Lajme

Burns: Serbia të pajtohet me realitetin në Kosovë

"SHBA përshëndet dialogun e lehtësuar nga BE në mes të Prishtinës dhe Beogradit, sikurse edhe marrëveshjet e arritura", ka thënë Burns

Nënsekretari amerikan për çështje politike, William Burns, ka deklaruar në Dubrovnik se Serbia “duhet të pajtohet me realitetin në Kosovë”.

Burns, duke folur në Samitin e 6-të me radhë të mbajtur në Kroaci, temë e së cilit është perspektiva dhe zgjerimi i rajonit në BE, ka përshëndetur “hapat mbresëlënës” të cilët Serbia, e udhëhequr nga presidenti Tadiq, po i ndërmerr drejt Evropës.

“SHBA përshëndet dialogun e lehtësuar nga BE në mes të Prishtinës dhe Beogradit, sikurse edhe marrëveshjet e arritura”, ka thënë Burns.

Sipas tij problemi në veri të Kosovës nuk guxon të kthehet në “konflikt të ngrirë”.

Në Samit ishin të ftuar edhe përfaqësuesit e shtetit serb dhe të atij boshnjak, mirëpo asnjëri prej tyre nuk u paraqitën në këtë konferencë dy-ditore.

Serbia, mos-pjesëmarrjen e saj e arsyetoi, sikurse edhe vitin e kaluar, me pjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.