Me këngë e valle tradicionale, kryeministri Rama pret në shesh liderët pjesëmarrës në Samit

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ndodhet në sheshin “Skënderbej” për të mirëpritur liderët e vendeve evropiane, të cilët do të marrin pjesë në Samit ditën e sotme.

Edhe pse moti nuk është i favorshëm, nuk kanë munguar këngët dhe vallet tradicionale në shesh.

Liderët e 47 vendeve dhe organizatave evropiane janë mbledhur ditën e sotme për një samit njëditor në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, për të diskutuar sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë kontinentin, me agresionin e plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në krye të agjendës.

Vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se në Samitin e Komunitetit Politik Evropian do të bisedohet edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Në samit, i cili mbahet nën moton “Evropa e re në një botë të re: unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”, do të diskutohet edhe për mënyrat për ta përmirësuar konkurrueshmërinë e kontinentit dhe për të përballuar emigracionin e paautorizuar.

Samiti, ku gjithashtu marrin pjesë liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, zhvillohet në një kohë kur Ukraina dhe Rusia pritet të mbajnë bisedimet e para për paqe që nga ditët e para të konfliktit.

Tema të tjera që pritet të diskutohen në këtë samit përfshijnë sigurinë, demokracinë dhe emigracionin. Kosovën në këtë samit e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.

Zbardhet Thethi, rikthehen reshjet e dëborës

Rikthehen reshjet e borës në aksin Bogë-Theth në Shkodër, të pazakonta për këtë periudhë të vitit kur data shënon 16 maj, përcjell albinfo.ch.

Aktualisht nga moti i përkeqësuar në 24 orët e fundit ka një shtresë të hollë bore dhe për momentin rruga është e kalueshme për automjetet.

Aktualisht rruga e Thethit vijon që të jetë pa mirëmbajtje për shkak të ankimimit që kanë bërë firmat ndaj njëra-tjetrës. Në orët në vazhdim në rast se bora ngrihet duke u kthyer në akull mund të sjellë vështirësi për automjetet që lëvizin në atë aks.

Përveç borës, në disa pjesë rruga e Thethit ka edhe rënie gurësh.

Video – https://www.instagram.com/reel/DJtRvIhhQk2/?igsh=MWxmcjV2aHVjMTExcg==

Bora mbulon disa fshatra të Kosovës në mes të pranverës

Në mesin e muajit maj, reshje bore janë shënuar sot në bjeshkët e Strellcit, në komunën e Deçanit, përcjell albinfo.ch.

Pamjet nga terreni tregojnë shtresa bore mbi tokë, ndonëse pranvera është në kulmin e saj.

Reshjet e borës në këtë periudhë janë të pazakonta për këtë rajon, por jo të paprecedentë në lartësitë malore, ku temperaturat vazhdojnë të jenë më të ulëta, veçmas  ato të Dukagjinit. 

Ndërkohë, moti i paqëndrueshëm ka përfshirë disa zona malore të Kosovës, duke sjellë reshje të shiut dhe borës.

https://www.facebook.com/share/v/193eUjQzeu/?mibextid=wwXIfr

Hapet klasa e gjuhës shqipe në Oberriet të Kantonit të St. Gallenit

Përpjekjet tona për të hapur sa më shumë pika shkollore, në mënyrë që fëmijët shqiptarë në Zvicër ta kenë më afër mësimin në gjuhën amtare, janë pjesë e misionit tonë për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare. Pavarësisht nëse jemi në fillim apo në fund të vitit shkollor, për ne kjo ka pak rëndësi, sepse misioni ynë vazhdon pandalshëm: t’i shërbejmë gjuhës shqipe dhe atdheut tonë.

Hapja e një pike të re shkollore është gjithmonë një lajm i rëndësishëm, sepse mësimi i gjuhës amtare në mërgatë ka një vlerë të veçantë. Këtë javë, një lajm i tillë gëzoi disa prej fëmijëve shqiptarë në Oberriet të kantonit të St. Gallenit, ku u hap zyrtarisht pika shkollore shqipe. Ajo hapi dyert për fëmijët shqiptarë të kësaj qyteze, duke krijuar një hapësirë të re për mësim dhe përjetim kulturor në gjuhën e nënës.

Me të drejtë, poeti ynë kombëtar Filip Shiroka thoshte: “Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb i qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet.”

 

Nxënësit e Shkollës Shqipe në Oberriet të Kantonit të St. Gallenit, gjatë një ore mësimore me mësuesen Albulena Hasani

 

Mësimi nis zyrtarisht në klasën e re shqipe në Oberriet

Pas disa takimeve e përpjekjeve me prindërit shqiptarë, të enjten u zhvillua ora e parë mësimore në pikën e re shkollore në Oberriet, duke iu mundësuar fëmijëve shqiptarë të këtij vendbanimi të mësojnë rregullisht në gjuhën shqipe. Nxënësit Maliki, Besoni, Arbëri, Leonisi, Lyesi, Darisi, Leani, Ilani, Diari, Aniku, Alina, Ledioni, Dioni, Dionisi dhe të tjerë që pritet t’u bashkohen në ditët në vijim, u shfaqën të entuziazmuar që më në fund do të mësonin në gjuhën e tyre amtare.

Me këtë rast, ftojmë prindërit shqiptarë të kësaj zone që t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe në Oberriet. Mësimi zhvillohet çdo të enjte, nga ora 16:00 deri në 18:00.

Nxenesit-e-Shkolles-Shqipe-ne-Oberriet-te-Kantonit-te-St.-Gallenit-gjate-nje-ore-mesimore-me-mesuesen-Albulena-Hasani.jpg.webp

Klasa që “flet” shqip dhe përhap buzëqeshje shqip

Klasa e shkollës shqipe në Oberriet tashmë ka filluar të “flasë” shqip, të “gëzohet” shqip dhe të përjetojë buzëqeshjet e fëmijëve që, përmes shkronjave të shqipes, mësojnë gjuhën e të parëve të tyre.

Zvicra është shndërruar në një model të përkushtimit të mërgatës, falë veprimtarëve të palodhur si z. Vaxhid Sejdiu. Në bashkëpunim me prindërit e kësaj qyteze dhe mësuesen Albulena Hasani, ata arritën të shtojnë edhe një klasë të re në rrjetin e pikave shkollore shqipe. Kjo dëshmon se aty ku ka përkushtim, nuk mungojnë as rezultatet.

“Shkolla Shqipe” në Zvicër është krenare për punën e palodhur të prof. Vaxhid Sejdiut, i cili vazhdimisht dëshmon se është një promotor i denjë i vlerave kombëtare dhe në shërbim të arsimit në gjuhën shqipe.

Gjuha shqipe në duart e këtyre vogëlushëve është dhurata më e bukur e vitit shkollor.

Gjuha shqipe, dhurata më e bukur për këta fëmijë

Mësuesja Albulena Hasani u shpërndau nxënësve edhe librat mësimorë, të cilët janë falas dhe sigurohen nga institucionet tona. Ky është një rezultat i punës së përbashkët dhe i angazhimit vullnetar të veprimtarëve që sakrifikojnë kohë dhe mjete materiale, sepse edhe organizimi i takimeve dhe konsultimeve me prindërit ka koston e vet.

Në katër-pesë vitet e fundit jemi dëshmitarë të hapjes së dhjetëra pikave shkollore në mbi njëzet kantone të Zvicrës, një rrugëtim që dëshmon përkushtim të jashtëzakonshëm atdhetar dhe sakrificë.

Shembulli i prof. Vaxhidit është një frymëzim për të gjithë ata që angazhohen në emër të arsimit dhe veprimtarisë kombëtare. Siç ka shkruar edhe akademiku Idriz Ajeti: “Gjuha nuk është vetëm thesari i kulturës sonë, por edhe mjet i fortë për mbrojtjen e etnisë shqiptare.”

Sektori për Informim
Shkolla Shqipe në Zvicër

Performanca mahnitëse e Gjon’s Tears në mbrëmjen e dytë të Eurovision 2025

Artisti shqiptar Gjon’s Tears dhuroj një super performnacë në mbrëmjen e dytë të Eurovision 2025, i cili ishte mysfair special i këtij edicioni pas triumfit më të hershëm në këtë festival, shkruan albinfo.ch.

Tashmë i konsideruar si përfaqësuesi i Zvicrës,  ai mori pjesë si i ftuar special mbrëmë në gjysmëfinalen e dytë të Festivalit të Këngës Eurovision 2025, ku përveç ngjyrave të zërit të tij që këmbuan në sallën e madhe të Bazelit, ai dhuroj edhe një paraqitje skenike me zjarrin nga pallto e tij në sfondin e errësirës. /Albinfo.ch

 

I riu nga Kosova zgjedhet lojtari më i mirë i klubit italian Udineze

Quhet Nart Halimi dhe ka një talent të jashtëzakonshëm në fushën e gjelbërt që e bën të dallohet nga lojtarët e tjerë në klubin e tij si dhe me kundërshtarët, transmeton albinfo.ch.

Së fundmi, klubi futbollistik italian Udineze ka zgjedhur pikërisht Nart Halimin si lojtari më i mirë në Turnirin e fundit që u mbajt në Itali.

Vlen të theksohet se ai rrjedh nga nje familje kosovare nga Dobratini i Podujevës.

22-vjeçarja nga Kosova në listën e ngushtë për çmimin global “Cybersecurity Woman of the Year 2025”

Dredhza Braina nga Prishtina ka arritur të kapërcejë kufijtë dhe të bëhet një nga emrat më premtues në fushën globale të sigurisë kibernetike, transmeton albinfo.ch.

Ajo është përzgjedhur në listën e ngushtë për çmimin prestigjioz Cybersecurity Woman of the Year Awards 2025, organizuar nga United Cybersecurity Alliance.

Ky vlerësim shënon një arritje historike, jo vetëm për Dredhzën personalisht, por edhe për përfaqësimin e Kosovës në një skenë ku konkurrenca është ndërkombëtare dhe niveli jashtëzakonisht i lartë.

Me pasion, përkushtim dhe një kuriozitet të pashuar për teknologjinë dhe mbrojtjen digjitale, Dredhza është bërë një zë i fuqishëm në një fushë që tradicionalisht ka qenë e dominuar nga figura më të rritura dhe me vite përvojë.

“Ky moment është shumë i rëndësishëm për mua. Është një vlerësim i pasionit, përkushtimit dhe qëllimit që më shtyn çdo ditë në rrugën time në fushën e sigurisë kibernetike,” ka deklaruar ajo në një postim ku ndan emocionin e përzgjedhjes në listën e ngushtë për këtë garë.

Për Dredhzën, siguria kibernetike është më shumë se profesion. Është një mision dhe mënyrë jetese për të kontribuar në një botë më të sigurt digjitale.

Ajo falënderoi organizatorët, Carmen Marsh dhe ekipin e Cybersecurity Woman of the Year, për njohjen e punës dhe kontributit të saj në këtë fushë kaq strategjike.

Me këtë sukses, Dredhza Braina jo vetëm që ngre më lart emrin e saj, por frymëzon të gjithë brezin e ri të profesionistëve shqiptarë, veçanërisht vajzat e reja, që ëndërrojnë të lënë gjurmë në teknologji dhe inovacion.

Rezultatet përfundimtare të çmimit priten në muajt në vijim, por për Dredhzën, ky është veçse fillimi i një rruge të jashtëzakonshme.

Ndryshe, Dredhza e ka përfunduar Fakultetin e Inxhinierisë Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin e kaluar, ajo ka qenë dy herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka prezantuar punën e saj para ekspertëve të fushës.

Për momentin, 22-vjeçarja nga Prishtina punon si eksperte e sigurisë kibernetike në specializimin Threat Researcher në një kompani amerikane. /albinfo.ch

Çfarë ndodh me trupin tuaj kur flini më pak se gjashtë orë?

Gjumi është shumë më tepër sesa një pushim nga dita. Është një domosdoshmëri për trupin dhe mendjen. Por çfarë ndodh nëse e lini veten pa të paktën 6 orë gjumë në natë? Shkenca ka disa përgjigje jo shumë të këndshme.

1. Trupi dehidrohet më lehtë

Në mungesë të gjumit, trupi e ka më të vështirë të ruajë ekuilibrin e lëngjeve. Kjo shpesh sjell lodhje të shpeshtë dhe ndjesi tharjeje. Nëse flini pak, sigurohuni të konsumoni më shumë ujë gjatë ditës.

2. Rreziku për shtim në peshë rritet

Kur nuk flini mjaftueshëm, balanca hormonale që kontrollon urinë dhe ngopjen prishet. Leptina (që na tregon kur jemi të ngopur) bie, ndërsa ghrelina (që na shton oreksin) rritet. Rezultati? Dëshirë më e madhe për ushqim dhe shtim i mundshëm në peshë.

3. Lëkura juaj plaket më shpejt

Gjumi i pamjaftueshëm dëmton rigjenerimin e qelizave të lëkurës. Me kalimin e kohës, kjo shfaqet në formën e rrudhave dhe lëkurës më të lodhur, pra plakje e parakohshme.

4. Kujtesa dhe përqendrimi dobësohen

Gjatë gjumit, truri përpunon informacionin dhe forcon kujtimet. Pa mjaftueshëm orë pushimi, kjo aftësi dëmtohet. Studimet tregojnë se vigjilenca dhe përqendrimi mund të bien deri në 32 për qind.

5. Zemra vihet në rrezik

Mungesa e gjumit është e lidhur ngushtë me presion të lartë të gjakut dhe inflamacion kronik. Nëse zgjat për një kohë të gjatë, rreziku për sëmundje të zemrës rritet ndjeshëm.

Studim: Orari i gjatë i punës ndikon negativisht në tru

Një studim i fundit nga Koreja e Jugut ka zbuluar se orët e gjata në punë nuk ndikojnë vetëm në trup, por lënë gjurmë të dukshme edhe në tru. Hulumtimi, i realizuar nga universitetet Chung-Ang dhe Yonsei, analizoi 110 punonjës të shëndetësisë, duke i ndarë në dy grupe: ata që punonin të paktën 52 orë në javë dhe ata me një orar standard.

Rezultatet ishin shqetësuese. Tek personat që punonin më shumë se zakonisht, studiuesit zbuluan ndryshime në strukturën e rajoneve të trurit që kontrollojnë mendimin dhe emocionet, një efekt i lodhjes së vazhdueshme dhe stresit të akumuluar.

Profesor Yun-Jul Choi, bashkautor i studimit, vëren se megjithëse truri ka potencial për t’u rikuperuar, ai ka nevojë për kohë dhe eliminimin e faktorëve stresues për t’u kthyer në gjendjen e tij të natyrshme.

Ky studim përforcon zbulimet e mëparshme që lidhin orët e zgjatura të punës me probleme serioze shëndetësore. Eksperti i shëndetit publik Frank Pega e quan këtë një dëshmi të re të rëndësishme, e cila duhet të shërbejë si alarm për qeveritë, punëdhënësit dhe vetë punëtorët.

Studiuesit nga Koreja theksojnë se, ndonëse studimi është në përmasa të vogla, ai mbështetet në matje të thella neurologjike dhe tregon drejtpërdrejt ndikimin rrënjësor të mbingarkesës në shëndetin mendor. Prandaj, ata i bëjnë thirrje institucioneve të mos injorojnë pasojat që mund të sjellin orët e tepërta të punës

Maqedoni: 457 viktima në aksidente trafiku gjatë tre viteve të fundit

Sipas një raporti të Revizionit për sigurinë rrugore, në periudhën 2022–2024 në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 31.176 aksidente trafiku, ku kanë humbur jetën 457 persona.

Vlerësimi tregon se masat e ndërmarra nga autoritetet kompetente nuk kanë qenë të mjaftueshme për të arritur objektivat e Strategjisë Kombëtare për Sigurinë në Trafikun Rrugor (2015–2020), përcjell albinfo.ch.

Pavarësisht aktiviteteve institucionale, efektiviteti në uljen e numrit të viktimave mbetet i ulët. Raporti rekomandon krijimin e një sistemi për monitorimin dhe vlerësimin e ndikimit të masave të zbatuara.

 

Eurovision 2025: Janë shpallur 26 finalistët, gara kulmon të shtunën në Basel

Janë zbuluar 10 finalistët e gjysmëfinales së dytë të Eurovision Song Contest 2025, pas natës së sotme spektakolare të mbajtur më 15 maj në Basel, Zvicër. Nga 16 shtete pjesëmarrëse, këto janë vendet që siguruan kalimin për në finalen e madhe, shkruan albinfo.ch.

Lituania

Izraeli

Armenia

Danimarka

Austria

Luksemburgu

Finlanda

Latvia

Malta

Greqia

Këtyre 10 vendeve do t’u bashkohen finalistët e përzgjedhur më 13 maj në gjysmëfinalen e parë, ku nga 15 shtete pjesëmarrëse kaluan në finale:

Islanda

Shqipëria

Polonia

Estonia

Ukraina

Suedia

Portugalia

Norvegjia

San Marino

Holanda

Kështu, lista e plotë e 20 finalistëve të përzgjedhur përmes dy gjysmëfinaleve është kompletuar.

Finalja e madhe: 26 shtete në garë për trofeun e Eurovizionit

Finalja e madhe do të zhvillohet të shtunën, më 17 maj, në qytetin e Baselit, në një nga netët më të pritura të muzikës evropiane. Në skenën përfundimtare do të ngjiten gjithsej 26 shtete: 20 të kualifikuar nga gjysmëfinalet dhe 6 vende të cilat kanë siguruar automatikisht vendin në finale.

Bëhet fjalë për të ashtuquajturat “Big Five” Spanja, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar si dhe Zvicra, si vend organizator i edicionit të sivjetshëm.

Finalja e këtij viti pritet të jetë një spektakël i vërtetë, me performanca madhështore, prodhim të nivelit të lartë dhe një garë të fortë mes këngëtarëve që përfaqësojnë diversitetin muzikor. Fansat dhe shikuesit nga mbarë bota do të kenë mundësinë të votojnë për këngën dhe performancën e tyre të preferuar, ndërsa Evropa do të kurorëzojë fituesin e ri të Eurovizionit.

 

HelloSafe shpall Shqipërinë destinacionin më të bukur për të vizituar në 2025

Shqipëria është vlerësuar si vendi më atraktiv për turizëm në vitin 2025 nga platforma ndërkombëtare HelloSafe. Në bazë të sigurisë, përballueshmërisë ekonomike, klimës dhe prani në mediat sociale, Shqipëria mori 75.8 pikë, duke lënë pas destinacione si Greqia dhe Kroacia.

Raporti vlerëson veçanërisht bregdetin e jugut, ku plazhet e Ksamilit dhe gjiri i Dafinës dalin si vende të paprekura dhe tërheqëse natyrore. Përveç bregdetit, lugina e Thethit në Alpet shqiptare rekomandohet për peizazhe magjepsëse dhe aventura në natyrë, transmeton albinfo.ch.

HelloSafe nënvizon se Shqipëria po bëhet një alternativë për udhëtarët që kërkojnë eksperienca autentike, larg turizmit masiv, me male të egra dhe natyrë të ruajtur mirë. Ky vlerësim forcon reputacionin ndërkombëtar të vendit si destinacion turistik në rritje dhe promovon zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

 

Çfarë lloj pune nuk ju lejohet të bëni në pronën tuaj zvicerane?

Është e vërtetë që këto rregulla janë shumë më të rrepta për qiramarrësit sesa për pronarët, por zotërimi i një prone nuk ju jep automatikisht të drejtën të bëni çfarë të doni me të, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Një avantazh i madh ndaj dikujt që merr me qira një vend është se ju nuk keni nevojë të kërkoni lejen e qiradhënësit për të rimodeluar ose rinovuar ndonjë dhomë të shtëpisë ose banesës suaj.

Për shembull, mund t’i lyeni muret me ngjyrën që dëshironi, të ndryshoni dyshemenë, të rregulloni rrjedhjet e thjeshta në rubineta ose tualete dhe në përgjithësi të trajtoni vetë përmirësimet dhe riparimet e vogla (përveç nëse keni dy duar të majta).

Por ka disa detyra që nuk duhet t’i ndërmerrni kurrë vetë, sepse ato duhet të kryhen nga specialistë.

Qëndroni larg rrymës dhe gazit

Çdo gjë që kërkon trajtimin e telave elektrikë ose linjave të gazit; punët e thelluara hidraulike, ndryshimet strukturore në mure ose punimet e çatisë (të tilla si riparimet ose instalimi i paneleve diellore), duhet të kryhen nga profesionistë të licencuar – edhe nëse mendoni se jeni plotësisht në gjendje t’i bëni të gjitha vetë.

Arsyet për këto kufizime janë të thjeshta dhe logjike.

Së pari, sepse trajtimi i linjave të energjisë elektrike ose gazit nga joprofesionistë është i mbushur me rreziqe të mundshme si goditjet elektrike, shpërthimet dhe zjarret.

E njëjta gjë vlen edhe për hidraulikun: nëse bëni diçka tjetër përveç një detyre të thjeshtë që nuk kërkon asgjë më shumë se fikja ose ndezja e valvulës së ujit, rrezikoni të plasni tubacionet dhe të përmbytni apartamentin tuaj (dhe të tjerë, nëse jetoni në një ndërtesë).

Një pasojë e këtij lloji të përpjekjeve DIY në punë që kërkojnë profesionistë të licencuar, është se sigurimi juaj nuk do të paguajë për çdo dëm që mund t’i shkaktoni pronës tuaj.

Ky është një shembull i përsosur i frazës “ju duhet të fajësoni vetëm veten”.

Po puna e jashtme?

Nëse zotëroni një shtëpi të vetme familjare, keni më shumë fleksibilitet për atë që mund ose nuk mund të bëni, veçanërisht kur bëhet fjalë për punën në oborr.

Por nëse doni të modifikoni pamjen e jashtme në çfarëdo mënyre, mund të kërkoni një leje ndërtimi për ta bërë këtë.

Nëse nuk jeni të sigurt nëse keni nevojë për leje dhe çfarë lloji, pyesni komunën tuaj.

Nëse zotëroni një apartament në një ndërtesë banimi, aftësia juaj për të vepruar sipas dëshirës në lidhje me pamjen e jashtme është edhe më e kufizuar.

Kjo sepse ju jeni të detyruar nga rregullat e shoqatës së pronarëve të shtëpive, të quajtura Stockwerkeigentum në gjermanisht dhe PPE në frëngjisht dhe italisht.

Në mënyrë tipike, çdo ndryshim në çatinë ose fasadën e ndërtesës, ose zona të përbashkëta brenda (si shkallët) si dhe hapësira e përbashkët jashtë, duhet të miratohen nga pronarët e tjerë.

 

 

Bananja, fruti më i rrezikuar nga ndryshimet klimatike

Në një botë që ngrohja globale po e përvëlon ngadalë, edhe fruti më i dashur i planetit po nis të venitet. Bananja, e ëmbla e përditshme e miliona njerëzve, po përballet me kërcënimin më të madh që nga ekzistenca e saj: klimën që po ndryshon pa mëshirë.

Një raport i ri nga organizata britanike Christian Aid, i transmetuar nga The Guardian, paralajmëron një të ardhme të zymtë: deri më 2080, tokat pjellore të Amerikës Latine dhe Karaibeve, djepi i bananes botërore, mund të shndërrohen në shkretëtira për këtë kulturë jetike. Temperaturat që rriten, stuhitë që nuk ndalen dhe sëmundjet që pushtojnë tokën janë kërcënime të padukshme, por të pamëshirshme, transmeton albinfo.ch.

Mbi 400 milionë njerëz varen nga ky frut për kalori të përditshme. Për ta, bananja nuk është thjesht një ushqim; është jetë, është mbijetesë. Por tani, kjo jetë po çahet. “Nuk kam më ç’të shes. Plantacioni im po vdes,” thotë Aurelia Pop Ho, një fermere 53-vjeçare nga Guatemala, me një dhimbje që s’ka nevojë për përkthim.

Lloji Cavendish, mbreti i bananes moderne, është i brishtë përballë një bote që po ndryshon më shpejt se sa mund të përshtatet. Klima e nxehtë dhe e lagësht, erërat që shqyejnë gjethet dhe kërpudhat që gërryejnë rrënjët mund të fshijnë nga harta plantacione të tëra.

Christian Aid kërkon një alarm global: ndaljen e menjëhershme të lëndëve fosile dhe përmbushjen e premtimeve ndaj popujve që vuajnë më shumë nga një krizë që nuk e shkaktuan ata. Sepse bananja është më shumë se një frut. Është një simbol i padrejtësisë klimatike që po godet të pafajshmit më të parët.

Mediat italiane: Asllani pritet të largohet nga Interi

Mesfusha e Interit mund të ndryshojë në edicionin e ardhshëm, ka njoftuar mediumi italian Tuttosport të enjten.

Dhe në mesin e këtyre ndryshimeve mund të jetë edhe mesfushori që përfaqëson Shqipërinë, Kristjan Asllani, bashkë me Henrikh Mkhitaryan dhe Davide Frattesi.

“Asllani është nën vëzhgim. Klubi ka pritur rritje të ndjeshme nga shqiptari i ri në moshë, sidomos në aspektin e personalitetit. Transferimi i tij është afër. Mund të ndodhë në formë huazimi, apo të përfshihet si pjesë e ndonjë shkëmbimi,” ka shkruar mediumi italian, transmeton albinfo.ch.

Mesfushori 23-vjeçar ka zhvilluar 33 ndeshje në të gjitha garat e edicionit aktual. Ai ka kontribuar me tri gola e dy asistime.

 

Bumi i investimeve të huaja në Zvicër në 2024

Ndërsa Evropa përpiqet të bindë investitorët e huaj, Zvicra bëhet gjithnjë e më tërheqëse.

Sipas një studimi të publikuar sot nga firma konsulente EY, projektet e investimeve të huaja direkte në Zvicër u rritën me pothuajse një të katërtën (+24,7%) me bazë vjetore në vitin 2024. Në terma numerikë, ato shkuan nga 89 në 111 në një vit, sipas një njoftimi për shtyp të sotëm. Kjo rritje duket se është pjesë e një tendence, pasi në vitin 2022 ishin 58, transmeton albinfo.ch.

Shtetet e Bashkuara kontribuuan ndjeshëm në rritjen e vitit të kaluar, me 27 projekte të regjistruara, që përfaqësojnë një rritje prej 69% dhe hapjen e 131 vendeve të punës. SHBA është tani investitori më i madh në Zvicër, pas Francës dhe Italisë. Kompanitë gjermane, nga ana e tyre, kanë marrë rrugën e kundërt, duke ulur në mënyrë drastike (-41%) numrin e projekteve në 14, me 123 vende pune të krijuara.

Kompanitë zvicerane nuk bëjnë përjashtim dhe po rrisin praninë e tyre në Kontinentin e Vjetër. Sipas Anketës Evropiane të Atraktivitetit, investimet zvicerane në Evropë u rritën me 4.7% në vitin 2024, duke arritur në 247 dhe duke krijuar 11,872 vende pune. Zvicra është investitori i gjashtë më i madh në Evropë.

 

Donjeta Sadiku një hap larg të artës në kupën e botës në boks

Në një arenë të mbushur me emocion dhe përballje të ashpra, boksierja nga Kosova, Donjeta Sadiku, ka shkëlqyer sërish, duke u kualifikuar në finalen e madhe të Kupës së Botës në boks, që po mbahet në turneun prestigjioz “Feliks Stamm” në Poloni.

Me grushta të vendosura dhe një qëndrim të hekurt, Sadiku e mposhti italianen Rebecca Nicoli në gjysmëfinale, një duel që e çoi drejt ëndrrës së saj të madhe: medaljes së artë.

Pas ndeshjes, e mbushur me emocion dhe krenari, ajo deklaroi:

“Sot arrita fitoren time të dytë në Poloni. Ishte një ndeshje e vështirë, por e dhashë gjithçka në ring. Jam jashtëzakonisht e lumtur. Finalen e pres me padurim, sepse kam ardhur këtu për të arritur majën, për të artën.”

Më parë, në çerekfinale, ajo kishte treguar superioritet edhe ndaj vendasës Alesandra Jankowiak, duke fituar me rezultat të pastër 5:0, përcjell albinfo.ch.

Sadiku, një emër që gjithnjë e më shumë po bëhet sinonim i suksesit në sportin e boksit për gratë në Kosovë, tani ndodhet përpara një sfide përfundimtare: një finale që mund ta vendosë përgjithmonë në histori.

ChatGPT po thyen rekorde: Tashmë ndër 5 faqet më të vizituara në planet!

Në prill të këtij viti, ChatGPT, mjeti revolucionar i inteligjencës artificiale nga OpenAI, ka shënuar një tjetër arritje madhore duke hyrë në top 5 faqet më të vizituara në botë, sipas të dhënave nga SimilarWeb.

Vizitorë pa fund dhe kohë rekord qëndrimi

ChatGPT jo vetëm që hyri në ligën e “të mëdhenjve”, por kapërceu edhe gjigantë të tjerë të njohur. Me një kohë mesatare qëndrimi prej 7 minutash e 15 sekondash për vizitor, aplikacioni po tërheq përdorues nga mbarë bota. Në krye të listës mbetet Google me 10 minuta e 31 sekonda qëndrimi mesatar, ndjekur nga YouTube me më shumë se 20 minuta për përdorues.

Facebook dhe Instagram, pjesë e perandorisë Meta, janë ende të forta në lojë, por ChatGPT po u fryn në qafë me ritmin e rritjes.

Nga vendi i 9-të në vendin e 5-të për një vit

Raporti “We Are Social” për vitin 2024 tregoi qartë një ngritje të shpejtë për ChatGPT, nga vendi i 9-të një vit më parë, në vendin e 5-të në vitin 2025. Një ngjitje që flet për ndikimin që ky mjet ka pasur në përditshmërinë digjitale.

Lider i padiskutueshëm në botën e AI-së

Në garën e ngushtë të inteligjencave artificiale, ChatGPT qëndron larg përpara me 4.7 miliardë vizitorë mujorë. Canva renditet e dyta, por me vetëm 887 milionë, ndërsa Google Translate e ndjek me 595 milionë vizitorë.

DeepSeek nga Kina dhe Gemini nga Google kanë hyrë fuqishëm në treg, por ende janë disa hapa prapa OpenAI.

Top 10 inteligjencat artificiale më të vizituara në botë:

  1. ChatGPT – 4.7 miliardë vizitorë/muaj

  2. Canva – 887 milionë

  3. Google Translate – 595 milionë

  4. DeepSeek (Kina)

  5. Character.AI – 226 milionë

  6. JanitorAI – 200 milionë

  7. Perplexity – 133 milionë

  8. Gemini (nga Google) – 118 milionë

  9. Remove.bg – 112 milionë

  10. Claude – 105 milionë

ChatGPT vazhdon të udhëheqë me fuqi botën e AI-së, duke treguar se teknologjia po bëhet pjesë thelbësore e jetës sonë digjitale.

Jashari, i kërkuar nga top klubet evropiane

Sezoni futbollistik mund të jetë në fund në shumë vende, por ai i riu nuk është larg. Për shumë lojtarë, kjo do të thotë se është koha për të menduar për sfida të reja. Ashtu si çdo sezon, dritarja e transferimeve të këtij viti është sërish e nxehtë. Këtë herë, disa lojtarë të kombëtares janë kandidatë për një lëvizje, shkruan 20min.ch, transmeton albinfo.ch.

Për shembull, është Dan Ndoye (24), një lojtar i rregullt i padiskutueshëm në Bologna, ose Alvyn Sanches (22, Lausanne), i cili në fakt kishte planifikuar të bënte hapin tjetër, por tani duket se po përballet me një transferim veror për shkak të një këputjeje të ligamentit të kryqëzuar. Dhe pastaj është një lojtar i tretë zviceran që bie në sy: Ardon Jashari (22).

Kur Jashari nga Zugu u zhvendos nga Luzerni në Bruges në Belgjikë në vitin 2024, ai ishte i njohur vetëm për tifozët e futbollit. Sot, emri i tij është i njohur për pothuajse të gjithë. Jashari pothuajse i vetëm mbush gazetat. Krahas rritjes së vlerës së tij në treg (nga gjashtë në 25 milionë franga zvicerane) dhe triumfit në Kupë, kohët e fundit në shtyp po flitet gjithnjë e më shumë për një transferim të mundshëm.

PSG, Juventusi, Milani dhe disa klube të mëdha angleze thuhet se kanë treguar interes dhe madje kanë zhvilluar bisedime me Bruges. Por a do të largohet vërtet Jashari pas vetëm një viti? Kontrata e tij zgjat deri në vitin 2029 dhe ai është një nga fituesit më të mëdhenj të Bruges, pasi e zgjati kontratën në fillim të dhjetorit.

Një person që e njeh mirë zviceranin dhe mund të vlerësojë situatën është Vincent Mannaert (50). Belgu ishte CEO i Club Brugge deri në fund të sezonit të kaluar dhe, si një nga aktet e tij të fundit zyrtare, ishte i përfshirë në marrëveshjen e Jasharit. Sot, Mannaert është drejtor sportiv i kombëtares belge.

Mannaert tha për 20 Minutes: “Unë e shoh një transferim të mundshëm si 50/50. Shumë mund të ndodhë përpara mbylljes së afatit kalimtar në fund të korrikut. Bruges është gjithashtu një klub që lulëzon me shitjet e lojtarëve.”

Është e qartë se Jashari është në radarin e shumë top klubeve dhe ata tashmë janë pyetur. “Ai ka qenë lojtari më i mirë në ligën belge këtë sezon,” thotë Mannaert.

Ai nuk pranoi të hyjë në detaje se cili klub mund të jetë i përfshirë. Ai u shpreh vetëm kështu: “Jashari mund të arrijë në çdo top-pesë ligë, jam i sigurt për këtë. Ai do të bëjë gjënë e duhur. Është një djalë shumë i zgjuar që merr vendime të zgjuara.”

Një tarifë transferimi prej rreth 30 milionë frangash zvicerane do të paguhet këtë verë. Kjo do ta bënte zviceranin shitjen e tretë më të shtrenjtë të Bruges në histori.

 

 

Neuchâtel synon të trajnojë 1,100 infermierë të rinj deri në vitin 2032

Neuchâtel, i vendosur në Zvicrën frankofone, po ndërmerr masa kantonale për të forcuar formimin, atraktivitetin dhe praktikën profesionale në fushën e infermierisë, në përputhje me iniciativën federale. Qëllimi është që deri në vitin 2032 të trajnohen 1 100 persona të rinj, nga të cilët 60 për qind në universitetet e shkencave të aplikuara (HES) dhe 40 për qind në shkollat e larta profesionale (ES).

“Kantoni dëshiron të mbështesë zbatimin e masave të synuara si fleksibilizimi i programeve të trajnimit, ndjekja individuale arsimore dhe shkurtimi i trajnimit për studentët e ES që janë në posedim të një diplome CFC në kujdesin shoqëror dhe ndihmës shëndetësor (ASSC),” bëri të ditur autoriteti kantonal të enjten, transmeton albinfo.ch.

Qendrat e kujdesit shëndetësor (shtëpitë e kujdesit, spitalet dhe organizatat e kujdesit në shtëpi) do të kenë detyrim të trajnojnë studentë të ES dhe HES, si dhe nxënës praktikantë (ASSC), duke filluar nga gjysma e dytë e vitit 2025. Për çdo praktikant, këto institucione do të marrin një kontribut prej 300 frangash në javë dhe do të mund të mbështeten nga një ekip praktikuesish trajnues.

Mbështetje financiare për rikualifikim profesional

Pjesa e dytë e masave kantonale fokusohet në mbështetjen financiare individuale për ata që synojnë rikualifikim, riintegrim ose integrim profesional në fushën e infermierisë. Kjo ndihmë do të jepet sipas kushteve të përcaktuara dhe mund të jetë subjekt i kthimit.

Në qershor 2024, Këshilli i Madh kishte miratuar një kredi prej 21.1 milionë frangash për të realizuar objektivat e trajnimit në fushën e infermierisë. Një raport i dytë pritet t’i paraqitet parlamentit gjatë verës. Konfederata po subvencionon këtë fazë të parë të projektit për vitet 2024 dhe 2025 me një shumë prej 1.3 milionë frangash.

Qeveria Federale e Zvicrës kundër rikthimit të vinjetës për biçikletat

Qeveria Federale e Zvicrës ka refuzuar propozimin për të rikthyer vinjetën për biçikletat. Kjo është bërë e ditur në përgjigje të një iniciative të paraqitur nga Nina Fehr Düsel, anëtare e SVP nga kantoni i Cyrihut.

Düsel kërkoi që Qeveria të shqyrtojë mundësinë e rivendosjes së një vinjete për biçikletat, me qëllim që të mbulohet pjesërisht financimi i infrastrukturës rrugore për korsitë e biçikletave. Iniciativa u mbështet nga 39 deputetë të tjerë nga partitë SVP, FDP dhe Qendra, transmeton albinfo.ch.

Sipas Düsel, vendosja e një pagese simbolike prej 20 frangash në vit për çdo person mbi moshën 12 vjeç dhe jo për çdo biçikletë do të siguronte rreth 90 milionë franga në vit për shtetin.

Megjithatë, Qeveria Federale e konsideron të papërshtatshëm nisjen e një procesi ligjor pa kryer më parë një analizë të plotë. Ndër shqetësimet e ngritura përfshihen mënyra e mbledhjes së taksës, dizajni i saj dhe përdorimi i fondeve të mbledhura.

 

Promovim libri në Konsullatën e Kosovës në Cyrih

Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih, në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM), organizon promovimin e librit “Kundrime Letrare” të autorit Mërgim Bekteshi, botim i Shtëpisë Botuese “Littera”.
Ngjarja mbahet nën patronazhin e Shefit të Misionit Konsullor, z. Vigan Berisha, dhe sjell një përmbledhje me recensione dhe vështrime kritike mbi letërsinë bashkëkohore shqiptare.

🗓️ E shtunë, 17 maj 2025
⏰ Ora 19:30
📍 Eugen-Huber-Strasse 19A, 8048 Cyrih

Kjo mbrëmje kulturore afirmon mendimin kritik dhe krijimtarinë letrare në diasporë.
📧 Pjesëmarrja me konfirmim: [email protected]