Nga sot, qafa Furka do të jetë e hapur për trafik gjatë muajve të verës

Nga ora 10:00 e mëngjesit Qafa Furka, që lidh Realpin (UR) me Oberwaldin (VS), do të jetë e hapur për trafik gjatë muajve të verës, përcjell albinfo.ch.

Qafat malore të Uri, Oberalp, Klausen e Gotthard tashmë kanë hequr mbylljet dimërore.

Megjithatë, meqenëse Qafa Susten nuk është ende plotësisht e kalueshme, ajo do të rihapet vetëm në mesin e qershorit.

Rriten eksportet e orëve zvicerane në Shtetet e Bashkuara

Eksportet e orëve zvicerane në SHBA u rritën ndjeshëm muajin e kaluar, ndërsa presidenti Donald Trump i dha fund tarifave, treguan të martën shifrat e industrisë, përcjell albinfo.ch.

Dërgesat me destinacion SHBA-në u rritën me 149.2 për qind në prill, krahasuar me të njëjtin muaj një vit më parë, sipas Federatës së Industrisë së Orëve Zvicerane.

Presidenti amerikan vendosi në fillim të prillit një tarifë prej 10 për qind për importet nga e gjithë bota, por më pas goditi dhjetëra vende me tarifa më të larta; mallrat zvicerane përballeshin me një taksë prej 31 për qind.

Megjithatë, Trump i ndaloi tarifat më të larta deri në korrik për t’i dhënë kohë negociatave.

Rritja e eksporteve të orëve zvicerane në Shtetet e Bashkuara ishte “kryesisht rezultat i dërgesave të hershme”, ndërsa tarifat më të larta të SHBA-së po afrohen, tha federata.

“Rritja e ndjeshme e eksporteve është, pra, më shumë një pasqyrim i një përgjigjeje të njëhershme ndaj një situate të pasigurt tregtare sesa një shenjë e vërtetë e një forcimi strukturor të kërkesës”, shtoi ajo. (AFP)

Swisscom do të ulë ndjeshëm tarifat e roaming-ut

Duke filluar nga 1 qershori, operatori më i madh i telekomunikacionit në Zvicër po lançon paketa të reja roaming me çmime më të ulëta për shfletim në mbi 100 vende, përfshirë Evropën, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, njoftoi kompania, përcjell albinfo.ch.

Paketat e reja të të dhënave fillojnë nga 5.90 franga për gigabajt.

“Kjo do të thotë se klientët do të përfitojnë një ulje çmimi deri në 66 për qind për roaming, varësisht nga vendi ku ndodhen”, tha Swisscom.

Ajo shtoi se edhe më shumë vende do të përfshihen në ofertë në vjeshtë.

BE: Kërkesë për formimin e Qeverisë, kemi nevojë për një partner

Në një deklaratë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se BE-ja ka nevojë për një partner në Kosovë, tek ka bërë thirrje për formimin e qeverisë së re, përcjell albinfo.ch.

Orav ka thënë se BE-së i duhet partneri që të mund të bisedojë për hapat konkretë drejt integrimit.

“Ju mund t’i bëni gjërat dhe mund ta çoni vendin tuaj drejt Bashkimit Evropian. Dhe dua të them që argumentet se një vend fqinj është duke bërë edhe më keq, nuk e afrojnë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian. Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere  presidenten  por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Pra, kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se qëndrimi i BE-së për zhvillimet në veri është i qartë. Ka përsëritur se heqja e masave ndaj Kosovës ka filluar, por ka thënë se duhet bashkëpunim i ngushtë për të ecur përpara.

“Mbyllja e institucioneve në veri. Sërish, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë pozicionin e tij  në mënyrë private, zyrtare dhe publike. Masat ndaj Kosovës. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, ishte këtu vetëm para disa ditësh dhe ajo njoftoi se heqja graduale e masave kundër Kosovës ka filluar. Por për të ecur përpara, na duhet qartësisht një bashkëpunim shumë i mirë dhe i ngushtë me autoritetet këtu”, ka thënë Orav.

Ai ka folur edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo është një temë që duhet të trajtohet seriozisht dhe pa vonesa.

“Një temë për të cilën të gjithë flasin, por që nuk është aq e preferuar për t’u përmendur nga politikanët këtu në Kosovë, është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Por qëndrimi i BE-së është sërish i qartë: duhet të bëhet. Duhet të bëhet dhe është më mirë të bëhet më herët sesa më vonë, për të ecur përpara. Mesazhi im është se ne në BE jemi të gatshëm të ecim përpara dhe shpresojmë shumë që edhe Kosova do të bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë ai.

Ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karin Boven, mbështeti thirrjen për formimin e menjëhershëm të qeverisë, duke theksuar se pa pushtet ekzekutiv funksional, përkushtimi për integrim nuk mund të konkretizohet.

“Përfaqësuesja e Lartë Kallas, e përmendur tashmë javën e kaluar, solli lajme të mira për fillimin e heqjes graduale të masave të BE-së, ashtu siç ishte kërkuar nga të gjitha institucionet dhe partitë politike të Kosovës. Dhe si BE, tani kemi nevojë të shohim veprime që kontribuojnë më tej në përafrimin me vlerat dhe standardet evropiane. Më lejoni të tërheq gjithashtu vëmendjen tek plani evropian i rritjes, i përmendur tashmë, një tjetër mundësi madhore për integrimin gradual të Kosovës në BE, një mundësi që tashmë pret veprimet konkrete të Kosovës. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Në këtë pikë, siç e përmenda tashmë, përparësia kryesore është formimi i qeverisë dhe fillimi i menjëhershëm i punës së saj”, ka thënë ajo.

Ambasadorja holandeze vlerësoi përparimin e bërë nga Kosova ndër vite, por ka theksuar se ritmi i reformave është vendimtar për suksesin e integrimit.

Konferenca po organizohet nga Lëvizja FOL dhe Instituti i Prishtinës për Studime Politike.

Edhe pse në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet më 9 shkurt dhe rezultatet u certifikuan në fund të marsit, Kuvendi ende nuk është konstituuar për t’i hapur rrugë formimit të Qeverisë.

Propozohen ndryshime të politikës së migracionit në Gjermani

Së fundmi, qeveria gjermane ka miratuar tri projektligje shumë të rëndësishme, me të cilat do të ndryshojnë rregullat për marrjen e shtetësisë gjermane, do të kufizohet numri i migrantëve që mund të vijnë në Gjermani dhe do të ndalohet bashkimi familjar për disa kategori, për dy vjet, përcjell albinfo.ch.
Ndryshimet për bashkime familjare nuk i prekin punëtorët e zakonshëm, por vetëm refugjatët dhe azilkërkuesit e refuzuar.
Dyshtetësia nuk preket, por hiqet mundësia e marrjes së shpejtë të shtetësisë gjermane dhe kufizohet numri i migrantëve që mund të vijnë brenda vitit.
Referuar statistikave, në vitin e kaluar në Gjermani rreth 200 000 të huaj kanë marrë shtetësinë gjermane, që është rekord në 25 vitet e fundit.

Bien shitjet e Teslës në Evropë

Shitjet e Teslës në Evropë vazhdojnë të bien ndjeshëm që prej muajit prill.

Regjistrimet janë 5 475, krahasuar me 11 540 një vit më parë, një rënie prej 52,6%, me pjesën e tregut që ka rënë nga 1,3% në 0,6%.

Që nga fillimi i vitit, kompania e udhëhequr nga Elon Musk ka shitur 41 677 makina apo 46,1% më pak se e njëjta periudhë në vitin 2024.

Tregu i makinave në Evropën Perëndimore (BE+EFTA+MB) mbylli katër muajt e parë të vitit në një mënyrë të qëndrueshme krahasuar me vitin 2024.

Në prill, regjistrimet ishin 1 077 186 pra 0,3% më pak se i njëjti muaj i vitit të kaluar, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Në periudhën katërmujore, pati 4 459 087 ose e thënë ndryshe 0,4% më pak se në të njëjtën periudhë në vitin 2024.

Duke parë vetëm BE-në, në katër muajt e parë të vitit 2025 shitjet e makinave elektrike me bateri u rritën me 26,4%, duke arritur në 558 262 njësi, 15,3% të totalit të BE-së.

“Automjetet hibride u rritën me 20,8%, duke kapur 35,3% të tregut dhe mbeten zgjedhja e preferuar për konsumatorët e BE-së “, thekson ACEA, shoqata evropiane e e automjeteve.

“Thesari Bitcoin”, ideja e fundit nga Trump

Rreth 50 investitorë institucionalë do të investojnë 1.5 miliardë dollarë (rreth 1.38 miliardë euro) në vendosjen private për aksione të zakonshme në kompani, dhe 1 miliard dollarë të tjerë (rreth 920 milionë euro) për obligacione të konvertueshme, sipas Trump Media and Technology Group, operatorit të Truth Social dhe kompanive të tjera.

Trump Media tha se synon të përdorë të ardhurat për krijimin e një “thesari bitcoin”.

“Ky investim do të ndihmojë në mbrojtjen e kompanisë sonë kundër ngacmimit dhe diskriminimit nga institucionet financiare, të cilat prekin shumë amerikanë dhe firma amerikane”, tha CEO dhe kryetari i Trump Media, Devin Nunes. Shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Aksionet e Trump Media & Technology Group Corp., me seli në Sarasota, Florida, ranë me 9 % pas përditësimit.

Kompani të tjera kanë miratuar strategji të ngjashme përmes kriptomonedhës. Zhvilluesi i softuerëve në cloud dhe celular, MicroStrategy Inc., ka ndërtuar një rezervë thesari që përmban miliarda dollarë bitcoin përmes shitjeve të aksioneve dhe financimit të borxhit.

Trump, i cili iu referua kriptovalutave në mandatin e tij të parë si “jo para,” duke përmendur paqëndrueshmërinë dhe një vlerë “të bazuar në ajër të hollë,” ka ndryshuar pikëpamjet e tij mbi këtë teknologji.

Gjatë një ngjarjeje në klubin e tij Mar-a-Lago në Florida, gjatë fushatës presidenciale në maj 2024, Trump mori garanci se mbështetësit e industrisë së kriptovalutave do të shpenzonin shumë për ta rizgjedhur atë.

Javën e kaluar, Trump shpërbleu 220 investitorë kryesorë në një nga projektet e tij të tjera të kriptovalutave, monedhën meme $Trump, me një darkë në një klub luksoz golfi në Virxhinia Veriore, duke nxitur akuza se presidenti përziente detyrat zyrtare me interesat e tij personale.

Kreuzlingeni me shumë hendbollistë shqiptarë largohet nga Superliga zvicerane

Është e çuditshme, por e vërtetë: klubi zviceran Kreuzlingen u largua vullnetarisht nga Superliga zvicerane, përcjell albinfo.ch.

Blick i ka kushtuar klubit një artikull për vendimin e tij dhe për mënyrën se si shumë hendbollistë do të nisin transfere të reja.

Vlen të theksohet se ky klub kishte pesë hendbollistë të rëndësishëm të Kosovës dhe tri hendbolliste të njohura të përfaqësueses së Kosovës.

Në edicionin 2024/2025, Kreuzlingen ishte njëri nga dy klubet e vetme që kishte ekipin e djemve dhe atë të vajzave në Superligën e Zvicrës.

Por në edicionin e ardhshëm nuk do të jetë në elitë me asnjërin ekip.

Hendbollistët ndër më kryesorët ishin shqiptarë: kapiteni Valon Dedaj, lojtari kryesor i mbrojtjes Bujar Ramosaj, portieri i parë Haris Berisha, krahu i djathtë Drilon Tahirukaj dhe krahu i majtë Drenit Tahirukaj. Pjesë e klubit ishin edhe tri hendbolliste të rëndësishme të Kosovës: Albina Rugova, Fitore Aliu dhe Dafina Mustafa.

Sipas Blick, ajo që ndodhi duket e pazakontë, por është vetëm kapitulli i tretë i riorientimit të klubit. /Albinfo.ch

Shqipëri-Serbi, me masa të jashtëzakonshme sigurie

Më 7 qershor 2025, ora 20:45, “Arena Kombëtare” do të jetë skena e një ndeshjeje me peshë të veçantë për Kombëtaren shqiptare, që përballet me Serbinë në kualifikueset e Botërorit 2026.

Për këtë arsye, autoritetet shqiptare kanë mobilizuar masa të jashtëzakonshme sigurie për të garantuar një mbrëmje sportive të qetë dhe pa incidente, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Federata Shqiptare e Futbollit, në bashkëpunim me Shërbimet e Sigurisë së Shtetit, Policinë dhe agjenci të tjera, po implementojnë masa të avancuara sigurie në stadium.

Në stadiumin “Arena Kombëtare” po instalohen sisteme moderne sigurie që përfshijnë kamera me njohje fytyre “face recognition” dhe kamera të lëvizshme shtesë, që do të monitorojnë çdo lëvizje në tribuna dhe rreth stadiumit në kohë reale.

Policia shqiptare ka përgatitur një plan të detajuar kontrolli, që përfshin verifikimin e imtësishëm të biletave dhe dokumenteve të identifikimit të çdo personi që hyn në stadium.

Për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm, të gjitha rrugët që çojnë drejt stadiumit do të jenë të bllokuara plotësisht, ndërsa zona përreth do të mbrohet me pajisje antidron, për të shmangur mundësinë e ndonjë ndërhyrjeje të jashtme. Në stadium do ketë prezencë të lartë të forcave të policisë dhe njësive antiterror.

Bekim Zogaj zgjidhet Menaxher i Gjyqtarëve Elitë të Zvicrës

Kanë kaluar më pak se një vit që nga “pensionimi” i tij si asistent gjyqtar futbolli në nivelet më të larta zvicerane dhe ndërkombëtare. Por, Bekim Zogaj, ka ende shumë për t`i dhënë profesionit që ka ushtruar për afër tri dekada. Ai është emëruar sot si menaxher i gjyqtarëve elitë të Zvicrës.

Siç shkruan Departamenti i Gjyqtarëve Elitë i Shoqatës Zvicerane të Futbollit (SFV) në një komunikatë të publikuar sot, SFV me një vendim të tij ka emëruar pasardhësin e Brent Reiber-it në pozitën e Menaxherit të Gjyqtarëve Elitë, transmeton albinfo.ch. Duke filluar nga 1 shtatori 2025, Bekim Zogaj do t’i bashkohet SFV-së me kohë të plotë.

Ish – gjyqtari ndihmës me përvojë të gjerë ndërkombëtare ka qenë zëvendës i Kryegjyqtarit Dani Wermelinger në mënyrë të përkohshme që nga fillimi i këtij viti. Kështu, ai kalon nga niveli strategjik në atë operacional të arbitrimit elitar.

Pozicioni në skemën organizative dhe detyrat e 45-vjeçarit nga Cyrihu, i cili e përfundoi karrierën e tij vjeshtën e kaluar me kulmin e pjesëmarrjes në Kampionatin Evropian 2024 me ekipin e arbitrit të njohur Sandro Schärer, janë identike me ato të paraardhësit të tij. Si Menaxher i Gjyqtarëve Elitë, Zogaj merr përgjegjësinë operacionale për gjyqtarët elitë. Ai do të nxisë më tej zhvillimin dhe profesionalizimin e arbitrimit elitar, duke kryer mes tjerash,analiza të performancës dhe duke udhëhequr ndarjen e skuadrave.

“Me Bekim Zogajn, ne po e marrim atë përsipër si një ekspert që është tashmë shumë i njohur me proceset dhe ka lidhje të shkëlqyera kombëtare dhe ndërkombëtare”, thotë Dani Wermelinger. “Dorëzimi i detyrës do të jetë një proces i vazhdueshëm dhe për këtë arsye, nga perspektiva jonë, një proces i qetë. E konsideroj Bekim Zogajn, jo vetëm në rolin e tij si zëvendës, jashtëzakonisht të përkushtuar dhe të apasionuar pas futbollit në një kuptim pozitiv.”

Zogaj do të vazhdojë të punojë në stafin e Departamentit të Inxhinierisë Civile të Qytetit të Winterthur deri në transferimin e tij në postin e ri, transmeton albinfo.ch

“Mezi pres këtë sfidë në SFV”, thotë Bekimi, baba i tre fëmijëve. “Vizionet tona janë të përafërta. Për më shumë se 28 vjet, zemra ime ka qenë te arbitrimi, qoftë si gjyqtar aktiv, si trajner apo si anëtar i ekipit të menaxhimit. Detyrat e ardhshme janë të njohura për mua dhe jam gati t’i përballoj ato me energji të plotë”.

Me ndryshimin në pozicionin e Menaxherit të Gjyqtarëve të Elitës, hapi tjetër është të caktohet pasardhësi i Zogajt si zëvendësdrejtor i departamentit të arbitrimit të elitës në zonën e SFL-së nga Dani Wermelinger, thuhet në komunikatën e SFV.

Trump pezullon caktimin e terminëve për viza studentore

Së fundmi, administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar ambasadat të ndalojnë caktimin e takimeve për viza studentore, ndërsa përgatitet të zgjerojë verifikimin e aplikantëve të tillë në mediat sociale, përcjell albinfo.ch.

Në një kopje të një memorandumi dërguar posteve diplomatike, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se pauza do të zgjasë deri në një udhëzim të mëtejshëm.

Në mesazh thuhej se verifikimi i medieve sociale do të rritej për vizat studentore dhe ato për shkëmbime kulturore, gjë që do të kishte “implikime të rëndësishme” për ambasadat dhe konsullatat.

Urdhri i presidentit Trump vjen në mes të grindjes së tij me disa nga kolegjet më elitare të Amerikës, të cilat ai i beson se janë shumë të majta në bindje. Ai thotë se disa prej tyre kanë mundësuar antisemitizmin në kampus dhe mbështesin politikat diskriminuese të pranimit.

Memorandumi i Departamentit të Shtetit u drejtohej ambasadave amerikane që të hiqnin çdo takim të paplotësuar nga kalendarët e tyre për studentët që kërkojnë viza.

Studentët e huaj që duan të studiojnë në SHBA zakonisht duhet të caktojnë intervista në një ambasadë amerikane në vendin e tyre të origjinës përpara miratimit.

Shumë institucione mbështeten te studentët e huaj për një pjesë të konsiderueshme të financimit të tyre, pasi ata shpesh paguajnë tarifa më të larta shkollimi.

Kur u pyet për vizat studentore, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, u tha gazetarëve të martën: “Ne e marrim shumë seriozisht procesin e verifikimit të atyre që hyjnë në vend dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”.

Burgim të përjetshëm dy personave për vrasjen e biznesmenit shqiptar

Vëllezërit J.V. dhe N.V. janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi në vitin 2021.

Kryetarja e trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Medie Bytyqi, ka thënë se ata janë fajtorë për dy vepra penale: vrasje e rëndë dhe dëmtim i varrezave apo i kufomave.

Sipas aktakuzës, në periudhën 9 janar 2021-8 prill 2021 vëllezërit Vllasaliu kishin planifikuar ta vrisnin Bedri Rexhepin me qëllim përfitimin e pasurisë.

Referuar aktakuzës, viktima ishte vënë në lajthitje nga vëllezërit Vllasaliu, të cilët ofruan për shitje dy vetura në vlerë prej 30 000 eurosh. Më 8 prill 2021 Rexhepi kishte shkuar në shtëpinë e njërit prej të pandehurve.

Atje, sipas aktakuzës, J.V. e ka ngufatur dhe mbytur Rexhepin, duke menduar se ai mbante me vete shumën prej 30 000 eurosh, siç ishin pajtuar për shitjen e veturave. Mirëpo, sipas aktakuzës, tek viktima u gjetën vetëm 8 000 euro. Vëllezërit ndanë mjetet dhe më pas e çuan kufomën në katin e tretë të shtëpisë, ku tentuan ta fshijnë provat duke e varrosur.

Mbetjet mortore të Rexhepit u gjetën më 30 shtator 2022 në vendin e quajtur Mali i Madh, në Vllasali të Novobërdës.

Të dy të dënuarit në seancën fillestare u deklaruan të pafajshëm.

Avokati i palës së dëmtuar, Besnik Berisha, ka deklaruar se sot drejtësia foli. “Së paku satisfaksion moral për dënimin që u shqiptua, sot drejtësia foli, sot plagët janë më të lehta, e dënimi i shqiptuar është dënim i pritur”, ka thënë ai.

Shemsedin Piraj, avokat i të dënuarit Nexhat Vllasaliu, ka deklaruar se s’kishte pritur dënimin me burgim të përjetshëm. “S’e kam pritur këtë dënim për klientin tim Nexhat, burgim i rëndë në bashkëkryerje. Ne i kemi cekur të metat e aktakuzës, por fatkeqësisht ato nuk u përfillën. Megjithatë, ky nuk është vendim përfundimtar, por vetëm i shkallës së parë”, tha Piraj.

Prej sot edhe një pikë e përbashkët kufitare mes Kosovës dhe RMV-së

Mësohet se nga sot (28 maj) edhe pika kufitare me Maqedoninë e Veriut, Glloboçicë-Jazhincë, do të kalohet me vetëm një kontroll, përcjell albinfo.ch.

Në orën 14:00 do të bëhet inaugurimi i pikës së përbashkët kufitare, që është e dyta pas asaj të Hanit të Elezit-Bllacë, që u inaugurua në prill.

Siç ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, në ceremoninë inauguruese do të marrin pjesë ministrat e brendshëm të të dyja shteteve dhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.

“Ky pikëkalim i përbashkët është njëri nga dy pikat e kalimit të përbashkët kufitarë të paraparë sipas Protokollit të Implementimit të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Pikat e Përbashkëta të Kalimit Kufitar Hani i Elezit-Bllacë dhe Glloboqicë-Jazhincë, nënshkruar në nëntor 2024 në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive”, ka njoftuar MPB.

Zvicra po trajnon 160 mjekë nga Shqipëria për reagim ndaj urgjencave

Zvicra po trajnon 160 mjekë nga Shqipëria për reagim ndaj urgjencave.

Bëhet fjalë për shpëtimin e jetëve; aftësitë e urgjencës mjekësore janë të nevojshme për mjekët e familjes dhe infermierët në Shqipëri, transmeton albinfo.ch.

Mbështetja e Zvicrës për shërbimet e urgjencës shëndetësore synon po ashtu profesionistët e kujdesit parësor.

Fondacioni Zviceran për Inovacion dhe Emergency Response Albania (ERA) ofron kapacitete dhe protokolle të avancuara për reagim ndaj urgjencave për 160 mjekë dhe infermierë nga 16 bashki të ndryshme në Shqipëri.

“Është thelbësore që njerëzit të marrin ndihmë dhe përgjigje ndaj urgjencave sa më shpejt të jetë e mundur dhe sa më afër vendit ku është e nevojshme”, shkruan ambasadorja zvicerane Ruth Huber.

Universiteti i Prishtinës: Thirrje e hapur për diasporën ekselente akademike

Së fundmi është bërë një thirrje e hapur për diasporën ekselente akademike me moton “Bashkohuni me Universitetin e Prishtinës: Dija dhe përvoja juaj bëjnë ndryshimin”, përcjell albinfo.ch.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar kolegë e kolege që keni studiuar dhe jeni të punësuar në universitetet më të njohura botërore.

Universiteti i Prishtinës, si institucioni më i vjetër, më i madhi dhe i rendituri më së larti ndër universitetet mbarëshqiptare në platformat ndërkombëtare, shpall thirrje të hapur për angazhimin e personelit akademik që punon dhe ka studiuar në 400 universitetet më të ranguara globale, që dëshirojnë të angazhohen dhe kontribuojnë në ngritjen cilësore të arsimit, kërkimit dhe shoqërisë tonë.

Senati i Universitetit të Prishtinës, më 30 prill 2025, miratoi Rregulloren për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik. Qëllimi i kësaj rregulloreje për rekrutim të personelit akademik është rritja e qasjes në kuadër të talentuar dhe ndërkombëtarisht konkurrues, që është i punësuar apo që ka përfunduar së paku një apo më tepër nivele studimi jashtë vendit, në një universitet që është në mesin e katërqind (400) universiteteve më të mira në botë sipas renditjes së bërë  nga “Times Higher Education” ose “QS World University Rankings”.

Personeli akademik, që është në marrëdhënie të rregullt pune në një universitet që është në mesin e katërqind (400) universiteteve më të mira në botë sipas renditjes së bërë nga “Times Higher Education” ose “QS World University Rankings”, kanë të drejtë transferimi në Universitetin e Prishtinës pa iu nënshtruar procedurave të konkursit publik. Nëse e plotësoni këtë kusht dhe dëshironi të jeni pjesë e personelit akademik të Universitetit të Prishtinës, transferimi juaj do të mund të bëhet me procedurë të veçantë dhe pa iu nënshtruar rregullave të përcaktuara të konkurseve.

Po ashtu, me Rregulloren për transferim, programin ‘Brain Gain’ dhe rastet e nevojës së jashtëzakonshme të rekrutimit të personelit akademik mundësohet rekrutimi i personelit në kuadër të programit të ,,kthimit të trurit” (“brain gain”). Të drejtë për të përfituar nga programi i ,,kthimit të trurit” (“brain gain”) kanë personat që kanë mbaruar së paku një nivel të studimeve në njërin nga katërqind (400) universitetet më të mira në botë. Personeli akademik që rekrutohet përmes konkursit publik, në kuadër të zbatimit të programit për kthimin e trurit “brain gain”, duhet t’i plotësojë kriteret formale për emërimin dhe avancimin e personelit akademik në Universitetin e Prishtinës, të përcaktuara me statut dhe rregullore përkatëse.

Mundësia për të aplikuar për t’u bërë pjesë e Universitetit të Prishtinës do të jetë e hapur gjatë tërë vitit.

Aktualisht, Universiteti i Prishtinës gjendet në një fazë të rëndësishme zhvillimi dhe hapjeje ndërkombëtare. Në këtë rrugëtim për përmirësimin e cilësisë akademike dhe kërkimore, dijet dhe përvoja juaj profesionale janë tejet të çmuara. Kjo thirrje synon të krijojë ura bashkëpunimi me profesionistët tanë në diasporë, qofshin ata të interesuar për angazhim të drejtpërdrejtë në Kosovë apo për kontribut nga distanca, përmes formave të ndryshme të përfshirjes akademike.

Në një kohë kur inteligjenca artificiale po vendos me shpejtësi rregullat e saj edhe në fushën e arsimit të lartë dhe prania fizike në një vend të caktuar nuk është e domosdoshme, ju mund të jepni kontributin tuaj të çmuar për universitetin numër një të atdheut e përtej, edhe nga atje ku jeni, punoni e jetoni, nëpërmjet lidhjes me platformat që mundësojnë mësimin në distancë.

Ne besojmë në fuqinë e lidhjeve virtuale, por edhe në fuqinë e lidhjeve të zemrës dhe mendjes me atdheun.

E ardhmja e Kosovës ndërtohet me dije, integritet dhe bashkëpunim. Me bindjen se asnjëherë nuk ju ka munguar vullneti për ta parë e bërë Kosovën të zhvilluar si vendet ku ju çoi jeta, besoj se do t’i përgjigjeni thirrjes së Universitetit të Prishtinës për rrugëtim të përbashkët drejt një institucioni të arsimit të lartë të kohës në të cilën jetojmë, atë të shekullit XXI.      

Ju presim me duar e zemër të hapur për një angazhim e punë të përbashkët për zhvillimin e Universitetit të Prishtinës.

Prishtinë: Ermonela Jaho do të ngjitet në skenë si soliste, bashkë me Filharmonin e Kosovës

Në Prishtinë do të mbahet një mbrëmje spektakolare më datë 8 qershor, transmeton albinfo.ch.

Opera e Kosovës dhe Filharmonia e Kosovës sjellin një nga yjet më të mëdhenj të skenës operistike botërore, Ermonela Jaho.

E vlerësuar për zërin e saj magjepsës dhe interpretimet që prekin zemrat në çdo cep të botës, Ermonela Jaho do të ngjitet në skenë si soliste, e shoqëruar nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës dhe ajo e Operës së Kosovës. /Albinfo.ch

Benjamin Kololli: Të gjithë më thoshin pse nuk qëndrove te Baseli, do të isha kampion

Një deklaratë e fortë ka ardhur nga Benjamin Kololli, pas komenteve për largimin e tij nga Bazeli dhe se po të ishte pjesë e kësaj skuadre do të ishte kampion, përcjell albinfo.ch.

“Të gjithë më kanë thënë pse nuk qëndrove te Bazeli, do të isha kampion. Por, unë nuk e llogaris veten si kampion nëse nuk luaj, nëse nuk jap kontributin tim”, është shprehur ai.

Mbrojtësi kosovar u largua në janar nga Bazeli dhe nënshkroi me Sionin. Krejt kjo ndodhi për shkak se 33-vjeçari s’kishte minutazh te Bazeli.

10 filmat me fitimet më të mëdha në histori

Sipas një liste të përditësuar nga faqja e internetit cinema.everyeye.it 10 filmat më të mirë, kanë arritur të mbledhin miliarda dollarë duke shitur bileta në të gjithë globin.

Duhet ta dini se, pas disa vitesh, pesë vendet e para kanë ndryshuar pikërisht këto ditë: në vendin e parë kemi ende “Avatar” nga James Cameron, i ndjekur nga” Avengers: Endgame” nga Russo Brothers dhe më pas “Avatar: The Way of the Water dhe Titanic”, gjithashtu nga James Cameron, por tani për herë të parë në pesë pozicionet e para është një film i animuar, filmi kinez “Ne Zha 2”.

Filmi i animuar e tejkaloi ”J.J. Star Wars: The Force Awakens” i Abrams, i cili kishte qenë në pesë më të mirët që nga viti 2015, duke e ngritur atë në vendin e 6-të në listë.

Pozicionet e mbetura zihen më pas nga “Avengers: Infinity War” nga Russo Brothers, “Spider-Man: No Way Home” nga Jon Watts, “Inside Out 2” nga Kelsey Mann dhe “Jurassic World” nga Colin Trevorrow.

Renditja e plotë:

“Avatar” – 2,9 miliardë

“Avengers: Endgame” – 2,7 miliardë

“Avatar: The Way of Water” – 2,3 miliardë

“Titanik” – 2,2 miliardë

“Ne Zha 2” – 2,08 miliardë

“Star Wars: The Force Awakens” – 2,07 miliardë dollarë

“Avengers: Infinity War” – 2,05 miliardë

“Spider-Man: No Way Home” – 1,9 miliardë

“Inside Out 2″ – 1,69 miliardë

‘Jurasik Park” – 1,67 miliardë

“Fire and Ashes” i James Cameron: a do të jetë në gjendje filmi i tretë në sagë të barazohet me dy të tjerët dhe të tejkalojë ‘Ne Zha 2″.

 

 

Shqipëri: Korça përgatitet për Festivalin Ndërkombëtar të Karnavalit

Korça po bëhet gati për çeljen e sezonit turistik me një festë të madhe, Festivalin Ndërkombëtar të Karnavalit.

“Më 7 qershor, qyteti ynë shndërrohet në një skenë të madhe ngjyrash, krijimtarie dhe gëzimi”, u shpreh kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo.

Karnavalet janë një traditë e dashur për korçarët dhe jo vetëm. Ato janë një festë që bën bashkë komunitetin dhe shpirtin artistik të qytetit. Çdo vit, me dhjetëra kostume mbresëlënëse tregojnë jo vetëm fantazinë, por edhe identitetin dhe mesazhet personale të pjesëmarrësve, transmeton ATSh përcjell albinfo.ch.

Pritet që rrugët e Korçës të mbushen së shpejti me superheronj, figura teatrore, personazhe mitologjike apo mesazhe të forta përmes veshjes.

Trafikim droge në Gjermani, Belgjikë dhe Itali, Europol arreston 14 persona

Një operacion i gjerë ndërkombëtar, i udhëhequr nga Europol, ka çuar në shkatërrimin e një bande të fuqishme të trafikut të drogës, e cila vepronte përmes një rrjeti të ndërlikuar në disa vende të Evropës.

Sipas njoftimit të bërë nga selia e Europol-it në Hagë, 14 persona janë arrestuar gjatë aksioneve të zhvilluara në Belgjikë, Gjermani dhe Itali. Gjatë operacionit janë kontrolluar njëmbëdhjetë prona dhe janë sekuestruar 780 kilogramë kokainë, një sasi që tregon shkallën industriale të aktivitetit kriminal, përcjell albinfo.ch.

Hetimet kanë zbuluar se rrjeti kriminal drejtohej nga një familje italiane, me lidhje të drejtpërdrejta me furnizues në Kolumbi. Në Belgjikë ata kishin ngritur laboratorë të sofistikuar për përpunimin e drogës, të fshehur brenda depove që shërbenin si pikë kyçe e shpërndarjes.

Rruga e trafikut kalonte përmes porteve evropiane, ku kokaina hynte e maskuar në dërgesa të ligjshme, përpara se të përpunohej dhe të shpërndahej më tej në tregun evropian.

Autoritetet zvicerane kanë bashkëpunuar gjithashtu në këtë operacion të ndërlikuar ndërkufitar, ndërsa hetimet zbulojnë se banda ishte e përfshirë jo vetëm në trafikun e kokainës dhe heroinës, por edhe në aktivitete të pastrimit të parave në shkallë të gjerë.

Shteti që paralajmëron gjoba për këmbësorët që përdorin telefonin gjatë ecjes

Autoritetet spanjolle kanë njoftuar masa të reja për të përmirësuar sigurinë rrugore, duke përfshirë gjoba për këmbësorët që ecin duke përdorur telefonin celular. Kjo masë vjen si përgjigje ndaj një rritjeje të aksidenteve që përfshijnë persona të shpërqendruar nga pajisjet elektronike.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Trafikut (DGT), këmbësorët që përdorin celularin gjatë kalimit të rrugëve apo në zona të trafikut të dendur do të përballen me gjobë deri në 200 euro. Zyrtarët kanë theksuar se qëllimi nuk është ndëshkimi, por rritja e ndërgjegjësimit për rreziqet që lidhen me shpërqendrimin në rrugë, përcjell albinfo.ch.

Fushata e re për sigurinë rrugore synon të zvogëlojë numrin e aksidenteve dhe të promovojë sjellje më të kujdesshme, si nga këmbësorët ashtu edhe nga drejtuesit e automjeteve. Ky vendim vjen në kuadër të përpjekjeve kombëtare për të ulur numrin e viktimave në rrugët spanjolle.

Trump akuzon Putinin për rrezikim global: Po luan me zjarrin

Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer kritikat e tij të forta ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke e akuzuar se veprimet e tij ushtarake në Ukrainë dhe qëndrimi i tij agresiv në arenën ndërkombëtare janë shumë të rrezikshme dhe të papërgjegjshme.

Në një postim të fundit në rrjetin social Truth Social, Trump theksoi se udhëheqja e tij ka qenë thelbësore për të parandaluar një përshkallëzim më të madh të konfliktit në rajon.

“Putini nuk ka kuptuar ende se nëse unë nuk do të isha, Rusia do të ishte përfshirë në probleme shumë serioze. Kjo nuk është thjesht një pohim, por një realitet i hidhur,” deklaroi Trump, duke nënkuptuar se prania e tij në skenën ndërkombëtare ka ndalur zhvillime katastrofike.

Gjatë fundjavës, ai përshkroi Putinin si një lider të “çmendur”, duke iu referuar sulmeve të reja ajrore të forcave ruse në Ukrainë, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha dhe viktima njerëzore, përcjell albinfo.ch.

Trump gjithashtu paralajmëroi se po konsideron vendosjen e sanksioneve të reja ekonomike kundër Moskës, si një mënyrë për të ndaluar agresionin rus dhe për të shtuar presionin ndërkombëtar ndaj Kremlinit.

Nga ana e saj, Rusia ka reaguar me ashpërsi ndaj këtyre deklaratave, duke akuzuar Trumpin për “reaksione emocionale” dhe për qasje të papërgjegjshme ndaj sigurisë globale. Zëdhënësit e Putinit theksuan se vendimet e Kremlinit janë të nevojshme për mbrojtjen e interesave të Rusisë dhe kritikët amerikanë synojnë të ndikojnë në opinionin ndërkombëtar dhe të rrisin presionin politik mbi Moskën.

Këto fjalë shtojnë tensionet mes dy fuqive botërore dhe ngrejnë shqetësime për stabilitetin global, sidomos për shkak të situatës së vazhdueshme në Ukrainë dhe përkeqësimit të marrëdhënieve midis Perëndimit dhe Rusisë.