Europol godet kartelin ballkanik të drogës, 12 persona në pranga

Më 15 prill, Europol ka mbështetur autoritetet e Malit të Zi në një operacion të gjerë kundër një grupi të organizuar kriminal në Ballkan, i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge.

Në të njëjtën kohë, agjencia ka asistuar edhe autoritetet gjermane në hetimet që lidhen me persona të përfshirë në këtë rrjet.

Sipas njoftimit, gjatë aksionit janë arrestuar gjithsej 12 persona, përfshirë katër në Gjermani. Në mesin e tyre ndodhet edhe një person i konsideruar objektiv me rëndësi të lartë, i kapur në Mal të Zi.

Hetimet, të mbështetura gjithashtu nga Austria dhe Spanja, janë përqendruar në një organizatë kriminale që merrej me trafikimin në shkallë të gjerë të kokainës dhe kanabisit. Të dyshuarit, që jetonin kryesisht në Mal të Zi dhe Gjermani, dyshohet se kishin role të ndryshme në këtë rrjet, duke përfshirë financimin, koordinimin dhe logjistikën.

Aplikacion për luftimin e depresionit miratohet zyrtarisht dhe rimbursohet në Zvicër nga korriku

Zyra Federale e Shëndetit Publik (FOPH) në Zvicër ka autorizuar përshkrimin dhe rimbursimin përmes sigurimit bazë shëndetësor të një aplikacioni digjital për shëndetin mendor. Aplikacioni gjerman i psikoterapisë digjitale, Deprexis, do të jetë i disponueshëm nga 1 korriku me recetë mjeku dhe do të mbulohet nga sigurimi shëndetësor bazë.

Edhe pse kjo risi është pritur në përgjithësi pozitivisht, ekspertët mbeten të kujdesshëm sa i përket efektivitetit të saj real.

Deprexis është aplikacioni i parë i këtij lloji i autorizuar nga FOPH dhe synon të adresojë një boshllëk të rëndësishëm në shërbimet e shëndetit mendor. Sipas një vlerësimi të Universitetit të Bernës, vetëm rreth gjysma e personave me probleme të shëndetit mendor kërkojnë ndihmë profesionale, ndërsa prej tyre vetëm një pjesë arrin të gjejë terapist të kualifikuar, kryesisht për shkak të listave të gjata të pritjes.

Sipas autoriteteve zvicerane të shëndetit publik, aplikacioni mund të lehtësojë qasjen në trajtim për personat që vuajnë nga çrregullime depresive, duke ofruar metoda të mbështetura në kërkime shkencore. “Janë kryer shumë studime në vende dhe kontekste të ndryshme që tregojnë se ky aplikacion ndihmon në uljen e simptomave të depresionit,” shpjegon profesoresha e psikologjisë në Universitetin e Fribourgut, Chantal Martin Sölch.

Ajo shton se efekti është edhe më i mirë kur përdoret së bashku me psikoterapinë tradicionale, duke përmirësuar rezultatet e trajtimit.

Jo inteligjencë artificiale gjeneruese

Aplikacioni është i dedikuar për të rriturit me depresion të lehtë deri në të moderuar dhe përdoret si mbështetje shtesë krahas terapisë klasike, gjatë pritjes për psikoterapi ose ndërmjet seancave.

Programi ofron udhëzime të bazuara në algoritme, por nuk funksionon si një inteligjencë artificiale biseduese. Ai nuk gjeneron përmbajtje të re, por jep ushtrime të parapërgatitura sipas simptomave të përdoruesit, si teknika për menaxhimin e mendimeve negative apo forcimin e emocioneve pozitive. Gjithashtu, përdoruesit mund të mbajnë një ditar të përditshëm të gjendjes emocionale.

Vlerësime të përziera nga ekspertët

Psikologët në përgjithësi e kanë mirëpritur këtë zhvillim, ndërsa organizata ombrellë FSP vlerëson se Zvicra është ende prapa në fushën e terapive digjitale dhe duhet të investojë më shumë në këtë drejtim.

Megjithatë, ajo thekson se aplikacione të tilla duhet t’i nënshtrohen vlerësimeve shkencore të rrepta, të garantohet siguria e të dhënave dhe të mos përdoren në situata krize, si p.sh. në raste të mendimeve vetëvrasëse.

Disa profesionistë mbeten më kritikë, duke theksuar se suksesi i trajtimit të depresionit varet shumë nga marrëdhënia njerëzore mes terapistit dhe pacientit – diçka që një aplikacion nuk mund ta zëvendësojë.

Sipas doktoreshës Caterina Ilario nga Njësia e Humor-it dhe Ankthit në spitalet universitare të Gjenevës (HUG), ekziston rreziku që pacientët ta braktisin përdorimin e aplikacionit më lehtë sesa terapinë fizike, sidomos për shkak të mungesës së motivimit që shpesh shoqëron depresionin.

Edhe pse ky “psikolog në xhep” nuk mund të zëvendësojë terapistin e vërtetë, ai mund të ndihmojë në mbushjen e boshllëkut për personat që nuk kanë qasje, nuk guxojnë të kërkojnë ndihmë, ose presin gjatë për trajtim profesional.

Si të mbroheni nga poleni?

Me ardhjen e pranverës, përqendrimi i polenit në ajër rritet ndjeshëm. Sipas qendrës zvicerane të alergjisë aha!, pemët e thuprës janë tashmë në lulëzim të plotë, ndërsa barërat pritet të dominojnë nga mesi i prillit. Muajt në vijim pritet të jenë sfidues për personat që vuajnë nga alergjitë.

A keni rrjedhje të hundëve, kruarje të syve apo ndiheni të lodhur pa arsye të qartë? Mund të jeni ndër personat alergjikë ndaj polenit. Shkencëtarët vlerësojnë se të paktën një në tre persona preken nga kjo gjendje.

Sipas mjekut Yannick Muller, hapi i parë është të krijoni një “kalendar të simptomave” për të kuptuar se cilat lloje poleni ju prekin dhe në çfarë periudhe. Kjo ndihmon në marrjen e masave parandaluese të përshtatshme.

Ai thekson gjithashtu se stresi mund t’i përkeqësojë simptomat:

“Nëse jeni të stresuar, bëheni më të ndjeshëm dhe e përballoni më vështirë alergjinë. Prandaj, puna me emocionet mund të ketë efekt pozitiv.”

Masat që mund të ndihmojnë

Disa hapa të thjeshtë mund të zvogëlojnë ndikimin e polenit:

Lani flokët para gjumit

Ajrosni shtëpinë vetëm herët në mëngjes

Shmangni ekspozimin gjatë orëve me përqendrim të lartë poleni

Nëse këto masa nuk janë të mjaftueshme, mund të përdoren trajtime si antihistaminikë, sprej nazalë apo edhe terapi desensibilizuese. Kjo e fundit është një trajtim afatgjatë që zgjat rreth tre vite dhe kushton nga 1,000 deri në 1,500 franga në vit.

Sa të varura janë Shqipëria dhe Kosova nga remitencat

Remitancat vazhdojnë të jenë një nga burimet më të qëndrueshme të të ardhurave për shumë ekonomi në botë, sidomos për vendet me emigracion të lartë.

Në disa raste, paratë që dërgohen nga emigrantët përbëjnë një pjesë aq të madhe të ekonomisë, sa ndikojnë drejtpërdrejt në stabilitetin financiar të familjeve dhe në funksionimin e ekonomisë kombëtare, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Një analizë e publikuar nga Visual Capitalist, bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, Shqipëria dhe Kosova vijojnë të mbështeten ndjeshëm tek paratë që emigrantët dërgojnë nga jashtë.

Sipas shifrave remitancat në Shqipëri përbëjnë rreth 8.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në Kosovë kjo peshë është edhe më e lartë, në 17.3%.

Krahasimi global tregon se, megjithëse Shqipëria dhe Kosova nuk janë ndër vendet më ekstreme, niveli i tyre mbetet dukshëm mbi mesataren botërore, e cila është vetëm rreth 0.82% e PBB-së.

Në nivel global, vendet më të varura nga remitancat dominohen nga ekonomi të vogla ose me mundësi të kufizuara punësimi. Taxhikistani kryeson listën, ku remitancat arrijnë pothuajse në gjysmën e ekonomisë kombëtare, me rreth 47.9% të PBB-së. Pas tij renditen Libani dhe Nikaragua, ndërsa vende si Nepali, Hondurasi dhe Samoa mbështeten në remitanca për rreth një të katërtën e prodhimit të tyre ekonomik. Në këto ekonomi, emigracioni është shpesh alternativa kryesore për sigurimin e të ardhurave, ndërsa paratë e dërguara nga jashtë mbajnë në lëvizje konsumin dhe aktivitetin ekonomik.

Për Shqipërinë dhe Kosovën, remitancat mbeten një element stabilizues, sidomos në periudha pasigurie ekonomike. Ato përdoren kryesisht për shpenzime bazë familjare, duke ndikuar drejtpërdrejt në nivelin e konsumit të brendshëm. Megjithatë, varësia e vazhdueshme nga këto të ardhura mbart edhe rreziqe, pasi ekonomitë bëhen më të ndjeshme ndaj zhvillimeve në vendet ku jetojnë emigrantët, si ndryshimet në tregjet e punës apo politikat e emigracionit.

Ndryshe nga vendet e vogla, ekonomitë e mëdha marrin shuma shumë të mëdha remitancash në vlerë absolute, por varen më pak prej tyre kur maten si përqindje e ekonomisë.

Qeveria zvicerane: Bartja e procedurave të azilit jashtë vendit, punë e ndjeshme

Këshilli Federal i Zvicrës është treguar kritik ndaj dhënies me kontratë të procedurave të azilit jashtë vendit. Ai deklaron se ka pengesa të konsiderueshme në rrugën për të realizuar një synim të tillë, trnsmeton albinfo.ch.

Për shembull, do të ishte e vështirë të sigurohej sundimi i ligjit dhe standardet e të drejtave të njeriut (në vendet ku do të “transportoheshin” azilkërkuesit), edhe nëse kjo do të ishte ligjërisht e mundur.

Këshilli Federal e bazon qëndrimin e tij në një studim të jashtëm. Në të njëjtën kohë, Këshilli Federal nuk e përjashton pjesëmarrjen në projekte të tilla të dhënies me kontratë të azilit nëse ato rezultojnë të suksesshme në vende të tjera.

Disa vende evropiane po diskutojnë dhënien me kontratë të procedurave të azilit jashtë vendit ose deportimin e azilkërkuesve të refuzuar në vende të treta. Italia, për shembull, ka krijuar qendra azili në Shqipëri.

Tragjedi në Ticino: 50-vjeçari humb jetën në aksident gjatë punës në pyll

Një aksident i rëndë pune ka ndodhur të martën pasdite në Cugnasco, në zonën malore të kantonit Ticino, ku një punëtor pyjor ka humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës, përcjell albinfo.ch.

Sipas policisë, 50-vjeçari me origjinë bullgare po kryente punime në pyll kur, për arsye ende të paqarta, fillimisht u godit nga një pemë, ndërsa më pas një tjetër pemë ra mbi të.

Në vendngjarje ndërhynë forcat e policisë kantonale, zjarrfikësit e Locarnos, si dhe ekipet e shpëtimit malor të Swiss Alpine Rescue dhe helikopteri i shpëtimit REGA.

Pavarësisht përpjekjeve për reanimim, autoritetet konfirmuan vdekjen e punëtorit në vendin e ngjarjes. Hetimet për të sqaruar shkaqet e aksidentit janë duke vazhduar./Albinfo.ch

Konfirmohet rasti i parë i sëmundjes “Lija e Deleve/Dhive” në Kosovë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka njoftuar se është konfirmuar rasti i parë i sëmundjes Lija e Deleve/Dhive (Sheep Pox/Goat Pox) në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit, rasti është evidentuar në një fermë delesh në fshatin Sazli, në Komunën e Ferizajt, pas hulumtimeve diagnostike në terren dhe analizave laboratorike të kryera në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë.

AUV ka vendosur menjëherë masa për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e kësaj sëmundjeje, të cilat do të zbatohen në rajonin e Ferizajt dhe Gjilanit, ndërsa sipas situatës masat mund të ndryshojnë.

Në kuadër të masave të përgjithshme, AUV ka ndaluar lëvizjen e deleve dhe dhive nga fermat, si dhe tregtimin në tregje dhe shitblerjen e këtyre kafshëve. Po ashtu, fermat ku konfirmohet prania e sëmundjes do të vendosen në izolim dhe karantinë të plotë, pa lejuar hyrje-dalje.

Fermerët janë obliguar që për çdo ndryshim në gjendjen shëndetësore të kafshëve të njoftojnë menjëherë veterinarin, ndërsa praktikat veterinare duhet të zbatojnë protokollet për parandalimin dhe luftimin e sëmundjes. Gjithashtu, fermerët janë udhëzuar të forcojnë masat e biosigurisë në fermat e tyre.

Komunat do të përcaktojnë lokacionet për groposjen e kafshëve të ngordhura, ndërsa AUV do të vazhdojë me hulumtimet epidemiologjike, marrjen e mostrave dhe testimet laboratorike.

Përjashtimisht nga ndalimi i përgjithshëm, është lejuar lëvizja e kafshëve nga fermat e lira nga kjo sëmundje drejt thertoreve të licencuara, vetëm me pëlqimin paraprak të inspektorit veterinar.

Po ashtu, AUV ka urdhëruar që të gjithë menaxherët e tregjeve të pezullojnë menjëherë tregtimin e deleve dhe dhive, ndërsa Policia e Kosovës dhe organet komunale, në bashkëpunim me AUV-në, do të mbikëqyrin zbatimin e këtyre masave./Albinfo.ch

Pse gjykata në Cyrih anuloi lejen e ndërtimit për McDonald’s?

Një gjykatë administrative në Cyrih ka vendosur të anulojë lejen e ndërtimit për një restorant të ri të rrjetit të njohur të ushqimit të shpejtë McDonald’s në pjesën historike të qytetit, përcjell albinfo.ch.

Vendimi erdhi pasi kundërshtarët e projektit, mes tyre edhe aktorja britanike Emma Thompson, kishin kundërshtuar ndërtimin e restorantit në qytetin e vjetër.

Sipas gjyqtarëve të gjykatës administrative, disa elemente të planifikuara për ndërtesën, përfshirë oxhaqet e dukshme të ventilimit, nuk përputhen me arkitekturën historike të lagjes dhe prishin pamjen karakteristike të zonës.

Pas vendimit të gjykatës, një zëdhënës i kompanisë McDonald’s deklaroi se kompania është “jashtëzakonisht e befasuar” nga ky vendim.

Megjithatë, kompania ka ende mundësi të ankimojë vendimin brenda 30 ditësh, ndërsa mbetet e paqartë nëse projekti do të vazhdojë apo do të anulohet përfundimisht./Albinfo.ch

Kosova: Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit në rastin e Banjskës

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar që tre të akuzuarit në rastin e sulmit në Banjskë – Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq – të shpallen fajtorë dhe të dënohen me burgim të përjetshëm, përcjell albinfo.ch.

Prokurori Naim Abazi, gjatë seancës gjyqësore, deklaroi se ngjarjet e 24 shtatorit 2023 nuk ishin të izoluara, por pjesë e një plani të mirëorganizuar dhe të përgatitur më herët. Sipas tij, para sulmit janë kryer një sërë veprimesh që dëshmojnë për një strukturë kriminale me qëllime terroriste.

Ai përmendi sulme ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve dhe institucioneve zgjedhore, vendosjen e barrikadave, përdorimin e mjeteve shpërthyese dhe sulmin ndaj trupave të KFOR-it, ku u lënduan mbi 90 ushtarë.

Në këtë proces gjyqësor, të arrestuar dhe në paraburgim janë tre të akuzuarit, ndërsa më herët Milan Radoičić dhe 44 persona të tjerë janë përfshirë në aktakuzën e ngritur më 11 shtator 2024.

Sipas aktakuzës, grupi akuzohet për terrorizëm, krime të rënda kundër rendit kushtetues të Kosovës, si dhe për organizim të një sulmi të armatosur me qëllim destabilizimi dhe ndryshimi të kontrollit në veri të vendit. /Albinfo.ch

Zvicër: Vetëm 34 për qind e banorëve jetojnë në shtëpitë e tyre

Pronësia e banesave në Switzerland vazhdon të mbetet në nivel shumë të ulët krahasuar me shumë vende të tjera evropiane. Sipas një analize të publikuar nga portali i pasurive të paluajtshme Home24, vetëm 34 për qind e banorëve në Zvicër jetojnë në shtëpitë e tyre, duke e bërë këtë përqindjen më të ulët mes 40 shteteve të analizuara, përcjell albinfo.ch.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se kjo përqindje është në rënie. Në vitin 2010, rreth 38 për qind e banorëve në Zvicër ishin pronarë të banesave të tyre, ndërsa sot ky numër ka rënë në 34 për qind.

Sipas analizës, një nga arsyet kryesore për këtë situatë është se, edhe pse pagat në Zvicër janë relativisht të larta, ato nuk arrijnë të kompensojnë çmimet shumë të larta të tokës dhe të pasurive të paluajtshme.

Madje, fuqia e lartë blerëse në vend ndikon në rritjen e kërkesës për banim, veçanërisht në zonat urbane. Kjo kërkesë e madhe për strehim në qytete çon në rritje të mëtejshme të çmimeve të tokës dhe banesave, duke e bërë blerjen e një shtëpie gjithnjë e më të vështirë për shumë banorë./Albinfo.ch

Zgjedhja e presidentit në Kosovë: Konjufca ia lë vendimin opozitës

Zëvendëskryeministri dhe kandidati i Lëvizja Vetëvendosje për president, Glauk Konjufca, ka deklaruar se zgjedhja e kreut të shtetit varet nga vullneti i opozitës, përcjell albinfo.ch.

Ai tha se është i gatshëm të tërheqë kandidaturën e tij nëse partitë opozitare paraqesin një propozim për president, duke shtuar se në rast të mungesës së marrëveshjes, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.

“Shkojmë në zgjedhje të reja nëse është vullneti i opozitës. Nuk kemi çka të bëjmë”, është shprehur Konjufca.

Kosova ndodhet në një periudhë vendimtare politike, pasi nëse deri më 28 prill nuk arrihet zgjedhja e presidentit në Kuvend, vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje parlamentare – për herë të tretë brenda një viti e gjysmë.

Ndërkohë, partitë politike vazhdojnë të mbeten larg një marrëveshjeje, me opozitën që akuzon Lëvizja Vetëvendosje se nuk po tregon interes për zgjidhjen e çështjes, ndërsa kjo e fundit kritikon opozitën për mungesë propozimesh konkrete./Albinfo.ch

EuroAirport i Bazelit mbyll pothuajse plotësisht pistën kryesore për disa javë

EuroAirport Basel–Mulhouse–Freiburg do të ndërpresë pothuajse të gjitha fluturimet për disa javë për shkak të rinovimit të pistës kryesore. Punimet do të zgjasin nga 15 prilli deri më 20 maj 2026, periudhë gjatë së cilës shumica e kompanive ajrore që operojnë në këtë aeroport kanë anuluar fluturimet e tyre, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të aeroportit, gjatë kësaj kohe do të përdoret vetëm pista dytësore, e cila është më e shkurtër. Për këtë arsye, më shumë se 25 kompani ajrore që zakonisht operojnë nga ky aeroport kanë vendosur të pezullojnë përkohësisht fluturimet, pasi pista alternative nuk konsiderohet e përshtatshme për avionët e tyre.

Megjithatë, kompania ajrore me kosto të ulët EasyJet do të vazhdojë operimet me një numër të reduktuar fluturimesh. Ajo do të kryejë rreth shtatë fluturime në ditë, që përfaqësojnë rreth 15 për qind të aktivitetit të saj të zakonshëm në këtë aeroport.

Gjatë kësaj periudhe, EasyJet do të përdorë avionë të tipit Airbus A320 për të fluturuar vetëm drejt disa destinacioneve më të afërta në Evropë, përfshirë Hamburg, Palermo, London, Palma de Mallorca, Porto dhe Barcelona.

Arsyeja është se për fluturimet në distanca më të shkurtra avionët mbajnë më pak karburant, duke qenë më të lehtë dhe duke mundësuar përdorimin e pistës dytësore.

Megjithatë, operimet do të përballen edhe me disa sfida. Pista dytësore nuk është e pajisur me sistemin e uljes me instrumente (ILS), që do të thotë se pilotët duhet të kryejnë uljen vetëm me orientim vizual. Për këtë kërkohet një dukshmëri minimale prej të paktën pesë kilometrash, ndërsa kushtet e vështira të motit si stuhitë, reshjet e dendura të shiut apo erërat e forta mund të kufizojnë fluturimet./Albinfo.ch

Sot dita e tretë e Samitit të Diasporës, ja çfarë përfshin agjenda

Dita e tretë dhe e fundit e Samitit të Diasporës Shqiptare mbahet sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku pjesëmarrësit do të ndjekin një agjendë të pasur me diskutime dhe panele tematike, shkruan albinfo.ch.

Sipas programit, aktiviteti do të nisë me një moment reflektimi dhe bashkimi shpirtëror, ku krerë të komuniteteve fetare në vend do të përcjellin lutje dhe mesazhe paqeje, harmonie dhe shprese.

Më pas do të zhvillohen panele diskutimi mbi tema të rëndësishme si integrimi në Bashkimin Evropian, migracioni, identiteti kombëtar dhe komunikimi, me pjesëmarrjen e ministrave, drejtuesve institucionalë, përfaqësuesve të diasporës dhe figurave të tjera publike.

Sipas agjendës zyrtare të publikuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të diskutojnë dhe të eksplorojnë fusha të ndryshme me interes për zhvillimin e vendit dhe rolin e diasporës, përfshirë ekonominë, inovacionin, arsimin, shëndetësinë, artin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.

Në fokus të ditës do të jetë gjithashtu roli i diasporës shqiptare si faktor strategjik në përshpejtimin e integrimit evropian, trashëgimia kulturore dhe gjuhësore e komuniteteve arbëreshe, si dhe kontributi i diasporës në zhvillimin e sektorëve të ndryshëm ekonomikë, përfshirë bujqësinë dhe agropërpunimin.

Samiti i Diasporës u hap dy ditë më parë me një ceremoni mirëseardhjeje në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, ministra, deputetë, drejtues institucionesh dhe personalitete nga diaspora, duke i dhënë kësaj ngjarjeje përmasa të një feste kombëtare./Albinfo.ch

“Zërat e Diasporës” panel i veçantë në kuadër të Samitit të Diasporës Shqiptare

Në kuadër të Samitit të Diasporës Shqiptare, Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Kombëtar organizon panelin “Zërat e Diasporës – Krijimtaria, identiteti dhe fryma shqiptare në artin bashkëkohor”, i cili do të mbahet nga ora 17:00 deri në 18:15, shkruan albinfo.ch.

Paneli, nën kujdesin e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, do të fokusohet në rolin e artistëve shqiptarë në diasporë si bartës dhe promovues të identitetit kulturor në një kontekst global, duke trajtuar ndikimin e tyre në skenën ndërkombëtare të artit.

Në këtë diskutim do të marrin pjesë:

Aulon Naçi (Drejtor i Përgjithshëm i TKOBAP)

Gëzim Myshketa (bariton)

Salvatore Frega (kompozitor)

Anbeta Toromani (balerinë)

Marigona Qerkezi (soprano)

Aktiviteti do të përmbyllet me një përshëndetje artistike nga pjesëmarrësit, duke i dhënë takimit një dimension të veçantë kulturor dhe emocional./Albinfo.ch

Aktorja shqiptare Lyra Xhoci pjesë e një seriali në Netflix

Aktorja shqiptare nga Kanadaja, Lyra Xhoci, po shënon një hap të rëndësishëm në karrierën e saj, duke u bërë pjesë e një produksioni të transmetuar në Netflix, transmeton albinfo.ch.

Ajo luan rolin e infermieres Angela në serialin dramatik me tetë episode “Ripple”, i cili u publikua më 3 dhjetor 2025. Xhoci shfaqet në gjashtë episode, ndërsa personazhi i saj ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin emocional të ngjarjes, që rrëfen historinë e katër personazheve në New York.

Lyra Xhoci është e njohur edhe për publikun shqiptar, falë angazhimeve në serialet “Kafeneja Jonë” dhe “Zyrja Për Gjithçka”, si dhe për pjesëmarrjen në filmin “Tri Dritare dhe Një Varje” (2014), i cili përfaqësoi Kosovën për herë të parë në garën për Oscar.

Pjesëmarrja në një projekt ndërkombëtar të shpërndarë në Netflix konsiderohet një tjetër sukses për aktoren, duke e afruar edhe më shumë me industrinë globale të filmit dhe televizionit./Albinfo.ch

 

Tedi Papavrami sjell “24 Kapriçot” e Paganinit në TKOBAP

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka njoftuar një ngjarje të veçantë muzikore: violinisti i njohur Tedi Papavrami do të interpretojë veprën monumentale “24 Kapriçot” të kompozitorit legjendar Niccolò Paganini, në një premierë absolute, transmeton albinfo.ch.

“24 Kapriçot” për violinë solo konsiderohen ndër veprat më themelore të repertorit violinistik botëror, të kompozuara nga Paganini në periudhën 1802–1817. Kjo kryevepër përfaqëson kulmin e virtuozitetit romantik dhe përfshin teknika novatore si ricochet, pizzicato me dorën e majtë, oktat dhe decima, duke u cilësuar si një sfidë e jashtëzakonshme për çdo violinist.

Me një interpretim të spikatur dhe ndjeshmëri të rrallë artistike, Tedi Papavrami, një nga figurat më të vlerësuara të violinës shqiptare në arenën ndërkombëtare, do ta sjellë këtë vepër të plotë në skenën e TKOBAP-it, më datë 12 & 13 Maj, në ora 20:00, në sallen e TKOBAP-së./Albinfo.ch

 

Alda Dizdari do të sjell një mbrëmje të veçantë të muzikës klasike në Londër

29 prill, në ambientet e “St James’s Piccadilly” në Londër, do të mbahet një koncert i veçantë i muzikës klasike, i organizuar nga DEA Music, duke filluar nga ora 19:30, transmeton albinfo.ch.

Në qendër të kësaj mbrëmjeje artistike do të jetë violinistja virtuozë Alda Dizdari, e cila do të interpretojë e shoqëruar nga London International Concert Orchestra, nën drejtimin e dirigjentit Alexander Walker. Bashkëpunimi mes Dizdarit dhe Walker është vlerësuar ndër vite për projekte të suksesshme, përfshirë edhe një regjistrim të fundit që ka marrë vlerësime të shumta nga kritika.

Programi i koncertit do të sjellë para publikut vepra nga tre emra të mëdhenj të muzikës klasike botërore: Antonín Dvořák, Jean Sibelius dhe Pyotr Ilyich Tchaikovsky, duke ofruar një udhëtim të pasur emocional dhe artistik.

Mbrëmja do të hapet me kompozimin “In Nature’s Realm” të Dvořák, një vepër e ndritshme që reflekton energjinë dhe bukurinë e natyrës. Më pas, publiku do të ketë mundësinë të shijojë Koncertin për violinë të Sibelius, një nga veprat më të fuqishme të repertorit violinistik, ku Alda Dizdari pritet të sjellë një interpretim të mbushur me virtuozitet dhe ndjeshmëri.

Koncerti do të përmbyllet me Simfoninë nr. 4 të Tchaikovsky-t, një kryevepër e njohur për dramën, pasionin dhe intensitetin emocional, që pritet të mbyllë mbrëmjen në mënyrë mbresëlënëse.

London International Concert Orchestra vazhdon të tërheqë interes të madh, duke ndërthurur muzikantë me përvojë nga orkestrat kryesore të Londrës me talente të rin/Albinfo.ch

Dua Lipa zë vendin e George Clooney në reklamën e re të Nespresso

Nespresso ka prezantuar fytyrën e saj më të re: këngëtarja me famë botërore Dua Lipa. Prodhuesi zviceran i kapsulave të kafesë, që është pjesë e kompanisë Nestlé, e angazhoi atë në mes të muajit mars si ambasadore të re të markës, ndërsa tani ka nisur zyrtarisht fushatën e madhe promovuese me të, transmeton albinfo.ch.

Së fundmi është publikuar edhe spot-i i parë reklamues, me kohëzgjatje rreth 30 sekonda, ku Dua Lipa shfaqet duke provuar lloje të ndryshme të kafesë dhe duke udhëtuar simbolikisht në vende të ndryshme të botës. Reklama e çon atë në një “udhëtim” përmes kulturave dhe atmosferave të ndryshme, nga New Yorku, në Itali, e deri në Francë.

Mesazhi kryesor i fushatës së re është se çdo filxhan kafeje është një ftesë për të zbuluar diçka të re.

Në një moment të spotit, Dua Lipa me humor “ia merr” sloganin e famshëm të George Clooney-t: “What else?”, i cili për vite me radhë ishte sinonim i reklamave të Nespresso. Megjithatë, Clooney mbetet ende pjesë e markës dhe shfaqet gjithashtu në reklamë me një paraqitje të shkurtër si mysafir.

Nespresso synon që përmes kësaj fushate të re dhe trendeve moderne të kafesë, të tërheqë sidomos audiencën më të re. Dua Lipa, e cila ka fituar tre çmime Grammy dhe është ndër artistet më të dëgjuara në botë, pritet të sjellë një imazh më bashkëkohor për markën.

Në këtë mënyrë, Nespresso po e rinovon strategjinë e saj të marketingut duke bashkuar një ikonë të vjetër si George Clooney me një yll të ri global si Dua Lipa./Albinfo.ch

Dua Lipa InstaStory

SWISS zgjat pezullimin e fluturimeve drejt Dubait deri më 11 korrik

Kompania ajrore zvicerane SWISS International Air Lines ka njoftuar se do të vazhdojë pezullimin e fluturimeve drejt dhe nga Dubai deri më 11 korrik, për shkak të situatës së paqëndrueshme në Lindjen e Mesme.

Fillimisht, pezullimi ishte parashikuar të zgjaste deri në fund të majit, por vendimi është zgjatur pas vlerësimeve të reja të situatës, bëri të ditur kompania të martën, transmeton albinfo.ch.

SWISS theksoi se zhvillimet po monitorohen vazhdimisht në koordinim me Lufthansa Group dhe autoritetet përkatëse në Zvicër dhe në vendet e prekura. Pasagjerët e prekur nga anulimet mund të riplanifikojnë udhëtimin në një datë tjetër ose të kërkojnë rimbursim të plotë të biletës.

Në fund të marsit, SWISS dhe kompani të tjera të Lufthansa Group kishin njoftuar gjithashtu pezullimin e fluturimeve drejt Tel Avivit deri në fund të majit.

Ndërkohë, fluturimet drejt disa destinacioneve në rajon do të mbeten të pezulluara deri më 24 tetor. Këto përfshijnë Abu Dabin, Amanin, Bejrutin, Riadin, Erbilin, Dammamin, Muskatin dhe Teheranin.

Kompania ajrore nuk ka dhënë një afat të ri për rifillimin e plotë të operimeve në këto linja, duke theksuar se vendimet do të varen nga zhvillimet e sigurisë në rajon.

Dyshime për abuzim në një çerdhe në Bern: A dështuan autoritetet?

Dy raste të ndara me të njëjtën dyshim për sjellje të papërshtatshme ndaj fëmijëve në një çerdhe të lidhur me një kompani në qytetin e Bernës kanë ngritur pyetje serioze mbi reagimin e institucioneve dhe menaxhmentit.

Sipas raportimeve, prindërit e parë kishin ngritur shqetësime që në verën e vitit 2025, duke dyshuar se një punonjës i çerdhes kishte prekur në mënyrë të papërshtatshme një fëmijë. Megjithatë, atëherë nuk u ndërmorën masa konkrete.

Vetëm në shkurt të vitit 2026, pas një raportimi të dytë nga një grup tjetër prindërish me të njëjtën dyshim, çështja u vu në lëvizje. Punonjësi në fjalë u pezullua dhe autoritetet mbikëqyrëse nisën hetimet.

Menaxhmenti i kompanisë ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të rastit të parë deri në momentin kur po hetonte rastin e dytë. “Vetëm gjatë hetimeve në shkurt 2026 u mësua për dyshimin e mëhershëm që daton nga qershori 2025,” thuhet në përgjigjen e tyre.

Pas zhvillimeve, të gjithë prindërit, fëmijët e të cilëve kanë qenë në çerdhe gjatë periudhës kur ka punuar punonjësi i dyshuar, janë informuar për rastin.

Hetim i brendshëm dhe ekspertë të pavarur

Institucioni ka bërë të ditur se po bashkëpunon me autoritetet përkatëse dhe ka nisur rishikimin e procedurave të brendshme me ndihmën e ekspertëve të jashtëm. Qëllimi është forcimi i politikave të mbrojtjes së fëmijëve dhe parandalimi i rasteve të ngjashme në të ardhmen.

Sipas kompanisë, punonjësi i dyshuar është pezulluar nga detyra, ndërsa për arsye privatësie nuk jepen detaje për rolin apo kohëzgjatjen e punës së tij. Drejtuesja e çerdhes, sipas raportimeve, nuk është më në këtë pozitë që nga shkurti 2026.

Roli i autoriteteve dhe detyrimi për raportim

Në kantonin e Bernës, çerdhet janë të detyruara me ligj që të raportojnë menjëherë çdo shkelje serioze ose dyshim të tillë tek zyra kantonale për integrim dhe çështje sociale.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse të dy rastet janë raportuar në kohë. Zëdhënësi i zyrës kantonale ka deklaruar se nuk mund të komentojë raste individuale për shkak të hetimeve në vazhdim, por ka theksuar se çdo sinjal i rrezikut për mirëqenien e fëmijëve trajtohet me seriozitet të lartë.

Hetimet vazhdojnë

Autoritetet kantonale po shqyrtojnë nëse institucionet përkatëse kanë vepruar në përputhje me detyrimet ligjore. Rasti ka nxitur debat mbi transparencën dhe reagimin e shpejtë në institucionet që kujdesen për fëmijët.

Ulja e taksave të karburantit: Ekonomistët paralajmërojnë pasoja për buxhetin dhe çmimet

Debat për uljen e taksave të karburanteve në Zvicër

Rritja e çmimeve të benzinës dhe naftës, e lidhur me tensionet ndërkombëtare, ka shtuar presionin mbi familjet dhe ekonomitë në Evropë. Disa shtete fqinje të Zvicrës, si Gjermania, kanë vendosur të ulin taksat mbi karburantet për të lehtësuar kostot për qytetarët.

Megjithatë, ekonomisti dhe drejtori i KOF/ETH, Hans Gersbach, vlerëson se kjo masë nuk është zgjidhja më e përshtatshme për Zvicrën. Sipas tij, një ulje e taksës së naftës do të kishte disa disavantazhe: do të përfitonin të gjithë pa dallim, do të dobësonte nxitjen për kursim energjie dhe do të krijonte mungesë në të ardhurat buxhetore që do të duhej të kompensohej në mënyra të tjera.

Gersbach sugjeron se masa më efektive do të ishte një mbështetje më e synuar për qytetarët, për shembull përmes rritjes së rimbursimit të CO₂ ose kompensimeve të diferencuara sipas të ardhurave, duke ruajtur njëkohësisht sinjalin e çmimit për kursimin e energjisë.

Në këtë mënyrë, sipas tij, lehtësimi do të ishte më i drejtë dhe më efikas sesa ulja e përgjithshme e taksave mbi karburantet.

Gjenevë: Mbyllet shkolla e vetme për nxënësit në rrezik, vendim që po ngjall polemika

Shkolla e specializuar në Lullin, e vetmja në kantonin e Gjenevës e dedikuar për të rinjtë që kanë braktisur shkollën ose janë në rrezik të braktisjes, do të mbyllet në qershor pas më shumë se dhjetë vitesh funksionimi. Vendimi i autoriteteve kantonale ka shkaktuar reagime të forta nga mësuesit dhe disa parti politike të majta dhe të qendrës.

Mbështetje për të rinjtë në rrezik

Shkolla e Lullin kishte për qëllim të ndihmonte shpejt riintegrimin e nxënësve në sistemin arsimor. Ajo pranonte nxënës të nivelit të mesëm (15–19 vjeç) në çdo kohë dhe ofronte masa të specializuara mbështetëse për një periudhë tre mujore.

Vendimi i autoriteteve

Shteti i Gjenevës planifikon ta decentralizojë këtë sistem duke i shpërndarë ekipet mbështetëse në shkollat e zakonshme. Sipas autoriteteve, reforma e re e “pre-kualifikimit”, që hyn në fuqi këtë verë, do të mbulojë gjithashtu nevojat e këtyre nxënësve.

Kritika nga mësuesit dhe opozita

Ky argument kundërshtohet nga Sindikata e Mësuesve të Arsimit të Mesëm, e cila thekson se shkolla ka rezultate të dëshmuara pozitive. Përfaqësuesja e saj, Emilie Wieland, shpreh shqetësim të veçantë për nxënësit që vuajnë nga “fobia e shkollës”.

Sipas saj, mesazhi që u jepet këtyre të rinjve është kontradiktor: “u thuhet se nuk mund të vijnë më në një shkollë të tillë, por nga ana tjetër të vijnë në shkollë për një program që supozohet t’i ndihmojë të rikthehen në sistem”.

Ajo shton se aktualisht nuk ka qartësi mbi planin e Departamentit të Arsimit Publik (DIP), duke ngritur dyshime nëse zgjidhja e re do të jetë e përshtatshme për këtë kategori nxënësish.

Reagime politike

Edhe në planin politik, partitë e majta dhe të qendrës kërkojnë vazhdimin e këtij shërbimi të specializuar. Parlamenti kantonal ka miratuar një rezolutë urgjente që i kërkon Këshillit Shtetëror të Gjenevës të rishqyrtojë vendimin.