Lajme

Blatter: Ende ekziston pengesa legale për pranim në UEFA

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka pritur sot në Cyrih kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrin, dhe ministrin kosovar të Sportit, Memli Krasniqin

Pas njohjes së Kosovës nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka ardhur momenti që edhe Federatat Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) dhe Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) të thyejnë izolimin e futbollit të Kosovës. Është një e drejtë themelore e jona që të jemi pjesë e barabartë e garave ndërkombëtare në futboll. 

Kështu ka deklaruar sot në Cyrih ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi gjatë takimit me presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter. Takmi ishte zhvillua në Cyrih të Zvicrës në selinë e FIFA-s.

Ministri Krasniqi në këtë takim ishte bashkë me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri dhe sekretarin gjeneral të FFK-së, Eroll Salihu. 

Ministri Krasniqi dhe kryetari i FFK-së Vokrri në këtë takim falënderuan Blatter për ndihmën e madhe që ka dhënë ai deri me tash në avancimin dhe ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar, në veçanti për lejimin e ndeshjeve miqësore zyrtare ndërkombëtare, thuhet në një njoftim të lëshuar pas trakimit. 

Blatter është njoftuar me ecurinë e ndeshjeve miqësore që ka zhvilluar deri më tash Kosova, përmes të cilave vendi ynë ka treguar pasionin e madh për lojën e futbollit si një mjet të bashkimit të njerëzve, si dhe FFK ka treguar cilësi të lartë në organizimin e mirë të ndeshjeve, duke respektuar diversitetin dhe fer plejin. 

Krasniqi dhe Vokrri e informuan kreun e FIFA-s edhe me investimet që janë bërë deri më tash në zhvillimin e futbollit në Kosovë, si në avancimin e infrastrukturës ashtu edhe në zhvillimin e garave nacionale konform rregullave ndërkombëtare. 

Ministri Krasniqi tha se mohimi i të drejtës për të zhvilluar gara zyrtare në çdo nivel në futboll ka shkaktuar mjaft sfida në vend në zhvillim më të madh të futbollit dhe ndërtimin e një perspektive të shëndoshë të shoqërisë përmes sportit. 

Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është thellë e përkushtuar që të respektojë autonominë e plotë të FFK në punën e saj, por edhe të çdo institucioni tjetër sportiv. Por shtoi se Qeveria është mjaftë e përkushtuar që të punojë në realizimin e një të drejtë të futbollistëve të Kosovës. 

“Kemi luajtur dhe po luajmë rolin e lehtësuesit dhe mbështetësit në realizmin e objektivave të institucioneve sportive dhe në përmirësimin e infrastrukturës. Ne jemi mbështetës të FFK-së edhe në procesin e ndërkombëtarizimit, për çka ata kanë punuar qe një kohë shumë të gjatë dhe do të jemi përkrah tyre dhe futbollistëve tanë edhe në proceset e ardhshme që ndërlidhen me arritjen e qëllimit human për të qenë pjesë e barabartë e botës së futbollit”, ka thënë Ministri Krasniqi. 

Ndërkaq kryetari Vokrri tha se futbollistët kosovarë për 20 vjet kanë qenë padrejtësisht të izoluar. 

“Padrejtësisht futbollistët për këto 20 vjet kanë qenë peng i politikës dhe kjo nuk duhet të zgjasë me. Futbollistët tanë kërkojnë asgjë më shumë veçse një të drejtë elementare siç e kanë të gjithë futbollistët në botë. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka dhënë një shembull për këtë duke ia hapur derën Kosovës dhe vullneti i sportistëve tanë nga ky lajm është rritur shumë. Ne jemi një vend që e duam futbollin dhe duam që edhe ne të tregojmë pasionin dhe potencialin tonë dhe është thjeshtë një e drejtë elementare njerëzore që kërkojmë”, tha kryetari Vokrri. 

Ndërkaq, presidenti i FIFA-s Sepp Blatter duke i përgëzuar për punën dhe sukseset e deritashme, ia ka konfirmuar delegacionit kosovar mbështetjen parimore të tij dhe të FIFA-s, duke u shprehur se pas pranimit të FFK-së në UEFA, pranimi në FIFA do të ndodh shumë shpejt. 

“Për fat të keq, pengesa legale për pranim në UEFA ekziston ende, por unë shpresoj se ju do të arrini që ta tejkaloni këtë pengesë, ashtu që futbollistët e Kosovës të kenë mundësi më shumë për tu prezantuar në arenën ndërkombëtare”, deklaroi Blatter. 

Delegacioni kosovar do të ketë gjatë ditës se sotme edhe takime të tjera me personalitete të rëndësishme në futbollin ndërkombëtar me qëllim të avancimit të procesit të ndërkombëtarizimit.