Shqipëria e para në Evropë në vitin 2024 për normat më të larta të migracionit neto negativ

Shqipëria kryesoi Evropën në vitin 2024 për normat më të larta të migracionit neto negativ (kthimet minus ikjet) me -12.1 banorë të larguar nga vendi për 1000 banorë, nga -11.7 që ishte ky tregues në vitin 2022.

Emigrimi neto jo vetëm që nuk po përmirësohet, por fenomeni është bërë kronik dhe po thellohet në mënyrë të qëndrueshme.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se për çdo 1000 banorë, vitin e kaluar mbi 12 janë larguar nga vendi, një normë shumë herë më e lartë se në vendet e tjera të rajonit dhe Evropës Lindore, ku në shumicën prej tyre në 2024 kthimet në shtëpi janë më të larta se ikjet, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Në pjesën më të madhe të Bashkimit Evropian ka rënie të emigracionit pas vitit të jashtëzakonshëm 2022, kur lufta në Ukrainë dhe lirimi i kufizimeve pandemike sollën flukse të larta lëvizjeje, por në Shqipëri tendenca është krejt e kundërt. Emigrimi nuk po ndalet dhe duket se nuk ka asnjë ngadalësim real.

Rezultatet tregojnë se në shumicën e vendeve të Ballkanit kthimet janë më të larta se ikjet në 2024. Në Bosnjë emigracioni neto ishte 0.1 për qind më 2024, nga një trend negativ në vitet e shkuara. Bilanci i migracionit neto u kthye pozitiv edhe në Maqedoninë e Veriut, +0.3 më 2024, nga negativ që ishte në vitet e shkuara. Gjithashtu në Serbi ka tendenca pozitive, pasi ikjet me kthimet u barazuan më 2024, nga një bilanc negativ që ishte më parë.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për 1 janar 2025, mosha mediane e popullsisë shqiptare u rrit me 0.8 vjet brenda një viti, duke arritur në 44.3 vjeç, ndërsa emigracioni neto (ikjet minus ardhjet) arriti në rreth -29 mijë persona. Në dy vite, 2023 dhe 2024, emigrimi neto shënoi -72,597 persona.

Nga viti 2015 deri më 2020, emigracioni neto ishte rreth -16 mijë persona në vit, 80 për qind e tyre të rinj, ndërsa nga 2020 deri më 2025 ky tregues është mesatarisht -34,5 mijë në vit. Emigracioni i të rinjve është rritur më shumë se dyfishi pas pandemisë.

Anketat e Monitor kanë treguar se njerëzit nuk po largohen vetëm nga varfëria, por edhe nga mungesa e shpresës se gjërat mund të përmirësohen. Ata gjithashtu vlerësojnë si të rëndësishme mungesën e cilësisë në shërbimet shëndetësore dhe arsimore.

Më shumë se 66 për qind e të anketuarve që jetojnë në Shqipëri, 568 persona nga 857 gjithsej, dhanë si arsye për emigrimin “mungesën e perspektivës për të ardhmen”.

Gjithashtu, më shumë se gjysma e tyre e shohin si arsyen e dytë kryesore për largimin nga vendi “standardet më të larta të jetesës”. Në vend të tretë renditet “mungesa e një shërbimi shëndetësor të përshtatshëm”, në vend të katërt “mungesa e sigurisë dhe stabilitetit politik”, ndërsa 46 për qind e të anketuarve kishin si një arsye “arsim më të mirë për fëmijët”.

Ndryshe nga vendet që kanë krijuar politika për të tërhequr ose rikthyer diasporën, Shqipëria nuk ka asnjë politikë efektive për të ruajtur apo kthyer qytetarët e saj. Për më tepër, shpesh emigrimi është parë si “zgjidhje” e heshtur për të ulur presionin ekonomik dhe social brenda vendit.

Kjo humbje e vazhdueshme njerëzore po sjell pasoja të drejtpërdrejta ekonomike, sociale dhe demografike. Tregu i punës po ngushtohet, popullsia po plaket dhe zonat rurale po boshatisen. Shërbimet publike, nga arsimi te shëndetësia, po e ndiejnë mungesën e specialistëve, ndërsa investimet po zhvendosen drejt vendeve me më shumë stabilitet demografik.

Nëse në disa vende të rajonit kjo prirje po zbutet falë politikave të rikthimit ose integrimit në tregje më të mëdha, në Shqipëri mungesa e një strategjie të qartë për të ndaluar ose kthyer valët e emigrimit vetëm sa po e përkeqëson situatën.

Gjirokastra 20 vjet në UNESCO

Gjirokastra mbush 20 vjet si pasuri botërore e UNESCO-s, ndërsa qëndron mes destinacioneve kulturore dhe historike që turistët preferojnë në Shqipëri, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri Edi Rama solli pamje nga Gjirokastra në këtë përvjetor.

“Gjirokastra kremton 20-vjetorin si pasuri botërore në UNESCO dhe përjetësisht pasuri e shpirtit” u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Deri në fund të qershorit të këtij viti, Kalaja e Gjirokastrës u vizitua nga 100 mijë persona.

Kalaja e Gjirokastrës, e njohur ndryshe edhe si Kalaja e Argjirosë, është monumenti më i rëndësishëm i qytetit, e cila qëndron kryelartë mbi një kodër si një anije që pret vizitorë vendas dhe të huaj.

Gjirokastra, apo qyteti i gurtë, u përfshi në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s më 2005, si një nga pak shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit osman.

Gjirokastra është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë dhe ndër të parët qytete shqiptare në UNESCO. Kalaja është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 metra mbi nivelin e detit.

Trump: Jam i zhgënjyer, por ende nuk kam mbaruar me Putinin

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se është i zhgënjyer me presidentin rus, Vladimir Putin, por që ende nuk e ka “përfunduar” marrëdhënien me të, përcjell albinfo.ch.

Presidenti amerikan u pyet nëse i beson udhëheqësit rus dhe u përgjigj: “Nuk i besoj pothuajse askujt”.

Trump foli për BBC-në disa orë pasi njoftoi planet për të dërguar armë në Ukrainë dhe paralajmëroi për tarifa të ashpra ndaj Rusisë nëse nuk do të kishte marrëveshje armëpushimi brenda 50 ditësh.

Në një intervistë nga Zyra Ovale, Trump gjithashtu mbështeti NATO-n, pasi e kishte përshkruar dikur si të vjetërsuar, dhe pohoi mbështetjen e tij për parimin e mbrojtjes së përbashkët të organizatës.

Megjithatë, pasi sapo ishte takuar me shefin e NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë, presidenti kaloi një pjesë të konsiderueshme të intervistës duke folur gjerësisht për zhgënjimin e tij me udhëheqësin rus.

Kur u pyet nga BBC nëse kishte mbaruar me Putinin, presidenti u përgjigj: “Jam i zhgënjyer me të, por nuk kam mbaruar me të. Por jam i zhgënjyer me të”.

I pyetur se si Trump do ta bënte Putinin të “ndalonte gjakderdhjen”, presidenti amerikan tha: “Po punojmë për këtë”.

“Do të kemi një bisedë të shkëlqyer. Do të them: Kjo është mirë, mendoj se jemi afër përfundimit, dhe pastaj ai do të rrëzojë një ndërtesë në Kiev.”

Rusia ka intensifikuar sulmet e saj me dronë dhe raketa në qytetet ukrainase në javët e fundit, duke shkaktuar viktima rekord civile. Ajo nisi një pushtim në shkallë të plotë të fqinjit të saj në vitin 2022.

Putini ka këmbëngulur se edhe ai dëshiron paqe, por ka thënë se ato që ai i quan “shkaqet rrënjësore” të luftës duhet të zgjidhen së pari. Sipas tij, lufta është rezultat i kërcënimeve të jashtme për sigurinë e Rusisë nga Kievi, NATO dhe “Perëndimi kolektiv”.

Biseda kaloi te NATO, të cilën Trump e ka kritikuar më parë si “të vjetërsuar”.

I pyetur nëse ende mendonte se ky ishte rasti, ai tha: “Jo. Mendoj se NATO tani po bëhet e kundërta e kësaj”, sepse aleanca po “paguante faturat e veta”.

Ai tha se ende besonte në mbrojtjen kolektive, sepse kjo do të thoshte se vendet më të vogla mund të mbroheshin kundër atyre më të mëdha.

Për të 47-ën herë dështon konstituimi i Kuvendit

Për të 47-ën herë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, sërish hodhi në votim Komisionin për votim të fshehtë, i cili nuk po merr mbështetje nga partitë tjera, përveç Vetëvendosjes.

Të pranishëm në sallë ishin 105 deputetë, prej tyre 51 votuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, deputetët janë të obliguar të konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit deri më 26 korrik, më së largu.

Megjithatë, aktgjykimi nuk e qartëson se çfarë do të ndodhë nëse Kuvendi nuk konstituohet.

Ndërkohë, Vetëvendosje këmbëngul që emri i Albulena Haxhiut të hidhet në votim për kryeparlamentare përmes votimit të fshehtë, ndërsa partitë tjera e konsiderojnë këtë kundërkushtetuese, meqë në aktgjykim thuhet se zgjedhja e kryeparlamentarit duhet të bëhet sipas praktikave të deritanishme.

Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar se nëse nuk ndodh konstituimi, do t’i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese

Bashkatdhetarët po vijnë në vendlindje, kjo është gjendja në pikat kufitare

Gjatë këtij muaji, bashkatdhetarët kanë nisur të vijnë për pushime në Kosovë. Megjithatë, deri më tani nuk janë krijuar kolona të shumta në pikëkalimet kufitare të vendit, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, të përditësuara sot në orën 09:00, pritjet në të gjitha vendkalimet me Kosovën nuk janë më shumë se deri në 5 minuta.

Në pikën kufitare në Merdarë, pritjet për të hyrë brenda Kosovës janë 3 deri në 5 minuta. Po ashtu, edhe për të dalë nga kjo pikë, pritjet janë 3 deri në 5 minuta.

Gjendje e njëjtë paraqitet edhe te pika tjetër kufitare, Dheu i Bardhë.

Kuvendi për herë të 47-të tenton konstituimin e legjislaturës së nëntë

Edhe sot, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për herë të 47-të në një përpjekje tjetër për ta konstituuar legjislaturën e nëntë, të dalë nga zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, përcjell albinfo.ch.

Seanca fillon në orën 11:00.

Të dielën ka dështuar edhe përpjekja e 46-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka kërkuar nga subjektet politike që nuk kanë propozuar emër për anëtar të Komisionit për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit që ta bëjnë një gjë të tillë, por si zakonisht ata kanë refuzuar.

Në vend të propozimit, ata në foltore kanë kërkuar nga kryesuesi që t’i kthehet pikës së rendit të ditës, por fjalimet e tyre janë ndërprerë nga regjia me kërkesë të kryesuesit, pasi në seancën konstituive nuk lejohet debati.

Në votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, nga 85 deputetë të pranishëm, për votuan 43 deputetë, ndërsa nuk pati as vota kundër e as abstenim, pasi pjesa tjetër e deputetëve, si zakonisht deri më tash, nuk morën pjesë në votim.

Procesi i konstituimit po vazhdon të mbetet i bllokuar në pikën kyçe të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, çka ka pamundësuar vazhdimin e rregullt të punës së këtij institucioni për më shumë se katër muaj.

Ky ngërç politik ka ndikuar drejtpërdrejt në paralizimin e punës së institucionit legjislativ, ndërsa qytetarët dhe shoqëria civile kanë shprehur shqetësim për mungesën e vullnetit politik për të gjetur zgjidhje.

Gazeta gjermane shkruan për pasojat e bllokimit të Kuvendit të Kosovës

Bllokada në Kuvendin e Kosovës ka nisur të bëhet temë edhe në mediat botërore.

Rreth përpjekjeve të pasuksesshme të Kuvendit ka shkruar gazeta gjermane Frankfurter Rundschau, përcjell albinfo.ch.

Artikulli i shkruar nga Thomas Roser thekson se faji pjesërisht është edhe te kryeministri në detyrë, njëherësh kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Tutje në këtë shkrim përmendet edhe protesta me gomarë e organizuar para disa ditësh nga avokati Arianit Koci.

“Njerëzit po trajtohen si gomarë nga përfaqësuesit e tyre” kishte shpjeguar Koci.

Dhe duket se afër është të bëhet edhe përpjekja e 50-të për konstituimin e Kuvendit, e cila pritet të ndodhë të dielën e ardhshme.

Tutje autori gjerman përmend faktin se Kurti nuk po shihet i gatshëm për kompromis.

Gazeta në fjalë përmendi një nga një edhe pasojat e bllokimit.

“Pasoja e bllokimit: Ndërsa inflacioni u rrit në 4.3 për qind në qershor, niveli më i lartë në dy vjet, asnjë legjislacion nuk është miratuar, asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk është ratifikuar, asnjë fond i miratuar dhe asnjë pozicion udhëheqës vakant në institucionet shtetërore nuk është plotësuar për më shumë se gjysmë viti” shkruan në artikullin e gazetës gjermane.

“Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, partia e majtë populiste Vetëvendosje (VV) e udhëhequr nga kryeministri në largim Albin Kurti doli qartë si partia më e fortë me rreth 42 për qind të votave, por humbi shumicën absolute. Opozita e konsideron kandidaten e nominuar nga VV dhe ish-ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të papërshtatshme për këtë pozicion për shkak të qëndrimit të saj polarizues dhe po shtyn përpara një propozim alternativ.

Megjithatë, kryeministri aktual Kurti nuk shihet as veçanërisht i gatshëm për kompromis dhe as si lojtar ekipi.

Edhe pse Haxhiu vazhdimisht ka dështuar të sigurojë shumicën e kërkuar prej 61 votash në gjashtë përpjekjet e mëparshme zgjedhore, VV-ja deri më tani nuk ka bërë asnjë përpjekje për të zëvendësuar kandidatin e saj.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka caktuar një afat deri më 28 korrik për anëtarët e parlamentit që të përmbushin detyrimin e tyre.

Megjithatë, për të shpërndarë parlamentin për zgjedhje të parakohshme, ai së pari duhet të konstituohet.

Sot me fillim nga ora 11:00 do të mbahet seanca e 47-të me radhë në përpjekje për ta konstituuar Parlamentin e Kosovës.

Autorja shqiptare që jeton në Kanada, promovoi librin e saj në Kosovë

Autorja nga diaspora, Shkëndije Ibishi Shala, ka paralajmëruar promovimin e librit të saj “Flaka ndriçon për Atdheun”, përcjell albinfo.ch.

Më 14 korrik 2025, pikërisht në ambientet e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ajo thekson: “Kur një artist hyn në epokën e kreativitetit të tij, mjafton një fjali, një koment apo një figurë për të ndezur frymëzimin për një vepër të re. Pikërisht kështu ka lindur libri ‘Flaka ndriçon për Atdheun’.”

Ajo fton anëtarët e komunitetit shqiptar në Kanada t’i bashkohen kësaj ngjarjeje të veçantë që përfshin tregime frymëzuese, aktivitete ngjyrosjeje për fëmijë si dhe diskutime domethënëse mbi librin dhe mesazhet e tij.

Në “Flaka ndriçon për Atdheun”, autorja na çon në një rrugëtim të bukur dhe plot emocion, ku përshkruan mënyrën se si ajo i arrin qëllimet e saj dhe si ne mund të përvetësojmë vlerat, madhështinë dhe virtytet e heronjve e heroinave shqiptare.

Shkëndije Ibishi Shala është një aktiviste shqiptare që jeton dhe vepron në Kanada, si dhe autore e disa librave për fëmijë të botuar vitet e fundit në gjuhën angleze dhe shqipe.

Pilotët e FSK-së përfundojnë trajnimin rifreskues për helikopter në këtë shtet

Mësohet se pilotët e FSK-së, një major dhe dy kapitenë, Afrim Zabeli, Atdhe Hasani dhe Krenar Voca, kanë përfunduar me sukses trajnimin rifreskues me helikopter në Shkollën e Aviacionit Tokësor në Isparta të Turqisë, përcjell albinfo.ch.

FSK-ja thotë se trajnimi nuk ishte vetëm një përditësim teknik, por edhe një përforcim i mëtejshëm i përgjegjësisë që, sipas tyre, ata bartin çdo ditë mbi supe.

“Gjatë trajnimit, pilotët tanë zhvilluan dhe përmirësuan aftësitë e tyre përmes fluturimeve praktike, duke përfshirë skenarë të fluturimeve emergjente dhe taktike. Po ashtu, ata patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja profesionale me kolegët e tyre nga Forcat e Armatosura të Turqisë, duke treguar standardin e lartë që përfaqëson FSK-ja në çdo angazhim ndërkombëtar” thuhet në njoftimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

FSK-ja thekson se Turqia në vazhdimësi ka dhënë kontributin e saj në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së në fusha të ndryshme. “Me këtë rast, përmes mbështetjes së vazhdueshme në fuqizimin e kapaciteteve tona ajrore dhe bashkëpunimeve të tilla, ne rrisim ndërveprueshmërinë me partnerët tanë dhe forcojmë themelet e një ushtrie moderne, të aftë dhe të përgatitur” thuhet më tej në njoftim.

Kurti në darkë pune me Pierce, bisedojnë për Procesin e Berlinit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbrëmjen e 14.07.2025 pati darkë pune me të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce, përcjell albinfo.ch.

Darka e punës u mbajt në rezidencën e ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar.

Zyra e Kryeministrit njofton se Pierce vjen në Kosovë për herën e dytë, pasi në prillin e kaluar ishte pjesë e delegacionit të Sekretarit të Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy.

“Kryeministri Kurti dhe emisarja Pierce diskutuan së bashku mbi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe mundësitë për zgjerim të bashkëpunimit duke përfshirë fusha të ndryshme, nga industria kreative dhe diplomacia deri te mbrojtja e siguria” thuhet mes tjerash në komunikatën për media të ZKM-së.

Kurti citohet të ketë theksuar domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe rëndësinë e njohjes reciproke të diplomave dhe lëvizjes së lirë, në përgatitjet për mbajtjen e Samitit të Procesit të Berlinit që do të zhvillohet në muajin tetor në Londër.

Këto domosdoshmëri, sipas Kurtit, janë jetike për suksesin e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe Planin e Rritjes.

Sipas komunikatës, Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Republikës së Kosovës.

Motër e vëlla nga Kosova shkëlqejnë në Barcelonë me medalje në Matematikë

Një sukses i jashtëzakonshëm vjen nga Spanja, ku dy të rinj nga Podujeva, motër e vëlla, kanë ngritur lart flamurin e Kosovës në arenën ndërkombëtare të matematikës, shkruan albinfo.ch.

Hana dhe Muhamed Kurtolli kanë arritur të fitojnë medalje në garat prestigjioze të matematikës që po mbahen në Barcelonë, duke përfaqësuar Kosovën mes mbi 40 shteteve pjesëmarrëse nga e gjithë bota.

Muhamed Kurtolli ka siguruar medalje në këtë kompeticion ndërkombëtar, duke treguar aftësi të larta në zgjidhjen e problemeve matematikore. Por surpriza më e madhe ka ardhur nga motra e tij, Hana Kurtolli, e cila ka arritur të dalë e para në mesin e të gjithë garuesve nga vendet pjesëmarrëse.

Ky rezultat jo vetëm që përfaqëson një sukses personal për Hanën dhe Muhamedin, por gjithashtu është një dëshmi e potencialit të madh që ka rinia kosovare në fushat shkencore dhe akademike.

Fitorja e tyre në Barcelonë është një frymëzim për të gjithë nxënësit dhe të rinjtë në Kosovë, duke dëshmuar se përkushtimi dhe pasioni për dijen mund të tejkalojnë çdo kufi. /Albinfo.ch

Shumica e banorëve të Gjenevës kanë dy pasaporta

Gjeneva është një nga vendet më ndërkombëtare në Zvicër.

Sipas të dhënave të reja, 67% e njerëzve të moshës 15 vjeç e lart kanë një shtetësi të huaj.

Vetëm një e treta janë vetëm zviceranë, ndërsa 30% kanë shtetësi të dyfishtë dhe 37% mbajnë vetëm pasaporta të huaja, transmeton albinfo.ch.

Shtetasit e dyfishtë janë veçanërisht të zakonshëm në mesin e të rinjve.

Pothuajse gjysma e të gjithë zviceranëve në Gjenevë kanë edhe një shtetësi tjetër – dhe kjo rritet në mbi 50% për 15 deri në 24-vjeçarët.

Më së shpeshti, është zvicerano-francez, e ndjekur nga zvicerano-italian dhe zvicerano-spanjoll. Në fakt, ka më shumë franko-zviceranë sesa njerëz me vetëm shtetësi franceze.

Bitcoin arrin vlerën rekord mbi 120,000 dollarë gjatë “Javës së Kriptovalutave” në SHBA

Bitcoin ka kapur një nivel rekord duke kaluar 121,400 dollarë, me pritshmëri që çmimi të arrijë 125,000 dollarë deri në shtator. Kjo rritje po mbështetet nga blerjet afatgjata të investitorëve institucionalë.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për një mundësi rënieje në javët e ardhshme për shkak të tarifave tregtare të SHBA-së ndaj BE-së, Meksikës dhe partnerëve të tjerë. Por, investitorët duket se po e nënvlerësojnë këtë rrezik.

Një faktor tjetër i rëndësishëm është fakti se Kongresi Amerikan po përgatit ligje të reja për rregullimin e kriptovalutave në kuadër të ‘Javës së Kriptovalutave’, që pritet të sjellë më shumë qartësi dhe mbështetje për industrinë.

Presidenti Donald Trump, i njohur si mbështetës i kriptovalutave, ka treguar interes dhe përfshirje në këtë sektor. Gjithashtu, edhe monedhat dixhitale të tjera kanë përjetuar rritje nga 10% deri në 30%.

 

Arratisje e pazakontë në Francë: 20-vjeçari fshihet në valixhe për të dalë nga burgu

Në Francë, një i burgosur 20-vjeçar, i dënuar për vrasje dhe pjesëmarrje në një bandë kriminale, ka arritur të arratiset nga burgu i Lyonit në një mënyrë të pazakontë. Ai u fsheh brenda valixhes së shokut të tij të qelisë, i cili u lirua atë ditë.

Ngjarja ndodhi të premten e kaluar. Shoku i qelisë kishte një karrocë për valixhen dhe e nxori pa u vënë re nga stafi i burgut, që e kuptoi mungesën e të burgosurit vetëm të nesërmen.

Arratisuri, Elyazid A., u kap tre ditë më vonë në bodrumin e një banese në veri të Lyonit. Hetimet kanë nisur për “arratisje në kuadër të një grupi të organizuar” dhe “organizatë kriminale”. Personi që e ndihmoi duke transportuar valixhen është ende në kërkim, ndërsa autoritetet franceze po shqyrtojnë masat e sigurisë dhe disiplinore në burg.

Shqipëria në fokusin e elitës globale: Jahti i Jeff Bezos ankoron në Sarandë

Në një ditë të zakonshme korriku, super-jahti “Koru” i miliarderit Jeff Bezos, themelues i Amazon, u ankorua për herë të parë në bregdetin shqiptar, duke sjellë me vete jo vetëm luksin e tij marramendës, por edhe vëmendjen ndërkombëtare mbi bukuritë e Jonit.

Ky jaht 127 metra i gjatë, me një vlerë rreth 500 milionë euro, nuk është thjesht një mjet lundrimi, por një simbol i pushtetit dhe stilit që përfaqëson pronarin e tij. I ndërtuar nga kompania e njohur holandeze Oceanco, “Koru” kombinon dizajnin tradicional me teknologjinë më moderne, duke qenë një velierë luksoze, ekologjike dhe tepër elegante.

Brenda tij ndodhen palestra me pamje panoramike nga deti, suita me tavan të lartë dhe arredim i personalizuar deri në detajet më të vogla, për të krijuar një përvojë unike luksi.

Ndalesa e Bezos në Sarandë nuk është vetëm turistike. Ajo shihet si një sinjal i qartë se Shqipëria tashmë po konsolidohet si një destinacion i rëndësishëm për elitën botërore.

 

Zvicër: Sirenat krijojnë një zgjim të pakëndshëm

Disa komunitete në pjesët qendrore të vendit u trembën në orët e para të mëngjesit të djeshëm pasi u dëgjuan sirenat.

Policia kantonale në Schwyz konfirmoi se sirenat u dëgjuan në shtatë komuna në mes të natës. Një banor vendas i tha gazetës Blick se mendoi se ishte shpallur luftë, transmeton albinfo.ch.

Alarmet u dëgjuan vetëm për disa sekonda. Arsyeja e alarmit të rremë po hetohet tani.

Gjyshërit zviceranë udhëheqin në Evropë në kujdesin ndaj fëmijëve

Sipas Zyrës Federale të Statistikave të Zvicrës (FSO), gati dy të tretat e fëmijëve nën 13 vjeç morën një formë kujdesi plotësues familjar në vitin 2023.

Mesatarisht, fëmijët zviceranë kalonin 14 orë në javë në kujdes jo prindëror. Siç pritej, fëmijët më të vegjël morën më shumë vëmendje. Ata nën katër vjeç kalonin rreth 20 orë në javë.

Gjyshërit mbajnë një pjesë të konsiderueshme të barrës, raportoi SRF, transmeton albinfo.ch.

Pothuajse gjysma e prindërve me fëmijë nën tre vjeç mbështeteshin te gjyshërit ose kujdestarë të tjerë informalë, siç janë të afërmit ose fqinjët. Në krahasim, në Gjermani dhe Francë pjesa më e vogël e kujdesit informal është vetëm 10%, ndërsa në Austri dhe Itali afërsisht një e treta. FSO vlerëson se gjyshërit zviceranë ofruan një shifër marramendëse prej 157 milionë orësh kujdesi për fëmijët në vitin 2023.

Dallimet brenda Zvicrës janë të habitshme. Në Zvicrën frëngjishtfolëse, mbi 50% e familjeve përdornin objekte formale të kujdesit për fëmijët, siç janë çerdhet ose programet pas shkolle. Në zonat gjermanishtfolëse kjo shifër ishte 41% dhe vetëm 37% në Ticino italishtfolëse. Shërbimet e kujdesit për fëmijë, më informale se qendrat e kujdesit ditor, janë dukshëm më të zakonshme në Zvicrën frëngjishtfolëse sesa gjetkë.

Kujdesi formal është gjithashtu në rritje. Përqindja e fëmijëve në programe çerdheje ose shkollore është rritur me pesë pikë përqindjeje që nga viti 2020, duke arritur në 39%. Kujdesi ditor familjar, megjithëse ende i kufizuar, i shërben 6% të fëmijëve. Dadot, dado dhe au pair mbeten një gjë e rrallë, duke përbërë vetëm 3% të kujdesit plotësues. Kjo ka të ngjarë të jetë për shkak të kostos së tyre të lartë.

Në një javë tipike, një e treta e fëmijëve kalojnë kohë me gjyshërit e tyre dhe një 10% kujdesen nga të afërm ose të njohur të tjerë. Ndërsa kujdesi ditor formal po rritet në rëndësi, ofruesit jozyrtarë të kujdesit për fëmijët në Zvicër, gjyshërit e vendit, mbeten të domosdoshëm.

Pse në Zvicër kondicionerët janë thuajse të ndaluar

Në Zvicër, një nga vendet më të rregullta dhe më të ndërgjegjshme ndaj mjedisit në botë, kondicionerët nuk përdoren gjerësisht. Shumica e shtëpive private nuk i kanë fare, ndërsa edhe në zyrat e biznesit ato janë të rralla. Kjo lidhet me klimën e butë dhe me politikat e forta për efikasitet energjetik dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Në disa kantone, për të instaluar kondicioner nevojitet leje speciale dhe arsye e justifikuar, shpesh edhe mjekësore. Për shembull, në Gjenevë duhet të provohet që pajisja është e domosdoshme dhe të përmbushë standarde të larta për kursimin e energjisë.

Ndërtesat në Zvicër janë të dizajnuara që të mbajnë ngrohtësi në dimër dhe freski në verë, falë izolimit të mirë dhe mureve të trasha. Për këtë arsye, shumë banorë mbështeten në metoda natyrale ftohjeje, si ajrosja gjatë natës, mbajtja e perdeve të mbyllura gjatë ditës, përdorimi i ventilatorëve apo thjesht qëndrimi në natyrë. Për ta, kondicioneri shihet si luks i panevojshëm dhe shpenzim i tepërt energjie.

Megjithatë, kondicionerët nuk mungojnë krejtësisht. Ata gjenden në spitale, hotele dhe qendra tregtare, si edhe në disa zyra moderne, sidomos tani që valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta. Por edhe kur ligjërisht lejohet instalimi i tyre, shumë zviceranë preferojnë zgjidhje alternative për të mos dëmtuar mjedisin dhe për të shmangur faturat e larta të energjisë.

Kështu, Zvicra mbetet shembull se komoditeti mund të arrihet pa e dëmtuar natyrën, ndërsa kondicioneri mbetet më shumë luks sesa nevojë.

YouTube me rregulla të reja të ashpra për përmbajtjen e krijuar nga inteligjenca artificiale

YouTube ka njoftuar ndryshime të rëndësishme në politikat e monetizimit që hyjnë në fuqi më 15 korrik. Këto masa synojnë të kufizojnë videot joautentike, veçanërisht ato të krijuara nga inteligjenca artificiale dhe që konsiderohen të përsëritura ose të prodhuara në masë.

Edhe pse platforma e cilëson këtë si një “ndryshim të vogël” në udhëzimet ekzistuese, qëllimi është i qartë. Synohet të ndalohen përmbajtjet me vlerë të ulët që dominojnë trendet, si zëra të gjeneruar nga kompjuteri, foto të marra online apo lajme të ritreguara pa ndonjë kontribut real njerëzor.

Ndikimi te Programi i Partnerëve në YouTube

Rregullat prekin të gjithë krijuesit që fitojnë para nga reklamat përmes Programit të Partnerëve në YouTube (YPP). Kompania thekson se “origjinaliteti” ka qenë gjithmonë kusht bazë për monetizim, por tani është sqaruar më qartë se çfarë konsiderohet përmbajtje joautentike në epokën e AI.

Sipas Rene Ritchie nga ekipi i marrëdhënieve me krijuesit, synimi nuk është të penalizohen videot me reagime apo komente mbi klipe ekzistuese, por të ndalohen përmbajtjet e tepërta, të përsëritura dhe spam që nuk ofrojnë asnjë vlerë.

Pse YouTube po e ndërmerr këtë hap?

Krijimi i shpejtë i përmbajtjeve të rreme, nga lajmet e trilluar te videot me CEO-n e YouTube të gjeneruar nga AI, po rrezikon besueshmërinë e platformës. YouTube e sheh këtë veprim si një mënyrë për të mbrojtur integritetin dhe markën e saj, duke parandaluar përhapjen e dezinformatave dhe komercializimin e tepërt të përmbajtjeve të pavlera.

Më shumë se 1,000 persona kanë humbur jetën nga vala e të nxehtit në Spanjë në dy muajt e fundit

Temperaturat ekstreme që kanë përfshirë Spanjën gjatë dy muajve të fundit kanë shkaktuar vdekjen e 1,180 personave, njoftoi të hënën Ministria e Mjedisit. Ky numër paraqet një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar vetëm 70 vdekje të lidhura me të nxehtin.

Sipas autoriteteve, shumica e viktimave ishin persona mbi moshën 65 vjeç dhe më shumë se gjysma ishin gra. Rajonet më të prekura rezultojnë të jenë Galicia, La Rioja, Asturias dhe Cantabria – zona në pjesën veriore të vendit, ku tradicionalisht verërat janë më të freskëta, por këtë vit janë shënuar temperatura mbi 40 gradë Celsius.

“Ngjarja karakterizohet nga një rritje e paparë e temperaturave mesatare dhe një rritje e ndjeshme e vdekshmërisë që i atribuohet valëve të të nxehtit,” thuhet në deklaratën e ministrisë, duke cituar të dhënat nga Instituti i Shëndetit Carlos III.

Spanja, ashtu si shumica e vendeve të Evropës Perëndimore, po përballet me temperatura të larta përtej normales, të cilat janë intensifikuar gjatë javëve të fundit, duke vënë në rrezik të lartë veçanërisht grupet vulnerabël si të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Riola Xhemaili: “E lumtur të bëj krenare Shqipërinë, Zvicrën dhe Kosovën”

Goli “shpëtimtar” që shënoi për Natin zviceran, ka bërë që Riola Xhemaili të kthehet edhe njëherë në piedestalin e futbollisteve më të vlerësuara të Zvicrës. Dhe, jo vetëm në Zvicër. Siç shkruan 20 minuten, “Shpëtimtarja e ekipit kombëtar tani është një heroinë kombëtare në Kosovë dhe Shqipëri”.

Riola Xhemailit i është dashur të luftonte për një kohë të gjatë. Tani ajo është në qendër të një momenti historik futbollistik, transmeton albinfo.ch. Heroina e ekipit kombëtar dëshiron të arrijë në gjysmëfinalet e Kampionatit Evropian.

Falë golit të Riola Xhemaili, kombëtarja zvicerane është në çerekfinalet historike të Kampionatit Evropian, në Zvicër. 22-vjeçarja shënoi në minutën e 92-të të enjten për të barazuar kundër Finlandës në një barazim 1-1. Kombëtarja do të përballet me Spanjën në çerekfinale të premten (ora 21:00).

Disa ditë pasi u kualifikua për Kampionatin Evropian, ajo thotë: “Është ende një ndjesi e mrekullueshme, një ndjesi e papërshkrueshme, veçanërisht në një ndeshje si kjo, në kohën shtesë”. Riola flet gjithashtu për Kosovën dhe Shqipërinë. A është ajo tani një heroinë kombëtare në të dy vendet si Xherdan Shaqiri?, pyet gazeta.

Për sqarim: Si Shaqiri ashtu edhe Granit Xhaka kanë qenë dhe vazhdojnë të festohen si heronj në Kosovë.

Riola Xhemaili thotë: “Videot u bënë virale në Kosovë dhe në Shqipëri. Kam shumë familjarë atje. Kjo më bën edhe më krenare që kam bërë shumë njerëz të lumtur”. Ajo është krenare që është në gjendje të bëjë krenarë një, dy ose edhe tre kombe: “Shqipërinë, Zvicrën dhe Kosovën”. Dhe vazhdon: “U rrita me shumë disiplinë dhe saktësi. Me të gjitha vlerat zvicerane që mëson në shkollë dhe në punë”.

Xhemaili thotë se është rritur shqip në shtëpi, ka folur shqip me prindërit e saj dhe ka bërë pushime në Kosovë, transmeton albinfo.ch. Ajo ka edhe këtë anë të vetes, këtë temperament, të cilin e sjell në fushë. “Por edhe kjo është një gjë e mirë. Të thuash se çfarë është zvicerane dhe çfarë është shqiptare nuk është aq e rëndësishme. Prindërit më mësuan vlerat e rëndësishme”.

Riola Xhemaili: “Në fillim, kishte edhe urrejtje nga Zvicra”

Pra, emri i heroinës së ekipit kombëtar është në buzët e të gjithëve. Gazeta 20 Minuten e ka ndjekur ekskluzivisht talentin e madh të futbollit gjatë muajve të fundit. Xhemaili ka dhënë në këtë kuadër një pasqyrë të jetës së saj, ka folur edhe për kohët e vështira me ekipin kombëtar dhe për urrejtjen që ajo përjetoi vazhdimisht në mediat sociale.

“Thashë në një video se isha zvicerane. Sepse jam zvicerane – dhe kështu ndihem. Pastaj mora shumë mesazhe urrejtjeje. Mori edhe familja ime”, thotë Xhemaili në raportin video të 20-minuten. “Ata thoshin se prindërit e mi nuk më kishin mësuar asnjë vlerë, as se çfarë të vlerësoja në lidhje me Kosovën. Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Si shqiptar apo zviceran, duhet të kesh të njëjtat vlera”.

Dhe ajo vazhdon: “Njerëzit thoshin se emri im nuk është ai i një zviceraneje. Por unë nuk mund ta ndryshoj këtë. E tëra çfarë mund të jap është maksimumi për këtë vend”. Ajo, thotë Xhemaili, duhet të bëjë më shumë se kushdo tjetër sepse ka një emër tjetër. “Së pari duhet ta dëshmosh veten në mënyrë që njerëzit të të pranojnë. Kjo është në të vërtetë e trishtueshme”.

“Je  zvicerane dhe jam krenare për këtë”

Por tani ata që e urrenin, kanë heshtur. Pas golit të saj, lojtarja e re zvicerane brohoritet. Nga tifozët në stadium, në stërvitjet publike dhe gjithashtu në rrjetet sociale, pe¨rcjell albinfo.ch. Ka mijëra komente nën postimet në profilin e saj në Instagram që e lavdërojnë.

“Çfarë momenti! Nuk do ta harroj kurrë,” thuhet në njërin nga komentet. Një përdorues tjetër komenton: “Një komb i tërë thotë FALEMINDERIT.” Dhjetëra herë. Xhemaili quhet thjesht një “legjendë”. Dhe ajo merr lëvdata edhe në videon e TikTok të reportazhit, në të cilën Xhemaili përmend citimet e lartpërmendura: “Ti je zvicerane dhe unë jam krenare për këtë”.

Dietat e qëndrueshme ulin ndjeshëm rrezikun nga kanceri

Një dietë e qëndrueshme shoqërohet me një reduktim statistikisht të rëndësishëm të rrezikut dhe vdekshmërisë nga kanceri. Ky ishte përfundimi i një analize të madhe sistematike ku morën pjesë edhe studiues zviceranë.

Reduktim deri në 12% i vdekshmërisë

Studimi, i publikuar në revistën The Lancet eClinicalMedicine, analizoi të dhëna nga 2.2 milionë persona. Marina Kasper nga Departamenti i Epidemiologjisë dhe Mjekësisë Parandaluese në Universitetin e Regensburgut, së bashku me bashkautorë, përfshirë Sabine Rohrmann nga Universiteti i Cyrihut, theksuan rëndësinë e këtyre rezultateve.

Në analizë u përfshinë 19 vlerësime të ndryshme nga 17 studime të zhvilluara mes viteve 1983 dhe 2022. Studiuesit raportuan:

  • ulje me 7% të incidencës së kancerit

  • ulje me 12% të vdekshmërisë nga kanceri

Dietat aktuale dhe rreziku global

Dietat e pashëndetshme aktuale kontribuojnë ndjeshëm në rritjen globale të rasteve me kancer, ndërsa disa mënyra prodhimi përkeqësojnë edhe problemet mjedisore. Komiteti i revistës The Lancet në vitin 2024 raportoi se rastet e kancerit të lidhura me dietën u rritën me 8% globalisht nga viti 2016 deri në 2021. Rreth 20% e vdekshmërisë nga kanceri në vendet perëndimore lidhet me dietën, veçanërisht për shkak të konsumit të pamjaftueshëm të ushqimeve me bazë bimore.

Përfitime të dyfishta: shëndet dhe mjedis

Studiuesit theksuan se dietat e qëndrueshme kanë përfitime të dyfishta, si për shëndetin ashtu edhe për mjedisin. Ata rekomanduan që në të ardhmen të përdoren qasje më të standardizuara në studime, për të vlerësuar më qartë ndikimin e dietave të tilla në shëndetin publik, transmeton albinfo.ch.