Mediat e huaja shkruajnë edhe për kuzhinën shqiptare

Në brendësi të jugut të Shqipërisë, Përmeti është një qytet antik, i rrethuar nga natyra e egër, ndërkohë që Parku Kombëtar i Bredhit të Hotovës—më i madhi në Shqipëri—është i famshëm për pyjet, kanionet, urat osmane dhe manastiret ortodokse, shkruan faqja e njohur turistike italiane Gambero Rosso.

Përmeti gjithashtu mund të etiketohet si djepi i gastronomisë shqiptare, një destinacion që duhet vizituar patjetër nga çdo adhurues i ushqimit.

Nga kompostot e frutave te supat e shijshme, nga zgarat tek djathërat, tradita kulinare e Përmetit është e pasur dhe e shijshme, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Aromat e së kaluarës
Traditë, mikpritje dhe shije të së kaluarës.
Këto janë tre shtyllat themelore të “Trifilia”-s—a­dresa që duhet ta shënoni patjetër në agjendën tuaj nëse kërkoni pjata autentike.

Që nga viti 1991, ky restorant në zemër të Përmetit i ka mirëpritur mysafirët në një ambient të rafinuar me detaje druri, tulle dhe terrakote, duke i magjepsur me specialitetet më të mira të traditës gastronomike vendase.

Menuja e pasur ofron një përvojë unike kulinare:

  • Supa me qengj nga kullotat e rajonit

  • Brinjët e qengjit të pjekura në skarë

  • Byrekë me spinaq dhe gjizë

  • Pulë fshati e shoqëruar me bukë shtëpie

  • Dollma me oriz dhe gjethe hardhie që të shkrijnë në gojë

Një kuzhinë e frymëzuar nga zona dhe stinët
Ajo që e dallon “Trifilia”-n nuk është vetëm autenticiteti i gatimeve, por edhe mënyra e punës:

“Kuzhina jonë është një kërkim i vazhdueshëm për lëndë të para të cilësisë së lartë, të cilat nuk mungojnë në Përmet, dhe për shijet autentike. Ne i krijojmë duke u frymëzuar nga recetat trashëguar brez pas brezi dhe nga produktet vendase, ndër më të pakontaminuarat në Gadishullin Ballkanik,” thotë Tatjana Jarazi, zemra dhe mendja e “Trifilia”-s.

Kuzhina ndjek ndryshimin sezonal: këtu hani vetëm atë që ofron vendi, në çdo periudhë të vitit.

Një territor unik në botë
Teknikat tradicionale të gatimit të “Trifilia”-s përzihen me përbërësit e freskët të rajonit. Filozofia e Slow Food, që respekton ciklin natyror të prodhimit për të garantuar një produkt të vërtetë, ndiqet me përpikëri.

Në fund të fundit, kjo është toka e Vjosës—lumit të fundit të egër në Evropë—i cili, së bashku me degët e tij, formoi Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa nga viti 2023. Ai buron nga vargmali i Pindit në Greqi, rrjedh nëpër Shqipëri dhe derdhet në detin Adriatik. Vjosa jep më të mirën e saj në Përmet, duke e përshkuar ngadalë e duke lejuar që natyra ta zbukurojë qytetin me pemë, shkurre dhe, në fund të pranverës, lule të çdo ngjyre—prandaj Përmeti njihet si “qyteti i trëndafilave.”

Edhe Britania e Madhe hap rrugën e re për kriptovalutat

Britania e Madhe do të krijojë rregullore të detyrueshme për kriptovalutat, njoftoi ministrja e Financave, Rachel Reeves.

Qeveria sinjalizoi se do të bashkëpunonte ngushtë me Shtetet e Bashkuara për qasjen më të mirë ndaj aseteve digjitale.

Projektligjet e reja do të zgjerojnë rregullimin financiar ekzistues për kompanitë e përfshira në kriptovaluta, duke e përafruar Britaninë me SHBA-në dhe larg Bashkimit Evropian, që ka ndërtuar rregulla specifike për industrinë, thanë ekspertët, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Seti i parë i rregullave të projektligjit të Britanisë vjen ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka hapur rrugën kriptovalutave dhe është zotuar të heqë kufizimet rregullatore në industri, duke shqetësuar kritikët. Ministrat evropianë të Financave janë shprehur të shqetësuar se masat e SHBA-së mund të ndikojnë në sovranitetin monetar dhe stabilitetin financiar të eurozonës.

Reeves tha se kishte diskutuar rregulloret e kriptovalutave me sekretarin e Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent, gjatë një vizite në Uashington javën e kaluar, dhe se të dyja vendet planifikuan ta diskutonin këtë më tej në qershor. “Sipas rregullave të reja, bursat, tregtarët dhe agjentët e kriptovalutave do të futen në perimetrin rregullator,” tha ministria e Financave në një deklaratë pas njoftimit të Reeves.

“Firmat e kriptovalutave me klientë në Mbretërinë e Bashkuar do të duhet gjithashtu të përmbushin standarde të qarta mbi transparencën, mbrojtjen e konsumatorit dhe qëndrueshmërinë operacionale,” shtoi njoftimi.

Rreth 12% e të rriturve britanikë zotërojnë ose kanë zotëruar kriptovaluta të tilla si bitcoin ose ethereum, nga 4% në vitin 2021, tha qeveria.

Banka e Anglisë ka paralajmëruar prej kohësh për rreziqet që paraqet bitcoin për investitorët. Megjithatë, institucioni e sheh të arsyeshëm krijimin e rregullave për stablecoins, apo monedhat e qëndrueshme, që kërkojnë të mbajnë një vlerë fikse në lidhje me dollarin amerikan ose asete të tjera.

Ministria e Financave tha se synonte të finalizonte legjislacionin e ri deri në fund të vitit. Rregullat bazohen në propozimet fillestare të bëra në vitin 2023.

Historia e 1 Majit në botë dhe Evropë

1 Maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve dhe ky manifestim lindi nga lufta e punëtorëve për të kërkuar dhe siguruar të drejtat, liritë dhe kushtet e punës e të jetesës.

Kjo ditë u referohet protestave të punëtorëve, ku kërkesa e parë publike është paraqitur në Australi gjatë vitit 1885 me këtë përmbajtje: “8 orë punë, 8 orë dëfrim e 8 orë gjumë”.

Kremtimi i 1 Majit lidhet ngushtë me protestat e përgjithshme e të përgjakshme të dhjetëra mijëra punëtorëve të fabrikave të Çikagos në Amerikë, më 1 maj 1886.

Manifestimi masiv dhe madhështor u bë një vit më vonë, në të njëjtin qytet më 1 maj 1887, transmeton albinfo.ch.

Kështu filloi rrugëtimi i kësaj dite, i përqafuar nga miliona punëtorë, i organizuar përmes lëvizjes sindikaliste dhe partive, që në fokus e kanë pozitën socio-ekonomike të punëtorëve.

Sindikata botërore e caktoi 1 Majin ditë në të cilën të gjithë punëtorët ushtrojnë presion për sigurimin dhe avancimin e të drejtave të tyre.

Në Evropë, 1 Maji filloi manifestimin me Internacionalen e Parë të Gjenevës.

Nga viti 1890 në Paris, Kongresi themelues i Internacionales së Dytë, vendosi që pikërisht 1 Maji të mbetet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Nga viti 1891, Kongresi i tretë i Internacionales në Bruksel, mori vendim, që dita e 1 Majit do të kremtohet përgjithmonë dhe në të gjitha vendet, si Festa e Punëtorëve, në të cilën punëtorët do t’i identifikojnë, avancojnë dhe mbrojnë me kushtetutë e ligje liritë, të drejtat, kushtet e punës, rrogën mesatare të garantuar, pushimin ditor, javor, vjetor dhe pushimet tjera sipas nevojës.

Vjenë: Illyrian Brains organizon event për profesionistë të rinj shqiptarë

Illyrian Brains është një nismë jopolitike dhe jofitimprurëse, e cila synon të bashkojë shqiptarët profesionistë nëpër botë për të nxitur bashkëpunimin, ndihmën e ndërsjellë dhe lidhjen me atdheun e gjuhën shqipe, transmeton albinfo.at.

IllyrianBrains, në këtë event, ka për qëllim bashkimin e të rinjve shqiptarë që duan të profesionalizohen në fusha të ndryshme, kryesisht me ata që merren me IT, start-up, etj.

Njihu me profesionistë të rinj, ndaj ide dhe shijo një natë plot mundësi dhe inspirim!

Nën moderimin e elegancës dhe perfeksionizmit të Asetila Köstlinger, kjo mbrëmje sjell në qendër të vëmendjes emra të jashtëzakonshëm që kanë arritur majat në fushat e tyre:

Andi Binaj – Primar i Institutit të Radiologjisë në Spitalin Shtetëror Melk

Brikena Statovci – Eksperte në Teknologji të Informacionit

Eno Peçi – Balerin solist dhe koreograf në Teatrin e Operës dhe Baletit, Vjenë

https://www.tickettailor.com/events/illyrianbrainswien/1587465

👔 Dress Code: Business casual

🔹 Agenda:

🕡 17:30 – 18:30 | Aperitiv

🕡 18:30 – 19:15 | Video & keynote speakers

🕡 19:15 – 20:30 | Panel diskutimi me të ftuar

🕡 20:30 – 21:00 | Bashkëbisedim (Q&A)

🕡 21:00 – 00:00 | Networking, ushqim & muzikë

📍LocationBelétage, Haus der Ingenieure I Eschenbachgasse 9, 1010 Vienna

🎟 Ticket: € 20,-

 

Nëse je Shqipëtar që jeton ne Vjenë, në EU ose mbarë botës, apo thjeshtë do histori frymëzuese- mos e humb këtë mbrëmje!

LDK: Votimi i fshehtë, hap arbitrar dhe antikushtetues

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka folur para mediave pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Ajo ka thënë se sot “u bë edhe një shkelje tjetër kushtetuese, ligjore; me arbitraritet u tentua të ndryshohej mënyra e votimit”.

“Rregullorja e Kuvendit përcakton mënyrat e votimit… Kjo përcaktohet në fillim të procesit”, është shprehur ajo.

Bajrami ka thënë se “asnjëherë në histori nuk ka ndodhur të ndryshohet procesi, dhe është shkelje që mënyra e votimit të ndryshohet pasi ka filluar procesi”.

Deputetja e LDK-së ka shtuar se partia e saj sot nuk mori pjesë në takimin e ftuar nga kreu i LVV-së, Albin Kurti, pasi “nuk dëshiron të ketë një marrëveshje politike me LVV-në”.

Në Prishtinë protestohet për të drejtat e punëtorëve

Ka nisur protesta e organizuar nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, përcjell albinfo.ch.

Motoja e protestës është “Qeveri – Kompani, është bërë vonë, kthjelluni ose lamtumirë”.

Protesta ka nisur në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe, pas kësaj, protestuesit do të ecin deri te objekti i Qeverisë së Kosovës.

Për 1 Maj, edhe Sindikata e Re e KEK-ut organizon protestë, e cila do të mbahet në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Gjithashtu, në orën 12:00, Kolektivi Feminist, Qendra Sociale “Përpjekja” si dhe aktiviste/ë të pavarur, në koordinim me sindikatat e punëtorëve, organizojnë një marsh protestues për Ditën Ndërkombëtare të Punës në sheshin “Skënderbeu”.

Ka dështuar për herë të nëntë përfundimi i seancës konstituve

Bëhet e ditur se ka dështuar për herë të nëntë përfundimi i seancës konstitutive, përcjell albinfo.ch.

Kryesuesi i seancës, deputeti i LVV-së, Avni Dehari, ka propozuar që këtë herë votimi për kryeparlamentarin të bëhet i fshehtë.

Kjo është kundërshtuar nga të gjitha grupet parlamentare, përveç LVV-së.

Krasniqi: Situata nuk ka ndryshuar, PDK asnjëherë nuk i heziton dialogut me këdo

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit në detyrë, njëherit kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit, dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqit.

Takimi ka zgjatur rreth gjysmë ore.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas takimit me kryetarin e VV-së, Albin Kurtin, tha se situata nuk ka ndryshuar dhe se PDK asnjëherë nuk heziton dialogun me këdo.

“Unë jap propozime; i takon Kurtit,” tha shkurt Krasniqi, teksa shtoi se nuk pret ndonjë ndryshim në seancën e sotme.

Krasniqi tutje shtoi: “Në takim kam shkuar me i thënë zotëri: ndërroje kandidatin për ta zhbllokuar Kuvendin.”

Blerta Dodaj prezantoi një robot ujor në Harvard

Në një botë që ndryshon me shpejtësi, janë të rinjtë ata që shpesh janë në pararojë të inovacionit, guximit dhe vizionit për një të ardhme më të mirë, përcjell albinfo.ch.

Të shumtë janë të rinjtë shqiptarë që kanë sfiduar kufijtë dhe veten, duke dashur t’i flasin botës me arritjet e tyre.

Një shembull i tillë i guximit dhe përkushtimit është edhe Blerta Dodaj, studentja 21-vjeçare me origjinë shqiptare, e cila është pjesë e komunitetit të Harvardit dhe MIT-it, e cila, javën e shkuar, prezantoi në Harvard Innovation Labs idenë e krijimit të një roboti ujor me inteligjencë artificiale për të ulur nivelin e ndotjes në ujëra.

Koncepti i idesë së Blertës, CleanWatts AI, konsiston në krijimin e një roboti ujor autonom, i pajisur me inteligjencë artificiale, sensore multispektralë dhe krahë robotikë të dizajnuar për të pastruar ujërat.

Hiqen kontrollet kufitare mes Shqipërisë dhe Kosovës

Sot rikthehet marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila parashikon lehtësimin e procedurave kufitare për veturat me targa të të dy shteteve, përcjell albinfo.ch.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, nga sot nuk do të kryhen kontrolle kufitare, duke mundësuar lëvizje të shpejtë dhe të pakufizuar, përcjell albinfo.ch.

Udhëtarët që e frekuentojnë këtë pikëkalim me Shqipërinë në Vërmicë do të kalojnë pa pengesa. Marrëveshja e lëvizjes së lirë, e nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë në pranverën e vitit të kaluar, shmangu trafikun dhe lehtësoi lëvizjen kufitare gjatë sezonit veror.

Edhe këtë sezon, lehtësimi i procedurave do të zbatohet gjatë nëntë muajve të vitit, konkretisht nga 1 maji deri më 30 shtator, dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt të vitit pasardhës.

Për të përballuar fluksin e shtuar të udhëtarëve, autoritetet kufitare në të dyja vendet kanë angazhuar të gjitha sportelet në dispozicion, me qëllim që të shmangin pritjet e gjata dhe të garantojnë kalim sa më të shpejtë dhe efikas.

Sot përpjekja e nëntë për ta konstituuar Kuvendin

Deputetët do të mblidhen sot për herë të nëntë në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin, përcjell albinfo.ch.

Edhe të martën, Lëvizja Vetëvendosje dështoi për herë të gjashtë t’i sigurojë votat për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.

E kjo e fundit, pas seancës, deklaroi se shpreson në “reflektim të opozitës”.

Krasniqi i shkon Kurtit në takim, cilat do të jenë rezultatet?

Memli Krasniqi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, i ka shkuar sot në takim Albin Kurtit, kryeministrit në detyrë, pas ftesës që i kishte dërguar për të diskutuar rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Përveç Krasniqit, Kurti në takim e ka ftuar edhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, por ai nuk do të jetë i pranishëm, pasi është jashtë shtetit.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, për Klankosova.tv dje ka pohuar se nuk do të marrin pjesë si subjekt politik dhe se Abdixhiku nuk është në Kosovë.

Përmbajtja e ftesës së Kurtit nisi “me qëllim konstituimin e Kuvendit”, duke përfunduar tek ideja e zgjedhjes së nënkryetarëve.

Më 29 prill, Kuvendi i Kosovës pati tentativën e tetë për konstituimin e Kuvendit – Albulena Haxhiu nuk mori votat për kryeparlamentare për të gjashtën herë.

Lëvizja Vetëvendosje po ngul këmbë në kandidaturën e saj, ndërkohë që partitë opozitare refuzojnë t’i japin votën. Ato kërkojnë një emër konsensual – ashtu siç dikur kishte kërkuar edhe Albin Kurti në kohën e PAN-it.

Muaji maj, muaji i festivaleve për SH.K.A “Dardania” në Winterthur

Se festivalet për këtë qendër kulturore tash e tridhjetë vjet, janë çelësi i sukseseve, tregon edhe ky vit me paraqitjen e tyre, në thuaja se katër festivale vetëm në muajin maj të këtij viti.

Ata me përkushtimin më të madhë kanë planifikuar edhe agjendën për vitin që po vijon, dhe që nga 02-04 maj, me ftesën e SH.K.A “Malësori” nga Gjonaj i Prizerenit, do të marrin pjesë me kryetarin  e saj si i ftuar me rastin e 50 vjetorit të themelimit të kësaj shoqërije hasjane, njëherit edhe 36 vjetorin e festivalit “Hasi Jehon”, ku shoqëria kulturore – artistike Dardania, kishin marrë pjesë disa here, qoftë si musafirë apo edhe në konkurim, si në vitin 2012, ku kishin marrë çmimin e parë dhe tri çmime tjera vlerësuese nga juria, duke mos e përjashtua edhe vitin e kaluar, ku morën çmimin e publikut, edhe pse meritonin edhe më shumë, por për ta çmimi i publikut ishte më se i vlerësuari!

Falë një bashkëpunimi që kemi, me thuaja se të gjitha festivalet në trojet tona, shoqëria kulturore – artistike Dardania, ishte edhe në festivalin kombëtar të Gjirokastrës me paraqitjen e saj në vitin 2015, e mos të flasim si vëzhguese e saj që nga vitit 2009. Por jo vetëm kaq ajo ka marrë pjesë edhe në shumë festivale tjera si “Lulekuqet e prillit” në Dardanë – Kamenicë,  po ashtu me veshje më autentike dhe tekste më të mira të këngëve!

Në vijim do ti shpalosim projektet e  festivaleve,  që do të mbahen gjatë muajit maj, ku potencoj vet udhëheqësi artistik i kësaj qendre kulturore, z. Shefqet Cakolli!

FESTIVAL NDËRKULTUROR – Kulturat prezentohen – edhe me ushqime (Foodtrucks)

17.maj 2025 / 15:00-18:00, Neumarkt, 8400 Winterthur

Valle nga Afrika, Greqia, Meksika, Ukraina, nga treva të ndryshme Shqiptare dhe kultura të tjera – së bashku festojmë larminë kulturore edhe përmes shijimit të ushqimeve tradicionale. Ju ftojmë të merrni pjesë, të shijoni performancat dhe, nëse dëshironi, të bashkoheni me ne në vallëzim.

16:00 – 16:30 Uhr – Shoqëria Kulturore – ArtistikeDardania 

Shoqëria Kulturore-Artistike “Dardania” u themelua në vitin 1994 në Winterthur, me qëllim zhvillimin dhe promovimin e aktiviteteve kulturore në fushat: vallëzim, këngë/muzikë, teatër, moderim, radio, ruajtje të trashëgimisë kulturore dhe ndërtimin e urave lidhëse mes kulturave të ndryshme. Në qendër të veprimtarisë është kultivimi i vallëzimit popullor shqiptar nga të gjitha trevat shqipfolëse (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Itali (Arbëreshët), Greqi (Çamëria), Mal i Zi, etj. Udhëheqëse të grupeve të vallëzimit janë: Arbnore Cakolli, Besiana Shoshi dhe Dhurata Cakolli.

Kryetar i Shoqërisë: Shefqet Cakolli (079 672 41 82)

Punonjëse sociale: Lena Kqiku (076 575 88 81)

www.dardania95.ch, [email protected] ose [email protected]

 

ALL EYES ON YOU! në Winterthur | Vallëzim

17.05.25, ora 19.00,                                                            Theater am Gleis, Untere Vogelsangstr. 3, 8400 Winterthur,

Vallëzimet janë me një hyrje prej 25 Fr.-, nga organizatori!

Nxënësit e vallëzimit nga aha!-Studio për valle dhe lëvizje, Qendra e vallëzimit Winterthur, Dance Gallery Effretikon, Studio vallëzimi Borak, Flamenco Al Golpe, Rock’n’Roll Club DAMO, Shoqëria Kulturore-Artistike DARDANIA, BALANCE Studio vallëzimi, Vallëzime – dhe  Balet-shkola e  Elvira Müller, Shkola e vallëzimit  Mermelstein dhe Teater vallëzim Heidi J.M. Roth do të sjellin atmosferën e Festivalit të Vallëzimit në skenën e Theater am Gleis.

Në ALL EYES ON YOU! do të shfaqen stile të ndryshme vallëzimi: Rock’n’Roll, Modern, Step, vallëzim bashkëkohor, vallëzime të trevave shqiptare, Hip Hop dhe Flamenco. Valltarët do të tregojnë çfarë kanë përgatitur dhe do të ndajnë pasionin e tyre me publikun.

Bileta e Festivalit të Vallëzimit (pass për të gjitha aktivitetet) mund të blihet paraprakisht në: www.dastanzfest.ch/winterthur/tickets/ si dhe në arkën e mbrëmjes të ALL EYES ON YOU! Për shkak të numrit të kufizuar të vendeve, rezervoni bileta shtesë përmes Eventfrog (nuk ka pagesë shtesë). Arka hapet 30 minuta para fillimit të shfaqjes.

Për kontakte nga :  www.dardania95.ch, Lena Kqiku (076 575 88 81)

Prezantohen veshjet tradicionale në një Universitet të Londrës

Bëhet e ditur se në ambientet e Universitetit të Westminster-it në Londër u zhvillua, për herë të parë, një aktivitet i kushtuar kulturës, artit popullor, traditave dhe trashëgimisë shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Mund të jetë një imazh i 4 persona dhe persona duke studiuar

Shoqata e Grave Britaniko-Shqiptare (British-Albanian Women Association), në bashkëpunim me Fondacionin “Tradita Popullore”, Universitetin e Westminster-it dhe Agjencinë Kombëtare të Diasporës organizuan këtë aktivitet kaq kuptimplotë.

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti

Pjesëmarrja e bashkëatdhetarëve nga Shqipëria dhe Kosova, e shoqatave shqiptare në Londër, e studiuesve të huaj të artit dhe kulturës shqiptare, si dhe e përfaqësuesve të Ambasadës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, i dha këtij eventi një dimension të veçantë dhe të pasur.

Shpresë e re për pacientët me kancer – një ilaç që mund të shmangë operacionin

Një përparim i jashtëzakonshëm në mjekësi po ngjall shpresë për shumë pacientë me kancer në fazë të hershme. Një studim i fundit, i publikuar në revistën prestigjioze New England Journal of Medicine, tregon se imunoterapia me ilaçin dostarlimab ka qenë aq efektive, sa për disa pacientë nuk është dashur më as operacioni.

Në këtë studim, që u zhvillua në Qendrën e Kancerit Memorial Sloan Kettering në New York, 82 nga 103 pacientë reaguan aq mirë ndaj ilaçit, sa tumori u zhduk dhe operacioni u bë i panevojshëm.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto rezultate duhet të shihen me kujdes. Studimi përfshiu pacientë me lloje të ndryshme kanceri dhe u fokusua në një grup të veçantë që kishte një mutacion gjenetik të njohur si “defekti i riparimit të mospërputhjes” – një anomali që ndodh vetëm në një përqindje të vogël të pacientëve.

Një nga rastet më mbresëlënëse ishte ai i 49 pacientëve me kancer të rektumit, të cilët, pas gjashtë muajsh trajtim me imunoterapi, nuk kishin më nevojë për kirurgji. Tumoret u zhdukën dhe shumica mbetën pa kancer edhe dy vjet më vonë. Disa prej tyre madje arritën të bëhen prindër – diçka që nuk do të ishte e mundur nëse do t’u ishin nënshtruar ndërhyrjeve tradicionale.

“Është një mrekulli moderne. Pacientët tanë jo vetëm që shmangën operacionin, por edhe ruajtën cilësinë e jetës së tyre,” tha Dr. Luis Diaz, një nga udhëheqësit e studimit.

Ndërsa studimi vazhdon dhe përfshin gjithnjë e më shumë pacientë, shpresat janë që kjo terapi të bëhet pjesë e standardit të trajtimit për disa lloje kanceri.

“Imagjinoni një të ardhme ku diagnoza e kancerit nuk do të thotë më humbje e organeve jetike apo ndryshime drastike në jetën e përditshme. Për disa pacientë, kjo tashmë është realitet,” përfundoi Dr. Andrea Cherchek, një nga studiueset kryesore.

Finlanda ndalon përdorimin e telefonave në shkolla

Në një përpjekje për të rikthyer përqendrimin dhe mirëqenien në klasat e saj, Finlanda ka miratuar një ligj të ri që vendos kufizime të rrepta për përdorimin e telefonave celularë nga nxënësit gjatë orëve të mësimit.

Duke filluar nga 1 gushti 2025, nxënësit finlandezë nuk do të mund të përdorin më pajisjet e tyre mobile pa një arsye të fortë – për shembull, për nevoja shëndetësore ose për qëllime të qarta mësimore – dhe gjithmonë me miratimin e mësuesit. Ligji u jep stafit të shkollës autoritetin për të konfiskuar çdo pajisje që ndërpret mësimin.

Shkollat tani janë të detyruara të hartojnë rregulla të qarta për përdorimin dhe ruajtjen e celularëve, si gjatë orëve të mësimit, ashtu edhe në pushime apo gjatë vakteve.

Kjo masë vjen si reagim ndaj shqetësimeve në rritje mbi ndikimin negativ që telefonat kanë tek fëmijët – përfshirë uljen e vëmendjes, dëmtimin e vetëbesimit dhe varësinë nga ekranet. Me këtë vendim, Finlanda rreshtohet krah vendeve të tjera evropiane që kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm, si Danimarka, e cila më herët këtë vit i cilësoi telefonat si “pushtues dixhitalë” të klasave.

Shpresa e autoriteteve është e qartë: më pak shpërqendrim, më shumë mësim dhe një klimë më e shëndetshme mendore për nxënësit.

Një makth i ri teknologjik: Njerëzit mund të akuzohen për krime që nuk i kanë kryer

Përfytyroni një botë ku nuk jeni të sigurt as për atë që shihni me sytë tuaj. Jo, nuk është një episod i “Black Mirror” – është realiteti ynë gjithnjë e më i afërt.

Teknologjia e njohur si deepfake, e cila dikur dukej si një lodër e sofistikuar për argëtim në rrjet, po kthehet në një kërcënim serioz. Fillimisht, ajo u përdor për të imituar fytyrat e njerëzve në video të ndryshme, shpesh për qëllime të dyshimta – si për shembull në përmbajtje pornografike, ku vajza të pafajshme shfaqen pa dijeni e pa faj si protagoniste.

Por tani rreziku ka marrë një dimension të ri.

Imagjinoni një kandidat politik që, pak ditë para zgjedhjeve, “filmohet” duke thënë gjëra të papranueshme. Kur zbulohet se gjithçka ishte e fabrikuar, është tepër vonë – dëmi është bërë.

E njëjta teknologji mund të përdoret edhe për të manipuluar provat në hetime penale. Një video e rreme, ku një person shihet në vendin e një krimi, mund të jetë arsye e mjaftueshme për ta çuar në burg. Avokati Jerry Buting paralajmëron: nëse nuk jemi të kujdesshëm, njerëz të pafajshëm do të mbajnë përgjegjësi për krime që kurrë nuk i kanë kryer, përcjell albinfo.ch.

Kamerat janë kudo – nëpër rrugë, ndërtesa, madje edhe në shtëpitë tona. Por kur pamjet mund të manipulohen me lehtësi, siguria që dikur mendonim se na ofronin ato shndërrohet në frikë.

Ekspertët e sigurisë dixhitale bien dakord: deepfake është një nga format më të rrezikshme të krimit kibernetik që po përhapet me shpejtësi marramendëse. Çdo ditë që kalon, bëhet më vështirë të dallosh të vërtetën nga mashtrimi.

Ish-drejtoresha e Sigurisë së Informacionit në Shtëpinë e Bardhë, Teresa Payton, paralajmëron se kjo teknologji mund të përdoret për të krijuar konfuzion, frikë dhe destabilitet social.

Ajo që deri dje dukej si trillim fantastiko-shkencor, sot është një rrezik real. Dhe nëse nuk ndërmerren hapa të mençur për ta kontrolluar, nesër mund të jetë tepër vonë.

 

Hakerët kërcënojnë të publikojnë gati një miliard fjalëkalime të përdoruesve të TikTok

Një grup hakerash, që operon nën emrin R00TK1T ISC CYBER TEAM, ka kërcënuar se do të publikojë fjalëkalimet e gati një miliard përdoruesish të TikTok. Ata pretendojnë se kanë vjedhur rreth 972 000 fjalëkalime dhe i kanë paralajmëruar përdoruesit se, nëse nuk marrin përgjigje nga TikTok, ato do të bëhen publike, përcjell albinfo.ch.

Grupi ka theksuar se ka tentuar të kontaktojë platformën dhe Bytedance, por pa marrë asnjë përgjigje, çka i ka shtyrë të ndërmarrin këtë hap.

Përgjigja e TikTok dhe e ekspertëve të sigurisë është se këto pretendime mund të jenë të rreme. Sipas Cybernews, kërcënime të ngjashme shpesh kanë prekur edhe platforma të tjera dhe mund të jenë përpjekje mashtruese që çojnë në dezinformatë.

TikTok, që ka më shumë se një miliard përdorues globalisht, ka theksuar se mund të ketë të dhëna të vjetruara në këto pretendime.

Shteti evropian që po u kërkon qytetarëve të kursejnë energjinë elektrike

Qeveria holandeze ka nisur një fushatë të re ndërgjegjësuese, duke u kërkuar qytetarëve që të reduktojnë përdorimin e energjisë elektrike në orët e mbrëmjes, nga ora 16:00 deri në 21:00, kur konsumi zakonisht arrin nivele të larta për shkak të kthimit të njerëzve në shtëpi pas punës.

Fushata, e titulluar “Flip the Switch Too”, synon të ulë ngarkesën në rrjetin elektrik, i cili aktualisht është nën presion për shkak të kërkesës së lartë. Sipas Ministrisë së Klimës dhe Rritjes së Gjelbër, rrjeti po përballet me sfida serioze, ndërkohë që po punohen përmirësime të infrastrukturës, përfshirë instalimin e kabllove më të fuqishme – por këto ndërhyrje kërkojnë kohë.

Zyrtarët paralajmërojnë se, nëse nuk merren masa, mund të ketë pasoja si ndërprerje të energjisë, vonesa në lidhjen e zonave të reja me rrjetin dhe pengesa për kompanitë që kërkojnë energji shtesë për zhvillim.

“Presioni mbi rrjetin energjetik po shkakton probleme reale për bizneset dhe komunitetet,” thekson ministria. “Ndërkohë që konsumatorët individualë ende nuk ndiejnë ndikim të drejtpërdrejtë, pasojat afatgjata janë të konsiderueshme.”

Fushata nuk kërkon ndalimin total të konsumit të energjisë në orët e pikut, por nxit zhvendosjen e aktiviteteve intensive në kohë të tjera – si larja e rrobave, tharja apo karikimi i automjeteve elektrike – duke lënë orët e pikut për përdorim më të lehtë, si ndriçimi LED apo gatimi.

Fushata do të zgjasë nga 28 prilli deri më 22 qershor dhe synon veçanërisht qytetarët e moshës 18 deri në 59 vjeç, me theks të veçantë tek të rinjtë, përmes kanaleve të mediave sociale.

Sulmet seksuale në taksi: një fenomen i nënvlerësuar në Zvicër

Një drejtues taksie u dënua të mërkurën nga Gjykata Penale e Lozanës me 24 muaj burg, prej të cilëve 9 me kusht, për sulm seksual dhe shtrëngim. Në nëntor 2023, ai sulmoi një grua që po e çonte në shtëpi natën. Ky rast ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në taksi.

Atë natë nëntori, Lara (emër i ndryshuar) mori një taksi për t’u kthyer në shtëpi pas një vizite në tregun e Krishtlindjeve në Lozanë. Pak metra larg shtëpisë së saj, shoferi devijoi rrugën në një rrugicë të fshehur, uli sediljen e saj dhe e sulmoi.

“Nuk e kuptoja çfarë po ndodhte, isha në panik. U paralizova. Ai filloi të më prekte dhe të më puthte. U ngjit mbi mua. I thashë: ‘Jo, po shkoj në shtëpi, më lër të iki. Mendova se do të vdisja’”, rrëfeu Lara në RTS, transmeton albinfo.ch.

Ajo arriti të çlirohej dhe të arratisej. Po atë mbrëmje bëri një kallëzim penal. Falë një fotoje të targës që pati arritur të bëjë, autori u identifikua. Pas dy vitesh procedurë, ai u dënua me 24 muaj burg (9 me kusht) dhe u urdhërua të paguante 8,000 franga dëmshpërblim moral. Licenca e tij u hoq.

Megjithëse dënimi e ka qetësuar disi Larën, trauma mbetet. “Nuk marr më kurrë taksi. Nuk dal më natën. Kam sulme paniku, më duket sikur nuk marr frymë. Djersitem dhe mendoj se do të fikem. Kam shumë frikë, sidomos kur ka grupe burrash përreth. Edhe ditën më kap frika,” rrëfen ajo.

Raste të përsëritura

Për të kuptuar nëse ky rast është i izoluar apo pjesë e një fenomeni më të përhapur, zyra e RTS në kantonin Vaud analizoi disa raste të bujshme në Zvicrën frëngjishtfolëse.

Megjithëse policia e Lozanës ka marrë pak kallëzime vitet e fundit, avokatja e viktimës, Sarah Meyer, tha të enjten për La Matinale se shumë raste nuk raportohen. “Shumë viktima nuk guxojnë të kallëzojnë, qoftë sepse nuk e dinë kush ishte sulmuesi, apo sepse nënvlerësojnë atë që ndodhi,” tha ajo.

Meyer thekson se nëse do të pyeteshin gratë në përgjithësi, shumë prej tyre do të rrëfenin përvoja të pakëndshme me taksi.

Dëshmitë e mbledhura nga RTS në qendër të Lozanës një mbrëmje të së shtunës e konfirmojnë këtë tendencë. Nga dhjetëra gra të pyetura, gjysma thanë se kishin pasur përvoja negative ose të sikletshme. Njëra prej tyre tregoi se shoferi i dërgonte mesazhe sa herë ndodhej pranë shtëpisë së saj, duke përdorur fjalë si “zemër” dhe duke i kërkuar të dilte.

Përgjegjësia e kompanive të taksive

Megjithëse disa viktima mendojnë të raportojnë sjelljet e papërshtatshme tek kompanitë, kjo shpesh nuk mjafton, sipas Sarah Meyer. Vetëm kallëzimi penal mund të trembë agresorin.

Kompania më e madhe në Vaud, Taxi Service Lausanne, me të cilën punonte edhe Lara, shpjegon se shpërndan porosi vetëm për shoferë të pavarur dhe nuk ka të drejtë t’i ndëshkojë ata. Megjithatë, ajo deklaron se gjurmon çdo automjet me GPS kur është e nevojshme.

Uber, nga ana tjetër, ofron masa shtesë sigurie. Shoferët janë më të identifikueshëm dhe ndjeken përmes aplikacionit, i cili përfshin një buton emergjence për raste sulmi.

Në Zvicër, shoferët e taksive rrallë detyrohen të ekspozojnë qartë identifikimin e tyre. Deri më tani, vetëm komunat Delémont dhe La Chaux-de-Fonds e kanë bërë këtë praktikë të detyrueshme.

Masat për mbrojtjen personale

Për klientët që ndihen të pasigurt, këshillohet të aktivizojnë vendndodhjen (GPS) dhe të qëndrojnë në kontakt me familjarët gjatë udhëtimit.

Në rast sulmi, mund të kontaktohet ndihma juridike falas dhe të bëhet kallëzim pa pagesë, për shembull, në zyrat e Qendrës Sociale Protestante (CSP).

 

4 votimet e mundshme për marrëveshjet Zvicër-BE

Qeveria zvicerane (Këshilli Federal) planifikon të paraqesë në Parlament katër vendime federale mbi marrëveshjet e reja me Bashkimin Evropian: një për stabilizimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe tre për zhvillimin e mëtejshëm në fushat e sigurisë ushqimore, energjisë elektrike dhe shëndetësisë, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, këto marrëveshje nuk mund të hyjnë në fuqi nëse paketa e stabilizimit refuzohet.

1. Paketa e stabilizimit përfshin tre aspekte:

Zhvillimi i mëtejshëm i marrëveshjeve ekzistuese në fushat e transportit ajror e tokësor, njohja e ndërsjellë e standardeve të produkteve, tregtia e produkteve bujqësore dhe lëvizja e lirë e njerëzve.

Futja e elementeve institucionale.

Rregullat për ndihmën shtetërore.

Ndër pikat më të diskutuara është klauzola mbrojtëse për lëvizjen e lirë, e cila, sipas Këshillit Federal, do të mund të aktivizohet në mënyrë të pavarur nga Zvicra në të ardhmen.

2. Marrëveshja për energjinë elektrike

Qëllimi është forcimi i sigurisë së furnizimit dhe stabilitetit të rrjetit, si dhe thjeshtimi i tregtisë me energji elektrike. Kjo marrëveshje do të integrojë operatorin zviceran të rrjetit në proceset evropiane dhe do të lejojë liberalizim të pjesshëm të tregut – duke i dhënë konsumatorëve mundësinë të zgjedhin ofruesin e tyre të energjisë. Marrëveshja nuk parashikon rregullore të reja mjedisore për Zvicrën.

3. Marrëveshja për sigurinë ushqimore

Qeveria ka theksuar nevojën për të reduktuar rreziqet nga produktet e falsifikuara ose të kontaminuara. Marrëveshja synon krijimin e një zone të përbashkët për sigurinë ushqimore me BE-në. Politikat bujqësore nuk do të harmonizohen dhe përjashtime të veçanta do të ruajnë standardet zvicerane.

4. Marrëveshja për shëndetësinë

Në rast krizash shëndetësore, si pandemia e koronavirusit, kjo marrëveshje do të forcojë bashkëpunimin me BE-në. Zvicra do të ketë qasje në mekanizmat evropianë të sigurisë shëndetësore dhe në Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve. Kjo do të përmirësojë aftësinë për paralajmërime të hershme dhe përgjigje ndaj krizave.