Lajme

Çmagjepsja e shqiptarit më të pasur të Kosovës

Gazeta gjermane “Die Welt” ka botuar një shkrim ku e portretizon Behgjet Pacollin, ish presidentin e kontestuar dhe ish kreministrin e Kosovës. albinfo.ch përcjell këtë shkrim  të përkthyer në shqipe.

Likovci, një fshat në kodrina në veri të kryeqytetit, Prishtinës. Këtu afër filloi lufta çlirimtare e shqiptarëve kundër regjimit të Milosevic-it, këtu ishte i vendosur Shtabi i Përgjithshëm i grupit kryengritës UÇK. Një varrezë e vogël heronjsh, një çajtore akull e ftohtë, një grusht shtëpish. Jetohet me atë që japin fushat e vogla përreth, nga punët a rastit dhe nga paratë e të afërmve jashtë vendit. Të fitosh para të mira në dhé të huaj: kjo e shtyri edhe Gazmend Ahmetin, i cili ç’është e vërteta quhet ndryshe, të shkojë në Kazakistan. Muratori shkoi pas premtimeve të një burri, i famshëm si djali më i suksesshëm i vendit: Behgjet Pacolli. I rekrutuar nga firma e Pacollit në Zvicër Mabetex, Gazmendi në Kazakistanin e qeverisur diktatorialisht do të duhej të ndërtonte godina të larta për regjimin. Shtatë franga zvicerane ora – për kushtet kosovare rrogë jo e dobët.

“Si shqiptari më i pasur i botës”, Pacolli ndërkombëtarisht është më shumë famëkeq sesa i famshëm. Dhe Gazmend Ahmeti do të mësojë shpejt se për çfarë arsye është kështu – ai nuk do të marrë rrogë për punën e tij. Në vend të kësaj ai do të duhej të jetonte në Kazakistan me nga 100 dollarë para xhepi ne muaj. Tek pas tri të katërtat e vitit mori rrogën e tij. Edhe 200 kosovarë të tjerë të kantierit patën të njëjtin fat si të tij. “Unë mendoj se ata me rrogat tona kanë fituar në kamatë”, pandeh Gazmendi.

Ky episod i shkurtë është tipik për praktikat biznesore të Pacollit. Këso marifetllëqesh e ndihmuan në ngritjen e tij deri në postin e zëvendëskryeministrit. Por pikërisht këto ambicie të larta janë edhe arsyet e dështimit të tij të mëvonshëm.

Nga ndihmëspunëtori i restoranit në diler mes Lindjes dhe Perëndimit

Sot 63-vjeçari ishte i lindur në kushte të varfra si fëmija i dytë nga dhjetë gjithsej. Që herët, siç bëjnë me dije miqtë e tij të ngushtë, Pacolli la për të kuptuar se nga ai do të pritet më shumë. Burri me fytyrë luani nuk deshi të jetë vetëm shqiptari më i pasur, por edhe më i pushtetshmi. Si problem doli të jetë mbështetja e tij në po të njëjtën strategji. Historia e Pacollit është ashiqare edhe një leksion në çështjen e demokracisë: kosovarët nuk janë më të gatshëm t’u besojnë premtimeve boshe të një oligarku.

Si pinjoll i një familjeje të varfër, Behgjet Pacolli, mori rrugën për në Gjermani në vitet e 70-ta. Në atë kohë ky hap ishte kryesisht jo i zakonshëm. Tak pas ndryshimeve rrugën e tij do ta pasonin me dhjetëra mijë. Në Hamburg Pacolli do ta ndiqte një shkollë tregtie, do të mësonte gjuhë të huaja dhe do të punonte në një lokal. Ai ishte i shkathët, i talentuar dhe e kuptoi herët se ç’i duhet për të ardhur te paraja. Menjëherë pasi kreu shërbimin ushtarak në Jugosllavinë e atëhershme ia mësyu sërish Perëndimit. Pacolli u angazhua në një firmë tekstili në Austri dhe si përfaqësues i saj tregtar filloi të udhëtojë nëpër shtetet e Bllokut të Lindjes. Këtu shqiptari hodhi edhe gurthemelin pasurisë së tij: ai krijoi lidhje tregtie me biznesmenë eurolindorë, të cilët e e kuptojnë njëri – tjetrin me një të shkelur syri kur janë në pyetje bërjet e bizneseve.

Paratë e mëdha filluan të valëvisin më 1977: Pacolli shkoi në Zvicër tek një firmë gjenerale me emrin Interplastic. Aty mësoi çdo gjë që mund të mësohej mbi tregtinë me Evropën Lindore. Më vonë u bë i pavarur duke krijuar ndërmarrjen e tij Mabetex. Pacolli menjëherë fitoi kontrata të mëdha ndërtimi në hapësirat ruse. Kontaktin e tij më të rëndësishëm shqiptari e vuri në Jakutsk, ku kyebashkiak ishte njëfarë Pawel Borodin. Kur më vonë Borodin nën udhëheqjen e kryetarit të shtetit, Boris Jeltzin, u bë administrues i pasurisë së Kremlinit, Pacolli praktikisht nuk kishte më brenga. Firma e tij rinovoi në Moskë parlamentin rus dhe shtëpinë e operës. Një karrierë përrallore.

Kartela kreditore për vajzat e Jelzin-it

A nuk ishte shfaqur dikur ish – prokurorja federale Carla Del Ponte edhe tek Pacolli atëherë i bërë me shtetësi zvicerane?! Ajo e akuzonte atë se tek kontratat në Rusi kishte ardhur përmes ryshfetit. Flitej për një milion dollar përmes një kontoje hungareze dhe për kartela kreditore për presidentin rus dhe për vajzat e tij. Moska nuk u tregua e gatshme për ndihmë kur prokuroria zvicerane kërkonte ndihmë juridike. Dhe kështu procesi ndaj Pacollit u mbyll në mungesë provash.

Më vonë Pacolli iu specializua si sundimtar me dëshira të veçanta. Diktatorit kazakistanez, Nursultan Nasarbajew, i ndërtoi një pallat të ri të lartë presidencial. Se Pacolli kontraktuesin e tij nuk e bindi vetëm përmes ofertave të pamposhtshme vërteton edhe një libër i një dhëndri të Nasarbajew-it. Aty Rachat Alijew, i cili më 2007 u prish me presidentin dhe në shkurtin e vitit të kaluar u gjend i vdekur në një qeli të një burgu austriak, përshkruan allishverishe të errëta.

Alijew shkruan për atë se si Pacolli më 1995 organizoi një pushim në Detin Mesdhe për tërë familjen e madhe të presidentit kazakistanas. “Pacolli na dërgoi në restoranin “Pirat” jo larg Monacos”. Ndërtimi i thjeshtë nga druri mu në rrëzë të bregut të detit , paraqiste një kotrast të fortë me vilën luksoze, të cilën ai e kishte marrë me qira për Nasarbajew-in. Presidenti dukej gjithnjë më i ngrysur. Befas mori një pjatë dhe filloi ta vështrojë çartaqejfi. Mbretëronte një heshtje varri. Të gjithë shtangën. Aty presidenti e hodhi me tërë forcën një pjatë për dysheme dhe filloi të bërtasë: “ç`është kjo! Ky s`është pushim! Në djall të vejë!”. Pastaj ia filloi të bërtasë edhe pronari i lokalit, të cilit iu kundërvë edhe Nasarbajew, i cili një karrige të lokalit e hodhi me mllef në oxhakun e zjarrit. Dhe përnjëherë filluan të gjithë të qeshin: kamerieri, kryetari, Pacolli – sepse e tëra ishte një shërbim i veçantë i shtëpisë, i tërë spektakli ishte paraprakisht i përgatitur dhe ekstra i paguar.

Posti i presidentit si një falënderim i vogël

Kontakti me të pasurit dhe me të pushtetshmit duket se i zgjoi ambicie politike Pacollit. Më 2006 në vendin e tij krijoi partinë e quajtur Alenca për Kosovën e Re (AKR). Bashkëkombësit e tij e respektonin dhe i besonin. Pacolli iu premtonte kosovarëve se do ta shpiente vendin në mirëqenie dhe demokraci dhe do të kishte punë për njerëzit. Bashkëkombësit e tij e trajtonin atë në fillim si një të shenjtë që sjell fat. Në programin e tij Pacolli prekte brengat e tyre më të mëdha. Vendi ballkanik me korrupsion kronik vuante edhe atëherë nga papunësia e lartë.

“Në fillim ai kultivonte një stil tjetër në Kosovë. Përpiqej të paraqitej i pastër”, kujton Avni Ahmetaj, korrespodent i Al-Xhezaira të Ballkanit. Në qelinë qendrore të partisë së tij, njëri prej folësve bën me dije për angazhimin humanitar të Pacollit: ”Pacolli ka dhënë mbi dymbëdhjetë milionë euro”, thotë ai. Sa është pasuria e tij nuk dihet saktësisht. Në zgjedhjet e vitit 2007 ai kishte bërë të njohur vlerën prej 420 milionë euro. AKR-ja doli si forca e tretë parlamentare me 12,3 për qind të votave dhe me 13 deputetë. Tri vite më vonë ishin vetëm 11 për qind, por Pacolli ishte faktori i mbretbërjes së kryeqeveritarit, Hashim Thaçit. Ai “ia ktheu nderin” sipërmarrësit të ndërtimeve me postin e presidentit të shtetit. Ç’është e vërteta, Gjykata Kushtetuese e shpalli këtë zgjedhje si antikushtetuese. Pacolli u bë zëvendëskryeministër.

Çmagjepsja e miliarderit të vetëbërë filloi kur dolën në dritë praktikat e tij biznesore. Rrogat e papaguara, akuzat për ryshfet dhe kontaktet me Rusinë e padëshiruarr e gërvishtën autoritetin e tij, transmeton albinfo.ch. Derisa shumica e kosovarëve përkrahin integrimin e Kosovës në BE dhe në NATO, Pacolli kultivonte hapur lidhje me Moskën, e cila ua mohon lidhjen me Perëndimin ish- republikave sovjetike. Rrjedhimi i tërë kësaj: më 2014 partia e Pacollit nuk ia arriti as të futet në parlament.

Për aq sa ishte e zëshme ngritja e tij, po aq heshtur ndodhi dalja e tij nga politika. Ai po koncentrohet në atë që di ta bëjë më së miri, thonë në rrethin e tij: në biznesbërje. Në mënyrën e tij.

Albinfo.ch – përkthimi: Nexhmedin Gerguri