Lajme

“Bomba e LSDM-së”, zhvesh PDSH-në dhe BDI-në

Publikimi i disa incizimeve nga LSDM, nxjerr në pah bashkëpunimin e ngushtë të partive politike shqiptare me shërbimin sekret maqedonas. Analisti Zekolli këtë e quan “pisllëk”

Publikimi i të ashtuquajturës “bomba e tretë” nga lideri i opozitës, Zoran Zaev i LSDM-së në Maqedoni, nxjerr në pah politikën “lojale” të dy partive më të mëdha politike shqiptare në këtë shtet, PDI-së dhe LSDM-së ndaj pushtetit e në veçanti ndaj shërbimit Informativ dhe shefit të këtij shërbimi Sasho Mijallkovi.

Ky lloj “servilzimi” ka nxitur analistin dhe ish-diplomatin Arsim Zekolli i cili e konsideron të neveritshme “hipokrizia e BDI-së ndaj servilosjes se Menduhit para Sasha Mijalkovit”. “Do të thoja, bile se cinizmi i BDI-stëve, tejkalon turpin e të parit të PDSh-së”, thotë Zekolli.

Incizimi i mbrëmshëm është vetëm se de-jure pohim i de-fakto sjelljes se z.Thaçi. Por, nëse i marrim të gjitha rrethanat parasysh, servilosja e Musa Xhaferit është dyfish më e turpshme dhe faqezezë se e Menduh Thaçit, konsideron Zekolli, transmeton Lajm.

“Menduhi përfundoj karrierën e vet, ashtu si secili politikan që nuk është i aftë të kuptoj se cili është momenti për t’u futur në politikë dhe aq më shumë të kuptoj momentin kur duhet ta braktisë atë. Por, të mos harrojmë. Kur i dyti i një strukture politike si BDI, fiton pushtetin përmes luftës në të cilën janë vrarë me qindra shqiptarë e maqedonas, fut urrejtje të patejkalueshme mes dy etnive, kur ky njeri, pra Musa, serviloset para shefit të Shërbim të Sigurisë dhe pa fije turpi akordon marrëveshje anti-demokratike, nuk do mend se krimi dhe serviliteti i BDI-së, është 7-fish më i madh se i PDSh-së”, thotë Zekolli.

Ai kërkon nga Ali Ahmeti dhe sejmenët e tij, dhe të shpjegojë, “pse ftuan në luftë dy popuj, pse futen në urrejtje dy bashkësi etnike, në kurriz të dashurisë kriminogjene me partnerët mafioz të VMRO-DPMNE?”

“Menduhi karrierën dhe pasurimin e vet, e shkruajti me ngjyrë pisllëku, por Musa dhe BDI-ja karrierat dhe pasurimin, e kanë të nënshkruar me gjak njerëzish të vrarë. Rrjedhimisht, mllefi dhe dënimi ndaj tyre, duhet të jetë shumë më i vrazhdët”, ka shkruar ndër të tjera në profilin e tij të ‘facebook’ analisti dhe diplomati Zekolli.

Ndryshe, partia më e madhe e opozitës maqedonase, LSDM ka lëshuar disa incizime ku sipas tyre, dëgjohet Sasho Mijallkov nga shërbimi informativ, duke biseduar me Musa Xhaferin dhe Menduh Thaçin. Mijallkov me Xhaferin bisedojnë për të kontrolluar Gjykatën Administrative.

“Duhet të takohem me Abdulaqim Ademin dhe të shohim pastaj”, thotë  Xhaferit, duke kërkuar një shërbim prej Mijallkovit në Gjykatë Administrative për një rast në Dollnen. Mijalkov i përgjigjet pozitivisht kësaj kërkese dhe merren vesh të shihen më vonë. Më pas u lëshua edhe një incizim për të cilin LSDM tha se është mes Menduh Thaçit dhe Mijallkovit.

“Kam një kërkesë urgjente. A mund të votoni për ne në KSHZ për Strumicën”, thotë zëri i Mijallkovit. Zëri i Thaçit i garanton se menjëherë do të rregullohet kjo punë. Më pas LSDM lëshoi incizimin e bisedës për të cilën thonë se është mes Thaçit dhe anëtarit ët KSHZ-së Bedredin Ibrahimi, ku kërkon që Ibrahimi të votojë në favor të VMRO-DPMNE-së.