Lajme

Biserko: Serbia mobilizon rezervistët për luftë

Komiteti i Helsinkit në Beograd ka pranuar letrën e një mashkulli, i cili nga Ministria e Mbrojtjes kishte marrë ftesë për mobilizim

Komiteti i Helsinkit në Beograd thotë se kjo letër ishte ardresuar nga Ministria e Mbrojtjes më 5 shtator.

Kjo bëhet me qëllim të krijimit të njësive të kontingjentit rezervë në Pozharevc, në rast të luftës në Kosovë.

“Ky person përmes kërkimit në internet, por edhe nga kontaktet, ka kuptuar se bëhet fjalë për formimin e njësive të kontingjentit të rezervistëve në Pozharevc në rast të luftës”, ka deklaruar pë gazetën e Beogradit  “Danas”, Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut.

Sipas fjalëve të saj, mashkulli, identitetin e të cilit Biserko e mbron, në letër ka theksuar se nuk dëshiron të shkoj në njësitë e rezervistëve, pasi që me interes e ka të realizoj të drejtat e veta njerëzore dhe të mos bartë armë me asnjë kusht.

Në letrën, të cilën e kanë parë gazetarët e kësaj gazete , ai ka theksuar  se i frikësohet gjobës, apo dënimit me burg, nëse nuk i përgjigjet ftesës.“Shteti, i cili deri më tani, kur kam 31 vjet dhe planifikoj familje, nuk më ka ofruar asnjë kusht për jetë normale tash ka guximin dhe më fton në njësitë rezervë në rast lufte.  Krahas kësaj kërcënon me dënime. Nuk di, më kap frika dhe mllefi”, thuhet në letër.

Po ashtu është theksuar se ky person i është drejtuar edhe Zyrës së OKB për të drejtat e njeriut, por edhe Qendrës për aksion kundër luftës në Beograd. Ministria e Mbrojtjes  se Serbisë, për këtë rast ende po heshtë.