Në orët e para të ditës, Cyrihu u shkund nga tërmeti

Një tërmet me magnitudë rreth 3.1 ballë sipas shkallës Rihter goditi zonën pranë Affoltern am Albis në kantonin e Cyrihut të mërkurën në orët e para të mëngjesit, njoftoi Shërbimi Sizmologjik Zviceran (SED) i ETH Zurich, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Tërmeti ndodhi në orën 3:42 të mëngjesit dhe, sipas SED, dridhja mund të jetë ndjerë me forcë pranë epiqendrës së tij. Megjithatë, pritet që dëmet të jenë minimale, pasi një tërmet me këtë magnitudë zakonisht nuk shkakton dëme serioze.

Në Zvicër dhe rajonet përreth regjistrohen mesatarisht tre deri në katër tërmete në ditë, ose rreth 1,000 deri në 1,500 dridhje në vit. Vetëm të hënën e kaluar, një tërmet tjetër me magnitudë 3 ballë u ndje pranë Rheinfelden. Rreth 10 deri në 20 tërmete me magnitudë prej 2.5 ballë e më shumë ndihen çdo vit nga popullsia në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Brienz: 25 familje shqyrtojnë largimin për shkak të rrezikut nga rrëshqitja e dheut

Njëzet e pesë familje nga fshati malor Brienz (kantoni Graubünden) po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së përhershme, pas rrezikut të vazhdueshëm nga një rrëshqitje e madhe dheu që ka kërcënuar zonën që nga nëntori i kaluar. Kjo lëvizje mund të përbëjë zhvendosjen parandaluese më të madhe ndonjëherë të ndërmarrë në Zvicër për shkak të një fatkeqësie natyrore ende të pandodhur, raporton albinfo.ch.

Rreth 1.2 milionë metra kub shkëmb kërcënojnë fshatin, i cili mbetet i evakuuar që prej nëntorit 2024. Deri më tani, banorët lejohen të hyjnë në shtëpitë e tyre vetëm në orare të kufizuara ditore dhe nën masa të rrepta sigurie.

Sipas Roland Tremp, kryetar i grupit të punës për zhvendosjen, gjithnjë e më shumë banorë po heqin dorë nga shpresa për rikthim dhe po kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme jashtë Brienzit. Por procesi i zhvendosjes është i ndërlikuar: ligji aktual kërkon që për të marrë ndihmë financiare nga shteti, shtëpitë ekzistuese duhet më parë të shemben  një kusht që banorët e konsiderojnë “drastik” dhe emocionalisht të rëndë.

Në mungesë të dëmeve aktuale fizike nga rrëshqitja, ndihma financiare konsiderohet masë parandaluese dhe nuk jepet paraprakisht. Për të kapërcyer këtë pengesë, autoritetet kantonale të Graubünden kanë ofruar një kredi ndërmjetëse që do t’u mundësojë familjeve të planifikojnë ndërtimin ose zhvendosjen para shembjes së shtëpive të tyre, raporton albinfo.ch.

Banorët kanë afat deri më 30 shtator për të dorëzuar kërkesën për strehim të ri. Tremp thekson se vendimet individuale do të kenë ndikim të madh edhe në planifikimin urban dhe infrastrukturor: “Nëse largohen 25 familje, impakti është krejtësisht ndryshe sesa nëse mbeten vetëm pesë”.

Zhvendosja e mundshme do të transformojë tërësisht Brienzin  jo vetëm në pamje, por edhe në funksionalitet. Rrjetet e ujit, kanalizimeve, rrugëve dhe energjisë janë të dizajnuara për një komunitet më të madh dhe kërkojnë investime të konsiderueshme që vënë në vështirësi një komunë kaq të vogël.

Një ndërtesë që me gjasë do t’i mbijetojë kësaj situate është kisha e fshatit, e ndërtuar në vitin 1519 dhe e mbrojtur si trashëgimi kulturore. Nëse Brienz braktiset përfundimisht, kisha mund të mbetet simboli i vetëm i fshatit të dikurshëm.

Sipas Tremp, përvoja e Brienzit mund të shërbejë si model për komunat e tjera që mund të përballen me rreziqe të ngjashme natyrore në të ardhmen. Por për rreth 80 banorët e evakuuar, përparësi mbeten siguria, strehimi dhe e ardhmja e familjeve të tyre, raporton albinfo.ch.

Gjermani: 7200 euro gjobë shtetasit kosovar për vetëpunësim të rremë

Dogana në Regensburg ka zbuluar një rast tjetër të vetëpunësimit të rremë: Një shtetas kosovar u dënua së fundmi nga Gjykata e Landit të Regensburgut me një gjobë prej 7,200 €. Arsyeja ishte pjesëmarrja e tij në një skemë në të cilën ai ishte regjistruar si person i vetëpunësuar në letër, por në realitet punonte si punonjës i rregullt, transmeton albinfo.ch.

Ai, fillimisht ishte punësuar nga një kompani ndërtimi në rrethin Kelheim, i nënshtruar kontributeve të sigurimeve shoqërore. Më vonë, i përmenduri ka themeluar biznesin e tij, por ka vazhduar të punonte për të njëjtën kompani: tre ditë në javë si punonjës, dy ditë si një kontraktor gjoja i vetëpunësuar. Ai e vazhdoi këtë model për më shumë se një vit.

Kontrolli Financiar i Punës së Paligjshme i Zyrës Kryesore të Doganës së Regensburgut zbuloi se vetëpunësimi i tij ishte vetëm një pretendim, shkruan presseportal.de. “I përmenduri përdorte mjetet e kompanisë, nuk kishte makineri të vetat, asnjë reklamë të vetën dhe asnjë klient tjetër”, thonë në Drejtorinë e Kontrollit Financiar të Punës së Paligjshme të Zyrës Kryesore të Doganës së Regensburgut, përcjell albinfo.ch. Orari i tij i punës vazhdoi gjithashtu të bazohej në orarin e kompanisë së ndërtimit.

Faturat që ai paraqiti ishin madje edhe të shkruara nga vetë kompania.

Kjo praktikë rezultoi në humbje prej mbi 100,000 eurosh për sigurimet shoqërore.

Policia: SMS mashtruese po qarkullojnë në Kosovë

Njësia Nacionale për Siguri Kibernetike (KOS-CERT) ka ngritur alarmin për një valë të re të mesazheve SMS mashtruese që po qarkullojnë në Kosovë, me qëllim të mashtrimit financiar të qytetarëve, raporton albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, qytetarët kanë raportuar se po marrin mesazhe nga numra të huaj, në të cilat pretendohet se “automjeti juaj është regjistruar nga pajisjet e sigurisë” dhe kërkohet pagesa e një gjobe për shkelje në trafik. Këto mesazhe përmbajnë linke të shkurtuara mashtruese (URL), të cilat autoritetet paralajmërojnë që nuk duhet të klikohen në asnjë rrethanë.

“Kjo është një formë klasike e mashtrimit kibernetik. Ju lusim të mos klikoni në URL që vijnë përmes mesazheve të tilla. Institucionet shtetërore nuk dërgojnë SMS për pagesa të tilla, përfshirë edhe gjobat në trafik”, thuhet në njoftimin e KOS-CERT.

Njësia për Siguri Kibernetike ka bërë thirrje për vigjilencë maksimale nga qytetarët, duke theksuar se klikimi i këtyre linqeve mund të çojë në keqpërdorim të të dhënave personale, qasje në llogari bankare apo humbje të mjeteve financiare.

Qytetarët që pranojnë mesazhe të tilla ftohen t’i raportojnë menjëherë në adresën zyrtare të KOS-CERT: [email protected], në mënyrë që të merren masa për bllokimin dhe hetimin e burimeve të këtyre sulmeve, raporton albinfo.ch.

Osmani: SHBA-ja ka miratuar vazhdimin e programit të MCC-së për Kosovën

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se pas takimeve të zhvilluara në Washington D.C, është informuar zyrtarisht nga Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, për miratimin nga ana e Administratës Trump të vazhdimit të programit Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën, raporton albinfo.ch.

Presidentja Osmani tha se ky vendim përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të sektorit të energjisë dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

“Ky është një program me ndikim transformues për sektorin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë,” theksoi Osmani përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Programi Kompakt i MCC-së për Kosovën kap vlerën e qindra milionë dollarëve dhe synon të përmirësojë infrastrukturën energjetike, të rrisë efikasitetin dhe të mbështesë tranzicionin drejt burimeve të ripërtëritshme, raporton albinfo.ch.

Zvicër: Rritet numri i rasteve të trafikimit me qenie njerëzore

Zvicra vazhdon të përballet me sfidën e trafikimit të qenieve njerëzore. Gjatë vitit 2024, janë identifikuar 201 viktima të reja nga Platforma e Trafikimit – një rritje e lehtë në krahasim me vitin paraprak. Rreth 73 për qind e tyre janë gra, sipas statistikave të publikuara të martën nga kjo platformë, e cila bashkon pesë organizata të specializuara për mbrojtjen e viktimave: Fiz, Astrée, CSP Geneva, Antenna dhe Avit, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.

Nga të identifikuarit, 114 persona kanë qenë viktima të shfrytëzimit seksual, ndërsa 95 janë shfrytëzuar për punë të detyruar, lypje apo kryerje veprash penale. Viktimat vijnë nga 54 shtete të ndryshme, ku shumica janë me origjinë nga Nigeria, Kolumbia dhe Hungaria.

Sipas Platformës, shifrat reale mund të jenë shumë më të larta. Ato varen nga prania e shërbimeve të specializuara, ndërgjegjësimi publik dhe përfshirja e sektorëve të ndryshëm në zbulimin e rasteve.

Në vitin 2023, organizatat anëtare të Platformës ndihmuan gjithsej 483 persona, përfshirë viktimat e reja dhe ato të identifikuara më parë. Ato theksojnë nevojën për më shumë koordinim ndërmjet politikave kantonale dhe atyre federale për të garantuar mbrojtje të qëndrueshme për viktimat.

Për shembull, janë regjistruar raste kur autoritetet federale kanë refuzuar leje qëndrimi për viktimat, ndonëse ato janë mbështetur nga autoritetet kantonale dhe janë përfshirë në proceset e integrimit për vite me radhë, transmeton albinfo.ch.

Zvicra shqyrton mundësinë e njohjes së shtetit të Palestinës

Në një kohë kur çështja e njohjes së shtetit të Palestinës po merr gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare, Zvicra ka konfirmuar se po shqyrton seriozisht këtë hap  por vetëm nëse përmbushen kushte të caktuara që lidhen me paqen dhe sigurinë në rajon, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Në një njoftim për shtyp të lëshuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme (FDFA), Zvicra ka theksuar se njohja e një shteti palestinez mund të jetë pjesë e një zgjidhjeje të qëndrueshme me dy shtete, e cila do të garantonte sigurinë e Izraelit dhe të drejtën për vetëvendosje të popullit palestinez.

“Një jetë paqeje, sigurie dhe dinjiteti për të gjithë njerëzit në rajon është e mundur vetëm përmes një zgjidhjeje me dy shtete”, thuhet në deklaratën e FDFA-së, e cila u publikua në kuadër të një konference ndërkombëtare mbi Lindjen e Mesme që po mbahet në Nju Jork, me pjesëmarrjen e rreth 120 vendeve.

Në këtë konferencë, të udhëhequr nga Franca dhe Arabia Saudite, delegacioni zviceran  i përfaqësuar nga Monika Schmutz Kirgöz, drejtoreshë e departamentit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut  ka konfirmuar mbështetjen për përpjekjet ndërkombëtare që synojnë zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, në Zvicër debati rreth njohjes është i ashpër. Përfaqësues të partive të djathta si Marco Chiesa (SVP) dhe Damian Müller (FDP) paralajmërojnë se një hap i tillë do të përbënte një “turp kombëtar” dhe një shmangie nga neutraliteti tradicional i Zvicrës. Sipas tyre, njohja e Palestinës mund të përkeqësojë tensionet dhe të zbehë rolin ndërmjetësues të Zvicrës.

Në anën tjetër, partitë e majta, përfshirë Partinë Socialdemokrate (SP) dhe të Gjelbrit, mbështesin hapur njohjen. “Zvicra duhet të vazhdojë të shtyjë për njohje,” deklaroi Eric Nussbaumer i SP-së. Presidentja e të Gjelbërve, Lisa Mazzone, e cilësoi si të pakuptueshme hezitimin e Zvicrës, duke kujtuar se partia e saj ka kërkuar këtë njohje për dekada.

Zvicra, që ka shprehur publikisht tronditjen për përkeqësimin e situatës humanitare në Rripin e Gazës, ka rritur ndihmën për organizatat humanitare partnere që operojnë në terren, duke reaguar ndaj rënies së shërbimeve bazë dhe rrezikut akut të urisë.

Konferenca aktuale në Nju Jork pritet të pasohet nga një tjetër samit ndërkombëtar në muajin shtator, i cili do të organizohet nga Franca dhe Arabia Saudite, në përpjekje për të rifilluar bisedimet dhe zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, një projekt që edhe Zvicra është e gatshme ta mbështesë me vendosmëri.

Aktualisht, më shumë se 140 vende në botë  përfshirë mbi një duzinë vende evropiane  e kanë njohur zyrtarisht shtetin e Palestinës., transmeton albinfo.ch.

Kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve në rastin “Banjska”

Avokati Naim Rudari, përfaqësues i policit të plagosur në rastin “Banjska”, Alban Rashiti, ka njoftuar se ka ushtruar kallëzim penal ndaj katër dëshmitarëve në këtë rast, nën dyshimet për kryerjen e disa veprave penale, përfshirë edhe deklarimin e rremë, raporton albinfo.ch.

Sipas kallëzimit penal të dorëzuar, personat Rade Nedelkoviq, Velko Iliq, Marko Saviq dhe Ivan Filimonoviq dyshohen për përfshirje në veprat penale: “Ndihma në kryerjen e terrorizmit”, “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”, “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, “Deklarim i rremë” dhe “Manipulimi me prova”, ka raportuar organizata “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Rudari ka bërë të ditur në një postim në Facebook se më 22 dhe 24 korrik 2025 janë dëgjuar dy nga dëshmitarët, të cilët sipas tij kanë pasur njohuri të gjera për rastin dhe për anëtarët e grupit terrorist që morën pjesë në sulmin në Banjskë. Velko Iliq ka dëshmuar në një seancë të mbyllur, ndërsa të gjithë të përmendurit janë kallëzuar penalisht.

Sipas Rudarit, këta persona kanë ndihmuar grupin terrorist duke i strehuar në hotelin “Rajnska Banja” në fshatin Bajnskë, i kanë paraqitur si punëtorë të hotelit për të shmangur identifikimin nga autoritetet dhe kanë ndihmuar të plagosurit duke u ndërruar uniformat me rroba civile për t’ua mundësuar arratisjen. Ai akuzon se në seancë, dëshmitarët kanë dhënë deklarata të rreme me qëllim të mbrojtjes së pjesëtarëve të grupit kriminal.

Rudari ka kërkuar që Prokuroria e Shtetit të nisë hetime të plota për rastin, duke theksuar se përmes tyre mund të sigurohen edhe prova të tjera për përfshirjen e këtyre personave në ndihmën e grupit terrorist.

Ndërkohë, për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për vepra të rënda terroriste. Tre nga të akuzuarit:Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq  ndodhen në paraburgim, ndërsa pjesa tjetër, përfshirë Radoiçiqin, janë ende në arrati dhe me fletarrest ndërkombëtar, raporton albinfo.ch.

Kapet sasi rekord droge në Aeroportin e Gjenevës

Dy turistë që udhëtonin nga Tajlanda janë ndaluar në Aeroportin e Gjenevës, pasi u përpoqën të kontrabandojnë mbi 100 kilogramë marijuanë të papërpunuar në bagazhet e tyre, kanë njoftuar autoritetet zvicerane, shkruan 20minuten, transmeton albinfo.ch.

Zyra Federale për Doganat dhe Sigurinë Kufitare (FOCBS) ka publikuar pamje nga momenti i ndalimit, duke konfirmuar se droga u zbulua përmes një kontrolli me rreze X. Incidenti ka ndodhur të mërkurën e kaluar, raporton televizioni publik RSI.

I pari që u ndalua ishte një shtetas spanjoll 31-vjeçar. Oficerët doganorë zbuluan 53 kilogramë marihuanë të paketuar në vakum në dy valixhet e tij. Vetëm pak më vonë, një tjetër pasagjer  një francez 59-vjeçar, që udhëtonte me të njëjtin fluturim  u arrestua me dy valixhe që përmbanin gjithashtu 53 kilogramë marijuanë.

Në total, autoritetet kapën 106 kilogramë marihuanë, që përbën një nga sekuestrimet më të mëdha të këtij lloji në Aeroportin e Gjenevës.

Droga është konfiskuar, ndërsa dy të dyshuarit janë vënë në pranga nga Policia Kantonale e Gjenevës, transmeton albinfo.ch.

Zbulohen mbetje mortore në Brekoc të Gjakovës, dyshohet se janë nga lufta e fundit

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka konfirmuar të mërkurën se gjatë gërmimeve në fshatin Brekoc të Gjakovës janë gjetur mbetje mortore, të cilat dyshohet se i përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, raporton albinfo.ch.

Gjetja është bërë në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) dhe Policinë e Kosovës, pas një kthimi në këtë lokacion për gërmime shtesë dhe vlerësuese. “Ekipet tona kanë hasur në eshtra”, thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar nga Komisioni në Facebook.

Mbetjet mortore do t’i nënshtrohen analizave antropologjike dhe identifikimit përmes ADN-së, ndërsa familjet e viktimave do të njoftohen sapo të përfundojnë procedurat laboratorike dhe të përcaktohet identiteti i viktimave.

Komisioni Qeveritar theksoi përkushtimin për të trajtuar këtë çështje me ndjeshmëri dhe prioritet, në funksion të ndriçimit të fatit të të zhdukurve dhe përmbushjes së drejtësisë për familjet e tyre, raporton albinfo.ch.

Kosovë: KEDS paralajmëron shkyçjen e bizneseve pa kontrata aktive energjetike nga 31 korriku

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar se duke filluar nga nesër, më 31 korrik, do të nisë procesi i shkyçjes nga rrjeti i të gjitha bizneseve që nuk kanë një kontratë aktive me një furnizues të licencuar të energjisë elektrike, raporton albinfo.ch.

Në komunikatën zyrtare, KEDS thekson se ky veprim bazohet në Nenin 39 të Ligjit për Energjinë Elektrike (Nr. 05/L-085) dhe Rregullën për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF), sipas së cilës furnizimi emergjent nuk mund të zgjasë më shumë se 60 ditë pa një kontratë të rregullt.

“Pas përfundimit të kësaj periudhe, në mungesë të një kontrate të rregullt furnizimi dhe për të ruajtur integritetin e sistemit energjetik, është e nevojshme të bëhet shkyçja,” thuhet në njoftim.

Ky hap është pjesë e reformës për liberalizimin e tregut të energjisë, e cila parasheh që bizneset të përzgjedhin vetë furnizuesin e tyre nga lista e operatorëve të licencuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

KEDS sqaron se nuk ka rol furnizues, por vepron vetëm si Operator i Sistemit të Shpërndarjes (OSS), dhe është i obliguar të zbatojë vendimet e ZRRE-së.

Kompania i ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që ende nuk kanë lidhur kontratë me një furnizues të licencuar që ta bëjnë këtë sa më parë, për të shmangur ndërprerjet e energjisë dhe pasojat për operimin e tyre.

Ndërkohë, bizneset anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës kanë paralajmëruar veprime të ashpra nëse ZRRE nuk tërhiqet nga vendimi për liberalizimin e tregut.

Aktualisht, një pjesë e kompanive me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, që nuk kanë përzgjedhur furnizues, po furnizohen përkohësisht nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në rolin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit. Ky furnizim, i cili ofrohet me çmime më të larta se mesatarja e tregut, ka nisur më 1 qershor dhe përfundon sot, më 30 korrik, raporton albinfo.ch.

Gjermania rrit fondet për ushtrinë dhe infrastrukturën

Kabineti qeveritar gjerman miratoi të mërkurën një projektbuxhet për vitin 2026, thanë burime qeveritare, duke hapur rrugën për të shpenzuar qindra miliarda euro për infrastrukturë dhe mbrojtje, raporton DPA, përcjell albinfo.ch.

Buxheti i Ministrit të Financave, Lars Klingbeil, për vitin e ardhshëm parashikon shpenzime prej rreth 520 miliardë eurosh dhe një borxh të ri në vlerë rreth 174 miliardë euro.

Qeveria e re gjermane, që mori detyrën në maj, ka premtuar të rrisë ndjeshëm investimet për të përditësuar infrastrukturën e amortizuar të vendit dhe për të riarmatosur ushtrinë gjermane.

Buxheti për vitin 2025, i cili u miratua nga kabineti në qershor, mbetet ende në shqyrtim dhe pritet të miratohet në parlament pas pushimeve verore.

Buxheti për vitin pasues pritet të hidhet në votim në Bundestag, dhoma e ulët e parlamentit, në nëntor.

Projektbuxheti thekson si përparësi investimet për rritje ekonomike, më shumë punësim dhe modernizimin e Gjermanisë.

Ministri i Financave ka paralajmëruar këtë javë se nga viti 2027 priten masa të konsiderueshme kursimi, pasi në buxhetin federal parashikohet një mungesë fondesh prej rreth 172 miliardë eurosh.

Gjetja e një pune në Zvicër mund të jetë një proces i ndërlikuar

Gjetja e një pune në Zvicër mund të jetë një proces i ndërlikuar dhe që kërkon shumë kohë. Sidoqoftë ekzistojnë disa këshilla.

Identifikoni aftësitë tuaja

Michael në Lausanne, i cili u kërkua nga SHBA-ja për një punë në Zvicër, tha se identifikimi i aftësive kryesore ose përvojës që duan punëdhënësit është gjëja më e rëndësishme që duhet bërë kur kërkoni punë në Zvicër.

“Që punëdhënësit zviceranë t’ju punësojnë, veçanërisht t’ju zhvendosin, duhet të ketë një arsye. Zviceranët janë shumë të kërkuar për të punësuar pa asnjë arsye,” tha ai.

Të tjerë që u kërkuan këshilluan kujdes në lidhje me kontrollin e kredencialeve të rekrutuesve. “Sigurohuni që rekrutuesi është për një agjenci pune të njohur,” tha një lexues i lindur në Itali.

 

Rrjeti

Rrjeti i frikshëm (nga disa) gjithashtu u rendit lart në listat e shumë lexuesve të gjërave që duhet të bëni kur kërkoni një punë në Zvicër.

Disa lexues që siguruan vendet e tyre të punës përmes njerëzve që njihnin thanë se kultivimi i një rrjeti personal mund të jetë vërtet i dobishëm kur kërkojnë punë.

Lindsey nga Cyrihu, e cila punon si drejtoreshë globale e shitjeve, gjithashtu i këshilloi njerëzit të optimizojnë CV-në dhe profilin e tyre në LinkedIn.

Ajo gjithashtu dha një rekomandim tjetër që mund të duket frikësues për ata që kanë më pak besim në aftësitë e tyre gjuhësore.

“Ndiqni aplikimet për punë me telefonata, jo me email ose mesazhe,” tha ajo.

Të tjerë theksuan rëndësinë e përshtatjes së saktë të çdo CV-je  dhe letre motivuese  me rolin për të cilin aplikoni. Dhe mos harroni ta korrigjoni atë: Punëdhënësit zviceranë janë të njohur për pëlqimin e gjërave ‘thjesht kështu’.

 

Përmirësoni aftësitë tuaja gjuhësore

Të kesh aftësi të mira gjuhësore është gjithmonë një plus i madh kur bëhet fjalë për kërkimin e punës në një vend tjetër  hap shumë më tepër mundësi  kështu që, siç pritej, kjo këshillë u shfaq në përgjigjet e shumë njerëzve.

Sigurisht, varet se në cilën industri punoni, por zotërimi i njohurive nuk është thelbësor, thanë lexuesit.

Thjesht duhet ta “bësh të qartë se je i gatshëm të mësosh dhe të përmirësohesh”, pasi punëdhënësit e vlerësojnë këtë, tha Tommy, i cili punon si inxhinier softuerësh dhe iu përgjigj një njoftimi pune para se të transferohej në Zvicër.

 

Di pse po aplikon

Sigurohuni që keni menduar pse doni të punoni në Zvicër dhe punën dhe kompaninë specifike për të cilën keni aplikuar, këshilluan lexuesit.

Është e rëndësishme të jesh pozitiv dhe i sinqertë në përgjigjet e tua, por të thuash se është “sepse më pëlqen të skijoj” nuk do të mjaftojë, tha një lexues me bazë në Vaud.

Por ndonjëherë, edhe me përgatitjen dhe vullnetin më të mirë në botë, nëse e merr punën apo jo, gjithçka mund të varet nga përshtatja jote.

 

Dhe nëse nuk jeni të kërkuar ose të zhvendosur brenda të njëjtës kompani – siç ishin shumë nga lexuesit tanë – gjetja e një pune mund të zgjasë shumë.

“Aplikova për shumë vende pune për rreth 18 muaj dhe të gjitha u refuzuan. Duket sikur të duhet shumë fat”, tha Yuri nga St Gallen i cili aplikoi për punën e tyre në internet.

Dhe, siç tha Henry, i cili e gjeti punën e tij në shërbimet financiare në LinkedIn, gjëja më e rëndësishme kur kërkon punë në Zvicër është të “kesh durim”.

Por ndoshta nuk është gjithçka keq, ose të paktën, mund të jetë më keq: Tommy tha se marrja e një apartamenti në Zvicër doli të ishte më e vështirë sesa gjetja e një pune.

 

Fjalët lamtumirëse të Leverkusenit për Xhakën

Së fundmi, Bayer Leverkuseni ka njoftuar se Sunderlandi ka pranuar kushtet e vëna për transferimin e Granit Xhakës. Dhe rrjedhimisht erdhi deri te realizimi i transferimit, përcjell albinfo.ch.

“Granit Xhaka ishte lojtar kyç në ekipin e Leverkusenit që fitoi kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë në vitin 2024”, ka thënë drejtori sportiv i Bayer 04, Simon Rolfes.

“Pranimi i kërkesës së tij urgjente për transferim është i përshtatshëm për Bayer 04 sipas kushteve dhe rrethanave të negociuara dhe është zgjidhja më e mirë për të gjithë të përfshirët. I urojmë Granitit gjitha të mirat për pjesën tjetër të karrierës së tij”.

Në rrjetet sociale, Bayer Leverkuseni e ka falënderuar Xhakën dhe i ka uruar sukses në Sunderland.

Videoja lamtumirëse e klubit gjerman për Xhakën: https://x.com/bayer04_en/status/1950490329158918623?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1950490329158918623%7Ctwgr%5E4e1913141dd20824f2ebe523f4cd4aea5b2fa3c9%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.koha.net%2Ffutboll%2Fte-leverkuseni-thone-se-transferimi-i-xhakes-eshte-i-mire-per-te-gjitha-palet

Presidentja Osmani ngushëllon familjen e mërgimtarit që humbi jetën në liqenin e Ujmanit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj të sinqerta për familjen Latifi, pas ndarjes tragjike nga jeta të Rrahim Latifit, përcjell albinfo.ch.

“Në këto çaste të dhimbshme, më lejoni të shpreh pikëllimin tim të thellë për humbjen e të dashurit tuaj, Rrahim Latifi. Ai u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme, duke lënë pas një boshllëk të madh për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën. Humbja e jetës së një të riu është gjithmonë e rëndë, por kur ndodh në rrethana të tilla tragjike, dhimbja bëhet edhe më e thellë,” thuhet në mesazhin e Presidentes Osmani.

Ajo u ka shprehur familjarëve dhe të afërmve të të ndjerit ngushëllimet më të sinqerta, duke u uruar forcë dhe durim për ta përballuar këtë humbje të pazëvendësueshme.

Premierliga i uron mirëseardhje Xhakës

Sunderland ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit Granit Xhaka, i cili i bashkohet klubit anglez nga Bayer Leverkusen. Mesfushori do të firmosë kontratë trevjeçare me klubin nga “Stadium of Light”, përcjell albinfo.ch.

Xhaka mbërrin në Sunderland pas një dekade ku ka qenë pjesë e pandashme e elitës së futbollit europian.

Ai ka zhvilluar 225 ndeshje në Premier League me Arsenalin, ku fitoi dy herë FA Cup dhe mbajti shiritin e kapitenit të “Topçinjve”.

E ishte faqja zyrtare e Premierligës që i uroi mirëseardhje Xhakës.

“Mirë se u ktheve në Premierligë, Granit Xhaka”, shkruhej në postimin e ligës elitare angleze.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=1377560133728940&set=a.847019066783052&type=3&ref=embed_post

Pse është më mirë të punosh në Cyrih, por të mos jetosh atje

Jetesa në qytetin e Cyrihut është ndër më të shtrenjtat në Zvicër, me qira që shpesh i kalojnë 3,000 franga për apartamente familjare dhe hapësirë të kufizuar jetese. Për fat të mirë, rrjeti i zhvilluar i transportit publik dhe infrastruktura rrugore e bëjnë të lehtë udhëtimin për në qytet nga rajonet përreth, përcjell albinfo.ch.

Qytete si Winterthur (20 minuta me tren), Zug (30 minuta), Schaffhausen, Frauenfeld, Olten, madje edhe Konstanz në Gjermani ofrojnë qira më të ulëta, më shumë hapësirë dhe një cilësi të mirë jetese  duke mbetur brenda një ore udhëtim në Cyrih.

Disa, si Zug, ofrojnë edhe avantazhe tatimore, ndërsa qytete si Olten dhe Frauenfeld janë veçanërisht tërheqëse për familje për shkak të kostove të ulëta dhe shkollimit cilësor.

Nëse punoni në Cyrih, por dëshironi të kurseni, të jetuarit pak më larg mund të jetë zgjidhja më e mençur.

Për më shumë detaje – https://www.thelocal.ch/20210811/maps-the-best-commuter-towns-when-working-in-zurich

Mashtrime me gjoba të rreme në Gjenevë, policia paralajmëron qytetarët

Policia e Gjenevës ka paralajmëruar banorët të jenë të kujdesshëm ndaj një vale mashtrimesh me email dhe letra të rreme që pretendojnë se janë përkujtues për gjoba parkimi të papaguara. Këto mesazhe, që ngjajnë zyrtare, përmbajnë kode QR që i çojnë përdoruesit në faqe mashtruese dhe kërkojnë informacione personale, përcjell albinfo.ch.

Sipas autoriteteve, mashtrimet karakterizohen nga mungesa e adresës së marrësit dhe përdorimi i formateve të rreme zyrtare. Disa nga adresat mashtruese të emailit përfshijnë: [email protected], [email protected] dhe [email protected].

Policia këshillon të mos skanohet kodi QR, të mos klikohet asnjë lidhje dhe të fshihet menjëherë mesazhi. Për të verifikuar vërtetësinë e komunikimeve, qytetarët mund të kontaktojnë në:

📧 [email protected]
📞 +41 22 427 51 70

Ansambli ‘Pavarësia’ përfaqëson kulturën shqiptare në Festivalin Ndërkombëtar të Shtutgartit

Për tri ditë me radhë, në sheshin qendror të Shtutgartit, Shkolla e Vallëzimit Ansambli “Pavarësia” Stuttgart prezantoi me krenari kulturën dhe traditën e pasur shqiptare nga Kosova, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar Veror, të organizuar nga Forum der Kulturen, transmeton albinfo.ch.

Valltarët e Ansamblit “Pavarësia” sollën në skenë një program të larmishëm artistik, përmes të cilit promovuan me përkushtim vlerat tona kulturore përballë një publiku të gjerë dhe ndërkombëtar. Krahas programit skenik, për tre ditë me radhë, shtandi “Kosova” ofroi ushqime tradicionale dhe mikpritje shqiptare, duke afruar vizitorët me shijen dhe shpirtin e kulturës sonë.

https://www.facebook.com/share/p/1G6amye6CE/

Mund të jetë një imazh i 15 persona, persona duke vallëzuar, dirndl dhe teksti

Nga tetori nis zbatimi i rregullave të reja për udhëtime në zonën Schengen

Nga 12 tetori 2025, Bashkimi Evropian do të nisë zbatimin e një sistemi të ri të kontrollit kufitar për qytetarët që nuk janë nga vendet anëtare. Ky sistem, i quajtur “Sistemi i Hyrje/Daljes” (EES), do të zëvendësojë praktikën tradicionale të vendosjes së vulave në pasaporta, duke shënuar një hap drejt digjitalizimit dhe sigurisë së shtuar në kufijtë evropianë, përcjell albinfo.ch.

Zbatimi i EES-së ka qenë në planet e BE-së që nga viti 2017, por është shtyrë disa herë për shkak të vonesave në përgatitjet teknike nga disa shtete. Tani, Komisioni Evropian ka caktuar datën 12 tetor 2025 për fillimin zyrtar, me një periudhë tranzicioni gjashtëmujore ku sistemi do të aplikohet gradualisht në të gjitha 29 shtetet që marrin pjesë në zonën Schengen  përfshirë edhe Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin.

Si do të funksionojë EES?
Sistemi do të regjistrojë automatikisht datën e hyrjes dhe daljes së çdo vizitori nga një vend i tretë (që nuk është pjesë e BE-së), si dhe të dhënat për qëndrime të tejzgjatura apo raste kur hyrja është refuzuar. Në vend të vulave fizike, udhëtarëve do t’u merren të dhëna personale dhe biometrike,  përfshirë fotografinë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve.

Pasaportat biometrike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat tashmë përmbajnë këto të dhëna, janë të harmonizuara me standardet e BE-së. Kjo do të thotë se qytetarët e rajonit do të jenë të përgatitur nga ana teknike për t’iu nënshtruar këtij sistemi të ri.

Pse po zbatohet ky sistem?
Sipas Komisionit Evropian, EES do të ndihmojë në:

Parandalimin e qëndrimeve të paligjshme përtej afatit të lejuar;

Identifikimin e udhëtarëve që përpiqen të hyjnë në mënyrë të parregullt;

Zvogëlimin e mashtrimeve me dokumente dhe identitete;

Rritjen e sigurisë së përgjithshme në hapësirën Schengen.

“Ky sistem do të na ndihmojë të kemi kontroll më të mirë të kufijve dhe të parandalojmë abuzimet me sistemin e vizave”, deklaroi Magnus Brunner, komisionar për Migrim në BE.

A do të ketë vonesa në kufij?
Zbatimi i teknologjisë së re mund të shkaktojë pritje më të gjata në pikat kufitare, sidomos në fillim. Udhëtarët që udhëtojnë me aeroplanë, tragete apo trena drejt Evropës duhet të jenë të përgatitur për kontrolle më të detajuara dhe disa minuta shtesë për regjistrimin biometrik.

Ministria e Jashtme e Britanisë paralajmëroi se “udhëtarët duhet të presin më gjatë në kufi sapo sistemi të hyjë në fuqi.”

Për të zbutur efektet e fillimit të sistemit, BE-ja do të zhvillojë fushata informuese nëpër aeroporte dhe pika kufitare, duke informuar udhëtarët mbi procedurat e reja dhe mënyrën e funksionimit të EES.

Fjalët e para të Granit Xhakës si lojtar i ri i Sunderlandit

E prisnin në Milano, por Granit Xhaka është prezantuar zyrtarisht si futbollisti i ri i Sunderland. Prishtinaliu pasi kaloi me sukses testet mjekësore, firmosi një kontratë me shenjtorët deri në 2028. Sipas Sky Sport, ekipi anglez i ka kushtuar 17 milionë euro kartoni i Xhakës, 13 kesh, plus 4 të tjera në formë bonusesh, përcjell albinfo.ch.

Pas vetëm dy vitesh, Xhaka rikthehet në këtë mënyrë në Premier League: “Jam shumë krenar që ndodhem këtu. Kur fol me klubin ndjeva menjëherë energjinë dhe mentalitetin që kanë të gjithë personat këtu, edhe lojtarët”, u shpreh Xhaka gjatë prezantimit. Te Sunderland, Xhaka do të mbajë të veshur fanellën me numrin 34-ët.

Mesfushori vjen nga Bayer 04 Leverkusen për një tarifë të pazbuluar dhe nënshkruan një kontratë trevjeçare në Stadium of Light.

Mesfushori 32-vjeçar do të veshë fanellën me numrin 34.

Alpinistja Laura Dahlmeier nuk i mbijetoi plagëve pas rrëzimit në mal, ndërron jetë

Albinfo.ch dje ka shkruar për plagët e rënda që kishte marrë Laura Dahlmeier gjatë alpinizmit, ndërkohë sot menaxhmenti i saj konfirmoi vdekjen e saj.

Biatlonistja gjermane Laura Dahlmeier, dy herë kampione olimpike, humbi jetën tragjikisht gjatë një aksidenti në majën Laila në malet Karakoram të Pakistanit. Aksidenti ndodhi gjatë një ekspedite alpine, ku 31-vjeçarja pësoi plagë të rënda nga të cilat nuk mundi të mbijetojë.

Lajmin për vdekjen e saj e konfirmoi menaxhmenti i kampiones së dyfishtë olimpike, duke shprehur trishtimin e thellë për humbjen e një prej sportisteve më të shquara të biatlonit. Laura Dahlmeier do të mbahet mend jo vetëm për arritjet e saj sportive, por edhe për pasionin dhe guximin që tregoi në sportet e sfidës në natyrë.

Kampionja ishte e njohur për sukseset e saj në biatlon, duke fituar medalje të arta në Lojërat Olimpike, dhe përkushtimin e saj ndaj sporteve malore. Vdekja e saj është një humbje e madhe për komunitetin sportiv ndërkombëtar. /20minute