Lajme

Si ndodhi që të rimbursohen 7200 shoferë që u dënuan gabimisht në Bernë

Radarët, shpjegon policia e Bernës, ishin programuar gabimisht dhe kishin regjistruar shpejtësi më të larta se ato që zhvillonin realisht

Mbi 7200 shoferë, të cilët u gjobitën gabimisht për shpejtësinë e lejuar në qytetin e Bernës, janë rimbursuar. Midis mesit të shtatorit dhe mesit të tetorit 2023, një gabim në programimin e radarëve kishte çuar në matje të gabuara të shpejtësisë. Gabimi është korrigjuar dhe pajisjet janë vënë sërish në funksion, njoftoi policia kantonale e Bernës, transmeton albinfo.ch.

Deri më tani, 7,231 nga rreth 7,300 shoferët që kishin paguar tashmë gjobën janë rimbursuar. Për rastet e mbetura në pritje, policia bëri me dije se është në pritje të përgjigjes me detajet e sakta të llogarive. Njerëzit që ishin fotografuar nga kamerat midis 12 shtatorit dhe 19 tetorit u informuan më pas për gabimin me letër.

Sipas policisë, pajisjet e programuara gabimisht i përkasin gjeneratës së re të sistemeve matëse të zhvilluara për Zvicrën nga një kompani holandeze vitet e fundit. Ato ishin testuar dhe miratuar nga Instituti Federal i Metrologjisë (Metas), i cili kalibroi sistemet dhe miratoi funksionimin e tyre. Sipas njoftimit për shtyp, katër radarët me defekt kanë pasur të njëjtin rregullim. Pas konstatimit të mosfunksionimit, policia i kishte besuar Metas një kontroll në radarët e “inkriminuar”, nga ku rezultoi se ata realisht regjistronin shpejtësi më të larta se ato reale.