Shqipëria

Bien aplikimet e shqiptarëve për azil në vendet e BE-së

Në raport me popullsinë, Greqia rezulton me numrin më të lartë të aplikimeve për çdo 100 mijë banorë (40.2), e ndjekur nga Spanja (26.3) dhe Luksemburgu (25.6)

Aplikimet e shtetasve shqiptarë për mbrojtje të përkohshme në shtetet e Bashkimit Evropian (BE), kanë vijuar tendencën rënëse të fortë edhe në dy muajt e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të Eurostat, në janar-shkurt u shënuan gjithsej 980 apkikime për azil në një nga vendet e BE-së, duke shënuar një rënie prej 19.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Ky është niveli më i ulët i aplikimeve që nga 2021-i, kur shifrat ishin minimale për shkak të kufizimeve të lëvizjes si rrjedhojë e pandemisë.

Që prej vitit 2022, kur arritën një kulm të ri, aplikimet për azil shënuan një rënie të vazhdueshme në vitet në vijim, si një tregues i ngadalësimit të fenomenit të emigracionit.

Gjithsesi, ky tregues mbetet i pamatshëm, teksa një pjesë e madhe e atyre që emigrojnë po largohen me kontrata pune, apo përmes bashkimit familjar.

Franca vijon të jetë desinacioni kryesor i azilantëve, e ndjekur nga Gjermania, me të dy këto shtete që kanë parë rënie të fluksit në dy muajt e parë të vitit.

Në muajin shkurt 2025, rreth 59 mijë qytetarë jo të BE-së kërkuan për herë të parë mbrojtje ndërkombëtare në vendet e Bashkimit Evropian.

Kjo përfaqëson një rënie të ndjeshme prej 23%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 12% më pak krahasuar me janarin 2025.

Përveç tyre, u regjistruan edhe 7 630 aplikime të përsëritura, një rritje modeste prej 6% nga viti i kaluar, por në rënie krahasuar me muajin janar.

Për të disatin muaj me radhë, Venezuelianët përbëjnë grupin më të madh të kërkuesve të azilit, me mbi 8 300 aplikime të reja në shkurt.

Pas tyre renditen afganët (5 610) dhe sirianët (4 630), dy prej grupeve që tradicionalisht kanë dominuar statistikat e migrimit.

Spanja, Gjermania, Franca dhe Italia, vazhdojnë të jenë vendet që përballen me pjesën më të madhe të fluksit.

Vetëm këto katër vende kanë pranuar 77% të kërkesave për azil, me Spanjën në krye të listës (12 805 aplikime).

Në raport me popullsinë, Greqia rezulton me numrin më të lartë të aplikimeve për çdo 100 mijë banorë (40.2), e ndjekur nga Spanja (26.3) dhe Luksemburgu (25.6).

Në shkurt, 1 720 të mitur të pashoqëruar kanë kërkuar për herë të parë azil në BE. Shumica vijnë nga Siria, Afganistani dhe Egjipti – fëmijë që shpesh udhëtojnë vetëm dhe në kushte të rrezikshme, në kërkim të sigurisë dhe një të ardhmeje më të mirë.

Gjermania ka regjistruar numrin më të lartë të kërkesave nga të miturit e pashoqëruar (575), e ndjekur nga Spanja (330) dhe Greqia (245).