Lajme

Calmy Rey: “Për Kosovën kam bërë vetëm një pjesë nga ajo që ka bërë Zvicra”

Thekse nga fjalët e presidentes Calmy Rey dhe ministrit Hoxhaj para gazetarëve në Bernë, me rastin e ndarjes së çmimit Diaspora

(Update)

Zvicra është partnere ngushtë me Kosovën. Ajo ka prani aktive me të gjitha instrumentet e saj të politikës së jasjhtme në Kosovë, mes tjerash edhe me ushtrinë zvicerane. Po kështu Zvicra bën pjesë edhe në grupin mbikëqyrës të shteteve për pavarësinë e Kosovës. Pastaj ajo është aktive me ndihmesën e saj për bashkëpuinimin për zhvillim, me ndihmën për ndërtimin e shtetit të të drejtës, në luftimin e krimnalitetit të organizuar etj.

Tri vjet pas pavarësimit të saj, Kosova ka bërë përparim të madh, mes tjerash edhe në integrimin e pakicës serbe në jugun e Kosovës. Por janë edhe një numër sfidash relativisht të mëdha që i ka përpara Qeveria kosovare dhe Zvicra do të vazhdojë ndihmën e saj në përballimin e tyre.

Njëra nga këto sfida është pakica serbe në veri të vendit. Zvicra dënon dhunën atje dhe qëndron në krah të KFOR-it dhe të EULEX-it, ajo përkrah vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, kundërshton gjendjen pa sundim të ligjit dhe strukturat paralele atje ndërkohë që mbështet dialogun e ndërsjellë dhe jo dhunën.

Duke folur për qëndrimin e hershëm të Zvicrës për të drejtën e Kosovës që të jetë e pavarur, Calmy rey ka thënë: “Në kohën kur ne në Nju Jork, në vitin 2005 shprehëm opinionin tonë se Kosova duhet të jetë e pavarur, njerëzit thoshin se `zviceranët i paskan lënë mendtë`. Tash, shumë vite pas kësaj, them se ai ka qenë qëndrim i duhur dhe jemi të lumtur me zgjidhjen e bërë sepse pavarësia e Kosovës ka qenë kusht për stabilitetin e tërë regjionit”.

Lidhur me marrëveshjen e lidhur me ministrin Hoxhaj për transportin, ministrja Rey tha se kjo bën pjesë në mesin e shumë marrëveshjeve që po lidhin dhe do të lidhin dy shtetet në mes vete. “Kemi folur për mënyrën si t`i forcojmë marrëdhëniet në mes ey shteteve. Kemi një marrëveshje për mbrojtjen e investimeve, e cila duhet të hyjë në fuqi sa më shpejt që është e mundur, që do të jetë bazë për investimet e kapitalit zviceran në Kosovë”.

Ndërsa, duke bërë fjalë për çmimin që i është ndarë nga diaspora kosovare në Zvicër Presidentja dhe ministrja e jashtme Calmy Rey ka shprehur mirënjohje të thellë dhe nuk ka mundur të fshihte emocionin që i sillte ky nderim. “Është një nder shumë i madh për mua, por unë kam bërë vetëm një pjesë nga gjithë ajo që ka bërë Zvicra për Kosovën. Për mua kjo njohje që i bëhet kontributit të Zvicrës për Kosovën është motiv për të punuar edhe në të ardhmen për të kontribuar për këtë vend. Diaspora kosovare në Zvicër i ka sjellë shumë Zvicrës. Unë mendoj se tash së bashku, Zvicra dhe diaspora kosovare në Zvicër duhet të punojnë më shumë për zhvillimin e Kosovës. Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik, për vende të punës, për demokraci dhe për shtet juridik. Prandaj me këtë rast ju bëj apel: vazhdoni të jeni aktiv dhe ndihmojeni Kosovën”.

Calmy-Rey ka folur edhe për imazhin e ksoovarëve në Zvicër. Me këtë rast ajo ka thënë se kosovarët kanë kontribuuuar shumë për këtë end, ata punojnë integrohen dhe janë pjesë e kësaj shoqërie. “Por, ka edhe probleme”, ka thënë ajo.

Hoxhaj: “Vendi i vogël i quajtur Republika e Kosovës, do të ekzistojë përgjithmonë”

Ministri i punëve të Jashtme i Kosovë, Enver Hoxhaj duke falënderuar Zvicrën për gjithë atë që ka bërë duke pritur kosovarët në periudha të ndryshme dhe sidomos refugjatët gjatë luftës së fundit, ka thënë se një falënderim i posaçëm i shkon presidentes Calmy Rey.

Duke dashur të shprehë mirënjohjen për Zvicrën dhe identifikimin e kosovarëve me këtë shtet, Hoxhaj, ka thënë “Nëse ministri i jashtëm i Kosovës duhet të anojë në nkë rast për një skuadër kombëtare tjetër nga ajo e Kosovës, atëherë ajo do të ishte kombëtarja e Zvicrës”.

Lidhur me njohjet, Ministri Hoxhaj ka thënë se qeveria dhe institucionet po bëjnë përpjekje të mëdha për shtimin e numrit të tyre. Pas vendimit të Gjykatës ndërkombëtare vitin e kaluar, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë legjitime, shtetet nuk kanë ndonjë bazë ligjore të mos e njohin Kosovën. Puna jonë është të shkojmë në shtetet përkatëse t`i lusim të marrin vendim për njohje.

Duke folur për lobimin për njohje, ministri Hoxhaj u shpreh se kjo kërkon energji të madhe dhe të konsistencë. “E informova edhe zonjën presidente se si `po udhëtoj si një i çmendur” në shumë vende për të siguruar njohje. Por, një gjë është e sigurt: Vendi i vogël i quajtur Republika e Kosovës, do të ekzistojë përgjithmonë në Ballkan dhe ne do të bëjmë përpjekje për integrimin e tij në bashkësinë ndërkombëtare.

Ndërsa për problemin e veriut, Hoxhaj tha se veriu i vendit po kontrollohet që nga paslufta nga shteti serb. “Ne themi se është koha e fundit që Serbia të veprojë në brendi të shtetit tonë dhe i kërkojmë asaj të lejojë që serbët e veriut të integrohen në jetën e vendit ashtu sikurse janë integruar bashkëkombësit e tyre në brendinë e Kosovës. Kosova është shtet multietnik”, ka theksuar ministri i jashtëm i Kosovës.

“Ne na duhet të punojmë më shumë për të rregulluar imazhin e popullit jo vetëm në Zvicër por edhe në gjithë perëndimin”, ka thënë Hoxhaj duke iu referuar problemit të kosovarëve me imazhin. “Por në të njëjtën kohë unë i lus mediet që të raportojnë për shembuj të mirë, rrëfime të suksesit të kosovarëve në Zvicër”.

Lidhur investimet nga Zvicra, Hoxhaj ka thënë se për ne është me shumë rëndësi të kemi marrëveshje për të nxitur investimet për zhvillim. Shfrytëzoj rastin të ftoj investuesit zviceranë të investojnë në Kosovë. Jemi një vend me pozitë të mirë strategjike, jo larg detit, me një popullatë të re, një numër i të cilëve me arsimim kualitativ. Kosova mund të jetë një vend i përshtatshëm për investorët”. (B.SH.)

  

Bernë: Micheline Calmy Rey mori çmimin Diaspora nga kosovarët

  

Sot në Bernë, ashtu siç ishte planifikuar, u bë dorëzimi solemn i çmimit Diaspora presidentes dhe ministres së jashtme të Zvicrës, Micheline Calmy Rey.

Në solemnitetin, të cilit i parapriu nënshkrimi i një marrëveshjeje në mes të Zvicrës dhe Kosovës në lëmin e transportit, ishte i pranishëm edhe ministri i jashtëm në Qeverinë e Kosovës Enver Hoxhaj me bashkëpunëtorë.

Çmimin “Diaspora” si shenjë mirënjohjeje dhe respekti të mërgatës kosovare për veprën e zonjës Calmy-Rey, e dorëzoi Shpëtime Kamberi, arkitekte e re, e cila njëherësh është edhe autore e punimit.

Micheline Calmy-Rey u shpreh shumë e emocionuar me çmimin dhe me gjithë vlerësimin që po i bëhet asaj dhe Zvicrës me këtë rast.

Një fjalë falënderimi,në konferencën për medie që u mbajt në një sallë protokolesh të Qeverisë së Zvicrës, e tha edhe ministri Hoxhaj. Po ashtu edhe ambasadori Naim Malaj falënderoi presidenten Calmy-Rey dhe Zvicrën për gjithë atë që kanë bërë për Kosovën në kohët më të vështira që ajo ka kaluar.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes në fushën e transportit dhe rrugëve, presidentja dhe minsitrja e punëve të jashtme e Zvicrës bashkë me ministrin e punëve të jashtme të Kosovës, mbajtën një konferencë shtypi, ku ishin të pranishëm përfaqësues të shumë medieve zvicerane dhe atyre shqiptare që veprojnë në Zvicër.

Shumica e pyetjeve që iu bënë dy ministrave kishin të bënin me nivelin e bashkëpunimit në mes të Zvicrës dhe Kosovëssi dhe me çmimin Diaspora që po i ndahej zonjës Rey.

Po ashtu u shtruan pyetje edhe rreth imazhit që gëzojnë kosovarët në Zvicër dhe rreth asaj çfarë po ndërmarrin institucionet e të dy vendeve për përmirësimin e këtij imazhi.

Gazetari i albinfo.ch pyeti të dyministrat rreth marrëveshjes të cilën ata e kishin nënshkruar sot. Rey dhe Hoxhaj u përgjigjën se kjo ishte në vazhdimësinë e një numri të madh marrëveshjesh që po nënshkruajnë dhe do të nënshkruajnë dy vendet.Ata disa herë përsëritën se marrëdhëniet në mes të Zvicrës dhe Kosovës janë të shkëlqyera dhe ato duhet kultivuar edhe më tej.

Duke folur për marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, ministri Hoxhaj dhe presidentja Calmy-Rey janë pajtuar që marrëdhëniet e mira politik duhet të shndërrohet në marrëdhënie të mira ekonomike, arsimore dhe kulturore.

“Prandaj prioritet për Qeverinë e Kosovës është përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe të kemi më shumë investitor nga Zvicra, sidomos nga diaspora jonë e cila është shumë e fuqishme”, ka vlerësuar ministri Hoxhaj.

Në këtë takim, ministri Hoxhaj ka informuar presidenten Calmy-Rey për shtetndërtimin e suksesshëm të Kosovës, për stabiliteti politik dhe reformat e ndërmarra deri tani.

Nga ana tjetër, Presidentja e Konfederatës së Zvicrës dhe shefen e Departamentit Federal të Punëve të Jashtme, Micheline Calmy-Rey ka vlerësuar lartë punën Qeverisë për progresin në Kosovë.

Duke folur për situatën në veri të Kosovës, presidentja Calmy-Rey dhe ministri Hoxhaj kanë kërkuar që situata atje të tejkalohet sa më shpejt.

Ministri Hoxhaj në Zvicër ka ripërsëritur qëndrimin e Qeverisë së Kosovës se jetësimi i planit të Ahtisaarit është korniza e vetme për integrimin e suksesshëm të serbeve të veriut, ashti siç ka ndodhur në pjesën më të madhe të Republikës së Kosovës.

Foto galeri