurës në vitet e fundit. Shumë prej tyre kishin lidhje me tregtinë e paligjshme të drogës. BBC ka folur me personat të cilët kanë njohuri për zinxhirin e furnizimit në mënyrë që të kuptojë se pse kjo krizë po përkeqësohet dhe se si po e nxit rritja e konsumit evropian të kokainës.

César, 36 vjeç, filloi të punonte me kartele kur ishte 14 vjeç, duke përmendur si faktor mundësitë e pakta të punës.

“Shqiptarët kishin nevojë për dikë që do t’i zgjidhte problemet”, shpjegon ai. “I njihja rojat e portit, shoferët e transportit, mbikëqyrësit e kamerave të qytetit”.

Ai u jep këtyre personave ryshfet për të lehtësuar procesin e kontrabandës së drogës në portet e Ekuadorit ose për të mbyllur një sy.

Pasi kokaina arrin në Ekuador nga Kolumbia ose Peruja, ajo ruhet në magazina derisa punëdhënësit e tij shqiptarë të marrin informacione për ndonjë kontejner transporti, i cili do të niset për në Evropë.
Bandat përdorin tri metoda kryesore për të kontrabanduar kokainën në kontejnerë: fshehjen e drogës në kontejnerë para se të arrijë në port, fshehjen e drogës në kontejnerë gjatë kohës sa ata janë në port ose fshehjen e drogës kur anijet janë veçse në det.

Ka pasur raste kur César ka fituar deri në 3 mijë dollarë për një punë që ka kryer, por motivi për të nuk janë vetëm paratë. “Nëse nuk e bën një punë që kërkojnë shqiptarët, ata do të të vrasin”, thotë ai.
César thotë se ndien keqardhje për rolin e tij në tregtinë e drogës, veçanërisht për ato që ai i quan “viktima kolaterale”.

Por ai beson se fajin e kanë vendet konsumatore. “Nëse konsumi vazhdon të rritet, do të rritet edhe trafiku. Do të jetë i pandalshëm”, thotë ai, duke shtuar se “vetëm në qoftë se e luftojnë atje, do të përfundojë këtu”.

Punëtorët e zakonshëm, jo vetëm anëtarët e bandës, kapen në këtë zinxhir furnizimi.

Juan (jo emri i tij i vërtetë), është një shofer kamioni. Një ditë ai çoi një ngarkesë tunë për në port. Ai thotë se dyshonte që diçka nuk po shkonte siç duhej.

“Gjëja e parë që më bëri të dyshoja ishte se kur shkuam në magazinë nuk kishte asgjë tjetër veçse ajo ngarkesë. Ishte një magazinë me qira, pa emër kompanie”, kujton ai. “Dy muaj më vonë e pashë në lajme se kontejnerët plot me drogë ishin sekuestruar në Amsterdam. Nuk e kemi ditur kurrë”.

Disa shoferë transportojnë drogë pa e ditur; të tjerët detyrohen. Nëse refuzojnë, vriten.

Bandat evropiane preferojnë Ekuadorin për shkak të vendndodhjes së tij, por edhe për arsye se eksportet e ligjshme ofrojnë mundësi të përshtatshme për të fshehur ngarkesën e paligjshme.

“Eksportet e bananeve përbëjnë 66% të ngarkesave që largohen nga Ekuadori, 29.81% shkojnë në Bashkimin Evropian, ku konsumi i drogës po rritet”, shpjegon përfaqësuesi i industrisë së bananeve, José Antonio Hidalgo.

Disa banda madje kanë krijuar kompani të rreme të importit ose eksportit të frutave në Evropë dhe Ekuador si front për aktivitete të paligjshme.

“Këta trafikantë evropianë paraqiten si biznesmenë”, thotë “José” (jo emri i tij i vërtetë), një prokuror që synon grupet e krimit të organizuar dhe që foli në mënyrë anonime për shkak të kërcënimeve që ka marrë.

Një shembull famëkeq është Dritan Gjika, i akuzuar si një nga udhëheqësit më të fuqishëm të mafisë shqiptare në Ekuador.

Prokurorët thonë se ai kishte aksione në kompanitë e eksportit të frutave në Ekuador dhe kompanitë e importit në Evropë, të cilat i përdorte për trafikimin e kokainës. Ai mbetet në arrati, por shumë nga bashkëpunëtorët e tij janë përballur me drejtësinë pas një operacioni policor ndërkombëtar.

Avokatja Monica Luzárraga mbrojti një nga bashkëpunëtorët e tij dhe tani flet hapur për njohuritë e saj mbi funksionimin e këtyre rrjeteve. 

“Gjatë atyre viteve eksporti i bananeve në Shqipëri lulëzoi”, thotë ajo.

Rritja e kërkesës

Në portet e Ekuadorit policia dhe forcat e armatosura përpiqen të kontrollojnë situatën.

Varkat patrullojnë ujërat e vendit, policia skanon kutitë e bananeve për të parë mos janë të ngarkuara me kokainë dhe madje edhe zhytësit e policisë kërkojnë për drogë të fshehur nën anije.

Të gjithë janë të armatosur rëndë, madje edhe ata që thjesht ruajnë kutitë e bananeve përpara se ato të ngarkohen në kontejnerët e transportit. Kjo sepse nëse droga gjendet gjatë këtyre kontrolleve, ka të ngjarë që i përfshirë të jetë ndonjë punonjës i portit dhe në këtë rast mund të ketë ndonjë incident të dhunshëm. 

Pavarësisht këtyre përpjekjeve, policia thotë se sasia e kokainës që po kontrabandohet me sukses nga Ekuadori ka arritur rekord të lartë. Sipas tyre, rritja e kërkesës dhe faktorët ekonomikë janë fajtorët kryesorë.

Gati 300 tonë drogë u kapën vitin e kaluar, rekord i ri vjetor, sipas Ministrisë së Brendshme të Ekuadorit.

Majori i Policisë Kombëtare, Christian Cozar Cueva, thotë se “ka pasur rritje prej rreth 30% të konfiskimeve të drejtuara drejt Evropës në vitet e fundit”.

Kjo rritje e dërgesave të kokainës e ka bërë situatën më të rrezikshme për ata që kapen në zinxhirin e furnizimit.

Shoferi i kamionit “Juan” thotë se rritja e “kontaminimit të kontejnerëve” e bën më të pasigurt.
Ai thotë se zyrtarët kapën një kontejner një ditë më parë me dy tonë drogë: “Dikur ishin kilogramë, tani flasim për tonë”. “Nëse nuk i “kontaminoni” kontejnerët, keni dy mundësi: të lini punën ose të përfundoni të vdekur”.

Ekonomia e goditur nga pandemia Covid-19 la shumë ekuadorianë të hapur përballë rekrutimit në banda kriminale.

Një shtet që ishte i dobët financiarisht pas pandemisë, një forcë sigurie që kishte më pak përvojë në trajtimin e krimit të organizuar dhe ligjet e marrjes së vizave, lehtësuan praninë e bandave evropiane atje pas vitit 2020.

Monica Luzárraga thotë se viti 2021 ishte viti kur “infiltrimi i mafisë shqiptare mori hov”.

Ajo thotë se kjo periudhë përkoi me një “fluks” të qytetarëve shqiptarë në vend dhe rritje të eksportit të bananeve, përfshirë edhe në Shqipëri.

“Ky është një biznes fitimprurës që dëmton Ekuadorin dhe nga i cili përfitojnë organizatat kriminale. Si mund ta pranojmë një ekonomi të ndërtuar mbi vuajtjet?”

Mesazhi për Evropën

Zemërimi ndaj karteleve të huaja nuk është befasues, duke pasur parasysh kontributin e tyre në përshkallëzimin e dhunës në vend. Por një gjë për të cilën bien dakord disa trafikantë dhe ata që i luftojnë është se tregtia ushqehet nga konsumatorët, veçanërisht në Evropë, SHBA dhe Australi.
Të dhënat e OKB-së tregojnë se konsumi global i kokainës ka arritur nivele rekord. Sipas sondazheve, Mbretëria e Bashkuar ka shkallën e dytë më të lartë në botë të konsumit të kokainës.

Agjencia Kombëtare e Krimit e Mbretërisë së Bashkuar (NCA) vlerëson se Mbretëria e Bashkuar konsumon rreth 117 tonë kokainë në vit dhe ka tregun më të madh në Evropë.

Bazuar në të dhënat e fundit, konsumi në Mbretërinë e Bashkuar është në rritje.

Autoritetet sekuestruan rreth 232 tonë kokainë në vitin 2024, krahasuar me 194 tonë në vitin 2023.
Zëvendësdrejtori i Agjencisë Kombëtare antikrim (NCA), Charles Yates, thotë se kjo e bën Mbretërinë e Bashkuar “vendin ideal” për grupet e krimit të organizuar, të cilat përfitojnë nga kërkesa e lartë.
Ai vlerëson se tregu i kokainës në Mbretërinë e Bashkuar vlen rreth 11 miliardë funte (14.2 miliardë dollarë) dhe bandat kriminale fitojnë rreth 4 miliardë funte në vit vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata që i luftojnë këto banda në Ekuador, si prokurori José, thonë se u takon “vendeve, shtetasit e të cilëve janë konsumatorë të ushtrojnë kontroll më të madh” mbi ata që financojnë tregtinë.
Viktimat përballen me shumë pasoja.

Për Hidalgon, janë eksportuesit e bananeve ata që humbasin reputacionin dhe dëmtohen ekonomikisht. Për Luzárragan, janë “fëmijët, adoleshentët, ata që po tërhiqen nga bandat kriminale”.

“Në Evropë ka qytetarë të gatshëm të paguajnë shuma të mëdha parash për të pasur drogën që konsumojnë. Droga që përfundimisht po u kushton me jetë qytetarëve ekuadorianë”, ka thënë avokatja.

NCA-ja thekson se përveç këtyre efekteve “katastrofike” në komunitetet përgjatë zinxhirit të furnizimit, po regjistrohen viktima shtesë për shkak të ndikimeve kardiovaskulare dhe psikologjike te përdoruesit e saj. Vdekjet e lidhura me kokainën në Mbretërinë e Bashkuar u rritën me 30% në vitin 2023 krahasuar me 2022-tën.

NCA-ja paralajmëron gjithashtu se droga përkeqëson dhunën në familje.

Presidenti Daniel Noboa, i cili synon mandatin e dytë në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale më 13 prill, e ka bërë luftën kundër bandave kriminale një nga prioritetet e tij kryesore dhe ka vendosur që ushtria të trajtojë dhunën e lidhur me bandat.

“Zinxhiri që përfundon në ‘argëtim në Mbretërinë e Bashkuar’ përfshin shumë dhunë. Ajo që është argëtuese për një person ndoshta vret 20 njerëz gjatë rrugës”, thotë ai.