Tarifat e reja të Trumpit hyjnë në fuqi

Tarifat e reja gjithëpërfshirëse të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ndaj dhjetëra vendeve në mbarë botën, kanë hyrë në fuqi të mërkurën pas mesnatës.

Pak pas mesnatës, përmes platformës së tij Truth Social, Trump shkroi: “Është mesnatë!!! Miliarda dollarë në tarifa po rrjedhin tani në Shtetet eBashkuara të Amerikës!”.

Shtëpia e Bardhë tha se mallrat nga më shumë se 60 vende dhe nga Bashkimi Evropian do të përballen me tarifa prej 10 për qind ose më të larta.

Tarifat do të zbatohen edhe ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas këtyre përqindjeve:

Serbia 35 për qind, Bosnja e Hercegovina 30 për qind, Maqedonia e Veriut 15 për qind, Kosova 10 për qind dhe Mali i Zi 10 për qind.

Pjesë e listës është edhe Kroacia, anëtare e Bashkimit Evropian, produktet e së cilës do të tatohen me 15 për qind gjatë importit në Shtetet e Bashkuara.

Qeveria e Kosovës në detyrë vendosi më 1 gusht ta heqë tarifën doganore prej 10 për qind ndaj mallrave amerikane.

Produktet nga Bashkimi Evropian, Japonia dhe Koreja e Jugut do të tatohen me 15 për qind, ndërsa importet nga Tajvani, Vietnami dhe Bangladeshi do të tatohen me 20 për qind.

Kur bëhet fjalë për pjesën tjetër të botës, Brazili po përballet me tarifa më të larta doganore amerikane në botë – një tarifë prej 50 për qind që zbatohet për shumicën e mallrave.

Edhe India do të preket nga një tarifë prej 50 për qind, e cila hyn në fuqi më 27 gusht.

Sa i përket Kinës, negociatat janë ende në vazhdim dhe si Uashingtoni, ashtu edhe Pekini janë pajtuar që t’i shtyjnë të gjitha tarifat e reja deri më 12 gusht.

Meksikos i është dhënë gjithashtu një shtyrje, pasi Trump ka thënë se do të vazhdohet me normat aktuale për edhe 90 ditë, duke shmangur kështu rritjen e kërcënuar në 35 për qind.

Kanadaja tashmë po përballet me një tarifë prej 35 për qind, që është në fuqi që nga e premtja e kaluar, ndonëse shumica e mallrave janë të përjashtuara në bazë të marrëveshjes tregtare ndërmjet SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë.

Për vende si BE-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut, Trump gjithashtu pret që ato të investojnë qindra miliarda dollarë në SHBA.

“Mendoj se rritja do të jetë e paprecedentë”, tha Trump të mërkurën pasdite.

Ai shtoi se SHBA-ja “po fiton qindra miliarda dollarë nga tarifat”, por dha ndonjë shifër të saktë për të ardhurat, duke thënë se “ne madje nuk e dimë ende numrin përfundimtar” në lidhje me normat e tarifave.

Pavarësisht pasigurisë, Shtëpia e Bardhë është e bindur se fillimi i këtyre tarifave gjithëpërfshirëse do të sjellë qartësi për rrugën që do ndjekë ekonomia më e madhe në botë.

Megjithatë, kompani dhe grupe të industrisë paralajmërojnë se tarifat e reja do të dëmtojnë rëndë bizneset e vogla amerikane.

Ekonomistët gjithashtu paralajmërojnë se ato mund të nxisin inflacionin dhe të rëndojnë rritjen ekonomike në një afat më të gjatë.

Vala e fundit e tarifave “reciproke”, të cilat synojnë të adresojnë praktikat tregtare që Uashingtoni i konsideron të padrejta, zgjerojnë masat që Trump ka ndërmarrë që kur është rikthyer në presidencë.

Megjithatë, këto tarifa më të larta nuk zbatohen për importet specifike për sektorë të caktuar që janë objekt më vete, si çeliku, automjetet, barnat dhe çipat elektronikë.

Trump tha të mërkurën se planifikon një tarifë prej 100% për gjysmëpërçuesit  megjithëse Taipei deklaroi se gjiganti i prodhimit të çipave, TSMC, do të përjashtohet nga tarifat, pasi ka fabrika në SHBA.

Mesazhi që emisari Sorensen e dha nga Kosova për dialogun: Koha për të ecur përpara

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen qëndroi të mërkurën për vizitë në Kosovë, përcjell albinfo.ch.

Gjatë kësaj vizite zyrtari evropian pati takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe liderë partiakë.

Pas takimeve, diplomati danez deklaroi se dialogu Kosovë-Serbi është i gjallë dhe po i bënë hapat e tij.

Pas takimeve që zhvilloi gjatë ditës, Sorensen, e bëri një postim në X në mbrëmje rreth qëndrimit në Prishtinë.

“Vizitë produktive në Kosovë sot. Në të gjitha takimet e mia, theksova nevojën urgjente për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, tani më shumë se kurrë”.

“Rruga drejt integrimit kalon përmes përparimit domethënës në Dialog. Është koha për të ecur përpara”, shkroi ai, transmeton Klankosova.tv.

Luanda Domi shpërblehet me çmimin ndërkombëtar në sigurinë kibernetike

Një tjetër sukses është shënuar në fushën e sigurisë kibernetike. Luanda Domi, eksperte e njohur e kësaj fushe me prejardhje nga Kosova, është nderuar me çmimin prestigjioz “Cybersecurity Woman of the Year 2025”, në kategorinë Supporter, transmeton albinfo.ch.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt më 3 gusht në Las Vegas, ku u mblodhën profesionistë të shquar nga mbarë bota për të festuar kontributet e grave në sigurinë kibernetike.

E emocionuar pas marrjes së çmimit, Domi u shpreh mirënjohëse për mbështetjen që ka marrë gjatë rrugëtimit të saj profesional. Në një postim në Facebook, ajo falënderoi familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e votuan, duke theksuar:

“Mbështetja juaj ka pasur domethënie të jashtëzakonshme për mua. Jam krenare që do ta sjell këtë çmim në Kosovë—dhe shpresoj që të jetë një kujtesë e vogël për çdo vajzë të re: zëri yt ka vend në sigurinë kibernetike, në udhëheqje, në çdo dhomë. Mos u ndal. Bota ka nevojë për ty.”

Përveç këtij suksesi, Luanda Domi është përzgjedhur edhe në listën e ngushtë për çmimin “Cybersecurity Woman of the World”, që do të ndahet më 25 shtator në Itali  një tjetër dëshmi e vlerësimit ndërkombëtar për angazhimin e saj të palëkundur në këtë fushë jetike të teknologjisë. /Albinfo.ch

Protestohet sot kundër Gjykatës Speciale

Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të organizojë protestë kundër Gjykatës Speciale të enjten.

Ata janë ankuar në këtë gjykatë, pasi, sipas tyre, po synon ta rishkruajë historinë. Protesta është mbështetur edhe nga personalitete që patën ndikim në themelimin e gjykatës.

Nga zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së është bërë thirrje që të enjten, prej orës 17:00, të protestohet në sheshet e Prishtinës kundër drejtësisë që ndan Gjykata Speciale në Hagë.

Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet që protesta të jetë e qetë, por masive.

“Shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjithë ata qytetarë që bashkëndiejnë me ne, që bashkëndiejnë me ata bashkëluftëtar që sot padrejtësisht po gjykohen në Hagë, të marrin nesër pjesë në këtë protestë, në orën 17:00, në sheshin ‘Skënderbeu’, që ta dërgojmë një mesazh edhe te ta, edhe te bashkësia ndërkombëtare se bashkëluftëtarët tonë nuk janë vetëm”, ka thënë Syla.

Syla është ankuar në procesin e zhvilluar deri tash nga Gjykata Speciale në Hagë dhe ka kërkuar reagim ndërkombëtar.

“Aty po cenohet të rishkruhet historia jonë, po cenohet të rishkruhet historia e shtetndërtimit tonë, këtë shtet dihet që e kemi ndërtuar së bashku me bashkësinë ndërkombëtare. Andaj, kjo lëkund themelet e shtetit tonë, jemi duke pritur nëse ka reagim ndërkombëtar, nëse jo ne do të vazhdojmë prapë me protesta”, ka deklaruar ai.

Mbështetje kësaj proteste i ka dhënë edhe Isa Mustafa, i cili ishte kryeministër në kohën kur u themelua gjykata.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ai ka thënë se kur u votua për gjykatën, bashkë me Hashim Thaçin e Kadri Veselin që ndodhen duke u gjykuar në Hagë, kanë pasur besim në drejtësinë ndërkombëtare.

“Është detyrë e të gjithë neve të mbrojmë vlerat e luftës, dhe të mos lejojmë të rishkruhet historia me dëshmi të instrumenteve të pushtetit serb që ushtroi dhunë, represion dhe gjenocid në Kosovë”, ka shkruar Mustafa.

Në gusht të vitit 2015 Kuvendi votoi ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë themelimit të Dhomave të Specializuara. Atëkohë vendi qeverisej nga koalicioni PDK-LDK.

Mustafa mbante postin e kryeministrit, Veseli të kryeparlamentarit, e Thaçi të ministrit të Punëve të Jashtme.

Dy procese për krime lufte kanë marrë epilog, ndërsa është në proces ai ndaj Thaçit, Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, e të cilët ndodhen në paraburgim që nga viti 2020.

Të katërt akuzohen se, si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjatë procesit gjyqësor avokatët janë ankuar për anshmëri të gjyqtarëve, meqë u kanë shtruar pyetje orientuese dëshmitarëve.

Ndërkaq së fundmi edhe përfaqësues shtetërorë kanë thënë se gjykata nuk ka legjitimitet kushtetues, meqë ka pranuar si prova edhe dosje të hartuara nga Serbia.

Mërgimtarja nga Peja i sjell shoqet zvicerane në dasmë shqiptare në Kosovë

Një mërgimtare nga Peja, e cila jeton dhe vepron në Zvicër, ka organizuar dasmën e saj në vendlindje, në Kosovë.

Këtë ngjarje të veçantë e ka ndarë me shoqet e saj zvicerane, të cilat erdhën posaçërisht për të qenë pjesë e festës, transmeton albinfo.ch.

Mysafiret nga Zvicra do ta përjetojnë nga afër një dasmë tradicionale shqiptare, të pasur me valle, muzikë popullore dhe mikpritje të ngrohtë. Ato kanë ardhur për ta vizituar Kosovën njëkohësisht për tu përshtatur me kulturën shqiptare në mënyrë të natyrshme dhe plot respekt.

Ky gjest i veçantë ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, si shembull i bukur i ndërthurjes së kulturave përmes miqësisë dhe dashurisë.

Për më shumë, video 👇

https://www.facebook.com/share/v/1a4CsyLqWm/?mibextid=wwXIfr

Dredhza Braina shpallet “Cybersecurity Woman of the Year 2025” në SHBA

Dredhza Braina, eksperte nga Kosova në fushën e sigurisë kibernetike, është vlerësuar me çmimin ndërkombëtar “Cybersecurity Woman of the Year 2025” në kategorinë “Barrier Breaker”, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përcjell albinfo.ch. 

Ky çmim i rëndësishëm ndërkombëtar nderon gratë që kanë thyer kufijtë tradicionalë dhe kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në industrinë globale të sigurisë kibernetike, duke u bërë modele frymëzuese për brezat e rinj.

Shqiptarja nga Prishtina finaliste në çmimin global “Cybersecurity Woman of the Year 2025”

 

Braina, e cila po forcon pozicionin e saj si një prej zërave më premtues në teknologji, u shpreh me mirënjohje pas marrjes së çmimit, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes nga familja, komuniteti dhe kolegët në rrugëtimin e saj profesional.

“Jam thellësisht e nderuar për këtë vlerësim. Ky çmim nuk është vetëm i imi,  ai i takon gjithë atyre që kanë besuar tek unë dhe më kanë mbështetur në çdo hap”, tha Braina.

Kjo arritje e veçantë përfaqëson jo vetëm një sukses individual, por edhe një hap përpara për praninë e grave shqiptare në sektorin global të teknologjisë. Me përkushtimin e saj për të promovuar barazinë, inovacionin dhe edukimin në fushën digjitale, Dredhza Braina po frymëzon një brez të ri profesionistësh nga Kosova dhe më gjerë.

1 orë pritje në dalje të pikës kufitare Dheu i Bardhë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat, duke bërë të ditur se pritjet më të gjata të mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë vijojnë deri në 20 minuta në hyrje të pikës kufitare Dheu i Bardhë, shkruan albinfo.ch.

Ndërkohë në pikën kufitare, Merdarë, Jarinje, dhe Muçibabë pritjet për hyrje jane 10 minuta, derisa pikat tjera kufitare kanë fluks edhe më të ulët të pritjeve.

Ndërkohë pritjet në dalje të pikës Dheu i Bardhë janë deri në një orë, ndërkohë në dalje të pikës Merdarë pritjet janë deri në 40 minuta. / Albinfo.ch

Ku janë zonat më të pastra për të jetuar në Evropë?

Një raport i ri nga Agjencia Evropiane e Mjedisit zbulon qytetet evropiane me cilësinë më të lartë të ajrit dhe ujit, duke analizuar ndotjen në mbi 350 qytete në 30 vende. Në krye të listës për ajër të pastër ndodhen disa qytete nordike dhe të Mesdheut, të cilat dallohen për nivelin e ulët të grimcave të imëta në atmosferë.

Sipas të dhënave, qyteti me ajrin më të pastër regjistron një mesatare prej vetëm 3.5 mikrogramësh grimcash për metër kub. Kjo arrihet falë masave të qëndrueshme mjedisore, transportit të pastër dhe ruajtjes së hapësirave të gjelbra urbane.

Ndërkohë, edhe cilësia e ujit të pijshëm mbetet e lartë në këto rajone, me shumë qytete që ofrojnë ujë të pastër direkt nga burimet natyrore, pa nevojë për trajtim të mëtejshëm. Urbanizimi i balancuar me natyrën, rregulloret e forta mjedisore dhe investimet në energji të rinovueshme luajnë një rol kyç në këtë sukses.

Qytete të njohura për standarde të larta të mjedisit përfshijnë kryeqytete dhe rajone alpine që ofrojnë ajër të pastër, ujë të pijshëm cilësor dhe stil jete të orientuar drejt shëndetit dhe mirëqenies. Në disa prej tyre, edhe zonat rurale përreth mbeten të paprekura nga ndotja industriale, duke krijuar një ambient ideal për jetesë të shëndetshme.

Kombinimi i teknologjisë së gjelbër, edukimit për mbrojtjen e natyrës dhe legjislacionit të rreptë e vendos këto qytete në krye të listës për ata që kërkojnë cilësi jete më të lartë dhe një lidhje më të thellë me mjedisin.

Baseli mposht Young Boys me rezultat 4-1

Në një përballje në futbollin zviceran, Baseli ka fituar bindshëm ndaj Young Boys me rezultat 4-1.

Xherdan Shaqiri ishte protagonist në këtë ndeshje duke shënuar dy gola për skuadrën e tij dhe duke kontribuar në fitoren e rëndësishme të Baselit.

Ky rezultat i jep një fillim të shkëlqyer sezonit për Baselin dhe një mesazh të qartë rivalëve të tyre.

 

Gjermani: Qindra personalitete kërkojnë ndalimin e eksporteve të armëve drejt Izraelit

Më shumë se 160 figura të njohura gjermane nga bota e artit dhe medias i janë bashkuar kërkesës për ndalimin e eksporteve të armëve gjermane drejt Izraelit, duke e çuar numrin e nënshkruesve në 367, sipas organizatës “Avaaz”.

Në një letër të hapur drejtuar kancelarit Friedrich Merz, nënshkruesit kritikojnë ashpër ndërhyrjet e Izraelit në Gaza dhe kërkojnë që qeveria gjermane të ndërpresë dërgesat ushtarake dhe të shqyrtojë vendosjen e sanksioneve shtesë.

Letra thekson:

“Dënojmë ashpër aktet e dhunshme të Hamasit, por asnjë krim nuk mund të justifikojë ndëshkimin kolektiv të miliona civilëve të pafajshëm.”

Mes firmëtarëve të fundit janë emra të njohur si këngëtarja Nina Chuba, regjisori Fatih Akin dhe aktorja Sandra Hüller.

Një tjetër shqetësim i ngritur në letrën publike lidhet me planet e dyshuara të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të pushtuar të gjithë Rripin e Gazës, çka ka nxitur thirrje për veprim konkret nga ana e Berlinit.

Gjermania renditet ndër furnizuesit kryesorë të armatimeve për Izraelin në Evropë, dhe zërat që kërkojnë ndërprerjen e bashkëpunimit ushtarak po shtohen në vazhdimësi, teksa numri i viktimave civile në Gaza vazhdon të rritet.

 

Jashari pas prezantimit te Milani: Jam nga Zvicra, flas edhe shqip

Ardon Jashari është zyrtarizuar sot si përforcimi më i ri i ekipit italian Milan, pas transferimit nga skuadra belge Clube Brugge.

Prezantimi i tij u bë përmes disa videove të publikuara në rrjetet sociale dhe kanalet zyrtare të klubit kuqezi. Gjatë prezantimit, Jashari u pyet për origjinën dhe gjuhët që flet. Ai tha se vjen nga Zvicra, por nuk harroi të përmendë se flet edhe shqip.

Ky detaj i ka gëzuar shumë tifozët shqiptarë, që tashmë e shohin Jasharin si një përfaqësues të denjë në një nga klubet më të mëdha të futbollit evropian

Video:

https://youtu.be/kTOQNcu9MmU?si=erM1EWD66kGBvmCu

Xherdan Shaqiri shkëlqen me dy gola ndaj Young Boys

Xherdan Shaqiri ka lënë gjurmë në javën e tretë të Superligës zvicerane, duke realizuar dy gola ndaj skuadrës së njohur, Young Boys.

Mesfushori shqiptar ishte protagonist në këtë përballje, duke udhëhequr skuadrën e tij drejt një performance të shkëlqyer. Këto ishin dy golat e tij të parë në edicionin e ri të Superligës zvicerane, një rikthim i fuqishëm për Shaqirin pas një periudhe të gjatë në ligat ndërkombëtare.

 

 

 

Gushti pritet të shënojë temperaturat më të larta të dekadës

Një valë intensive e të nxehtit ka përfshirë rajonet perëndimore të Evropës, ku temperaturat kanë arritur deri në 41 gradë Celsius. Sipas raportimeve të “Euronews”, ky gusht mund të rezultojë si muaji më i nxehtë në 15 deri në 20 vitet e fundit.

Vlerat minimale të temperaturës variojnë nga 16 deri në 24 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale shkojnë nga 28 deri në 41 gradë. Rajonet veriore të vendit përkatës janë aktualisht nën alarmin e kuq për shkak të kushteve ekstreme.

Instituti Kombëtar i Meteorologjisë ka paralajmëruar se ky alarm është niveli më i lartë i rrezikut dhe është vendosur për shkak të qëndrueshmërisë së temperaturave maksimale jashtëzakonisht të larta, veçanërisht në zonat e brendshme të territorit.

Parashikimet tregojnë se ky muaj jo vetëm që do të shënojë temperatura të larta gjatë ditës, por edhe netët do të jenë më të ngrohta se zakonisht, duke ndikuar në ritmin e jetesës dhe shëndetin publik.

 

Pse janë ilaçet kaq të shtrenjta në Shtetet e Bashkuara?

Në SHBA, çmimet e ilaçeve janë dukshëm më të larta se në pjesën tjetër të botës. Sipas një studimi të Rand Corporation, amerikanët paguajnë mesatarisht 2.78 herë më shumë për ilaçet me recetë sesa në vendet e tjera të OECD-së.

Mungesa e rregullimit shtetëror të çmimeve: Në SHBA, kompanitë farmaceutike vendosin çmimet lirisht, pa kufij nga qeveria.

Mungesa e një negociatori qendror: Ndryshe nga vendet evropiane, nuk ka një institucion që negocion çmimet në emër të pacientëve.

Përdorimi i ndërmjetësve (PBMs) nga sigurimet shëndetësore, të cilët shpesh favorizojnë ilaçet më të shtrenjta për përfitime vetjake.

Lobby i fuqishëm i industrisë farmaceutike, që pengon çdo përpjekje për reforma.

Zgjatja e monopoleve përmes patentave që vonojnë hyrjen e ilaçeve gjenerike në treg.

Presidenti Trump ka kërkuar nga kompanitë farmaceutike të ulin çmimet deri më 29 shtator, duke kërcënuar me tarifa doganore deri në 250% për produktet e importuara, sidomos nga Zvicra, që eksporton 60% të ilaçeve të saj drejt SHBA-së.

Megjithatë, qëllimi kryesor duket të jetë zhvendosja e prodhimit në SHBA, jo ulja e menjëhershme e çmimeve. Kjo strategji ka filluar të japë efekt, pasi kompani si Novartis dhe Roche kanë paralajmëruar miliarda dollarë investime në tokën amerikane.

Në përpjekje për të ulur çmimet në SHBA, kompanitë farmaceutike mund të rrisin çmimet në Evropë për të kompensuar humbjet,  një skenar shqetësues për pacientët dhe sistemet shëndetësore evropiane.

Çfarë është virusi ‘chikungunya’ nga i cili janë infektuar mijëra njerëz në Kinë?

Në provincën Guangdong është raportuar një përhapje e madhe e virusit ‘chikungunya’, i cili transmetohet nga mushkonjat, me mbi 7,000 raste të konfirmuara. Qyteti më i prekur është Foshan, ku pacientët trajtohen me masa strikte për të ndalur përhapjen e sëmundjes. Përveç Foshanit, të paktën 12 qytete të tjera në këtë rajon jugor kanë regjistruar infeksione, me rreth 3,000 raste të reja vetëm javën e fundit.

Ndërsa shumica e personave kanë simptoma të lehta, autoritetet kanë bërë thirrje për vigjilencë dhe masa mbrojtëse shtesë. Ky virus nuk është i njohur gjerësisht në këtë zonë dhe për këtë arsye shqetësimi është rritur ndjeshëm. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar udhëtarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në këtë pjesë të botës.

Virusi ‘chikungunya’ zakonisht shfaqet brenda 3 deri në 7 ditë pas pickimit nga një mushkonjë e infektuar, me simptoma si ethe, dhimbje në kyçe, skuqje, dhimbje koke dhe ënjtje të muskujve. Megjithëse shumica e pacientëve shërohen brenda një jave, në raste më të rënda, dhimbjet e kyçeve mund të zgjasin për muaj ose vite. Personat më të rrezikuar janë të porsalindurit, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike si diabeti ose problemet e zemrës.

Nuk ekziston një kurë specifike për këtë virus, por vdekjet janë të rralla. Virusi u identifikua për herë të parë në vitin 1952 dhe prej atëherë është përhapur në më shumë se 110 vende në botë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon si masë parandaluese heqjen e vendeve me ujë të ndenjur, ku mushkonjat shumohen, për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.

Zyrtare: Ardon Jashari është lojtari më i ri i Milanit, do të mbajë fanellën me numrin 30

AC Milan ka zyrtarizuar sot transferimin e mesfushorit premtues Ardon Jashari. Futbollisti me origjinë shqiptare ka firmosur me kuqezinjtë dhe do të mbajë fanellën me numrin 30 në sezonin e ri të Serie A, përcjell albinfo.ch.

Në njoftimin e bërë nga faqja zyrtare e klubit, Milani e prezantoi lojtarin me fjalët:

“Duke ardhur në një fushë të Serie A shumë shpejt 😮‍💨 #MirësevjenJashari”, duke ndezur entuziazmin e tifozëve kuqezi në mbarë botën.

21-vjeçari vjen nga Luzern në Superligën zvicerane dhe shihet si një përforcim strategjik për repartin e mesfushës, falë vizionit, energjisë dhe teknikës së tij. Ai është pjesë e përfaqësueses së Zvicrës dhe përfaqëson një tjetër emër me rrënjë shqiptare që i bashkohet elitës së futbollit italian

 

Marseille kërkon me ngulm Zhegrovën

Sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, ka shprehur hapur dëshirën për t’u larguar nga Lille.

Për momentin, ai po stërvitet vetëm, në kërkim të një destinacioni të ri për karrierën dhe duket se në skenë ka dalë një hipotezë shumë interesante.

“L’Équipe” bën të ditur se Roberto De Zerbi ka kërkuar që të ketë Zhegrovën pjesë të Marseilles dhe klubi është vënë në lëvizje për ta bërë realitet një gjë të tillë.

Lojtari e pëlqen si destinacion dhe është gati të bëjë kalimin nën urdhrat e De Zerbit, transmeton albinfo.ch.

Por duhet zgjidhur çështja financiare, e cila është paksa e komplikuar, pasi Lille kërkon rreth 20 milionë euro për kartonin e tij.

Për më tepër, në të njëjtin pozicion me Zhegrovën luan Mezon Grinud dhe Marseille nuk i ka gjetur ende atij një sistemim të ri për të financuar blerjen e sulmuesit kosovar. Ndaj mbetet të shihet në ditët në vijim se si do të zgjidhen këto situata dhe nëse do të ketë hapa konkretë për firmën e Zhegrovës me marsejezët.

 

 

Franceinfo shkruan për arsyet pse duhet vizituar Shqipëria

Rubrika “Ne, evropianët” na çoi këtë të martë, më 5 gusht, në Shqipëri, apo El Doradon e re për pushuesit, sipas stacionit të njohur informativ francez Franceinfo, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

“Ky vend i ish-Bllokut Lindor ishte për një kohë të gjatë një nga regjimet më të mbyllura në Evropë. Tani po hapet për turizëm me rezultate spektakolare.”

Një rritje prej 80 për qind e turistëve në pesë vjet.

Ujëra bruz dhe ishuj të shkretë. Kjo nuk është as Karaibet dhe as Maldivet, por Shqipëria, e vendosur midis Greqisë dhe Italisë, e cila tani është gjithashtu e njohur për turistë nga e gjithë bota.

Shqipëria, ku qytetërimet mesdhetare kanë pasuar njëra-tjetrën, secila duke lënë gjurmë sublime greke, romake, bizantine, veneciane dhe osmane.

Dhe kohët e fundit, përgjatë gjithë vijës bregdetare, bunkerë po aq të shëmtuar sa periudha në të cilën u ndërtuan.

Dhe gjithashtu në Tiranë, kryeqytet, një mbetje e një regjimi komunist paranojak që kishte frikë nga pushtimet.

Njëri prej tyre tani është shndërruar në një muze për turistët mosbesues.

“Ky bunker nuk u përdor kurrë për luftë, sepse nuk patëm kurrë luftë. Pas Luftës së Dytë Botërore u përdor shumë për të marrë në pyetje njerëzit,” shpjegon Sokol Selami, një guidë në “Bunk’Art”.

12 milionë turistë në vitin 2024

Kështu veproi regjimi i terrorit i Enver Hoxhës, i fundit i admiruesve të Stalinit. Për më shumë se 40 vjet, Shqipëria mbeti një nga vendet më të mbyllura në botë.

Në vitin 1991, regjimi ra.

Shqiptarët zbuluan lirinë.

Gati 35 vjet më vonë, ndërtesa ultramoderne po shfaqen në sheshin kryesor të Tiranës.

Toka e shqiponjave është hapur ndaj botës së jashtme. Dhe turistët po vërshojnë.

12 milionë u numëruan vitin e kaluar.

Ky është një efekt pas Covid-19 dhe mediave sociale që po e popullarizojnë destinacionin.

“Ne erdhëm të filmojmë Shqipërinë për të inkurajuar njerëzit të vizitojnë këtë vend, sepse në Poloni nuk është ende një destinacion kaq popullor,” thotë Adrianna Skon, një influencere polake.

Dhe profesionistët e turizmit kanë gjetur mënyrën se si ta shesin atë. “Jam këtu me ftesë të një agjencie udhëtimesh polake që shet udhëtime në Shqipëri. Ne donim vetëm të kontrollonim nëse është vërtet mjaftueshëm interesante për ta rekomanduar, dhe që nga dita jonë e parë menduam se ishte vërtet e shkëlqyer,” shpjegon gruaja e re në hyrje të videos së saj.

Këto video janë krijuar nga influencerë dhe marka, por edhe nga udhëtarë të zakonshëm.

Në mediat sociale, Shqipëria po shpërthen si destinacion.

“Ne pamë video në TikTok dhe pastaj bëmë disa kërkime, dhe kjo na çoi këtu,” rrëfejnë turistët.

Një tjetër avantazh për një audiencë shpesh shumë të re janë çmimet shumë të ulëta.

SHBA anulon 500 milionë dollarë për projekte të vaksinave

Sekretari i Shëndetësisë i Shteteve të Bashkuara, Robert F. Kennedy Jr., njoftoi planet për të anuluar 500 milionë dollarë në projekte vaksinash.

Në një deklaratë nga zyra e tij, kritiku i hershëm i vaksinave tha se të gjitha projektet që do të ndalen përdorin teknologjinë mRNA.

“Pas shqyrtimit të shkencës dhe konsultimit me ekspertët më të mirë të sektorit, Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Humane ka përcaktuar se teknologjia mRNA paraqet më shumë rrezik sesa përfitime për këto viruse të frymëmarrjes,” tha Kennedy në një video të postuar në platformën sociale X. Deklarata u referohet kryesisht vaksinave mRNA të Covid-19 dhe gripit. Sekretari ka qenë prej kohësh dyshues për platformën inovatore mRNA, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Anulimi i planifikuar i kontratave përfshin punën me Universitetin Emory dhe Tiba Biotech. Propozimet nga Pfizer, Sanofi Pasteur dhe të tjerë gjithashtu do të refuzohen, sipas Departamentit.

Një ish-zyrtar i Autoritetit të Kërkimit dhe Zhvillimit të Avancuar Biomjekësor nga viti 2016 deri në vitin 2020, e kritikoi vendimin, duke e quajtur atë një “hap të gabuar strategjik”. “Ky vendim sinjalizon një vetëkënaqësi të rrezikshme. Ndërprerja e investimeve nga teknologjia mRNA na ndalon një nga mjetet më të shpejta që kemi për të përmbajtur pandeminë e ardhshme, natyrore apo të qëllimshme. Tërheqja nga platformat e provuara të kundërmasave mjekësore në një kohë rreziqesh biologjike globale kompromenton thellësisht sigurinë kombëtare,” u shpreh ish-zyrtari.

Departamenti i Shëndetit njoftoi se anulimet ndikojnë në 22 projekte me vlerë gati 500 milionë dollarë. Megjithatë, disa kontrata në fazën përfundimtare do të “lejohen të ndjekin rrjedhën e tyre për të ruajtur investimet e mëparshme të taksapaguesve”. Gjithashtu, investimet e ardhshme në këtë sektor do të përqendrohen në teknologji të tilla si vaksinat me virus të plotë dhe platforma të tjera të reja të imunizimit.

Futbollistja Fortesa Berisha nga Malisheva në Como të Italisë

Fortesa Berisha, ka realizuar një hap të rëndësishëm në karrierën e saj duke kaluar nga KFF Malisheva te skuadra italiane Como, që garon në elitën e futbollit të femrave në Itali, Serie A.

Lajmi është konfirmuar nga vetë KFF Malisheva, që në një njoftim e ka cilësuar këtë transferim si një moment historik për klubin dhe futbollin në Malishevë, transmeton albinfo.ch.

“Me zemër plot krenari, njoftojmë që Fortesa Berisha, një nga vajzat më të mira që ka nxjerrë futbolli ynë, po vazhdon ëndrrën e saj, duke kaluar nga KFF Malisheva te Como në Itali, në njërën nga kampionatet më të forta në botë. Nga stërvitjet në mëngjes e deri te fitoret tona historike, Fortesa ka lënë gjurmë që nuk do të fshihen kurrë në Malishevë,” thuhet në njoftimin e klubit, ku veçohen golat, përkushtimi dhe besnikëria e saj ndaj fanellës.

Përveç klubit të saj, edhe Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku Fortesa ndjek studimet, e ka përshëndetur këtë sukses. Në një deklaratë zyrtare, fakulteti e ka cilësuar kalimin e saj në Serie A si një dëshmi të përkushtimit, talentit dhe profesionalizmit të saj.

“Ky është një tjetër sukses i jashtëzakonshëm për studentet tona. Fortesa po ndjek ëndrrat e saj në njërën nga ligat më të forta të Evropës”, thuhet në urimin e Fakultetit.

 

Dogana shqiptare njofton se çka lejohet të bartni kur kaloni kufirin

Dogana shqiptare ka informuar sot përmes rrjeteve sociale se udhëtarët që hyjnë në territorin shqiptar mund të sjellin me vete mallra për përdorim vetjak ose në formë dhurate, pa detyrime doganore, duke respektuar kufijtë e përcaktuar në legjislacionin doganor në fuqi.

Sipas informacionit të publikuar, vlera maksimale e mallrave që mund të përfitojnë nga përjashtimi doganor është 300 euro për udhëtarët që vijnë nëpërmjet rrugëve tokësore, 430 euro për ata që udhëtojnë me rrugë ajrore apo detare dhe 150 euro për udhëtarët nën moshën 15 vjeç, transmeton albinfo.ch.

DSH bën me dije se, në kuadër të mallrave të lejuara për konsum personal pa taksa doganore, përfshihen edhe sasi të kufizuara të produkteve si duhani dhe pijet alkoolike.

Konkretisht, udhëtarët mund të sjellin deri në 200 cigare, ose 100 cigarillo, ose 50 puro, ose 250 gramë duhan.

Për pijet alkoolike, lejohet të sillet një litër pije me përqindje alkooli më shumë se 22 për qind, ose dy litra pije me përqindje më të ulët se 22 për qind, përveç dy litrave verë pa gaz dhe deri në dhjetë litra birrë.

Gjithashtu, lejohen deri në tre kilogramë kafe për përdorim personal.

Megjithatë, udhëtarët nën moshën 17 vjeç nuk përfitojnë nga përjashtimet që lidhen me alkoolin dhe duhanin.

Në rastet kur udhëtarët sjellin mallra që e tejkalojnë kufirin e lejuar, është e detyrueshme që ato të deklarohen pranë autoriteteve doganore.

Për mallrat që nuk kanë karakter tregtar, zbatohet një procedurë e thjeshtuar deklarimi.

Autoritetet doganore kanë të drejtën të kontrollojnë bagazhet dhe mallrat e udhëtarëve në çdo moment, për të verifikuar përputhshmërinë me ligjin dhe për të parandaluar futjen e paligjshme të mallrave në territorin shqiptar.

Këto masa janë vendosur për të siguruar një administrim të drejtë të kufijve dhe për të lehtësuar qarkullimin e udhëtarëve që respektojnë rregullat.

Dëmet nga fatkeqësitë natyrore mbi 80 miliardë dollarë në botë për 6 muaj

Zjarret në Kaliforni dhe dëmet nga stuhitë kanë çuar në gjysmën e parë të vitit, e cila është e dyta më e kushtueshme ndonjëherë për industrinë e sigurimeve. Në përgjithësi, humbjet e siguruara në gjysmën e parë të vitit 2025 arritën në rreth 80 miliardë dollarë, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Sipas një studimi të publikuar nga Instituti Zviceran i Rinovimit të mërkurën, niveli i humbjeve është më shumë se dyfishi i mesatares dhjetëvjeçare. Humbjet e siguruara ishin më të larta vetëm në gjysmën e parë të vitit 2011, e cila u karakterizua nga tërmeti në Japoni dhe cunami pasues.

Humbjet në gjysmën e parë të vitit 2025 tani arrijnë në më shumë se gjysmën e humbjeve prej 150 miliardë dollarësh të parashikuara fillimisht për të gjithë vitin. Ndërsa aktiviteti i katastrofave natyrore tenton të rritet në gjysmën e dytë të vitit, humbjet e siguruara për të gjithë vitin 2025 mund të tejkalojnë parashikimin, sipas Institutit Zviceran të Rinovimit.

Sipas studimit, zjarret në pyje që përfshiu pjesë të Los Anxhelosit vetëm në janar shkaktuan humbje të siguruara prej rreth 40 miliardë dollarësh. Kjo ishte shumë më tepër se çdo ngjarje tjetër humbjeje nga zjarret e egra të regjistruara ndonjëherë. Më shumë se 16,000 ndërtesa u shkatërruan në zjarre – në një zonë me një nga përqendrimet më të dendura të shtëpive të shtrenjta në SHBA.

Në përgjithësi, dëmet e shkaktuara nga zjarret në pyje janë rritur ndjeshëm gjatë 10 viteve të fundit, thotë studimi. Arsyet për këtë janë rritja e temperaturave, periudhat më të shpeshta të thatësirës dhe ndryshimi i modeleve të reshjeve me shtrirje të njëkohshme periferike. Ndërsa në vitin 2015, vetëm 1% e të gjitha dëmeve nga fatkeqësitë natyrore u shkaktuan nga zjarret në pyje, kjo shifër është rritur në 7%.

Përveç kësaj, stuhitë e forta me bubullima dhe tornado shkaktuan dëme që arrinin në total 31 miliardë dollarë në gjysmën e parë të vitit 2025. Sipas studimit të Swiss Re, megjithatë, humbjet e përgjithshme mbetën nën vlerësimin e vetë kompanisë prej 35 miliardë dollarësh.

Sipas studimit, stuhitë e forta me bubullima mbeten një nxitës i rëndësishëm i humbjeve nga katastrofat natyrore të siguruara. Pasojat financiare përkeqësohen nga faktorë të tillë si urbanizimi në zonat në rrezik, rritja e vlerës dhe inflacioni: humbjet nga ky rrezik ka të ngjarë të rriten.

Ndërkohë, menaxherët e Swiss Re po bëjnë thirrje për masa më të mëdha për minimizimin e humbjeve dhe përshtatjen. “Studimet tona tregojnë se masat e mbrojtjes nga përmbytjet, të tilla si digat, digat dhe portat e përmbytjeve, për shembull, janë deri në dhjetë herë më efektive nga ana e kostos sesa rindërtimi”, citohet të ketë thënë në njoftimin për shtyp Kryeekonomisti i Swiss Re, Jérôme Haegeli.

Gjysma e dytë e vitit filloi me zjarre pyjore në disa vende, por edhe me përmbytje të menjëhershme në Teksasin Qendror, për shembull, vëren Instituti Swiss Re.

Vëmendja tani po zhvendoset në sezonin e uraganeve të Atlantikut të Veriut në gjysmën e dytë të vitit: parashikimet tregojnë për tre deri në pesë uragane të mëdha – mesatarja afatgjatë është tre uragane.