Mosvotimin e raportit, Kurti e quan sulm brendainstitucional kundër Kosovës

Albin Kurti, në një postim, e ka quajtur “sulm brenda-institucional kundër Republikës së Kosovës” mosvotimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve, përcjell albinfo.ch.

Ai ka shkruar në Facebook se kjo është një situatë e paparë për shtetin dhe “shumë më e gjerë”, teksa shtoi se deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe të Listës Serbe treguan “se janë edhe kundër vetvetes”, ndërsa theksoi se “dihet që janë kundër Qeverisë dhe Republikës”.

“Deputetët e opozitës – PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK – sot votuan kundër raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal dhe teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda-institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë dhe shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam dhe bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër Qeverisë dhe Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, ka thënë Kurti.

Zallamahia e mahallës së horrave

Sa i përket rregullimit politik të shtetit, do të duhej të mësonim diçka nga sistemi zviceran, një nga shtetet më të suksesshme në botë.

Në Zvicër, politikat funksionojnë në bazë të një sistemi të ashtuquajtur konkordancë. Është një marrëveshje politike që funksionon prej gati një shekulli.

Sipas këtij sistemi, ndarja e posteve ministrore në Qeveri, ose në Këshillin Federal, siç quhet atje, bëhet nëpërmjet një formule të njohur si formula magjike, sipas së cilës partitë e mëdha marrin nga dy poste ministrore në një qeveri 7-anëtarëshe.

Momentalisht, janë katër parti të përfaqësuara në qeveri. Tri prej tyre kanë nga dy poste ministrore dhe njëra parti ka një vend në qeveri. Kryetari i qeverisë ndërrohet çdo vit, sipas një rotacioni.

Qeveria funksionon në bazë të principit të kolegialitetit, sipas të cilit, pasi një vendim merret me shumicë votash, të gjithë anëtarët e qeverisë janë të obliguar që publikisht ta prezantojnë dhe mbrojnë atë vendim, edhe nëse gjatë votimit kanë qenë kundër.

Në qeveri gjenden pranë njëra-tjetrës parti që kanë orientime dhe interesa krejtësisht të ndryshme. Politika është e orientuar drejt konsensusit, me qëllim që gjithmonë të gjendet një emërues i përbashkët dhe të krijohet një shumicë në të mirë të vendit.

Nuk duhet të kemi iluzione dhe të jemi naivë, pasi këto vendime shpesh janë të ndikuara nga interesa dhe nuk janë gjithmonë në dobi të shumicës së popullit.

Por më e rëndësishmja është se kundërshtari politik nuk shihet si armik, por nga njëra anë shihet si konkurrent dhe nga ana tjetër si partner i mundshëm për ndonjë temë të përbashkët.

Unë, si anëtar i një parlamenti kantonal, çdo herë mbetem i mrekulluar kur, pas një debati të fortë, pasi gjithë ditën kemi kritikuar dhe sulmuar njëri-tjetrin për çështje të ndryshme politike, në fund të seancës gjendemi të gjithë bashkë – anëtarë të të gjitha partive – në të njëjtën kafene dhe sillemi me njëri-tjetrin në mënyrë miqësore, sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Kur do ta arrijmë ne një nivel dhe kulturë të tillë?

Do të ishte mirë që tani të lihen mënjanë llafet dhe të mos e helmojmë më tej ambientin shoqëror me komente qëllimkëqija dhe armiqësore.

Jo ky është prej Tërnoci, jo ky prej Badoci, jo ky nga Anamali, jo ky kështu, jo ky ashtu. E kemi shndërruar politikën në një llomotitje të pafund, ku një klasë badihavxhinjsh, çdo mbrëmje popullojnë televizionet, duke vjellë vrer mbi kundërshtarët politikë dhe duke i trajtuar ata si armiq. Një mahallë e tërë horrash, të cilët e quajnë veten analistë, helmojnë çdo natë mjedisin tonë shoqëror për pagesa të majme – përndryshe nuk do ta humbnin kohën, çdo natë, me llafe të kota.

Përkatësia politike është shndërruar në fe apo sektarizëm, ku në mënyrë të verbër i besohet anëtarit të partisë, sikur të ishte i dërguari i Zotit në tokë, pa marrë parasysh sa hajn dhe i korruptuar është.

Vendi është çliruar që një çerek shekulli dhe është koha që të ecim përpara.

Lërini, ju lutem, tifozllëqet!

Përfaqësuesit e popullit duhet të vlerësohen dhe të gjykohen në bazë të asaj që kanë bërë, ose nuk e kanë bërë. Ndërsa ne sillemi si një shoqëri klanore, që edhe nëse “i imi” i ka bërë njëmijë të zeza, unë e mbroj vetëm pse është i mahallës apo krahinës sime. Ndërsa me kundërshtarin politik, edhe sikur të jetë më i miri i botës, sillem sikur të ishte horri më i madh.

Është koha e fundit që të zgjohemi dhe ta rregullojmë pak mjedisin tonë shoqëror dhe politik.

Opinion nga Gzim Hasanaj, deputet në Parlamentin e Kantonit Baselland

Krejt çka ndodhi në seancën e sotme

Seanca konstituive për legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës u ndërpre pas afërsisht dy orë punimesh, përcjell albinfo.ch.

Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, njoftoi për ndërprerjen e seancës, pasi tha se nuk ka shumicë për vijimin e saj.

Ai bëri të ditur se “detyrohemi të ndërpresim seancën dhe me letër t’i kërkojmë presidentes se si të veprojmë në të ardhmen”.

Ndërkohë, deputetët nuk arritën të kalonin as pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Komisioni i përkohshëm paraqiti para deputetëve raportin dhe kërkoi që ai të votohej, me qëllim që të verifikoheshin mandatet e 120 deputetëve të zgjedhur më 9 shkurt, në bazë të listës së certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Vlen të theksohet se deputetët e LVV-së dhe të Nismës Socialdemokrate votuan për raportin.

Kundër ishin deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

“Pesëdhjetë e dy deputetë kanë votuar për, 46 kundër dhe 11 kanë abstenuar. Në bazë të kësaj, konstatojmë se raporti i Komisionit të përkohshëm nuk kalon,” tha kryesuesi i seancës.

Partitë opozitare argumentuan se anëtarët e Qeverisë në detyrë – që janë zgjedhur deputetë – nuk dorëzuan me kohë dorëheqjet e tyre nga postet ekzekutive.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se nuk mund të votojë një raport që është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Kushtetuta e thotë qartë se nuk mund të bëhesh deputet nëse je kryeministër apo ministër,” tha Krasniqi, duke shtuar se deputetët e zgjedhur të LVV-së – që aktualisht janë pjesë e Qeverisë në detyrë – duhet të japin dorëheqje, sepse nuk mund të mbajnë të dyja postet.

“Kjo mund të zgjidhej lehtë nëse ata japin dorëheqje,” tha ai.

Edhe anëtari i Komisionit për verifikimin e mandateve, nga LDK-ja, Armend Zemaj, deklaroi se kanë votuar kundër raportit të Komisionit.

“Për të siguruar siguri kushtetuese që nuk do të ketë shkelje të aktit më të lartë juridik të Kosovës, ne kemi kërkuar dokumentacion shtesë dhe na është paraqitur në komision një letër e drejtuar sot nga kryeministri i Republikës së Kosovës. Letër e cila do të duhej të ishte shpërndarë për gjithë qytetarët e Republikës, po ashtu Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe presidentes së vendit në ditën e certifikimit të rezultateve,” tha Zemaj.

“Nuk besojmë që kryeministri aktual, që tash është në dorëheqje sipas kësaj letre, do ta shkelë Kushtetutën dhe do të kthehet në Zyrën e Kryeministrit. Me dhënien e betimit do të përfundojnë të gjitha mandatet,” ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Edhe anëtarët e tjerë të Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, kanë dorëzuar dorëheqjen.

Kjo është bërë e ditur përmes një letre që Kurti i ka drejtuar Sekretariatit të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, dorëheqje kanë dhënë edhe anëtarët e tjerë të Qeverisë në detyrë të Kosovës, që janë zgjedhur deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit. /Albinfo.ch/

Dështon konstituimi i Kuvendit

Kryesuesi i seancës së Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari ka ndërprerë seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Dehari tha se pas situatës së krijuar me mosvotimin e raportit për konfirmimin e mandatave, seanca ndërpritet.

“Për shkak të rrethanave të krijuara meqë raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme në këto rrethana duhet ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten sesi do të vijohet tutje”, tha Dehari.

Raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve nuk kaloi. 52 deputetë ishin pro, 46 kundër e 11 abstenuan.

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë votuar kundër raportit të komisionit të përkohshëm.

Ndërkaq, pro këtij raporti kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe te Nismës.

“Raport i cili u shqyrtua në këtë komision dhe me shumicë votash kaloi, vlen të theksohet ashtu siç u pajtuam në Komision që për këtë raport kundër ishin PDK, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Artan Abrashi i LVV-së.

Kurti jep dorëheqje nga posti i Kryeministrit para betimit si deputet

Albin Kurti ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit para betimit si deputet, përcjell albinfo.ch.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një letre drejtuar Sekretariatit të Kuvendit.

“Që nga data 23 mars kur përfundoi mandati i plotë katërvjeçar I qeverisë sonë, qeveria është në detyrë/dorëheqje. Në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi me deklaratën që kam dhënë dhe është pranuar në KQZ me datë 27 mars 2025 dhe me qëndrimin tim publik të po asaj dite, efektivisht jam i dorëhequr bashkë me kabinetin qeveritar”, thuhet në letër.

Ky veprim është i parashikuar me Kushtetutën e Kosovës. Sipas nenit 95, në rastin kur kryeministri jep dorëheqje, qeveria konsiderohet e shpërbërë dhe mbetet në funksion si qeveri në detyrë, deri në formimin e një qeverie të re.

Anton Ferizi zgjidhet shef i Administratës Financiare të komunës Kirchberg

Numri i politikanëve me rrënjë shqiptare, të zgjedhur në postet ekzekutive të komunave ose kantoneve, është në përgjithësi shumë më i vogël në krahasim me atë të asamblistëve të zgjedhur në komunat dhe kantonet përkatëse.

Këtij numri modest së fundi i është shtuar edhe Anton Ferizi, i posazgjedhur në postin e shefit të Administratës Financiare në Komunën e Kirchberg-ut, Kantoni St. Gallen, shkruan albinfo.ch.

Gazeta lokale elektronike toggenburg24.ch ka prezantuar këtë zgjedhje përmes një artikulli ku z. Ferizi tregon të dhënat e tij personale dhe përcaktimet për punën e tij në postin e ri.

“Unë quhem Anton Ferizi dhe kam marrë pozitën e shefit të Administratës Financiare në Komunën e Kirchberg nga 1 prilli 2025.
Unë jam i lindur në Kosovë, jam rritur në Itali dhe jetoj në Zvicër që nga viti 2016. Përmes këtyre fazave të jetës, kam arritur të zhvilloj një kuptim të gjerë kulturor – diçka që më ka formësuar si personalisht, ashtu edhe profesionalisht.

Në Zvicër kam vazhduar zhvillimin tim akademik dhe profesional dhe kam marrë Certifikatën Federale të Studimit të Avancuar në Financë dhe Kontabilitet. Kohët e fundit kam punuar për një kompani fiduciare, ku kam marrë një gamë të gjerë detyrash në fushën e administrimit financiar.

Më pëlqen shumë të punoj me numra, struktura dhe procese – veçanërisht në një mjedis që kërkon profesionalizëm dhe punë ekipore. Mezi pres të kontribuoj përvojën dhe angazhimin tim në Komunën e Kirchberg-ut”.

Komuna ku është zgjedhur Anton Ferizi në këtë post të rëndësishëm ekzekutiv ka afër 10 mijë banorë.

(Foto: Gemeinde Kirchberg)

Kosova nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Gjermaninë në fushën e arkeologjisë

Në Ministrinë e Kulturës u nënshkrua sot marrëveshja e bashkëpunimit me Institutin Arkeologjik Gjerman – një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të kërkimeve arkeologjike dhe hulumtimeve shkencore, përcjell albinfo.ch.

Dokumenti u nënshkrua nga sekretari i MKRS-së, Bislim Bislimi, dhe Dr. Lukas Werther, në prani të ministrit Hajrulla Çeku dhe ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

Marrëveshja parasheh zhvillimin e projekteve të përbashkëta, shkëmbimin e ekspertëve, përdorimin e metodave bashkëkohore të kërkimit dhe avancimin e kapaciteteve profesionale në fushën e trashëgimisë arkeologjike.

Itali: Arrestohet 36-vjeçari shqiptar për përdhunim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Padova të Italisë, ku një shqiptar i Kosovës përdhunoi me orë të tëra një 37-vjeçare shqiptare.

Siç bëjnë me dije mediat italiane, 36-vjeçari nga Kosova e zuri pritë duke e marrë në telefon shqiptaren dhe duke i thënë se djali i saj 18-vjeçar ishte në rrezik. Kur e takoi në rrugë, autori i tregoi armën dhe e rrëmbeu në shtëpinë e tij, ku e përdhunoi për dy orë radhazi, duke e kërcënuar se do e vriste.

Gruaja arriti të shpëtonte nga banesa e 36-vjeçarit dhe menjëherë njoftoi policinë, e cila bëri të mundur arrestimin e tij.

Kosovari, i cili qëndronte në mënyrë të parregullt në Itali, është kontrolluar disa herë që nga viti 2012, me precedentë të shumtë penal për vjedhje, rezistencë ndaj një zyrtari publik dhe krime që lidhen me emigracionin e paligjshëm.

Ai përfundoi në burg në Padova në vitin 2024 dhe pasi kreu një dënim 10-mujor dhe një ditë pasi u lirua, rrëmbeu 37-vjeçaren.

Dehari ka bërë thirrje për formimin e Komisionit për verifikim e mandateve

Ka nisur seanca e konstituimit të Kuvendit. Seanca udhëhiqet nga deputeti më i moshuar, Avni Dehari, dhe deputetja më e re, Sala Jashari, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, Dehari ka bërë thirrje për formimin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve.

Ky komision mori mbështetjen e të gjithë deputetëve të pranishëm, gjithsej 119.

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Artan Abrashin. Partia Demokratike ka propozuar deputetin Përparim Gruda. Lidhja Demokratike e ka propozuar Armend Zemajn. Lista Serbe ka propozuar Branisllav Nikoliqin. Koalicioni AAK–Nisma ka propozuar Time Kadrijajn. Komunitetet kanë secila përfaqësues, shkruan Koha.net.

Pas formimit të Komisionit, Kuvendi ka hyrë në një pauzë 15-minutëshe.

Gjermani: Rritje e kostove për shërbimet shëndetësore

Referuar vlerësimeve të Institutit Ekonomik Gjerman (IW), koalicioni i ardhshëm i partive konservatore CDU/CSU dhe i socialdemokratëve “pritet të përballet me vështirësi serioze financiare”, përcjell albinfo.ch.

Jochen Pimpertz, ekspert për taksat dhe çështjet sociale pranë IW-së, bëri të qartë në një intervistë me agjencinë gjermane të shtypit DPA në Berlin se kontributet për sigurimet shoqërore për punonjësit dhe punëdhënësit në Gjermani kanë arritur që tani nivelin 42.3 për qind të të ardhurave.

Duke iu referuar të dhënave të mbledhura dhe analizuara nga instituti privat i kërkimit IGES, Pimpertz tha se për vitet e ardhshme kontributet për sigurimet shoqërore parashikohet të rriten në thuajse 46 për qind.

Një nga arsyet është rritja e kostove për sigurimet shëndetësore. Rritja e shpenzimeve është gjithashtu më e madhe se sa supozohej më parë, pasi ligjvënësit kanë kërkuar që fondet e sigurimeve shëndetësore të reduktojnë rezervat e tyre financiare, në mënyrë që të stabilizojnë normat e kontributeve pas pandemisë së virusit korona. Tani nuk ka më amortizator për të zbutur një rritje të vazhdueshme të normës së kontributit. /DW

Ngjyrat e pranverës shtojnë magjinë në rrugët e Cyrihut

Pranvera ka filluar ta zgjerojë aktivitetin në Cyrih dhe tani qyteti po merr pamje tjetër me gjallërimin e natyrës, shkruan albinfo.ch.

Këtu janë disa nga fotot më të mira të motit të lavdishëm të kohëve të fundit në Cyrih.

Mund të jetë një imazh i lule

https://www.facebook.com/photo/?fbid=614044218107021&set=pcb.614044254773684

Cyrihu është një ndër kantonet më të rëndësishme të Zvicrës dhe ka më shumë se një milion banorë. Një pjesë të sipërfaqes së këtij kantoni e përbëjnë edhe pyjet e liqenet.

Mund të jetë një imazh i spath dhe pemë fryti me bërthamë

https://www.facebook.com/photo?fbid=4151290901784463&set=pcb.4151292061784347

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe pemë fryti me bërthamë

https://www.facebook.com/photo/?fbid=934759585478406&set=pcb.934759625478402

Mund të jetë një imazh i 4 persona

https://www.facebook.com/photo?fbid=614044224773687&set=pcb.614044254773684

Mund të jetë një imazh i Palais des Papes dhe kështjellë

https://www.facebook.com/photo/?fbid=614044221440354&set=pcb.614044254773684

Mund të jetë një imazh i spath dhe pemë fryti me bërthamë

https://www.facebook.com/photo/?fbid=4151291031784450&set=pcb.4151292061784347

Mund të jetë një imazh i 3 persona dhe liqen

https://www.facebook.com/photo/?fbid=614044204773689&set=pcb.614044254773684

Makina 100% elektrike zvicerane, më “miqësorja” në botë

Softcar po konsiderohet një nga makinat më miqësore në botë, shkruan albinfo.ch.

Bëhet fjalë për një automjet revolucionar, i cili është miratuar për shitje në Evropë.

Kjo makinë 100% elektrike zvogëlon në mënyrë drastike ndotjen e saj të karbonit dhe ndihmon në luftimin e ndotjes urbane. Sipas kompanisë,
Softcar është prodhuesi i parë dhe i vetëm i makinave që ka arritur emetimet Net Zero CO₂. /Albinfo.ch

Gjermania shpreh keqardhje për mospërmbushjen e obligimeve nga Kosova

Shteti gjerman ka shprehur keqardhje për mosndërmarrjen e asnjë hapi drejt përmbushjes së kushtit themelor, që i ishte vënë Kosovës për ta përmbyllur anëtarësimin në Këshillin e Evropës, përcjell albinfo.ch.

Takimi i radhës i Komitetit të ministrave të Këshillit mbahet në maj dhe ende nuk dihet nëse do të përfshihet edhe aplikacioni i Kosovës. 

Në ambasadën e Gjermanisë thanë se presin angazhim nga Kosova drejt përmbushjes së obligimeve, për të cilat shtuan se qëndron edhe Këshilli i Evropës. 

“Nuk dihet ende agjenda finale e Komitetit Ministror. Na vjen keq që qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë ende asnjë hap konstruktiv që nga viti i kaluar për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit të rënë dakord dhe Marrëveshjet e Brukselit të viteve 2013/2015. Çështjet e pakicave janë të një rëndësie qendrore në Këshillin e Evropës. I bëjmë thirrje edhe një herë Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në këtë drejtim”, ka thënë Sebastian Leuschner, këshilltar politik në Ambasadën e Gjermanisë, shkruan Koha.

Trajneri i Luganos flet për lëndimin e futbollistit shqiptar

Së fundmi, trajneri i Luganos, Mattia Croci-Torti, ka folur për lëndimin e mbrojtësit Albian Hajdari, përcjell albinfo.ch.

Hajdari të dielën u zëvendësua pas pjesës së parë në barazimin e Luganos ndaj St. Gallenit me rezultatin 1:1.

“Gjatë javës së kaluar ai më bindi se mund të luante, por diçka nuk shkoi mirë”, ka thënë trajneri i Luganos në intervistën e gjatë për faqen e klubit zviceran.

Hajdari 21-vjeçar, vlerësohet prej mbrojtësve më të mirë në kampionatin zviceran të futbollit. Ai për Luganon ka luajtur 35 ndeshje gjatë këtij edicioni, ndërsa ka shënuar dy gola.

Me Luganon ka kontratë deri në vitin 2028. Gjasat janë të mëdha që Hajdari të largohet gjatë verës. Bayer Leverkuseni është prej klubeve të interesuara për mbrojtësin e Zvicrës.

Norvegjia ndërton tunelin më të thellë në botë, pjesë e projektit edhe Ardian Gara

Norvegjia është në ndërtim e sipër të tunelit më të gjatë dhe më të thellë në botë nën det, Rogfast, ku pjesë e projektit është edhe Ardian Gara nga fshati Kishnarekë i Drenasit, përcjell albinfo.ch.

Tuneli Rogfast do të ketë një gjatësi prej 26.7 kilometrash dhe do të arrijë një thellësi deri në 390 metra nën nivelin e detit.

Thuhet se ky projekt gjigant pritet të përfundojë në vitin 2033 dhe do të shkurtojë me 40 minuta kohën e udhëtimit mes dy qyteteve të mëdha, Stavanger dhe Bergen.

Tuneli është pjesë e autostradës E39 dhe do të zëvendësojë kalimet me traget përgjatë bregut perëndimor të Norvegjisë.

Në këtë projekt madhor është i përfshirë edhe Ardian Gara nga Kishnareka e Drenasit, i cili është kosovari i vetëm që merr pjesë në këtë projekt ndërtimi, të cilin ai e cilëson si një tunel futuristik.

Detaje për linjën hekurudhore Prishtinë-Durrës, do të kalojë në Gjakovë e Shkodër

Në Shkodër u prezantua sot studimi i fizibilitetit për hekurudhën Durrës–Prishtinë.

Parashikohet që hekurudha të kalojë nga Durrësi në Shkodër, për të vijuar në Gjakovë e më pas në Prishtinë.

Në ceremoninë e rastit morën pjesë autoritete të larta shtetërore të të dy vendeve, si dhe kryetarët e bashkive ku pritet të kalojë hekurudha, përfshirë Shkodrën dhe Gjakovën, transmeton albinfo.ch.

Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, tha se ky është një moment historik për Shqipërinë.

Balluku theksoi se “nuk flitet për një hekurudhë, por për një lidhje kombëtare, pasi është hekurudha kuqezi. Flitet për një nukël gjeopolitike, e cila e kthen kombin shqiptar në një pol magnetizmi për ekonominë dhe ndërlidhjen evropiane.”

Sipas Ballukut, kjo hekurudhë do të jetë një nyje ndërlidhëse e tre korridoreve evropiane dhe do t’i japë një rëndësi të veçantë zhvillimit politik dhe gjeopolitik të Evropës Juglindore. “Shpeshherë flasim për ndërlidhje rajonale, për ekonomi rajonale, por korridoret e infrastrukturës dhe ato energjetike nuk janë rajonale, janë evropiane. Kjo hekurudhë do të lidhet përmes Korridorit 8 me të gjitha akset e tjera që janë bërë publike. Gjithashtu, do të lidhet edhe me Korridorin 10, ndërsa nga ana tjetër prek edhe Korridorin Adriatiko–Jonian në një gjatësi shumë të rëndësishme të tij, duke e kthyer kështu në një nyje ndërlidhëse të tre korridoreve evropiane dhe duke i dhënë kësaj hekurudhe, në dukje kombëtare, një rëndësi të veçantë për gjithë zhvillimin politik dhe gjeopolitik të Evropës Juglindore,” u shpreh Balluku.

Duke u ndalur te Shkodra, Balluku tha se “e meriton të jetë nyja ndërlidhëse e kombit tonë”.

“Shkodrës i takon plotësisht, me ligj dhe me kanun, ta ketë këtë stacion të kombit shqiptar – një stacion hekurudhor që të jetë jo vetëm një stacion tranzit, por një stacion si në vendet evropiane,” tha ajo.

Sa i përket Gjakovës, ministrja tha se “mbart një histori të jashtëzakonshme, e cila ka vlera të paçmuara si për vendndodhjen e saj strategjike, ashtu edhe për ekonominë që zhvillon, por padyshim edhe gjeografikisht për gjithë ndërlidhjen që arrin të krijojë midis Shqipërisë dhe Kosovës”.

OKB: Shqipëria drejt përgjysmimit të lindjeve deri në vitin 2054

Kombet e Bashkuara kanë bërë publike projeksionet më të fundit për ecurinë globale të fertilitetit për periudhën 2024–2054, ku Shqipëria rezulton ndër vendet me rënie më të ndjeshme të lindshmërisë në botë. Sipas raportit, vendi ynë pritet të përjetojë një përgjysmim të numrit të lindjeve në tre dekadat e ardhshme, duke u rreshtuar përkrah Porto Rikos dhe Xhamajkës në këtë tendencë alarmante.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, në vitin 2024 në Shqipëri lindën rreth 22 mijë fëmijë, ndërkohë që në vitet 2050 ky numër pritet të bjerë në vetëm 10–11 mijë lindje në vit. Në dekadën e fundit, lindjet kanë rënë me rreth 40 për qind, nga 35.700 lindje në vitin 2014 në 22 mijë më 2024, përcjell albinfo.ch.

Dy janë faktorët kryesorë që po ndikojnë në këtë prirje: rënia e fertilitetit mes grave në moshë riprodhimi dhe niveli i lartë i emigrimit, veçanërisht i të rinjve. Treguesi sintetik i fertilitetit, që mat numrin mesatar të fëmijëve për grua, ka rënë nga 2.1 në vitin 2001 në vetëm 1.21 në vitin 2022.

Kjo normë është dukshëm nën nivelin e zëvendësimit natyror të popullsisë, që llogaritet në 2.1 fëmijë për grua. Tendenca konfirmohet edhe në nivel qarku: Vlora dhe Korça shfaqin normat më të ulëta të lindshmërisë, ndërsa Kukësi, Dibra dhe Lezha mbeten ndër qarqet me tregues më të lartë.

Në rang evropian, Shqipëria renditet ndër vendet me fertilitetin më të ulët, duke lënë pas vetëm Spanjën dhe Maltën, sipas të dhënave të Eurostat-it për vitin 2021.

Sipas OKB-së, këto parashikime mbeten të ndjeshme ndaj ndryshimeve politike, sociale dhe ekonomike, por aktualisht konfirmojnë një krizë demografike në zhvillim për Shqipërinë.

Fenomeni lidhet gjithashtu me tendenca globale, si shtyrja e martesës, rritja e përqendrimit te karriera dhe pasiguritë ekonomike, që po ndikojnë ndjeshëm në vendimin për të sjellë në jetë fëmijë.

Halime Memishi emërohet zv/drejtoreshë e FRZ – Një lidere e re për të ardhmen e rajonit të Aeroportit të Cyrihut

Rajoni i Aeroportit të Cyrihut (Flughafenregion Zürich – FRZ), një nga rrjetet më dinamike të zhvillimit ekonomik dhe urban në Zvicër, ka njoftuar emërimin e Halime Memishi Fetishit si zëvendësdrejtoreshë të organizatës, duke filluar nga 1 maji 2025, shkruan albinfo.ch.

Me një përvojë të pasur prej gati 13 vjetësh brenda FRZ-së, ajo ka dhënë një kontribut të pazëvendësueshëm në ndërtimin e rrjetit, organizimin e ngjarjeve me ndikim dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët dhe komunitetin. Ajo njihet për përkushtimin, pasionin dhe aftësinë e saj për të krijuar ura bashkëpunimi midis njerëzve dhe institucioneve.

Së bashku me CEO-n Rahel Kindermann Leuthard, Halime do të udhëheqë FRZ-në në një etapë të re zhvillimi, duke ndjekur kursin strategjik të nisur që prej vitit 2023. Ky duet drejtues do të sjellë një frymë të re inovacioni, vizioni dhe dinamike në funksion të qëllimit të përbashkët: zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit që përfshin 14 qytete dhe komuna rreth Aeroportit të Cyrihut.

“Halime Memishi është një profesioniste me zemër të madhe dhe një sens të jashtëzakonshëm për njerëzit dhe rrjetet,” – thuhet në njoftimin zyrtar të FRZ-së.

“Ajo krijon hapësira për takime me kuptim, ndërton ekipe të forta dhe i vendos njerëzit në qendër të çdo procesi zhvillimor.”

Emërimi i saj shihet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të rolit të FRZ-së si katalizator i zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit ndërmjet sektorëve publik dhe privat në këtë zonë strategjike të Zvicrës.

FRZ – Flughafenregion Zürich është një platformë e fuqishme për zhvillimin ekonomik, që lidh komunitetet lokale, kompanitë dhe institucionet në një rrjet të koordinuar për të nxitur rritjen, inovacionin dhe bashkëpunimin.

Frangu me rekord ndaj dollarit amerikan

Një onç ar tani vlen më shumë se 3200 dollarë. Kjo është hera e parë që çmimi i metalit të verdhë ka kaluar këtë kufi. Kjo për shkak se investitorët po orientohen drejt të ashtuquajturave “streha të sigurta”.

Edhe frangu zviceran, një tjetër strehë e sigurt, ka arritur vlerën më të lartë në dhjetë vitet e fundit kundrejt dollarit amerikan. “Një ikje masive drejt strehëve të sigurta… e gjithë kjo pasqyron mungesën e plotë të qartësisë në tregjet financiare sot”, thonë ekspertët. “Tani po jetojmë në një botë pa rregulla – kur bëhet fjalë për tregtinë, sigurinë, shëndetësinë, madje edhe për sovranitetin”, sqarojnë më tej ata, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Po çfarë janë strehët e sigurta? Strehë e sigurt është një investim për të cilin pritet të ruajë ose madje të rrisë vlerën në periudha pasigurie ekonomike. Kur flitet për këtë, i pari në radhë është ari.

Analistët paralajmërojnë se paqëndrueshmëria në tregje mund të zgjasë derisa të qartësohen marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Investitorët po ndjekin me kujdes hapat e ardhshëm të qeverive amerikane dhe kineze, veçanërisht njoftimet e reja lidhur me politikat doganore.

Kosova trajtohet me fusnotë në konferencën në Tiranë, zv/ministri kosovar largohet në shenjë proteste

Zëvendësministri i Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, Agon Dobruna, është larguar në mënyrë proteste nga një konferencë rajonale e zhvilluar në Tiranë, pasi emri i Kosovës ishte shoqëruar me fusnotë.

Konferenca me temë “Përshpejtimi i reformave të kujdesit për fëmijët drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian” u mbajt më 9 prill dhe mblodhi përfaqësues nga vende të rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Kosovën, nën mikpritjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Sipas Dobrunës, paraqitja e Kosovës me fusnotë përbënte një shkelje të frymës së barazisë dhe respektit që promovon konferenca. Ai bëri të ditur se, pavarësisht kërkesave për korrigjimin e këtij detaji, ato ishin injoruar nga organizatorët.

“Pavarësisht kërkesës sonë të qartë dhe të drejtpërdrejtë për të korrigjuar këtë paraqitje, ajo u injorua, duke shkelur frymën e bashkëpunimit, respektit dhe barazisë që promovon vetë konferenca”, shkroi Dobruna në një postim në Facebook.

Largimi i tij është parë si një akt simbolik për të mbrojtur pozitën dhe dinjitetin e përfaqësimit të Kosovës në forume ndërkombëtare, ndërkohë që ka nxitur diskutime mbi mënyrën e trajtimit të shtetit të Kosovës në kontekste rajonale dhe ndërkombëtare.

Punëdhënësit më të mirë në Gjermani për zhvillim profesional sipas LinkedIn

Nëse po mendoni të zhvendoseni në Gjermani për punë këtë vit, apo të ndërroni punë brenda vendit, ndoshta vlen të merrni parasysh listën e LinkedIn për punëdhënësit më të mirë.

Platforma e njohur profesionale LinkedIn publikoi javën e kaluar listën e saj vjetore për vitin 2025: “25 punëdhënësit më të mirë për zhvillim profesional në Gjermani”.

Tregu i punës në Gjermani ndodhet aktualisht në një periudhë pasigurie për shkak të stagnimit ekonomik të brendshëm dhe turbulencave të tregjeve globale. Megjithatë, pavarësisht rritjes së lehtë të papunësisë, ka ende shumë mundësi për punëkërkuesit, pasi vendi vijon të përballet me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore të kualifikuar, transmeton albinfo.ch.

‘Punëdhënësit më të mirë për zhvillim profesional’

Sipas LinkedIn, më shumë se gjysma e profesionistëve në mbarë botën janë aktualisht në kërkim të një vendi të ri pune apo edhe ndryshimi të fushës, me shumë prej tyre të interesuar për të përmirësuar aftësitë dhe kualifikimet e tyre.

Përveç një page të mirë dhe përfitimeve shtesë, kandidatët gjithnjë e më shumë presin nga punëdhënësi i tyre të ofrojë trajnime dhe mbështetje për zhvillim profesional.

Për të ndihmuar në këtë drejtim, LinkedIn ka renditur kompanitë që kontribuojnë më shumë në karrierën e punonjësve të tyre.

Ja lista e 25 kompanive më të mira në Gjermani për zhvillim profesional:

1. Siemens

2. Stryker

3. ServiceNow

4. Bain & Company

5. Roche

6. Boehringer Ingelheim

7. Bosch

8. PwC

9. Medtronic

10. Eli Lilly and Company

11. Thermo Fisher Scientific

12. EY

13. Boston Scientific

14. McKinsey & Company

15. BearingPoint

16. Amazon

17. Marsh

18. Sanofi

19. AbbVie

20. BD

21. Grant Thornton Germany

22. Oracle

23. Accenture

24. Procter & Gamble Germany

25. CSL

Shumë nga kompanitë në listë janë prodhues industrialë apo zhvillues softuerësh.