Ditë më parë, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, Rozeta Hajdari, nënshkroi një vendim të ri që rregullon çmimet e naftës.
Përmes këtij vendimi u caktua edhe marzha e fitimit. Për shitjen me shumicë të naftës do të jetë 2 eurocentë për litër, ndërsa për shitjen me pakicë, marzha maksimale do të jetë 12 eurocentë për litër.
Çmimet e derivateve në tregun kosovar janë dukshëm më të lira.
Fadil Berjani nga Shoqata e Naftëtarëve ka thënë për Telegrafin se çmimet e derivateve sot në tregun kosovar sillen përafërsisht: nafta 1.18 cent deri në 1.28 cent dhe benzina 1.19 cent deri në 1.29 cent.
Berjani ka thënë se kësi çmime të lira nuk kemi pasur që tri vite.
“Nga dje ka zbritje prej 4 cent. Me tarifat e Trumpit dhe rënien e derivateve në bursa, ka gjasa që në Kosovë 1 litër naftë të jetë 1 euro. Çmimin e përcakton bursa dhe organizata prodhuese OPEC. Po kjo ulje që po ndodh është nga tarifat globale të Presidentit Donald Trump”, ka deklaruar Berjani, transmeton albinfo.ch.
Ai ka shtuar se nuk mund të paragjykojmë se si do të jenë çmimet në ditët në vijim.
Berjani ka theksuar se çmimet e derivateve në Shqipëri janë: nafta 1.89 cent dhe benzina 1.88 cent, ndërkaq në Serbi nafta 1.78 cent dhe benzina 1.79 cent. Sa i përket vendimit të MINT për marzhën, Berjani ka thënë se është vendim në kohën e gabuar.
“Kemi lëvizje globale të çmimeve të derivateve të naftës dhe ky vendim i dëmton bizneset. Ndërsa ky vendim kompanitë e mesme dhe të vogla i shkatërron, i falimenton. MINT është dashur të nxjerrë vendim për shportën e qytetarit, sepse nafta ka qenë gjithëherë më e lira në rajon, ndërsa shporta e qytetarit më e shtrenjta në Kosovë se në Gjermani”, ka thënë Berjani.