Lajme
Çdo i treti banor i Suharekës jeton jashtë vendit
"Nga 89 mijë banorë të Suharekës, 28160 jetojnë jashtë vendit. Një arsye e mirë për të krijuar drejtorinë e mërgatës"

Komuna e Suharekës është e vetmja në Kosovë që ka themeluar drejtorinë e saj për mërgatën. Çka e ka shtyrë këtë komunë të krijojë një drejtori të tillë dhe sa e bën ekzistimi i kësaj drejtorie Suharekën më ndryshe nga komunat tjera? Drejtorin e drejtorisë së mërgatës në Komunën e Suharekës, Zeqir Kurtishajn e takuam në mesin e mërgimtarëve, në punimet e Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, javën e kaluar në Bernë dhe ia shtruam pyetjet në fjalë.
“Numri i madh i mërgimtarëve që ka komuna jonë na ka shtyrë të marrim një hap të tillë. Afërsisht çdo i treti qytetar i komunës së Suharekës jeton jashtë vendit, kryesisht në Zvicër, Gjermani, Itali etj.”, thotë Kurtishaj.
“Menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2009, krahas tetë drejtorive tjera është formuar edhe e nënta, ajo për mërgatën. Drejtoria e parë dhe ende e vetme në Kosovë për këtë fushë”. Për formimin e saj ai thotë se kanë pasur arsye të mjaftueshme. “Ne në komunë kemi bërë një regjistrim të popullatës vitin e kaluar, me ç`rast kemi regjistruar edhe qytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit. Nga ky regjistrim del se nga 89 mijë banorë që i ka pasur komuna, 28160 jetojnë jashtë vendit, kryesisht në perëndim. Vetëm në Zvicër, sipas atij regjistrimi, jetojnë rreth 5000 qytetarë të Suharekës. Ky numër kaq i madh vetvetiu të imponon një preokupim më serioz për ta, duke i trajtuar si pjesë e jona”, shton përgjegjësi për mërgatën në komunën e Suharekës.
10 praktikantë për të shkurtuar rreshtat e pritjes për pasaporta
Themelimi i drejtorisë, sipas tij, është pasuar nga aktivitete të ndryshme, në dobi të mërgimtarëve. “Vitin e kaluar kemi punuar për lehtësimin e pajisjes së mërgimtarëve tanë me dokumente udhëtimi dhe me certifikata të ndryshme. Për të realizuar këtë, ne kemi marrë përforcime, duke krijuar 10 vende të reja, të përkohshme të punës për një staf praktikantësh, të cilët janë financuar nga komuniteti i biznesit. Duke punësuar ata ne i kemi shkurtuar dukshëm kolonat e pritjes para sporteleve për pasaporta. Praktikantët në fjalë kanë ndihmuar bashkatdhetarët në përgatitjen e dokumenteve, fotokopjimin e tyre etj., të cilat të gjitha janë bërë pa pagesë”.
Por, aktiviteti i drejtorisë nuk është kufizuar vetëm në lehtësimin e nxjerrjes së dokumenteve. “Për nderë të mërgimtarëve është mbajtur nga 23 deri 25 korrik festivali “Diafest” i cili do të jetë tradicional. Në kuadër të tij ka pasur koncert në qendër të qytetit, ekspozitë të trashëgimisë kulturore, prezantim prodhimesh të traditës etj. Drejtoria më tutje ka realizuar edhe projektin “takim – investime e mërgimtarëve”. Me këtë rast kryetari i komunës ka takuar një numër mërgimtarësh të interesuar për të investuar në komunën tonë”, numëron Kurtishaj punët e kryera.
© albinfo.ch
Trualli pa pagesë për ata që duan të investojnë nga diaspora
I pyetur rreth arsyes së vizitës së tij në Zvicër, Zeqir Kurtishaj thotë se kjo është pjesë e detyrave që i dalin drejtorisë së tij në bazë të programit dhe ligjit për mërgatën të miratuar nga Kuvendi i Kosovës. “Ato parashohin edhe kontaktet me mërgatën në vendet ku ajo jeton. Unë vetë kam jetuar një kohë të gjatë jashtë vendit, në Gjermani, dhe e di se “ku ju dhemb dhëmbi” atyre, shprehet ish mërgimtari.
“Qëllim i komunës tonë dhe kryetarit të komunës që vjen nga sfera e biznesit është që njerëzve tanë që jetojnë jashtë, t`u krijojmë lehtësira për investime. Dhe, tashmë e kemi rastin e tretë të një investuesi që vjen përmes drejtorisë sonë për të investuar në komunën tonë. Ai vjen nga Zvicra. Ndër lehtësirat që u kemi krijuar është edhe dhënia pa pagesë e truallit në zonën industriale të qytetit për të investuar”.
Nga vizita që ka pasur në Zvicër z. Kurtishaj ka mundur të konstatojë se mërgata jonë nuk është më ajo që ka qenë para disa vitesh. “Tashmë ka një numër më të madh të shkolluarish në mesin e tyre. Ata dinë të organizohen dhe të punojë për një imazh më të mirë për popullin tonë në vendin ku jetojnë. Themelimi i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës” është një ndër treguesit e avancimit të mërgatës sonë, sipas Zeqir Kurtishajt, drejtor i drejtorisë për mërgatën në Komunën e Suharekës.
E-Diaspora
-
Një thirrje artistike për drejtësi në zemër të Evropës Dhjetëra fustane të varur në tela për tharjen e rrobave, dhuruar nga të mbijetuara të dhunës...
-
Aksident fatal në Francë, humb jetën një kosovar
-
Shfaqet për here të parë në Zvicër dokumentari “UDHA – Një gjak, një gjuhë, një besë” në Riffraff, Zürich
-
Edona Preza diplomoi për Shkenca Biologjike dhe studimet Shqiptaro-Amerikan në Illinois
-
Lyon: Kënga e vallja shqipe jehoj nga Shoqëria Kulturore-Artistike “Ilirët”
Jeta në Austri
-
Çfarë ndodh me qëndrimin në Austri nëse humbni punën? Ja çfarë duhet të dini Humbja e një vendi pune është një situatë e vështirë, veçanërisht kur leja e qëndrimit është...
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë?
-
Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€
-
Austria prezanton pensionin e pjesshëm
-
Austria forcon ligjet për armët dhe sigurinë në shkolla pas tragjedisë në Graz