Lajme

Belgjika dëbon azilkërkuesit shqiptarë

Kanë zbritur sot në aeroportin e Rinasit 51 azilkërkuesit shqiptarë të kthyer nga Belgjika

Janë kthyer të mërkurën në Tiranë, 51 persona që kishin kërkuar azil në Belgjikë.

Autoritetet policore në Shqipëri bëjnë të ditur se qytetarët e kthyer nuk kishin qëndrim të rregullt në territorin belg dhe janë kryesisht nga zona veriore e vendit.

“Ky operacion realizohet me fondet e buxhetit të shtetit, do vijojnë operacione të tilla dhe duhet të garantojmë shqiptarët se kushdo që shkel rregullat e qëndrimit në Bashkimin Evropian, Shengen, jo vetëm që do të kthehen në vend, por edhe do të penalizohen. Qytetarët e tjerë që respektojnë rregullat nuk do bartin pasojat e abuzuesve”, tha drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Hysni Burgaj, transmetojnë mediat e Tiranës.

Kthimi i tyre vjen pas alarmit që ka ngritur shteti belg për rritjen e kërkesave për azil në këtë vend nga qytetarët e Shqipërisë.