Lajme

Bie niveli i ujit në liqene, situata mbetet alarmante

Berisha tha se këto përmbytje ishin më të mëdhatë që kanë ndodhur ndonjëherë në Shqipëri

Kryeministri Sali Berisha tha të hënën se nuk ka evakuim afatshkurtër të popullsisë në zonat e përmbytura në veri të vendit. Kryeministri, i cili foli në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, tha se do të ndihmohen banorët në zonat e përmbytura që për gjysmë ore humbën shtëpitë e tyre.

Berisha tha se këto përmbytje ishin më të mëdhatë që kanë ndodhur ndonjëherë në Shqipëri. Duke konfirmuar se 10 mijë banesa janë të përmbytura në qytetin e Shkodrës, Nënshkodër dhe në rrethina, dhe 12 mijë persona të evakuuar, kryeministri tha se në banesat e tyre janë ngujuar 10 mijë të tjerë.

Sipas Berishës, nuk ka pasur asnjë jetë të humbur. Ai konfirmoi rënien e nivelit të liqeneve. “Liqeni i Fierzës në fillimi ka qenë në 286, por më pas është ulur në 282 metra”, tha kryeministri, duke nënvizuar se digat u mbajtën nën kontroll dhe se po punohet për të parandaluar një vërshim me pasoja katastrofale që mund të vinte nga diga e Torovicës, e cila do ta çonte ujin drejt Lezhës.

Kryeministri kërkoi gjithashtu shtyrjen e seancës parlamentare të parashikuar për të enjten dhe po kështu, njoftoi se do të shtyhen festimet për 8 dhjetorin – festën e rrëzimit të diktaturës në Shqipëri.