Bernë: Posta Shqiptare synon transformim dixhital dhe zhvillim përmes UPU-së

Administratori i Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj, në kuadër të një vizite zyrtare në Bernë, ka zhvilluar takime me drejtuesit më të lartë të Unionit të Përbotshëm Postar (UPU), duke diskutuar zhvillimin dhe modernizimin e sektorit postar, transmeton albinfo.ch.

Gjatë takimeve me Drejtorin e Përgjithshëm të UPU-së, Masahiko Metoki, Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm Marjan Osvald, Drejtorin e Bashkëpunimit për Zhvillim Mutua Muthusi dhe Këshilltarin Special Yuji Aoki, u vlerësua pozitivisht performanca e Postës Shqiptare, përparimi në modernizimin e shërbimeve dhe angazhimi në proceset e transformimit dixhital. Po ashtu, u theksua rëndësia e vazhdimit të reformave në përputhje me standardet ndërkombëtare të sektorit postar.

Në kuadër të takimeve u diskutuan edhe sfidat globale të sektorit postar, veçanërisht rënia e volumit të shërbimeve tradicionale dhe nevoja për orientim drejt tregtisë elektronike. Fokus i veçantë iu kushtua rritjes së efikasitetit operacional, standardizimit të proceseve dhe avancimit teknologjik, si dhe mbështetjes së mundshme nga UPU për ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe certifikimet sipas standardeve të cilësisë.

Ndërkaq, në një takim të veçantë me përfaqësuesen e Fondit Japonez për Zhvillim, Fumiko Nohara, u diskutua mundësia e përfshirjes së Postës Shqiptare në projekte që lidhen me menaxhimin dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore, me synim rritjen e reziliencës dhe garantimin e vazhdimësisë së shërbimeve postare në situata emergjente.

 

Këto takime riafirmojnë angazhimin e Postës Shqiptare për zhvillim të qëndrueshëm, forcim institucional dhe integrim të mëtejshëm në rrjetin ndërkombëtar postar, me qëllim ofrimin e shërbimeve moderne, efikase dhe të besueshme për qytetarët dhe bizneset./Albinfo.ch

Ambasada gjermane uron Kurtin për rizgjedhjen, thekson partneritetin e fortë me Kosovën

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka uruar Albin Kurtin për rizgjedhjen në postin e kryeministrit, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të rëndësishme, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, Ambasada gjermane ka përcjellë urimet për kreun e ekzekutivit kosovar.

“Urime për rizgjedhjen si Kryeministër, i dashur Albin Kurti”, thuhet në postim.

Sipas njoftimit, i ngarkuari me punë i Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, Christian Bottcher, ka përcjellë urimet e ambasadorit menjëherë pas përfundimit të seancës parlamentare për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Në deklaratë theksohet se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë mbeten të ngushta dhe unike, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në fusha si ekonomia, siguria, politika dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

“Duke u bazuar në marrëdhëniet e ngushta dhe unike ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, presim të vazhdojmë dhe të thellojmë më tej bashkëpunimin tonë dypalësh”, thuhet në deklaratë.

Ambasada gjermane ka theksuar gjithashtu se Kosova gëzon mbështetje të fuqishme nga Gjermania, duke e cilësuar atë si një partner të fortë dhe të besueshëm.

Në fund, është shprehur gatishmëria për bashkëpunim të mëtejmë në mbështetje të integrimit euroatlantik të Kosovës, duke i uruar kryeministrit Kurti sukses në mandatin e ri qeverisës. /Albinfo.ch

Shaip Kamberi uron Kurtin për mandatin e ri, kërkon fokus në Luginën e Preshevës

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka uruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për mandatin e ri qeverisës, si dhe për përbërjen e re të ekzekutivit, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka shprehur mbështetjen e tij, duke uruar që ky mandat të jetë i suksesshëm dhe i qëndrueshëm, me rezultate konkrete për qytetarët e Kosovës.

Ai ka theksuar rëndësinë e forcimit të sistemit të drejtësisë, zhvillimit ekonomik, rritjes së sigurisë dhe përshpejtimit të procesit të integrimit euro-atlantik.

Kamberi ka nënvizuar gjithashtu pritshmërinë që Qeveria e re e Kosovës ta vendosë çështjen e Luginës së Preshevës në krye të agjendës politike, përmes dialogut me Serbinë, bashkëpunimit rajonal dhe angazhimit ndërkombëtar për reciprocitet dhe simetri në respektimin e të drejtave të minoriteteve.

“Urimet më të ngrohta për kryeministrin Albin Kurti dhe gjithë qeverinë e re. Qoftë ky mandat i suksesshëm, i stabilizuar dhe me arritje për qytetarët e Kosovës, me drejtësi më të fortë, ekonomi më të zhvilluar, siguri më të lartë dhe integrim euro-atlantik më të shpejtë. Besoj që Qeveria e re do ta vendosë çështjen e Luginës së Preshevës lart në agjendën e saj”, ka shkruar Kamberi.

Ai në fund ka uruar suksese ekzekutivit të ri, duke theksuar se pret që qeveria të punojë me vendosmëri për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës./Albinfo.ch

Komisionerja Marta Kos uron formimin e qeverisë së re të Kosovës

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka përshëndetur formimin e Qeverisë së re të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një zhvillim pozitiv për rrugën evropiane të vendit, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Kos ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të reformave në kuadër të procesit integrues në Bashkimin Evropian.

“Lajm i mirë nga Prishtina sot. Kuvendi është në detyrë. Një qeveri e re ka marrë detyrën. Urime Kryeministër Albin Kurti. Fokusi tani mund të zhvendoset në avancimin e reformave të BE-së dhe sjelljen e përfitimeve të plota të Planit të Rritjes në Kosovë. Pres me padurim të vizitoj Kosovën së shpejti”, ka shkruar Kos.

Ajo ka nënvizuar se zbatimi i reformave do të ndihmojë Kosovën të përfitojë nga programet dhe mbështetja e Bashkimit Evropian, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe afrimin e vendit me strukturat evropiane./Albinfo.ch

BE-ja mirëpret Qeverinë e re të Kosovës, Kallas paralajmëron takim Kurti-Vuçiq

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka cilësuar formimin e Qeverisë së re të Kosovës si një zhvillim pozitiv pas më shumë se një viti bllokim politik në vend, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Kallas ka uruar kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar se ky moment paraqet një mundësi të re për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, si dhe për avancimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Ky është një moment i ri për të avancuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe dialogun Beograd-Prishtinë. Jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti”, ka shkruar Kallas, duke paralajmëruar mundësinë e një takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të reformave në Kosovë, duke nënvizuar se përparimi në këtë drejtim do të ndihmonte në zhbllokimin e mbështetjes financiare nga BE-ja.

“Tani ajo që ka rëndësi është që të ecet me shpejtësi me reformat. Kjo është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen e BE-së me vlerë qindra miliona euro dhe për të siguruar përparim në rrugën drejt integrimit evropian”, ka shtuar Kallas. /Albinfo.ch

Pas një viti zvarritje, Kosova bëhet me qeveri të re

Të mërkurën, më 11 shkurt, u konstituua Kuvendi i ri i Kosovës dhe u votua Qeveria e re, me Albin Kurtin në krye, përcjell albinfo.ch.

Institucionet e reja formohen pas pothuajse një viti me Qeveri në detyrë dhe Kuvend gati tërësisht jofunksional.

Kjo, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, nuk pati vota të mjaftueshme për të krijuar Qeverinë, por këtë e arriti pas zgjedhjeve të dhjetorit të po atij viti, në të cilat fitoi 57 mandate.

Katër ministri të reja do të jenë në Qeverinë e re të Albin Kurtit për dallim nga ajo paraprakja.

Kurti ka ndarë disa ministri dhe ka shtuar dy krejt të reja.

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Ministria e Administratës Publike dhe e Digjitalizimit u shtuan si ministri, ndërsa Ministria e Sportit dhe Rinisë u nda nga ajo e Kulturës siç ishte në qeverinë Kurti II. Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Tregtisë dhe Transportit u ndanë.

Në ekzekutivin e ri gjithsej janë 20 ministri nga 16 sa ishin.

Kabineti i ri qeveritar:

Kryeministër Albin Kurti

Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca

Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla

Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim, Fikrim Damka

Ministër i Financave, Hekuran Murati

Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku

Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci

Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha

Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari

Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri. 

BE synon të ndalojë shkatërrimin e veshjeve të pashitura deri në vitin 2030

Komisioni Evropian vendosi të hënën të ndalojë kompanitë e tekstileve nga shkatërrimi i veshjeve dhe këpucëve të pashitura, përveç rasteve të veçanta. Qëllimi është që industrisë t’i kërkohet të rishikojë modelin e saj të biznesit. Megjithatë, disa ambientalistë mbeten skeptikë.

Ndalimi do të hyjë në fuqi nga korriku 2026 për grupet e mëdha dhe nga vera e vitit 2030 për kompanitë e mesme. Sipas BE-së, ky vendim do të ndihmojë “në reduktimin e mbeturinave, kufizimin e dëmeve mjedisore dhe sigurimin e kushteve të barabarta për bizneset”, dhe do t’i lejojë sektorit të tekstileve “të përshpejtojë kalimin drejt praktikave më rrethore” për të zvogëluar ndikimin negativ ndaj mjedisit.

Sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit, çdo vit në Evropë shkatërrohet midis 4 dhe 9% e tekstileve të pashitura para se të përdoren, që përkthehet në deri 600,000 tonë veshje të shkatërruara dhe 5.6 milion tonë CO₂, ekuivalenti i më shumë se pesë milion fluturimeve Paris–New York.

Përgjigje ndaj shqetësimeve të konsumatorëve

Do të lejohen përjashtime në raste të veçanta, si rreziqe për sigurinë e konsumatorit ose për mallrat e dëmtuara. Megjithatë, prodhuesit duhet të raportojnë sasinë e veshjeve dhe këpucëve që shkatërrojnë.

Komisioni kërkon gjithashtu më shumë transparencë në prodhim. Nga shkurti i vitit tjetër, çdo kompani do të detyrohet të bëjë publike vëllimet e prodhimit. Masa e re parashikon një format të harmonizuar për raportimin e thjeshtë të mbetjeve të pashitura, pa shtuar barrë administrative.

“Ky iniciativë është përgjigje ndaj shqetësimeve gjithnjë e më të mëdha të konsumatorëve për mbetjet e tekstileve, për shkak të ndikimeve mjedisore dhe sociale të ‘fast fashion’,” shpjegon BE-ja, duke shpresuar se do të inkurajojë kompanitë të rishikojnë modelin e tyre të biznesit.

Transferimi i përgjegjësisë

Mais Mathilde Pousseo, përfaqësuese e kolektivit Ethique sur l’Etiquette, paralajmëron se grupet e tekstileve mund të hedhin thjesht te organizatat humanitare mbetjet e tyre. “Ka një krizë shumë serioze të tekstileve në Evropë,” thotë ajo. Organizatat humanitare nuk kanë më kapacitet për të seleksionuar dhe shumica e rrobave të rikuperuara janë kaq të dobëta sa nuk mund të shiten me çmime që mbajnë modelin e tyre ekonomik.

“Pra, nuk besoj aspak tek rregullimi ‘natyror’, dhe kam frikë se organizatat humanitare do të mbeten të mbushura me mallrat e pashitura,” shton ajo. “Kjo gjithashtu transferon përgjegjësinë për shkatërrim tek organizatat humanitare.”

Uber planifikon taksi pa shofer në Madrid brenda vitit 2026

Madrid pritet të bëhet një nga qytetet e para në Evropë që do të ofrojë taksi autonome, pasi Uber njoftoi planet për vendosjen e automjeteve pa shofer në kryeqytetin spanjoll deri në fund të vitit 2026, raportoi “Euronews”.

Kompania po diskuton aktualisht me autoritetet lokale për të përcaktuar rregullat dhe procedurat e funksionimit të shërbimit. Qëllimi është që qytetarët të mund të porosisin një veturë vetëdrejtuese përmes aplikacionit të Uber, pa pasur nevojë për shofer në timon.

Robotaksit, siç njihen këto automjete autonome, tashmë janë aktivë në disa qytete të botës, por hyrja e tyre në Madrid konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm për tregun spanjoll.

Automjetet do të jenë të pajisura me sensorë, kamera dhe radarë që monitorojnë ambientin në kohë reale, identifikojnë këmbësorët dhe reagojnë ndaj situatave të paparashikuara falë inteligjencës artificiale.

Uber nuk ka bërë të ditur akoma se në cilat zona të Madridit do të nisë fillimisht shërbimi, por ka theksuar se implementimi do të jetë i gradual dhe nën mbikëqyrje të rreptë.

Përveç Madridit, kompania ka paralajmëruar se robotaksit do të vendosen edhe në Londër dhe Los Angeles.

Qentë robotikë do të ndihmojnë policinë meksikane gjatë Botërorit 2026

Policia meksikane do të përdorë qentë robotikë gjatë Kampionatit Botëror të FIFA-s 2026, njoftuan autoritetet e qytetit Guadalupe të hënën. Ky qytet në verilindje të vendit do të presë një nga stadiumet e turneut.

Këto makina katërkëmbëshe janë të dizajnuara për të transmetuar pamje live drejt forcave të rendit përpara ndërhyrjes së policisë, transmeton albinfo.ch.

“Misioni i këtyre ‘qenëve robotikë’ është të ndihmojnë policinë duke ndërhyrë të parët (…) për të mbrojtur integritetin fizik të oficerëve,” shpjegoi Héctor García, kryebashkiaku i Guadalupe, një qytet pranë Monterrey.

Komuna prezantoi katër nga këta qentë robotikë gjatë një konference për shtyp, të cilët kushtuan 2.5 milion peso (rreth 120,000 euro). Ata do të përdoren “në rast trazirash,” shtoi García.

Stadiumi BBVA i qytetit, i riemëruar përkohësisht “Estadio Monterrey” gjatë Botërorit, do të presë katër ndeshje të turneut, i cili zhvillohet në Meksikë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada nga 11 qershori deri më 19 korrik.

Paralajmërohet kaos trafiku në Zvicër gjatë pushimeve shkollore të shkurtit

Gjatë pushimeve të shkollave, TCS (Touring Club Switzerland) parashikon trafikun e rënduar në shumë rrugë kryesore në Zvicër. Priten vonesa dhe kolona të gjata deri në 2.5 orë, veçanërisht në rrugët alpine, transmeton albinfo.ch.

Datat më kritike

Sipas TCS, periudhat më të ngarkuara pritet të jenë më 14 dhe 21 shkurt, kur udhëtarët që nisen dhe ata që kthehen mund të ngadalësojnë njëri-tjetrin.

Rrugët më të prekura

Zvicra Perëndimore: Kolona të gjata në autostradën A9 (Martigny – Montreux), A12 (Châtel-Saint-Denis – Lozanë) dhe A1 (pika kufitare Bardonnex). Trafik i ngadaltë gjithashtu në rrugët Château d’Œx – Aigle, Monthey – Châtel dhe Charmey – Bulle.

Rajoni i Bernës: Trafik i rënduar në A1 (Kirchberg – Schönbühl dhe Kriegstetten – Härkingen) dhe rrugët kryesore drejt Interlaken, Simmental, Kandersteg, Grindelwald, Meiringen dhe Brünig Pass.

Zvicra Qendrore: Ndërprerje të trafikut priten në A8 (Alpnach – Hergiswil) dhe A2 (Lucern – Stans). Rrugët rreth Engelberg dhe Einsiedeln gjithashtu mund të jenë të ngarkuara.

Zyrih dhe Zvicra Lindore: Kolona të gjata priten në A3 (Bazel – Zyrih), A3 (Zyrih – Walenstadt) dhe A13 (Zizers – Sarganserland). Rrjeti rrugor në Graubünden mund të përballet me presion shtesë për shkak të Olimpiadës dimërore.

Stacionet e karrocave për automjete

Pritjet mund të jenë deri në 2.5 orë në Furka Pass (Oberwald), Lötschberg Pass (Kandersteg dhe Goppenstein) dhe Vereina Pass (Sagliains dhe Selfranga). TCS rekomandon kontrollimin paraprak të kushteve dhe pritjeve.

Këshilla për të shmangur trafikun

Nisni udhëtimin herët ose ndryshoni oraret e nisjes dhe kthimit për të shmangur orët më të ngarkuara (07:00–09:00 dhe 16:00–18:00).

Rrugët dytësore mund të ngarkohen shpejt dhe mund të jenë të mbyllura; përdorni informacion zyrtar dhe planifikoni itinerarin me kujdes.

Informacione të azhurnuara për trafikun mund të gjenden në aplikacionin TCS, parashikime për anëtarët, radio ose duke telefonuar 163.

Katër trupat e familjes shqiptare nisen drejt vendlindjes

Katër pjesëtarët e familjes Kola, të cilët humbën tragjikisht jetën disa ditë më parë në Porcari, Itali, u nisën drejt Shqipërisë, ku do të prehen në fshatin e tyre, Gryksh i Madh, Peqin.

Kryefamiljari Arti Kola, bashkëshortja e tij Jonida Kola dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar dhe Xhesika, 22 dhe 15 vjeç, ndërruan jetë më 4 shkurt në shtëpinë e tyre si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit, i shkaktuar nga një kaldajë gazi e instaluar së fundmi.

Trupat janë nënshtruar analizave toksikologjike në Itali, ndërsa tashmë është mundësuar kthimi i tyre në Shqipëri. Për transportin e trupave, vëllai i Artit, Durim Kola, hapi një fushatë GoFundMe, e cila brenda dy ditësh mblodhi mbi 75 mijë euro, transmeton albinfo.ch.

Banesa ishte pronë e Artit, blerë rreth tre vite më parë dhe restauruar pjesërisht nga vetë ai, i cili ishte piktor me profesion. Djali i tij, vetëm 22 vjeç, punonte si elektriçist.

Çështjet e mëdha për të cilat do të votojnë kantonet zvicerane në mars

Në nivel federal, votuesit do të kenë fjalën e tyre për katër çështje të mëdha: taksimin individual të çifteve të martuara, mbrojtjen e parave të gatshme si monedha e vetme zyrtare e Zvicrës, tarifën vjetore për Korporatën Zvicerane të Transmetimeve dhe ndarjen e më shumë fondeve për luftën kundër ndryshimeve klimatike, shkruan The Local, transmeton albinfo.ch.

Cilat çështje do të vihen në votim në kantone?

Vetëm disa kantone do të mbajnë referendume lokale më 8 mars:

Aargau: Puna duhet të shpërblehet

Iniciativa e Partisë Popullore Zvicerane (SVP) e quajtur “Puna duhet të shpërblehet” synon të ulë ndihmën sociale në kanton.

Njerëzit që kanë marrë ndihmë sociale për më shumë se dy vjet do të marrin më pak mbështetje në të ardhmen. Ndihma bazë për këta individë do të ulet me të paktën 5 përqind.

Megjithatë, përjashtime do të bëhen për fëmijët, prindërit me fëmijë nën katër muajsh dhe personat e moshës 55 vjeç e lart – por vetëm nëse kanë qenë të punësuar në Zvicër për të paktën 20 vjet dhe nuk kanë marrë ndihmë sociale gjatë asaj kohe.

Aargau: Ndalo mashtrimet me kamerat e shpejtësisë

Iniciativa e nisur nga Liberalët e Rinj vë në pikëpyetje nëse pajisjet e përhershme të radarit shërbejnë për të përmirësuar sigurinë rrugore apo thjesht mbushin arkën e shtetit.

Propozon që kamerat stacionare të shpejtësisë në Aargau të mund të instalohen vetëm me miratimin e qeverisë kantonale, dhe jo në mënyrë arbitrare nga policia bashkiake.

Miratimi do të jepet vetëm nëse situata e trafikut në vendndodhjen e planifikuar është e pasigurt dhe mund të demonstrohet se masat e tjera kanë qenë joefektive.

Bazel: Kufizim shpejtësie prej 30 km/orë në rrugët kryesore – vetëm me pëlqimin e popullit

Ky veprim synon ta bëjë futjen e kufizimeve të shpejtësisë prej 30 km/orë në rrugët kryesore të kushtëzuara nga miratimi i votuesve.

Propozimi kërkon një ndryshim në praktikën aktuale të zbatimit të një kufiri shpejtësie prej 30 km/orë pa referendume specifike lokale.

Bazel: Zbritje e plotë tatimore e primeve të vetëpaguara për sigurimin shëndetësor të detyrueshëm (Zbritje primi për të gjithë)

Propozimi kërkon zbritjen e plotë dhe të pakufizuar të primeve të sigurimit shëndetësor të vetëpaguar (sigurimi bazë) nga të ardhurat e tatueshme për të lehtësuar barrën mbi klasën e mesme.

Parlamenti kantonal ka hartuar një kundërpropozim që rrit ndjeshëm zbritjet për primet e sigurimit (për shembull, 3,000 në vend të 2,000 frangave për të rriturit).

Gjenevë: Paga minimale për punët verore

Propozimi është të ndryshohet seksioni i Aktit të Inspektimit dhe Marrëdhënieve të Punës (LIRT) që ka të bëjë me pagën minimale – duke futur konkretisht një përjashtim për punët verore.

Aktualisht, një punë verore përkufizohet si punësim deri në 60 ditë, i kryer midis 15 qershorit dhe 15 shtatorit, nga një person i ri nën 25 vjeç i regjistruar në një program trajnimi që çon në një kualifikim të njohur në Zvicër. Pagat e punës verore i nënshtrohen ligjit të pagës minimale.

Çfarë është në lojë në votim: Për punët verore, nëse pranohet ndryshimi i ligjit, paga minimale do të jetë 75% e pagës minimale të përgjithshme.

Ticino

Votuesit do të japin mendimin e tyre mbi një propozim që do t’u kërkonte kompanive me seli në Ticino të njoftojnë autoritetet kantonale për kontratat e punës në fuqi, si dhe ato të nënshkruara ose të ndërprera gjatë vitit.

Do të duhet të jepen detaje në lidhje me llojin e kontratës, kohëzgjatjen, funksionin, llojin e kualifikimit të kërkuar për pozicionin, pagën e mëparshme për këtë pozicion në rast të një zëvendësimi, vendin e punës, orët e punuara, nivelin e punësimit dhe pagën.

Arsimi, mosha, gjinia, kombësia, lloji i lejes, adresa dhe numri i fëmijëve të varur të punonjësit duhet të zbulohen gjithashtu. Nëse autoriteti që merr njoftimet gjen një shkelje të qartë të ligjit anti-dumping, ai duhet t’i dërgojë një raport autoritetit kompetent për veprim.

Ligji i ri do të kërkonte gjithashtu krijimin e një zyre përgjegjëse për zbatimin e Aktit të Barazisë Gjinore. Mosdhënia e informacionit i nënshtrohet një gjobe deri në 5,000 franga.

Turistët në Kosovë: Më së shumti nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia

Kosova po bëhet gjithnjë e më shumë destinacion i preferuar për vizitorë vendas dhe të huaj. Vetëm në muajin dhjetor të vitit 2025, në hotelet e vendit qëndruan gjithsej 68 293 vizitorë, duke shënuar një rritje prej 6,1 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak, kur numri i tyre ishte 64 380.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 27 776 prej tyre ishin vizitorë vendorë, ndërsa 40 517 erdhën nga jashtë vendit — një dëshmi se turizmi i huaj po merr gjithnjë e më shumë hov, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Numri i net-qëndrimeve gjatë dhjetorit arriti në 132 148, nga të cilat 71 624 (ose 54,2%) u realizuan nga vizitorët e jashtëm, ndërsa 60 524 (45,8%) nga vendorët. Kjo tregon se vizitorët e huaj, përveç se janë më të shumtë, qëndrojnë edhe më gjatë në vend.

Në mesin e rajoneve të Kosovës, Peja vazhdon të mbetet destinacioni më i frekuentuar për vizitorët vendorë. Gjatë dhjetorit 2025, në këtë rajon janë regjistruar 9 655 vizitorë të brendshëm dhe 26 550 net-qëndrime, duke reflektuar potencialin turistik të zonave malore dhe resorteve dimërore në Rugovë.

Ndërsa për vizitorët e huaj, viti i kaluar shënoi një rritje prej 2,5 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2024. Nga gjithsej 40 517 vizitorë të jashtëm, shumica erdhën nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia, ndërsa janë shënuar vizita edhe nga shtete të tjera evropiane dhe më gjerë.

Dhjetori 2025 e mbylli vitin me bilanc pozitiv për sektorin e turizmit dhe hotelerisë në Kosovë. Kombinimi i vizitorëve vendorë dhe atyre të huaj dëshmon një interes të shtuar për vendin, ndërsa trendi i rritjes pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2026.

Gjatë ditës edhe e përditshmja britanike The Guardian i ka kushtuar një artikull vendeve që duhet vizituar gjatë vendit.

Në këtë artikull kanë arritur të renditen edhe Kosova e Shqipëria të cilat sipas medias britanike patjetër që duhet të vizitohen.

Librat e historisë ofrojnë kontekst thelbësor për ecje në këmbë në Kosovë, por nuk ju përgatisin për bukurinë e maleve, thuhet në artikull.

27-vjeçari nga Zvicra përplaset me makinë në një pemë, plagoset rëndë

Një aksident i rëndë trafiku është regjistruar pasditen e së martës jashtë Niederwil, në kantonin Aargau, ku një 27-vjeçar humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me forcë në një pemë, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00 në rrugën Wohlerstrasse. I riu, i cili po udhëtonte me një Mercedes nga Wohlen në drejtim të Fischbach-Göslikon, doli nga rruga në një segment të ngushtë dytësor dhe u përplas fuqishëm në anën e majtë të rrugës.

Kalorësit e parë të ndihmës arritën ta nxirrnin drejtuesin nga makina e shkatërruar plotësisht, ndërsa një ambulancë e transportoi atë në spital në gjendje kritike. Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale urgjente, autoritetet konfirmuan se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia Kantonale e Aargaut ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Dyshohet se shpejtësia e tepërt mund të ketë qenë faktor vendimtar. Automjeti është sekuestruar për ekspertizë, ndërsa drejtuesit i është hequr përkohësisht leja e drejtimit./Albinfo.ch

Mishetiq: Hashim Thaçi është i pafajshëm, shpallja fajtor do të ishte padrejtësi historike

Avokati Luka Mishetiq e ka nisur fjalën e tij para trupit gjykues duke deklaruar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është i pafajshëm dhe se ky parim duhet të jetë pikënisja e çdo vendimi gjyqësor, përcjell albinfo.ch.

“Kur të filloni shqyrtimet tuaja, do të nisni nga qëndrimi se Hashim Thaçi është i pafajshëm dhe vetëm më pas do të vlerësoni nëse provat e paraqitura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ju kanë bindur, përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se ai është fajtor”, u ka thënë Mishetiq gjyqtarëve.

Ai ka kritikuar ashpër Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), duke theksuar se në dosjen e saj janë shpërfillur prova të rëndësishme që, sipas tij, diskreditojnë pretendimet e Prokurorisë.

“Sipas parashtrimeve përfundimtare të ZPS-së, është sikur të lexosh analizën e një filmi të shkruar nga dikush që nuk e ka parë kurrë filmin”, u shpreh Mishetiq.

Avokati paralajmëroi se një shpallje fajtorie ndaj Thaçit do të përbënte një “padrejtësi ligjore dhe historike”, duke theksuar se argumentet e Prokurorisë nuk përfaqësojnë interpretimin e vetëm të arsyeshëm të provave.

“Ekzistojnë dyshime të bazuara dhe të mjaftueshme që ju të shpallni Hashim Thaçin jofajtor për të gjitha pikat e aktakuzës”, tha ai.

Një pjesë e rëndësishme e mbrojtjes u fokusua te pretendimi i ZPS-së për ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale me synim marrjen nën kontroll të Kosovës. Mishetiq theksoi se nuk ekziston asnjë provë e drejtpërdrejtë që mbështet këtë teori.

“Nuk ka pasur takime ku të jetë diskutuar ky synim, nuk ka dokumente, nuk ka dëshmi nga asnjë dëshmitar. Përkundrazi, dëshmitarët që kanë folur për këtë çështje e kanë hedhur poshtë teorinë e Prokurorisë, ndërsa ZPS-ja as nuk i ka pyetur ata për këtë”, deklaroi ai.

Mishetiq shtoi se Thaçi nuk ka qenë i pranishëm në Kosovë gjatë një pjese të madhe të periudhës së përfshirë në aktakuzë dhe se nuk ekzistojnë prova që ai ka marrë pjesë në takimet e Shtabit të Përgjithshëm.

Sipas tij, Prokuroria ka tentuar ta anashkalojë këtë fakt duke pretenduar se anëtarët e Shtabit janë konsultuar përmes telefonit ose janë informuar më vonë për vendimet e marra. /Albinfo.ch

Të shtëna me armë në një shkollë në Kanada, 9 të vdekur dhe 27 të plagosur

Nëntë persona kanë humbur jetën dhe 27 të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri në një shkollë të mesme në provincën British Columbia, në Kanada, përcjell albinfo.ch.

Ngjarja tragjike ndodhi në Tumbler Ridge, një komunitet i vogël rrëzë Maleve Shkëmbore. Sipas raportimeve të mediave kanadeze, personi i dyshuar për sulmin është një grua, megjithatë autoritetet policore kanë refuzuar të japin detaje shtesë lidhur me identitetin e saj.

Policia bëri të ditur se gjatë kontrollit fillestar në ambientet e shkollës janë gjetur gjashtë persona të vrarë me armë zjarri. Një tjetër viktimë, e plagosur rëndë, ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital.

Ndërkohë, autoritetet kanë zbuluar edhe dy trupa të pajetë në një shtëpi në Tumbler Ridge, e cila besohet të ketë lidhje me incidentin.

Forcat e rendit janë duke zhvilluar kontrolle në disa shtëpi dhe prona të tjera në zonë, me qëllim të përcaktimit nëse ka lokacione të tjera që mund të jenë të ndërlidhura me rastin.

Autoritetet kanadeze kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Konfiskohen municion e pajisje ushtarake në Leposaviq

Policia e Kosovës ka konfiskuar municion dhe pajisje ushtarake gjatë një kontrolli të realizuar në një shtëpi të pabanuar në Leposaviq, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rasti ka ndodhur më 9 shkurt 2026, rreth orës 14:29. Gjatë kontrollit në objektin, i cili rezulton të jetë në pronësi të një shtetasi serb, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi municioni dhe pajisje të ndryshme ushtarake.

Në mesin e gjësendeve të sekuestruara janë 59 fishekë të kalibrit të panjohur, një kuti metalike, një helmetë ushtarake, një xhaketë me emblemë të Serbisë, një futrollë për thikë, një pjesë e jelekut antiplumb, një çantë ushtarake, dy karikatorë të armës automatike AK-47, si dhe një karikator tjetër me një fishek.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka urhëruar inicimin e procedurave të nevojshme ligjore.

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.

Jashari punon me Modriqin te Milani për të fituar vendin në titullarë

Ardon Jashari ishte një nga transferimet më të kushtueshme të Milanit në vitet e fundit, por mesfushori kosovar ende nuk ka arritur të sigurojë një vend të rregullt në formacionin titullar të skuadrës kuqezi, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, 23-vjeçari po përfiton nga përvoja në klubin italian, veçanërisht nga bashkëpunimi dhe stërvitjet përkrah yllit kroat, Luka Modriq. Mediumi i afërt me Milanin, “Sempre Milan”, ka vlerësuar se prania e Modriqit në skuadër e bën më të vështirë për Jasharin të sigurojë minuta të rregullta si titullar, por njëkohësisht paraqet një mundësi të madhe për zhvillimin e tij profesional.

“Me Modriqin në skuadër, është e vështirë për Jasharin të ketë shumë paraqitje si titullar. Megjithatë, ai duhet ta shfrytëzojë prezencën e tij duke mësuar sa më shumë nga një kampion si Modriqi”, shkruan mediumi italian.

Jashari iu bashkua Milanit verën e kaluar nga Club Brugge për shumën prej 36 milionë eurosh, duke u bërë një nga investimet më të mëdha të klubit në merkato. Fillimi i këtij sezoni nuk ishte i lehtë për të, pasi një lëndim e la për një periudhë të gjatë jashtë fushave.

Deri më tani, mesfushori kosovar ka regjistruar 205 minuta lojë në Serie A, ndërsa pritet që me rikthimin e plotë në formë të luftojë për më shumë hapësira në skuadrën e Milanit. /Albinfo.ch

Festë për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Ambasadën e SHBA-së

Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ftuar bashkatdhetarët të festojnë së bashku 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ngjarja do të mbahet të hënën, më 16 shkurt, kur ambasada hap dyert për qytetarët dhe miqtë e Kosovës.

“Të dashur bashkatdhetarë, jemi të nderuar dhe të kënaqur t’ju ftojmë të bashkoheni me ne në festimin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës në ambientet e Ambasadës në Uashington, D.C,” thuhet në njoftimin e publikuar në “X”.

Ky event synon të forcojë lidhjet me diasporën dhe të kujtojë rëndësinë e këtij përvjetori për Kosovën dhe komunitetin shqiptar në SHBA./Albinfo.ch 

 

Anila Aliu nderohet me mirënjohje zyrtare nga Asambleja e Shtetit të Nju-Jorkut

Sukseset e shqiptarëve po vazhdojnë të shënojnë arritje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Artistja nga Kosova, Anila Aliu, është nderuar me një “Citation”, një mirënjohje zyrtare nga Asambleja e Shtetit të Nju-Jorkut, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm në karrierën e saj artistike, transmeton albinfo.ch.

Ceremonia solemne u mbajt në Nju-Jork, ku Aliu pati mundësinë të mbajë fjalim përkrah liderëve, ambasadorëve, deputetëve dhe senatorëve amerikanë. Ky vlerësim konsiderohet si një dëshmi e rrugëtimit dhe përkushtimit të saj profesional, që nga fillimet në Kosovë deri te përfaqësimi në institucione të rëndësishme shtetërore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Aliu e cilësoi këtë nderim si një moment të veçantë në jetën dhe karrierën e saj, duke theksuar rëndësinë e punës dhe pasionit në arritjen e sukseseve ndërkombëtare.

“Nga Kosova në Kapitullin e Shtetit të Nju-Jorkut. Jam e nderuar të pranoj një Mirënjohje Zyrtare nga Asambleja dhe të flas krah liderëve, ambasadorëve dhe senatorëve të shquar”, ka shkruar ajo.

Artistja ka theksuar se këtë vlerësim e pranon me mirënjohje të thellë dhe si një motiv shtesë për të vazhduar përfaqësimin e Kosovës përmes artit, integritetit dhe profesionalizmit në skenën ndërkombëtare.

Përfshirja e artistëve kosovarë në platforma të tilla ndërkombëtare po konsiderohet si një kontribut i rëndësishëm në forcimin e diplomacisë kulturore dhe në promovimin e vlerave artistike dhe kulturore të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Albinfo.ch

Besimi tek bankat zvicerane bie, kritikat për fitimtarinë dhe qëndrueshmërinë rriten

Vetëm 53% e zviceranëve e shohin ende pozitivisht sektorin bankar, sipas anketës “Banking Monitor” të Shoqatës Zvicerane të Bankave. Besimi ka rënë në nivelet para krizës financiare të vitit 2008, pas një rritjeje të përkohshme në 2021.

Rreth 75% e të anketuarve kritikuan bankat për prioritizimin e fitimit mbi përgjegjësinë sociale, ndërsa vetëm 52% besojnë se bankat operojnë më qëndrueshëm se pesë vjet më parë. Përdorimi i inteligjencës artificiale dhe dixhitalizimi gjithashtu po ngre shqetësime për humbjen e kontaktit personal, sigurinë dhe vende pune.

Megjithatë, 83% e klientëve janë të kënaqur me bankën e tyre personale, duke vlerësuar sigurinë dhe besueshmërinë mbi qëndrueshmërinë.

Shkrimtarja e parë shqiptare, Martire e Demokracisë dhe ndërgjegje kombëtare e heshtur me dhunë

Sot, më 10 shkurt, shënohet ditëlindja e Musine Kokalarit (1917–1983), shkrimtarja e parë grua në letërsinë shqipe dhe një nga figurat kyçe të rezistencës intelektuale e politike në historinë moderne të Shqipërisë.

E lindur në Adana dhe me origjinë nga Gjirokastra, Musine Kokalari u shfaq herët si një zë i veçantë në kulturën kombëtare. Në moshën 24-vjeçare botoi përmbledhjen “Siç me thotë nënua plakë”, vepra e parë e botuar nga një grua në Shqipëri, e frymëzuar nga folklori toskë dhe realiteti shoqëror i grave shqiptare. Krijimtaria e saj u pasua nga botimet “Rreth vatrës” dhe “Sa u tunt jeta”, të cilat e afirmuan si prozatore me ndjeshmëri të theksuar sociale dhe etike.

Përtej veprimtarisë letrare, Kokalari u angazhua drejtpërdrejt në jetën politike të vendit. Në vitin 1943, ajo ishte bashkëthemeluese e Partisë Socialdemokrate të Shqipërisë, duke artikuluar hapur kërkesën për pluralizëm politik, zgjedhje të lira dhe liri shprehjeje në një periudhë vendimtare për shtetformimin pasluftës.

Pak përpara arrestimit, ajo u drejtoi një letër forcave aleate që ndodheshin ende në Tiranë, ku kërkonte garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të lirisë së fjalës. Qëndrimi i saj parimor u mbajt edhe gjatë procesit gjyqësor, ku ajo deklaroi publikisht se po dënohej për bindjet e saj politike dhe jo për ndonjë faj penal, duke refuzuar çdo formë pendese.

Në vitin 1946, Musine Kokalari u arrestua dhe u dënua me burg politik. Pas vuajtjes së dënimit, ajo u mbajt për vite me radhë në internim dhe iu ndalua kategorikisht e drejta për të shkruar dhe botuar. E përjashtuar nga jeta publike dhe kulturore, ajo jetoi në kushte varfërie dhe izolimi deri në vdekjen e saj më 14 gusht 1983.

Pas rënies së regjimit komunist, figura e Musine Kokalarit mori vlerësimin institucional të merituar. Në vitin 1993, ajo u shpall pas vdekjes Martire e Demokracisë, duke u njohur zyrtarisht si një nga ndërgjegjet kombëtare që u heshtën me dhunë në emër të një sistemi represiv.