Kuriozitete

Cili është problemi i Roblox?

Roblox ka rreth 111 milionë përdorues në mbarë botën, ku gati 40 për qind janë të mitur. Sipas autoriteteve, prej disa vitesh në këtë platformë janë evidentuar probleme serioze sigurie, veçanërisht në funksionet e komunikimit.

Antropologia digjitale, e specializuar në videolojëra dhe botë virtuale, J. Loeva La Ragione, shpjegon se një nga shqetësimet kryesore lidhet me funksionin e bisedës (chat), i cili u mundëson përdoruesve të komunikojnë me këdo në internet. Kjo i ekspozon disa fëmijë ndaj mesazheve me përmbajtje seksuale ose sjelljeve të papërshtatshme përmes avatarëve.

Sipas saj, megjithëse avatari nuk pasqyron identitetin real të përdoruesit, ai mund të keqpërdoret nga persona keqdashës që shtiren si fëmijë të tjerë për të fituar besimin e viktimave të tyre.

Ekspertja thekson rëndësinë e përfshirjes së prindërve në aktivitetet online të fëmijëve, duke sugjeruar që ata t’i shoqërojnë, madje edhe të luajnë bashkë me ta, ashtu si në një lojë tavoline.

Një tjetër element kyç, sipas Loeva La Ragione, është edukimi digjital. Ajo këshillon që fëmijëve t’u mësohen praktika të sigurta në internet, si moszbulimi i identitetit real apo i të dhënave personale, kujdesi ndaj të panjohurve dhe raportimi i çdo përmbajtjeje problematike.

Gjithashtu, rekomandohet që kompjuterët dhe konzolat e lojërave të mbahen në ambiente të përbashkëta të shtëpisë, duke e konsideruar çdo hapësirë virtuale si një hapësirë publike, njësoj si bota reale.

Autoritetet e Gjenevës shprehen të shqetësuara nëse masat mbrojtëse të vendosura nga vetë platforma Roblox janë të mjaftueshme dhe efektive për garantimin e sigurisë së të miturve.