Një grup prodhuesish të frutave dhe perimeve në Zvicër ka depozituar një ankesë pranë Komisionit për Konkurrencë (Comco) kundër gjigantit të shitjes me pakicë Coop, duke e akuzuar për vendosjen e zbritjeve të detyruara që dëmtojnë rëndë sektorin bujqësor.
Sipas ankesës së paraqitur nga shoqata “Tregje të Drejta Zvicër”, Coop ka nisur të kërkojë nga furnitorët një tarifë shtesë deri në 3% të xhiros, e prezantuar si “bonus”, duke ulur fitimet e prodhuesve lokalë. Kjo masë, e cila nisi në maj me 1% në disa rajone, do të zgjerohet në gjithë vendin nga janari 2026, transmeton albinfo.ch.
Përfaqësues të fermerëve paralajmërojnë se humbjet për sektorin pritet të arrijnë 8 milionë franga vetëm vitin e ardhshëm. Ata e konsiderojnë këtë si presion të padrejtë ekonomik, në një kohë kur bujqësia po përballet me sfida serioze.
Ndërkohë, Coop e mohon akuzën për abuzim dhe thotë se skema e re rrit efikasitetin dhe sjell përfitime në planifikim për furnitorët.
Komisioni për Konkurrencë pritet të nisë hetimin mbi këtë rast.





