Lajme

Burns: SHBA-ja i jep mbështetje Kosovës në të gjitha proceset e saj

Sipas tij, SHBA-ja është e interesuar për përparimin e gjithë rajonit të Ballkanit, përfshirë Kosovën, drejt integrimeve euroatlantike

Presidentja Atifete Jahjaga, ka takuar zëvendëssekretarin e shtetit të SHBA-së, William Burns i shoqëruar nga zëvendësndihmëssekretari i shtetit, Philip Reeker dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Christopher Dell.

Zëvendëssekretari amerikan i shtetit, Burns, ka deklaruar se SHBA-ja i jep mbështetje dhe përkrahje Kosovës në të gjitha proceset e saj.

Sipas tij, SHBA-ja është e interesuar për përparimin e gjithë rajonit të Ballkanit, përfshirë Kosovën, drejt integrimeve euroatlantike.

“Burns, ka theksuar se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështes Kosovën në skenën ndërkombëtare, rajonale dhe atë të brendshme dhe nuk do të inkurajojë asnjë hap që do të dëmtojë pavarësinë e Kosovës”, thuhet në kumtesën e Presidencës.

Sipas kumtesës, Presidentja, Atifete Jahjaga, e falënderoi zëvendëssekretarin amerikan te shtetit për mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë Kosovës në arritjen e lirisë dhe për përkrahjen e vazhdueshme për konsolidimin e shtetit.

Jahjaga ka deklaruar se prania e vazhdueshme e SHBA-së në Kosovë është garantues i paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin.

“Ajo ka thënë se janë bërë hapa të rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për të arritur stabilitetin dhe theksoi se zbatimi i Planit Ahtisaari, që ofron të drejta të garantuara për komunitetin serb, është zgjidhja më e mirë për komunat në veri të Kosovës. Presidentja Jahjaga tha se ky plan nuk është zbatuar në tri komunat në veri të Kosovës për shkak të pengesave nga strukturat ilegale dhe rrjeti kriminal serb. Ajo tha se pengesë tjetër mbetet edhe ndërhyrja e vazhdueshme e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës”, thuhet në kumtesë.

Jahjaga, ka deklaruar Serbia duhet të përmbushë obligimet e veta duke u angazhuar për një bashkëpunim rajonal dhe marrëdhënie të mira fqinjësore.

Ajo ka theksuar se nga dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë kanë dalë marrëveshje të cilat duhet të zbatohen. Jahjaga ka thënë se Kosova ka treguar vullnetin e saj për t’i zbatuar ato por tha se Serbia duhet të bëjë më shumë në zbatimin e tyre.

Presidentja Jahjaga, ka deklaruar se e mirëpret vullnetin e BE-së për të arritur përparim të mëtejmë në dialog por theksoi se me propozimet për diskutim në raundin e ri të dialogut duhet pasur parasysh që të mos cenohet shtetësia e Kosovës.

Ajo ka thënë se Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë janë të angazhuara në dialog si dy subjekte të barabarta dhe të pavarura.

Presidentja Jahjaga, tha se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur dhe duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë me të gjitha shtetet e tjera në rajon, njofton Presidenca.